Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Rrëshqitje dheu, banesa nën ujë e evakuim, situatë e rënduar në Shqipëri pas vërshimeve

8 January 2026 at 12:01


Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar lidhur me situatën e fundit të krijuar në Shqipëria pas vërshimeve.

AKMC njofton se si pasojë e reshjeve intensive gjatë orëve të fundit ka pasur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.

Në njoftim thuhet se strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.

Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:

Qarku Shkodër

• Ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë.

• Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë.

• 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës.

• Në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji.

• Në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët auto-rurale, që kanë shkaktuar dëmtime.

Qarku Lezhë

• Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë.

• Është bërë evakuimi I dy familjeve, një në fshatin ishullin Shëngjin dhe një në fshatin Kakariq.

• Rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll.

• Ka rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh.

• Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, në fshatin Dukagjin.

Qarku Vlorë

• Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra.

• Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Nuk ka prezencë uji në banesa.

Qarku Durrës

• Aktualisht situate është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, Ish Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe te vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve.

• 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit te Ushtrisë, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kavalishencën e Ministrisë së Brendshme.

• ⁠Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuata maksimale.

• Disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.

Bashkia Krujë: Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.

Bashkia Shijak: Ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.

Qarku Gjirokastër

• Si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është I kufizuar.

• Po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore.

• Nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.

Qarku Kukës

• Lumenj në kuota të larta, por pa problematika aktuale.

Qarku Tiranë

• Rritje e niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.

Qarku Korçë

• Janë disa rrugë të pakalueshme në Devoll.

• Janë evidentuar rRrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas.

• Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.

Qarku Berat

• Rreth 95 hektarë toka bujqësore nën ujë.

• Është evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum.

• Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.

Qarku Fier

• Rreth 200 ha tokë bujqësore të përmbytura.

• Prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.

Në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.

Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe mjeteve

Në total janë angazhuar:

• Rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura

• Mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë

• 10 gomone/motobarka shpëtimi

• 15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël

Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.

U bëhet thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura:

• Të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile.

• Të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash.

• Të raportojnë menjëherë çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse.

• Të bashkëpunojnë në rastet e evakuimit për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës. /Telegrafi/



Rreziku nga përmbytjet, urdhër evakuim i menjëhershëm në Novoselë të Shqipërisë

8 January 2026 at 11:35


Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë njoftuar lidhur me urdhrin për evakuimin e menjëhershëm në Novoselë të Shqipërisë, pas situatës së krijuar për shkak të reshurave.

Në njoftim bëhet e ditur se urdhri hyn në fuqi menjëherë.

“... Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Bashkisë Vlorë, Njësisë administrative Novoselë.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut përkatës si dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë: Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet në zona të izoluara. /Telegrafi/


Përmbytjet në Durrës, kallëzohet në SPAK kryebashkiakja Emiriana Sako

8 January 2026 at 10:52


Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, është kallëzuar sot në SPAK. Situata e përmbytjeve në qytet ka reflektuar edhe në një kallëzim penal ndaj zyrtares.

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka depozituar sot në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, një kallëzim penal ndaj kryetares së Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, si dhe ndaj institucioneve të tjera, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, raporton euronews.al.

Sipas kallëzimit, i cili përfshin gjithashtu Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, dyshohet se personat dhe institucionet e përfshira mund të kenë shpërdoruar fonde publike dhe detyra të tjera zyrtare, duke kontribuar në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve në qytetin e Durrësit.

Kallëzimi thekson se hetimi mund të zbulojë edhe veprime të tjera penale të kryera në bashkëpunim nga personat dhe institucionet e përfshira. Dokumenti ligjor referon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Penal dhe ligjet për vetëqeverisjen vendore dhe administrimin e ujitjes dhe të kullimit.

Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

8 January 2026 at 10:25


Prokuroria Themelore e Prizrenit sot në orët e mëngjesit ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete, ndërsa objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

E lidhur me këto bastisje ka reaguar vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve.

BKS thekson se kjo është iniciuar vetë nga ta, në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

Lexoni të plotë reagimin e BKS:

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.

Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.

Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e interesit publik. /Telegrafi/

Mazreku dhe Berisha dyshohen se iu lëshuan qytetarëve para në emër të sigurimeve e një pjesë të tyre e morën vetë

8 January 2026 at 09:55


Ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha, dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.

Betimi për Drejtësi” merr vesh se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në ‘cash’.

Ky aksion po zhvillohet në disa qytete të Kosovës dhe deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.


Në mesin e të arrestuarve në aksionin e së enjtes që po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha.

Ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha, dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.

“Djathi Mozzarella i kontaminuar me aflatoksinë M1, prodhuar nga qumështi i buallicës”, AUV del me njoftim

8 January 2026 at 09:44


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton opinionin publik se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) ka marrë një njoftim me numër 2026.0032, lidhur me praninë e mundshme të aflatoksinës M1 në djathin Mozzarella të prodhuar nga qumështi i buallicës.

AUV thekson se duke u bazuar në vlerësimin e mundshëm të një rreziku serioz, Agjencia është duke ndërmarrë masat e nevojshme, në përputhje me procedurat e sistemit RASFF, për të monitoruar këtë rast dhe për të tërhequr nga tregu djathin Mozzarella nga qumështi i buallicës.

Bëhet e ditur se lote të ndikuara janë: 25346, 25347, 25349 dhe 25350, me origjinë nga Italia, prodhuesi Caseificio Coop. “La Contadina” A.R.L., eksportuesi Cepparo S.P.A. Itali dhe i importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar për monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor, duke zbatuar masa parandaluese dhe kontrolluese për të siguruar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Situatë kritike në Vlorë, Vjosa gati të kalojë vijën e kuqe - lumi tejkalon 9 metra

8 January 2026 at 08:12


Reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar që prej ditës së martë kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Vjosa.

Në disa segmente, prurjet kanë tejkaluar 9 metra, duke shkaktuar përmbytje të tokave dhe dëme në banesa pranë zonave të rrezikut, raporton euronews.al.

Në Memaliaj, niveli i ujit ka shënuar 7.5 metra mbi nivelin e detit, një tregues i qartë i intensitetit të prurjeve.

Si pasojë, është mbuluar edhe stacioni hidrometrik, ndërsa rreth 100 hektarë tokë janë nën ujë.

Situata ka ndikuar edhe në infrastrukturën kritike, pasi është raportuar prezencë uji në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, nga ku sigurohet furnizimi me ujë për qytetin e Fierit.

Deri më tani, 14 banesa rezultojnë të prekura nga përmbytjet.

Prokuroria e Prizrenit me aksion të madh në disa qytete të Kosovës

8 January 2026 at 08:00


Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe një numër i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit janë duke realizuar një aksion të madh në disa qytete të Kosovës.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

“Po është duke u zhvilluar. Gjendemi në terren”, u shpreh shkurt Kryeziu.

Aksioni po zhvillohet në regjionin e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se pronat e ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) janë cak i bastisjeje masive.

KALLXO.com zbulon detaje të tjera për operacionin e Prokurorisë së Prizrenit. Aksioni është drejtuar nga tetë prokurorë dhe është udhëhequr nga Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Në listën e të dyshuarve janë 45 qytetarë, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Drejtori i Financave të kësaj byroje. Ata dyshohen se kanë përfituar kundërligjshëm duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe besimin.

Rolin kryesor në dëmin që pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të Byrosë, në vlerë mbi 1 milion euro, e kanë pasur dy zyrtarë të lartë të BKS-së: Sami Mazreku dhe Valon Berisha, ky i fundit në cilësinë e drejtorit të financave.

Sipas dyshimeve, Mazreku dhe Berisha kanë marrë llogaritë bankare të 45 qytetarëve, tek të cilët kanë transferuar mjete financiare përmes marrëveshjeve të parapërgatitura, nga të cilat kanë përfituar mijëra euro.

Po ashtu, ata dyshohet se kanë identifikuar qytetarë të përfshirë në raste aksidentesh trafiku, të cilëve u janë transferuar para me arsyetimin e kompensimit të dëmeve. Me këta qytetarë janë bërë marrëveshje që një pjesë e vogël e mjeteve t’u mbetej atyre, ndërsa pjesa më e madhe e shumës së transferuar të përfundonte te Mazreku dhe Berisha.

Moti në Shqipëri, shi dhe borë

8 January 2026 at 07:46


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit deri në orët e mesditës.

“Hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra në zonën e qendrës dhe jug. Pas orëve të mesditës reshjet e shiut mbeten prezentë me intensitet të ulët deri në orët e pasdites në qendër dhe jug. Në zonën e Alpeve reshje bore me intensitet mesatar deri të lartë, hera-herës stuhi bore, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 100 metër dhe juglindje mbi 300-400 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mestar. Ndërsa në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 400-500 metra reshjet pritet të jenë në formën e dëborës me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit”, bëhet e ditur në njoftim.

SHMU tutje njofton se era do të fryjë me drejtim juglindje –jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 3-4 ballë. /Telegrafi/




Borë dhe ngrica, IHK dhe Policia me apel për kujdes gjatë vozitjes

8 January 2026 at 07:19


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike, duke paralajmëruar rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore në pjesë të ndryshme të vendit.

IHK ka njoftuar se era do të ndryshojë drejtimin, duke kaluar nga juglindja në veri dhe veriperëndim, çka do të favorizojë depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore.

Instituti tutje ka paralajmëruar se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë.

“Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor. Vështirësi më të theksuara në komunikacion pritet të ketë në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ndodhin rrëshqitje dhe ngrirje e shpejtë e sipërfaqeve rrugore.

Për këtë arsye, IHMK rekomandon që autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës”, thuhet në njoftim.

Instituti thekson më tej se këto kushte meteorologjike mund të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë, furnizimin me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve, duke këshilluar ndjekjen e vazhdueshme të paralajmërimeve zyrtare dhe marrjen e masave parandaluese për sigurinë personale dhe mbrojtjen e pronës.

Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes, si pasojë e ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës në disa pjesë të vendit.

Në njoftimin e saj, Policia thekson se kushtet aktuale krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun për aksidente, veçanërisht për shkak të rrugëve të lagura, të mbuluara me borë dhe mundësisë së paraqitjes së ngricave.

Autoritetet u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me shi, borë apo akull.

Po ashtu, Policia e Kosovës këshillon shoferët që të pajisen me goma dhe pajisje dimërore, duke theksuar se respektimi i këtyre masave është i domosdoshëm për sigurinë në trafik.

“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Haradinaj: Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike

3 January 2026 at 16:05


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi sot se gjendja me energji elektrike është alarmante.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm.

Lexoni të plotë postimin:

Rezultatet që dolën nga zgjedhjet që sapo i kaluam, kam shqetësimin se nuk do t’i zgjidhin problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë. Gjendja e rënduar me energji është alarmante.

Shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura, në kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe dihet që shumica e qytetarëve të Kosovës ngrohjen e kanë përmes energjisë. Po ashtu, në këtë periudhë ka edhe shumë vëllezër e motra nga diaspora që po i kalojnë pushimet në atdhe.

Kjo situatë është e papranueshme dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Është urgjente të investojmë në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz, që të mos vazhdojë kjo traumë për qytetarët tanë, si me mungesë të energjisë ashtu edhe me fatura me çmim përtej çdo normaleje. Siguria energjetike të trajtohet si urgjencë kombëtare. /Telegrafi/


Burri vrau gruan dhe më pas veten në Orikum, zbardhet dëshmia e fëmijëve: Nënën e gjetëm të lidhur

3 January 2026 at 15:29


Është zbardhur dëshmia e fëmijëve të Sose Xhebroj, 40-vjeçares e cila u vra nga bashkëshorti ditën e djeshme në Orikum të Vlorës, e më pas ky i fundit vrau edhe veten.

Sipas dëshmisë nga një i afërm i tyre, dy fëmijët të moshës 16 dhe 19 vjeç, pasi janë përpjekur disa herë të kontaktojnë nënën e tyre ditën e djeshme në telefon dhe nuk kanë marrë përgjigje, janë nisur drejt banesës së bashku me dy shokë.

Fillimisht, djali i madh ka hyrë në në banesë dhe në katin e tretë të banesës ka gjetur nënën e tij, 48 Sose vjeçe, pa shenja jete, dhe në qafë kishte një fashetë dhe e gjakosur, raporton tch.

Menjëherë vëllai i madh ka njoftuar vëllanë tjetër që ishte në makinë me dy shokët dhe më pas ata kanë njoftuar ambulancën e Orikumit, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka transportuar trupin e pajetë të gruas drejt Spitalit të Vlorës, ku mjekët kanë konfirmuar se ajo kishte ndërruar jetë.

Ndërkohë që fëmijët kanë qenë në banesë, babai i tyre kishte kryer vetëvrasjen në garazh me armë zjarri.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare. /tch/

Përfundon numërimi i votave për deputetë, dhjetë kandidatët më të votuar të LVV-së, PDK-së, LDK-së e AAK-së

3 January 2026 at 14:54


Nga përditësimi i fundit i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëhet e ditur se tashmë ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë.

Në ueb-faqen e KQZ-së bëhet e ditur se janë numëruar votat për deputetët, nga gjithsejt 2,557 kuti votimi.

Më poshtë mund t’i gjeni dhjetë kandidatë më të votuar të katër partive politike, LVV-së, PDK-së, LDK-së e AAK-së.

LVV:

ALBIN KURTI 355,248 vota

GLAUK KONJUFCA 275,664 vota

ALBULENA HAXHIU 145,340 vota

HEKURAN MURATI 145,109 vota

DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ 129,22 vota

XHELAL SVEÇLA 115,551 vota

HAJRULLA ÇEKO 104,848 vota

AVNI DEHARI 95,474 vota

MIMOZA KUSARI LILA 84,894 Vota

EJUP MAQEDONCI 81,922 vota

PDK:

BEDRI HAMZA 155,244 vota

ARIAN TAHIRI 68,122 vota

PËRPARIM GRUDA 62,532 vota

URAN ISMAILI 54,080 vota

SALA JASHARI 45,349 vota

VLORA ÇITAKU 42,809 vota

ENVER HOXHAJ 37,809 vota

ARBEN MUSTAFA 37,721 vota

NAIT HASANI 29,794 vota

RRAHMAN RAMA 27,772 vota

LDK:

LUMIR ABDIXHIKU 83,527 vota

HYKMETE BAJRAMI 52,968 vota

UKË RUGOVA 45,887 vota

AVDULLAH HOTI 41,388 vota

DOARSA KICA XHELILI 41,049 vota

KUJTIM SHALA 38,051 vota

ANTON QUNI 29,474 vota

ARMEND ZEMAJ 26,528 vota

LUTFI HAZIRI 24,996 vota

JEHONA LUSHAKU SADRIU 20,064 vota

AAK:

RAMUSH HARADINAJ 41,470 vota

DAUT HARADINAJ 24,740 vota

BESNIK TAHIRI 24,649 vota

BEKË BERISHA 18,392 vota

AGIM ÇEKU 17,039 vota

TIME KADRIJAJ 15,718 vota

ARBER TOLAJ 15,225 vota

BURIM RAMADANI 14,928 vota

LAHI BRAHIMAJ 11,083 vota

PAL LEKAJ 10,127 vota. /Telegrafi/

Operacioni i SHBA-së në Venezuelë, Osmani: Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-së dhe presidentit Trump

3 January 2026 at 14:16


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani theksoi sot se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump në mbështetje të veprimeve të tyre kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.

Osmani në një postim në X shkruan se populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të qeverisur nga ligji, jo nga frika.

Lexoni të plotë postimin e saj:

Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump në mbështetje të veprimeve të tyre kundër regjimit narco-terrorist të Venezuelës.

Presidenti Trump qëndroi përkrah popullit të Venezuelës dhe u përball me shtetin narkotik të Maduros — duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Kjo është ajo se si duket forca dhe udhëheqja amerikane.

Populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të qeverisur nga ligji, jo nga frika. Narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar e kërcënojnë paqen shumë përtej kufijve kombëtarë.

Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane — çlirimi ynë është vetë dëshmi e saj. Në një moment kur SHBA po përballet me tiraninë në Venezuelë, ne të gjithë duhet ta forcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur është i bashkuar pas udhëheqjes amerikane dhe vlerave të përbashkëta.

Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku — sepse liria jonë e përbashkët varet nga kjo. /Telegrafi/


Kosovo stands firmly with the United States and President @realDonaldTrump in support of its actions against Venezuela’s narco-terror regime.

President Trump stood with the people of Venezuela and stood up to Maduro’s narco-state — protecting America and the rest of the world…
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 3, 2026

Kurti: Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të ShBA-së në Venezuelë, të udhëhequr nga presidenti Donald Trump

3 January 2026 at 13:53


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë sot se Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë.

Lexoni të plotë postimin:

Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.

Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.

Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë.

Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake. /Telegrafi/


Mbi dy orë pritje në kufi për të dalë nga Kosova

3 January 2026 at 13:46


Pas kalimit të festave të fundvitit në atdhe, mërgimtarët ia kanë mësyrë vendeve ku jetojnë e punojnë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në përditësimin e orës 12:23 bën të ditur se pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova janë në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.

Pritjet në Merdarë shkojnë nga 120 deri në 150 minuta, gjersa te Dheu i Bardhë pritjet në dalje janë deri në 40 minuta.

Në pikat tjera kufitare nuk ka pritje të gjata për të dalë nga Kosova. /Telegrafi/


Faturat e ujit me rritje nga janari, këto janë tarifat e përcaktuar nga ARRU

3 January 2026 at 12:12


Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit ka njoftuar se nga 1 janari faturat e ujit qytetarëve do të jenë me tarifë të re.

Tarifa e re është me rritje në të gjitha rajonet e Kosovës, raporton Telegrafi.

Në urdhëresat tarifore të shërbimit për vitin 2026, rritje në tarifa ka në faturat e KRU “Prishtina”, KRU “Hidroregjioni Jugor” Prizren, KRU “Hidrodrini” Pejë, KRU “Mitrovica” Mitrovicë, KRU “Gjakova” Gjakovë, KRU “Bifurkacioni” Ferizaj, KRU “Hidromorava” Gjilan.

Më poshtë mund të shikoni tarifat e ujit për m3 në këto rajone, për ato shtëpiake dhe për joshtëpiake (komeracial dhe institucional) në vitin 2025 dhe tashmë për vitin 2026

KRU “Prishtina”

2025

Shtëpiake 0.45

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.62 cent

2026

Shtëpiake 0.63

Jo shtëpiake 0.82

KRU “Hidroregjioni Jugor” Prizren

2025

Shtëpiake 0.40

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.56

2026

Shtëpiake 0.56

Jo-shtëpiake (komercial, institucional)0.73

KRU “Hidrodrini” Pejë

Shtëpiake 0.28

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.39

2026

Shtëpiake 0.39

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.51

KRU “Mitrovica” Mitrovicë

2025

Shtëpiake 0.39

Jo-shtëpiake (komercial, institucional 0.55

2026

Shtëpiake 0.53

Jo-shtëpiake

2025

(komercial, institucional 0.69

KRU “Gjakova” Gjakovë

2025

Shtëpiake 0.39

Jo-shtëpiake (komercial, institucional 0.55

2026

Shtëpiake 0.52

Jo-shtëpiake (komercial, institucional 0.67

KRU “Bifurkacioni” Ferizaj

2025

Shtëpiake 0.39

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.54

2026

Shtëpiake 0.53

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.69

KRU “Hidromorava” Gjilan

2025

Shtëpiake 0.39

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.55

2026

Shtëpiake 0.54

Jo-shtëpiake (komercial, institucional) 0.71

Moti i keq, trageti futet në portin e Vlorës me ndihmën e rimorkiatorëve

3 January 2026 at 11:34


Kushtet e pafavorshme atmosferike dhe vështirësi janë regjistruar në Portin e Vlorës.

Trageti “European Star” ka arritur të hyjë në kalatë e portit me ndihmën e rimorkiatorëve, dhe kjo ka bërë të mundur ankorimin e sigurt të mjetit lundrues.

Sipas njoftimit zyrtar, trageti pritet të nisë drejt Italisë, ndërsa procesi i imbarkimit do të fillojë menjëherë, raporton euronews.al

Rreth 1000 pasagjerë pritet të udhëtojnë me këtë linjë.

Ndërkohë, kompania bën me dije se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë pasagjerët për çdo ndryshim të mundshëm të orarit të lundrimit, pasi parashikimet meteorologjike tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të kushteve të motit.

Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, KQZ jep të dhënat e fundit

3 January 2026 at 11:28


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se gjatë ditës së sotme në QKN e Prishtinës pritet të përfundojë verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.

KQZ thekson se deri në orën 10:00 të ditës së sotme, në platformën për rezultate të KQZ-së janë procesuar 2,536 nga 2,557 vendvotime apo 99.18% e vendvotimeve, në të cilat u zhvillua procesi i rregullt i votimit më 28 dhjetor 2025.

Në përgjithësi, procesi në QKN, nga 29 dhjetor 2025 deri më 2 janar 2026, është përmbyllur në 37 komuna: Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skenderaj, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Suharekë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj. /Telegrafi/


Parandalohet ngjarja e mundshme kriminale në Vlorë, të shtëna në ajër gjatë një konflikti - arrestohen dy të rinj

3 January 2026 at 11:16


Është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë.

Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, lidhur me një rast në Vlorë, gjersa Policia njofton se janë vënë në pranga dy të rinj, njëri prej të cilëve qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë një konflikti.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë dhe M. A., 25 vjeç, banues në Orikum”, thuhet në njoftim.

Policia tutje njofton se arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis dy shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.

“Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë”, thuhet në njoftim

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. /Telegrafi/


❌
❌