Trajneri i madh refuzon ofertën e Man United për të marrë drejtimin e klubit
Manchester United ka pësuar një goditje në ndjekjen e një prej objektivave kryesorë për postin e trajnerit, pas shkarkimit të Ruben Amorim.
“Djajtë e Kuq” u ndanë nga Amorim të hënën, një ditë pas barazimit 1-1 ndaj Leeds në “Elland Road”. Në momentin e largimit të tij, United renditej në vendin e gjashtë në Ligën Premier, ndërsa vendimi erdhi vetëm disa ditë pas një takimi të tensionuar me drejtorin sportiv Jason Wilcox.
Trajneri portugez, i cili fitoi vetëm 38.1% të ndeshjeve të tij në krye të United, pritet të përfitojë një dëmshpërblim të konsiderueshëm, pasi kontrata e tij ishte e vlefshme deri në qershor të vitit 2027.
Ish-mesfushori i United, Darren Fletcher, do të ngjitet nga ekipi U18 dhe do të marrë drejtimin e klubit në mënyrë të përkohshme, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë një sërë kandidatësh për ta marrë postin në mënyrë të përhershme.
Oliver Glasner, Andoni Iraola, Enzo Maresca, Thomas Tuchel, Marco Silva, Mauricio Pochettino dhe Xavi Hernandez janë të gjithë përmendur si kandidatë potencialë për këtë detyrë.
Ka pasur gjithashtu raportime për interesim ndaj ish-trajnerit të Interit, Simone Inzaghi, i cili fitoi Serie A në vitin 2024 dhe i çoi 'Nerazzurrët' në dy finale të Ligës së Kampionëve.
Inzaghi mori drejtimin e skuadrës së Al Hilal gjatë verës dhe i udhëhoqi ata deri në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube, pas një fitoreje dramatike 4-3 ndaj Manchester City.
Sipas gazetarit Nicolo Schira, United “kishte kërkuar informacion” për Inzaghin, por trajneri italian dëshiron të qëndrojë në Riad, pasi ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare në qershor të vitit 2025.
Besohet se Manchester United po synon të emërojë një trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit dhe të presë verën për të sjellë një pasues të përhershëm të Amorim.
Gjithashtu, është raportuar gjerësisht se Ole Gunnar Solskjaer është favorit për ta marrë këtë detyrë për herë të dytë./Telegrafi/
