Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 January 2026Main stream

BRUKSEL – Von der Leyen: Më shumë mbështetje e BE-së për Groenlandën

15 January 2026 at 22:01

BRUKSEL, 15 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen premtoi sot mbështetje të mëtejshme të Bashkimit Evropian për Groenlandën, pas bisedimeve të pasuksesshme amerikano-daneze në Uashington.

”Groenlanda mund të mbështetet te ne politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht”, tha politikania gjermane gjatë një konference për shtyp në Limassol, Qipro, në kuadër të bisedimeve.

Ajo shtoi se siguria në Arktik është kryesisht çështje e NATO-s, por rajoni dhe siguria e tij janë gjithashtu një çështje qendrore dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për Bashkimin Evropian.

”Kjo është, ndër të tjera, arsyeja pse ne po dyfishojmë investimet dhe mbështetjen për Groenlandën”, tha Von der Leyen, duke u referuar planeve buxhetore që do të dyfishojnë ndihmën financiare të BE-së për ishullin.

Ajo gjithashtu përmendi hapjen e një zyre të BE-së në Groenlandë në vitin 2024.

Zyra synon të forcojë më tej bashkëpunimin me qeverinë dhe popullsinë e Groenlandës.

”Bashkimi Evropian ka një reputacion shumë të mirë në Groenlandë…, punët mbi sigurinë e Arktikut do të vazhdojnë me aleatët dhe partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.

Komentet e Von der Leyen ishin hera e parë që ajo foli publikisht për Groenlandën që nga përfundimi i bisedimeve dje në Uashington, të cilat përfunduan pa rezultate./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BRUKSEL – Von der Leyen: Më shumë mbështetje e BE-së për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Harry Styles, ish-ylli i “One Direction” album solo pas katër vitesh

15 January 2026 at 21:21

LONDËR, 15 janar /ATSH-DPA/ – Ish-ylli i ”One Direction”, Harry Styles, ka njoftuar se do të publikojë albumin e tij të parë pas katër vitesh.

Këngëtari 31-vjeçar do të nxjerrë regjistrimin e tij të katërt me titull  “Kiss all the time. Disco, Occasionally” më 6 mars.

Albumi, i cili është prodhuar ekskluzivisht nga Kid Harpoon, tashmë është në dispozicion  në faqen e internetit të këngëtarit.

Zërat për një album të ri filluan kur u vendosën postera në qytete si Nju Jork dhe Manchester, që mbanin shprehjen ”We belong together”.

Përveç postimit të njoftimit në Instagram, Styles gjithashtu ndryshoi foton e profilit të tij me një imazh ku shfaqej duke veshur një këmishë të verdhë, kravatë të kuqe dhe syze dielli portokalli.

Ylli i lindur në Worcestershire ka mbajtur një profil të ulët që nga përfundimi i turneut ”Love On Tour” në 2023, duke u raportuar se kishte përfunduar Maratonën e Berlinit me pseudonimin Sted Sarandos në më pak se tre orë vitin e kaluar.

Së fundmi, këngëtari është pare gjithashtu duke shijuar Festivalin Glastonbury dhe në fjalimin e parë të papa Leones XIV në Romë në maj 2025.

Karriera solo e Styles filloi pas pauzës së ”One Direction”, ku edhe anëtarët e tjerë Niall Horan, Liam Payne dhe Louis Tomlinson u ndalën përkohësisht në vitin 2016, pothuajse një vit pas largimit të Zayn Malik nga grupi.

Payne vdiq në moshën 31-vjeçare në tetor 2024  pas rënies nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë, dhe anëtarët e mbetur të grupit u ribashkuan në funeralin e tij së bashku me ish-menaxherin Simon Cowell, në nëntor të atij viti.

Styles publikoi albumin e parë solo në 2017, më pas “Fine Line”  në 2019 dhe “Harry’s House”  në 2022, ku albumi i tij debutues dhe i tretë arritën numrin një në UK Albums Chart.

”One Direction” u formua në vitin 2010, kur u bashkuan nga Simon Cowell në programin talent-show të ITV, ”The X Factor”./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post MUZIKË – Harry Styles, ish-ylli i “One Direction” album solo pas katër vitesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rusia tregon interes për Arktikun, ndërsa SHBA synon Groenlandën

15 January 2026 at 20:41

MOSKË, 15 janar /ATSH-DPA/ – Duke marrë parasysh pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën, Rusia ka paralajmëruar se interesat e saj në Arktik nuk duhet të injorohen.

”Çdo përpjekje për të shpërfillur interesat e Rusisë në rajonin polar, mbi të gjitha në fushën e sigurisë, nuk do të mbetet pa përgjigje dhe do të ketë pasoja shumë të gjera”, tha në Moskë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Trump shpesh përmend aktivitetet ruse dhe kineze pranë ishullit arktik si justifikim për kërkesën e tij për kontroll mbi Grenlandën, duke argumentuar se prania e tyre e bën këtë masë tokësore thelbësore për nevojat e sigurisë së SHBA-së.

Zakharova kritikoi misionin e zbulimit ushtarak të disa shteteve evropiane të NATO-s për të mbrojtur më mirë ishullin autonom që i përket Danimarkës, duke e quajtur atë provokimin e radhës nga vendet perëndimore, të cilat, sipas saj, synojnë të imponojnë rendin e tyre edhe në këtë rajon të botës.

Ajo tha se shtetet evropiane duhet të jenë të vetëdijshme se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë e Rusisë si një shtet arktik bregdetar i barabartë.

Rusia, e cila ka një vijë bregdetare shumë të gjatë në oqeanin Arktik, e konsideron Arktikun si sferë të interesit të saj.

Ajo po rrit përdorimin e rrugëve detare në këtë rajon dhe po zgjeron praninë e saj ushtarake./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Rusia tregon interes për Arktikun, ndërsa SHBA synon Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trupat amerikane marrin kontrollin e një tjetër tankeri venezuelian me naftë

15 January 2026 at 19:33

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-DPA/ – Forcat amerikane kanë marrë sërish kontrollin e një tankeri nafte në Karaibe, njoftoi sot ushtria.

”Trupat këmbësore dhe detare morën kontrollin e tankerit ‘Veronica’ në orët e para të mëngjesit”, tha Komanda Jugore e SHBA-së në një postim në X.

Operacioni u krye pa incidente.

Sekretarja e Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, Kristi Noem shkroi në X se anija ishte një tanker i sanksionuar që më parë kishte kaluar në ujërat venezueliane dhe kishte shkelur një bllokadë të vendosur nga presidenti Donald Trump.

Ndalimi i tankerit është pjesë e një seri veprimesh të ngjashme në javët e fundit, pas njoftimit të presidentit Trump për një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha tankerave të sanksionuar që udhëtojnë drejt dhe nga Venezuela.

Ai akuzoi vendin e Amerikës së Jugut se po vidhte naftë, toka dhe pasuri të tjera nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se këto pasuri duhet të ktheheshin.

”E vetmja naftë që del nga Venezuela do të jetë ajo që koordinohet në mënyrë të duhur dhe ligjore”, tha Komanda Jugore e SHBA-së në postimin për operacionin e saj të fundit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trupat amerikane marrin kontrollin e një tjetër tankeri venezuelian me naftë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HOLANDË – Disa të plagosur pas një zjarri të madh dhe shpërthimeve në qytetin e Utrechtit

15 January 2026 at 18:55

AMSTERDAM, 15 janar /ATSH/ – Një zjarr i madh ka shpërthyer dhe janë raportuar shpërthime në një ndërtesë në qytetin holandez Utrecht, sipas BBC.

Ngjarja ndodhi pranë Visscherssteeg, një rrugice në qendër të qytetit. Mediet lokale raportojnë se ndërtesat përreth kanë pësuar dëme të mëdha.

”Mendohet se të paktën katër persona janë plagosur”, i tha kryebashkiaku i qytetit  transmetuesit publik NOS.

Mendohet se shumë njerëz të jenë ende nën rrënoja.

Shkaku i zjarrit ende nuk dihet.

Një dëshmitar për “RTL News” tha se kishte dëgjuar një shpërthim tmerrues se gjithçka në rrugicë ishte shkatërruar.

Persona të tjerë i thanë gazetës “Volksrant” se muret dhe dritaret e disa ndërtesave u shkatërruan dhe shumë dyqane pranë u dëmtuan.

Banorëve lokalë u është thënë të largohen.

”Shërbimi lokal i zjarrfikësve tha se nuk ishte i aftë të hynte në ndërtesë për shkak të rrezikut të shembjes”, raportoi transmetuesi holandez NOS./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post HOLANDË – Disa të plagosur pas një zjarri të madh dhe shpërthimeve në qytetin e Utrechtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Rusia dhe Kina nuk duan një përballje të drejtpërdrejtë me SHBA për shkak të Iranit

15 January 2026 at 17:47

PARIS, 15 janar /ATSH-AFP/ – Ndërsa Rusia dhe Kina janë të gatshme të mbështesin Iranin e tronditur nga protestat përballë kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, kjo mbështetje do të zbehej ndjeshëm në rast të një veprimi ushtarak amerikan, thanë sot ekspertët.

Irani është një aleat i rëndësishëm për dy fuqitë bërthamore, duke e furnizuar Rusinë me dronë dhe Kinën me naftë.

Por, analistët thane se këto dy superfuqi do të kufizoheshin në ndihmë diplomatike dhe ekonomike për Teheranin, për të shmangur një përballje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin.

”Kina dhe Rusia nuk duan të shkojnë kokë më kokë me SHBA-në për Iranin”, tha Ellie Geranmayeh, eksperte e lartë e politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR).

”Teherani, pavarësisht përpjekjeve të tij prej dekadash, nuk ka arritur të krijojë një aleancë formale me Moskën dhe Pekinin”, theksoi ajo.

”Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kryenin sulme ndaj Iranit, si kinezët ashtu edhe rusët do t’i japin përparësi marrëdhënieve të tyre dypalëshe me Uashingtonin”, shtoi Geranmayeh.

Sipas saj, Kina duhet të ruajë një afrimitet delikat me administratën Trump, ndërsa Rusia dëshiron të mbajë SHBA-në të përfshirë në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.

”Të dyja kanë prioritete shumë më të larta sesa Irani”, tha ajo.

Ukraina para Iranit

”Pavarësisht lidhjeve të ngushta, marrëveshjet Rusi-Iran nuk përfshijnë mbështetje ushtarake, vetëm ndihmë politike, diplomatike dhe ekonomike”, tha analisti rus Sergei Markov.

Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, tha se Moska do të bënte gjithçka që mundet ”për ta mbajtur regjimin në këmbë”.

Por ”opsionet e Rusisë janë shumë të kufizuara”, shtoi ai.

E përballur me krizën e saj ekonomike, ”Rusia nuk mund të bëhet një treg gjigant për produktet iraniane” dhe as të ofrojë ”një kredi bujare”, tha Gabuev.

Nikita Smagin, specialist i marrëdhënieve Rusi-Iran, tha se në rast sulmesh amerikane, Rusia mund të bëjë ”pothuajse asgjë”.

”Ata nuk duan të rrezikojnë një përballje ushtarake me fuqi të mëdha si SHBA-ja – por, në të njëjtën kohë, janë të gatshëm t’i dërgojnë armë Iranit”, tha ai.

”Përdorimi i Iranit si aset është diçka normale për Rusinë”, shtoi Smagin, në një kohë kur Moska po negocion gjithashtu me Uashingtonin për Ukrainën.

Vetëpërmbajtje kineze

Kina është gjithashtu e gatshme ta ndihmojë Teheranin ”ekonomikisht, teknologjikisht, ushtarakisht dhe politikisht” përballë veprimeve joushtarake të SHBA-së, si presioni tregtar dhe sulmet kibernetike, tha Hua Po, vëzhgues i pavarur politik me qendër në Pekin.

Nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin sulme, Kina ”do të forconte lidhjet e saj ekonomike me Iranin dhe do ta ndihmonte atë të militarizohej për të kontribuar në zhytjen e SHBA-së në një luftë në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.

Deri tani, Kina ka qenë e kujdesshme dhe është shprehur ”me vetëpërmbajtje”, duke peshuar interesat e naftës dhe stabilitetin rajonal, tha studiuesi i marrëdhënieve Iran-Kinë, Theo Nencini nga ”Sciences Po Grenoble”.

”Kina po përfiton nga një Iran i dobësuar, gjë që i lejon të sigurojë naftë me kosto të ulët… dhe të fitojë një partner të rëndësishëm gjeopolitik”, tha ai.

Sipas tij, Pekini ka të ngjarë të lëshojë dënime verbale, por jo të ndërmarrë kundërpërgjigje.

”Kriza iraniane nuk ka gjasa të ndikojë ndjeshëm në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, tha Hua.

”Çështja iraniane nuk është në zemër të marrëdhënieve mes dy vendeve”, argumentoi ai.

”Asnjëra palë nuk do t’i prishë lidhjet me tjetrën për shkak të Iranit”, theksoi Hua./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ANALIZË – Rusia dhe Kina nuk duan një përballje të drejtpërdrejtë me SHBA për shkak të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Alarm i kuq për stuhinë “Goretti” që po i afrohet Britanisë së Madhe

15 January 2026 at 17:04

LONDËR, 15 janar /ATSH-DPA/ – Një paralajmërim i rrallë i nivelit të kuq për erëra të rrezikshme dhe të stuhishme është lëshuar nga Met Office për jugperëndimin e Anglisë, ndërsa stuhia ”Goretti” pritet të sjellë shpejtësi ere deri në 160 km/h.

Paralajmërimi prek veçanërisht Cornwallin dhe Ishujt Scilly.

Sipas parashikimeve, pjesë të këtyre zonave do të goditen nga erëra të fuqishme që zgjasin dy deri në tre orë, ndërsa në zona të ekspozuara priten erëra maksimale prej 130–160 km/h ose edhe më shumë.

Autoritetet paralajmërojnë për dëmtime të ndërtesave, dallgë shumë të mëdha, mbetje që fluturojnë në ajër duke rrezikuar jetën, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulime të transportit publik.

Një paralajmërim i kuq nënkupton se pritet mot jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe se qytetarët duhet të ndërmarrin masa për të mbrojtur veten.

Met Office thekson se ekziston rrezik serioz për jetën, me ndërprerje të mëdha në udhëtime, furnizim me energji dhe dëme të gjera në prona dhe infrastrukturë, duke këshilluar shmangien e udhëtimeve.

Stuhia, e emërtuar nga shërbimi meteorologjik francez Meteo France, është përshkruar si një ngjarje me shumë rreziqe.

Përveç erërave ekstreme, parashikohet edhe reshje intensive bore, me deri në 30 centimetra në disa pjesë të Britanisë së Madhe.

Paralajmërime për borë, shi, erë dhe akull janë lëshuar në të gjithë vendin për shkak të kushteve të rrezikshme të udhëtimit.

Kryeparashikuesi i Met Office, Neil Armstrong, tha se ndikimet më të mëdha priten nga bora në disa zona të Uellsit dhe Midlandsit, si dhe nga erërat shumë të forta në jugperëndim.

Ai paralajmëroi se reshjet e shiut në disa rajone mund të shndërrohen në borë të rëndë, duke izoluar komunitete rurale.

BBC raporton se stuhia ”Goretti” mund të sjellë në BM një të ashtuquajtur ”bombë moti”, e njohur ndryshe si ciklogjenezë shpërthyese.

Ky fenomen ndodh kur presioni në qendër të një sistemi me presion të ulët bie me të paktën 24 milibarë brenda 24 orësh, duke prodhuar erëra aq të forta sa të rrëzojnë pemë dhe të shkaktojnë dëme strukturore./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post METEO – Alarm i kuq për stuhinë “Goretti” që po i afrohet Britanisë së Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Një alarm për bombë detyron uljen emergjente të një avioni në Barcelonë

15 January 2026 at 16:41

BARCELONË, 15 janar /ATSH-DPA/ – Një pasagjer në një fluturim të “Turkish Airlines” nga Stambolli drejt Barcelonës shkaktoi alarm për bombë, pasi krijoi një hotspot interneti në bord dhe i vuri një emër që përfshinte një kërcënim me bombë, njoftoi sot agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency.

”Si pasojë, avioni kreu një ulje të detyruar në Barcelonë, ku forcat e sigurisë rrethuan mjetin fluturues”, njoftoi operatori i aeroportit AENA.

Një hotspot privat, për shembull në një telefon inteligjent, e kthen pajisjen në një ruter të vogël Wi-Fi që u mundëson pajisjeve të tjera si laptopë apo tableta të kenë akses në internetin mobil.

Përdoruesi duhet t’i vendosë një emër hotspotit në mënyrë që të tjerët ta gjejnë atë.

”Sipas autoriteteve, avioni u parkua larg godinave të aeroportit dhe u kontrollua nga njësi të specializuara pasi pasagjerët dhe ekuipazhi u larguan nga bordi”, raportuan mediet lokale.

AENA konfirmoi më vonë se nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes.

”Turkish Airlines” nuk iu përgjigj kërkesës për koment./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SPANJË – Një alarm për bombë detyron uljen emergjente të një avioni në Barcelonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Witkoff: Plani i paqes për Gazën hyn në fazën e dytë

15 January 2026 at 07:35

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-DPA/ – Zbatimi i planit të paqes për Gazën po hyn në fazën e tij të dytë, tha i  dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, me qëllimet kryesore të tilla si çarmatimi i Hamasit, krijimi i një qeverie teknokrate dhe fillimi i rindërtimit.

“Sot, në emër të presidentit Trump, po njoftojmë fillimin e Fazës së Dytë të Planit 20-pikësh të presidentit për të vendosur paqen në Gaza, duke kaluar nga armëpushimi tek çarmatimi, qeverisja teknokratike dhe rindërtimi”, shkroi ai në X.

Përfaqësues të grupit Hamas, i cili ishte në luftë me Izraelin para armëpushimit të tetorit, ndodheshin sot në kryeqytetin egjiptian Kajro për bisedime.

Stacioni televiziv egjiptian “Al-Qahera News” raportoi se pjesëmarrësit thanë se qëllimi i takimit ishte përgatitja për fazën e dytë të planit të paqes për Gazën.

Burimet e sigurisë egjiptiane thanë se Hamas kishte rënë dakord mbi emrat për qeverinë e planifikuar teknokratike tranzitore, e cila do të merret me çështjet civile dhe shërbimet publike në Gaza.

Asnjë anëtar i Hamasit nuk lejohet në këtë ekip.

“Faza e Dytë krijon një administratë teknokratike tranzitore palestineze në Gaza, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), dhe fillon çarmatimin dhe rindërtimin e plotë të Gazës, kryesisht çarmatimin e të gjithë personelit të paautorizuar”, tha Witkoff.

“SHBA pret që Hamas të përmbushë plotësisht detyrimet e tij, përfshirë kthimin e menjëhershëm të të fundit të pengut të vrarë. Dështimi për ta bërë këtë do të sjellë pasoja serioze”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Witkoff: Plani i paqes për Gazën hyn në fazën e dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Qeveria u mbijeton dy mocioneve mosbesimi

14 January 2026 at 22:44

PARIS, 14 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria franceze u ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit.

Vetëm 256 dhe 142 nga 577 anëtarët e Asamblesë Kombëtare franceze i hoqën besimin qeverisë në dy votimet e zhvilluara sot.

Partia nacionaliste e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen dhe partia e majtë ”La France Insoumise” (LFI) kishin kërkuar secila mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit Sébastien Lecornu për shkak të pakënaqësisë mbi marrëveshjen tregtare BE-Mercosur.

Në këtë mënyrë, ata gjithashtu kritikuan fort presidentin Emmanuel Macron, megjithëse posti i tij nuk ishte në lojë në këto votime.

Marrëveshja e planifikuar e Bashkimit Evropian për tregti të lirë me katër vende të Amerikës së Jugut, Brazilin, Argjentinën, Uruguajin dhe Paraguajin, ka qenë në negociata që nga viti 1999.

Sipas Komisionit Evropian, zona e re e tregtisë së lirë, me më shumë se 700 milionë banorë, do të ishte më e madhja e këtij lloji në botë.

LFI akuzon Macron dhe qeverinë se nuk kanë kundërshtuar mjaftueshëm marrëveshjen.

Nacionalistët e ekstremit të djathtë ankohen se interesat e Francës nuk janë përfaqësuar në mënyrë të duhur.

Qeveria qendrore gjithashtu i ka mbijetuar dy mocioneve të tjera mosbesimi, të paraqitura nga LFI dhe nacionalistët menjëherë pasi mori detyrën në tetor.

Në atë kohë, megjithatë, vota ishte më e ngushtë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Qeveria u mbijeton dy mocioneve mosbesimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

GREQI – Fermerët  bien dakord për takim me kryeministrin Mitsotakis pas protestave në rrugë

14 January 2026 at 21:47

ATHINË, 14 janar /ATSH-ANA/- Fermerët ranë sot dakord për një takim midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe një komiteti të fermerëve, gjatë një takimi të Komitetit Panhelenik të Bllokadave Rrugore që u zhvillua në Palamas, pranë Karditsës në Tesali, Greqi.

Komiteti do të përbëhet nga 25 përfaqësues të shoqatave të fermerëve dhe pesë vëzhgues, ndërsa data e takimit do të shpallet së shpejti.

”Pas takimit, fermerët protestues vendosën të qëndrojnë në bllokadat rrugore duke nisur nga e enjtja në mëngjes”, sipas presidentit të Federatës së Bashkuar të Shoqatave Bujqësore të Karditsës, Kostas Tzellas.

Ndërkohë, në deklaratat e tij, presidenti i Federatës së Larissës, Rizos Maroudas, dënoi veprimet për dëmtimin e traktorëve./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Fermerët  bien dakord për takim me kryeministrin Mitsotakis pas protestave në rrugë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Witkoff dhe Kushner synojnë një takim me Putin për paqen në Ukrainë

14 January 2026 at 21:00

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/ – I dërguari  i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, po përpiqen të bëjnë një udhëtim në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, sipas Reuters.

Takimi do të shërbente për të paraqitur propozimet e fundit për paqe për luftën në Ukrainë.

Takimi mund të ndodhë këtë muaj, por planet nuk janë përfundimtare dhe data mund të shtyhet, sidomos për shkak të trazirave në Iran.

Shtëpia e Bardhë ka thënë për aktualisht nuk ka ndonjë takim zyrtar të caktuar në agjendë.

Sipas raportit, zyrtarët amerikanë do t’ia paraqesin presidentit Putinit draftin e fundit të propozimeve për paqe, i cili përfshin edhe garanci sigurie nga SHBA-ja  dhe Evropa për çdo marrëveshje të mundshme.

Bisedimet pritet të prekin edhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës.

Në përgjithësi, bisedimet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por informacioni i disponueshëm tregon një përpjekje të re diplomatike për të avancuar një marrëveshje paqeje midis SHBA‑së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

The post SHBA – Witkoff dhe Kushner synojnë një takim me Putin për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Danimarka: Asnjë marrëveshje me SHBA-në pas bisedimeve për Groenlandën

14 January 2026 at 20:49

UASHINGTON, 14 janar /ATSH-DPA/ – Danimarka dhe SHBA-ja kanë një mosmarrëveshje themelore mbi të ardhmen e Groenlandës dhe nuk ka patëm asnjë zgjidhje, tha sot ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, pas një takimi me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington.

Takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin JD Vance pasoi presionin e vazhdueshëm nga Shtëpia e Bardhë për të marrë në zotërim Groenlandën për arsye sigurie.

“Ka një mosmarrëveshje themelore”,  u shpreh Rasmussen për gazetarët.

Në bisedime mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Groenlandës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën e tij për të marrë Groenlandën, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë se të gjitha opsionet janë të hapura, përfshirë një blerje ose veprime ushtarake.

“NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara  Çdo gjë më pak se kaq është e papranueshme”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke përmendur rreziqet që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Danimarka, që zotëron këtë ishull semi-autonom arktik të pasur me minerale, po rrit menjëherë praninë ushtarake në dhe rreth Grenlandës.

Shteti i BE-së është anëtar i NATO-s, ashtu si SHBA-ja.

Danimarka ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s nëse SHBA vazhdon me kërcënimet e saj ushtarake.

Edhe Suedia dhe Norvegjia kanë dërguar personel ushtarak në Groenlandë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Danimarka: Asnjë marrëveshje me SHBA-në pas bisedimeve për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – SHBA mund të sulmojë Iranin brenda 24 orëve

14 January 2026 at 20:23

LONDËR, 14 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump duket se ka marrë vendim  për një sulm ushtarak ndaj Iranit, me veprime që mund të ndodhin brenda 24 orëve të ardhshme, sipas Reuters.

Dy zyrtarë evropianë i thanë agjencisë së lajmeve se ndërhyrja ushtarake e SHBA-së dukej e mundshme, me njëri prej tyre që shtoi se mund të ndodhte brenda një dite.

Një zyrtar izraelit gjithashtu tha se dukej se Trump kishte vendosur të ndërhynte, megjithëse nuk ishte bërë e qartë as për masivitetin dhe as për kohën e ndonjë sulmi.

Ndërkohë, sipas ANSA-s, ministri i Jasht[m italian, Antonio Tajani po zhvillon një takim në Dhomën e Krizave të Ministrisë së Jashtme me zyrtarë nga Ministria italiane e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ambasadorin italian në Teheran dhe ambasadorë nga kryeqytetet kryesore të përfshira në krizën aktuale në Iran.

Ministria e Jashtme italiane, sipas një deklarate, konfirmon rekomandimin e saj për qytetarët italianë që të largohen nga Irani nëse janë në gjendje ta bëjnë këtë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – SHBA mund të sulmojë Iranin brenda 24 orëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Komisioni i BE-së përballet me një votë të re mosbesimi

14 January 2026 at 19:41

BRUKSEL, 14 janar /ATSH-DPA/ – Komisioni i BE-së, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen do të përballet edhe një herë me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian.

Sipas burimeve pranë çështjes presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, ka njoftuar për këtë udhëheqësit e grupeve parlamentare.

Debati dhe votimi do të zhvillohen gjatë seancës parlamentare të javës së ardhshme në Strasbourg.

Kjo është e katërta kërkesë për mosbesim ndaj von der Leyen dhe ekipit të saj brenda rreth gjashtë muajve.

Kërkesa e fundit është paraqitur nga grupi i djathtë “Patriotët për Evropën”, i cili ka kritikuar von der Leyen dhe ekipin e saj kryesisht për marrëveshjen tregtare me shtetet e Amerikës së Jugut të Mercosur, përfshirë Brazilin, Argjentinën, Uruguajin dhe Paraguajin.

Anëtarët e këtij grupi përfshijnë ligjvënës të BE-së nga krahu i djathtë i politikanes franceze Marine Le Pen dhe partia e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Për t’u diskutuar dhe vendosur për votim në Parlamentin Evropian, një kërkesë për mosbesim duhet të mbështetet nga të paktën një e dhjeta e 719 ligjvënësve./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Komisioni i BE-së përballet me një votë të re mosbesimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – SHBA 700 miliardë dollarë për blerjen e Groenlandës, por pak amerikanë e mbështesin

14 January 2026 at 19:00

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/ – Planet e presidentit Donald Trump për të blerë Groenlandën mund t’i kushtojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth 700 miliardë dollarë, edhe pse ideja është thellësisht jopopullore mes amerikanëve, sipas “The Independent”.

Presidenti Trump ka deklaruar se do ta marrë territorin danez “në një mënyrë ose në një tjetër”, një pretendim që është hedhur poshtë me forcë nga zyrtarët e Danimarkës dhe të Groenlandës.

Shifra prej 700 miliardë dollarësh është një vlerësim i bërë nga akademikë dhe ish-zyrtarë amerikanë për qëllime planifikimi, dhe përfaqëson më shumë se gjysmën e buxhetit vjetor të Departamentit të Mbrojtjes.

Sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë,  sekretarit të Shtetit Marco Rubio i është kërkuar të përgatisë një propozim për blerjen e Groenlandës, i cili pritet t’i paraqitet presidentit në javët në vijim.

Rubio dhe zëvendëspresidenti JD Vance pritet të takohen sot në Uashington me përfaqësues nga Danimarka dhe Groenlanda.

Administrata Trump vazhdon të shtyjë përpara planin për ta futur Groenlandën nën kontrollin amerikan, pavarësisht zemërimit të liderëve evropianë. Ndërkohë, një sondazh i ri tregon se ideja është gjithashtu thellësisht jopopullore brenda SHBA-së. Gati 75 për qind e amerikanëve mendojnë se përdorimi i forcës ushtarake për ta marrë ishullin do të ishte një ide e keqe.

Presidneti Trump ka argumentuar se SHBA-ja ka nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare dhe ka paralajmëruar në një postim në Truth Social se, nëse Amerika nuk e merr ishullin, Rusia ose Kina do ta bëjnë këtë.

“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për qëllime të Sigurisë Kombëtare. Ajo është jetike për ‘Kupolën e Artë’ që po ndërtojmë”, shkroi Trump. “NATO duhet të udhëheqë për ta marrë atë për ne.  Nëse nuk  e marrim , Rusia ose Kina do ta marrin dhe kjo nuk do të ndodhë”!

Megjithatë, si pas një sondazhi të publikuar sot nga Reuters/Ipsos. mbështetja publike është minimale. Vetëm 17 për qind e amerikanëve miratojnë përpjekjet e Trump për të blerë ishullin e pasur me minerale.

Rreth 47 për qind shprehën kundërshtim, ndërsa 35 për qind*thanë se nuk janë të sigurt. Po ashtu, 71 për qind e amerikanëve, përfshirë nëntë nga dhjetë demokratë dhe gjashtë nga dhjetë republikanë, thanë se përdorimi i forcës ushtarake për ta arritur këtë qëllim do të ishte një ide e keqe. Vetëm 4,0 për qind e konsideruan atë si ide të mirë.

Sondazhi tregoi gjithashtu se 66 për qind e amerikanëve janë të shqetësuar se planet për Groenlandën mund të dëmtojnë aleancën e NATO-s dhe marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën.

Zyrtarë  të Groenlandës dhe Danimarkës janë të qartë se territori nuk është në shitje.

“Ne nuk jemi në shitje dhe nuk do të aneksohemi”, tha Jess Berthelsen, kryetar i konfederatës kombëtare të sindikatave të Groenlandës, SIK.

Berthelsen shtoi se populli i Groenlandës “nuk i njeh” pretendimet e Trump se territori është i mbushur me anije ruse dhe kineze.

“Pretendimet e tij se ujërat tona janë plot me anije ruse dhe kineze, ne nuk i shohim aspak”, tha ai. /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOMENT – SHBA 700 miliardë dollarë për blerjen e Groenlandës, por pak amerikanë e mbështesin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Danimarka rrit praninë ushtarake në Groenlandë

14 January 2026 at 17:43

KOPENHAGË, 14 janar /ATSH-DPA/ – Danimarka po rrit menjëherë praninë e saj ushtarake në dhe rreth Groenlandës, sipas një deklarate të përbashkët të Ministrisë së Jashtme daneze dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kërkimit të Groenlandës.

Ky veprim lidhet me ushtrime ushtarake që përfshijnë avionë, anije dhe ushtarë, dhe do të kryhen në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar se mund të marrin nën kontroll ishullin Arktik, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës si mundësi.

Qëllimi i ushtrimeve është të trajnohen për shpërndarje nën kushtet e veçanta të Arktikut dhe të forcohet pranisë së NATO-s, thuhet në deklaratë. Groenlanda është një anëtare gjysmëautonome e Mbretërisë së Danimarkës.

”Aktivitetet e ushtrimeve mund të përfshijnë mbështetje për autoritetet groenlandeze si policia, monitorimin e infrastrukturës kritike, vendosjen e avionëve luftarakë në dhe rreth Groenlandës, kryerjen e detyrave detare, si dhe pritjen e trupave aleate”, shtohet në deklaratë.

”Si arsye u përmend se tensionet e sigurisë janë shtrirë deri në Arktik”, thanë ministritë.

Njoftimi erdhi pak para se Ministri danez i Jashtëm, Lars Løkke Rasmussen, dhe Ministrja groenlandeze për Punët e Jashtme, Vivian Motzfeldt, të takoheshin në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance.

Qeveritë e Danimarkës dhe Groenlandës kanë bërë të qartë se një shitje ose aneksim i territorit nga Shtetet e Bashkuara është i papranueshëm.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi për një fund të NATO-s nëse qeveria amerikane do të zbatonte kërcënimet e saj./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post KOPENHAGË – Danimarka rrit praninë ushtarake në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Parlamenti miraton ministrin e Mbrojtjes dhe të Energjisë

14 January 2026 at 17:05

KIEV, 14 janar /ATSH-DPA/ – Ukraina emëroi sot, në përpjekjen e saj të dytë, ministrin e katërt të Mbrojtjes në gati katër vitet e fundit që nga fillimi i sulmit rus dhe gjithashtu miratoi ish-ministrin e mbrojtjes për postin kryesor në Ministrinë e Energjisë.

Një shumicë  prej 277 ligjvënësish votuan për Mykhailo Fedorov për detyrën e lartë të ministrit të Mbrojtjes.

Dje nuk kishte mjaftueshëm ligjvënës për të caktuar një votim.

Presidenti Volodymyr Zelensky kishte nominuar Fedorov për këtë rol.

Fedorov, i cili mbush 35 vjeç javën e ardhshme, ka qenë ministër i Transformimit Digjital të Ukrainës që nga themelimi i ministrisë në vitin 2019. Pas fillimit të sulmit të plotë rus në shkurt 2022, ai mori përgjegjësinë për zgjerimin e prodhimit të dronëve në vend.

Denys Shmyhal u emërua ministër i Energjisë dhe zëvendëskryeministër i parë, pasi ishte shkarkuar pak ditë më parë si ministër i Mbrojtjes, duke qëndruar më pak se gjashtë muaj në detyrë. Ai nuk  arriti  dje  të votohej duke qenë 16 vota larg.

Shmyhal kishte drejtuar kabinetin nga viti 2020 deri në korrik 2025 si kryeministër dhe konsiderohet i besueshëm ndaj Zelensky.

Kryeministrja aktuale Yulia Svyrydenko ka qenë zëvendësministri i parë dhe ministre e Ekonomisë nën Shmyhal. /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Parlamenti miraton ministrin e Mbrojtjes dhe të Energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Julio Iglesias, nga ikona globale e muzikës latine te përballja me akuza ligjore

14 January 2026 at 16:16

MADRID, 14 janar /ATSH – AFP/ – Julio Iglesias, këngëtari spanjoll që fitoi audiencë globale, është një nga artistët latinë më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me një karrierë që shtrihet në disa dekada.

Baladat e tij romantike, pamja gjithmonë e nxirë dhe buzëqeshja karakteristike e kthyen këtë madrilen nga një konkurrent i pavullnetshëm në një festival bregdetar këngësh në një ikonë ndërkombëtare.

I lindur më 23 shtator 1943 në Madrid, në një familje të pasur ku i ati ishte gjinekolog, Iglesias fillimisht ëndërronte futbollin. Ai luajti si portier me ekipet e të rinjve të Real Madridit, por një aksident automobilistik në moshën 20-vjeçare dhe një periudhë e gjatë sëmundjeje i dhanë fund karrierës sportive.

Gjatë rehabilitimit, ai nisi të shkruante këngë dhe të luante kitarë. Ndërsa studionte juridik, dërgoi disa demo në një shtëpi diskografike me shpresën që këngët t’i këndonin të tjerë, por kompania e inkurajoi të merrte pjesë në konkursin e këngës në Benidorm në vitin 1968. Fitorja me “La vida sigue igual” i hapi rrugën një kontrate me “Discos Columbia” dhe turneve botërore.

Me një yll në “Hollywood Walk of Fame”, Iglesias ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Diana Ross, Stevie Wonder dhe Frank Sinatra. Ai kultivoi për vite imazhin e “dashnor latin”, duke folur hapur për jetën sentimentale, dhe në vitin 1984 theu tregun amerikan me duetin “To all the girls I’ve loved before” me Willie Nelson, duke u shndërruar në një artist të madh ndërkulturor.

I njohur për regjistrime në shumë gjuhë, nga anglishtja e frëngjishtja te japonishtja e tagalogja , Iglesias është nderuar me çmime të shumta, përfshirë Medaljen e Artë të Meritës në Arte nga Spanja dhe një Grammy për arritje jetësore. Në vitin 2021, emri i tij u përmend edhe në “Pandora Papers”, që ekspozuan asetet offshore të figurave të pasura globale.

Së fundmi, këngëtari është rikthyer në vëmendjen publike për çështje ligjore: dy ish-punonjëse e akuzojnë për abuzim seksual gjatë punës në pronat e tij në Republikën Domenikane dhe Bahamas në vitin 2021, akuza të cilave Iglesias, tashmë 82 vjeç, nuk u është përgjigjur publikisht.I martuar dy herë, ai ka tetë fëmijë, mes tyre edhe Enrique Iglesias, i cili ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në muzikën pop latine. /Ad.Ab./

The post MUZIKË – Julio Iglesias, nga ikona globale e muzikës latine te përballja me akuza ligjore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – 65 liderë botërorë në forumin e elitës globale

14 January 2026 at 07:35

BERLIN, 13 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin amerikan  Donald Trump, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin e përkohshëm sirian, Ahmad al‑Sharaa, do të mbajnë fjalime në takimin vjetor të World Economic Forum (WEF) që mbahet javën e ardhshme në Davos, Zvicër.

Organizatorët njoftuan sot se 65 kryetarë shtetesh dhe qeverish, përfshirë edhe gjashtë udhëheqës të shteteve të G7‑s, do të marrin pjesë në këtë konferencë

Ky takim po zhvillohet në një sfond gjeopolitik të trazuar, ku rikthimi i Trump në pushtet ka trazuar aleancat tradicionale, ndërsa luftërat, trazirat dhe ndryshimet teknologjike të shpejta, shtojnë pasigurinë globale.

Edicioni i këtij viti mbahet me temën ”A spirit of dialogue” dhe pritet që të diskutohet rreth çështjeve kryesore si lufta në Ukrainë, protestat në Iran, si dhe e ardhmja e Gazës dhe Venezuelës.

Presidenti Trump ka qenë i pranishëm në forum personalisht në vitet 2018 dhe 2020 gjatë presidencës së tij të parë, duke përdorur këtë platformë për të nxitur agjendën e tij ”America the first”.

Vitin e kaluar, vetëm disa ditë pasi u betua për mandat të dytë, ai mbajti një fjalim në forumin e Davosit përmes lidhjes me video, duke kritikuar rregullatorët evropianë për rregulla të ashpra ndaj firmave të teknologjisë, duke inkurajuar investimet në SHBA dhe duke paralajmëruar tarifa ndaj mallrave të huaj.

Forumi në Davos njihet edhe si një vend për diplomaci  jozyrtare.

Këtë vit, takime dytësore mund të përfshijnë diskutime për rrugë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërkohë që zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike mbeten në qendër të vëmendjes.

Nga lista e pjesëmarrësve janë gjithashtu edhe kryeministrat e Kanadasë, Spanjës dhe Pakistanit, si dhe presidentët e Izraelit, Argjentinës dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Udhëheqësi të kompanive kryesore të teknologjisë, përfshirë drejtuesit e Nvidia, Microsoft dhe Anthropic, pritet gjithashtu të jenë të pranishëm./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post DAVOS – 65 liderë botërorë në forumin e elitës globale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌