Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

SHBA nis sulmet ajrore kundër ISIS në Siri

10 January 2026 at 22:25

Ushtria amerikane ka nisur sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik (ISIS) në Siri. Operacioni shënon herën e dytë që ushtria amerikane ka goditur objektiva të Shtetit Islamik në Siri që nga 19 dhjetori, pas vrasjes së dy ushtarëve të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe përkthyesit të tyre amerikan nga një person i armatosur i vetëm i ISIS.

Sulmet vijnë ndërsa i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, tha se u takua në Damask me udhëheqjen e re të Sirisë për të diskutuar të ardhmen e vendit.

“Sot, në emër të presidentit Donald J. Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, u takova me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani dhe anëtarët e ekipit të tyre në Damask”, shkroi Barrack.

Barrack tha se bisedimet u përqendruan në “zhvillimet e fundit në Alepo dhe rrugën më të gjerë përpara për tranzicionin historik të Sirisë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “mirëpresin tranzicionin historik të Sirisë dhe i ofrojnë mbështetjen e tyre qeverisë siriane nën presidentin Ahmed al-Sharaa”.

Presidenti Trump: Irani po kërkon liri, SHBA është gati të ndihmojë

10 January 2026 at 22:11

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se iranianët po “kërkojnë liri”, ndërsa protestat vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin, duke shtuar se Washingtoni është gati të ofrojë mbështetje.

“Irani po kërkon liri, ndoshta si kurrë më parë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar, “SHBA janë gati të ndihmojnë!!!”

Demonstratat filluan më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më vonë u përhapën në disa qytete.

Trump tha se Irani ishte “në telashe të mëdha” ndërsa trazirat u përshkallëzuan, duke shtuar se Uashingtoni po monitoronte nga afër zhvillimet dhe po i paralajmëronte autoritetet të mos përdorin forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve.

Presidenti amerikan madje ka paralajmëruar ndërhyrje nëse autoritetet iraniane vazhdojnë të ushtrojnë dhunë në protestues.

Gurët e shtëpisë time/ Në Borsh, 40 rrënjë ullinj për t’u martuar, tregti me hebrenjtë, jepnin qitro dhe merrnin grurë

10 January 2026 at 21:54

Borshi është “qendra e botës” për borshiotët. Kryeplaku Ridvan Hajdini, na tregon për historinë e Borshit, nga Bizanti, në katolicizëm dhe më pas pushtimi osman i kalasë së Borshit dhe shekujt nën okupim. Kontrolli i kalasë kalon nga borshioti Haxhi Bedo tek Ali Pashë Tepelena, që e kthen në një fortesë shumë të fuqishme në detin e jugut.

Në vitin 1914, Borshi digjet nga trupat greke. Borshioti Naim Kelleçi, na thotë se djegia e Borshit u bë në emër të fesë, por në të vërtetë, bashkëjetesa fetare dhe miqësia me himarjotët, këtu ka qenë e veçantë. Borshiotët ishin të pasur, me ar, toka, ullinj dhe agrume.

Borshiotët janë njerëz punëtorë dhe të zotë dhe toka këtu është pjellore. Zonjat e Borshit ishin ndër gratë e emancipuara të kohës, ndërkohë që lulëzonte edhe tregtia me hebrenjtë, që blinin qitro dhe shisnin grurë tek borshiotët.

Flamuri kuq e zi valëvitet në kalanë e Borshit dhe një borshiot e vendos vazhdimisht në kala.

Pas viteve ’90, emigracioni prek fshatin masivisht. Naim Kelleçi, është një ish-emigrant në Greqi që është kthyer.

“Malli dhe dashuria për vendin, shpresë për kthim,” thotë ai.

Mikaela Lala, një vajzë e re, menaxhere biznesi, na tregon se babai i saj u kthye nga emigracioni dhe hapi biznes këtu. E bija u shkollua për menaxhim biznesi dhe tani drejton hotelin dhe restorantin. Këtu është vija bregdetare më e madhe në zonë.

“Në bregdetin e jugut nuk ka asnjë plazh kaq të gjerë”, na thonë borshiotët. E folura e Borshit është gjithashtu e veçantë, ku Y zëvendësohet me I. Tradita e ullirit është gjithashtu e veçantë. Dikur duhet të kishe 40 rrënjë ullinj për t’u martuar.

Borshi, mes malit dhe detit, me këtë det të mrekullueshëm, ka edhe banorë mikpritës që e bëjnë të veçantë.

VIDEO/ Reshje dëbore intensive në Qafë Thanë, borëpastrueset në terren

10 January 2026 at 21:51

Reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë rinisur në zonën e Qafë Thanës, në territorin e Pogradecit. Aktualisht, lëvizja e mjeteve kryhet pa përdorimin e zinxhirëve, ndërsa kontraktorët janë në terren duke kryer kriposjen dhe pastrimin e vazhdueshëm të aksit rrugor.

Saktësohet se, pas bllokimit të aksit Qukës–Qafë Plloçë katër ditë më parë si pasojë e rrëshqitjeve të inerteve, Qafë Thana mbetet aktualisht i vetmi aks i hapur që lidh juglindjen e vendit me Shqipërinë e mesme, duke e bërë këtë segment jetik për qarkullimin.

Sipas parashikimeve, reshjet e dëborës pritet të vijojnë edhe në orët në vijim. Për garantimin e qarkullimit, në këtë aks janë vënë në shërbim disa mjete borëpastruese, ndërsa temperaturat aktualisht shënojnë 0 gradë Celsius. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Studimi: 1 në 5 persona në Gjermani mendon të largohet nga vendi

10 January 2026 at 21:41

Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, një në pesë persona në Gjermani po mendon të largohet nga vendi.

Studimi zbuloi se 21 për qind e popullsisë së Gjermanisë po shqyrton mundësinë e largimit nga vendi, përfshirë 34 për qind e personave me prejardhje migrante dhe 37 për qind të fëmijëve të tyre.

Qendra Gjermane për Studime të Integrimit dhe Migracionit (DeZIM) e kreu studimin midis viteve 2024 dhe 2025 me 2.933 pjesëmarrës.

Nga personat pa prejardhje migrante, 17 për qind po mendojnë të largohen nga Gjermania, ndërsa 31 për qind e atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe 28 për qind e atyre nga vendet e tjera të BE-së raportuan të njëjtën gjë.

Arsyeja më e shpeshtë e përmendur për emigrim në të gjitha grupet ishte dëshira për një “cilësi më të lartë jete”.

Për personat me prejardhje migrante, përvojat e diskriminimit gjithashtu luajtën rol.

U raportua se 25 për qind e pjesëmarrësve nga Turqia dhe nga rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përmendën përvojat e diskriminimit si arsye për të menduar largimin.

Fabio Best, studiues në DeZIM, theksoi se të dhënat tregojnë se dëshira për t’u larguar nga Gjermania mbetet e lartë.

“Sidomos te personat me prejardhje migrante dhe fëmijët e tyre, kërkimi për kushte më të mira jetese, së bashku me perceptimet për diskriminim, luan një rol të rëndësishëm”, tha ai.

Katastrofa e Kurbinit/ Rrëfehet banori i fshatit Adriatik: Kam humbur gjithçka, çfarë më bëri perëndia

10 January 2026 at 20:46

KURBIN- Në fshatin Adriatik të Kurbinit, uji nuk ka kursyer asgjë. Mes baltës dhe përmbytjes që duket se nuk ka fund, Ndue Preni qëndron përballë asaj që deri pak ditë më parë ishte mundi i një jete të tërë. Sot, gjithçka është nën ujë.

As veshjet e pajisjet nuk shërbejnë, pasi uji I kalon mbi një metër. Brenda shtëpisë, orenditë, pajisjet elektroshtepiake dhe çdo send i përditshëm tashmë janë të dala jashtë përdorimit.

“Çdo gjë ka mbaruar, gjithçka është nën ujë. Jemi mbi 60 centimetra ujë brenda shtëpisë”, tha ai.

Magazina, dikur e mbushur dhe funksionale, sot ofron një pamje e trishtë.

“Kjo ka qenë magazinë e kompletuar, sot gjithçka lundron. Çdo gjë është jashtë përdorimit”, shtoi banori.

Rruga vijon drejt stallave të bagëtive. Edhe aty, baza ushqimore është e gjitha nën ujë. Disa shpendë kanë arritur të ngjiten mbi dru për t’i shpëtuar përmbytjes, ndërsa të tjerë kanë mbetur prej ditësh pa ushqim.

“Shiko pulat, të gjorat. Katër ditë nën pushtetin e ujit. Qëndrojnë mbi dru për të shpëtuar”, u shpreh Preni.

Jo të gjitha bagëtitë kanë pasur fat. Ndue Preni rrëfen se dele dhe derra kanë ngordhur, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e bagëtive ka mundur të shpëtohet.

“I kam pasur për të jetuar me to… Perëndia na mori me qafe. Kam vuajtur me sakrificë për këtë punë dhe përfundova në zero” , theksoi banori i prekur nga përmbytjet”, nënvizoi ai.

Sipas tij, përmbytjet në zonën e Adriatikut kanë disa ditë që vijojnë, ndërsa niveli i ujit vetëm rritet. Ai ngre shqetësimin për funksionimin e hidrovorëve dhe gjendjen e kanaleve kulluese.

“Hidrovori punon me kapacitet të dobët. Kanalet janë në gjendje shumë të keqe, kanë nevojë për pastrime”, tha ai.

Mes ujit, baltës e dëshpërimit, Ndue Prendi, shpreson në tërheqjen e ujit dhe ndihmën nga shteti/abcnews.al

Vjosa, bekim dhe mallkim/ Beteja shekullore mes njerëzve dhe lumit të egër të Europës

10 January 2026 at 20:37

Lumi i vetëm i egër i Europës, demonstroi forcën edhe njëherë tjetër. Dhjetëra banorë në Ferras, Çerven, Kashisht dhe Mallakastër u evakuuan për t’i paraprirë incidenteve apo fatkeqësive.

Në pritje të lajmeve për motin, banorët e zonave të prekura rrëfejnë se si përballen me furinë e lumit ndër dekada.

Vjosa me ujërat e saj të kristalta, pasuron tokat e zonave ku kalon dhe në Fier, nuk është rastësi, që zonat me bujqësi të zhvilluar, janë Levani dhe Frakulla. Siat Bana, 84 vjeç banor i fshatit Ferras, ka përjetuar gjatë gjithë jetës së tij, përmbytjet nga Vjosa.

Ai, kujton përmbytjen e 31 dhjetorit te vitit 1970 por edhe rrëfimin e gjyshit të tij për vërshimet e viteve 1930, kur banorët qëndronin edhe majë pemëve deri në tërheqjen e ujërave

Pas përmbytjeve të një dekade më parë, në vitet 2013-2017,  në Fier u përforcuan argjinaturat dhe sistemi kullues. Megjithatë, me një lumë të egër si Vjosa, masat mbrojtëse, mbeten gjithmonë të pamjaftueshme.

Vjosa buron nga malet e Pindit në Greqi. Është lumi i vetëm i egër në Europë dhe është shpallur Park Kombëtar si pasuri botërore natyrore.

Shqipëria nën ujë/ Specialisti i mjedisit: Ndikimi njerëzor, një nga arsyet e daljes së Vjosës nga shtrati

10 January 2026 at 20:23

SHQIPËRI- Puntatën e kësaj të shtune, “Korrespondent” udhëtoi për në urën e Mifolit, aty ku lumi Vjosa dy ditë më parë doli nga shtrati duke shkaktuar pasoja të shumta në banesa si dhe toka bujqësore.

Specialisti i mjedisit, Viron Balla, shprehet se ky fenomen natyror nuk është hera e parë që ndodh.

“Dikur, në të gjithë gjatësinë e Vjosës, nuk lejoheshin të bëheshin ndërtime, sepse rreziku ishte i madh. Më parë, edhe kulturat bujqësore ishin sezonale, pranverë-vjeshtë. Zona përgjatë Vjosës ka qenë me risk për përmbytjes. Pas ’90-ës pati një lloj shfrenimi nga fermerët, që morën tokat në këtë zonë dhe nuk menduan shumë gjatë për bizneset dhe ndërtimet që u bënë këtu. Një ndër problemet e tjera, që solli pasoja, ka qenë dhe ndikimi njerëzor. Në shtratin e lumit Vjosë, pati subjekte që shfrytëzonin për inerte shtratin e këtij lumi,” tha Balla.

Ai apelon që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm sa i përket riskut të përmbytjeve. Disa nga përmbytjet më të mëdha në vend janë ato të viteve 1970, 1981, 2009, 2010, 2015 dhe 2017, kjo e fundit me prurjet më të mëdha dhe pasoja katastrofike. Më pas, specialisti tha se ndërhyrjet me ndërtimin e argjinaturave zvogëluan përmasat e dëmeve në banesa.

“Njerëzit duhet të bëhen të ndërgjegjshëm sa i përket riskut të përmbytjeve nga ky lum. Disa nga përmbytjet më të mëdha janë ato të 1970, 1981, 2009, 2010, 2015, 2017, e cila ishte një nga prurjet më të mëdha dhe më pasoja katastrofike. Më pas u ndërhy.

Ndërtimi i argjinaturave zvogëloi përmasat e dëmeve në banesa. Ishte e gabuar vendosja e shumë ndërtimeve në distancat pranë lumit Vjosë. Duhet që edhe vetë njerëzit të përgatiten, sepse shumë nga kanalet që janë brenda fshatit ishin të bllokuara nga vetë fshatarët. Duhet ndërgjegjësim, por edhe përgjegjshmëri dhe të vlerësojnë informacionin që marrin nga institucionet tona”, tha ai.

Specialisti nënvizon se vendosja e ndërtimeve pranë lumit ishte e gabuar dhe qytetarët duhet të përgatiten, pasi shumë kanale brenda fshatrave janë të bllokuara nga vetë banorët.

Pas përmbytjeve në 2017, eksperti theksoi se Bashkia Fier hartoi një projekt mbrojtës, i mbështetur dhe financuar nga qeveria shqiptare, realizimi i të cilit ndikoi pozitivisht në minimizimin e dëmeve.

“Nga mësimet e nxjerra në 2017, Bashkia Fier hartoi projektin mbrojtës dhe që u mbështet nga qeveria shqiptare. Natyra do bëjë punën e vet; këto janë fenomene që kanë përsëritje ciklike. Ajo që duhet të bëjmë ne, është të ndërgjegjësohemi dhe të kalojmë situata të tilla, dhe që të kemi sa më pak dëme.”, theksoi ai./abcnews.al

Aksident me vdekje në Lushnjë/ Makina merr para 60-vjeçarin, pranga shoferit

10 January 2026 at 19:43

LUSHNJË- Rreth orës 18:50, në aksin rrugor “Berat-Lushnjë”, një 34 vjeçar, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur një këmbësor rreth 60 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spital.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit/abcnews.al

Berisha në bulevard…pas shiut/ Doktori me grip, thërret protestë në 24 janar

10 January 2026 at 19:29

Pas shiut, në Shqipëri priten rënie temperaturash, kurse ngrica në PD sapo ka filluar. Në Tiranë, Berisha mblodhi kryesinë, me zë të ngjirur e golf të zi, njoftoi protestën e parë për këtë vit.

“Në datë 24, protestë, Rama duhet të bjerë 1 minutë e më parë”, tha Berisha.

Minutat, u bënë orë, u bënë ditë. Rënia e Ramës shtyhet me 2 javë. Protesta pa doktorin me grip s’ka kuptim. 24-a bie pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për padinë e Ramës dhe mbledhjes së Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, por doktorin e shqetëson vetëm një datë e afërt.

“21 janari ishte akt prej burracaku i Edi Ramës. Jo. Sali Berisha nuk vjen në pushtet me dhunë”, pohoi ai.

Berisha thotë se shtyrjen e protestës nuk e solli ai, e solli Rama, se po lë shqiptarët edhe pa veshur në të ftohtë.

“Digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës. Po qindra mijëra shqiptarë, që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë që visheshin nga ai treg, tani ai nk kanë mundësi të vishen, nuk kanë mundësi të blejnë rroba ashtu siç ishin”, pohoi Berisha.

Por 2 javë, i japin Berishës kohë të shpresojë se të rinjtë më nuk do e refuzojnë.

“Mungoi Lapaj, i cili, të cilin unë e kam përgëzuar dhe e përgëzoj për protestën e tij të vazhdueshme para Këshillit të Ministrave. Për të tjerët, në qoftë se janë të vendosur të ose duan të luftojnë të keqen Rama, vendin e kanë të hapur. Pastaj vendimet i marrin vetë.”, theksoi Berisha.

Në mbledhjen e Kryesisë i vetëpërjashtuari Salianji Mungoi. Ai shkoi në Korçën me dëborë, për të mbajtur foltoren e parë për këtë vit. Në sallën plot, Salianjit i munguan vetëm deputetët, por jo struktura dhe të rinjtë.

“Ja që nuk e pengon as bora, as ngrica, që Korça të jetë vullkan. Që kemi njerëz dhe jashtë, më falni që nuk e përllogarita ta bënim takimin në pallat sporti, apo në shesh. Kjo ngroh shpirtin e çdo demokrati. Gjithë PD e Korçës është këtu”, u shpreh Salianji.

Salianji tha se si Berisha dhe Rama janë shqetësuar për takimet e tij me demokratët. Ftesat dhe vetëpërjashtimet e doktorit, i sheh si paqartësi, por vetë është shumë i qartë.

”Mir votat na i vjedh, po sheshet kush na i vjedh që ska njerëz. Lidershipi është i paqartë, paradite ofrojnë bashkim, pasdite përjashtim. Paradite mbështesin spak, pasdite e shajnë me libër shpie.  As nuk kam plan të ndaloj në takimet me demokratët. Rrugën pa kthim për ripërtëritjen e ringritjen e PD. Unë kam bërë burg për këtë parti”, tha Salianji.

Si Berisha, si Salianji u munduan të merrnin vëmendjen e shqiptarëve me serinë e parë të telenovelës së tyre blu në këtë vit të ri, por sërish si ditë e shtunë, primen nuk e kapin dot. Atë e kap një demokrat tjetër, Ilir Vrenozi në mbrëmjen e kësaj fundjave në Big Brother.

Vetëm se Vrenozi, në izolim, nuk po merret as me Berishën e as me Salianjin, mesa duket ka kuptuar se gara për të qenë i dyti, nuk të bën fitues të çmimit të parë./abcnews.al

VIDEO/ Lokali shkrumbohet nga flakët në Durrës, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

10 January 2026 at 19:06

Një lokal është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune. Ngjarja është regjistruar në zonën e sektor Hamallaj, rreth orës 02:00 të mëngjesit. ABC News ka siguruar pamjet nga një kamera sigurie, ku shihen momentet që lokali është përfshirë nga flakët.

Pamjet tregojnë se gjithçka është shkrumbuar totalisht. Lokali është në pronësi të  Xhevdet Çhullaj, i cili dyshon për zjarrvënie të qëllimshme.

“Rreth orës 02:00 të mëngjesit u lajmërova se lokali është përfshirë në flakë. Kur shkuam aty nuk mundëm të bënim asgjë. Gjithçka kishte përfunduar. Nuk dua të dal në përfundime, por kam dyshime se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.

Kërkoj nga policia që të shkojë hetimeve deri në fund dhe të vihen para përgjegjësisë autorët. Kam konflikte dhe këtë e kam deklaruar edhe në polici. Kam besim tek policia që ta zbardhë këtë ngjarje. Mbase ka qenë edhe ndonjë shkëndijë elektrike, por unë dyshoj te zjarrvënia e qëllimshme,” tha për ABC News Xhevdet Çhullaj.

Ndërkohë, burime nga Policia e Durrësit thonë se janë marrë disa persona në pyetje si persona që kanë dijeni për ngjarjen, por edhe të dyshuar.

Rrezik orteku/ Rruga “Bogë-Qafë Thore-Theth” do mbahet e bllokuar gjatë natës

10 January 2026 at 18:45

SHKODËR- Autoritetet kanë njoftuar se segmenti rrugor “Bogë-Qafë Thore-Theth” do të mbahet i bllokuar gjatë natës, për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës.

Sipas autoriteteve bllokimi i saj do të bëhet për të garantuar sigurinë e drejtuesve të automjeteve dhe pasagjerëve.

Kalimi i mjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe gjithmonë në shoqërim të mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore.

Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të respektojnë ndalesën dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë segment rrugor, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike./abcnews.al

Iran, shkon në 65 numri i të vdekurve nga protestat

10 January 2026 at 18:07

Numri i personave që kanë humbur jetën në protestat në Iran është rritur në 65, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA).

Raporti, i publikuar në faqen e internetit të grupit me bazë në SHBA, thotë se demonstratat kanë zgjatur 13 ditë rresht, duke u zhvilluar në 512 vende në 180 qytete në të gjitha 31 provincat iraniane, duke rezultuar në vdekjen e 50 protestuesve, 14 zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe sigurisë, si dhe një civili të lidhur me qeverinë.

Demonstratat gjithashtu kanë çuar në dhjetëra të plagosur dhe 2.311 persona të arrestuar. Sipas raportit, plagosjet janë shkaktuar kryesisht nga të shtëna me fishekë dhe plumba plastikë.

Autoritetet nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë lidhur me të vrarët ose të plagosurit.

Irani ka përjetuar një valë protestash që nga fundi i dhjetorit, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Demonstratat nisën më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më pas u zgjeruan në disa qytete.

Dje, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani është “në telashe të mëdha” ndërsa protestat po përhapen dhe theksoi se SHBA-ja po i ndjek nga afër zhvillimet dhe paralajmëroi autoritetet të mos përdorin forcë vdekjeprurëse.

Irani ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave, me zyrtarë që paralajmërojnë se forcat e sigurisë dhe gjyqësori “nuk do të tregojnë asnjë tolerancë ndaj sabotuesve”.

Reshjet e shiut dhe dëborës/ Rama: ARRSH po punon pa ndërprerje për të mbajtur akset rrugore të hapura

10 January 2026 at 17:41

SHQIPËRI- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë në terren pa ndërprerje, duke punuar për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Sipas Ramës, për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shiut dhe dëborës, janë angazhuar qindra punonjës dhe mjete të specializuara. Konkretisht, siç thotë Rama, në terren ndodhen 130 mjete borëpastruese, 577 mjete të tjera ndihmëse dhe rreth 800 punonjës.

Gjithashtu, për mirëmbajtjen e rrugëve janë siguruar 5 300 tonë kripë dhe 1 800 tonë granil, me qëllim garantimin e qarkullimit normal dhe sigurisë rrugore.

Kryeministri u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat ku ka prezencë të dëborës./abcnews.al

Reshje shiu, breshër dhe dëborë/ Policia apel drejtuesve të mjeteve: Shmangni lëvizjet e panevojshme

10 January 2026 at 17:11

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, me reshje shiu, breshër dhe dëborë në disa zona të vendit, Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Në veçanti, në zonat malore, drejtuesit e mjeteve këshillohen të pajisin automjetet me goma dimërore si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në kushte të vështira.

Policia kërkon nga drejtuesit kujdes të shtuar në qarkullim, të ulin shpejtësinë si dhe të shmangin parakalimet e gabuara.

Përmbytjet/ Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve

10 January 2026 at 16:52

Forcat e Armatosura vijojnë me intensitet dhe pa ndërprerje angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin.
Efektivë të Komandës Mbështetëse, Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore janë dislokuar në zonat e prekura nga përmbytjet, në ndihmë të komuniteteve.

Aktualisht, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në qarqet Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente.

Në Durrës janë angazhuar 62 efektivë, 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate, 7 motopompa, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.
Në Gjirokastër janë angazhuar 34 efektivë, ndërsa një motopompë po ndihmon forcat për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”.
Në fshatin Obot, në Shkodër, po punojnë 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë, në ndihmë të komunitetit.

Ndërkohë, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenierik për pastrimin e rrugëve, me angazhimin e 3 efektivëve dhe 2 mjeteve.

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

❌
❌