MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe
TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar problematika në disa qarqe të vendit, përfshirë rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Situata paraqitet më e rënduar në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problemet janë të kufizuara ose situata është e qëndrueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë verifikuar 5 477 banesa, nga të cilat 1 711 kanë pësuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Në Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie, por disa banesa vijojnë të jenë të prekura. Lumi Drin është në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë-Mollë.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore dhe largimin e ujit nga disa objekte, ndërsa në qarqet Berat dhe Elbasan rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore.
Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente sipas nevojave.
Ministria u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.
/e.xh/r.e/
The post MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.