Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Përmbytjet/ Situata në Shkodër nën kontroll, por disa zona nën ujë

8 January 2026 at 08:59

Situata në Shkodër sipas përditësimeve të fundit paraqitet kryesisht e qëndrueshme.

Reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të ulët, ndërkohë që problematikat e evidentuara mbeten të lokalizuara dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.

Në Bashkinë Shkodër është konstatuar rënie e prurjeve të lumit Drin, ndërsa në rrugën e Obotit vijon të ketë prezencë uji, është shtuar sipërfaqja e tokave me prezencë uji  por pa problematika të tjera të raportuara deri në këto momente.

Gjatë natës janë regjistruar reshje dëbore në zonat malore, konkretisht në aksin Bogë–Theth, ku janë marrë masat e nevojshme për pastrimin dhe kriposjen e rrugës.

Si rezultat i reshjeve me intensitet të ulët, në bashkinë Vau i Dejës nuk raportohen aktualisht problematika të emergjencave civile.

Njoftimi:

Në rastet e evidentuara më herët për banesat me prezencë uji.

Kanë nisur procedurat për përgatitjen e dokumentacionit për dhënien e mbështetjes.

Bashkia ka ofruar ndihmë emergjente për çdo familje të prekur apo të rrethuar nga uji.

Situata në Bashkinë Malësi e Madhe paraqitet e qetë, me reshje të pakta shiu dhe reshje dëbore në zonat malore të Njësisë Administrative Kelmend, pa problematika. Megjithatë, në fshatin Vukpalaj rruga e aksesit është e bllokuar nga uji në disa ura hyrëse në fshat, me nivel mbi 3 m, ndërsa pjesa tjetër e zonës mbetet e aksesueshme.

Në Bashkinë Pukë nuk raportohen probleme të emergjencave civile; reshjet kanë pushuar dhe temperaturat janë të ulëta.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, reshjet e regjistruara kanë qenë 25 mm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa nivelet e ujit në pikat monitoruese mbeten nën kuotat kritike. Hidrovoret vijojnë funksionimin me kapacitet të plotë dhe argjinaturat nuk paraqesin problematika.

Situata në territorin e Qarkut Shkodër mbetet e kontrolluar dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe qendrore, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Çfarë planesh ushtarake ka Izraeli me Greqinë dhe Qipron?

8 January 2026 at 08:47

Javën e kaluar, në Qipro u nënshkrua një plan bashkëpunimi ushtarak trepalësh midis Qipros, Greqisë dhe Izraelit, i ndjekur nga dy plane bashkëpunimi dypalësh – midis Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe Forcave të Armatosura Greke, dhe midis IDF dhe Gardës Kombëtare të Qipros.

Marrëveshjet u nënshkruan në Nikozi gjatë takimit të përbashkët vjetor të shtabeve ushtarake të tre vendeve. Nënshkrimi i tyre u njoftua zyrtarisht nga ushtria izraelite. Lajmi u prit kryesisht pozitivisht në median dhe publikun qipriot.

Edhe pse detajet e marrëveshjeve nuk u bënë publike, DW ka mësuar se ato përfshijnë dispozita për ushtrime dhe trajnime të përbashkëta ushtarake, krijimin e grupeve të punës në fusha të specializuara dhe zhvillimin e një dialogu strategjik ushtarak.

Sipas të njëjtave burime, marrëveshjet parashikojnë gjithashtu shkëmbimin e ekspertizës mbi kërcënimet moderne të sigurisë, duke përfshirë sistemet pa pilot dhe luftën elektronike.

Njoftimi i bashkëpunimit ushtarak është zbatim praktik i vendimeve politike të marra nga udhëheqësit e tre vendeve – Benjamin Netanyahu, Kyriakos Mitsotakis dhe Nikos Christodoulides – gjatë samitit të 10-të tripalësh të Izraelit, Greqisë dhe Qipros, të mbajtur më 22 dhjetor.

Duke përmbledhur një deklaratë të përbashkët për shtyp të lëshuar pas takimit në Jeruzalem, Presidenti i Qipros Nikos Christodoulides tha se të tre vendet kishin vendosur të thellonin bashkëpunimin “me fokus në energji, mbrojtje dhe siguri”, duke bërë thirrje për “marrëveshje që do të kalojnë menjëherë në fazën e zbatimit”.

Duke folur për DW, Zenonas Tziarras, nga Departamenti i Studimeve Turke dhe të Lindjes së Mesme në Universitetin e Qipros, theksoi se bashkëpunimi trepalësh midis këtyre vendeve nuk është i ri dhe se samiti i parë i tillë u mbajt në vitin 2016.

Duke theksuar se Greqia, Qiproja dhe Izraeli kanë bashkëpunuar në këto fusha për vite me radhë, Tziarras paralajmëroi se, pavarësisht tendencës së udhëheqësve politikë për të ekzagjeruar rezultatet e këtyre takimeve, duhet të jetë e qartë se “bashkëpunimi ushtarak, i mbrojtjes dhe i sigurisë nuk përbën në vetvete një aleancë”.

“Një aleancë e vërtetë nënkupton një angazhim për mbrojtje kolektive, sipas të cilit një sulm ndaj një shteti konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Bashkëpunimi aktual trepalësh është pra një ‘aleancë’ vetëm në emër”, tha ai.

Mungesa e rezultateve konkrete, të cilat mund të ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë në Mesdheun Lindor, mund të shpjegojë edhe reagimin relativisht të përmbajtur të Turqisë pas njoftimit të marrëveshjes.

Presidenti turk Erdogan, ndryshe nga mediat turke pro-qeveritare që e përshkruan bashkëpunimin si një “bosht të së keqes anti-turke”, mori një ton dukshëm të moderuar, duke deklaruar se iniciativat e tre vendeve “nuk kanë peshë të vërtetë”, duke i krahasuar ato me “zhurmë boshe, si zhurma e një kanaçeje”.

Ajo që duket se e shqetëson Turqinë më shumë sesa vetë marrëveshjet trepalëshe është fakti se Greqia dhe Qiproja po i drejtohen gjithnjë e më shumë Izraelit për prokurimin e sistemeve moderne të armëve.

Në rastin e Qipros në veçanti, Ankaraja ka lëshuar paralajmërime të forta se blerja e armëve nga Izraeli mund të çojë në destabilizim në ishull./DW/

Viti 2026 mund të jetë shumë i mirë për Bashkimin Evropian

8 January 2026 at 08:25

Në këtë kohë të vitit, unë gjithmonë përpiqem ta bëj një parashikim të guximshëm për vitin e ri. Për vitin 2025, parashikova se Transnistria dhe Moldavia mund të ribashkoheshin, e kjo as që u bë fjalë bile.

Prandaj, për vitin 2026 do ta bëj një parashikim edhe më të guximshëm. Parashikoj se Bashkimi Evropian do të t’ia dalë mjaft mirë.

Është e drejtë të thuhet se këto ditë në Bruksel mbizotëron shumë pesimizëm. U la kryesisht në hije në bisedimet për një zgjidhje të mundshme të luftës së Rusisë në Ukrainë, u përball me sulme të panumërta hibride si prerja e kabllove nënujore dhe inkursionet me dronë, si dhe e përjetoi përkeqësimin e marrëdhënieve transatlantike pasi Shtëpi e Bardhë po e vë hapur në dyshim bllokun. Të gjitha këto e patën ndikimin e vet ndaj Brukselit.

Rrallëherë është vënë BE-ja kaq shumë në provë nga të gjitha drejtimet. “Një dele në një botë krejtësisht të re grabitqarësh”, siç u shpreh së fundmi një diplomat i BE-së.

Dhe, sinqerisht, as këtë vit nuk pritet të jetë më mirë, sepse Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin më shumë trupa nga kontinenti dhe ta rrisin mbështetjen për parti të ndryshme euroskeptike. Ukrainën ose do të detyrohet ta pranojë një marrëveshje poshtëruese me Moskën, ose të shtypet edhe më shumë ushtarakisht nga një Rusi e ringjallur që madje mund ta testojë një vend të BE-së ose të NATO-s — diçka për të cilën zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar dhe kanë pranuar se nuk janë realisht të përgatitur ta përballojnë të vetëm.

Por, ekziston edhe një vizion alternativ, më i ndritshëm për BE-në, një vizion shumë pak i mundshëm, që përfshin disa mundësi për t’u shfrytëzuar dhe shumë “nëse”.

Le të fillojmë me një nga zhgënjimet kryesore në fazat përmbyllëse të vitit të kaluar: dështimin për të rënë dakord mbi një kredi reparacionesh për Ukrainën. Kjo ishte, pa dyshim, një goditje e madhe si për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ashtu edhe për kancelarin gjerman Friedrich Merz, të cilët po bënin trysni për përdorimin e aseteve shtetërore ruse të ngrira në bllok për të gjeneruar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për dy vjetët e ardhshme.

Arsyetimi ishte: pse duhet që taksapaguesit e BE-së të paguajnë faturën për plaçkitjen e Ukrainës nga Moska, kur në vend të kësaj mund të përdoren paratë e Putinit?

Megjithatë, alternativa – mbledhja e fondeve të garantuara nga buxheti i BE-së dhe të mbështetura nga 24 shtete anëtare të BE-së (Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia zgjodhën të mos marrin pjesë) – nuk është në të vërtetë aq e keqe sa duket.

Por, disa liderë të BE-së humbën prestigj për shkak të kredisë së reparacioneve dhe blloku u duk i pavendosur, por në fund të fundit, Kievi do të marrë mjaftueshëm para për ta vazhduar luftën kundër Rusisë për dy vjetët e ardhshme dhe ukrainasit nuk duhet t’i kthejnë këto para derisa Rusia të paguajë dëmshpërblimin.

Ndërkohë, asetet ruse mbeten të ngrira për aq kohë sa BE-ja dëshiron t’i mbajë të bllokuara, duke ruajtur opsionin që t’i përdorë ato më vonë. Nuk është ideale, por është më shumë sesa po i ofron Kievit çdo vend apo organizatë tjetër për momentin.

Ka gjërat që blloku i ka bërë tashmë të cilat mund të fillojnë të japin fryte së shpejti. Merrni për shembull zgjerimin. Blloku do të vazhdojë të mbyllë kapitujt e anëtarësimit me Malin e Zi dhe Shqipërinë në vitin e ri, me të parin që tani pritet të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028.

Mendimi në Bruksel, edhe pse në këtë moment më shumë dëshirë sesa realitet, është se shtimi i Malit të Zi dhe potencialisht edhe i Shqipërisë relativisht shpejt do t’i nxiste Kosovën dhe Serbinë të angazhohen në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, të cilat kanë qenë të ngrira prej vitesh.

Por, duke qenë se Serbia as nuk u paraqit në samitin e fundit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel pak para Krishtlindjeve, kjo mund vështirësi se mund të arrihet.

Duke qenë se BE-ja ka humbur më shumë anëtarë sesa që ka fituar në dekadën e fundit për shkak të Brexit-it, shtimi i njërit apo edhe i disa vendeve do t’i jepte Brukselit një shtysë, duke treguar se BE-ja mbetet ende një klub tërheqës për të tjerët.

Një referendum i mundshëm në Islandë këtë vit për të rifilluar bisedimet e anëtarësimit në BE, të pezulluara mbi një dekadë më parë, do ta përforconte më tej këtë imazh.

Pastaj është edhe heqja graduale e energjisë ruse, e cila do të përfundojë pak a shumë këtë vit dhe do ta shkëpusë bllokun nga një prej varësive të tij më të gjata ndaj Kremlinit.

Vendosur në fund të vitit 2025, ndalimi i importeve të gazit rus për kontratat afatshkurtra do të zbatohet nga 25 prilli 2026 për gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe nga 17 qershori 2026 për gazin përmes tubacioneve. Për kontratat afatgjata, ndërprerja është 1 janari 2027 për LNG-në dhe shtatori i po atij viti për gazin përmes tubacioneve.

Një tjetër faktor që mund ta ndihmojë BE-në është mungesa e zgjedhjeve në vitin 2026. Nëse Franca arrin të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare – gjë që aktualisht duket e mundshme – ky vit është disi anomali, pasi asnjë nga vendet e mëdha nuk duhet të përballet me votuesit në nivel kombëtar.

Kjo do të thotë se presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologët e tij në Gjermani, Itali, Holandë, Poloni, Rumani dhe Spanjë mund ta nisin vitin 2026 të përqendruar te hartimi i politikave.

Sigurisht, ka zgjedhje që do të tërheqin vëmendje. Për shembull, votimet në dy rajone të ish-Gjermanisë Lindore, Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt, në shtator, ku AfD pritet të dalë e para. Partia e ekstremit të djathtë mund, për herë të parë, të jetë thjesht shumë e madhe për t’u injoruar kur të nisë formimi i koalicioneve (nëse nuk fiton shumicën absolute). Kjo do të shkaktojë reflektim të thellë në Gjermani, veçanërisht pasi pritet që partia të marrë rreth një të pestën e votave edhe në dy palë zgjedhje të tjera rajonale në pjesën perëndimore të vendit më herët gjatë vitit.

Dhe në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë në mars, populisti i vjetër rebel Janez Jansa mund të rikthehet sërish në pushtet – duke iu bashkuar kritikëve të tjerë të Brukselit me mendësi të ngjashme që tashmë janë në pushtet në Çeki, Hungari dhe Sllovaki.

Por ky kuartet mund të jetë jetëshkurtër, pasi hungarezët shkojnë në zgjedhje në fillim të prillit. Dhe ka indikacione të forta se Viktor Orban, i cili e ka drejtuar vendin që nga viti 2010, do të mposhtet nga Peter Magyar.

Ky do të ishte rezultati me më pasoja për BE-në këtë vit, pasi Hungaria e Orbanit është parë si penguese në shumë çështje, veçanërisht ato që lidhen me Ukrainën. Ndërsa Çekia dhe Sllovakia shpesh rreshtohen me Hungarinë, pak kush beson se ato do të jenë aq të ashpra sa të bllokojnë gjërat vetë, ashtu siç ka bërë shpesh Hungaria.

Dhe, megjithëse Peter Magyar dhe partia e tij Tisza janë mjaft të vakëta ndaj Kievit gjithashtu, Brukseli do të priste që disa veto nga Budapesti thjesht të hiqeshin nëse ata do të vinin në pushtet. Lista është e gjatë dhe përfshin ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën, e cila është bllokuar për tri vjet, negociatat e anëtarësimit në BE me Ukrainën (dhe Moldavinë), të ngrira që nga viti 2024, sanksione potencialisht më të ashpra ndaj Moskës (dhe Minskut), si dhe një gatishmëri më të madhe për të kanalizuar lloje të tjera fondesh për vendin e shkatërruar nga lufta.

Një humbje për Orbanin mund ta bëjë gjithashtu disi më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje për një buxhet të ri shumëvjeçar të BE-së, pasi kushtëzimi i sundimit të ligjit – që do të thotë se fondet e BE-së mund të ngrihen në rastet e shkeljeve të sundimit të ligjit – mund të mbetet pjesë e kornizës.

Hungarisë i janë pezulluar miliona euro vitet e fundit për shkak të këtij kushtëzimi, dhe Orban ka të ngjarë të përpiqet të sabotojë çdo vazhdim të mekanizmit.

Buxheti, që mbulon vitet 2028–2034, idealisht duhet të miratohet në fund të vitit 2026. Komisioni Evropian paraqiti propozimin e tij më herët gjatë vitit 2025, një plan ambicioz me vlerë gati 2 trilionë euro, i cili përfshinte 100 miliardë euro për Ukrainën dhe rreth 130 miliardë euro për mbrojtjen.

Marrëveshja përfundimtare sigurisht që nuk do të jetë aq ambicioze, pasi shumë nga shtetet më të pasura të BE-së e urrejnë idenë e buxheteve të Brukselit që rriten pa kontroll, ndërkohë që zakonisht u duhet të shtrëngojnë buxhetet kombëtare në vend.

Prisni që një marrëveshje përfundimtare të arrihet në vitin 2027. Megjithatë, niveli i ambicies do të japë një tregues se sa serioze është BE-ja në vazhdim, veçanërisht në mbrojtjen e vetes dhe në mbështetjen e Ukrainës përtej vitit 2027.

Dhe në fund marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, për të cilat zyrtarët e BE-së shpresojnë se do të përmirësohen pas një viti 2025 të trazuar, në të cilin blloku u detyrua të pranonte një tarifë prej 15% për shumicën e importeve nga BE-ja dhe pa veten të sulmuar ashpër kur vendosi një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X të Elon Musk për shkelje të rregullave të transparencës.

Raste të tjera kundër gjigantëve të tjerë amerikanë të internetit janë në përgatitje, edhe pse mund të arrihen marrëveshje përpara se të vendosen gjoba. Goditja ndaj gjigantëve kinezë të internetit mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e marrëdhënieve me Uashingtonin.

Frika do të mbetet në të gjithë bllokun, veçanërisht sa i përket çdo vendimi për të tërhequr një numër të madh trupash amerikane nga kontinenti dhe mundësisë që sulme të tjera verbale, si reflektimet në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare mbi “zhdukjen civilizuese” evropiane, të vazhdojnë nga zyrtarë amerikanë.

Por, duke folur me diplomatë evropianë, ekziston gjithashtu shpresa se retorika amerikane do të jetë më e butë, duke pasur parasysh se zgjedhjet e mesmandatit po afrohen në nëntor. Ndërsa viti 2025 ishte një vit përpjekjesh diplomatike të jashtme, mendimi është se politika amerikane do të zhvendoset drejt çështjeve të brendshme teksa afrohet votimi.

Politika e jashtme rrallë renditet lart në prioritetet e votuesve kur amerikanët e zakonshëm u drejtohen qendrave të votimit, duke i lënë hapësirë marrëdhënies transatlantike të rikuperohet disi në vitin 2026./REL

Yesterday — 7 January 2026Main stream

Shiu “mbërrin” në PD/ Berisha: Të shpallet gjendja e emergjencës

7 January 2026 at 15:43

Shiu mbërriti me 24 orë vonesë në PD. Doktor Berisha e nisi konferencën me parashikimin e motit. Jo atij politik.

“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet. Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër. Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Java përsëri nuk premton qetësi të motit”, thotë ai.

Në fakt moti rregullohet pas ditës së enjte. Por rrufetë edhe pas të enjtes do ti vazhdojë opozita.

Edi Rama u ankua, jo ndaj motit, por përse kundër tij nuk po lëshohen kritika edhe nga opozitat në Kroaci, Greqi e Mal të zi.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë apo qoftë edhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, por hiç, asnjë llaf, s’e kuptojnë që aleanca me shiun të çon në fitore”, tha Rama.

“Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë. Por Ramaduro është në panik dhe tmerr të madh dhe nuk di se ç’flet. Pa diskutim që këto kanë qenë shira shumë intensive, por Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve.”

Ndërkohe Venezuela mbetet një temë e nxehtë në selinë blu, megjithëse shpresa për një aksion blic  të forcave delta, ka rënë. Por entuziazmi është i lartë. Doktori nuk ka amerikanët, por ka me vete memet.

“Futuni në internet, habia e internetit. Ajo xhakaventoja e tutave të Maduros, Nike, ajo është bërë virale numër 1 në Shqipëri. Në Shqipëri, pastaj në SHBA, imagjinoni ju se të gjithë duan ta shohin Edi Ramën të veshur me të. Maduron e arrestoi presidenti Trump, Ramaduron e arrestoi interneti.”, theksoi ai.

Në PD përflitet për një protestë kombëtare më 24 janar, që me kalendar i bie pas vendimit të kushtetueses për padinë e kryeministrit dhe pas mbledhjes së këshillit të mandateve për mandatin e zëvendëskryeministres.

Duket një parashikim i zymte i motit për opozitën, ndaj doktori bën thirrje të mos nxitohet.

“Asnjë datë nuk është përcaktuar. Ka një datë ditën e premte kur do të mblidhet një tryezë e gjerë e opozitës. Ajo tryezë do përcaktojë kur do thirret protesta”, shtoi ai.

Përmbytjet/ Rama nxjerr fotot nga Shkozeti: Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve…

7 January 2026 at 14:12

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e përmbytjeve në vend.

Nëpërmjet një reagimi në Twitter, kryeministri ngre edhe shqetësimin e hedhjes së mbeturinave vend e pavend.

Gjithashtu ai shton se ekipet dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë

Reagimi:

Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrin dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë… *Shkozet

Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati/ A mund të shkojë Kosova sërish në zgjedhje?

7 January 2026 at 13:48

Analistët politikë thonë se procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës do ta prodhojë edhe një sfidë të re politike me potencial bllokues. Bazuar në rezultatet e 28 dhjetorit, situata nuk është e thjeshtë.

Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, atyre me postë nga jashtë Kosovës, po vazhdon dhe rezultatet e përditësuara tashmë kanë sjellë një ndryshim në mandatet e fituara të deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhje mori mbi 50% të votave, tashmë ka siguruar 57 mandate. Ajo pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 23 mandate. Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 14 mandate ndërsa tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka ndryshim, mbetet me vetëm 6 mandate.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rezultatet përfundimtare mund të shpallen më herët sesa ishte planifikuar data 19 janar, ku më pas edhe do të certifikohen rezultatet.

Por, akoma pa u certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja, nëse deri me 5 mars nuk zgjidhet Presidenti apo Presidentja. Mandati i Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon në fund të muajit prill, por një muaj më parë duhet të zgjidhe Presidenti apo Presidentja.

Albin Kurti tha për mediet lokale se për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë nuk i duhet mbështetja e partive të tjera shqiptare. Por për çështjen e Presidentit, në Kuvend duhet të jenë prezent dy të tretat e deputetëve dhe për këtë tash për tash nuk i kanë votat e nevojshme.

Çfarë thotë Kurti?

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, e afati i fundit është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Natyrisht se ekziston mundësia teorike dhe praktike që të shkojmë në zgjedhje. 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Herën e kaluar nuk i bëmë dot 61, ndërsa 80 është numër shumë më i madh se 61. Kësaj radhe 61 i kemi, por 80 nuk i kemi. Ne e kemi parë deklarimin e Presidentes. Së pari, duhet ta formojmë Kuvendin dhe Qeverinë, gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin, këta janë hapa më të rëndësishëm”, thotë Kurti.

Ai e konsideron të nevojshëm takimin me Vjosa Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër pesëvjeçar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, tashmë ka deklaruar se synon edhe një mandat pesëvjeçar për t’i jetësuar, siç ka thënë, “planet e saj në të mirë të vendit”.

Por nëse kandidimin e saj edhe për një mandat nuk e përkrahin deputetët në Kuvend, Osmani ka paralajmëruar se do ta kenë përballë në zgjedhjet e ardhshme përmes aktivitetit të saj politik.

“Në fund të fundit është në vullnetin e deputetëve që vendosin nëse do të më përkrahin apo jo, dhe po e them përsëri, në qoftë se vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve. Në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë, besa e shumëçka tjetër. Por qëllimi im është që të vazhdoj të jem e angazhuar politikisht dhe ta ndihmoj Republikën e Kosovës që të ecë përpara”, është shprehur Osmani.

Qëndrimet e partive të tjera

Përfaqësuesit e PDK, LDK dhe AAK nuk kanë folur deri tani rreth formimit të institucioneve të reja dhe zgjedhjes së presidentit. Ato thonë se janë duke pritur certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për të parë përbërjen përfundimtare të Kuvendit. Analistët politikë thonë se për zgjedhjen e presidentit të vendit, kompromisi politik është i pashmangshëm.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i tha DW-së se “zgjedhja e presidentit të shtetit në mungesë të 80 votave për koalicionin fitues të zgjedhjeve të fundvitit do të duhej të bazohej në marrëveshje politike dhe kompromis lidhur me një figurë unifikuese që do të ushtronte pozitën e presidentit me integritet dhe në mënyrë të paanshme”.

Sipas tij, Kosova e ka urgjencë shtetërore që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, pa vonesë, të miratojë ligjin për buxhetin dhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë Planin e Rritjes.

“Sikurse LVV dhe z. Kurti, nëse e vënë në rend të parë interesin e Republikës së Kosovës, do të gjenin kompromis për të zgjedhur edhe Presidentin e Republikës për t’i dhënë drejtim zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, dy procese që kanë stagnuar në status quo në pesë vitet e fundit. Kosova nuk e ka komoditetin për zgjedhje të reja, pasi kjo do të kishte pasoja të dëmshme dhe afatgjata për integrimin evropian, por edhe humbjen e besimit të partnerëve ndërkombëtarë”, thotë Miftaraj.

Analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, i tha DW-së se procesi i zgjedhjes së presidentit do ta prodhojë edhe një sfidë të re me potencial bllokues.

“Prandaj, hendeku i madh aktual mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera nënkupton vetëm një gjë normale: rigjetjen e vullnetit për bashkëpunim konstruktiv me kompromise reciproke ndaj interesave të dyanshme. Çdo qasje tjetër me automatizëm e çon Kosovën në zgjedhje të reja”, thotë Muhaxhiri. Sipas tij, “edhe një proces i ri zgjedhor do të ishte indikator madhor i paaftësisë së spektrit politik kosovar”.

“Do ta tregonte mungesën e plotë të integritetit personal, etikës publike dhe përgjegjësisë së tyre shtetërore ndaj dërgimit të shoqërisë në theqafje institucionale. Humbjet shumëdimensionale do të thelloheshin edhe më shumë, duke krijuar stagnime fundamentale sistemore politike dhe ekonomike, brenda vendit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë Muhaxhiri.

Si zgjidhet presidenti i vendit?

Kushtetuta e Kosovës, sipas nenit 86, e përcakton procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

– Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

– Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.

– Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

– Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

– Nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjedhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh./DW/

Përmbytjet në fshatin Vajzë/ Iu dëmtua banesa nga rrëshqitja e dherave, kryefamiljari tregon momentet e panikut: Në mes të natës ranë muret e jashtme

7 January 2026 at 12:37

Banorët e fshatit “Vajzë” të cilëve iu rrezikua banesa pas shembjes së dherave nga reshjet e dendura të shiut janë shprehur të shqetësuar.

Në një intervistës për “ABC News”, ata treguan momentet e frikës dhe panikut kur kuptuan se ndodheshin të rrezikuar. Një prej kryefamiljarëve, tregoi se gjatë natës, ranë muret e jashtme të banesës dhe aty dolën menjëherë jashtë, pasi ishin të gjithë të rrezikuar.

Ai shprehet i shqetësuar, për situatën dhe kërkon një zgjidhje.

“Nga ora 02: 00 e natës ranë muret e jashtme. Dhe më pas u ngritëm dhe menjëherë kemi dalë jashtë. Kemi shpëtuar për pak. Presim që shtëpia të batohet nga momenti në moment, nuk guxojmë të futemi brenda të marrim diçka. Shtëpitë janë të reja. Deri tani nuk kemi asnjë informacion. Policia dhe nga bashkia kanë ardhur, por ende nuk kemi asnjë sqarim”, ka thënë ai.

“Nuk marr dot asnjë gjë. Është e rrezikshme”, u shpreh një tjetër kryefamiljar.

VIDEO/ Pasojat e përmbytjeve në Gjirokastër, strukturat të angazhuara në pastrimin e rrugëve nga gurët e inertet

7 January 2026 at 12:19

Në Gjirokastër janë evidentuar probleme të shumta si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Përroi i Ficos në lagjen “Palorto” ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në zonën e poshtme të qytetit.

Si pasojë e vërshimit të ujit, disa pjesë të qytetit kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave janë angazhuar dhe po punojnë për pastrimin e rrugëve të bllokuara nga gurë e inerte.

Gjithashtu strukturat janë vënë në mbështetje të banorëve dha janë angazhuar për të marrë masat e nevojshme për përballimin e situatës.

Humbi kontrollin e motoçikletës dhe u rrëzua, ndërron jetë i moshuari në Lushnje

7 January 2026 at 12:03

LUSHNJE- Një aksident me vdekje ka ndodhur në fshatin Kurtinë në Hysgjokaj.

70-vjeçari Barjam Dingozi ka qenë duke udhëtuar me motoçikletë dhe pasi është rrëzuar ka humbur jetën.

Sipas policisë së qarkullimit rrugor i moshuari dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motoçikletën si pasojë e lagështisë në rrugë.

Reshjet në Korçë/ Dy lumenj rrezikojnë të dalin nga shtrati, thirrje banorëve të tregojnë kujdes, strukturat në gatishmëri

7 January 2026 at 10:58

Nga reshjet intensive të orëve të fundit është rritur ndjeshëm niveli i ujit të lumit të Starovës dhe lumit të Vërdovës në të cilat ekziston mundësia të dalin jashtë shtratit. Në terren ka forca të shtuara të punonjësve, ekipeve të emergjencave.

Gjithashtu situata po vijon monitorohet ndërsa strukturat përkatëse janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se niveli i ujërave vazhdon të rritet.

U bëhet thirrje banorëve të zonave sidomos atyre që janë pranë lumenjve të tregojnë kujdes të shtuar.

Deri në këto momente Pogradeci mbetet bashkia më problematike sa i përket situatës së motit.

Gurë dhe rrëshqitje dherash në aksin Kukës-Shishtavec, situata në monitorim

7 January 2026 at 10:51

Në aksin Kukës Shishtavec, vijon puna për të bërë të mundur heqjen e gurëve dhe inertëve që kanë bllokuar rrugës si pasojë e reshjeve të shiut.

Ndërkohë i gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.

Si rezultat i reshjeve të gjitha rrugët nacionale dhe ato bashkiake si dhe urat janë në risk të shtuar.

Në përditësimin e fundit bashkia ka njoftuar edhe situatën në akset kryesore.

Në bashkinë Kukës vazhdon të jetë e rrezikuar Ura e fshatit Orgjost pasi i është dëmtuar njëra këmbë mbajtëse e saj. Vazhdojnë të jenë të  bllokuara segmenti rrugor Njèsisë Zapod e rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë.

Nga bashkia Tropojë raportohet se nuk kemi problematika. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

Në bashkinë Has vazhdon të jetë problem rezervuari Helshan 2 ku poshtë tij është një objekt shkollor.

 

Përmbytjet në Elbasan/ Izolohet një familje në Muriqan, çifti i të moshuarve mbetet i bllokuar

7 January 2026 at 10:44

Një familje është izoluar në fshatin Muriqan të Elbasanit. Uji ka rrethuar banesën, ndërsa çifti i të moshuarve ka mbetur i bllokuar.

Gjithashtu edhe në fshatin Jagodinë në Elbasan situata pas reshjeve të dendura të shiut është problematike.

Disa hektarë tokë, në këtë zonë janë në ujë. Banorët janë shprehur të shqetësuar pasi edhe banesat janë përmbytur pas reshjeve të dendura të shiu. Shkak i përkeqësimit të gjendjes përveç reshjeve të dendura të shiu janë bërë edhe bllokimi i kanaleve kulluese.

Before yesterdayMain stream

Rinas/ Dokumente false e mallra kontrabandë, në pranga 6 kinezë dhe 1 shtetase bjelloruse

6 January 2026 at 14:59

Pas kontrolleve për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit, 6 shtetas kinezë dhe 1 shtetase nga Bjellorusia, janë vënë në pranga. Ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar 6 dokumente false dhe një sasi mallrash kontrabandë.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”, shtetasit 29 vjeç, 66 vjeç, 52 vjeç, 45 vjeç, 38 vjeç dhe shtetasja 43 vjeçe, të gjithë shtetas kinezë.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të këtyre shtetasve, ata kanë paraqitur pasaporta të shtetit të Hong Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara.

Nga ekzaminimi në laborator, pasaportat rezultuan të falsifikuara.

Po ashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje, shtetasja 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, në intervistimin nga punonjësi i Policisë ka qenë dyshuese për qëllimin e udhëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë arsye ka kaluar për kontroll në vijën e dytë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, kësaj shtetasje, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi mallrash për qëllime estetike (botox dhe fillera), për të cilat kërkohen kushte të veçanta për transport, si dhe licencë e posaçme posedimi dhe përdorimi, të cilat kjo shtetase nuk i dispononte.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

VIDEO/ Durrësi ‘nën ujë’, evakuohen mbi 40 familje, Emergjencat Civile, FA dhe Ushtria në terren

6 January 2026 at 14:47

Durrësi është ‘paralizuar’ nga moti i keq. Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur gjatë natës dhe vijuar edhe përgjatë ditës së sotme ka bërë që qyteti të përballet me një situatë shqetësuese.  Rrugët janë kthyer në lumenj, ndërsa banesat të shumta janë përmbytur.

Mbi 40 familje janë evakuuar nga shtabi Emergjencave Civile dhe Forcat e Armatosura. Ushtria ndodhet në Durrës që prej orëve të para të paradites me katër pompa te fuqishme.

Një është vendosur në Shkozet, një në afërsi të burgut, një në ish kënetë dhe një në Porto Romano. Ndërkohë numri i kërkesave për evakuimi mbetet i lartë.

 

Aksident në aksin Elbasan-Shushicë, përplasen dy makina, një i plagosur

6 January 2026 at 14:31

Një aksident ka ndodhur në aksin Elbasan-Shushicë. Mësohet se dy automjete me targa të huaja janë përplasur me njëra-tjetrën.

Si pasojë drejtuesi i një automjeti ka mbetur i lënduar.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Përmbytjet/ Mblidhet Komiteti i Emergjencave Civile për koordinimin e punës në terren, Vengu: Masa për sigurimin e furnizimit me energji

6 January 2026 at 14:18

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë problematika të mëdha në disa qytete. Durrësi është i “paralizuar”, nga përmbytjet, pir gjithashtu edhe Lezha, Kukësi dhe vende të tjera po përballem me problematika.

Ndërkohë është mbledhur edhe Komiteti i Emergjencave Civile, për koordinimin e punës në terren dhe përballimin e pasojave të reshjeve të shiut.

Ministri Pirro Vengu u shpreh se parashikohet rritje e kuotave në lumenjtë në Lezhë. Ndërsa theksoi se janë evakuuar 10 familje në Durrës e Shijak.

“Jemi në terren me forca të shtuara, mjete, pompa të gatishmërisë maksimale. Edhe në Lezhë jemi në monitorim ora orës për të parandaluar situatën që është krijuar në Gjadër. Për momentin situata konsiderohet të jetë në kontroll”, tha ai.

Moti i keq në Bosnjë Hercegovinë, probleme me qarkullimin e mjeteve dhe ndërprerje të energjisë elektrike

6 January 2026 at 14:13

Për shkak të reshjeve të borës, trafiku në zonën e qytetit të Konjicit është i vështirë, por nuk ka ndërprerje. Buturoviç Polje dhe vendbanimet përreth aktualisht janë pa energji elektrike.

Mbrëmë pati përmbytje në rrugën rajonale në qytetin e Tushices. Gjashtë shtëpi përgjatë rrugës u përmbytën dhe riparimet janë duke u bërë.

Sipas informacionit të mëngjesit të sotëm, trafiku po lëviz në një korsi. Nivelet e lumenjve në zonën e Çapljinës po rriten.

”Argjinaturat u inspektuan dhe zjarrfikësit pompuan ujë nga ndërtesat e banimit”, njoftoi Qendra Federale e Operacioneve të Mbrojtjes Civile në raportin e saj të rregullt mbi gjendjen e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

Hetim pasurie për Vjosa Osmanin/ Prona në Prishtinë dhe Australi, Presidenca: Nuk kemi informacion

6 January 2026 at 12:45

Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë ka filluar një procedurë zyrtarë për verifikimin e pasurisë së presidentes Vjosa Osmani.

Sipas mediave në Kosovë, ky hap erdhi pasi u vunë re dallime të dukshme në deklarimet e pasurisë së Osmanit për vitet 2024 dhe 2025.

Nisja e verifikimeve erdhi pas shqetësimeve në lidhje me ndryshimet në sasinë e pasurisë së deklaruar në formularët zyrtarë të zyrtarëve publikë.

Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.

Në dokumentet e dorëzuara për vitin që sapo lamë pas, vihet re lëvizje e konsiderueshme në krahasim me një vit më parë dhe ky detaj e  shtyu agjencinë kundër korrupsionit të ndërmarrë verifikime të mëtejshme sipas ligjit.

Në deklarimet e vitit 2025, Osmani ka raportuar se bashkë me bashkëshortin e saj zotërojnë një banesë tjetër në Prishtinë.

Por jo vetëm kaq, Osmani zotëron prona edhe jashtë vendit, konkretisht tokë dhe një shtëpi shtesë në Australi.

Megjithatë pas raportimeve në lidhje me verifikimin e pasurisë, nga Presidenca e Kosovës kanë thënë se nuk kanë informacione të tilla.

Këshilltari i presidentes Osmani tha se ajo mirëpret çdo lloj verifikimi nga çdo institucion, që është i bazuar në pavarësi, ligj dhe fakte, por jo në fushata njollosjeje.

Tërmeti 6.2 ballë godet Japoninë, pasohet nga një tjetër brenda disa minutash

6 January 2026 at 10:50

Tërmeti me magnitudë 6.2 ballë goditi bregun perëndimor të Japonisë.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se nuk ka paralajmërime për cunami.

Ndërkohë autoritetet thanë se pas tërmetit 6.2 ballë, është regjistruar një i dytë me magnitudë 5.1 ballë rreth dhjetë minuta më vonë.

Tërmeti u regjistrua në Prefekturën Shimane, tha Agjencia Meteorologjike e Japonisë.

❌
❌