Dy persona të dyshuar, njëri prej tyre i mitur, janë arrestuar pasi dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike ku kanë sulmuar dy viktima meshkuj kosovarë.
Ngjarja ka ndodhur më 10 janar 2026, rreth orës 17:17, në rrugën “17 Shkurti” në Fushë Kosovë.
Si pasojë e sulmit, viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, pas inicimit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet përkatëse. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka paralajmëruar se ata që e shfrytëzojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për përfitime personale, duke përgatitur skenarë kundër partisë, do të përballen me pasoja si personalisht ashtu edhe familjarisht.
Ai e përshkroi këtë si një “rregull të pashkruar dhe të sigurt”, duke shtuar se, sipas tij, ata që tradhtojnë partinë herët apo vonë do të paguajnë për veprimet e tyre.
“Ata që e shfrytëzojnë LDK-në për përfitime personale, që ndreqin kurthe, që e tradhtojnë dhe që përgatisin skenarë kundër saj, nga fuqia e të madhit Zot, herët a vonë, do ta paguajnë, personalisht, kolektivisht apo edhe familjarisht. Ky është një rregull i pashkruar, po aq i sigurt sa fakti që një plus një bëjnë dy", ka shkruar Xheladini. /Telegrafi/
Dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se kanë sulmuar një person brenda lokalit të tij në Prizren.
Ngjarja ka ndodhur më 10 janar 2026, rreth orës 02:10, në rrugën “Fehmi Lladrovci”.
Sipas raportimit, të dyshuarit kanë hyrë në lokalin e viktimës, mashkull kosovar, ku kanë kryer sulmin. Dëshmitarët kanë deklaruar se gjatë incidentit të dyshuarit kanë pasur me vete armë zjarri.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar te të dyshuarit dy pistoleta lodra të plastikës dhe dy thika. Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një i dyshuar tjetër, mashkull kosovar, ndodhet në arrati.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Sulm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /Telegrafi/
Një grua kosovare ka raportuar në polici se ka qenë viktimë e mashtrimit përmes një SMS telefonik, si pasojë e të cilit i janë marrë para nga kartela e saj bankare dhe nga kartela e firmës.
Ngjarja ka ndodhur më 10 janar 2026, rreth orës 20:01, në Prishtinë.
Sipas ankueses, ajo ka pranuar një mesazh në telefonin e saj në të cilin i kërkohej të përditësonte të dhënat bankare, përndryshe i ishte thënë se nuk do të mund t’i përdorte llogaritë e saj bankare.
Ankuesja ka klikuar në linkun e dërguar në mesazh dhe ka përditësuar të dhënat e kërkuara.
Pas disa minutash, ajo është njoftuar se nga kartela e saj bankare janë tërhequr para, ndërsa nga kartela e firmës së saj janë marrë mijëra euro.
Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti për “Lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim të kartelave të bankës apo të kreditit”, ndërsa rasti mbetet në hetime.
Ndryshe, Policia e Kosovës ditë më parë ka bërë thirrje për vigjilencë ndaj qytetarëve pas përhapjes së një fushate mashtruese (phishing) përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si dërguar nga Posta e Kosovës dhe institucione tjera.
Sipas njoftimit, këto mesazhe përmbajnë lidhje mashtruese që synojnë marrjen e të dhënave personale dhe të kartelave bankare, me qëllim keqpërdorimin financiar. /Telegrafi/
Vendi ynë ka hyrë në ditën e pestë të përmbytjeve, ku situata vijon të jetë e vështirë për shkak të reshjeve të vazhdueshme.
Qarku i Durrësit ka qenë një ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.
Sipas njoftimit të autoriteteve në Bashkinë Durrës janë evakuuar 848 banorë dhe vazhdon puna për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga uji nëpër banesa. Sakaq, në Sukth 2800 ha tokë ndodhen ende nën “pushtetin e ujit”.
Gjatë natës dhe në vazhdim ne qarkun Fier ka patur reshje shiu me intensitet të ulët.
Qarku i Lezhës ka qenë një ndër më të prekurit në reshjet intensive të shiut të kësaj jave.
Pas 5 ditësh në “pushtetin” e ujit zona më problematike në qark vazhdon të jetë ajo e Kurbinit, ku konkretisht fshati Adriatik vijon të ketë probleme edhe pse një pjesë e urës së dëmtuar, e cila sillte prurje të mëdha uji në anën veriore të fshatit është riparuar përkohësisht.
Në Qarkun e Gjirokastrës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet. Aksi nacional Gjirokastër- Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë vazhdon të jetë i kalueshëm me një sens dhe lëvizja e automjeteve menaxhohet nga efektivët e policisë.
Në Vlorë, vijojnë prurjet e lumit Vjosë. Gjatë ditës së sotme, niveli i Vjosës ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit dhe lumi është rikthyer në shtratin e tij, duke mos përbërë më rrezik për zonën.
Megjithatë, pasojat e përmbytjeve janë ende evidente në disa banesa. Në njësinë administrative Novoselë janë prekur rreth 13 banesa, ndërsa në fshatin Bishan janë raportuar rreth 15 banesa te cilat kane pasur prezencë uji ne oborre dhe disa ka hyre uji brenda.
Në Qarkun e Korçës vijojnë problematikat e lidhura kryesisht me furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore si pasojë e kushteve atmosferike./tch/
Si pasojë e temperaturave të ulëta dhe kushteve të motit, ngricat dhe bora janë prezente në shumicën e akseve rrugore në vend.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në të gjitha magjistralet që shpijnë drejt pikave të kalimit kufitar është evidentuar borë dhe akull, ndërsa mjegull dhe rrëshqitje dheu nuk janë raportuar.
Pavarësisht kushteve të vështira, të gjitha pikat kufitare mbesin të kalueshme.
Megjithatë, në disa segmente qarkullimi zhvillohet me vështirësi, ndërsa në aksin Pejë-Kullë qarkullimi lejohet vetëm për automjete të vogla.
Situata më e ndjeshme paraqitet edhe në magjistralen Prishtinë–Mutivodë, ku rruga është e kalueshme, por me vështirësi për shkak të ngricave.
Ndërkohë, parashikimi i motit për të dielën tregon se temperaturat do të mbesin në vlera negative.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet -6 dhe -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës nga 0 deri në 5 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 12 metra për sekondë.
Autoritetet u rekomandojnë ngasësve të mjeteve motorike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe të përdorin pajisje dimërore, veçanërisht në zonat malore dhe gjatë orëve të mëngjesit dhe të natës. /Telegrafi/
Të dielën pritet që të dy vlerat ekstreme të temperaturave të mbesin në vlera negative, duke sjellë kushte të vështira moti në disa zona.
Autoritetet u bëjnë thirrje ngasësve të mjeteve motorike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, pasi ngricat do të jenë evidente gjatë gjithë ditës.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -6 dhe -1 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë nga 0 deri në 5 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 12 metra për sekondë.
Kushtet e motit mund të ndikojnë në sigurinë në trafik, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit dhe gjatë natës. /Telegrafi/
Policia e Kosovës njofton se reshjet e shiut kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim në disa zona të vendit, duke përfshirë: dëmtime të rrugëve, rrëshqitje të dheut dhe dëmtime në ura të caktuara.
Policia po monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe ka rritur praninë policore në terren për të siguruar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.
“U bëjmë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përshtatin vozitjen me kushtet aktuale të rrugës dhe dukshmërinë e reduktuar,” njofton Policia e Kosovës.
Autoritetet theksojnë se siguria fillon nga ju, dhe kur kushtet në rrugë ndryshojnë, kujdesi duhet të rritet për të shmangur aksidentet e mundshme. /Telegrafi/
Procesi i numërimit të votave të ardhura me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 po shkon drejt përmbylljes, ndërsa kanë mbetur edhe 25 kuti për t’u numëruar.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar 120 nga gjithsej 145 kuti, që përbëjnë 82.76 për qind të votave me postë.
Rezultatet aktuale tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje, kryeson me 73.18 për qind të votave, apo 25,828 vota.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.02 për qind ose 3,536 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 8.77 për qind apo 3,096 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 3.91 për qind të votave.
Nga KQZ është bërë e ditur se numërimi po vazhdon sipas planit dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të plotë të procesit dhe verifikimeve përkatëse. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e përmbytura nga reshjet e shiut.
“Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve”, u shpreh Berisha, raporton A2 CNN.
Berisha thotë se edhe qeveria ka përgjegjësi për situatën ku ndodhet vendi, duke e akuzuar për keqmenaxhim. Para gazetarëve, lideri opozitar deklaroi se investimet për hidrovore janë bërë pa studim, ndaj dhe Durrësi prej më shumë se 24 orësh ndodhet nën ujë.
“Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim. Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, lideri demokrat iu rikthye akuzave ndaj Ramës për dosjen e AKSHI-t. Berisha e quan kryeministrin si kryemafioz dhe e akuzon se në bashkëpunim me Ergys Agasin ka vjedhur të dhënat e shqiptarëve për t’ua servirur vendeve jo mike të Shqipërisë.
“Është kryemafiozi që ka vjedhur të dhënat personale të shqiptarëve. Që ka vënë në përgjim telefona, kompjutera, të të gjithë ambasadave në Shqipëri dhe përfaqësuesve të huaj. Që ka eksportuar tek armiqtë e NATO-s, të dhënat e NATO-s që i janë besuar Shqipërisë. Që ka eksportuar të dhënat më sekrete tek kartelet e drogës dhe organizatat kriminale”, theksoi kreu demokrat, raporton A2 CNN.
Situata në të cilën ndodhet vendi kërkon reagim, tha Berisha, ndaj sërish ftoi të gjitha forcat opozitare që të bashkohen në tryezën e organizuar prej ditës së premte, ku do të vendoset edhe data e protestës së radhës kombëtare.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu në rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Vargë të Zubin Potokut.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Arbnora Luta. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka deklaruar Luta.
Ndryshe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave: J.V., D.V., dhe I.D., për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me “Kryerjen e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”., njofton zyra për informim e kësaj prokurorie.
Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se situata me vërshime në territorin e Kosovës paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shumta.
Një nga zonat më të prekura është Anadrinisa në Komunën e Prizrenit, ku uji i Drinit të Bardhë ka dalë mbi rrjedhën normale dhe ka përmbytur dy anët e rrjedhës.
Sipas policisë, rruga Gjonaj-Krajk është e bllokuar pasi uji ka arritur mbi 1.5 metra në rrugë, duke pamundësuar qarkullimin.
“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja mbetet stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm,” njofton AME.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me strukturat komunale dhe Qendrën Operative të Agjencisë, janë angazhuar për pompim të ujit dhe largim të përmbytjeve, sigurimin e objekteve të rrezikuara dhe monitorimin e pikave kritike.
Numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve. AME thekson se nuk raportohet për humbje jete, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara dhe po vlerësohen nga autoritetet lokale.
“Ekziston mundësi për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, por rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm,” thonë nga AME.
AME ka apeluar te qytetarët që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në 112.
AME konfirmon se situata mbetet nën monitorim aktiv dhe është e përkushtuar të informojë publikun 24/7 për çdo zhvillim të ri. /Telegrafi/
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vështirësi të mëdha për disa familje në komunën e Rahovecit, duke i lënë disa prej tyre të ngujuara në shtëpitë e tyre.
Sot, bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), u realizua evakuimi i dy familjeve në fshatin Xërxë, duke siguruar daljen e tyre të sigurt nga zonat e rrezikuara.
“Siguria e qytetarëve është prioritet. Evakuimi u krye me sukses, dhe familjet tashmë janë në vend të sigurt,” thuhet në njoftimin e komunës.
Për gjendjen shëndetësore të qytetarëve të evakuuar u kujdes stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec, i cili ofroi ndihmën e parë mjekësore dhe i dërgoi ata për trajtim të mëtejshëm, nëse ishte e nevojshme.
Komuna e Rahovecit apelon tek qytetarët që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin zonat e rrezikuara për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe përmbytjeve të mundshme. /Telegrafi/
Bizneset dhe individët e industrisë së turizmit tashmë mund të regjistrohen për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit – Kosova 2026, ngjarja më e madhe e turizmit në vend.
Ky panair ofron një mundësi unike për të promovuar produktet dhe shërbimet turistike para partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për të krijuar rrjete bashkëpunimi dhe mundësi të reja biznesi.
“Ky panair synon të fuqizojë sektorin e turizmit në Kosovë dhe të lidhë aktorët vendorë me partnerët ndërkombëtarë, duke promovuar potencialin turistik të vendit tonë,” thonë organizatorët.
Ngjarja pritet të tërheqë kompani turistike, agjenci udhëtimesh, operatorë hotelesh dhe profesionistë të industrisë nga vendi dhe jashtë, duke bërë të mundur prezantimin e ofertave turistike në një platformë ndërkombëtare të promovimit. /Telegrafi/
Situata në disa komuna të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve, duke shkaktuar dëme serioze në ekonomi, infrastruktura publike dhe bujqësi.
Komunat kanë njoftuar se situata është alarmante në lumin Mirusha në Malishevë, ku diga është në gjendje të rrezikshme dhe kërcënon jetën dhe pronat e qytetarëve.
Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka theksuar se komunat nuk kanë kapacitetet financiare për të përballuar dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ka kërkuar krijimin urgjent të një Fondi Emergjent për Komuna.
“Gjatë ditës së sotme isha në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet. Nga informacionet e pranuara dhe vlerësimet në terren, dëmet janë serioze, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe në mënyrë shumë më shqetësuese për infrastrukturën publike. Si AKK kemi kërkuar dhe kërkojmë themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se komunat janë institucionet e para në terren që reagojnë gjatë fatkeqësive natyrore.
“Pa fond emergjent, reagimi vonohet, rrezikohen jetët e qytetarëve, rriten dëmet materiale,” tha Ibrahimi, duke nënvizuar nevojën për një mekanizëm të përhershëm që mundëson reagim të shpejtë dhe profesional në raste emergjencash.
Ibrahimi ka rikujtuar se komunat nuk kanë buxhet për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë tjera, duke shtuar se për këtë arsye niveli qendror duhet të lejojë rishikimin e buxheteve komunale dhe të sigurojë fonde të menjëhershme.
“Është e rëndësishme të theksohet se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente. Megjithatë, ekonomitë familjare dhe bizneset nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë në vitet e kaluara. Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë (7) ura, dhe deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e tyre. Kjo gjendje është e papranueshme dhe tregon qartë dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit”, tha ai.
Ibrahimi shtoi se nëse kuvendet komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve komunale, miratojnë vendime për dëmet dhe kompensimin, atëherë niveli qendror duhet t’i ekzekutojë këto vendime.
“Në rast se niveli qendror nuk u beson këtyre vlerësimeve, atëherë le të formojë komisione vlerësuese nga niveli qendror, por vlerësimet e tyre duhet të ekzekutohen, e jo të mbesin peng i procedurave burokratike që zgjasin me vite. Nuk mund të vazhdojmë të kemi situata ku dëmet mbesin të pakompensuara për vite të tëra, ndërsa qytetarët dhe komunat mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore. Kjo gjendje duhet dhe duhet të ndryshojë”, u shpreh Ibrahimi. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se situata pas vërshimeve në këtë komunë po shkon drejt stabilizimit, pas ndaljes së reshjeve të shiut.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Lladrovci ka falënderuar për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës gjatë menaxhimit të situatës.
“Ju falënderoj për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës në situatën e vërshimeve”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht vetëm një rrugë mbetet e bllokuar, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme, megjithëse kërkohet kujdes i shtuar.
“Aktualisht, janë ndalur reshjet dhe rruga e vetme e bllokuar është rruga Drenas–Guri i Plakës. Rrugët tjera, të cilat kanë qenë të bllokuara, janë të kalueshme, por kërkohet kujdes”, ka theksuar ai.
Sipas Lladrovcit, ekipet komunale janë të angazhuara me prioritet në disa zona problematike, ku po shënohen përmirësime të dukshme.
“Angazhimet me prioritet për ujin te Lokalet e reja, afër Stacionit të Autobusëve, po japin rezultat dhe së shpejti situata do të përmirësohet”, ka deklaruar kryetari i Drenasit.
Në fund, Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet e institucioneve dhe të tregojnë solidaritet në tejkalimin e situatës.
“Respektoni vendimet e organeve kompetente, jepni ndihmë ku mundeni për tejkalim të situatës dhe shtoni kujdesin”, ka apeluar ai./Telegrafi/
Rezultati në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lidershipi i saj të jenë në qendër të kritikave.
Së fundmi pakënaqësitë kanë filluar të shpërfaqen në publik edhe nga anëtarë e ish-anëtarë të këtij subjekti.
Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca ka reaguar publikisht duke kërkuar ndryshim dhe unifikim urgjent brenda LDK-së.
Sipas tij, zhvillimet e brendshme po e pengojnë reformimin e partisë.
“LDK-ja ka nevojë urgjente të ndryshojë dhe të unifikohet”, ka deklaruar Grainca, duke akuzuar një grup brenda partisë se po e bllokon këtë proces.
“Gupi i mashtruesve, sorosistëve dhe humbësve të tri palë zgjedhjeve, si dhe shërbëtorët e partive të tjera brenda LDK-së, po e pengojnë ndryshimin”, është shprehur ish-deputeti.
Grainca ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të dorëzohet përballë asaj që ai e quan krim dhe ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm politik brenda partisë.
“LDK-ja nuk mund të dorëzohet para krimit”, ka përfunduar ai.
Ky reagim vjen ndërsa brenda LDK-së kanë shpërthyer debate të forta pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku partia u rendit e treta me një rënie të dukshme të votave.
Ishte kandidatja për deputete, Shqipe Pantina, e cila kritikoi drejtpërdrejt udhëheqjen e LDK-së duke thënë se “u fokusua shumë në opozitë ndaj Qeverisë Kurti dhe la pas dore ofrimin e një alternative konkrete për qytetarët”.
Pantina gjithashtu vuri në pikëpyetje reformën e nisur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, duke deklaruar se “reforma është lënë në gjysmë” dhe se vendimet e fundit për pozicionimin e individëve pa përvojë politike “kanë krijuar rezistencë brenda partisë”.
Komentet e Pantinës shkaktuan reagime brenda radhëve të LDK-së, ku kandidati për deputet Sokol Havolli e sulmoi atë nëpërmjet një postimi, duke sugjeruar se ajo po i bënte “goditje pas shpine” partisë dhe se kritikat e saj reflektojnë dështime politike personale. /Telegrafi/
Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë reaguar lidhur me situatën e krijuar në shumë shkolla të vendit pas reshjeve të shumta të shiut dhe përmbytjeve të ditëve të fundit, duke e cilësuar gjendjen si rrezik serioz për sigurinë e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit.
Sipas SBASHK-ut, kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore në Kosovë mbetet e pambrojtur, ndërsa reagimi institucional shpesh ndodh vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
"SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MAShTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër", thuhet në njoftim.
Megjithatë, sindikata vlerëson se shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete në terren.
Për këtë arsye, SBASHK ka kërkuar urgjentisht inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat, vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore, sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku potencial për nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe transparencë e përgjegjësi institucionale.
Në veçanti, SBASHK ka kërkuar inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, përfshirë Drenasin, Malishevën, Suharekën, Fushë Kosovën, Klinën, Gjakovën, Dragashin dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze në objektet shkollore.
Në reagimin e saj, sindikata ka lëshuar edhe paralajmërim sindikal, duke theksuar se nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.
Në rast se institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime sindikale në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarëve të saj.
"SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.Siguria nuk negociohet", thuhet në reagim. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e fundit nga numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i është rikthyer sërish një mandat në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve të përditësuara, me 98.70 për qind të vendvotimeve të numëruara (2,799 nga 2,836), LDK ka arritur në 13.28 për qind të votave, që përkthehen në 15 mandate deputetësh.
Në bazë të të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me 50.81 për qind të votave dhe 57 mandate, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.35 për qind dhe 22 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.52 për qind dhe 6 mandate, ndërsa Lista Serbe ka 4.55 për qind të votave dhe 9 mandate.
Deputeti që hyn në parlament nga rezultatet e tanishme është Fadil Haderxhonaj i LDK’së. Ndërsa deputeti nga PDK që e humb ulësen në kuvend është Bekim Haxhiu.
Ndryshe, është duke vazhduar numërimi i votave me postë, ku deri tani janë numëruar 73,79%. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.
“Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.
“Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.
Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.
“Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.
Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.
Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/