Kryeministri Edi Rama ka vendosur një objektiv të qartë për kryetarët e bashkive, realizimi i 1 mijë investimeve në të gjithë vendin përmes Paketës së Maleve, ndryshe nuk do të kenë mundësi të ri-kandidojnë.
Deklarata erdhi gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët, një ditë pas takimit me Grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku Rama paralajmëroi edhe ndryshime kushtetuese brenda këtij mandati.
“Nuk mundet dot të rrini e të prisni vetëm nga buxheti i shtetit, duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë”, tha Rama, duke theksuar se faza e parë e Paketës së Maleve nuk ka përfunduar ende në disa bashki, pavarësisht interesit të lartë nga shqiptarët jashtë vendit, shkruan A2 CNN.
Ai shtoi “ambicia është 1 mijë investime nga kjo paketë. Nuk do të ketë asnjë rikandidim nëse nuk do jetë arritur targeti i këtij projekti”.
Rama theksoi se edhe investimet më modeste, prej 50 mijë eurosh, kanë ndikim të madh në ekonominë vendore dhe duhet të trajtohen me seriozitet maksimal.
Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të jetë në dispozicion të bashkive për hartat dhe nga ministri Demo të vendosë targetin për secilën bashki. Ai njoftoi edhe krijimin e një agjencie të re për të rritur cilësinë e planifikimit dhe projektimit, si dhe për të siguruar një kanal më të shpejtë ndërveprimi midis qeverisë dhe bashkive.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për debatin e krijuar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në lidhje me origjinën e grekëve.
Në një intervistë për një televizion grek mëngjesin e së shtunës, Mitsotakis u pyet edhe lidhur me batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me gazetarin amerikano-grek John Defterios, raporton euronews.al.
“E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t’i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi”, tha Mitsotakis.
Kryeministri Edi Rama shkaktoi reagime të shumta pas deklaratave të tij në konferencën e dy ditëve më parë në Abu Dhabi ku shkëmbeu batuta me moderatorin amerikano-grek, John Defterios dhe la të kuptohet se grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit dhe Platonit.
Shumë media greke raportuan lidhur me këtë deklaratë të Ramës.
Ndër mediat që shkruan lidhur me deklaratën e kryeministrit është edhe “Skai.gr” e cila e cilësuan Ramën provokues.
“Rama provokues: Grekët nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit”, është titulluar artikulli i shkruar nga Skai.
Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se të hënën nis gjysmëvjetori i dytë në këtë komunë.
Në njoftim thuhet se pas stabilizimit të gjendjes së krijuar nga vërshimet, si dhe sanimit të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për fillimin normal të procesit mësimor.
“Siç ju kemi njoftuar më herët, të hënën, më 19 janar, pritet të fillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e Komunës së Fushë Kosovës.
Pas stabilizimit të gjendjes së krijuar nga vërshimet, si dhe sanimit të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për fillimin normal të procesit mësimor.
Drejtoria për Arsim ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në 558 vjetorin e vdekjes së heroit Gjergj Kastriot Skënderbej, më 17 janarin e vitit 1468 tha se Skënderbeu ishte shpata e lirisë, strategu i betejave dhe ndërtuesi i aleancave.
Ajo në një postim në Facebook shkruan se nga Kruja në zemrën e Evropës, emri i tij u bë simbol i qëndresës, i nderit dhe i identitetit tonë të përjetshëm.
“Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ishte shpata e lirisë, strategu i betejave dhe ndërtuesi i aleancave. Ai nuk e mbrojti vetëm tokën shqiptare, por dinjitetin, besimin dhe lirinë e kontinentit evropian. Nga Kruja në zemrën e Evropës, emri i tij u bë simbol i qëndresës, i nderit dhe i identitetit tonë të përjetshëm.
Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se reduktimet e energjisë elektrike, të cilat së fundmi kanë prekur edhe Prishtinën, janë dëshmi e qartë e një krize serioze dhe e një kolapsi energjetik në vend, të shoqëruar me mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se Prishtina zakonisht konsiderohet zonë e privilegjuar për shkak të pranisë së institucioneve shtetërore, QKUK-së dhe funksioneve kyçe publike.
“Kur ka pasur reduktime edhe në Prishtinë, që është zonë e privilegjuar sepse i ka institucionet publike, QKUK-në dhe funksionet kyçe të vendit, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me qytetet tjera”, deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.
Ajo shtoi se nga reagimet që ka marrë nga qytetarët, situata në komunat tjera është edhe më e rëndë.
“Po flas edhe nga komentet që i marr prej njerëzve, prej Ferizajt e deri te zonat më rurale, ku gjendja është edhe më keq”, u shpreh ajo.
Sipas Ymerit, fakti që reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin tregon se problemi është thelbësor dhe jo i rastësishëm.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së theksoi se kjo gjendje është paralajmëruar prej kohësh dhe tani po manifestohet hapur.
“Kjo e tregon atë që po e themi prej një kohe të gjatë – është kolaps energjetik, vetëm se tash vetëdija është manifestu edhe në kushte dimri”, deklaroi Ymeri.
Ajo theksoi se përgjegjësia nuk duhet t’u bartet punëtorëve teknikë, të cilët sipas saj janë nën presion të madh.
“Nuk duhet me ua lënë fajin zyrtarëve teknikë. Me të ra dy blloqe prej pesë është shumë, por kjo vjen si pasojë e vendimeve dhe mosveprimeve të instancave qeveritare”, tha ajo.
Në këtë kontekst, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.
“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.
Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike.
“Kur importohet gjysma e konsumit dhe kjo pranohet si normale, atëherë problemi është shumë më i thellë”, përfundoi Ymeri. /Telegrafi/
Këtë të shtunë, 8 të arrestuarit, 6 efektivë të Policisë së Burgjeve, shefi i komanduar i policisë së burgut, si dhe kryeinfemieri i IEVP Durrës, të arrestuar një ditë pas arratisjes së të dënuarit Altin Ndocit, janë paraqitur para Gjykatës së Durrësit për vleftësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë konkrete të secilit prej të dyshuarve dhe rrethanat që çuan në arratisjen e Ndocit, raporton euronews.al
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në orët në vijim.
Ndërkaq një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë në vendin e punës.
Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Kaçanik, të premten e 16 janarit në ora 20:30, ndërkaq pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm.
“Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ryshfetit.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Vërmicë, të premten në ora 16:15.
“SPK Vërmicë 16.01.2026 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari për shkak se zyrtarit policor në pikë kufitar i kishte ofruar 5 euro ryshfet”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi sot se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit.
Cakolli në një postim në Facebook thekson se sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota, ndërkaq sipas partive më shumti ndryshime ka lista e PDK-së, LVV-së, LDK dhe pastaj e AAK-së.
Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. Sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota.
Sipas partive, më së shumti ndryshime ka lista e PDK-së me ~7,719 vota dallim; pasuar nga LVV me ~2,947 vota dallim; LDK – me ~1,676 vota dallim; si dhe AAK me ~639 vota dallim.
Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth ~9,500 vota janë hequr dhe rreth ~3,500 janë shtuar për kandidatët. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë pësuar rritje dhe rreth 200 të tjerë rënie të votave. LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje. PDK ka 79 me rritje dhe 27 me ulje. LDK ka 59 me rritje dhe 46 me ulje. Ndërsa, AAK ka 60 me ulje dhe 37 me rritje.
Dhjetë kandidatët që pas rinumërimit në QNR, kanë rëniet më të mëdha në vota, janë:
1. Fetah Paçarizi (PDK) −1,336 vota
2. Nait Hasani (PDK) −669 vota
3. Arianit Çollaku (PDK) −506 vota
4. Xhavit Haliti (PDK) −477 vota
5. Luljeta Veselaj Gutaj (PDK) −451 vota
6. Kujtim Gashi (PDK) −440 vota
7. Enver Hoxhaj (PDK) −430 vota
8. Fadil Demaku (PDK) −306 vota
9. Ejup Maqedonci (LVV) −250 vota
10. Vendenis Lahu (LVV) −238 vota
Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë.
Nëse ky trend do të vazhdojë proporcionalisht, volumi i dallimeve në nivel vendi bëhet edhe më domethënës, duke ndikuar potencialisht edhe renditjet e shumë prej kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur – sa më parë që të jetë e mundur, para se të ndikohen afatet tjera kushtetuese. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të mitur pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë bashkëmoshatarin.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu” në Lipjan, të premten e 16 janarit, në ora 18:35.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull kosovar i mitur”, thuhet në raport.
I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se të shtunën në Shqipëri kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme.
SHMU njofton se moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në relievet malore në lindje mot me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell.
Tutje bëhet e ditur se do të ketë mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.
Era do të fryjë me drejtim verilindje– lindje, me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 14 m/s.
Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që mbi pesë vjet, Partia Demokratike e Kosovës thekson edhe një herë nevojën që ky proces, i shoqëruar me problematika serioze, të përmbyllet me drejtësi.
PDK thekson se ky proces është karakterizuar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
“Këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit tonë, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim”, thuhet në njoftim.
PDK thekson tutje se në këtë fazë përmbyllëse është thelbësore që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia e paanshme, te faktet dhe te provat, duke u larguar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që e ka shoqëruar këtë proces gjatë këtyre pesë viteve.
“Dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese. Këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike dhe kanë rrëzuar bazën e akuzave të prokurorisë.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke besuar se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit tonë”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së. /Telegrafi/
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një udhëzues përmes së cilës njoftohen shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.
Një njoftimin e MPB-së bëhet e ditur se Ligji për të Huajt, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës fillon së zbatuari nga 15 marsi 2026.
Lexoni të plotë njoftimin e MPB-së:
Të dashur vizitorë, mirësevini në Republikën e Kosovës! Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të obliguar të ju njoftojmë me të drejtat dhe obligimet për qytetarët e huaj e mysafirë në Republikën e Kosovës, për të bërë edhe qëndrimin tuaj në shtetin tonë më të lehtë e në përputhje me rregullat e ligjet e vendit tonë.
Ju lutem vini re që:
Me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:
të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;
të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;
të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;
të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;
të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;
të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;
të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;
të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
Me rast të qëndrimit afatshkurtër:
I huaji mund të qëndrojë deri në nëntëdhjetë (90) ditë brenda periudhës kohore prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,
Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;
Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:
kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;
kërkohet leje pune;
Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;
puna pa leje është e ndaluar.
Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.
Qëndrimi për qëllime të tjera:
Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:
pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe
plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.
Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.
Pasoja në rast shkeljeje
Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:
anulimin e lejeqëndrimit,
shqiptimin e gjobës,
urdhërimin e largimit dhe
ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Për më shumë informacion mund t’i referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
MPB njofton se zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026.
“Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit të PS e vuri theksin tek siguria ushqimore duke thënë se pavarësisht punës së bërë, ende nuk janë arritur standardet e BE.
Rama u shpreh se do të kërkojë një fazë të ndërmjetme, 5 vite pas anëtarësimit në BE, për të plotësuar kriteret për këtë sektor, ndërsa theksoi se nuk do të falet asnjë shkelje në këtë aspekt.
“Po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh. Por vitet kalojnë shpejt dhe përgatitje duhet të fillojnë. Po të kemi parasysh kur ne kemi marrë detyrën rrugët e Shqipërisë, ishin tregje ushqimore dhe thertore. Duke u kthyer pas në vitin 2013, të gjithë të kalonin filmin e kujtesës, gjënë e gjallë që therej në rrugë. Apo të gjitha autostradat e Shqipërisë që veçse ishin lënë rrugëve ishin të kufizuara nga tezga dhe tregje informale ushqimore.
Që nga ajo kohë ka përparim por në raporte me kriteret e sigurisë ushqimore të BE jemi shumë larg. Por në momentin e anëtarësimit dhe kur përfundon periudha e ndërmjetme asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet veçse në Shqipëri. Pra edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë dhe në skenarit më pesimist do të thotë që gjithçka që hahet të importohet. Pra duhet punë dhe vendosmëri, nga ana jonë si vendimmarrës, për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Të gjithë do vendosen në pozita të forta përgjegjësie. Pra në rastin më të mirë janë 10 vite përpara”, tha ai, raporton euronews.al.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Ndryshime të votave ka në të gjitha partitë, në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, etj.
Te disa kandidatë vërehet rënie e numrit të votave, e te disa rritje.
Në linkun e KQZ-së, nga të dhënat e orës 10:50, del se lideri i LVV-së ka rënie për 86 vota, Glauk Konjufca ka rënie për 56 vota, Donika Gërvalla minus 6 vota, Avni Dehari – 29 vota, Albulena Haxhiu -18 vota.
Rritje të votave ka Hekuran Murati për 4 vota, Mimoza Kusari plus 7 vota, Shqipe Selimi plus 36 vota.
Në PDK rënie ka Bedri Hamza për 21 vota, Uran Ismaili – 20, Vlora Çitaku ka rënie për 11 vota, Enver Hoxhaj – 14.
Rritje të votave ka Ganimete Musliu për 10 vota, Përparim Gruda për 31 vota, Elmi Reçica për 27 vota.
Ndërkaq, te Lidhja Demokratike e Kosovës rënie të votave ka Lumir Abdixhiku për 20 vota, Kujtim Shala për 7 vota, Hykmete Bajrami minus 8 vota, Anton Quni – 16 vota.
Rritje të votave në LDK ka Jehona Lushaku për 1 votë, Adelina Thaçi Meta +3 vota, Visar Azemi +3 vota, etj.
Ndryshimin e votave pas rinumërimit mund ta përcillni në këtë LINK. /Telegrafi/
Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e një personi që dyshohet për grabitje.
Policia thekson se për çdo informatë që mund të identifikojë të dyshuarin qytetarët mund t’i shkruajnë Policisë.
“Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale ‘Grabitje’. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/