Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 17:20 në fshatin Greme të Ferizajt.
Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, pasagjerja e veturës një femër rreth 19 vjeçe, ka humbur jetën dhe vdekja e saj është konfirmuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
"Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën (një femër rreth 19 vjeçe, pasagjere në veturë). Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes", ka thënë Veseli.
Shoferi i automjetit, një mashkull 20-vjeç, ka pësuar lëndime trupore dhe po trajtohet aktualisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë së Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, si dhe një ekip zjarrfikësish, për të ekzaminuar rrethanat e aksidentit.
"Për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes", tha ai. /Telegrafi/
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në një konferencë pas mbylljes së vendvotimeve për të komentuar rezultatet preliminare dhe procesin zgjedhor.
Ai theksoi gatishmërinë e partisë së tij për të bashkëpunuar me partitë opozitare në krijimin e institucioneve të reja.
“AAK nuk ka vënë kushte dhe nuk vendos kushte për opozitën. LDK dhe PDK e kanë një partner dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta për t’i dhënë vendit një qeveri”, tha Haradinaj.
Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e diasporës në këtë proces.
“Sot ka fituar demokracia jonë. Ju falënderoj që e mbani gjallë demokracinë, falënderim diasporës tonë që edhe kanë votuar atje dhe kanë ardhur këtu me votuar”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj komentoi gjithashtu rezultatet preliminare të zgjedhjeve.
“Për ne është konfirmuar rezultati 8%, që është rreth 9 mandate. E presim rezultatin final, numërin e të gjitha votave dhe si i tillë ky rezultat na bën krenar.”
Ai gjithashtu komentoi situatën politike dhe bllokadën e mëparshme.
“Jemi ballafaquar me partinë në shtet tash e pesë vjet dhe përkundër zhvillimeve që kanë ndodhur, shihet që bllokada 1-vjeçare e Kurtit nuk jep rezultatin e pritur prej tij. Ende jemi në një situatë të njëjtë. Ne jemi dakord që të veprohet me shpejtësi për të krijuar institucionet. Për të pasur qeveri, Kosova duhet të presë një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, për shkak se bllokada është shkaktuar nga LVV e Kurtit”, tha Haradinaj. /Telegrafi/
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit do të mbeten në histori për shkak të pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në vendvotimet brenda Kosovës.
Sipas të dhënave të përpunuara nga mbi 99.57% e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës arrin në 899,567.
Në përqindje, kjo do të thotë se 45% e votuesve të regjistruar kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Ky është një rekord i ri, duke e kaluar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, ku në vendvotime kishin votuar 871,662 qytetarë. Duke përfshirë edhe votat e diasporës dhe ato në përfaqësi, numri atëherë kishte arritur në total 966, 283.
Zgjedhjet e fundit kanë përkuar me periudhën e pushimeve, kur qindra mijëra qytetarë nga diaspora janë kthyer në Kosovë, një faktor që ka ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes dhe ka qenë temë kryesore gjatë javëve të fundit./Telegrafi/
Pas publikimit të rezultateve të para nga Exit Poll-et, simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë mbledhur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku kanë nisur festimet.
Në shesh janë parë qytetarë të shumtë me flamuj dhe simbole të LVV-së, ndërsa atmosfera është festive.
Në mesin e tyre janë parë edhe automjete të dekoruara me sloganin politike dhe mesazhe mbështetësen për liderin e LVV-së, Albin Kurti që kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve.
Festimet po zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa në terren janë të pranishme edhe njësitë e Policisë së Kosovës për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Rezultatet mbeten ende paraprake, ndërsa pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të publikojë të dhënat zyrtare në orët në vijim. /Telegrafi/
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, në konferencën për media pas mbylljes së vendvotimeve, ka deklaruar se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente që do të mund ta cenonin integritetin e zgjedhjeve.
"Deri në këtë kohë që po flasim nuk janë evidentuar incidente që do të mund të cenonin integritetin zgjedhor”, tha Radoniqi.
Ai bëri të ditur se gjatë ditës kanë pasur vetëm disa probleme teknike me energjinë elektrike.
“Kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë në tri qendra votimi në Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit", u shpreh ai.
Sipas Radoniqit, këto probleme janë tejkaluar dhe se nga komunikimet tona me KEDS, në secilën qendër ka energji dhe do të vazhdojë të ketë.
Duke folur për pjesëmarrjen në votime, Radoniqi njoftoi se sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve, dalja në zgjedhje ishte 44.56%.
“Numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 19:00 është 819 mijë e 859 votues, apo 44.56 për qind", tha Radoniqi.
Ai krahasoi pjesëmarrjen edhe me zgjedhjet e kaluara.
“Në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues, ndërsa në rezultatet e certifikuara numri i përgjithshëm i votuesve kishte qenë 871 mijë e 662”, u shpreh Radoniqi.
KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave do të vazhdojë sipas procedurave ligjore, ndërsa rezultatet zyrtare do të publikohen në ueb faqen e KQZ./Telegrafi/
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga UBO Consulting në bashkëpunim RTV Dukagjinime, rezultatet e Exit Poll‑it tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prinë me rreth 45.7% të votave, duke u renditur e para në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me rreth 22.0% të përkrahjes, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zë vendin e tretë me rreth 15.6% të votave.
Rezultatet e sondazhit gjithashtu tregojnë një përqindje prej rreth 5.3% për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe përkrahje e vogël për Nisma Socialdemokrate 1.7%.
Exit‑poll‑i u realizua përmes një mostre të konsiderueshme ndër qytetarë gjatë ditës së votimit, dhe paraqet një pasqyrë paraprake të mundshme të rezultateve përpara përfundimit të numërimit zyrtar.
Valon Feka nga UBO-Consulting ka thënë se mostra është e madhe me rreth 9 mijë anketa në 80 qendra të votimit, me margjinë të gabimit 1%. /Telegrafi/
Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka thënë KosovaPress-it, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.
“Kemi pasur disa raste të verifikimeve të ndryshme që i kemi bërë, si në Zubin Potok, Leposaviq, Soçanicë dhe në qytete të tjera, mirëpo nuk kemi ndonjë rast për ta theksuar. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KQZ-në dhe me Prokurorinë e Shtetit”, tha ai, derisa ka treguar për masat që kanë marrë për të mos hyrë ilegalisht nga Serbia për të votuar.
“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.
Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.
“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.
Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.
Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.
Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri. /kp/
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 18:00 ka arritur në 38.52%.
Nga gjithsej 1,999,204 votues të regjistruar në listën e votuesve, kanë votuar 770,079 qytetarë.
Vendvotimet e përpunuara deri tani janë 2,526 nga gjithsej 2,557, që përbën 98.79% të totalit, duke treguar se procesi i numërimit po ecën me shpejtësi.
Kjo shifër e pjesëmarrjes tregon një interes të shtuar të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të përcaktuar të ardhmen politike të vendit.
Vlen të theksohet se këto të dhëna përfshijnë vetëm votimet e rregullta dhe nuk përfshijnë votimet me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, apo votimin jashtë Kosovës.
Zgjedhjet po zhvillohen në kushte të qeta dhe procesi po monitorohet nga autoritetet përkatëse për të garantuar transparencën dhe legjitimitetin e tyre.
Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00. /Telegrafi/
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka falënderuar qytetarët që deri tani kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar dhe ka bërë apel që ata që nuk e kanë ushtruar ende këtë të drejtë ta bëjnë sa më shpejt.
“Falënderoj qytetarët që deri tani kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar. Nga këtu në këto pak orë që kanë mbetur, t’i ftoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë", tha Mustafa.
Ai gjithashtu theksoi se procesi i votimit po zhvillohet mirë në të gjitha komunat e vendit.
“Nga gjitha informatat nga terreni, procesi po ecën shumë mirë në të gjitha komunat", tha ai.
Besian Mustafa u bëri thirrje edhe atyre që janë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve që të vazhdojnë punën e tyre pa dallim partie.
“I bëjmë thirrje atyre që janë në proces të monitorimit të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre pa dallim partie”, u shpreh Mustafa. /Telegrafi/
Të paktën dy orë e gjysmë para mbylljes së vendvotimeve, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një thirrje të hapur për qytetarët që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.
Në një postim të tij në rrjetet sociale, Kurti tha “Janë më pak se dy orë e gjysmë nga koha kur do të mbyllën vendvotimet. Sa më e gjerë pjesëmarrja në zgjedhje aq më i madh legjitimiteti i institucioneve të ardhshme të vendit”.
Ai nënvizoi rëndësinë e çdo votuesi për të përcaktuar të ardhmen e vendit.
“Sot është dita kur secili prej nesh mund të jemi përcaktues për katër vitet e ardhshme. Prandaj, dilni dhe votoni, ftoni të gjithë miqtë, familjarët të dalin e të votojnë dhe në këtë mënyrë të bëhen pjesë e demokracisë dhe vendimmarrës”, u shpreh Kurti.
Kurti përfundoi mesazhin e tij me një thirrje.
“Dil dhe voto. Mos e le pa dalë. Mos e le për moment të fundit. Ju dua", ka shkruar Kurti. /Telegrafi/
Një defekt në rrjetin e ujit të pijshëm ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej tre ditësh.
Situata ka krijuar shqetësim të madh te banorët, të cilët janë detyruar t’u drejtohen burimeve publike të ujit për të siguruar nevojat minimale ditore.
“Nga dita e djeshme realizuam një zgjidhje e cila dha sërisht problem. Pati një furnizim të shkurtër për zonën e Lungomares dhe zonën e bregdetit. Qyteti sërisht vuan furnizimin me ujë, avaria është shumë serioze, shumë e rëndë, e cila do kohën e vetë. Mendojm se në orën 5-6 mbazdite do filloj furnizimi, duke ardhur sërisht nga stacionet e prodhimit drejt Lungomares dhe më pas ti japim një zgjidhje depos së qytetit”, është shprehur një punonjës i Ujësjellësit të Kanalizimeve në Vlorë.
Me dhjetëra qytetarë shihen çdo ditë në radhë, duke pritur njëri pas tjetrit për të mbushur bidonë dhe enë me ujë, pasi në banesat e tyre mungon furnizimi. Sipas tyre, mungesa e ujit po vështirëson jetesën e përditshme, sidomos për familjet me fëmijë dhe të moshuar.
“Vlora ka një javë pa ujë, e meriton. Për një popull që nuk reagon që është “dele” kështu do vejë. Një popull që s’është opozitar për qeverinë, ka mbaruar”, është shprehur një qytetar i Vlorës për këtë situatë.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për afatin e riparimit të defektit, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Situata mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
“Kemi tre ditë pa ujë. Taksat i paguajmë, ujin s’na i bjenë. Tre ditë skemi pikë ujë, taksat i paguajmë, çdo gjë i paguajmë, por ujë skemi”, është shprehur një qytetar tjetër. /euronews/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media ka deklaruar se procesi zgjedhor po shkon shumë mirë dhe dalja e qytetarëve është e kënaqshme.
“Kanë mbetur më pak se tre orë. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar ende ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur parregullsi të lajmëruara, por theksoi shqetësimin për ndërprerjet e energjisë.
“E dimë që ka pasur ndërprerje të energjisë, gjë që na shqetëson nëse ndodh tani kur të errësohet. I bëj thirrje KEDS-it dhe të gjitha institucioneve që të kenë kujdes që të mos ndërpritet rryma deri të mbyllet procesi i votimit, e po ashtu edhe gjatë numërimit, që të mos prishet ky proces zgjedhor", tha Haradinaj.
Haradinaj përfundoi duke uruar qytetarët dhe shtetin “I uroj Kosovës këto zgjedhje kaq të mira”, tha ai. /Telegrafi/
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se procesi zgjedhor në shtatë komunat e këtij rajoni po vijon pa incidente.
Hashani ka treguar për rastin e raportuar në një qendër votimi ne Zhegër, për çka tha se nuk ka rast policor, raporton KosovaPress.
"Një rast që është raportuar në Zhegër, po këtu nuk ka rast policor. Ku një person paska dashur të asistojë një familjar të vetin dhe ka pasur fjalosje verbale me personelin e pikës por nuk ka rast policor. Hetuesit dhe prokurorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjithçka është në rregull....nuk ka impakt në zgjedhje dhe është gjithçka në rregull", ka thënë ai.
Hashani tha se procesi zgjedhor po shkon qetë, teksa i ka ftuar qytetarët që të votojnë pa shkaktuar incidente.
"Që nga orët e hershme të mëngjesit janë hapur të gjitha pikat e votimit në shtatë komunat e rajonit të Gjilanit dhe në të gjitha këto pika, në të gjitha këto vendvotime në ofrojmë asistencë policore në mënyrë që të përcillet mbarëvajtja dhe rregulli në këto zgjedhje. Numri i policëve është i mjaftueshëm për t'i mbuluar të gjitha këto pika... Zgjedhjet janë duke shkuar në një proces shumë të rregullt dhe një proces shumë i mirë", tha ai.
Në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 104 mijë qytetarë brenda Kosovës. Ndërkaq, mbi 5500 qytetarë janë të regjistruar jashtë Kosovës. Në Gjilan janë 37 qendra të votimit, në 130 vendvotime të rregullta. /kp/
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka deklaruar sot se dita e zgjedhjeve është e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke theksuar se deri në orët e fundit të procesit zgjedhor, të dhënat nga terreni janë pozitive për partinë e tij.
“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit,” ka thënë Stavileci gjatë një konference për media.
Ai theksoi se më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja dhe mbështetja për PDK-në po tregojnë trend pozitiv.
“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat nga terreni janë pozitive. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim,” u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, rezultatet preliminare po e çojnë këtë ditë drejt një suksesi të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës.
“Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati të rëndësishëm për PDK-në, drejt një niveli mbështetjeje dhe numri votash që për ne janë historike,” tha Stavileci.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Nëse ende nuk keni votuar, mos e lini votën në shtëpi. Secila votë ka peshë, ju jeni ata që vendosni për veten dhe për të ardhmen tuaj,” përfundoi ai. /Telegrafi/
Projekti Northern Apartments by Dukagjini Resort është renditur si postimi më i pëlqyer i vitit 2025 nga platforma globale e arkitekturës Architecture Hunter, duke e vendosur këtë zhvillim rezidencial mes projekteve më të spikatura ndërkombëtare të vitit. Vlerësimi e konfirmon Northern Apartments si një referencë të re arkitekturore për bregdetin shqiptar, ku dizajni bashkëkohor ndërthuret me natyrën e paprekur.
I pozicionuar në zonën e mbrojtur të Ranës së Hedhun në Shëngjin, Northern Apartments është pjesë e zhvillimit të Dukagjini Resort dhe shtrihet mbi një shpat shkëmbor me orientim të drejtpërdrejtë nga Adriatiku. Projekti është konceptuar për të ruajtur karakterin natyror të terrenit dhe për të krijuar një prani arkitektonike që integrohet me peizazhin përreth.
Arkitektura e projektit mban firmën e Studio Precht, e njohur për qasjen e saj të orientuar drejt natyrës dhe qëndrueshmërisë. Forma e ndërtesës ndjek pjerrësinë natyrore të shpatit, ndërsa materialet dhe paleta e ngjyrave pasqyrojnë ambientin shkëmbor dhe gjelbërimin karakteristik të zonës.
Northern Apartments përfshin 43 apartamente rezidenciale, të gjitha me pamje të drejtpërdrejtë nga deti Adriatik, të organizuara në tipologji 1+1, 1+2, 1+3, si dhe penthouses.
Në momentin e këtij vlerësimi ndërkombëtar, 28 nga këto njësi rezultonin ende të disponueshme, brenda një zhvillimi të konceptuar si komunitet i mbyllur me recepsion, privatësi dhe standarde të larta banimi.
Komoditetet e projektit përfshijnë pishinë panoramike në rooftop, ballkone të gjera, parkim nëntokësor dhe qasje të lehtë, me distancë vetëm disa minuta nga vija bregdetare.
Hapësirat e brendshme variojnë nga rreth 80 m² deri në 160 m², duke ofruar një balancë mes funksionalitetit, qetësisë dhe jetesës buzë detit.
Renditja e Northern Apartments by Dukagjini Resort si postimi më i pëlqyer i vitit nga Architecture Hunter e pozicionon projektin si një shembull të zhvillimeve të reja rezidenciale që po i japin Shqipërisë një profil të ri në arkitekturën bashkëkohore ndërkombëtare, duke e kthyer bregdetin verior në një pikë reference për dizajnin dhe cilësinë e jetesës. /Telegrafi/
Në qendrën e votimit në shkollën “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut, qytetari Hasan Demaj ka ushtruar sot për herë të parë të drejtën e tij të votës, në moshën 71-vjeçare.
Demaj ka deklaruar se gjatë një periudhe të gjatë ka jetuar jashtë vendit, ndërsa tash e pesë vite është kthyer në Kosovë, ku jeton në Vrellë pas daljes në pension.
“Nuk kam votuar kurrë më parë. Kjo është hera e parë që votoj, në moshën 71-vjeçare. Kam jetuar jashtë, tash jam në pension dhe prej pesë vitesh jam kthyer në Vrellë. Pres fitoren e personit që dua dhe për të cilin kam dalë të votoj,” ka thënë Demaj.
Ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor dhe ka shprehur shpresën që vota e tij të kontribuojë në një të ardhme më të mirë. /Telegrafi/
Një incident është shënuar sot në qendrën e votimit në shkollën “Mustafa Bakija” në Prizren, ku një qytetar i moshuar ka shqyer fletëvotimin gjatë procesit të votimit.
Sipas Policisë, qytetari ka reaguar në shenjë revolte pasi komisioni zgjedhor nuk e ka lejuar ta ndihmojë bashkëshorten e tij gjatë votimit.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Policia ka shoqëruar qytetarin në stacion policor, ku është duke u intervistuar. Në konsultim me prokurorin e shtetit do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore,” ka deklaruar Bytyqi për Telegrafin.
Policia ka bërë të ditur se situata në qendrën e votimit është qetësuar dhe procesi zgjedhor po vazhdon normalisht. /Telegrafi/
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, vizitoi sot dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjatë vizitës, ai u prit nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula e cila e informoi për nga afër lidhur me funksionimin, angazhimet dhe rolin e dhomës operative në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
U.D. Kryeprokurori Qalaj u njoh me punën që po zhvillohet në këtë dhomë, e cila ka për qëllim mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimin e integritetit të procesit zgjedhor.
"Ai falënderoi dhe inkurajoi koordinatoren Pula dhe të gjithë stafin për përkushtimin dhe angazhimin e tyre profesional gjatë këtij procesi të rëndësishëm demokratik", thuhet në njoftim.
Në fund të vizitës, Qalaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe reagimit të shpejtë ndaj çdo parregullsie të mundshme, me qëllim të sigurimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente. /Telegrafi/
Çështjet pronësore dhe trashëgimore vazhdojnë të mbeten ndër temat më të ndjeshme dhe më komplekse për sistemin gjyqësor të Kosovës, ndërsa mungesa e dokumentacionit kadastral dhe rrethanat historike vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve gjyqësore.
Kështu ka deklaruar gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Zenel Leku, në podcastin për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, ku ka theksuar se këto raste kërkojnë trajtim të veçantë dhe profesionalizëm të lartë.
“Çështjet pronësore janë çështje të ndërlikuara. Vendimmarrja shpeshherë komplikohet për shkak të mungesës së të dhënave kadastrale, pasi dihet që gjatë luftës ato janë marrë dhe janë dërguar në Serbi, gjë që edhe sot paraqet problem serioz në vendimmarrje”, ka thënë Leku.
Sipas tij, përkundër përpjekjeve për trajtim më efikas, gjykatat përballen me ngarkesë të madhe të lëndëve, sidomos në vitet e fundit për shkak të kontesteve të natyrës tjetër, siç janë ato të punës.
Gjyqtari Zenel Leku gjatë podcastit në Telegrafi.com /Foto:Ridvan Slivova
“Vërehet një qasje më pozitive dhe trajtim më i shpejtë i këtyre rasteve, por ngarkesa e madhe me lëndë të tjera, sidomos kontestet e punës, ndikon drejtpërdrejt edhe në zvarritjen e çështjeve pronësore”, ka shtuar ai.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme ka bërë të ditur se mesatarja e trajtimit të çështjeve pronësore në Kosovë sillet rreth pesë vjet, duke theksuar se po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të përputhet me standardet evropiane.
“Sipas studimeve, çështjet pronësore zgjasin mesatarisht rreth pesë vjet. Po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të jetë brenda standardeve që kërkohen edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Leku.
Ai ka përmendur gjithashtu se mungesa e komunikimit procedural me Serbinë mbetet një nga faktorët kryesorë që pamundëson trajtimin e disa rasteve.
“Ligji përcakton mënyrën e komunikimit me palët në procedurë. Kur komunikimi është i pamundur, gjykata detyrohet të ndërpresë ose të pushojë gjykimin”, ka sqaruar ai.
Duke folur për të drejtat e grave në trashëgimi, Leku ka vlerësuar se ka një trend pozitiv sa i përket vetëdijesimit dhe paraqitjes së rasteve nga gratë në gjykatë, megjithatë sfidat mbeten të pranishme.
“Vërehet një trend pozitiv i paraqitjes së rasteve nga gratë që kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre nga trashëgimia ose pasuria e përbashkët e bashkëshortëve”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se përjashtimi nga trashëgimia përbën shkelje serioze dhe në disa raste edhe vepër penale.
“Ka raste kur trashëgimia hapet pa u njoftuar trashëgimtarët, kryesisht gratë, dhe kjo përbën shkelje serioze. Trashëgimtari nuk mbetet pa pjesën e tij dhe ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës”, ka deklaruar Leku.
Gjyqtari Zenel Leku gjatë podcastit në Telegrafi.com /Foto:Ridvan Slivova
Leku ka nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të praktikës unike gjyqësore, duke përmendur mendimet juridike të Gjykatës Supreme si instrument kyç për sigurinë juridike të qytetarëve.
“Ndërtimi i praktikës unike është shumë i rëndësishëm për sigurinë juridike të qytetarëve. Vendimmarrje të ndryshme për rrethana të njëjta krijojnë pabarazi dhe pasiguri”, ka thënë ai.
Në fund, gjyqtari i Gjykatës Supreme u ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë në sistemin gjyqësor.
“Mesazhi im është që qytetarët të besojnë në sistemin gjyqësor. Ne jemi këtu për të bërë të gjitha përpjekjet që të realizohen të drejtat e tyre”, ka përfunduar Leku. /Telegrafi/
Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.