Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 December 2025Main stream

Një vit i ri që nuk sjell asgjë të re

29 December 2025 at 14:36

Nga Gazeta “SI”- Tirana e fundvitit, në fakt, nuk ngjan si e tillë. Edhe pse e ndriçuar nga dritat shumëngjyrëshe, (pa asnjë kriter estetik) atmosfera e festave nuk ndihet plotësisht. Sheshi Skënderbej, i mbushur me kioska kafenesh, ndriçime dekorative dhe pemën simbolike në qendër të tij, mbetet një fotokopje e viteve të fundit, por me një ndryshim thelbësor: njerëzit janë më të rrallë dhe shpesh ngjajnë të sforcuar. Sikur dikush i ka detyruar të dalin për të festuar, ose sikur ndihen borxhlinj ndaj një kohe që kërkon patjetër gëzim.

Zakonisht, këto ditë të fundit janë ditë bilancesh. Çfarë arrite brenda një viti? A u ngrite në detyrë? A krijove miq të rinj? A humbe ndonjë nga ata të vjetrit, të cilët, përtej dashurisë dhe devocionit ndaj miqësisë, përfundon gjithmonë duke i humbur, herët a vonë. Çështje parimesh apo çështje numrash. Sot, të kesh shumë miq është thuajse utopi.

Gjithçka në këtë vend ndryshon përditë, si në një skenë gjigante xhirimesh, ku aktorët e sotëm nuk janë domosdoshmërisht ata të nesërmit dhe kjo ndodh vetëm në marrëdhëniet njerëzore, në mikro pra.  Llogaritë bëhen afatshkurtra, të shpejta, dhe kjo sjell mendjelehtësinë e marrëdhënieve të destinuara të mos zgjasin, edhe kur duhet. Tirana, në këtë pikë, mbetet terreni më i vështirë për krijimin e miqësive të reja, por njëkohësisht vendi perfekt që të detyron të humbasësh ata që kishe, me çdo kusht dhe çdo mënyrë. Gjithsesi, pesimizmi duhet të jetë i dyanshëm; askush nuk mund ta mbajë gjithçka për vete.

Emigrantët këtë vit kanë zgjedhur të mos vijnë. Festat nuk janë më interesante në atdhe. Çdo vit e më shumë janë shqiptarët që u bashkohen të afërmve jashtë, shpesh edhe përgjithmonë. Koncepti i emigrantit ka ndryshuar, po ashtu edhe qasja ndaj vendit. Atdheu, gjithnjë e më pak, përfaqëson sensin e rikthimit në shtëpi. Fundja, shtëpia është aty ku ndihesh i pranuar dhe, gjithnjë e më rrallë, i lumtur.

Shkaktarët? Politika, agresiviteti, polarizimi dhe fytyra e tyre më e shëmtuar, e shfaqur hapur këtë fundvit. Një shtet i zhytur në korrupsion, një opozitë e mefshtë dhe meskine, dhe disa të tjerë që kanë vendosur karriget para Kryeministrisë dhe protestojnë.

Dritat e hedhura si një vel i rëndë mbi fasadat e qytetit shkaktojnë një dhimbje të çuditshme, por çliruese. Është një ndjesi që nuk kërkon shpjegim. Fundviti është koha kur vetmia thellohet dhe merr formën e saj më të admirueshme. Paradoksalisht, kjo vetmi të dhuron paqe — një paqe që nuk e gjen kurrë në shoqërinë e të tjerëve. Ështe momenti kur përputhesh plotësisht me mendimet e tua, pa pasur nevojë t’i zbukurosh apo t’i justifikosh.

Foto: Raimond Kola

Ky fundvit në Tiranë, si të tjerët, mban ende jehonën e kohës së komunizmit, si e vetmja festë vërtet përbashkuese. Përkundër halleve, mungesave dhe bjerrjes së përditshme që rëndojnë mbi njerëzit gjatë gjithë vitit, këto ditë prodhojnë një përpjekje kolektive për gëzim dhe mirënjohje. Një përpjekje e sforcuar, por gjithsesi e sinqertë në mjerimin e saj. Panorama që krijohet është mbresëlënëse në groteskun e vet , një tragjikomedi masive, ku në rol është një qytet i tërë.

Edhe pse asnjë qoshk i qytetit nuk të lejon të ndihesh pjesë e një historie të shkuar, apo dëshmitar i një periudhe jo domosdoshmërisht të lavdishme, por të paktën të vërtetë. Çdo gjurmë është fshirë. Snobizmi dhe lakmia e kanë shndërruar gjithçka në luks dhe nevojë artificiale, duke përjashtuar sistematikisht ata që nuk janë dakord, ata që nuk përshtaten, ata që nuk e pranojnë këtë ritëm të imponuar shndërrimi , njerëz që meritojnë një hapësirë të tyre dhe një jetë dinjitoze. Jo si privilegj, por si domosdoshmëri humane.

Dhe nuk gjen asnjë arsye për të qenë i lumtur në këtë vend. Madje shpesh habitem sesi njerëzit mbushin kafenetë plot; i shikon duke qeshur nga brenda qelqeve, të rehatuar mbi karrige. Pyes veten si është e mundur të jesh kaq i lumtur në një vend që nuk të jep asnjë arsye për ta qenë, madje as në ditë festash, kur njeriu ndalon hapin dhe mendon për veten.

Ndoshta është apatia e shoqërisë, ndoshta lodhja nga një vegjetim i gjatë dhe pa rezultat. I shoh pra këto njerëz dhe më vjen inat ; herë ata, herë vetja ime më dhimben.

Tirana nuk është më vendi i festave. Pavarësisht koncerteve, festave kolektive dhe trumpetave të rrjeteve sociale që pretendojnë gjallëri, unë besoj se nuk jemi më të njëjtët. Të lodhur nga tranzicioni i pafundmë dhe të mpirë nga diskurset publike për miliona të vjedhura, njeriu nis të besojë se jeton në një botë paralele, që nuk i përket, dhe humb aftësinë për të dalluar realitetin nga absurdi.

Si mund ta besosh se janë vjedhur miliona euro në një shtet ku pensionistët paguhen 200 mijë lekë të vjetra në muaj, ku paga minimale është ende 400 mijë lekë dhe qiratë nisin nga 400 euro e lart? Diku ka një rregull të prishur dhe një mendje që nuk arrin të rregullojë algoritmet e jetesës normale.

Dhe pastaj habitemi pse të rinjtë vishen keq, pse prindërit tanë nuk kanë bërë kurrë pushime, pse ne mbijetojmë mes frikërave dhe dramave të përditshme, të cilat tashmë janë kthyer në një akt sakrifice rutinë.

Nuk dua ta nxij realitetin. Madje shpesh jam përpjekur ta shoh me ngjyra dhe t’i shtoj ato edhe aty ku gjithçka ka qenë bardh e zi. E bëjmë për të gjetur forcën që nuk na e jep askush tjetër. Por në këtë qytet, këtë fundvit, nuk ka asnjë arsye për të qenë i lumtur,  as për atë që shkoi, as për atë që do të vijë.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet. Fitoi një parti dhe të tjerat e pranuan rezultatin me përulësi. Jeta do të vazhdojë edhe atje, me sfida e vështirësi, por njerëzit kanë ndjesinë se ditët do të jenë më të mira, se e ardhmja u rezervon diçka më të drejtë, duke pasur parasysh të shkuarën. Një jetë politike që në njëfarë mënyre prodhon shpresë.

Po ne? Tashmë që maska e shtetit ka rënë dhe argumentet e dështimit nuk ekzistojnë më, për çfarë na duhet ta presim dhe të gëzojmë për vitin e ardhshëm? Sa forcë duhet të kemi për ta përballuar?

Që të shohim përsëri njerëzit tanë duke ikur çdo ditë? Që paga minimale të trumbetohet si arritje? Që të kursejmë gjashtë muaj për dy ditë pushime? Dhe në fund, të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur, duke u shfaqur të lumtur në rrjetet sociale , hapësira e vetme ku lumturia është e ngrirë dhe e përjetshme.

Gjithsesi jemi në fundvit. Rrugët janë të ndriçuara, restorantet plot, ka njerëz që festojnë. Nisur nga kjo, ka një mijë arsye për të festuar,  por as edhe një të vetme për të qenë i lumtur. Prej kohësh, ndërrimi i viteve nuk sjell asgjë të re. Thjesht riciklon dramat, betejat dhe sherret politike, duke mbajtur të pandryshuara pensionet fyese dhe pagat denigruese.

Asgjë e re, pra, nën këtë qiell e mbi këtë tokë. Vetëm sa përsërisim veten dhe i shtojmë kalendarit numra, që në realitet nuk sjellin asgjë të re e për rrjedhojë as edhe një shpresë për nesër.

The post Një vit i ri që nuk sjell asgjë të re appeared first on Gazeta Si.

Banksy ‘trondit’ Londrën në fundvit me muralin për fëmijët e pastrehë

29 December 2025 at 10:52

Gazeta “SI”- Dy murale identike janë shfaqur në Londër gjatë ditëve që i paraprinë festave të Krishtlindjes: njëri në një mur të perimetrit të Centre Point, në Tottenham Court Road, dhe tjetrinë zonën qendrore të Bayswater-it. Pretendimi për autorësinë nuk u vonua, pasi artisti anonim i street art-it nga Bristoli, Banksy, publikoi në rrjetet sociale provën e autorësisë së veprave. Ai ndau vetëm imazhin e muralit të dytë, atij në Bayswater, i cili megjithatë është identik me muralin e shfaqur më herët në Tottenham Court Road.

Muralet paraqesin dy fëmijë: njëri i shtrirë përtokë, i veshur me pallto, kapele dhe çizme, ndërsa pranë tij ndodhet një tjetër fëmijë, që duket pak më i madh, i cili me gishtin tregues drejton shikimin nga lart, sikur po vështron ndërtesat mbi kokat e tyre ose qiellin me yje. Mesazhi i veprës interpretohet si një denoncim i margjinalizimit të të pastrehëve dhe i rritjes së numrit të fëmijëve që jetojnë si homeless në periferi të metropoleve.

Fenomeni i të pastrehëve, veçanërisht mes fëmijëve, po shënon rritje të vazhdueshme në Britaninë e Madhe. Siç raporton New York Times, duke iu referuar të dhënave të qeverisë britanike të publikuara në tetor dhe që i përkasin gjysmës së parë të vitit, numri i fëmijëve që jetojnë në strehime të përkohshme është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas këtyre të dhënave, mbi 170.000 fëmijë në Britaninë e Madhe klasifikohen aktualisht si të pastrehë, një shifër rekord.

Një detaj domethënës lidhet me vendndodhjen e muralit të parë, i cili u shfaq poshtë ndërtesës Centre Point. “Centrepoint” është gjithashtu emri i një organizate të njohur bamirëse britanike që lufton kundër fenomenit të të pastrehëve të mitur. Emri i organizatës është frymëzuar pikërisht nga kjo ndërtesë luksoze, e zgjedhur për të vënë në pah kontrastin mes kullës së shtrenjtë, të cilën themeluesi i organizatës e kishte konsideruar një “fyerje për të pastrehët”, dhe të rinjve që ai synonte t’i mbante larg jetës në rrugë.

Banksy nuk është i panjohur për temat sociale, veçanërisht për çështjen e të pastrehëve. Në vitin 2019, artisti kishte denoncuar krizën e mungesës së strehimit me një mural në Birmingham, gjithashtu me tematikë të Krishtlindjes, ku dy drerë dukeshin sikur “tërhiqnin” një të pastrehë që flinte mbi një stol, duke e shndërruar skenën në një kritikë të fortë sociale me gjuhë simbolike.

Burimi: Corriere Della Sera

The post Banksy ‘trondit’ Londrën në fundvit me muralin për fëmijët e pastrehë appeared first on Gazeta Si.

Denzel Washington/ Afro-Amerikani që po shkruan historinë e Holliwood

29 December 2025 at 10:48

Nga Gazeta “SI”– Sot, më 28 dhjetor, Denzel Washington feston ditëlindjen e tij, dhe kjo datë shërben si një moment reflektimi për jetën, veprën dhe ndikimin e një prej figurave më të rëndësishme të kinemasë moderne. Më shumë sesa një aktor i jashtëzakonshëm, Washington është një simbol force morale, integriteti dhe ekselence artistike, një figurë që ka formësuar jo vetëm ekranin e madh, por edhe vetë përfaqësimin kulturor të komunitetit afro-amerikan në Hollywood.

Denzel Hayes Washington Jr. lindi më 28 dhjetor 1954 në Mount Vernon, New York. Babai i tij ishte pastor pentekostal, ndërsa nëna e tij drejtonte një sallon bukurie në Harlem. Fëmijëria e tij u formësua nga disiplina, besimi dhe vlerat familjare, por edhe nga realitetet e vështira të jetës urbane. Washington është shprehur shpesh se dërgimi i tij në një shkollë me konvikt rreth moshës 15-vjeçare ishte një vendim që i ndryshoi rrjedhën e jetës. Shumë nga shokët e tij të rinisë përfunduan në rrugë të gabuara, ndërsa ai gjeti një drejtim tjetër, atë të vetëdisiplinës dhe qëllimit.

Ndikimi i nënës së tij ishte thelbësor në formimin e karakterit të tij. Washington ka folur me emocione për lidhjen e veçantë mes nënës dhe djalit, duke e konsideruar atë si themelin e ndjeshmërisë, respektit dhe forcës së tij të brendshme. Këto vlera do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tij.

Interesant është fakti se Denzel Washington nuk e ndoqi menjëherë aktrimin. Fillimisht, ai studioi për mjekësi dhe më pas mendoi të bëhej avokat. Vetëm pasi përfundoi studimet në Dramë dhe Gazetari në Universitetin Fordham, dhe pas një periudhe kërkimi personal, ai vendosi të provonte seriozisht aktrimin. Ky vendim do të shënonte fillimin e një karriere të jashtëzakonshme.

Washington nisi në teatër, kaloi në televizion dhe më pas në film, duke ndërtuar gradualisht reputacionin e tij si një aktor i thellë dhe i besueshëm. Filmi “Glory” (1989) i solli vëmendjen e parë të madhe dhe çmimin e tij të parë Oscar, por ishte roli i Malcolm X në filmin e Spike Lee-t të vitit 1992 që e shndërroi atë në një ikonë.

Në “Malcolm X”, Washington nuk luajti një figurë historike,  ai u bë Malcolm X. Ai studioi me përpikëri mënyrën e të folurit, gjestet, transformimin emocional dhe kompleksitetin moral të figurës së aktivistit. Interpretimi i tij solli humanitet, karizëm dhe thellësi, duke e paraqitur Malcolm X jo si mit, por si njeri. Ky rol e konsolidoi Washington-in si një aktor të klasit të lartë dhe i solli një nominim për Oscar për Aktorin më të Mirë.

Ajo që e dallon Denzel Washington-in nga shumë bashkëkohës është shumëanshmëria e tij artistike. Ai nuk u kufizua kurrë në role historike apo dramatike. Në “Remember the Titans”, ai portretizoi trajnerin Herman Boone, një figurë frymëzuese që udhëhiqte përmes disiplinës, drejtësisë dhe dashurisë së fortë. Ky rol tregoi një anë tjetër të tij , atë të udhëheqësit empatik dhe motivues.

Në anën tjetër të spektrit, Washington shkëlqeu edhe në role të errëta dhe komplekse. Në “Training Day”, si polici i korruptuar Alonzo Harris, ai sfidoi çdo pritshmëri. Personazhi i tij ishte karizmatik, i frikshëm dhe thellësisht njerëzor njëkohësisht. Ky interpretim i solli atij Oscar-in për Aktorin më të Mirë dhe e vendosi si një nga antagonistët më të paharrueshëm në historinë e filmit. Ai nuk krijoi një “të keq” klasik, por një anti-hero modern, duke sjellë nuanca dhe thellësi që rrallë u jepen personazheve me ngjyrë.

Përgjatë dekadave, Washington ka luajtur role të fuqishme si në drama, ashtu edhe në filma aksioni, përfshirë trilogjinë “The Equalizer”, ku ai ndërthur forcën fizike me drejtësinë morale, dhe së fundmi në “Gladiator II”, duke dëshmuar se karriera e tij mbetet relevante edhe sot.

Megjithatë, trashëgimia e Denzel Washington-it shtrihet përtej ekranit. Ai është i njohur për integritetin e tij personal, përzgjedhjen e kujdesshme të roleve dhe refuzimin e projekteve që cenojnë dinjitetin e përfaqësimit afro-amerikan. Ai është i përfshirë në nisma bamirëse, mbështet arsimin, mentorimin dhe shërben në borde këshillimore shëndetësore. Së fundmi, ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil në SHBA, dhe u shugurua si pastor, një dëshmi e lidhjes së tij të thellë me besimin dhe shërbimin.

Për breza të tërë Washington mbetet një shembull i asaj çfarë do të thotë të jesh artist, udhëheqës dhe njeri me parime.

The post Denzel Washington/ Afro-Amerikani që po shkruan historinë e Holliwood appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Kartolinat…fundi i një tradite?

27 December 2025 at 16:59

Nga Gazeta “SI”-Në një epokë ku komunikimi digjital dhe rrjetet sociale mundësojnë lidhje të menjëhershme gjatë udhëtimeve, edhe në Shqipëri kartolinat e dërguara me postë tradicionale vazhdojnë të ekzistojnë, megjithëse në mënyrë gjithnjë e më të zbehtë. Edhe pse sot konsiderohen nga shumë si një relike e së shkuarës, kartolinat mbeten një formë e veçantë dhe domethënëse komunikimi, që dikur ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në lidhjet emocionale mes shqiptarëve.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, përdorimi i kartolinave ka rënë ndjeshëm në dekadat e fundit, kryesisht për shkak të përhapjes së mesazheve të menjëhershme dhe rrjeteve sociale. Në Shtetet e Bashkuara, dërgesat e postës së klasit të parë, që përfshijnë letra dhe kartolina, kanë rënë me rreth 50% në 15 vitet e fundit, ndërsa shërbimet postare në disa vende europiane, si Danimarka, kanë nisur të reduktojnë ose të ndërpresin dërgesat tradicionale të letrave. Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, kartolinat nuk janë zhdukur plotësisht.

Ekspertët e historisë së turizmit theksojnë se kartolinat u shfaqën në mesin e shekullit të 19-të, paralelisht me zhvillimin e industrisë së udhëtimeve. Ato shërbenin si një mënyrë e lirë dhe e thjeshtë për të ndarë përvojat e udhëtimit, duke promovuar njëkohësisht destinacione të ndryshme turistike. Gjatë fillimit të shekullit të 20-të, kartolinat përjetuan një periudhë kulmore, të njohur si “Epoka e Artë e Kartolinave”, kur miliona prej tyre dërgoheshin çdo vit në mbarë botën.

Kartolina përfaqëson në vetvete një format katërkëndësh (ose formë tjetër) letre të trashë, apo kartoni të hollë i prodhuuar për shkrimin e mesazheve relativisht të shkurtra e të shpejta dhe postimin, zakonisht, pa zarf. Kartolina më e vjetër në botë konsiderohet ajo e dërguar shkrimtarit Theodore Hook (1788-1841) nga Fulham në Londër në vitin 1840 dhe është stampuar me një vulë të zezë me vlerë 1 peni. Në SHBA kartolina e parë komerciale u emetua më 1861 nga John P. Charton nga Filadelfia, i cili ia shiti të drejtat për printim Hymen Lipman-it (1817-1893). Këto ishin kartolina pa figura vizuale. 

Edhe sot, shumë udhëtarë nga breza të ndryshëm vazhdojnë të ruajnë këtë traditë. Për ta, kartolina përfaqëson më shumë sesa një mesazh të shkurtër: ajo është një kujtim i prekshëm, një shenjë vëmendjeje dhe një dëshmi se dikush është menduar edhe nga larg. Ndryshe nga komunikimi digjital, kartolina kërkon kohë, përkushtim dhe një zgjedhje të vetëdijshme për të ndarë një moment personal.

Në rrjetet sociale, interesi për kartolinat ka filluar të ringjallet, veçanërisht mes të rinjve. Hashtagë të ndryshëm dhe iniciativa globale për shkëmbimin e kartolinave dëshmojnë se kjo formë komunikimi vazhdon të ketë vlerë emocionale dhe kulturore. Për shumë njerëz, kartolina mbetet një mënyrë më e sinqertë dhe më intime për të komunikuar, krahasuar me mesazhet e shpejta dhe fotografitë e kuruara në internet.

Kartolinat nëShqipëri

Në Shqipëri, përdorimi i kartolinave për urime apo edhe si një kujtim i vlefshëm nga një udhëtim është zhdukur pothuajse tërësisht. Nga një traditë e gjallë e viteve të komunizmit, e cila la gjurmët e saj edhe në fillimet e viteve ’90, kartolinat dikur përbënin një nga format më të rëndësishme të komunikimit dhe shprehjes së vëmendjes personale.

Kartolina “Përurimi i Urës në Dardhë” (1904) është ndër shembujt më të hershëm të kartolinave fotografike në Shqipëri. Ajo dokumenton inaugurimin e një ure guri, ndërtuar me iniciativë filantropike nga Kristo Themeli Gajo për të lehtësuar kalimin e lumit në hyrje të fshatit. Fotografia, realizuar nga Perikli Kaçauni, tregonte me detaje ura, njerëzit e pranishëm dhe pjesëmarrjen masive të fëmijëve, duke reflektuar jo vetëm një moment festiv, por edhe vitalitetin social dhe urban të Dardhës në fillim të shekullit XX.

Kartolina u printua dhe qarkulloi në Korçë, duke përfaqësuar një ndër format e para të kujtesës vizuale të fshatrave shqiptare. Mbishkrimet në gjuhët greke dhe rumune nënvizojnë rol të dhuruesit dhe origjinën e saj ndërkombëtare. Sot, kjo kartolinë konsiderohet një dokument historik dhe kulturor që pasqyron zhvillimin infrastruktural, shoqëror dhe identitar të Dardhës në periudhën e hershme moderne.

Me përhapjen e telefonave celularë dhe më pas të mesazheve të shkurtra, kartolinat nisën të humbnin gradualisht funksionin e tyre praktik, por edhe simbolikën që mbartnin. Komunikimi i menjëhershëm e bëri të panevojshme pritjen, ndërsa kartolina, që kërkonte kohë, përkushtim dhe durim, u zëvendësua nga forma më të shpejta dhe më efikase të shkëmbimit të urimeve dhe kujtimeve.

Disa librari në Tiranë, si edhe dyqane suveniresh, ofrojnë ende kartolina për shitje, me çmime relativisht të përballueshme. Megjithatë, interesi për to vazhdon të mbetet i ulët. Kjo lidhet, ndër të tjera, me faktin se kartolinat në Shqipëri përkojnë me një periudhë të errët të jetës politike dhe shoqërore të vendit, ndaj sot shpesh perceptohen si objekte që i përkasin së shkuarës dhe jo realitetit modern.

Për shumë qytetarë, kartolinat mbeten të lidhura me kujtime të një kohe kur komunikimi ishte i kufizuar dhe dërgimi i tyre ishte një nga format e pakta të lidhjes me botën e jashtme. Kjo ndoshta ka ndikuar që ato të mos kenë të njëjtën vlerë emocionale për brezat e rinj, të rritur në epokën e teknologjisë dhe komunikimit të menjëhershëm.

Ndërkohë, edhe karakteri i kartolinave ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me ato tradicionale. Dikur, kartolinat përbëheshin kryesisht nga imazhe të aktorëve dhe këngëtarëve të njohur të kohës, si figura të kinemasë turke apo yje hollivudianë që ishin shumë në modë, si Leonardo DiCaprio apo Brad Pitt, të cilët zinin pjesën më të madhe të stampimeve. Këto kartolina shërbenin jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si objekte koleksionimi, veçanërisht për të rinjtë.

Sot, kartolinat moderne kanë marrë një tjetër formë. Ato janë kryesisht artizanale, të punuara me dorë, dhe përmbajnë elementë festivë, simbolikë ose mesazhe domethënëse, të përshtatura sipas rastit. Në vend që të shërbejnë si mjet i përditshëm komunikimi, ato konsiderohen më tepër si objekte estetike ose dhurata simbolike.

Në realitetin shqiptar të sotëm, kartolinat po shihen gjithnjë e më shumë si objekte ekzotike, që më shumë se sa përdoren, zgjojnë ndjesinë e nostalgjisë dhe kureshtjes, sidomos te brezi i ri. Ato përfaqësojnë një formë komunikimi të ngadaltë dhe të qëllimshme, në kontrast me ritmin e shpejtë të jetës moderne, duke mbartur një vlerë kulturore dhe emocionale që, ndonëse e zbehur, nuk është zhdukur plotësisht.

Megjithëse përballet me sfida, si rritja e kostove postare dhe vështirësia për t’i gjetur në disa destinacione, dërgimi i kartolinave shihet ende si një investim në marrëdhënie njerëzore. Në një botë gjithnjë e më digjitale, kartolina vazhdon të simbolizojë ngadalësinë, kujdesin dhe dëshirën për të ruajtur lidhjet përtej distancës.

The post Kartolinat…fundi i një tradite? appeared first on Gazeta Si.

Lasgush Poradeci. Poeti i Gjuhës Shqipe

27 December 2025 at 11:19

Gazeta “SI”-Në 27 dhjetor të vitit 1899, në qytetin e bukur të Pogradecit lindi Llazar Gusho, i njohur më vonë me pseudonimin letrar Lasgush Poradeci. Ai u shndërrua në një nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe, poet, shkrimtar e përkthyes, që la gjurmë të pashlyeshme në poezinë dhe prozën shqiptare. Pseudonimi i tij vjen nga një shkurtim i emrit të tij: “La-S-Gush” nga Llazar Sotir Gusho, ndërsa mbiemri “Poradeci” lidhet me vendlindjen e tij.

Lasgush Poradeci botoi dy përmbledhje poetike që u bënë referencë në poezinë shqiptare: “Vallja e yjeve” (1933) dhe “Ylli i zemrës” (1937). Të dyja u botuan në Bukuresht të Rumanisë, vëllimi i parë me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë dhe vëllimi i dytë falë mbështetjes së Mitrush Kutelit. Përmbledhja e dytë përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë, duke ruajtur melodinë dhe hollësinë e veçantë të vargut poetik shqip.

Përveç poezisë, Lasgushi shkroi tregime dhe shkrime në prozë, të cilat u botuan në të përkohshmet e viteve ’30-’40, si “Përpjekja shqiptare”, e redaktuar nga Branko Merxhani, si dhe në revistat Drita dhe Nëntori. Shkrimet e tij shpesh kishin përballë censurën e kohës, por talenti dhe mjeshtëria e tij letrare i siguruan hapësira të shquara në kulturën shqiptare.

Autori la pas më shumë se 100 poezi, duke përfshirë edhe poezi dashurie. Ai ishte adhurues i fjalëve arkaike dhe shprehjeve filozofike popullore, por gjithashtu eksperimentonte me fjalët e reja dhe mënyrat e reja të të shprehurit. Mitrush Kuteli e përshkroi atë si “poetin e vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe.”

Mes veprave të njohura poetike të Lasgushit janë: “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, si dhe baladat për Muharrem dhe Reshit Çollakun. Përveç krijimeve origjinale, ai përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, përfshirë: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, Poemat e Hajnes, Majakovskit, Gëtes dhe Hajnes, si dhe poezi të Homerit, Byronit, Shekspirit dhe poetëve të tjerë të njohur.

Në nder të kontributit të tij të madh, në 100-vjetorin e lindjes, më 27 dhjetor 1999, kryetari i Republikës, Rexhep Mejdani, i akordoi titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa qyteti i tij i lindjes, Pogradeci, e shpalli “Qytetar nderi”. Sot, Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin e tij, duke e bërë të paharrueshëm trashëgiminë letrare të këtij poeti të madh.

Lasgush Poradeci mbetet zëri i gjuhës shqipe, melodik, filozofik dhe i përjetshëm.

The post Lasgush Poradeci. Poeti i Gjuhës Shqipe appeared first on Gazeta Si.

Sa i vërtetë duhet të jetë një libër kujtimesh?

26 December 2025 at 11:08

Gazeta “SI”-Në vitin 2025, historitë personale u shndërruan në një nga format më të fuqishme të rrëfimit letrar, por njëkohësisht nxorën në pah edhe dilema serioze mbi të ardhmen e memuar-et si zhanër. Gjatë këtij viti, librat autobiografikë dominuan shpesh titujt e mediave, herë për ndikimin e fortë emocional që patën, e herë për polemikat që lindën rreth vërtetësisë së tyre.

Një nga rastet më të bujshme ishte libri Careless People i Sarah Wynn-Williams, ku autorja rrëfen përvojën e saj si drejtuese në Meta. Edhe pse ishte nën një urdhër ndalues që i pengonte promovimin publik, libri u bë bestseller, duke treguar etjen e publikut për rrëfime nga brenda botës së pushtetit. Po aq i fortë ishte ndikimi i autobiografisë postume të Virginia Giuffre, Nobody’s Girl, ku ajo përshkruan abuzimin seksual të ushtruar ndaj saj nga Jeffrey Epstein dhe rrethi i tij. Libri pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe rriti presionin publik që çoi në heqjen e titujve të Andrew Mountbatten-Windsor, i cili i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Edhe politika u pasqyrua përmes kujtimeve, me librin 107 Days të Kamala Harris, ku ajo flet për fushatën e saj presidenciale dhe kritikon hapur Joe Biden. Paralelisht, viti solli kujtime nga figura të njohura botërore si Margaret Atwood, Malala Yousafzai dhe Jacinda Ardern, si edhe rrëfime tejet personale e prekëse, ndër to libri i Yiyun Li për humbjen tragjike të dy djemve të saj dhe ai i Arundhati Roy, i mbushur me reflektime intime mbi jetën dhe familjen.

Megjithatë, jo të gjitha memuaret e vitit 2025 u pritën pozitivisht. Libri American Canto i gazetares Olivia Nuzzi, i cili përfshinte një rrëfim mbi një marrëdhënie digjitale me Robert F Kennedy, u kritikua ashpër dhe, pavarësisht vëmendjes së madhe mediatike, dështoi në shitje. Një tjetër debat u ndez rreth librit The Tell të Amy Griffin, që rrëfen abuzimin seksual në fëmijëri përmes kujtimesh të rikuperuara gjatë terapisë me MDMA, duke ngritur pyetje mbi besueshmërinë e kujtimeve të tilla.

Skandali më i madh letrar i vitit lidhej me The Salt Path të Raynor Winn, një memuar shumë i dashur nga publiku që tregonte udhëtimin e saj dhe të bashkëshortit përgjatë bregdetit jugperëndimor të Anglisë, pas humbjes së shtëpisë dhe diagnozës së një sëmundjeje neurologjike terminale. Historia e qëndrueshmërisë dhe shpresës, e cila kishte shitur miliona kopje dhe ishte përshtatur edhe në film, u vu në pikëpyetje kur një hetim gazetaresk zbuloi mospërputhje serioze në rrëfim dhe ngriti dyshime mbi shkaqet reale të humbjes së shtëpisë dhe gjendjen shëndetësore të bashkëshortit. Edhe pse autorja i mohoi akuzat dhe e quajti hetimin të padrejtë, debati nuk u shua, ndërsa libri vazhdoi të shitej dhe filmi të shfaqej.

Këto raste ringjallën një debat të vjetër: sa i vërtetë duhet të jetë një libër memuaristik. Disa autorë dhe lexues pranojnë se kujtimet janë subjektive dhe se rrëfimi kërkon një dozë interpretimi dhe forme letrare. Të tjerë këmbëngulin se thelbi i këtij zhanri është ndershmëria dhe besimi midis autorit dhe lexuesit. Pa këtë besim, memuari rrezikon të humbasë forcën e tij morale dhe ndikimin shoqëror.

Në një kohë kur librat që ndërthurin përvojën personale me idenë e shërimit përmes natyrës janë bërë gjithnjë e më të njohur, polemikat e vitit 2025 treguan se publiku jo vetëm kërkon histori frymëzuese, por edhe llogaridhënie për të vërtetën. Memuari -i mbetet një formë jashtëzakonisht e fuqishme rrëfimi, por e ardhmja e tij varet nga aftësia për të ruajtur ekuilibrin mes narrativës artistike dhe ndershmërisë faktike.

Burimi: BBC

The post Sa i vërtetë duhet të jetë një libër kujtimesh? appeared first on Gazeta Si.

Filmat më të këqinj të 2025-ës

26 December 2025 at 10:26

Gazeta “Si”-Ky vit na ka sjellë disa filma të shkëlqyer por edhe të paktën një duzinë katastrofash kinematografike, të vlerësuara me nga një yll. Ja përzgjedhja e kritikëve të The Guardian për dështimet më të mëdha të vitit në kinema.

Saturday Night

“Edhe superadmiruesi më i zjarrtë i shfaqjes legjendare amerikane të humorit televiziv Saturday Night Live do ta ketë të vështirë të përballojë vetëkënaqësinë dhe adhurimin e tepruar ndaj vetes në këtë film rraskapitës nga regjisori dhe bashkëskenaristi Jason Reitman.”

Snow White

“Ky është një version i ri, i pakuptimtë, muzikor live-action i mitit të Borëbardhës – një qasje ‘jo-Wicked’ ndaj historisë dhe një makineri për shitje. Ndërsa filma të tjerë po rishpiknin me lojë dhe zgjuarsi prapaskenat e zuzarëve të famshëm, ky film e trajton historinë në mënyrë lineare, por me ndryshime revizioniste të kuruara me kujdes.

Këto duken hapur si përpjekje të dhimbshme për të shmangur reagimet negative, ndërkohë që në thelb identiteti duhet të mbetet i paprekur.”

Partir un Jour

“Hapja gala e Festivalit të Kanës është gjithmonë një bast i rrezikshëm: një pozicion shumë i ekspozuar, të cilin pak filma e duan apo e kanë nevojë, dhe ku shpesh përfundojnë ‘gjelat’ e zhurmshëm dhe të mbingopur të ekranit të madh.

Fatkeqësisht, ky film është një prej tyre: një muzikal pa jetë që gjoja trajton vlerat e qytetit të lindjes, por që shembet si një iriq i shtypur nga një kamion 18-rrotësh sapo protagonistja femër hap gojën për të kënduar një nga këngët e shumta të tmerrshme.”

Alpha

“Tregimi i mbingarkuar në mënyrë të çuditshme dhe pa asnjë sens humori i cili nuk arrin të fshehë faktin se gjithçka këtu është sinqerisht e pabesueshme dhe e mërzitshme. Çdo rresht dhe çdo skenë kanë butonin e emocioneve patetike në maksimum, por megjithatë  të panevojshme.”

High Rollers

“Kjo është një kopje e lirë e Ocean’s Eleven me John Travolta, që e bën filmin e Steven Soderbergh të duket si një vepër e Andrei Tarkovskit apo Ingmar Bergmanit. Është një film që të ngadalëson rrahjet e zemrës nga budallallëku dhe mungesa e hijeshisë, i realizuar keq dhe, sinqerisht, i mërzitshëm, përveç rasteve kur gabimet bëhen aq flagrante sa nuk mund të mos qeshësh.”


Jungle Trouble

“Me një protagonist jashtëzakonisht të bezdisshëm të quajtur Mohsen, ky film aventurë në xhungël duket sikur është qepur si një Frankenstein i dobët nga mbetjet e animacioneve të tjera të dështuara – të cilat vetë janë arnime nga filma shumë më të mirë.”

Jay Kelly

“Në këtë film të mjerë dhe sentimental, George Clooney ka pamjen e një njeriu që ka gjetur strikninë në kapsulën e tij të Nespresso-s dhe nuk mban mend se në cilin dollap të suitës luksoze të hotelit ndodhet antidoti.”

The Boatyard

“Ka diçka thellësisht dëshpëruese në kotësinë e The Boatyard: mungesë humori, empatie dhe aftësish bazë filmike. Aktrimi arrin një nivel aq të saktë tmerri, saqë bëhet i padurueshëm.”

Mission Alarum

“Askush nuk duket se është plotësisht i qartë se çfarë përfshijnë ‘ambasadorët specialë’ të Sylvester Stallone, Mel Gibson dhe Jon Voight, apo nëse kjo treshe bashkudhëtarësh të së djathtës ka përmbushur ndonjëherë ndonjë detyrë zyrtare.

Por, duke gjykuar nga ky film, Stallone tashmë po e turpëron  veten duke realizuar një vepër aq të keqe sa turpëron vetë kinemanë amerikane.”

Mr Blake at Your Service!

“Ajo që e bën këtë film një sprovë të vërtetë për t’u parë janë leximet e jashtëzakonshme të dialogut nga Malkovich në frëngjisht, me theksin e tij të ngadalshëm dhe qartësisht amerikan. Ai tingëllon si Dr Hannibal Lecter pasi ka pirë një sasi marramendëse marihuane, duke bërë një imitim përbuzës të një kamerieri francez të lëpirë që synon ta hajë.”

Tron: Ares

“Matrica e kotësisë ringarkohet në këtë film fantastiko-shkencor trullosës e të mërzitshëm, më shumë një ‘screensaver’ sesa një film i mirëfilltë. Nuk ka dramë, as rrezik dhe as interes njerëzor. Kjo seri tashmë duket po aq urgjentisht bashkëkohore sa një CD-player në makinë.”

Christmas Karma

“Sado i gatshëm të jem për të përqafuar çdo variant të ri të A Christmas Carol të Dickens-it, dhe sado kureshtar të jem për të dëgjuar nga regjisorja e Bend It Like Beckham, Gurinder Chadha, ky film është i rëndë, i luajtur pa bindje dhe po aq i mirëpritur sa një mi i ngordhur në vozgë.”

Burimi: The Guardian

The post Filmat më të këqinj të 2025-ës appeared first on Gazeta Si.

Nata e Këshndellave…

24 December 2025 at 15:17

Nga Gazeta “SI”- Jeta e At’ Zef Pllumit ishte një udhëtim i gjatë dhimbjeje, i mbushur me sakrifica dhe vuajtje të panumërta. Por At Zefi mbeti besnik ndaj Fjalës së Zotit, ndaj bindjeve të fesë dhe ndaj vlerave kulturore e kombëtare. Përreth tri dekadave, ai i ruajti këto thesare shpirtërore në errësirën e burgjeve komuniste, dhe më pas i solli nga nata në dritë, nga vuajtja në liri, nga heshtja në ringjallje.

Edhe në mes të vështirësive më të mëdha, At Zefi shpalos devotshmërinë dhe dashurinë e tij për fenë, si rituale, por edhe si një ringjallje shpirtërore për katundet e Malësisë, si një dritë që ndriçonte zemrat dhe shpirtin e njerëzve, duke i mbajtur gjallë shpresën dhe besimin.

Me hyrjen në fuqi të Statutit të Kishës rreth viteve 1950, At Zef Pllumi, i sapodalë nga burgjet dhe i emëruar famulltar në Shosh, rrëfen në librin e tij të kujtimeve “Rrno vetëm për me tregue” ditët kur regjimi komunist nisi të lejonte, festimin e Krishtlindjes në vitin 1958 :

“Mora vesht se qysh me himjen në fuqi të Statutit të Kishës, organet e pushtetit kishin lejue edhe festimin e Natës së Këshëndellave , sikurse lutej dikur.  Fillova pregatitjet : sajova nja dy –tri vjersha Këshëndellash , simbas mendësisë së maleve, Zoti më faltë , por e paraqitshëm sikur Krishti të kishte le ndër këto malet tona e jo në Betlehem. Po gjithashtu pikturova nja dy-tre engjuj; nuk ishëm piktor profesionist, megjithëkëta paesazhet e dekoracionit i kam ushtrue që në fëmijni. Në ni kand të Kishës pregatita Shpellën e Betlehemit me gjethe, lule, bar e shkambij.

Dërgova në Shkodër Vatën, djalin e ri, me nji adresë në dorë, për me ble 10 litër benzinë dhe dy petromaksa. Njanin e vuna në punë menjiherë e, kur e ndeza , dola me të në dorë aty jashtë. Shëndriti e gjithë Kodra e Kishës së Shën Qurkut. Njerëzit atë natë e kishin pa së largu prej katundeve  tjera që shtriheshin ndër shpate e brija të maleve. Mandej hyna në kasollen time të mjerë. Ata dy fëmijë, Pepa e Marashi, ishin tepër të gëzuem. N’e nesre ndër gjithë lagjet e Ndregjinaj, Gjoshaj , Pilotaj edhe Palaj u përhap fjala- si duket ma shumë prej atyne dy fëmijëve- se frati i ri kishte ble dy elektrikë, nji për vedi e nji për lopën. Pa kalue mirë 24 orë, filluen me ardhë njerëz me më këshillue: “More zotni, lopët tona hanë edhe në terr , por a ke gja më u vu përpara”. Të gjithve ua lashë tehin mbarë. Vetëm kurr mbërriti Nata e Këshëndellave, porsa filluen me u dukë nga të gjitha anët e brijave e shpateve flakët e vravashkave të cilat drejtoheshin të gjitha për ka Kisha, pregatita edhe petromaksin e dytë.  Mbasi e ndeza dola jashtë. Bora e ngrime ndriste nën dritën e petromaksit.

Nuk fyente erë. E vendosa atë dritë jashtë, deri që filluen me mbërrijtë çetat e para të njerëzve ; vetëm atëherë e shtina në Kishë, e cila shndriri si hiçmos kurrë. Nga gjashtë dritat e Kishës shpërthejshin rreze që ndritshin borën e bardhë. Nga larg dukeshin si rreze qiellore. Ndërsa udhëtarët, pelegrinët çobanë e mbretën të maleve drejtoheshin kah drita e asaj komete toksore. Kje me të vëertëtë një natë e mrekullueshme. Drita asht ma e fortë se sytë dhe deperton drejt e në mendje e zemra të njerëzve. (Vetëm qorrat mbeten përgjithmonë qorra). U ngazëllye i gjithë populli e me të edhe unë. Ajo kje e para natë që kishëm rreth vedit të mbledhun përfaqësuesit nga të gjitha lagjet e Shoshit.

Para se më fillue ceremonitë fetare të natës, fëmijt e mësuem prej meje filluen programin festiv. Kënduen disa kangë e sidomos recituen aq bukur vjershat e pregatituna për atë natë, sa populli, i kënaqum prej fëmijve të vet, më dhanë lavdet mue se kishëm pasë aq kujdes më i mësue ashtu. E vetmja gja që u prishej ishte mendimi i largimit tem porsa të shkrihej bora e të dalin prandvera”

Fragment i shkëputur nga “Rrno vetëm për me tregue” At’Zef Pllumi ( Botimet Françeskane)

The post Nata e Këshndellave… appeared first on Gazeta Si.

Tradita magjepsëse të Krishtlindjeve nga e gjithë bota

24 December 2025 at 11:32

Gazeta “SI”- Krishtlindjet janë një nga festat më universale në botë, por mënyra se si ato festohen ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Vende dhe kultura të ndryshme i japin kësaj feste kuptime unike, duke ruajtur rituale të lashta ose duke krijuar zakone të reja që pasqyrojnë stilin e jetesës, historinë dhe klimën e tyre.

Pavarësisht nëse njerëzit kthehen në shtëpi për të festuar me familjen, udhëtojnë drejt vendeve të largëta apo zgjedhin të qëndrojnë pranë atyre që duan, Krishtlindjet mbeten një kohë reflektimi, bashkimi dhe krijimi kujtimesh të paharrueshme.

Nga festa verore në hemisferën jugore te ritualet e frikshme dimërore në Evropë, këto zakone tregojnë se fryma festive merr forma të ndryshme.

Japoni, Krishtlindjet nuk janë festë fetare, pasi shumica e popullsisë nuk është e krishterë. Megjithatë, sezoni festohet me entuziazëm, veçanërisht falë një fushate marketingu të suksesshme të viteve 1970 nga zinxhiri i njohur i ushqimit të shpejtë KFC. Që prej asaj kohe, ngrënia e pulës së skuqur është kthyer në një simbol kombëtar të Krishtlindjeve. Familjet japoneze porosisin vakte të plota javë përpara, ndërsa ëmbëlsira tradicionale e festës është torta me luleshtrydhe dhe krem, një kombinim i thjeshtë por shumë i dashur.

Itali, ushqimi është në qendër të çdo feste, dhe Krishtlindjet nuk bëjnë përjashtim. Tryezat mbushen me antipasta të shumta, makarona, peshk dhe gatime të pjekura në furrë. Por një nga figurat më të veçanta të festave italiane është La Befana, shtriga e mirë që, sipas legjendës, fluturon mbi një fshesë dhe sjell dhurata për fëmijët më 6 janar, ditën e Epifanisë. Kjo traditë i jep festave një fund magjik dhe të gëzueshëm.

Skoci, Krishtlindjet nuk janë pika kryesore e sezonit festiv. Vëmendja kryesore i kushtohet Hogmanay, nata e Vitit të Ri Skocez. Rrugët mbushen me festa, fishekzjarrë dhe këngë tradicionale si “Auld Lang Syne”. Një zakon i vjetër, i njohur si “hyrja e parë”, parashikon që personi i parë që hyn në shtëpi pas mesnatës të sjellë fat të mirë për vitin e ardhshëm, shpesh duke mbajtur dhurata simbolike.

Ndërkohë, në Australi, Krishtlindjet bien në mes të verës. Temperaturat e larta e kanë kthyer festën në një aktivitet kryesisht në natyrë. Dreka tradicionale përfshin ushqime deti, proshutë të pjekur të ftohtë, sallata të freskëta dhe ëmbëlsirën e famshme pavlova. Pas ushqimit, familjarët dhe miqtë shpesh luajnë kriket në oborr ose shkojnë në plazh. Nuk është aspak e pazakontë të shohësh Babagjyshin e Vitit të Ri duke mbërritur me varkë ose duke pushuar në rërë.

Kaliforninë Jugore, klima e ngrohtë krijon skena po aq të pazakonta. Edhe pse është dhjetor, dielli shpesh shkëlqen dhe shumë njerëz përfundojnë në plazh. Këtu ka lindur tradita e Babagjyshit që bën surf, ku vendasit veshin kostumin e Babagjyshit dhe hyjnë në det mëngjesin e Krishtlindjeve, duke krijuar një atmosferë festive, plot humor dhe energji pozitive.

Në anën tjetër të spektrit, në Austri dhe rajonet alpine të Evropës, shfaqet figura e frikshme e Krampus-it. Ky personazh mitik, me brirë dhe pamje kërcënuese, shoqëron Shën Nikollën më 6 dhjetor dhe simbolizon ndëshkimin për fëmijët e pabindur. Parakalimet e Krampus-it janë bërë atraksione të mëdha turistike dhe i japin festave një dimension të errët, por shumë tërheqës.

Peru, festimet e Krishtlindjeve fillojnë në mesnatën e 24 dhjetorit. Qyteti i Limës ndriçohet nga fishekzjarrët, ndërsa familjet mblidhen për darkë vetëm pas mesnate. Festimet vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit, duke krijuar një atmosferë të ngjashme me natën e Vitit të Ri, por disa ditë më herët.

Poloni, Krishtlindjet janë thellësisht familjare dhe tradicionale. Mbrëmja e 24 dhjetorit konsiderohet më e rëndësishmja. Tryeza festive përfshin pierogi (petulla tradicionale), peshk të skuqur dhe gatime vegjetariane. Këto zakone përcillen nga brezi në brez dhe shoqërohen me momente emocionale, lutje dhe bashkim familjar.

Ndërsa në Angli, përveç darkave tradicionale, disa zona bregdetare organizojnë notin e Krishtlindjeve në detin e akullt – një ritual për guximtarët. Në rajone si Kornuolli, festimet vazhdojnë edhe pas Krishtlindjeve, me mbrëmje muzikore nëpër pabe dhe këngë tradicionale që këndohen me gjithë shpirt.

Pavarësisht ndryshimeve kulturore, një gjë mbetet e përbashkët kudo: Krishtlindjet janë një festë që bashkon njerëzit, ringjall shpresën dhe krijon momente që mbahen mend gjatë gjithë jetës. Në çdo cep të botës, kjo festë mbetet një simbol i dashurisë, mirësisë dhe gëzimit njerëzor.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Tradita magjepsëse të Krishtlindjeve nga e gjithë bota appeared first on Gazeta Si.

Monumentet e lashta që ‘nderojnë’ solsticin e dimrit

23 December 2025 at 14:28

Gazeta “SI”- Dhjetëra struktura misterioze në të gjithë Hemisferën Veriore , disa prej tyre gati 5,000 vjeçare  janë ndërtuar me precizion për të përshëndetur Diellin në lindje dhe në perëndim gjatë ditës më të shkurtër të vitit. Por çfarë i motivoi njerëzit e lashtë të ndërtonin këto kryevepra të kalibruara nga dielli?

Solstici i dimrit, që zakonisht bie më 21 ose 22 dhjetor në Hemisferën Veriore, shënon momentin kur një cikël vjetor mbaron dhe lind një tjetër. Është dita me më pak orë dritë, dhe sapo kalon, ditët fillojnë të zgjasin gradualisht deri në solsticin e verës. Rëndësia e saj manifestohet në monumentet e lashta të krijuara për të njohur dhe festuar këtë moment kyç.

Varri Maeshowe i Orkney-t është një gropë varrimi e krijuar rreth vitit 2800 para Krishtit që fsheh një varr të veshur me gurë 

Një shembull i jashtëzakonshëm është varri Maeshowe në Orkney, i ndërtuar rreth vitit 2800 para Krishtit. Për syrin e pa trajnuar, duket si një kodër me bar, por fsheh një varr kuboid të veshur me gurë dhe një korridor hyrjeje 33 metra të gjatë, i orientuar nga jugperëndimi. Gjatë mesit të dimrit, tre javë përpara dhe pas solsticit, dielli që perëndon hyn në korridor dhe ndriçon varrin, duke krijuar një efekt spektakolar të “dritës së shenjtë”.

La Roche aux Fées në Brittany është një kalim megalitik i bërë nga 41 blloqe guri 

Këto struktura nuk ishin vetëm monumente fetare. Në të kaluarën e largët, njohja e cikleve të natyrës ,  përfshirë solsticat  ishte thelbësore për mbijetesën. Parashikimi i ndryshimeve sezonale ndihmonte në gjueti, peshkim, mbjellje dhe korrje, duke siguruar furnizimin e ushqimit. Me futjen e bujqësisë, rreth vitit 9000 p.e.s., njohja e solsticit u bë një mjet praktik dhe shpirtëror.

Pamja përmes Tuneleve të Diellit të Nancy Holt në Utah e kornizon në mënyrë të përsosur Diellin ndërsa lind dhe perëndon 

Shumë nga këto ide gjallërojnë edhe sot. Struktura si Stonehenge në Angli, Newgrange në Irlandë, Callanish në Hebridet e Jashtme dhe La Roche aux Fées në Francë, janë të ndërtuara për të përputhur pozicionin e Diellit gjatë solsticit.

Krateri epik Roden në Arizonën Veriore përmban hapësira të shumta nga të cilat mund të shikohen fenomenet qiellore 

Në shekullin e 20-të dhe 21-të, artistë bashkëkohorë kanë krijuar vepra të ngjashme me frymëzim nga neoliti. Nancy Holt me “Tunelet e Diellit” në Utah dhe James Turrell me “Kraterin Roden” në Arizonën veriore krijuan struktura që kornizojnë Diellin në solsticet dimërore dhe verore. Po kështu, Hiroshi Sugimoto në Japoninë e sotme ndërtuan Observatorin Enoura, i cili orienton vizitorin drejt lëvizjes së Diellit, duke ofruar një “orë të gjallë” artistike dhe natyrore.

Hiroshi Sugimoto krijoi Observatorin Enoura në Japoni, ndërtesat e të cilit janë të gjitha të kalibruara drejt lëvizjes së Diellit 

Këto monumente dhe vepra arti na rikthejnë në kontakt me ritmet natyrore, ashtu si dikur varri Maeshowe dhe La Roche aux Fées. Solstici i dimrit , pika më e errët e vitit  ka qenë gjithmonë me rëndësi kritike për njerëzit, duke mishëruar konceptin e dritës, vdekjes dhe rilindjes. Ai është shenja e parë që na tregon se ditët me ndriçim dhe ngrohtësi më të madhe po vijnë, dhe se natyra vazhdon ciklin e saj të përjetshëm.

Burimi: BBC

The post Monumentet e lashta që ‘nderojnë’ solsticin e dimrit appeared first on Gazeta Si.

Ndahet nga jeta këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur për ‘Xhamadani vija vija’

22 December 2025 at 18:56

Gazeta “Si”– Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur shqiptar Shemsi Krasniqi, i cili për publikun ishte i njohur gjerësisht si “Shemi”, vokalisti i grupit legjendar “Ilirët”.

Lajmi për humbjen e parakohshme të artistit është konfirmuar nga mediat në Kosovë.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes së tij. Sipas raportimeve, trupi i pajetë i Krasniqit është gjetur në banesën e tij në lagjen Dragodan, rreth mesnatës.

Shemsi Krasniqi ishte një nga zërat më të dashur dhe më ikonikë të muzikës shqiptare. Ai mbetet i paharruar si interpretuesi që i dha jetë këngës “Xhamadani vija vija”, e cila u shndërrua në një simbol kombëtar

Me zërin e tij karakteristik dhe interpretimin plot ndjenjë, Shemi arriti të lidhte breza të tërë me traditën dhe muzikën burimore shqiptare. Përmes veprimtarisë së tij me grupin “Ilirët”, ai la një trashëgimi të çmuar artistike në historinë e muzikës shqiptare.

The post Ndahet nga jeta këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur për ‘Xhamadani vija vija’ appeared first on Gazeta Si.

Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare, artisti britanik Chris Rea

22 December 2025 at 17:07

Këngëtari dhe kitaristi i njohur britanik Chris Rea ka ndërruar jetë, sipas një deklarate të bërë nga familja e tij. Artisti, i famshëm për këngë ikonike si Driving Home For Christmas dhe On the Beach, u shua në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër.


Në një deklaratë për Press Association, familja e tij tha se Rea ndërroi jetë më herët gjatë ditës në spital. Një njoftim zyrtar në emër të bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve u shpërnda për mediat pasditen e sotme.
Me një karrierë e gjatë dhe e suksesshme Chris Rea ishte një nga figurat më të veçanta të muzikës britanike, i njohur për zërin e tij të thellë, stilin blues-rock dhe kitarën karakteristike me slide. Karriera e tij muzikore zgjati më shumë se katër dekada, gjatë të cilave ai publikoi mbi 20 albume në studio dhe shiti miliona kopje në mbarë botën.

Ai arriti sukses të madh në vitet ’80 dhe ’90 me albume si On the Beach (1986), The Road to Hell (1989) dhe Auberge (1991), duke u bërë një emër i qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare. Kënga Driving Home For Christmas mbetet edhe sot një nga himnet më të dashura të festave të fundvitit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë.
Pavarësisht problemeve serioze shëndetësore gjatë viteve, Chris Rea vazhdoi të krijonte dhe të performonte, duke fituar respekt për këmbënguljen dhe pasionin e tij për muzikën.

The post Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare, artisti britanik Chris Rea appeared first on Gazeta Si.

Milena Selimi shpallet ‘Ambasadore e Kulturës Bullgare’/ Trofeun ia dorëzon shkrimtari Gospodinov

22 December 2025 at 12:17

Nga Gazeta “SI”-Dymbëdhjetë personalitete të shquara u nderuan me titullin “Ambasadorë të kulturës bullgare – 2024” në një ceremoni solemne të mbajtur në Radion Kombëtare Bullgare, më 18 dhjetor 2025.

Mes të vlerësuarve ishte edhe Milena Selimi, gazetare, përkthyese dhe dramaturge nga Shqipëria me origjinë bullgare, e dalluar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e letërsisë bashkëkohore bullgare në gjuhën shqipe.

“Radioja është dashuria ime e parë. Kam nisur rrugëtimin tim profesional në radio dhe e di shumë mirë peshën e fjalës,” u shpreh Selimi për Radio Bullgaria pas marrjes së çmimit.

Milena Selimi

Falë përkthimeve të saj, lexuesit shqiptarë janë njohur me veprat e autorëve të njohur bullgarë si Georgi Gospodinov, Alek Popov, Kalin Terziyski, Milen Ruskov, Todor P. Todorov, Zllatimir Kolarov, etj. Në vitin 2024, Selimi u shpall “Përkthyesja më e mirë” në Panairin e Librit në Tiranë për përkthimin në shqip të romanit “Kohëstrehim”, si dhe u nderua me çmimin “At’ Gjergj Fishta”, një nga vlerësimet më prestigjioze për përkthimin letrar në Shqipëri.

Vlerësimi është pjesë e një nisme të medias publike bullgare që prej vitesh promovon krijuesit, veprimtaria e të cilëve kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kontribuon në afirmimin ndërkombëtar të kulturës bullgare.

Çmimi “Ambasador i kulturës bullgare” iu dorëzua Milena Selimit nga shkrimtari Georgi Gospodinov, fitues i çmimit Ndërkombëtar “Booker”, i cili mban këtë titull që prej vitit 2021.

The post Milena Selimi shpallet ‘Ambasadore e Kulturës Bullgare’/ Trofeun ia dorëzon shkrimtari Gospodinov appeared first on Gazeta Si.

Themeluar në vitin 1624 / Posta daneze ndërpret shpërndarjen e letrave pas 400 vjetësh

22 December 2025 at 12:02

Gazeta “SI”- Shërbimi postar i Danimarkës do të dorëzojë letrën e tij të fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur për rreth katër shekuj. Lajmi është bërë i ditur nga kompania PostNord, e cila ka vendosur të ndalojë përfundimisht shpërndarjen e letrave për shkak të rënies drastike të kërkesës dhe digjitalizimit të shpejtë të shoqërisë daneze.

PostNord, e krijuar në vitin 2009 pas bashkimit të shërbimeve postare të Danimarkës dhe Suedisë, ka njoftuar se si pjesë e këtij vendimi do të shkurtojë rreth 1.500 vende pune dhe do të heqë nga përdorimi 1.500 kuti postare të kuqe, të cilat për dekada kanë qenë simbol i shërbimit postar në vend.

Kompania e përshkroi Danimarkën si një nga vendet më të digjitalizuara në botë, duke theksuar se numri i letrave ka rënë ndjeshëm, ndërsa blerjet online dhe dërgesat e pakove janë në rritje të vazhdueshme. Për këtë arsye, PostNord ka vendosur të fokusohet kryesisht në shpërndarjen e pakove.

Heqja e kutive postare ka nxitur interes të madh te qytetarët. Vetëm brenda tri orësh, 1.000 kuti postare të çmontuara u shitën pasi dolën në treg në fillim të këtij muaji. Çmimi për një kuti në gjendje të mirë arriti deri në 268 euro, ndërsa ato më të konsumuarat u shitën për rreth 200 euro. Rreth 200 kuti të tjera pritet të dalin në ankand gjatë muajit janar.

PostNord ka bërë të ditur gjithashtu se do të rimbursojë pullat postare daneze të papërdorura, por vetëm për një periudhë të kufizuar kohore. Ndërkohë, kompania do të vazhdojë shpërndarjen e letrave në Suedi.

Qytetarët danezë do të kenë ende mundësi të dërgojnë letra përmes kompanisë private Dao, e cila tashmë ofron këtë shërbim dhe pritet ta zgjerojë atë nga muaji janar, me kapacitet deri në 80 milionë letra në vit.

Shërbimi postar danez ka qenë përgjegjës për shpërndarjen e letrave që nga viti 1624, duke shënuar kështu fundin e një prej institucioneve më të vjetra në historinë e vendit.

The post Themeluar në vitin 1624 / Posta daneze ndërpret shpërndarjen e letrave pas 400 vjetësh appeared first on Gazeta Si.

Alis me ‘Nan’ do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026

21 December 2025 at 00:49

Gazeta “Si” –Fituesi i Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH është shpallur artisti Alis me këngën “Nan”. Ai u shpall fitues pas votimit të jurisë profesioniste dhe votave të publikut.

Vendi i dytë u shpall Inis Neziri me këngën “Ta kam fal” ndërsa në vendin e tretë u rendit Sheila Haxhiraj me “Zemra e tokës”.

Alis do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026, i cili do të mbahet në Austri.

The post Alis me ‘Nan’ do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026 appeared first on Gazeta Si.

Nga kuzhiniere në snajperiste/ Gratë ukrainase luftojnë për barazi në ushtri

20 December 2025 at 15:47

Gazeta “SI”- “Ëndrra ime është që disa prej tyre të bëhen gjenerale”, thotë kreu i çështjeve gjinore për Forcat e Armatosura të Ukrainës, ku rreth 7% e një milion personelit janë gra.

“Pse i braktisët fëmijët tuaj? A po fitoni shumë në ushtri?” – e pyetën ata Vatrën, një nënë të një djali dhe një vajze.

“Po shërben në vend që t’i rritësh. Duhet të rrish në shtëpi”, i thanë ata Bilkës, një nëne të dy vajzave.

“Po sikur të vdesësh? Nëse nuk je nënë, je asgjë”, iu tha Rutës, një nënë të tre fëmijëve, në rrjetet e saj sociale.

Dëshmitë e këtyre ushtareve ukrainase pasqyrojnë rrugën e vështirë drejt barazisë midis burrave dhe grave në ushtri gjatë pushtimit rus. Ato janë pjesë e fushatës Veteranka, e cila synon të normalizojë praninë e grave në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Paragjykimet dhe stereotipet nuk ndodhin vetëm në vijën e frontit, por edhe në shoqëri dhe brenda familjeve.

“Të jesh grua në ushtri do të thotë të përballesh me dyshimet e të tjerëve çdo ditë”, thekson mjekja luftarake Katerina Priimak, e cila drejton këtë iniciativë të pavarur.

“Ëndrra ime është që disa prej tyre të bëhen gjenerale”, thotë Oksana Grigorieva, 49 vjeç, drejtuese e çështjeve gjinore në ushtri. Grigorieva e mbajti këtë pozicion në ushtrinë spanjolle deri në majin e kaluar, pasi kishte punuar në këtë kapacitet që nga viti 2022, duke i dhënë asaj disa vite përvojë në këtë fushë. Megjithatë, ajo pranon se detyra që e pret nuk është e lehtë, pasi shumë, thekson ajo, ende i shohin gratë si kuzhiniere ose rrobaqepëse në vend të snajpereve ose shofereve të tankeve.

Aktualisht, në ushtrinë ukrainase ka afërsisht 72,000 gra, që përfaqësojnë rreth 7% të një milion personelit të saj. Nga këto, 19,000 mbajnë pozicione civile, si Grigorieva. Rreth 5,500 janë të vendosura në zona luftimesh. Rekrutimi i detyrueshëm i burrave të moshës 25 deri në 60 vjeç sipas ligjit ushtarak ka ulur përqindjen e grave në ushtri,  së cilës ato i bashkohen vullnetarisht , por numri i tyre vazhdon të rritet.

Ukraina po planifikon reforma, përfshirë ato në ushtri, për t’u afruar më shumë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Në të njëjtën kohë, ajo është përfshirë në luftë që nga viti 2014, kur trupat ruse hynë në lindje të vendit, përpara se Kremlini të niste pushtimin e tij në shkallë të plotë në vitin 2022. Që nga viti 2018, një kuadër i ri ligjor ka promovuar barazinë, thekson Grigorieva. Tani, në letër, gratë mund të studiojnë për një karrierë ushtarake dhe të kenë akses në çdo pozicion, përfshirë rolet luftarake.

“Kjo është arritja jonë e madhe dhe jemi krenare” thekson ajo.

Megjithatë, paragjykimet dhe seksizmi vazhdojnë ta ndërlikojnë rrugën për gratë që zgjedhin një karrierë ushtarake dhe synojnë të ngjiten në gradë:

“Vetëm pse dikush është i ri dhe i bukur nuk do të thotë se është dashnorja e dikujt”, ankohet Grigorieva, duke iu referuar një mentaliteti të rrënjosur në të kaluarën dhe indiferent ndaj meritës.

Këto qëndrime pengojnë ndryshimet legjislative që synojnë luftimin e krimeve si përdhunimi, abuzimi seksual dhe ngacmimi, pasi gjatë kohës së ish-republikës sovjetike kjo çështje mezi trajtohej, shton ajo.

Oksana Grigorieva, drejtuese e çështjeve gjinore për ushtrinë ukrainase.

“Ata që më parë ishin civilë, tani i bashkohen ushtrisë pa e ditur se çfarë është Konventa e Stambollit”, thotë oficerja e çështjeve gjinore, duke iu referuar traktatit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, një iniciativë në të cilën Kievi është bashkuar.

“Epo, unë thjesht po flirtoja sepse më pëlqen ajo”, është një tjetër shprehje që mund të dëgjohet nga ushtarët, sipas Grigorieva-s, e cila shpjegon se të gjitha programet e trajnimit ushtarak përfshijnë kapituj mbi ndërprerjen e diskriminimit dhe ngacmimit.

Kanë ikur ditët kur një sjellje e tillë rezultonte në një gjobë prej vetëm 360 hryvnias (rreth 8 dollarë). Tani, sipas kodit të ri disiplinor ushtarak, komente të tilla mund të çojnë në mbajtjen e një pjese të konsiderueshme të pagës së dikujt. Sidoqoftë, Grigorieva thekson praninë e këshilltarëve gjinorë në të gjitha njësitë ku  ka rreth 700 të tillë  dhe pohon se ngacmimi nuk është ndër problemet kryesore.

Ajo është më e shqetësuar se, pasi gratë pranohen në pozicione luftarake, “jo të gjithë komandantët i shohin ato si të afta për lidership”. Kjo është arsyeja pse “objektivi i saj kryesor” është të ketë “sa më shumë gra të jetë e mundur në pozicione udhëheqëse”, thekson ajo, sepse “nuk kemi as edhe një grua që drejton një brigadë” (të përbërë nga 5,000 deri në 7,000 personel) dhe “vetëm një drejton një batalion” (prej rreth 500).

Megjithatë, ajo thekson se kjo është rruga që gratë duhet të ndjekin në karrierën e tyre ushtarake pas legjislacionit të ri të vitit 2018. Por jo gjithçka mund të menaxhohet përmes rregullave të shkruara që duhet të zbatohen.

“Është e vërtetë që humbja e një gruaje ndihet ende shumë më thellë sesa ajo e një burri”, shpjegon Grigorieva, duke iu referuar një rasti që përfshin vdekjen e një mjeku luftarak.

Ndër motivimet që shtyjnë disa të bëhen vullnetarë janë rastet kur ata vendosin të mbajnë luftën larg fëmijëve të tyre, ose sepse kanë humbur një anëtar të familjes dhe përdorin atë humbje si forcë shtytëse për t’u bashkuar me mbrojtjen e Ukrainës.

Një nga historitë më tronditëse është ajo e një çifti të martuar, të dy ushtarë me kontratë, me dy fëmijë: një foshnjë tetëmuajshe dhe një trevjeçar nga një martesë e mëparshme. Në vitin 2022, ata vendosën që ajo do të shkonte në vijën e frontit si mjeke luftimi. Ligji lejon, në rastin e një çifti të martuar, që njëri prej tyre të përjashtohet nga shërbimi ushtarak. Gruaja ,emrin e së cilës Grigorieva nuk e zbulon  deklaroi mes dyshimeve të familjes së partnerit të saj: “Unë jam luftëtare”.

Pas tre vitesh, marrëdhënia u prish dhe ushtria ndërhyri për të siguruar që, në procedurat e divorcit, ajo të mos humbë të drejtat prindërore dhe, nga ana tjetër, thirri ish-burrin për shërbim të detyrueshëm. Tani ajo mbetet ushtare, por në frontin e brendshëm.

Në pozicionet e luftimit, ambientet e ngushta dhe rreziku parandalojnë dallimet midis burrave dhe grave që janë të mundshme, për shembull, në kampet e stërvitjes ose kazermat larg vijave të frontit. Intimiteti nuk njeh gjini në llogore.

Pas më shumë se 3 vitesh luftë, mediat sociale ndonjëherë pasqyrojnë transformimin që po kalon Ukraina. Një foto e një tualeti të improvizuar të spërkatur me urinë në vijat e frontit, e postuar nga një ushtare femër, shërben si një kujtesë ironike: “Edhe këtu, duhet të dini si të synoni, shokë.”

Burimi: El Pais

The post Nga kuzhiniere në snajperiste/ Gratë ukrainase luftojnë për barazi në ushtri appeared first on Gazeta Si.

Kush është Justina Pula, gruaja e parë që do të udhëheqë Akademinë e Shkencave të Kosovës?

19 December 2025 at 13:50

Nga Gazeta “SI”- Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka shënuar një moment historik duke zgjedhur për herë të parë një grua në krye të saj. Justina Pula mori detyrën e kryetares së AShAK, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit gjinor në institucionet më të larta të dijes dhe duke dhënë shpresë për një rol gjithnjë e më aktiv të grave në udhëheqjen e institucioneve shkencore dhe kulturore.

Justina Pula, e lindur në Prishtinë në vitin 1953, ka ndjekur një karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale. Ajo diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1976). Kreu studime pasuniversitare në Zagreb (1984) dhe u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës” (1977).

Justina Pula

Karriera e saj në Fakultetin Ekonomik filloi në vitin 1978 si asistente e më pas avancoi në docent dhe profesor ordinar në vitin 2004. Pula ka qenë një pioniere në zhvillimin e kërkimeve operacionale në Kosovë, duke aplikuar metoda matematike dhe statistike në planifikimin dhe optimizimin e proceseve të biznesit , menaxhment dhe vendimmarrje. Ajo ka udhëhequr studentë në punime diplome, teza masteri dhe doktorature, duke kontribuar thelbësisht në avancimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.

Përveç angazhimit akademik, Justina Pula ka kontribuar edhe në fushën publike dhe të shoqërisë civile. Ajo ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave (2008–2011), deputete në Kuvendin e Kosovës (2011–2014) dhe ka qenë aktive në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave përmes organizatave të ndryshme.

Pula është zgjedhur anëtare korrespondente e AShAK në vitin 2016, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore në vitin 2018 dhe anëtare e rregullt-akademike në vitin 2020. Zgjedhja e saj si kryetare e Akademisë shënon një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjinore dhe promovimit të dijes në Kosovë.

Justina Pula pason në detyrë shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë Mehmet Kraja, i cili drejtoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për periudhën 2019–2025.

The post Kush është Justina Pula, gruaja e parë që do të udhëheqë Akademinë e Shkencave të Kosovës? appeared first on Gazeta Si.

Historia e ‘Arrëthyesit’/ Nga kuzhina në baletin e Krishtlindjes

19 December 2025 at 11:54

Nga Gazeta “SI”- Nëse ekziston një simbol i Krishtlindjes që mund të konsiderohet si “roja” i festës, atë nder e meriton Arrëthyesi. Këto figura druri shumëngjyrëshe janë bërë pothuajse po aq të lidhura me Krishtlindjen sa edhe Babagjyshi. Por përse ka ndodhur kështu?

Arrëthyesit e parë u krijuan nga punëtorët e drurit në male të Gjermanisë në fund të shekullit të 17-të. Siç sugjeron edhe emri i tyre, qëllimi fillestar i këtyre figurave ishte si vegla kuzhine. Shumë prej tyre përfaqësonin ushtarë dhe sundimtarë, një ide që konsiderohej si një shaka e këndshme: banorët e shtëpive kënaqeshin duke pasur figura autoriteti që “punonin” për ta. Arrëthyesi fillimisht shërbente si një vegël kuzhine për të thyer arrat dhe farat e tjera të forta. Ai ishte një mjet praktik që ndihmonte njerëzit të hapnin arrat për t’i përdorur në gatime dhe ëmbëlsira.

Forma e tij e zakonshme, shpesh një figurë druri që ngjasonte me ushtar ose sundimtar, kishte një qëllim funksional dhe humoristik: kur e shtypeje ose e hapje mekanikisht, figura “punonte” për të thyer arrën, duke i dhënë përdoruesit një ndjesi të këndshme dhe shpesh argëtuese.

Me rritjen e popullaritetit, rritej edhe kërkesa. Në vitin 1872, Friedrich Wilhelm Fuchtner, i njohur si “babai i arrëthyesit,” filloi prodhimin në masë të këtyre figurave druri duke përdorur një lathe të fuqizuar me ujë. Ky ishte hapi që i dha arrëthyesit një shtrirje më të gjerë dhe i bëri të njohura jashtë kufijve gjermanë.

Në vitin 1892, kompozitori i madh Pyotr Ilyich Tchaikovsky solli baletin e famshëm “Arrëthyesi”, duke i lidhur përgjithmonë këto figura druri me Krishtlindjen. Historia tregon për një ushtar arrëthyes që merr jetë natën e Krishtlindjes, një narrativë që ka bërë që këto dekorime të bëhen pjesë e pandashme e festës.

Me kalimin e kohës, funksioni origjinal i arrëthyesit u harrua, ndërsa dekorimet u bënë më të sofistikuara, shpesh të zbukuruara me gurë të rremë, xixëllima, shirita metalikë dhe elementë të tjerë dekorativë. Sot, modelet e arrëthyesve përfshijnë tema dhe profesione të ndryshme, dhe janë një pjesë e rëndësishme e koleksioneve festive.

Baleti, i porositur nga Teatri Perandorak i Rusisë, u krijua gjatë një periudhe të vështirë personale për Tchaikovskyn. Shfaqja tregon procesin e tij të krijimit gjatë viteve 1831–1892, duke përshkruar mungesën e frymëzimit dhe stuhinë emocionale që shoqëroi kompozimin e veprës, deri në momentin kur kompozitori gjeti shpresën dhe forcën për të vazhduar përmes muzikës.

Arrëthyesi në TKOBAP

Magjia e baletit “Arrëthyesi” do të pushtojë këtë fundvit edhe skenën e TKOBAP, tashmë një traditë e këtij institucioni. Një shfaqje e cila kërkohet gjithmonë nga publiku, ka bërë që netët e shfaqjes të shtohen jashtë parashikimeve, në mënyrë që secili të ketë mundësinë të shijojë magjinë e shfaqjes.

Arrëthyesi është një udhëtim në botën e ëndrrave, muzikës së pavdekshme të Tchaikovskyt dhe magjisë së Krishtlindjes, që vazhdon të bashkojë publikun rreth artit dhe fantazisë, duke treguar se një figurë druri e vogël mund të mbajë një histori të madhe dhe emocione të pafund.

The post Historia e ‘Arrëthyesit’/ Nga kuzhina në baletin e Krishtlindjes appeared first on Gazeta Si.

Festivali i RTSH-së/ Një natë për të (mos) u harruar…

18 December 2025 at 13:34

Nga Gazeta “SI”- Festivali i 64-të i Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e parë dhe, për katër netë me radhë, synon të prezantojë para publikut jo vetëm këngët konkurruese, por edhe rikthime nostalgjike, si dhe të ftuar specialë që i japin një larmi të nevojshme eventit më të madh të muzikës së lehtë shqiptare.

Nën prezantimin e aktorit të humorit Salsano Rrapi dhe këngëtares Arilena Ara, duket se ideja e organizatorëve ka qenë krijimi i një “shoqërimi” mes humorit, sarkazmës dhe sharmit të Aras. Por, të paktën në natën e parë, kjo ide mbeti më shumë në letër sesa në skenë. Që në minutat e para u vu re një mungesë e theksuar kimie mes dy prezantuesve, e cila u reflektua drejtpërdrejt edhe te publiku.

Batutat e vakëta të Salsanos dhe ngrirja emocionale e Arilenës nuk u kombinuan në asnjë moment përgjatë gjithë mbrëmjes, duke e kthyer komunikimin mes tyre në një marrëdhënie të ftohtë, skematike dhe pa puls. Duke pasur parasysh edicionet e mëparshme dhe kohëzgjatjen prej katër netësh, mund të shpresojmë se kjo marrëdhënie do të konsolidohet dhe “akujt” do të shkrihen, por nata e parë, fatkeqësisht, ishte deri diku për t’u harruar.

Arsyet janë disa. Së pari, batutat e Salsanos, shpeshherë gati personale, ngjanin më shumë me prezantimin e miqve në një festë familjare sesa me një event madhor publik, ku individualja duhet të shkrihet në kolektive. Rasti i prezantimit të jurisë është ilustrues: për thuajse secilin prej tyre, etiketa “miku im” u përdor me një lehtësi të tillë, sa krijonte përshtypjen sikur përzgjedhja ishte bërë nga vetë ai.

Kulmi i këtij konfuzioni erdhi me batutën gati bajate drejtuar tenorit me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj, duke iu referuar emrit të tij si “emër i fortë” , një përzierje e panevojshme e politikës me artin, që i mbivendosi emrit të madh artistik një krahasim krejtësisht të pavend.

Nga këto detaje të vakëta e pa sens, e deri te thirrja e emrave të artistëve nga Arilena Ara, me një zë të ulët dhe pa ngarkesë emocionale, thuajse si në një akt vakie, u krijua ndjesia e një mos-ngjitjeje të vazhdueshme mes dy figurave kryesore të mbrëmjes.

Duke kaluar te ana artistike, çdo prezantim i artistëve pjesëmarrës shoqërohej me një klip hyrës, ku tentonte të ndërthurej tradicionalja me modernen. Por edhe këtu, efekti ishte i zbehtë. Për shembull, në një moment, artistja Inis Neziri, e veshur me një kostum plot xixha që ngjante më shumë me karnevalet, “pluskonte” me thonj të gjatë mbi një makinë shkrimi Olivetti të shekullit të kaluar. Një skenë që kërciste aq fort konceptualisht, sa edhe improvizimet teatrale të dikurshme në shkollat fillore do të dukeshin më pranë kontekstit kohor. Një improvizim i panevojshëm, thuajse qesharak, sidomos për një klip ku janë investuar kohë, ide dhe, mbi të gjitha, para.

Artistja Inis Neziri në klipin prezantues

Nga ana tjetër, angazhimi i artistëve në skenë ishte mbresëlënës, si nga prurjet e reja, ashtu edhe nga ata që konsiderohen “big”. Përtej shpendit të balsamosur në kostumin e Sheilës, një detaj krejt i pavend, apo guximit të Erand Sojlit për të ardhur ndryshe, pati edhe momente të vërteta emocioni. Performanca e Sara Kapo apo duartrokitjet e zgjatura për Alis na rikthyen kujtimin e festivaleve të dikurshme, ku publiku mezi priste të shijonte artistët e preferuar.

Kësaj i shtohet edhe skenografia dinamike, ku orkestra ndërthurej me copëzimin e saj, duke krijuar idenë e një godine me kate – një risi interesante në ndërtimin e skenave në Shqipëri.

Artisti Alis

Në përfundim, nata e parë ishte një test që nxori në pah defektet dhe të metat, por kjo nuk përjashton mundësinë e përmirësimeve. Në katër netë mund të ndodhë gjithçka: nga një raport më organik mes prezantuesve, deri te performanca që priten të jenë më të zjarrta. Të paktën, ky ka qenë edhe një nga kriteret e pranimit këtë vit.

Le të presim dhe të shohim.

The post Festivali i RTSH-së/ Një natë për të (mos) u harruar… appeared first on Gazeta Si.

Kush vendos për muzikën që dëgjojmë?

18 December 2025 at 11:40

Nga Jordi Pérez Colomé- Zbulimi i muzikës ka ndryshuar rrënjësisht gjatë dekadës së fundit. Dikur, muzika e re vinte kryesisht përmes miqve, radios apo dyqaneve muzikore. Sot, këto kanale ende ekzistojnë, por janë shoqëruar  dhe shpesh zëvendësuar nga platformat e transmetimit dhe mediat sociale. Përmbledhjet vjetore të Spotify, si ‘Spotify Wrapped’, janë bërë momente reflektimi kolektiv mbi shijet tona muzikore.

Megjithatë, kjo mënyrë e re e zbulimit të muzikës ka ngritur edhe shqetësime serioze për transparencën, ndikimin e algoritmeve dhe pabarazitë strukturore në industri.

Këto pyetje janë në qendër të një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, që synon të “auditojë zbulimin algoritmik të muzikës”. Drejtues i këtij projekti është Lorenzo Porcaro, matematicien dhe studiues në Universitetin Sapienza të Romës, i cili ka analizuar nga afër mënyrën se si algoritmet ndikojnë në atë që dëgjojmë.

Zbulimi i muzikës sot: më shumë sociale sesa algoritmike

Sipas Porcaro-s, mënyra se si zbulojmë muzikë varet shumë nga mosha dhe konteksti social. Për të rinjtë, mediat sociale si TikTok dhe YouTube janë bërë kanalet kryesore të zbulimit muzikor. Artistët sot ndërtojnë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me audiencën e tyre përmes këtyre platformave: ata njoftojnë publikun për këngë të reja dhe i drejtojnë dëgjuesit drejt Spotify apo shërbimeve të tjera të transmetimit.

Platformat e transmetimit, megjithëse reklamohen si mjete për zbulimin e muzikës së re, në praktikë luajnë një rol më të kufizuar sesa pretendohet. Ato funksionojnë më shumë si hapësira ku konsumohet muzika tashmë e njohur, ndërsa impulsi fillestar shpesh vjen nga jashtë  veçanërisht nga mediat sociale.

Lorenzo Porcaro

 Kush vendos çfarë dëgjojmë?

Një nga pyetjet më të ndjeshme është nëse dikush  apo diçka  vendos realisht se çfarë muzike dëgjojmë. Porcaro thekson se nga jashtë është e vështirë të kuptohet se si funksionojnë algoritmet, sepse ne shohim vetëm rezultatin final: rekomandimet.

Në disa raste, këto rekomandime duken logjike, siç janë sugjerimet e bazuara në vendndodhjen gjeografike. Tregjet kombëtare luajnë ende një rol të madh. Për shembull, në Itali, rreth 90% e muzikës që dëgjohet është vendase – një nga përqindjet më të larta në Evropë. Kjo tregon se algoritmet nuk janë domosdoshmërisht globale dhe neutrale, por të ndjeshme ndaj konteksteve lokale.

Mungesa e transparencës krijon terren për dyshime dhe teori konspirative. Porcaro sugjeron një qasje më pragmatike: industria muzikore ka qenë gjithmonë e përqendruar rreth etiketave të mëdha, të cilat kanë interesa të qarta ekonomike. Si në radio dikur, edhe sot muzika më komerciale ka më shumë gjasa të promovohet.

Fakti që algoritmet rekomandojnë shpesh artistë shumë të dëgjuar nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato janë të manipuluara. Logjika e performancës është e thjeshtë: nëse shumica dëgjon një artist, ka gjasa që edhe dëgjuesit e rinj ta pëlqejnë atë. Problemi kryesor, sipas Porcaro-s, është se ne dimë shumë pak për mekanizmat e brendshëm të këtyre sistemeve.

Platformat si radio e personalizuar

Sipas Porcaro-s, përvoja e sotme e transmetimit i ngjan shumë radios së dikurshme, por të personalizuar. Edhe pse në teori kemi akses në gjithë muzikën e botës, në praktikë dëgjojmë kryesisht të rejat dhe atë që përforcohet vazhdimisht nga algoritmet.

Platformat nuk po shpikin një model krejtësisht të ri, por po përforcojnë dinamika që kanë ekzistuar gjithmonë në kulturën muzikore: fokusin te risia, te hitet dhe te artistët me më shumë ekspozim.

 Këshilla për artistët në zhvillim

Një nga iluzionet më të përhapura, sipas Porcaro-s, është ideja se fama mund të vijë thjesht falë algoritmit. Në realitet, ndërtimi i një karriere muzikore kërkon ende punë në terren: koncerte, lidhje lokale dhe një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun.

Mediat sociale janë bërë pothuajse të domosdoshme, sepse u lejojnë artistëve të komunikojnë drejtpërdrejt me fansat. Megjithatë, transmetimi mbetet një lojë më pasive, ku artistët janë njëkohësisht krijues dhe përdorues, të ftuar të luajnë sipas rregullave të platformës.

Transmetimi u pa fillimisht si një zgjidhje ndaj piraterisë dhe një shpresë për rimëkëmbjen e industrisë muzikore. Por problemi kryesor mbetet rishpërndarja e fitimeve dhe e ekspozimit. Teknologjia, sipas Porcaro-s, pasqyron të njëjtat pabarazi strukturore që kanë ekzistuar gjithmonë.

Megjithatë, ai mbetet optimist për të ardhmen e muzikës. Historikisht, risitë kanë ardhur nga nënkulturat, të cilat më pas janë bërë pjesë e rrymës kryesore. Ky cikël, sado i vështirë për t’u thyer, vazhdon të prodhojë forma të reja shprehjeje muzikore.

Jordi Pérez Colomé është gazetar, autor dhe pedagog spanjoll i njohur, i specializuar në politikën ndërkombëtare, teknologjinë , veçanërisht inteligjencën artificiale dhe politikën e Shteteve të Bashkuara. Ai shkruan për gazetën El País dhe është autor i disa librave.

The post Kush vendos për muzikën që dëgjojmë? appeared first on Gazeta Si.

❌
❌