Gjermania po përballet me thirrje për të tërhequr miliarda euro ar nga depozitat amerikane, një nismë e nxitur nga ndryshimi i marrëdhënieve transatlantike dhe paparashikueshmëria e Donald Trump. Me rezervat e dyta më të mëdha kombëtare të arit në botë pas SHBA-së, Gjermania mban rreth 164 miliardë euro (122 miliardë paund) – ose 1,236 tonë – në Nju Jork, që përbën 37% të rezervave të saj totale…
Një djalë australian 12-vjeçar, Nico Antic, ka ndërruar jetë në spital pasi pësoi plagë të rënda në të dyja këmbët nga një sulm peshkaqeni në Sidnej, gati një javë më parë. Lajmin e konfirmoi familja e tij të shtunën. Ngjarja tragjike ndodhi ndërsa djali dhe miqtë e tij po hidheshin nga shkëmbinjtë në ujërat e një plazhi në Vaucluse, një periferi lindore e qytetit. “Jemi zemërthyer të ndajmë…
Një zyrtar i lartë iranian ka paralajmëruar se vendi do të trajtojë çdo sulm “si një luftë të gjithanshme kundër nesh”, përpara mbërritjes së një grupi goditës të aeroplanmbajtëses amerikane dhe aseteve të tjera ushtarake në rajon. Ky paralajmërim i ashpër dhe rritja e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara vjen pothuajse dy javë pasi ish-Presidenti Donald Trump u bëri thirrje protestuesve…
Komuna e Prishtinës bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës ka njoftuar se nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Në njoftim thuhet se shpejtësia e erës do të jenë e fortë në zona kodrinoro-malore, ndërsa mesatarisht e fortë në zona të ulëta.
Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)
Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)
Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.
Udhëzime dhe këshilla për qytetarët
Komuna e Prishtinës thekson tutje se pa krijuar panik, fton qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:
Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).
Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.
Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.
Në raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 0800 122 44 ose 0800 122 33.
Tutje thuhet se drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.
“Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka raportuar në Polici se i është vjedhur vetura, ndërkaq pas një kohe është informuar se e dyshuara është aksidentuar me veturën e tij që i është vjedhur.
Rasti ka ndodhur në Ferizaj, të premten në ora 19:40.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga persona të panjohur i është vjedhur vetura me targa lokale. Pas një kohe është marr informatë se vetura është e përfshirë në një aksident, ku e dyshuara femër kosovare me probleme mendore, e cila e kishte marrë veturën ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin policor.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të shpërdorimit të pasurisë së huaj në Podujevë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, më 19 janar.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, pasi që i njëjti në lokalin e viktimës femër kosovare, kishte arrit të marr para të gatshme rreth 200 euro”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi të shtunën, në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Në njoftim thuhet se Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e premte dhe të shtune do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
Nga ora 23:45, e premte do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
Nga ora 15:00 e së shtunës deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thekson tutje se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar Panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit "Swissbau 2026", në të cilën po prezantohen 27 biznese vendore.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se pas pandemisë, prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare e rifilluan pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022 me 8 biznese pjesëmarrëse.
Kosova ndodhet në mesin e 19 shteteve të botës që përfaqësohen në këtë panair sivjet dhe i vetmi vend në rajon që po merr pjesë me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metra katrorë.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit:
Nga Davosi dhe Shtëpia e Kosovës atje, vazhduam drejt Baselit për në panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit "Swissbau 2026".
Pas pandemisë, prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare e rifilluam pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022 me 8 biznese pjesëmarrëse, ndërsa sot në të njëjtin panair mbështetëm tashmë 27 biznese vendore.
Kosova ndodhet në mesin e 19 shteteve të botës që përfaqësohen në këtë panair sivjet dhe jemi i vetmi shtet në rajon që po merr pjesë, me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metra katrorë, e mbështetur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Swissbau është një nga panairet më të rëndësishme të sektorit të drurit në Evropë, i cili vizitohet nga më shumë se 52 mijë vizitorë profesionistë dhe ku po marrin pjesë 592 biznese gjithsej nga 19 shtete të ndryshme të botës. /Telegrafi/
Shqipëria të shtunën do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, ndërkaq, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se reshjet e shiut pritet të jenë prezentë që në orët e mëngjesit me intensitet të ulët përgjatë vijës bregdetare, pas orëve të mesditës reshjet e shiut do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Në zonën e Alpeve dhe në verilindje-lindje në lartësinë mbi 800-900 metër reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë fundjavës në Kosovë parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm i vranët dhe me interval me diell.
IHK njofton se vranësirat do të shoqërohen me riga shiu.
Instituti tutje bën të ditur se të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri 0 C, ndërkaq ato maksimale nga 5 deri në 8 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-5m/s.
Ndërkaq, për të dielën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 3 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 8-12 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes, shpejtësia 1-6m/s. /Telegrafi/
Ish-sulmuesi i Chelsea-t dhe kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata, raportohet se është larguar nga shtëpia ku jetonte me bashkëshorten Alice Campello dhe katër fëmijët e tyre, vetëm pak ditë pasi ajo mohoi publikisht zërat për një tradhëti të tijën me një mike të saj.
Sipas revistës spanjolle Hola, përpjekja e çiftit për të shpëtuar martesën ka dështuar, pavarësisht ribashkimit të tyre në fillim të vitit të kaluar. Morata dhe Campello, të cilët u ndanë pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, kishin njoftuar anulimin e divorcit në janar, duke dhënë shpresë për një fillim të ri.
Megjithatë, burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata kanë jetuar të ndarë prej disa javësh, ndërsa Morata është zhvendosur në një tjetër banesë në një nga zonat më ekskluzive të Milanos.
Pavarësisht ndarjes fizike, thuhet se marrëdhënia mes tyre mbetet korrekte dhe e qetë, kryesisht për hir të fëmijëve: Alessandro, Leonardo dhe Edoardo (binjakë), si dhe vajzës Bella.
As Morata dhe as Campello nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj raportimeve.
Vetëm pak ditë më parë, Campello doli publikisht në mbrojtje të Elena Sirigu, eksperte e menaxhimit sportiv, pasi media spanjolle aludoi për një lidhje mes saj dhe Moratës. Influencerja italiane i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, duke e quajtur Sirigu një mike të vjetër familjare dhe duke dënuar etiketimin e saj si “shkatërruese familjeje”.
“Nuk meriton këtë ekspozim dhe këto akuza që lënë plagë të thella personale dhe profesionale,” shkroi Campello, duke shtuar se Sirigu është një person serioz me vlera.
Më herët, Campello kishte deklaruar se huazimi i Moratës te Galatasaray sezonin e kaluar kishte ndihmuar në shpëtimin e martesës së tyre dhe se ndarja e parë kishte qenë “gabimi më i madh i jetës sonë”.
Në planin sportiv, Morata po kalon një periudhë të vështirë. Pas një tentative për t’u transferuar te Getafe, ai përfundoi me një huazim te Como, ku ende nuk ka shënuar në 15 paraqitje. Sulmuesi ka folur hapur për betejën e tij me depresionin, duke pranuar se abuzimet dhe kritikat e vazhdueshme e kanë thyer mendërisht.
Madje, ai zbuloi se kishte menduar të simulonte një dëmtim për të shmangur pjesëmarrjen në Euro 2024, turne që Spanja e fitoi nën kapiteninë e tij.
Ndërsa jeta profesionale dhe ajo personale e Moratës mbeten në trazira, e ardhmja e martesës së tij me Alice Campello duket më e pasigurt se kurrë./mxh
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky hodhi poshtë sot raportet se Rusia dëshiron të përdorë asetet e ngrira amerikane për rindërtimin e saj, duke e quajtur idenë “absurde” dhe duke përsëritur se të gjitha fondet e ngrira ruse duhej të përdoreshin për të rindërtuar Ukrainën.
Duke folur me gazetarët e “Kyiv Post” nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh, Zelensky u pyet mbi deklaratën e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin – i cili kishte shprehur gatishmërinë për të përdorur asete të ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë në – për projekte rindërtimi, përfshirë rajonin e Kurskut të Rusisë.
“Ne me siguri do të luftojmë për përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse – dhe kjo është absolutisht e drejtë”, tha Zelensky.
“Rusia është agresorja. Kjo njihet nga e gjithë bota. Ata e filluan këtë luftë dhe për këtë arsye Ukraina duhet të rikuperohet nga pasojat e agresionit rus”, tha ai.
Zelensky tha se Kievi e kishte ngritur vazhdimisht çështjen me zyrtarët amerikanë, duke përfshirë edhe asetet e ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë – duke këmbëngulur se ato duhej të përdoreshin për rindërtimin e Ukrainës dhe jo të Rusisë.
“Ne u kemi thënë amerikanëve shumë herë se presim që këto fonde të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, sepse Ukraina është vendi që vuajti”, tha ai.
Vlera totale e aseteve sovrane ruse të bllokuara në të gjithë botën është rreth 290 miliardë euro (339 miliardë dollarë), shumica e të cilave mbahen në një numër të vogël juridiksionesh të BE-së dhe G7, sipas bankës qendrore të Ukrainës.
Presidenti tha se qëndrimi i Moskës dukej i palogjikshëm, duke vënë në dukje se asetet ishin ngrirë pikërisht për shkak të pushtimit të Rusisë./mxh
Nëse jeni romantke të dëshpëruara që mezi prisni histori dashurie dhe ëndrra të papërmbushura, duhet t’i falënderoni komeditë romantike të viteve ’90.
Ato ku çdo vajzë ka një takim të lezetshëm dhe rastësor me mashkullin e ëndrrave të saj (edhe nëse nuk e ka kuptuar ende!), marrëdhënia e tyre zhvillohet me shpejtësinë e dritës, dhe pastaj, pas një gjesti totalisht dramatik, kuptojnë që janë perfekt për njëri-tjetrin dhe jetojnë të lumtur përgjithmonë… në botën e filmave.
Po, skenari është i thjeshtë, i parashikueshëm dhe pothuajse i pamundur në jetën e vërtetë, por është po aq i magjishëm.
Vitet ’90 ishin dekada e artë për rom-com-et, dhe shumë nga filmat më ikonë të këtij zhaneri dolën atëherë: “Clueless”, “Pretty Woman”, “Sleepless in Seattle”, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Julia Roberts, Meg Ryan dhe “mbretëresha” të tjera të rom-com-it që ishin gjithmonë në ekran, duket sikur nuk kishin kohë tjetër përveçse të dashuroheshin me kolegun e tyre të ëndrrave.
1. One Fine Day (1996)
Nëse nuk e keni parë Michelle Pfeiffer dhe George Clooney në kulmin e tyre të rom-com-it të viteve ’90, duhet ta shihni menjëherë. Filmi tregon një ditë të jashtëzakonshme në jetën e dy prindërve beqarë në New York, të cilët detyrohen të bashkëpunojnë dhe shpejt zbulojnë një kimi të padiskutueshme mes njëri-tjetrit.
2. Groundhog Day (1993)
Kur një meteorolog cinik dërgohet për të raportuar festimet vjetore të Groundhog Day në Punxsutawney, ai gjendet duke përjetuar të njëjtën ditë pa fund. Një film mbi dashurinë, rritjen personale dhe shanset e dyta që mund të ndryshojnë gjithçka.
3. Father of the Bride (1991)
Steve Martin dhe Diane Keaton luajnë si çifti i martuar George dhe Nina, të cilët përpiqen të organizojnë dasmën e vajzës së tyre, e cila sapo kthehet nga studimet jashtë vendit, i surprizon me lajmin se është fejuar. Ata përpiqen të jenë të qetë, por le të themi që gjërat bëhen pak dramatike ndërsa përpiqen t’i japin vajzës së tyre 22-vjeçare, Annie, dasmën që ajo dëshiron.
4. The Parent Trap (1998)
Ky film klasik është një kombinim mes rom-com dhe filmit për marrëdhënien mes motrash. Dy binjake që nuk e kanë takuar kurrë njëra-tjetrën gjenden papritur në të njëjtin kamp veror dhe vendosin të bëjnë planin për të ribashkuar prindërit e divorcuar.
5. Can’t Hardly Wait (1998)
Kush nuk do të donte një rom-com të lezetshëm adoleshentësh? Kur një klasë maturantësh organizon një festë të madhe për mbylljen e vitit, duket se të gjithë kanë një mision: të bëjnë atë që nuk patën guxim të bëjnë gjatë katër viteve të fundit.
6. Love Potion No. 9 (1992)
Kur një kimist, Paul, dështon në dashuri, viziton Madame Ruth, e cila i jep një pije magjike dashurie. Ai dhe bashkëpunëtori i tij, Farrow, vendosin ta provojnë dhe shpejt bëhen të parezistueshëm për të gjithë. Por nga kush tërhiqen më shumë ata të dy? Ndoshta njëri-tjetri?
7. Sliding Doors (1998)
Nëse keni vrarë ndonjëherë mendjen se si do të ishte jeta juaj nëse do të kishit bërë qoftë edhe një veprim të vogël ndryshe, ky film është një domosdoshmëri. Ai ndjek dy rrjedha të mundshme, shumë të ndryshme, të jetës së një gruaje: njëra ku arrin trenin dhe tjetra ku e humb. Një film që ju bën të vendosni gjithçka në pikëpyetje… dhe të ndjeni keqardhje.
8. Clueless (1995)
Ugh! Si mund të mos jetë ky në krye të listës? Cher Horowitz ka qenë frymëzim për shumë vajza teksa përpiqej të navigonte jetën e shkollës së mesme dhe t’i bënte një transformim total vajzës së re në shkollë, Tai-t. Fakt interesant për adhurueset e Jane Austen: filmi është bazuar në romanin “Emma”.
9. Four Weddings and a Funeral (1994)
Këtu Hugh Grant fitoi famën e tij në rom-com. Ai është protagonisti në këtë film, që flet për një grup shoqëror që përballen me dy nga ngjarjet më të pashmangshme të jetës: martesa dhe vdekja.
10. The Wedding Singer (1998)
Shumë rom-com-e janë më të ngarkuara me dashuri sesa me humor, por jo ky. Adam Sandler do t’ju bëjë të qeshni dhe qani njëkohësisht. Ai luan një këngëtar dasmash që braktiset në altarin e tij; më pas, fillon të dashurohet me shoqen e re, Julia (Drew Barrymore).
11. There’s Something About Mary (1998)
Ky film bëri bujë kur doli, dhe për një arsye të mirë: është njëkohësisht humoristik dhe i ëmbël. Ted, 29 vjeç, punëson një person që të gjejë dashurinë e tij të gjimnazit, Mary, por investigatori përfundon duke u dashuruar vetë me të, dhe shpejt zbulon se nuk është i vetmi që po e ndjek Mary-n.
12. As Good as It Gets (1998)
Ky është filmi i fundit rom-com që ka fituar çmimet Oscar për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë. Një shkrimtar i mërzitur me OCD në New York bie në dashuri me kamerieren, e vetmja që e duron sjelljen e tij.
13. Jerry Maguire (1996)
Një opsion i mirë nëse po përpiqeni të bindni një person që s’i pëlqen rom-com-et të shikojë këtë film bashkë me ju. Tom Cruise luan një agjent sportiv që jep dorëheqjen nga puna për të hapur agjencinë e tij. E vetmja kolege që e ndjek është Dorothy, një nënë e re 26-vjeçare, luajtur nga Renée Zellweger. Ata fillojnë të dashurohen, por rruga nuk është e lehtë.
14. The Best Man (1999)
Ky film ka gjithçka: romancë, komedi dhe dramë. Kur një kopje e librit të papublikuar të Harper Stewart mbi aventurat e tij dashurore të mëparshme shpërndahet përpara se të bëhet shoqëruesi i dhëndrit, ai përpiqet ta mbajë sekret, duke u frikësuar se do të dalin sekretet mbi të dhe nusen e dasmës.
15. How Stella Got Her Groove Back (1998)
Stella, 40 vjeç, pranon të shkojë në një udhëtim në Xhamajka me shoqen e saj, Delilah. Aty takon Winston Shakespeare, 20 vjet më të ri. Por mosha është vetëm një numër dhe ata fillojnë një romancë së bashku.
16. Runaway Bride (1999)
Pothuaj një dekadë pas “Pretty Woman”, Julia Roberts dhe Richard Gere bashkohen sërish me regjisorin Garry Marshall për historinë e një vajze, një djali dhe shumë dasmave. Filmi nuk është aq magjik sa “Pretty Woman”, por gjithmonë ka diçka speciale t’i shohësh këta dy aktorë si një çift çmendurisht të dashuruar.
17. Notting Hill (1999)
Roberts pati një vit të jashtëzakonshëm në 1999-n, me “Runaway Bride” dhe “Notting Hill”. Ky i fundit është më ikonik për shkak të kimisë mes saj dhe Hugh Grant, dhe shumica mund ta dinë se përse: për shkak të momentit të famshëm ku ajo i thotë “Jam vetëm një vajzë, duke qëndruar përpara një djali, duke i kërkuar që të më dojë.”
18. You’ve Got Mail (1999)
Meg Ryan dhe Tom Hanks na tregojnë një histori të ëmbël dashurie. Qyteti i New York-ut është pothuajse personazh i tretë. Dhe skena e fundit në Riverside Park? Lot pa pushim.
19. She’s All That (1999)
Ka shumë argumente për ta konsideruar këtë rom-com të shkollës së mesme si film përkufizues i viteve ’90. Ky film ka gjithçka: transformimin e plotë të “vajzvs së shëmtuar”, Usher, Rachael Leigh Cook duke zbritur shkallët, Paul Walker (RIP) dhe skenën më të çmendur të kërcimit në historinë e kinemasë.
20. 10 Things I Hate About You (1999)
Nëse “She’s All That” nuk është rom-com-i i pakundërshtueshëm i viteve ’90, atëherë ky duhet të jetë. Një përshtatje e “The Taming of the Shrew”, me Joseph Gordon-Levitt, Julia Stiles dhe Heath Ledger.
21. My Best Friend’s Wedding (1997)
A është Julia Roberts mbretëresha e rom-com-eve? Po, padyshim. Aftësia e saj për të balancuar romancën dhe komedinë në mënyra të reja dhe të ndryshme është fantastike. Në duart e dikujt tjetër, ky film mund të dukej i çuditshëm: vajza prish dasmën e shokut të ngushtë sepse papritmas kupton se e do?! Vetëm Julia Roberts mund ta bëjë këtë dhe prapë të pëlqehet nga të gjithë./mxh
Kjo javë ka qenë e gjitha mbi dramën e familjes Beckham. Lidhur me të ka komentuar edhe motra e ish-it të Nicola Peltz, Alana Hadid, në një postim të publikuar nga faqja Saint Hoax në Instagram.
“Të përfundosh një rrëfim prej tetë paragrafësh mbi konfliktet familjare me ‘gjithçka që duam është privatësia’ na mjafton për ta kuptuar gjithë situatën”, shkruante një ndjekës dhe Alana ishte në të njëjtën mendje me të.
“Po pra, dhe ajo vajza nuk kërkon aspak privatësi, ka dhjetë vjet që përpiqet të bëhet e famshme,” u shpreh ajo.
Reagimi i saj vjen ndaj një postimi ku shfaqej Victoria, David-i dhe Brooklyn krah Nicola-s. Teksa komentoheshin dy prej deklaratave të Brooklyn-it, konflikti i tij me familjen u krahasua me përplasjen që ndodhi në familjen mbretërore disa vite më parë.
“Konflikti i familjes Beckham është pjesa e dytë e historisë së Meghan dhe Harry-t.”
“Brooklyn Peltz Beckham thotë se nuk dëshiron të pajtohet me familjarët.”
“Brooklyn Beckham thotë se mamaja e tij, Victoria, i vodhi vallëzimin e parë me Nicola-n gjatë dasmës.”
Nicola Peltz dhe vëllai i Alana-s, Anwar Hadid, kanë qenë në një lidhje 2-vjeçare disa vite më parë. Nuk e dimë nëse ka ende ndonjë hatërmbetje nga e shkuara, por mund të themi me siguri se pavarësisht deklaratave mjaft të detajuara të Brooklyn-it, jo të gjithë qëndrojnë në anën e bashkëshortes së tij./mxh
Për të paraprirë efektin boomerang të fluksit të turistëve vite më parë, qeveria i ndryshoi pritshmëritë e turizmit nga sasia në cilësi.
Dhe kështu rezulton edhe në raportet e INSTAT për 2025, teksa rritja e numrit të turistëve ishte e lehtë, ndërsa më e ulët se në vitin 2023.
Rreth 12.5 milionë të huaj e vizituan vendin një vit më parë, 6.6% më shumë se në 2024.
Me një gjeografi të përqendruar kryesisht nga rajoni dhe Evropa Jugore, Shqipërinë e vizituan më shumë shqiptarë të Kosovës, italianë, gjermanë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca etj. Ndërsa si qëllim kryesor kishin pushimet, nuk munguan as turistët tranzit, që e përdorin Shqipërinë për të udhëtuar drejt vendeve të tjera.
Pak më shumë turistë, por kjo nuk u përkthye rrjedhimisht në më shumë të ardhura.
Marketimet e forta në rrjetet sociale për Shqipërinë si një destinacion me larmishmëri bukurish natyrore, ushqime të mira, çmime të lira, sollën edhe tipologjinë e turistëve që na vizituan.
Operatorët turistikë e argumentojnë këtë me ndryshimin e tipologjisë së turistit në low cost, që gjatë vitit 2025 karakterizohej nga të rinj aventurierë, që pushonin duke shpenzuar sa më pak.
Rreth 12.4 milionë të huaj hynë në vend, por shqiptarët rritën daljet në 8.6 milionë gjatë gjithë vitit për pushime, udhëtime mjekësore e biznesi etj., drejt vendeve të BE-së dhe më tej.
Ekspertët parashikojnë se turizmi këtë vit nuk pret surpriza, por do të vazhdojë me një ecuri të njëjtë me vitin 2025.
Ndërsa si problem ngrenë të njëjtat kushte me të cilat u përballën të gjithë në verë: çmime të larta, mungesë uji, ndërprerje energjie, djegie mbeturinash në pikun e sezonit dhe një infrastrukturë rrugore të dëmtuar.
Pritshmëritë për një turizëm elitar janë shumë larg dhe shpresat e bizneseve mbeten te turistët low cost, të organizuar dhe individualë./mxh
Pas komenteve të Presidentit Donald Trump se trupat e NATO-s qëndruan larg vijave të frontit në Afganistan, Shtëpia e Bardhë ka dalë me një deklaratë zyrtare.
“Presidenti Trump ka të drejtë: kontributet e Amerikës në NATO janë më të mëdha se ato të vendeve të tjera. Përmbushja e premtimit prej 5% të shpenzimeve nga aleatët po ndihmon Evropën të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj,” thuhet në deklaratë.
Sipas BBC, SHBA-të shpenzojnë më shumë për mbrojtje sesa çdo anëtar tjetër i NATO-s, duke përbërë rreth 62% të shpenzimeve totale të aleancës në vitin 2025.
Trump ka inkurajuar aleatët të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me një objektiv afatgjatë që ata të arrijnë 5% të PBB-së së tyre deri në vitin 2035. Aktualisht, asnjë vend anëtar nuk ka arritur këtë nivel. Polonia, që shpenzon më shumë për mbrojtje në raport me PBB-në, ka shpenzuar pak më pak se 4.5% në vitin 2025, ndërsa SHBA-të rreth 3.22%./mxh
Princi Harry, i cili ka shërbyer në Afganistan, ka nxjerrë një deklaratë në përgjigje të komenteve të Trump mbi NATO-n.
Harry përmendi shërbimin e tij në Afganistan dhe sakrificat e ushtarëve atje në përgjigjen e tij ndaj Donald Trump, i cili kishte deklaruar se forcat e NATO-s në vend ishin “pak prapa vijave të frontit”.
Deklarata e presidentit amerikan shkaktoi reagime nga politikanët në Britani, si dhe nga veteranët dhe familjet e ushtarëve të rënë.
“Në vitin 2001, NATO aktivizoi Nenit 5 për herë të parë dhe të vetme në historinë e saj. Kjo do të thoshte se çdo vend aleat ishte i detyruar të qëndronte pranë Shteteve të Bashkuara në Afganistan, në kërkim të sigurisë sonë të përbashkët. Aleatët iu përgjigjën kësaj thirrjeje”.
“Unë kam shërbyer atje. Kam bërë miq për jetën atje. Dhe kam humbur miq atje. Vetëm Mbretëria e Bashkuar pati 457 ushtarë të vrarë. Mijëra jetë u ndryshuan përgjithmonë. Nënat dhe baballarët varrosën bij e bija. Fëmijët mbetën pa prindër. Familjet mbajnë koston. Këto sakrifica meritojnë të flitet për to me të vërtetë dhe me respekt, ndërsa të gjithë mbetemi të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj mbrojtjes së diplomacisë dhe paqes.”/mxh
Dymbëdhjetë shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – përpara mbërritjes së asaj që mund të jetë një nga stuhitë më të rënda dimërore në vitet e fundit, raportoi sot media amerikane.
E shoqëruar nga reshje të dendura dëbore dhe erëra të akullta, stuhia do të përhapet në një distancë prej rreth 3,000 kilometrash nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje gjatë fundjavës, paralajmëroi shërbimi meteorologjik.
Linjat ajrore kanë anuluar tashmë qindra fluturime si masë paraprake, sipas raportimeve të medias.
Shumë shkolla anuluan sot mësimin – si masë paraprake.
Ekzistojnë gjithashtu frikëra për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të rënies së pemëve ose shkëputjes se linjave të energjisë si rezultat i peshës se akullit.
Paralajmërimet e motit ose këshillat speciale janë në fuqi për rreth 160 milionë njerëz.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul paralajmëroi se i ftohti mund të jetë “absolutisht vdekjeprurës”.
Në disa pjesë të Minesotës dhe Dakotës së Veriut, temperaturat mund të bien në minus 45 gradë Celsius, sipas shërbimit meteorologjik.
Presidenti amerikan, Donald Trump e përdori të ftohtin ekstrem për t’u dhënë një tjetër goditje ekspertëve të klimës./mxh