Edhe këtë të hënë, Partia Demokratike dhe aleatët e saj u rikthyen në sheshin para Kryeministrisë për “foltore-protestën” e rradhës.
Njësoj si herët e shkuara, por me minutazh të reduktuar edhe për shkak të kushteve meteorologjike, foltorja nisi me fjalime nga eksponentë të Opozitës, qytetarë ndërsa u mbyll me fjalën e kreut të PD, Sali Berisha.
Lideri i Opozitës e nisi fjalimin e tij duke përshëndetur protestat masive në Iran ndërsa shtoi më tej se, viti 2026 do të jetë viti i triumfit.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se, po e çon vendin drejt një grusht shteti duke mbrojtur zëvendësen e tij, Belinda Balluku.
Berisha: “Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve të pamposhtur në këtë shesh, që përcillni nga ky shesh, nga ky bulevard mesazhin e shpresës, mesazhin e fitores në të katër anët e Shqipërisë.
Të dashur miq, viti 2026 do shkruhet me germa të arta në muret e kohës si viti i anti-diktaturave. Si viti kur popujt e autokracive arritën t’i përmbytin njëra pas tjetrës ato.
Prej dy javësh, rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera të Iranit janë të mbushur me opozitarë të guximshëm, trima, të cilët pavarësisht nga masakrat, breshëritë e ajatollahëve obskuranistë, ecin të sigurtë drejt fitores.
Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë. Asgjë nuk mund të ndalë vrullin e tyre, guximin e tyre, hovin e tyre, pa triumfuar. Dhe ne këtu vijmë sepse kemi këtë besim. Sepse besojmë në idealet tona të drejta. Dhe se besojmë se këto ideale do triumfojnë së shpejti.
Ne kemi përballë sot regjimin më karikaturial, më të turpshëm, më të dekompozuar në Europë dhe në botë.
Regjimin, që kudo që ta prekësh, rrjedh vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje të shqiptarëve. Regjimin, i cili mbahet në këmbë me mashtrime, me propagandë, me trillime. Regjimin që pret nga ne qytetarët t’i japim ndëshkimin që meriton.
Miqtë e mi, Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit. Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë. Ai, një një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju.
Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton”.
Kujtojmë se më 24 janar, PD organizon protestën e rradhës kombëtare, ndaj Berisha ftoi qytetarët ti bashkohen asaj.
Berisha: “Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike. Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali”.
Mesditën e sotme, gjatë një konference për shtyp, Berisha do të shprehej se, qëllimi kryesor i opozitës shqiptare dhe Partisë Demokratike është rrëzimi i këtij regjimi të korruptuar dhe se gëzohet mbështetja e plotë e faktorit ndërkombëtar, përfshi edhe SHBA-të.
I pyetur për strategjinë e opozitës, ai tha:
“Strategjia e opozitës është rrëzimi i këtij regjimi. Opozita ka besim të madh se do ngrihet, të ringrihet, e ta rrëzojë këtë regjim”.
Kurse për bashkëpunimin me faktorin opozitar, dhe qëndrimin larg të disa prej krerëve të këtyre partive, ai shtoi:
“Do bashkëveprojë dhe bashkëpunojë, gjithashtu me shumë e shumë faktorë të rëndësishëm të politikës shqiptare, që duan ta përzënë një minutë e më parë këtë të keqe kriminale”.