PARIS, 3 janar /ATSH-AFP/ – Parregullsia e zgjedhjeve, embargoja e naftës, trafiku i drogës dhe migrimi: Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela nën presidencën e Nicolas Maduro, ku Donald Trump njoftoi sot se kishte nisur një “sulm në shkallë të gjerë”, kanë pasur shumë pika mosmarrëveshjeje që nga viti 2013.
Një kujtesë për mosmarrëveshjet kryesore:
– Demokracia –
Uashingtoni, si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, nuk e njeh legjitimitetin e socialistit Nicolas Maduro për të kryesuar vendin.
Pas shtypjes së dhunshme të demonstratave pas zgjedhjeve të tij të para në vitin 2013, Shtetet e Bashkuara sanksionuan disa zyrtarë të lartë venezuelianë për shkelje të të drejtave të njeriut. Ata e konsideruan rizgjedhjen e tij në vitin 2018 “të paligjshme”, si dhe rizgjedhjen e tij në vitin 2024, të cilën opozita pretendon se e ka fituar.
Midis viteve 2019 dhe 2023, Uashingtoni, i ndjekur nga rreth 60 vende të tjera, madje e njohën udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si “president të përkohshëm”, duke shkaktuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të Karakasit.
– Akuza për ndërhyrje –
Venezuela ka akuzuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje. Në vitin 2019, pas një tentative kryengritjeje ushtarake, Nicolas Maduro pretendoi se Uashingtoni kishte urdhëruar “një grusht shteti fashist”.
Vitin pasardhës, presidenti venezuelian akuzoi homologun e tij amerikan, Donald Trump, se kishte “drejtuar drejtpërdrejt” një tentativë “inkursioni të armatosur” nga deti, në të cilën morën pjesë dy ish-ushtarë amerikanë. Uashingtoni mohoi çdo përfshirje.
“Jo grushteve të shtetit të orkestruara nga CIA”, deklaroi Nicolas Maduro në tetor, pasi Donald Trump tha se kishte autorizuar operacione klandestine kundër Venezuelës.
– Embargoja e naftës e SHBA-së –
Me qëllim mbytjen ekonomike të vendit dhe rrëzimin e Nicolas Maduros nga pushteti, Uashingtoni vendosi një embargo ndaj naftës venezueliane në vitin 2019, duke goditur pikërisht shtyllën e ekonomisë së brishtë të Venezuelës.
Para se embargoja të hynte në fuqi, nafta përfaqësonte 96% të të ardhurave kombëtare dhe tre të katërtat e të ardhurave nga nafta vinin nga klientët amerikanë.
Vendi tani e shet prodhimin e tij të naftës në tregun e zi me çmime dukshëm më të ulëta, kryesisht në Kinë. Në javët e fundit, Uashingtoni njoftoi një “bllokadë totale” kundër “cisternave të sanksionuara” që shkojnë ose largohen nga Venezuela – një “kërcënim grotesk” në sytë e Karakasit – dhe sekuestroi disa anije.
Këtë vit, Donald Trump i dha fund licencave të operimit që lejonin kompanitë shumëkombëshe të operonin pavarësisht sanksioneve. Kompania amerikane ”Chevron” ka mbajtur një licencë të veçantë që nga korriku.
Nga 3,5 milionë fuçi në ditë në vitin 2008, prodhimi ka rënë në më pak se një milion fuçi në ditë sot, sipas OPEC-ut, për shkak të sanksioneve të SHBA-së dhe rënies së sektorit të nxjerrjes, të rrënuar nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi.
Venezuela, e cila përjetoi një krizë të rëndë ekonomike midis viteve 2014 dhe 2021, mbetet në një situatë të pasigurt, për të cilën Maduro fajëson sanksionet e vendosura nga Uashingtoni.
– Akuza për trafikim droge –
Në mars të vitit 2020, Nicolas Maduro u padit në Shtetet e Bashkuara me akuzën e “narkoterrorizmit” dhe Uashingtoni ofroi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacionin që çoi në arrestimin e tij.
Kjo shpërblim u rrit në 25 milionë dollarë nga Uashingtoni në fillim të vitit 2025, pas inaugurimit të presidentit venezuelian për një mandat të tretë, dhe më pas në 50 milionë dollarë në gusht, përpara se Shtetet e Bashkuara të vendosnin një forcë të konsiderueshme ushtarake në Detin e Karaibeve dhe të nisnin sulme kundër të dyshuarve për trafikantë droge.
Uashingtoni akuzon Nicolás Maduron se udhëheq “Kartelin e Diejve”, ekzistenca e të cilit mbetet e pavërtetuar sipas shumë ekspertëve. Maduro e mohon këtë dhe akuzon Uashingtonin se po përpiqet të sekuestrojë naftën venezueliane.
– Migrantët –
Donald Trump, i cili e bëri luftën kundër imigracionit një përparësi të mandatit të tij të dytë, kritikon Karakasin për mbërritjen e një numri të madh migrantësh venezuelas. Ai e akuzon atë se ka “shtyrë” “qindra mijëra njerëz nga burgjet”, si dhe “pacientë të spitaleve psikiatrike” drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas OKB-së, rreth tetë milionë venezuelianë – rreth një e katërta e popullsisë – kanë ikur nga kriza ekonomike dhe politike që nga viti 2014, shumica në vendet e Amerikës Latine, të tjerët në Shtetet e Bashkuara.
Donald Trump revokoi Statusin e Mbrojtur të Përkohshëm të dhënë qindra mijëra venezuelianëve për shkak të krizës në vendin e tyre dhe deportoi disa mijëra të tjerë këtë vit.
Në pranverë, Shtetet e Bashkuara dërguan 252 venezuelianë në një burg në El Salvador, duke i akuzuar ata pa prova ose gjyq për anëtarësim në bandat. Ata kaluan katër muaj atje përpara se të riatdhesoheshin në Karakas, i cili, së bashku me OJQ-të, denoncoi “torturën” që pësuan në paraburgim./ a.jor.
The post FISHË TEKNIKE – Mosmarrëveshjet kryesore SHBA-Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.