Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Main stream

Si dilet nga kriza e energjetike? Ymeri tregon hapat që duhet të ndiqen

19 January 2026 at 08:24



Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se zgjidhja për krizën energjetike në Kosovë nuk qëndron te importi urgjent, por te planifikimi afatgjatë dhe përgjegjësia institucionale.

“Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se sektori i energjisë po funksionon pa strategji të qartë dhe pa planifikim vjetor, çka sipas saj është arsyeja kryesore pse krizat po përsëriten.

“Zgjidhja është planifikimi vjetor i të gjithë sektorit të energjisë elektrike, që nuk është bërë as për vitin 2025 e as për vitin 2026”, deklaroi Ymeri shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ajo theksoi se institucionet duhet të tregojnë qartë se sa energji i nevojitet Kosovës, sa do të importohet dhe nga cilat burime, në mënyrë që të shmangen situatat emergjente me çmime të larta.

“Duhet me ditë sa kemi nevojë për energji, sa kemi me importu dhe prej kujt kemi me importu. Kjo është bazë”, u shpreh ajo.

Sipas Ymerit, mungesa e këtij planifikimi e ka bërë sektorin të pambrojtur dhe ka hapur rrugë për improvizime që po i kushtojnë shtrenjtë qytetarëve.

“Pa planifikim, gjithçka bëhet ad-hoc. Importi bëhet urgjent dhe faturën e paguajnë qytetarët”, tha ajo.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së shtoi se transparenca dhe mbikëqyrja institucionale janë po aq të rëndësishme sa vetë prodhimi i energjisë.

“Energjia elektrike është siguri kombëtare dhe nuk mund të menaxhohet pa përgjegjësi dhe pa llogaridhënie”, theksoi Ymeri.

Ymeri dhe Hajrullahu në "Përballje Podcast"Foto: Ridvan Slivova

Ajo paralajmëroi se, në mungesë të një strategjie të qartë vjetore, Kosova do të vazhdojë të përballet me kriza të përsëritura energjetike dhe pasoja të rënda ekonomike për qytetarët dhe bizneset./Telegrafi/.

Before yesterdayMain stream

Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet, Mustafi: Qartësi ligjore dhe jo penalizim për qytetarët e Luginës së Preshevës

16 January 2026 at 15:03


Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka njoftuar sot se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka filluar, duke theksuar se këto ligje sjellin qartësi juridike dhe jo penalizim për shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë.

Mustafi shpjegoi se periudha e tanishme është një fazë informuese që zgjat deri më 15 mars 2026.

"Këto ligje nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një zonë gri administrative", ka shkruar ai në Facebook.

Ai theksoi se periudha afirmative ka për qëllim rregullimin e statusit ligjor të qytetarëve dhe eliminimin e pasigurisë administrative: "Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje".

Mustafi përmendi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar procedurat për qytetarët e Luginës së Preshevës: "Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në funksion formularin për situata të jashtëzakonshme, i cili ua mundëson qytetarëve apatridë/të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil".

Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të pronës dhe të drejtave administrative.

"Qytetarët e Luginës së Preshevës tani mund t’i bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre si titullarë, duke garantuar siguri juridike mbi pronën dhe duke hequr pengesat administrative që deri më tani i kanë përjashtuar nga e drejta elementare e pronësisë", thuhet më tej.

Mustafi përfundoi me një mesazh për qytetarët dhe institucioneve: "Pas datës 15 mars, zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të prodhojë pasoja administrative të panevojshme. Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron, i rregullon dhe i trajton me dinjitet e të barabartë".

Ky hap është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar drejtësi, qartësi ligjore dhe mundësi të barabarta për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. /Telegrafi/


"Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete", Kurti zhvilloi takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë

16 January 2026 at 14:18


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.

“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.

“Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë. Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Demi: Investimet kapitale janë motori i zhvillimit, 2026 vit vendimtar

12 January 2026 at 08:14



Qeveria e re e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet ta shfrytëzojë vitin 2026 për të vendosur themele të qarta zhvillimore dhe për të shmangur politikat afatshkurtra që nuk prodhojnë rezultate të qëndrueshme.

“Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Demi theksoi se fokusi i institucioneve të reja duhet të jetë funksionalizimi i shtetit dhe orientimi drejt reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi dhe shoqëri.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, prioriteti i parë duhet të jetë stabiliteti institucional dhe miratimi në kohë i buxhetit.

“Miratimi i buxhetit është pika e parë dhe më e rëndësishme, sepse pa të bllokohen pagesat dhe funksionimi normal i shtetit”, tha Demi, duke nënvizuar se vonesat politike krijojnë kosto të drejtpërdrejta ekonomike.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Demi vlerësoi se Qeveria e re duhet të rikthejë vëmendjen te investimet kapitale dhe projektet zhvillimore.

“Investimet kapitale kanë qenë për vite motor i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes afatgjatë”, u shpreh ai, duke shtuar se pa projekte konkrete infrastrukturore është e vështirë të flitet për zhvillim real.

Një tjetër fokus i domosdoshëm, sipas Demit, është digjitalizimi i administratës publike dhe modernizimi i shërbimeve shtetërore.

“Digjitalizimi duhet të ndikojë mënyrën se si funksionon shteti – nga arsimi dhe shëndetësia, te projektet kapitale dhe raporti i qytetarëve me institucionet”, tha ai shkruan Telegrafi.

Foto:Ridvan Slivova

Demi theksoi gjithashtu se arsimi dhe inovacioni duhet të trajtohen si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Sipas tij, ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e transformojnë tregun global të punës, ndaj Kosova duhet të përgatisë kapitalin njerëzor për këto sfida.

“Nuk kemi luksin të vazhdojmë me politika të vjetra në një botë që po ndryshon kaq shpejt”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Demi tha se suksesi i Qeverisë së re do të matet me aftësinë për të kaluar nga menaxhimi i përditshëm drejt një vizioni zhvillimor.

“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për dekadat e ardhshme, sepse vendimet e sotme do ta përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen”, përfundoi ai. /Telegrafi/.

​Agron Demi: Kosova rrezikon të humbë qindra miliona euro nga fondet e BE-së

9 January 2026 at 18:00



Ekonomia e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk përballet vetëm me sfidën e miratimit të buxhetit, por edhe me bllokimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke folur në “Përballje Podcast”, Demi theksoi se një nga rastet më domethënëse është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kosova nuk ka arritur të përfitojë asnjë euro nga fondet në vlerë prej 882 milionë eurosh, të garantuara nga Bashkimi Evropian për vendet e rajonit, me fokus fillestar zbatimin e agjendës së gjelbër dhe më pas projekte të tjera zhvillimore.

“Kosova është një ndër vendet e vetme në rajon, pas Bosnjës, që nuk ka arritur të marrë asnjë milion nga këto fonde”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.

Ai paralajmëroi se një pjesë e këtyre mjeteve tashmë mund të konsiderohen të humbura.

“Vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se rreth dhjetë për qind e këtyre fondeve vetëm se janë humbur, ndërsa ato mjete shpërndahen më pas te vendet e tjera të rajonit”, tha Demi, duke theksuar se rikthimi i plotë i shumës prej 882 milionë eurosh tashmë është i vështirë.

- YouTube www.youtube.com

Demi shtoi se mbetet e paqartë nëse, edhe në rast të miratimit të buxhetit në fillim të vitit, Kosova do të arrijë t’i rikthejë këto mjete.

“Nuk dihet nëse në janar, edhe nëse aprovohet buxheti, do të ketë ende hapësirë që këto fonde të kthehen”, theksoi ai.

Sipas analistit, kjo situatë tregon se sfidat ekonomike të vitit 2026 nuk lidhen vetëm me politikat e brendshme fiskale, por edhe me aftësinë institucionale të Kosovës për të përmbushur obligimet dhe për të shfrytëzuar mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, të cilët mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër të vendit./Telegrafi/

Demi paralajmëron: Nëse deri në shkurt nuk ka Qeveri, rrezikohet buxheti dhe ekonomia e Kosovës

9 January 2026 at 09:42



Kosova hyn në vitin 2026 me pritje për institucione të reja dhe me pritshmëri të larta për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik.

Në “Përballje Podcast”, analisti i politikave Agron Demi ka folur për gjendjen ekonomike të vendit, prioritetet që e presin Qeverinë e re dhe rreziqet që mund ta shoqërojnë vitin 2026 nëse nuk ka ndryshim qasjeje.

Demi vlerëson se proceset zgjedhore tashmë kanë përfunduar, por sfida kryesore mbetet faza paszgjedhore dhe funksionalizimi i institucioneve.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, formimi i shpejtë i Kuvendit dhe Qeverisë është parakusht për stabilitet ekonomik.

“Nëse tejkalohet shkurti pa u konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, mund të rrezikohen linjat buxhetore dhe të krijohen pengesa serioze financiare”, tha ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.

Fokusi kryesor për vitin 2026, sipas Demit, duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

Ai theksoi se vitet e fundit janë karakterizuar nga vendime të përkohshme dhe mungesë e projekteve zhvillimore afatgjata.

“Ka pasur shumë vendime ad-hoc dhe shpërndarje të mjeteve buxhetore, por investimet kapitale, që dikur ishin shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, kanë rënë në plan të tretë”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.

Agron Demi dhe Muhamet Hajrullahu n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Ridvan Slivova

Në këtë kontekst, ai vlerëson se buxheti i vitit 2026 duhet të ketë karakter më zhvillimor.

Sipas tij, rritja e shpenzimeve për paga dhe skema sociale nuk mjafton për të nxitur rritje ekonomike afatgjatë.

“Nëse nuk rikthehet fokusi te investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore, do të jetë e vështirë të flasim për zhvillim real ekonomik”, theksoi ai.

Demi foli edhe për marrëveshjet dhe fondet ndërkombëtare, duke përmendur Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.

“Kosova nuk ka arritur të përfitojë nga fondet e garantuara prej BE-së, ndërsa një pjesë e tyre rrezikon të humbet nëse nuk ka veprime të shpejta institucionale”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe për zbatimin e agjendës së gjelbër.

Sa i përket gjendjes sociale, Demi theksoi se inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.

“Rritja e çmimeve, deficiti tregtar dhe varësia nga importet vazhdojnë të jenë sfida serioze për ekonominë e Kosovës”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e matjeve të rregullta të varfërisë e bën më të vështirë adresimin e problemeve reale.

Foto: Ridvan Slivova

Në fund, Demi vlerësoi se viti 2026 duhet të shënojë një orientim më të qartë drejt reformave strukturore, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër.

“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë periudhë e tranzicionit digjital dhe energjetik. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me politika të vjetra në një realitet që po ndryshon shpejt”, përfundoi ai.

Sipas Demit, mënyra se si Qeveria e re do ta adresojë buxhetin, investimet kapitale dhe fondet ndërkombëtare do të përcaktojë në masë të madhe nëse viti 2026 do të jetë vit stabilizimi apo vit i humbur për zhvillimin ekonomik të Kosovës./Telegrafi/.

Pesë sfida që do ta përcaktojnë Kosovën në 2026

5 January 2026 at 08:57



Për qytetarët, viti 2026 nuk është debat politik, por një pyetje e drejtpërdrejtë, a do të ketë punë, mirëqenie, shërbime më të mira dhe stabilitet institucional?

Pas një bllokade njëvjeçare, Kosova po hyn më në fund në një fazë të re politike. Zgjedhjet u përmbyllën pa incidente dhe me publikim rekord të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, një tregues i funksionimit demokratik dhe stabilitetit institucional.

Sipas rezultateve, qytetarët i dhanë Albin Kurtit edhe një mandat tjetër. Me 56 deputetë të siguruar nga LVV dhe partnerët e saj, formimi i Qeverisë Kurti 3 duket çështje kohe. Por fitorja në zgjedhje nuk e zëvendëson përgjegjësinë e qeverisjes. Përkundrazi, viti 2026 do të jetë test politik dhe institucional.

Pesë sfida do ta përcaktojnë jo vetëm punën e Qeverisë Kurti 3, por edhe besimin e qytetarëve në politikë dhe qeverisje.

Buxheti 2026 dhe ekonomia

Sfida kryesore mbetet ekonomia. Miratimi i Buxhetit 2026 duhet të jetë urgjent, i qëndrueshëm dhe zhvillimor. Pa investime kapitale, mbështetje për sektorin privat dhe menaxhim të kujdesshëm fiskal, çdo reformë tjetër mbetet e kufizuar.

Përveç menaxhimit fiskal, qeveria duhet të adresojë çmimet e larta të energjisë, inflacionin dhe presionin mbi buxhetin e familjeve. Nevojitet mbështetje institucionale e qëndrueshme për bizneset dhe qytetarët, për të shmangur rritje të mëtejshme të çmimeve dhe pasoja të thella sociale.

Zgjedhja e Presidentit – testi real

Në pranverën e vitit 2026 pritet zgjedhja e Presidentit/es. Ky proces nuk duhet ta fusë vendin në krizë politike apo ta çojë drejt zgjedhjeve të reja. Kërkohet kompromis dhe pjekuri institucionale.

Deri tash, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për një mandat të dytë. A do të ndodhë kjo apo do të kemi një figurë tjetër në krye të institucionit, do ta tregojë koha e afërt.

Kjo situatë do të jetë testi real për Qeverinë Kurti 3 dhe për qëndrimet që do të mbajnë subjektet kryesore politike – PDK, LDK dhe AAK në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi dhe agjenda legjislative

Pas bllokadave të gjata, Kuvendi duhet të funksionojë. Para deputetëve janë ligje dhe marrëveshje kyçe, përfshirë marrëveshjet financiare me Bankën Botërore, projektet për shëndetësi dhe arsim, si dhe shqyrtimi i parë i Buxhetit 2026.

A do mbetet k\u00ebshtu Kuvendi edhe n\u00eb 2026? Foto: Ridvan Slivova

Këto vendime përcaktojnë zhvillimin ekonomik dhe raportet ndërkombëtare të Kosovës. Çdo bllokadë e re do të ishte jo vetëm dështim politik, por edhe kosto direkte për qytetarët.

Politika e jashtme dhe partnerët

Raportet me Bashkimin Evropian dhe ruajtja e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten sfida serioze. Kosova ka nevojë për diplomaci më proaktive dhe më pak konfrontim që çon në izolim.

Izolimi diplomatik nuk është veprim i mençur, por rrezik strategjik për një shtet të vogël. Njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata dhe institucione ndërkombëtare mbeten prioritet kyç. Dialogu me Serbinë do të jetë në fokus, por edhe në varësi të situatës politike në Serbi.

Qeverisja e brendshme

Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike mbeten test për çdo qeveri, e sidomos për një qeveri me mandat të dytë apo të tretë. Qytetarët presin rezultate konkrete, jo justifikime politike.

Zgjedhjet përfunduan. Tani nuk ka më arsyetime, as fajësime. Viti 2026 do të tregojë nëse mandati i ri do të mbahet mend për qeverisje, apo për një tjetër shans të humbur./Telegrafi/.

Kosova: Shtet me dhjetëra pozita në detyrë

4 January 2026 at 20:09


Duke filluar nga Qeveria që për gati një vjet është në detyrë, në një linjë vec pak më ndryshe janë edhe dhjetëra institucione shtetërore, të cilat po funksionojnë me ushtrues detyre.

Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me ushtrues detyre është pozita e drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Njësisë për inteligjencë Financiare, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Inspektorati Qendror i Punës.

Në atë të Drejtësisë, janë Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Inspektorati për Mbikëqyrjen e Punës së Institucioneve Korrektuese dhe Drejtorive Rajonale Sprovuese.

Ndërkohë që në MPB, me ushtrues detyre është Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencina e Regjistrimit Civil.

Dhjetra pozita janë edhe brenda ministrive të tjera, që nuk kanë arritur të dalin jashta ushtruesit të detyrës.

Si pasojë e mungesës së funksionimit të Kuvendit të Kosovës, së fundmi i ka përfunduar mandati edhe avokatit i Popullit dhe pesë zëvendësit e tij, por që sipas ligjit ai vazhdon të jetë në krye të detyrës, deri të emërohet dikush tjetër.

Jo funksional për shkak të mungesës së bordit vazhdojnë të jenë edhe Komisioni i Pavarur për Media, e bordi i RTK-së.

Ndër pozitat më të rëndësishme që është me ushtrues detyre, por që së fundmi është ndërruar emri, është ajo e kryeprokurorit të shtetit.

Nga prilli i vitit 2022, e deri më 2025 Besim Kelmendi ishte ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit. Mes polemikave të shumta, ai u shkarkua nga Këshilli prokurorial e që në vend të tij, u caktua Agron Qalaj.

Procesi i pozitës së kryeprokurorit ka mbetur pezull, meqë KPK-ja nuk pajtohet edhe më tutje me mosdekretimin e Blerim Isufajt nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe Korporata Energjetike e Kosovës mbetet edhe më tutje pa kryeshef ekzekutiv fuqiplotë që dy vjet e gjysmë.

Që nga Prilli 2023, pas arrestimit, suspendimit e më vonë shkarkimit të ish-kryeshefit Nagip Krasniqi, ndërmarrja kryesore energjetike në vend është duke funksionuar me ushtrues detyre.

Prej shkarkimit të Evetar Zeqirit, në maj të 2025 edhe KOSST, vazhdon të udhëheqet me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv.

U.d ka edhe drejtoria e përgjithshme e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Vazhdimisht shoqëria civile në Kosovë, ka kritikuar qasjen e ekzekutivit duke thënë se po abuzohet me pozitat me ushtrues detyre.

- YouTube www.youtube.com

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e fundit për këtë vit, këto janë vendimet

31 December 2025 at 19:57


Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur sot, më 31.12.2025, një mbledhje në formë elektronike në të cilën ka marrë tri vendime.

Qeveria bëri të ditur se ka miratuar Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e këshillit kombëtar të arteve.

Po ashtu kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për programin, përmbajtjen, mënyrën dhe procedurat e organizimit, trajnimit profesional për zyrtarë arkivorë.

Dhe në këtë mbledhje të Qeverisë në detyrë është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

Kurti flet për kabinetin e ri qeveritar dhe procesin e zgjedhjes së presidentit

31 December 2025 at 16:54


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e qeverisë së re.

Gjatë vizitës së tij në KEK, i pyetur për emrat e ri në qeverinë e re, Kurti tha se i nevojitet një konfirmim nga Kryesia e Vetëvendosjes se a do të jenë i njëjtë si në legjislaturën e nëntë.

“Na duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve. Na duhet një mbledhje në Kryesi të Vetëvendosjes, sepse qartazi propozimet tona i kemi pasur për legjislaturën e nëntë tash të dhjetën kur t’i marrim rezultatet nuk ndryshon programi dhe orientimi. Do të jetë përbërja identike nuk mund ta them dot tash. Edhe nëse është e kërkon një rikonfirmim.. Nuk besoj që mund të ketë ndryshime të mëdha”, tha Kurti.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes, Kurti tha se do të takohet në ditët në vijim me presidenten aktuale Vjosa Osmani që të diskutohen mundësitë, duke theksuar se duhen 80 deputetë të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit apo presidentes është hapi i tretë. Një herë është konstituimi i Kuvendit, formimi, pastaj vjen dhe ajo. Por para se të bëjmë çfarëdo, besoj se do të kemi një takim me presidenten aktuale Vjosa Osmani dhe do diskutojmë cilat janë shanset dhe mundësitë përpara, sepse na duhet të qëndrojmë 80 veta në sallë. Mund të duket më e lehtë pas rezultatit të 28 dhjetorit”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49.41 për qind dhe pritet t’i ketë 56 deputetë (pa votat e diasporës dhe me kusht).

Paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, Kurti: Do ta marrin në fillim të vitit

31 December 2025 at 11:36


Punëtorët e administratës publike në Kosovë do të marrin pagën e 13-të në fillim të vitit 2026, konfirmoi Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.

Ai theksoi se vendimi për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke përfshirë edhe këtë pagesë, do të dërgohet për miratim në mbledhjen e parë të Qeverisë së re.

“Për të gjithë punëtorët e administratës publike me ligjin e buxhetit për vitin 2026-të, të cilin e kaluam njëherë në mbledhjen e Qeverisë me 31 tetor sivjet, pra të cilin tash në legjislaturën e 10 kur të konstitutohet Kuvendi do ta kalojmë në dy lexime,” tha Kurti.

Ai shtoi se paga e 13-të nuk do të ndahet në fund të vitit, por në fillim të vitit të ardhshëm: “Kam thënë që me këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të; kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga, por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër”.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se shpërndarja do të bëhet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re: “Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstituohet Kuvendi dhe sa shpejtë e formojmë Qeverinë. Pra në mbledhjen e parë, përveç vendimit për ligjin për buxhetin 2026, gjithashtu do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të e jep në fillim të vitit, do t’i kemi edhe tri të tjera”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lidhjen me fushatën zgjedhore, Kurti theksoi: “Por, mos ta përsëris veten nga fushata pra zgjedhjeve sepse ato përfunduan të dielën". /Telegrafi/

- YouTube youtube.com

Kurti: Rezultati i zgjedhjeve është i qartë, tashmë pengesat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente

31 December 2025 at 11:04


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se sot se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit është i qartë dhe se tashmë pengesat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.

Ai këto komente i bëri pas vizitës në Postën e Kosovës ku u pyet për mundësitë e bashkëpunimit me ndonjë parti politike.

“Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë, rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur që do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit sivjet, por duket që po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021. Bllokimet në konstituimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, Kurti pas vizitës që i bëri Postës së Kosovës tha se biseduan për punën e kësaj ndërmarrjeje, që sipas tij, po e mbyll vitin me rreth 1 milionë euro fitim.

Sipas tij, është për të përshëndetur fakti që po zgjerohet rrjeti i zyrave dhe shërbimeve postare, ku gjithsej tha se janë 166 zyra, prej të cilave 16 janë në veri, raporton Telegrafi.

Ai tutje tha se janë shuar strukturale ilegale, nuk operon as Posta e Serbisë dhe se dinari nuk është më mjet pagese.

“...Nuk ka pasur vakum sepse Posta e Kosovës është aty që t’i ofrojë të gjitha shërbimet që dikush konsideronte se mund të mungojnë atëherë kur ndërpritet ilegaliteti”, tha ai. /Telegrafi/

"Dita e Veteranëve", OVL-UÇK kritikon ashpër institucionet për neglizhencë

30 December 2025 at 21:03


Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar me rastin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë.

Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL-UÇK ka kritikuar qeverinë për mosdhënien e pensioneve meritorë veteranëve dhe për trajtim të nënçmuar të tyre.

“Për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri. Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe”, thuhet në reagim.

Organizata ka përmendur gjithashtu tolerimin e deklaratave fyese dhe përçmuese ndaj veteranëve, si dhe trajtimin e tyre si barrë, pa mbrojtje shtetërore.

Sipas OVL-UÇK, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”, duke e quajtur këtë politikë të qëllimshme dhe të organizuar kundër UÇK-së.

OVL-UÇK ka theksuar se edhe në këtë Ditë të Veteranëve, institucionet nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet simbolik, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve, duke e cilësuar këtë heshtje si një qëndrim politik që tregon përpjekjen e shtetit për të “shkëputur lidhjen me luftën që e solli në jetë”.

“Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti, as nga administrata, as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”./Telegrafi.


Ambasada e SHBA-së: Presim të bashkëpunojmë me qeverinë e ardhshme të Kosovës

30 December 2025 at 17:20


Kosova ka përmbyllur të dielën procesin e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te formimi i institucioneve të reja.

Lidhur me këtë proces, është deklaruar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në një përgjigje për Telegrafin, një zëdhënës i ambasadës ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme të Kosovës.

“Ne mezi presim të punojmë me qeverinë e ardhshme mbi prioritetet e përbashkëta të paqes rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik”, ka deklaruar zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje është renditur e para me 49.34 për qind të votave, apo 433 mijë e 394 vota.

Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.98 për qind, apo 184 mijë e 318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13.57 për qind të votave, përkatësisht 119 mijë e 201 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor me 5.66 për qind, apo 49 mijë e 698 vota.

Këto zgjedhje janë të katërtat brenda vitit 2025.

Dy herë u votua për Kuvendin e Kosovës, pasi nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk u arrit formimi i institucioneve të reja, ndërsa dy herë të tjera qytetarët votuan në zgjedhjet lokale, në rundin e parë dhe atë të balotazhit.

Zgjedhjet përfunduan, koha për punë është tani

29 December 2025 at 09:18


Pas një bllokade totale njëvjeçare, më në fund vendi po duket se po shkon drejt një zgjidhjeje.

Zgjedhjet përfunduan, qytetarët votuan dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në kohë rekord rezultatet e para preliminare.

Vetëm 2–3 orë pas përfundimit të votimit, Kosova kishte tashmë rezultatet fillestare, çka përbën një shembull të organizimit të mirë, procesit demokratik dhe një dite zgjedhore pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e procesit.

Por, çfarë sollën rezultatet e djeshme dhe cila është situata politike?

Qytetarët ia dhanë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje edhe një mandat për të qeverisur.

Me 56 deputetë nga LVV, GUXO, Alternativa dhe PShDK, Kurtit i duhen vetëm edhe 5 vota nga komunitetet jo-shumicë për të formuar qeverinë. Nëse këto vota sigurohen pa Duda Baljen dhe Adem Hoxhën, si në të kaluarën, Kurti mund të arrijë deri në 64 vota, duke krijuar qeverinë pa partitë opozitare të deritashme, PDK, LDK dhe AAK.

Në muajin shkurt, Kurti kishte 42% dhe 48 deputetë, ndërsa sipas rezultateve të së dielës, që ende nuk janë finale, ai del me 56 deputetë, pra 6 më shumë.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila në shkurt kishte 24 deputetë, tani pritet të ketë 23, me Bedri Hamzën në krye të partisë.

LDK-ja, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, shënon një rënie të konsiderueshme nga 20 deputetë në shkurt, tani pritet të ketë 15.

Ndërkohë, AAK, e cila në shkurt kishte 8 deputetë së bashku me NISMA-n e Fatmir Limajt, tani pritet të ketë 6 deputetë, dy më pak, dhe pa NISMA-n në Kuvend.

Tani, pas një bllokade njëvjeçare, çfarë na pret?

Është koha për përgjegjësi, punë dhe përkushtim. Kosovën e presin shumë tema të rëndësishme, por fokusi kryesor në vitin 2026 duhet të jetë ekonomia – ekonomia dhe ekonomia.

Kur flasim për ekonomi, flasim për Buxhetin 2026, i cili duhet të miratohet urgjentisht; për ligjet e reja që e presin Kuvendin e Kosovës; dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që presin miratim dhe zbatim praktik.

Një tjetër test real për Qeverinë Kurti 3 do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës në pranverë. Ky proces nuk duhet ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Kërkohen marrëveshje, kompromis dhe pjekuri politike.

Kosova nuk ka më nevojë për “sallta politike”. Është koha për përgjegjësi dhe pjekuri politike.

Koha për qeverisje të mirë në arsim, shëndetësi, ekonomi, politikë të jashtme, e jo për ankesa dhe bllokada.

Emanuel Bajra: Fondi në Trustin pensional prej gati 4 miliardë eurosh mbetet stabil

26 December 2025 at 16:46


Pavarësisht pasigurive dhe luhatjeve në tregjet financiare globale, Trusti Pensional i Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 në pozitivisht.

Kështu ka deklaruar Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Trustit, në “Përballje Podcast”, duke theksuar se fondi është ndërtuar për t’i përballuar pikërisht periudhat e paqëndrueshme në tregje.

Bajra sqaroi se fondi pensional nuk duhet parë si investim afatshkurtër dhe se rëniet ditore apo mujore nuk e përcaktojnë të ardhmen financiare të kontribuuesve.



“Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet e sotme nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, tha ai shkruan Telegrafi.

Sipas Bajrës, gjatë vitit 2025 Trusti është përballur me disa luhatje në tregje, por falë menaxhimit aktiv dhe diversifikimit të investimeve ka arritur t’i absorbojë goditjet pa rrezikuar stabilitetin e fondit.

“Ne i kemi përballuar luhatjet shumë mirë. Kemi alokuar dhe rialokuar kapitalin aty ku kemi parë rënie dhe aty ku kemi parë mundësi për kthim”, theksoi Bajra.

- YouTube www.youtube.com

Ai shtoi se strategjia e investimeve është ndërtuar mbi parimin e sigurisë maksimale për kontribuuesit, duke mos e ekspozuar fondin ndaj rrezikut të panevojshëm, por duke shfrytëzuar mundësitë që krijohen në tregjet globale.

“Natyra e fondeve pensionale nuk është si e investitorëve privatë. Ajo kërkon durim dhe planifikim afatgjatë”, u shpreh ai.

Bajra theksoi se Trusti ka investuar në mënyrë të diversifikuar, përfshirë edhe në sektorin e mbrojtjes, me qëllim të ruajtjes së vlerës dhe rritjes graduale të kthimit.

Në fund, Bajra e cilësoi fondin pensional të Kosovës si një arritje institucionale, duke vënë në pah disiplinën e kontribuuesve dhe menaxhimin profesional ndër vite.

“Kosova sot ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra./Telegrafi/.

Qeveria ndan 50 mijë euro ndihmë për veprimtarin Hafiz Gagica

19 December 2025 at 13:25


Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro ndihmë financiare për veprimtarin e çështjes kombëtare në mërgatë, Hafiz Gagica, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë që kërkon trajtim të kushtueshëm mjekësor.

Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se Gagica ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet ’90 në organizimin politik të diasporës shqiptare dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës. Sipas Kurtit, gjendja shëndetësore e tij kërkon kujdes të veçantë dhe shpenzime që familja nuk ka mundësi t’i përballojë.

Në mbështetje të këtij vendimi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, vlerësoi rolin jetik të Hafiz Gagicës në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Gagica “ka të drejtë të presë solidaritetin e institucioneve të Kosovës, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në kohën e kërcënimit më të madh”.

Gërvalla rikujtoi se gjatë viteve ’90-ta, Gagica ishte një nga figurat kyçe në organizimin dhe forcimin e sistemit paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi dhe furnizim ushqimor, në kohën e represionit të ushtruar nga Serbia. Sipas saj, ai ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe shteteve evropiane.

Një rol i veçantë, sipas Gërvallës, ishte edhe organizimi i vizitave dhe udhëtimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe delegacioneve të tjera kosovare në Gjermani, Zvicër, SHBA dhe vende të tjera evropiane, përmes qendrës së veprimtarisë që Gagica drejtonte në Shtutgart.

Ajo përmendi gjithashtu angazhimin e tij në organizimin e protestave dhe demonstratave të shqiptarëve në Gjermani, duke veçuar tubimin e vitit 1998 në Bonn, ku rreth 100 mijë pjesëmarrës kërkuan lirinë e Kosovës dhe ndaljen e shtypjes serbe, një nga protestat më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga një komunitet jo-gjerman në Republikën Federale të Gjermanisë.

Hafiz Gagica ka shërbyer si kryetar i LDK-së për diasporë dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Kosova vendos regjim vizash për Fixhin

19 December 2025 at 13:20


Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Fixhit.

Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së sotme të Ekzekutivit dhe është pjesë e harmonizimit të politikës së vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Kosova ka regjim pa viza me 17 shtete që ndodhen në listën e vendeve të BE-së. Për të siguruar një menaxhim të rregullt të emigracionit, Republika e Kosovës synon harmonizimin e plotë të politikës së saj me atë të BE-së, duke filluar nga viti 2025”, tha Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Vendosja e regjimit të vizave është pjesë e përpjekjeve për të siguruar kontroll të rregullt të emigracionit dhe për të ruajtur standardet e Bashkimit Evropian në këtë fushë. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Qeveria nis procedurat për ngritjen e Memorialit për Familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Itali

19 December 2025 at 12:52


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur nisjen e procesit për ngritjen e një memoriali për familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali.

Ky projekt do të realizohet si donacion i Qeverisë së Kosovës për komunitetin arbëresh në Itali dhe synon të përkujtojë kontributin historik dhe sakrificën e familjes Jashari për lirinë e vendit.

“Dy pika tjera me rëndësi sot te të ndryshmet janë: vendimi në lidhje me Memorialin e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali dhe ndarja e mjeteve për Bursën e Mobilitet për Studentë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Para një muaji e kam mirëpritur në kryeministri, Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve, Rosario Petta”.

“Ndër temat që kishim diskutuar dhe për të cilat ishim pajtuar, ishte edhe memorializimi i veprës dhe kujtimit të heroizmit të kryekomandantit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij epike në këtë komunë arbëreshe në Itali”.

Kurti shtoi më tej se: “Sot do të themelojmë Komisionin Profesional për përzgjedhjen e artistit apo grupit të artistëve për ngritjen e Memorialit për Familjen Jashari dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hora e Arbëreshëve. Memoriali do të jetë donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës për arbëreshët në Itali”. /Telegrafi/

Të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e 280-të të Qeverisë në detyrë

19 December 2025 at 11:39


Qeveria në detyrë e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për të hequr masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat sipas saj ishin të padrejta që në fillim.

Sipas Qeverisë, institucionet e vendit nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat e veriut, ndërsa deeskalimi i situatës është meritë e tyre.

“Ndërkohë, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, përfshirë incidentin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024. Për këto raste tashmë janë ngritur aktakuza”, u tha në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria gjithashtu ka bërë të ditur se çdo përpjekje për të cenuar sundimin e ligjit do të kishte pasojat e veta, ndërsa stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve në veri është rezultat i respektimit të ligjit dhe rendit publik.

Qeveria u shpreh se pavarësisht vështirësive, ka mbetur e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

Sipas Qeverisë, masat financiare më të mëdha nuk u vunë nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare, e cila pengoi votimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, me një vlerë totale mbi 1 miliard euro.

Përveç kësaj, Qeveria ka njoftuar edhe vendime të tjera: konfirmimin e zbatimit të vendimeve dhe protokolleve të CEFTA-s, themelimin e Komisionit Profesional për ngritjen e Memorialit të Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali, si dhe ndarjen e 1.65 milionë eurove për grupin e parë të studentëve përfitues të Programit të Bursës së Mobilitetit.

“Ky memorial do të jetë donacion i Qeverisë për arbëreshët në Itali, ndërsa bursat synojnë të zvogëlojnë pabarazitë dhe të krijojnë mundësi për studentët nga zonat më të largëta”, thuhet në komunikatë.

Në përmbyllje, Qeveria uroi mirëseardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje dhe siguroi se institucionet, duke nisur nga policët kufitarë, do të jenë të gatshëm për mikpritje dhe shërbim për qytetarët. /Telegrafi/

❌
❌