Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Përfundon numërimi në katër komuna - LVV kryeson në tri prej tyre

28 December 2025 at 21:36


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave nga vendvotimet ku deri më tani janë procesuar 90,89% e të gjitha votave apo 2,324 vendvotime nga 2,557 sa janë gjithsejtë.

Si rrjedhojë numërimi është përmbyllur në katër komuna: Gjakovë, Dragash, Junik dhe Mamushë.

Në Gjakovë LVV është e para me 53,88% apo 22 mijë e 491 vota. Edhe në Dragash LVV është e para me 37,94% apo 4 mijë e 682 vota.

Kujtojmë se këto dy komuna në nivel lokal drejtohen nga AAK dhe LDK të cilat në zgjedhjet e sotme janë renditur të dytat.

Në Junik gjithashtu e para ka dalur LVV me 36,08% apo 779 vota duke lënë pas AAK me 32.05% apo 692 vota.

Kurse në Mamushë e para është KDTP me 67,48% apo 1 mijë e 942 vota, kurse LVV është e dyta me 19.49% apo 561 vota.

Kujtojmë se këto janë rezultate preliminare dhe se ato zyrtare do të konfirmohen në ditët në vijim. /Telegrafi/

Policia ndalon pesë persona në një veturë me targa serbe, tentuan të kalojnë ilegalisht kufirin në Gjilan

28 December 2025 at 21:04


Policia e Kosovës ka ndaluar pesë persona të cilët me një veturë me targa serbe që tentuan të kalojnë në mënyrë ilegale kufirin në fshatin Doberqan, pranë Gjilanit.

Sipas një përgjigje për Telegrafin, patrulla policore ka ndërhyrë rreth orës 05:50, duke ndaluar veturën ku udhëtonin pesë persona.

Pas dërgimit në gjykatë dhe shqiptimit të gjobës, të njëjtit janë dërguar në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.

“Me datë 28.12.2025 rreth orës 05:50 patrulla e policore nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Gjilan, në fshatin Doberqan, kanë ndalur një veturë me targa të Serbisë që kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale. Në veturë janë hasur pesë persona të cilët pas dërgimit në gjykatë dhe pas shqiptimit të gjobës, janë dërguar në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas raportimeve mediatike, së paku njëri nga personat e ndaluar është ish-pjesëtar i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe dyshohet se mbështet informacionet për planet e Serbisë që mund të cenojnë procesin zgjedhor. /Telegrafi/

Prokurori i Shtetit: Asnjë person nuk është ndaluar për vepra penale gjatë procesit zgjedhor

28 December 2025 at 20:54


Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se deri në mbylljen e procesit të votimit, nuk është ndaluar asnjë person për vepra penale kundër të drejtave të votimit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rreth 100 prokurorë dhe personel të sistemit prokurorial kanë punuar gjatë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Prokuroria ka marrë disa informata gjatë ditës dhe pas verifikimit të tyre, është konstatuar se vetëm pesë raste paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale. Të gjithë të dyshuarit në këto raste janë liruar në procedurë të rregullt.

“Rasti i parë është në Ranillug – Gjian për veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’, ku e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i dytë në Zhegër – Gjilan, për veprat penale ‘Pengim i procesit të votimit’ dhe ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i tretë në Prizren për ‘Asgjësimin e dokumenteve të votimit’, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe rasti i katërt në Drenas për ‘Cenimin e fshehtësisë së votimit’ dhe rasti i pestë në Suharekë për të njëjtën vepër, të dy janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kujdeset për procesin gjatë numërimit të votave në vendvotime dhe deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale.

Në fund të njoftimit, Zyra e Kryeprokurorit falënderoi qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile.

“Faleminderit qytetarëve të Republikës së Kosovës, mediave dhe shoqërisë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Aksident tragjik në Ferizaj, humb jetën një 19 vjeçare

28 December 2025 at 20:30


Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 17:20 në fshatin Greme të Ferizajt.

Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, pasagjerja e veturës një femër rreth 19 vjeçe, ka humbur jetën dhe vdekja e saj është konfirmuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

"Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën (një femër rreth 19 vjeçe, pasagjere në veturë). Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes", ka thënë Veseli.

Shoferi i automjetit, një mashkull 20-vjeç, ka pësuar lëndime trupore dhe po trajtohet aktualisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë së Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, si dhe një ekip zjarrfikësish, për të ekzaminuar rrethanat e aksidentit.

"Për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes", tha ai. /Telegrafi/

Haradinaj: AAK e gatshme të bashkëpunojë me PDK-në dhe LDK-në për qeverinë

28 December 2025 at 20:24


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në një konferencë pas mbylljes së vendvotimeve për të komentuar rezultatet preliminare dhe procesin zgjedhor.

Ai theksoi gatishmërinë e partisë së tij për të bashkëpunuar me partitë opozitare në krijimin e institucioneve të reja.

“AAK nuk ka vënë kushte dhe nuk vendos kushte për opozitën. LDK dhe PDK e kanë një partner dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta për t’i dhënë vendit një qeveri”, tha Haradinaj.

Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e diasporës në këtë proces.

“Sot ka fituar demokracia jonë. Ju falënderoj që e mbani gjallë demokracinë, falënderim diasporës tonë që edhe kanë votuar atje dhe kanë ardhur këtu me votuar”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj komentoi gjithashtu rezultatet preliminare të zgjedhjeve.

“Për ne është konfirmuar rezultati 8%, që është rreth 9 mandate. E presim rezultatin final, numërin e të gjitha votave dhe si i tillë ky rezultat na bën krenar.”

Ai gjithashtu komentoi situatën politike dhe bllokadën e mëparshme.

“Jemi ballafaquar me partinë në shtet tash e pesë vjet dhe përkundër zhvillimeve që kanë ndodhur, shihet që bllokada 1-vjeçare e Kurtit nuk jep rezultatin e pritur prej tij. Ende jemi në një situatë të njëjtë. Ne jemi dakord që të veprohet me shpejtësi për të krijuar institucionet. Për të pasur qeveri, Kosova duhet të presë një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, për shkak se bllokada është shkaktuar nga LVV e Kurtit”, tha Haradinaj. /Telegrafi/

Pjesëmarrje rekord në zgjedhjet e 28 dhjetorit brenda Kosovës

28 December 2025 at 20:11


Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit do të mbeten në histori për shkak të pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës.

Sipas të dhënave të përpunuara nga mbi 99.57% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës arrin në 899,567.

Në përqindje, kjo do të thotë se 45% e votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Ky është një rekord i ri, duke e kaluar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, ku në vendvotime kishin votuar 871,662 qytetarë. Duke përfshirë edhe votat e diasporës dhe ato në përfaqësi, numri atëherë kishte arritur në total 966, 283.

Zgjedhjet e fundit kanë përkuar me periudhën e pushimeve, kur qindra mijëra qytetarë nga diaspora janë kthyer në Kosovë, një faktor që ka ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes dhe ka qenë temë kryesore gjatë javëve të fundit./Telegrafi/

"E treta e vërteta"- nisin festimet e simpatizantëve të LVV-së në Prishtinë

28 December 2025 at 20:06


Pas publikimit të rezultateve të para nga Exit Poll-et, simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku kanë nisur festimet.

Në shesh janë parë qytetarë të shumtë me flamuj dhe simbole të LVV-së, ndërsa atmosfera është festive.

Në mesin e tyre janë parë edhe automjete të dekoruara me sloganin politike dhe mesazhe mbështetësen për liderin e LVV-së, Albin Kurti që kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.

Festimet po zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa në terren janë të pranishme edhe njësitë e Policisë së Kosovës për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Rezultatet mbeten ende paraprake, ndërsa pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të publikojë të dhënat zyrtare në orët në vijim. /Telegrafi/

KQZ: Procesi zgjedhor ishte i qetë dhe i rregullt, pjesëmarrja 44.56% deri në orën 19:00

28 December 2025 at 19:47


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në konferencën për media pas mbylljes së vendvotimeve, ka deklaruar se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente që do të mund ta cenonin integritetin e zgjedhjeve.

"Deri në këtë kohë që po flasim nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin zgjedhor”, tha Radoniqi.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës kanë pasur vetëm disa probleme teknike me energjinë elektrike.

“Kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë në tri qendra votimi në Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit", u shpreh ai.

Sipas Radoniqit, këto probleme janë tejkaluar dhe se nga komunikimet tona me KEDS, në secilën qendër ka energji dhe do të vazhdojë të ketë.

Duke folur për pjesëmarrjen në votime, Radoniqi njoftoi se sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve, dalja në zgjedhje ishte 44.56%.

“Numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 19:00 është 819 mijë e 859 votues, apo 44.56 për qind", tha Radoniqi.

Ai krahasoi pjesëmarrjen edhe me zgjedhjet e kaluara.

“Në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues, ndërsa në rezultatet e certifikuara numri i përgjithshëm i votuesve kishte qenë 871 mijë e 662”, u shpreh Radoniqi.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave do të vazhdojë sipas procedurave ligjore, ndërsa rezultatet zyrtare do të publikohen në ueb faqen e KQZ./Telegrafi/

Si ndahen ulëset sipas Exit Poll-it: LVV 52 deputet, PDK 25, LDK 17 dhe AAK 6

28 December 2025 at 19:05


Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në tërë Kosovën. Menjëherë pas mbylljes kanë dalë edhe rezultatet e para nga Exit Poll-et.

Exit Poll-i i UBO Consulting ka renditur LVV-në të parën me 45.7% të votave, ku në bazë të kësaj ky subjekt do të ketë 52 deputetë.

E dyta është renditur PDK me 22.0% të votave, ku pritet të ketë 25 deputetë.

LDK është e treta me 15.6% të votave dhe mund të ketë 17 deputetë.

Kurse si parti e katërt është renditur AAK me 5.3% dhe e cila sipas këtyre rezultateve do të ketë 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/

Exit Poll-i i UBO Consulting: LVV kalon mbi 45%, PDK e LDK renditen pas saj

28 December 2025 at 19:00


Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga UBO Consulting në bashkëpunim RTV Dukagjinime, rezultatet e Exit Poll‑it tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prinë me rreth 45.7% të votave, duke u renditur e para në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me rreth 22.0% të përkrahjes, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zë vendin e tretë me rreth 15.6% të votave.

Rezultatet e sondazhit gjithashtu tregojnë një përqindje prej rreth 5.3% për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe përkrahje e vogël për Nisma Socialdemokrate 1.7%.

Exit‑poll‑i u realizua përmes një mostre të konsiderueshme ndër qytetarë gjatë ditës së votimit, dhe paraqet një pasqyrë paraprake të mundshme të rezultateve përpara përfundimit të numërimit zyrtar.

Valon Feka nga UBO-Consulting ka thënë se mostra është e madhe me rreth 9 mijë anketa në 80 qendra të votimit, me margjinë të gabimit 1%. /Telegrafi/

Zgjedhjet në veri pa incidente, Policia ndalon hyrjet ilegale nga Serbia

28 December 2025 at 18:28


Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka thënë KosovaPress-it, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.

“Kemi pasur disa raste të verifikimeve të ndryshme që i kemi bërë, si në Zubin Potok, Leposaviq, Soçanicë dhe në qytete të tjera, mirëpo nuk kemi ndonjë rast për ta theksuar. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KQZ-në dhe me Prokurorinë e Shtetit”, tha ai, derisa ka treguar për masat që kanë marrë për të mos hyrë ilegalisht nga Serbia për të votuar.

“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.

Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.

“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.

Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.

Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.

Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri. /kp/

Një orë para mbylljes së vendvotimeve, mbi 770 mijë qytetarë kanë votuar

28 December 2025 at 18:08


Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 18:00 ka arritur në 38.52%.

Nga gjithsej 1,999,204 votues të regjistruar në listën e votuesve, kanë votuar 770,079 qytetarë.

Vendvotimet e përpunuara deri tani janë 2,526 nga gjithsej 2,557, që përbën 98.79% të totalit, duke treguar se procesi i numërimit po ecën me shpejtësi.

Kjo shifër e pjesëmarrjes tregon një interes të shtuar të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit.

Vlen të theksohet se këto të dhëna përfshijnë vetëm votimet e rregullta dhe nuk përfshijnë votimet me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, apo votimin jashtë Kosovës.

Zgjedhjet po zhvillohen në kushte të qeta dhe procesi po monitorohet nga autoritetet përkatëse për të garantuar transparencën dhe legjitimitetin e tyre.

Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00. /Telegrafi/

LDK i bën thirrje qytetarëve: Mos humbni mundësinë për të votuar

28 December 2025 at 17:30


Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka falënderuar qytetarët që deri tani kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar dhe ka bërë apel që ata që nuk e kanë ushtruar ende këtë të drejtë ta bëjnë sa më shpejt.

“Falënderoj qytetarët që deri tani kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar. Nga këtu në këto pak orë që kanë mbetur, t’i ftoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë", tha Mustafa.

Ai gjithashtu theksoi se procesi i votimit po zhvillohet mirë në të gjitha komunat e vendit.

“Nga gjitha informatat nga terreni, procesi po ecën shumë mirë në të gjitha komunat", tha ai.

Besian Mustafa u bëri thirrje edhe atyre që janë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve që të vazhdojnë punën e tyre pa dallim partie.

“I bëjmë thirrje atyre që janë në proces të monitorimit të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre pa dallim partie”, u shpreh Mustafa. /Telegrafi/

Kurti thirrje qytetarëve: Sot secili prej nesh përcakton katër vitet e ardhshme

28 December 2025 at 17:07


Të paktën dy orë e gjysmë para mbylljes së vendvotimeve, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një thirrje të hapur për qytetarët që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.

Në një postim të tij në rrjetet sociale, Kurti tha “Janë më pak se dy orë e gjysmë nga koha kur do të mbyllën vendvotimet. Sa më e gjerë pjesëmarrja në zgjedhje aq më i madh legjitimiteti i institucioneve të ardhshme të vendit”.

Ai nënvizoi rëndësinë e çdo votuesi për të përcaktuar të ardhmen e vendit.

“Sot është dita kur secili prej nesh mund të jemi përcaktues për katër vitet e ardhshme. Prandaj, dilni dhe votoni, ftoni të gjithë miqtë, familjarët të dalin e të votojnë dhe në këtë mënyrë të bëhen pjesë e demokracisë dhe vendimmarrës”, u shpreh Kurti.

Kurti përfundoi mesazhin e tij me një thirrje.

“Dil dhe voto. Mos e le pa dalë. Mos e le për moment të fundit. Ju dua", ka shkruar Kurti. /Telegrafi/

Vlora prej tre ditësh pa ujë të pijshëm

28 December 2025 at 16:14


Një defekt në rrjetin e ujit të pijshëm ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej tre ditësh.

Situata ka krijuar shqetësim të madh te banorët, të cilët janë detyruar t’u drejtohen burimeve publike të ujit për të siguruar nevojat minimale ditore.

“Nga dita e djeshme realizuam një zgjidhje e cila dha sërisht problem. Pati një furnizim të shkurtër për zonën e Lungomares dhe zonën e bregdetit. Qyteti sërisht vuan furnizimin me ujë, avaria është shumë serioze, shumë e rëndë, e cila do kohën e vetë. Mendojm se në orën 5-6 mbazdite do filloj furnizimi, duke ardhur sërisht nga stacionet e prodhimit drejt Lungomares dhe më pas ti japim një zgjidhje depos së qytetit”, është shprehur një punonjës i Ujësjellësit të Kanalizimeve në Vlorë.

Me dhjetëra qytetarë shihen çdo ditë në radhë, duke pritur njëri pas tjetrit për të mbushur bidonë dhe enë me ujë, pasi në banesat e tyre mungon furnizimi. Sipas tyre, mungesa e ujit po vështirëson jetesën e përditshme, sidomos për familjet me fëmijë dhe të moshuar.

“Vlora ka një javë pa ujë, e meriton. Për një popull që nuk reagon që është “dele” kështu do vejë. Një popull që s’është opozitar për qeverinë, ka mbaruar”, është shprehur një qytetar i Vlorës për këtë situatë.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar për afatin e riparimit të defektit, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Situata mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

“Kemi tre ditë pa ujë. Taksat i paguajmë, ujin s’na i bjenë. Tre ditë skemi pikë ujë, taksat i paguajmë, çdo gjë i paguajmë, por ujë skemi”, është shprehur një qytetar tjetër. /euronews/

Haradinaj thirrje KEDS-it: Mos të ndërpritet energjia gjatë votimit dhe numërimit

28 December 2025 at 16:10


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media ka deklaruar se procesi zgjedhor po shkon shumë mirë dhe dalja e qytetarëve është e kënaqshme.

“Kanë mbetur më pak se tre orë. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar ende ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre,” tha Haradinaj.

Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur parregullsi të lajmëruara, por theksoi shqetësimin për ndërprerjet e energjisë.

“E dimë që ka pasur ndërprerje të energjisë, gjë që na shqetëson nëse ndodh tani kur të errësohet. I bëj thirrje KEDS-it dhe të gjitha institucioneve që të kenë kujdes që të mos ndërpritet rryma deri të mbyllet procesi i votimit, e po ashtu edhe gjatë numërimit, që të mos prishet ky proces zgjedhor", tha Haradinaj.

Haradinaj përfundoi duke uruar qytetarët dhe shtetin “I uroj Kosovës këto zgjedhje kaq të mira”, tha ai. /Telegrafi/

​Rasti në Zhegër, jep detaje policia në rajonin e Gjilanit

28 December 2025 at 16:00


Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se procesi zgjedhor në shtatë komunat e këtij rajoni po vijon pa incidente.

Hashani ka treguar për rastin e raportuar në një qendër votimi ne Zhegër, për çka tha se nuk ka rast policor, raporton KosovaPress.

"Një rast që është raportuar në Zhegër, po këtu nuk ka rast policor. Ku një person paska dashur të asistojë një familjar të vetin dhe ka pasur fjalosje verbale me personelin e pikës por nuk ka rast policor. Hetuesit dhe prokurorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjithçka është në rregull....nuk ka impakt në zgjedhje dhe është gjithçka në rregull", ka thënë ai.

Hashani tha se procesi zgjedhor po shkon qetë, teksa i ka ftuar qytetarët që të votojnë pa shkaktuar incidente.

"Që nga orët e hershme të mëngjesit janë hapur të gjitha pikat e votimit në shtatë komunat e rajonit të Gjilanit dhe në të gjitha këto pika, në të gjitha këto vendvotime në ofrojmë asistencë policore në mënyrë që të përcillet mbarëvajtja dhe rregulli në këto zgjedhje. Numri i policëve është i mjaftueshëm për t'i mbuluar të gjitha këto pika... Zgjedhjet janë duke shkuar në një proces shumë të rregullt dhe një proces shumë i mirë", tha ai.

Në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 104 mijë qytetarë brenda Kosovës. Ndërkaq, mbi 5500 qytetarë janë të regjistruar jashtë Kosovës. Në Gjilan janë 37 qendra të votimit, në 130 vendvotime të rregullta. /kp/

Stavileci: Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, kjo ditë po shkon drejt një rezultati historik për PDK-në

28 December 2025 at 15:33


Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka deklaruar sot se dita e zgjedhjeve është e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke theksuar se deri në orët e fundit të procesit zgjedhor, të dhënat nga terreni janë pozitive për partinë e tij.

“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit,” ka thënë Stavileci gjatë një konference për media.

Ai theksoi se më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja dhe mbështetja për PDK-në po tregojnë trend pozitiv.

“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat nga terreni janë pozitive. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim,” u shpreh ai.

Sipas Stavilecit, rezultatet preliminare po e çojnë këtë ditë drejt një suksesi të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës.

“Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati të rëndësishëm për PDK-në, drejt një niveli mbështetjeje dhe numri votash që për ne janë historike,” tha Stavileci.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

“Nëse ende nuk keni votuar, mos e lini votën në shtëpi. Secila votë ka peshë, ju jeni ata që vendosni për veten dhe për të ardhmen tuaj,” përfundoi ai. /Telegrafi/

Northern Apartments by Dukagjini Resort, projekti më i pëlqyer i vitit 2025 nga Architecture Hunter

28 December 2025 at 15:21


Projekti Northern Apartments by Dukagjini Resort është renditur si postimi më i pëlqyer i vitit 2025 nga platforma globale e arkitekturës Architecture Hunter, duke e vendosur këtë zhvillim rezidencial mes projekteve më të spikatura ndërkombëtare të vitit. Vlerësimi e konfirmon Northern Apartments si një referencë të re arkitekturore për bregdetin shqiptar, ku dizajni bashkëkohor ndërthuret me natyrën e paprekur.

I pozicionuar në zonën e mbrojtur të Ranës së Hedhun në Shëngjin, Northern Apartments është pjesë e zhvillimit të Dukagjini Resort dhe shtrihet mbi një shpat shkëmbor me orientim të drejtpërdrejtë nga Adriatiku. Projekti është konceptuar për të ruajtur karakterin natyror të terrenit dhe për të krijuar një prani arkitektonike që integrohet me peizazhin përreth.

Arkitektura e projektit mban firmën e Studio Precht, e njohur për qasjen e saj të orientuar drejt natyrës dhe qëndrueshmërisë. Forma e ndërtesës ndjek pjerrësinë natyrore të shpatit, ndërsa materialet dhe paleta e ngjyrave pasqyrojnë ambientin shkëmbor dhe gjelbërimin karakteristik të zonës.



Northern Apartments përfshin 43 apartamente rezidenciale, të gjitha me pamje të drejtpërdrejtë nga deti Adriatik, të organizuara në tipologji 1+1, 1+2, 1+3, si dhe penthouses.

Në momentin e këtij vlerësimi ndërkombëtar, 28 nga këto njësi rezultonin ende të disponueshme, brenda një zhvillimi të konceptuar si komunitet i mbyllur me recepsion, privatësi dhe standarde të larta banimi.

Komoditetet e projektit përfshijnë pishinë panoramike në rooftop, ballkone të gjera, parkim nëntokësor dhe qasje të lehtë, me distancë vetëm disa minuta nga vija bregdetare.

Hapësirat e brendshme variojnë nga rreth 80 m² deri në 160 m², duke ofruar një balancë mes funksionalitetit, qetësisë dhe jetesës buzë detit.

Renditja e Northern Apartments by Dukagjini Resort si postimi më i pëlqyer i vitit nga Architecture Hunter e pozicionon projektin si një shembull të zhvillimeve të reja rezidenciale që po i japin Shqipërisë një profil të ri në arkitekturën bashkëkohore ndërkombëtare, duke e kthyer bregdetin verior në një pikë reference për dizajnin dhe cilësinë e jetesës. /Telegrafi/

Në moshën 71-vjeçare voton për herë të parë qytetari nga Vrella e Istogut

28 December 2025 at 15:05


Në qendrën e votimit në shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut, qytetari Hasan Demaj ka ushtruar sot për herë të parë të drejtën e tij të votës, në moshën 71-vjeçare.

Demaj ka deklaruar se gjatë një periudhe të gjatë ka jetuar jashtë vendit, ndërsa tash e pesë vite është kthyer në Kosovë, ku jeton në Vrellë pas daljes në pension.

“Nuk kam votuar kurrë më parë. Kjo është hera e parë që votoj, në moshën 71-vjeçare. Kam jetuar jashtë, tash jam në pension dhe prej pesë vitesh jam kthyer në Vrellë. Pres fitoren e personit që dua dhe për të cilin kam dalë të votoj,” ka thënë Demaj.

Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dhe ka shprehur shpresën që vota e tij të kontribuojë në një të ardhme më të mirë. /Telegrafi/

❌
❌