Dy persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut për vjedhje të rëndë.
Sipas Policisë së Kosovës, më 10.01.2026 rreth orës 15:30 u pranua informacioni se në një objekt fetar në rrugën “Qeta e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut, persona të panjohur kanë depërtuar dhe kanë vjedhur një shumë parash me vlerë prej 125 euro.
“Sot, më datë 11.01.2026, falë bashkpunimit me qytetar dhe veprimeve operative-hetimore te njësive policore në kuadër të Stacionit Policor Mitrovicë Veri janë arrestuar dy persona si dyshuar ne lidhje me rastin. Arrestimi është kryer në rrugën “Kral Petri”, në Mitrovicë të Veriut.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për M.S i lindur më 2007, dhe 24 orë për D.R, i lindur më 2008.
“Të dy personat e arrestuar janë shtetas të Republikës së Serbisë, me vendbanim në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka arritur marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës për udhëheqjen e kësaj komune.
Si rezultat i këtij koalicioni, pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal i ka takuar LDK-së, ndërsa në këtë funksion është zgjedhur Safet Kamberi.
Kamberi ka marrë mbështetjen e 18 asamblistëve, ndërsa 10 kanë votuar kundër dhe dy vota janë shpallur të pavlefshme.
Në një fjalë rasti, pas zgjedhjes, Kamberi u zotua se si "kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës".
“Një falënderim të veçantë për anëtarët e Kuvendit, për besimin që ma dhanë, që unë të jem kryesues i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. Dhe pa e zgjatur shume, unë vetëm diçka dua me iu premtua anëtarëve të Kuvendit. Unë si kryesues i Kuvendit, do të jem në nivelin e përgjegjësisë, do të respektojë në mënyrën më të mirë të mundshme Ligjin për vetëqeverisje lokale, po ashtu Rregulloren e Kuvendit dhe ju garantoj se secili anëtar i Kuvendit do ta ketë hapësirën e vet të diskutimeve. Kështu unë zotohem se unë si kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës”, tha ai.
Zgjedhja e kryesuesit është bërë në një mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal, e cila është thirrur mbrëmjen e së mërkurës në orën 21:30. Mbledhja ishte planifikuar fillimisht të mbahej të enjten në orën 10:00, por është avancuar për shkak të afatit ligjor.
11 dhjetori ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës.
Kryesuesi i sapozgjedhur, Safet Kamberi, ka bërë të ditur se pavarësisht mbledhjes urgjente, Kuvendi Komunal do të mbajë edhe një seancë të rregullt, e cila do të zhvillohet nesër në orën 10:00.
Ndryshe, Faton Peci është betuar zyrtarisht si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut më 12 dhjetor 2025.
Automotorizimi vijon të shënojë rritje në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Transportit Rrugor tregojnë se në vendin tonë qarkullojnë 33 lloj automjetesh. Shumica e tyre janë autovetura.
Vetëm muajin dhjetor në Shqipëri kanë hyrë 9 mijë e 273 motomjete, 26% më shumë se muaji nëntor.
Në total, gjatë një viti të shkuar në Shqipëri u importuan afro 100 mijë mjete ose afro 1 mijë më shumë se në 2024. Gjysma e tyre janë regjistruar për herë të parë në kryeqytet.
Vetëm në dy muajt e fundit në Shqipëri kanë hyrë 16 mijë automjete, një rritje me 7 % krahasuar me vitin 2024.
Krahasuar me vitin 2019, kemi 101% më shumë automjete në vitin 2025.
Ajo që bie në sy nga importet e makinave është vjetërsia e tyre në prodhim. Mbi 55% e mjeteve të importuara janë me moshë prodhimi 8–15 vite.
Automjetet që hyjnë në Shqipëri importohen nga Koreja e Jugut, Gjermania, Italia, Kina, Zvicra dhe SHBA. Aktualisht, në Shqipëri janë në qarkullim mbi 1 milion automjete. Kjo do të thotë se një në dy shqiptarë në vendin tonë ka tashmë një automjet.
E ndërsa infrastruktura rrugore mbetet e njëjtë, makinat vijojnë të shtohen, kryesisht ato për përdorim personal dhe jo për transport publik./Tv Klan
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin "Nerv", ka deklaruar se nuk bën ekuivalencë mes krimeve serbe në Kosovë dhe asaj çfarë mund të ketë ndodhur në një rast individual.
"Si presidente e Republikës, e them me krenari që unë asnjë moment nuk e pranoj nga askush në këtë botë që të krijojë ekuivalencë morale dhe barazi mes asaj se çfarë ka bërë Serbia dhe regjimi i Millosheviçit kundër njerëzve të pafajshëm në Kosovë, dhe çfarë mund të ketë ndodhur në një rast individual”.
Presidentja Osmani më tej riafirmoi qëndrimin e saj të njohur për luftën çlirimtare.
“Besoj fuqishëm në luftën e drejtë që e ka bërë UÇK-ja dhe këtë do ta mbroj deri në fund".
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se një nga arritjet më të mëdha gjatë mandatit të saj ka qenë rikonfirmimi i njohjeve të Kosovës nga shtetet për të cilat Serbia pretendonte se e kishin çnjohur vendin.
Ajo tha se ky proces ka kërkuar angazhim të madh institucional dhe diplomatik nga Presidenca.
Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e re do të vazhdojë të ketë brenda vetes fytyra të njohura që kanë kaluar në së paku dy parti.
Janë së paku 10 deputetë të cilët tashmë kanë fituar mandatin në Kuvendin e Kosovës dhe që më parë kanë qenë pjesë e partive të tjera politike.
Ky fenomen i ndërrimit të partive nga deputetët ka vazhduar për vite me radhë dhe duket se nuk po ndalet as në legjislaturën e re.
"Transferimi" i deputetëve, tregon se kufijtë ideologjikë në Kosovë mbeten vetëm deklarativë përballë pragmatizmit politik dhe lëvizjeve të interesit elektoral.
Nga të dhënat e analizuara nga Telegrafi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka qenë përfituesja më e madhe e këtyre lëvizjeve, duke integruar në radhët e saj 7 nga 10 deputetët emigrues.
Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) kanë aderuar 2 emra, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 1 deputet nga radhët e rivalit të saj kryesor.
Këto lëvizje flasin për një mungesë stabiliteti të brendshëm të partive politike dhe pakënaqësi të individëve me strukturat udhëheqëse./Telegrafi/
Deputeti/ja
Partia Aktuale
Partitë e mëparshme / Historiku
Mimoza Kusari Lila
LVV
Ish-deputete e AKR (2010), pjesë e koalicionit LDK-AKR (2017).
Albena Reshitaj
LVV
Ish-ministre e AKR (2017), më pas deputete në AAK (2019).
Haxhi Avdyli
LVV
Ishte pjesë aktive e LDK-së (deputet në 2017) para se t'i bashkohej Guxo/LVV.
Andin Hoti
LVV
Ka shërbyer si deputet i PDK-së (2017).
Adelina Grainca
LVV
E zgjedhur fillimisht nga PDK (2021), u transferua menjëherë në LVV.
Agim Bahtiri
LVV
Ish-nënkryetar i AKR-së dhe kryetar komune nga kjo parti.
Labinotë Demi Murtezi
LVV
Deputete e koalicionit PD-PDK në vitin 2014.
Doarsa Kica Xhelili
LDK
Fitoi mandatin me LVV (Lista Guxo, 2021) para se të kalonte në LDK.
Ukë Rugova
LDK
Ka pasur një rrugëtim përmes AAK-së dhe Listës Rugova (deputet 2010).
Eman Rrahmani
PDK
I zgjedhur si deputet i LVV-së (2021), tani pjesë e PDK-së.
Për shkak të reshjeve të borës dhe krijimit të akullit, rruga “Arkitekt Karl Gega” në Prishtinë është mbyllur për qarkullim, raporton KosovaPress.
Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor që lidh lagjen e “Muhaxherët” në Prishtinë, është ndërprerë përkohësisht, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.
Nga qytetarët kërkohet që të shmangin këtë rrugë dhe të përdorin rrugë alternative, deri në njoftimin e radhës për rihapjen e saj.
Reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet kanë bërë që nisja e gjysmë-vjetorit të dytë të mësimit në shkollat e Kosovës të shtyhet.
E nesër pritet që procesi mësimor të rinisë në shumicën e shkollave, përveç atyre në Fushë Kosovë dhe Malishevë.
Lidhur me gjendjen, në Klan Kosova foli kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj.
Ai tha se më mirë është që mësimi të shtyhet edhe për disa ditë, për shkak të temperaturave tejet të ulëta, dhe problemeve me ngrohjen në disa shkolla.
“Edhe unë besoj që drejtoritë arsimore bashkë edhe me drejtorët e shkollave do ta analizojnë mirë situatën dhe mësimi do të fillojë atëherë kur duhet. Ka informacione se temperaturat do të shkojnë në – shumë gradë dhe një pjesë e shkollave mund të ketë probleme shtesë me ngrohjen”, deklaroi Jasharaj.
Komuna e Drenasit njofton se për shkak të vërshimeve, borës, ngricave dhe mungesës së ujit të pijes në disa zona, kryetari i Komunës ka vendosur pezullimin e procesit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe shkollor.
Procesi mësimor do të rifillojë të mërkurën, më 14 janar 2026.
"Ky vendim është marrë me qëllim të ruajtjes së sigurisë së nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit arsimor. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të njoftojë me kohë për çdo zhvillim të ri. Faleminderit për mirëkuptim dhe bashkëpunim", thuhet në njoftim. Më herët, edhe Komuna e Malishevës dhe ajo e Fushë-Kosovës kanë njoftuar shtyrjen e procesit mësimor për shkak të vërshimeve dhe pasojave nga to.
Komuna e Drenasit, e cila ditëve të fundit është përballur me përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka paralajmëruar padi ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm.
Sipas Komunës, pas vërshimeve KRU “Prishtina” ka ndaluar furnizimin me ujë në disa pjesë të territorit të Drenasit, gjë që, sipas kryetarit Ramiz Lladrovci, paraqet vështirësi serioze për qytetarët dhe rrezik për një krizë humanitare.
“Vështirësi e veçantë është furnizimi me ujë të pijes për disa ditë në një pjesë të territorit të komunës dhe mund të shkaktohet katastrofë humanitare. Lidhur me furnizimin me ujë, qytetarët duhet të drejtohen pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina””, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.
Tutje bëhet e ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina” për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
“Kryetari i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina”, për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.
Një emigrant nga Gjermania, i kthyer në vendlindje, në Vjosë të Fierit, ka denoncuar dhunën ndaj tij, mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:00.
Altin Meçaj, 46-vjeç, në një deklaratë për mediat u shpreh se personi që e ka goditur është një bashkëfshatar i tij, Fredi Lamaj, efektiv i policisë së Fierit.
Arsyeja e dhunës, ka sqaruar emigranti, është një koment që Altin Meçaj i ka bërë në rrjetin social në facebook, motrës së dhunuesit, Fredi Lamaj.
Altin Meçaj është shtruar në urgjencën e Fierit së bashku me të atin e tij, i cili ka të çara në kokë nga goditjet e dhunshme.
Altini sqaron se përpara se të rrihej në pragun e shtëpisë, ka marrë një mesazh kërcënues nga Fredi Lamaj, me tekst “Nuk e di me kë je mpleksur”, gjatë kohës që ishte në lokalin e fshatit.
Pasi ka ardhur në shtëpi, janë fikur dritat dhe në këtë moment ka dëgjuar ta thërrasin nga jashtë. Kur ka dalë ai është goditur brutalisht deri sa ka rënë pa ndjenja.
Sipas tij është hedhur i ati për ta shpëtuar, por edhe atë e kanë goditur.
“Mbrëmë në orën 11 të natës kam qenë te një lokal dhe kam arritur ë shtëpi. Kur isha te lokali më erdhi një mesazh kërcënues nga një like në facebook. Ai është një bashkëfshatar i imi që sot është komandant grupi diçka e tillë me forcat RENEA. Like i bëra motrës së tij në facebook.
“Kur shkova në shtëpi janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe jam thirrur në emër për të dalë jashtë. Ai më ka thirrur nga porta e shtëpisë”.
“Mesazhi thonte ‘nuk e di me kë je mpleksur’. Sa dal në derë më qëllojnë direkt dhe më përsërit mesazhin. Ishin të paktën 3 persona”.
“Vetëm atë kam njohur nga zëri. Më kanë rrëzuar për tokë pa ndjenja. Në qoftë për një liken ë facebook apo një koment ka dhe falje, por që të arrijë në këtë fazë që të më bëjnë mua për spital ose babain tim”.
“Si ka mundësi një person i tillë që është komandant grupi e vjen me shokët. Mund të ishim ulur ta kishim sqaruar. Mund të kishim pirë një kafe ta kishim sqaruar. Njihemi kemi pasur marrëdhënie të mira. Nuk ka asnjë tjetër. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin”.
“Më ka thënë të njëjtat gjëra si në mesazh ‘nuk e di me kë je mpleksur’ dhe diçka tjetër që nuk mund ta them. Unë kërkoj që kjo mos të përsëritet dhe dua të drejtën time. Më është shkelur prona. Këtë person e kam dalluar vetëm nga zëri kur kam dalë jashtë. Unë i thashë që motra jote është e madhe nuk është e vogël, mund të më thotë ‘Altin boll se po më bezdis’. Komenti ka qenë ‘je bërë shumë e bukur’, një kompliment”, deklaroi 46-vjeçari Altin Meçaj”.
Babai i tij, 76-vjeçari Ylli Meçaj tha se djali i kishte ardhur për pushime dhe se kjo ndodhi i kishte shokuar të gjithë. Me lot në sy ai kërkon drejtësi dhe siguri për familjarët pas kësaj ngjarje të rëndë.
“Nuk kam pasur asnjëherë ngatërresa në fshat. Djali ka qenë emigrant që në vitin 1997. Djali shkonte çdo darkë të i vëllai në një lokal tek shkolla. Erdhi rreth orës 11:00 të darkës. Në këtë kohë u fikën dritat. Në këtë kohë dëgjoj zëra”.
“Kur u ngrita e pashë djalin të shtrirë pa ndenja fare dhe e godisnin me shqelma nga këmba dhe i kishin hipur mbi trup. Por nuk i pashë sesa persona ishin. I rashë djalit përsipër dhe bërtita. Në këtë kohë më qëllojnë dhe mua u lava në gjak”.
“Doja të lëvizja djalin nuk e lëvizja dot. Gruaja ulërinte. Erdhi djali i madh duke ulëritur. Sikur mos të kisha dalë unë, djali nuk do të ishte gjallë sot. Nuk njoha asnjë njeri. Kam dëmtime në kokë. Kërkojmë drejtësi se po më shuhet gjithë familja. Janë gjithë njerëzit e shokuar në shtëpi”, tha Ylli Meçaj.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia, ndërsa raportohet se rasti i ka kaluar për hetim Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP), për shkak se i denoncuari është pjesë e strukturave të policisë./Balkanweb
Komuna e Prishtinës njoftoi se nesër do të rifillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit.
Procesi mësimor do të vazhdojë pa u shtyrë më shumë, pasi Komuna thotë se ka ndërhyrë dhe menaxhuar suksesshëm situatën pas reshjeve të shumta.
“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Ndryshe, për shkak të vërshimeve, Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi të ndarë, shtyu për dy ditë, përkatësisht për 14 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.
Ndërkaq, drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë tha se ka vendosur që ta shtyjë rinisjen e mësimit deri më 19 janar.
Ministria e Arsimit veçse ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi/
Pesë pompistë kujdestarë të Ndërmarrjes “Trepça” kanë mbetur për disa orë brenda minierës si pasojë e problemeve teknike me furnizimin me energji elektrike.
Kryesindikalisti i Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka konfirmuar për KosovaPress se punëtorët kanë qëndruar rreth 8–9 orë në vendet e tyre të punës, deri në stabilizimin e situatës.
“Janë pesë pompistë kujdestarë, të cilët kanë mbetur në vendet e tyre të punës në minierë për shkak të problemeve teknike me energjinë elektrike. Ata kanë qëndruar rreth 8–9 orë”, ka deklaruar Jonuzi.
Ai ka bërë të ditur se të gjithë pompistët kanë dalë nga miniera pa asnjë incident dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre. Sipas Jonuzit, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk raportohet për asnjë pasojë.
Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, që garoi në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se rezultati i dobët nuk e zbeh “vlerën dhe bashkëpunimin politik” me partinë më të vjetër në vend.
“Pas përfundimit të procesit zgjedhor, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim institucional dhe politik për bashkëpunimin parazgjedhor ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pavarësisht faktit se ky bashkëpunim nuk rezultoi me përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për Partinë e Drejtësisë në këtë përbërje të Kuvendit, e konsideroj të rëndësishme të theksoj se fushata u zhvillua në frymë korrektësie, respekti reciprok dhe partneriteti të sinqertë politik”, tha ai një deklaratë.
“Rezultati zgjedhor, përfshirë edhe faktin që personalisht nuk arrita të siguroj mandat deputeti, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme qytetare, nuk e zbeh vlerën e bashkëpunimit politik dhe as përgjegjësinë tonë për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe proceset e ardhshme shtetformuese”, shtoi ai.
Agani tha se “Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të saj programore dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në funksion të interesit publik, konsolidimit demokratik dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Në periudhën që vjen, vendi ynë përballet me vendime të rëndësishme politike dhe institucionale. Në këto rrethana, nevojitet maturi, dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak – parime të cilat Partia e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbrojë dhe t’i promovojë. Falënderoj të gjithë votuesit që na mbështetën, strukturat e PD-së për angazhimin e tyre, si dhe partnerët tanë politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës për korrektësinë dhe bashkëpunimin gjatë gjithë këtij procesi”.
Policia e Vlorës ka vendosur shiritin e sigurisë në të dy krahët e rrugës Matogjin-Bashaj.
Vendimi vjen pas ndërhyrjes së banorëve, të cilët gjatë ditës së sotme tentuan të hapnin vetë rrugën në Bashaj dhe Matogjin.
Sipas Policisë, ky veprim është tejet i rrezikshëm për shkak të rënies së sipërfaqes malore dhe rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut. Për këtë arsye, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke bllokuar zonën dhe kanë këshilluar banorët të mos kryejnë asnjë veprim tjetër që mund të vërë në rrezik jetën e tyre apo të personave të tjerë, shkruan A2 CNN.
Policia apelon për respektimin e masave të sigurisë deri në stabilizimin e situatës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kontestuar votat me kusht dhe votat me postë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Haxhiu, i cili nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se ankesa e tij lidhet me shkelje serioze të integritetit të procesit zgjedhor, konkretisht me pranimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë pas afatit ligjor.
Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se ligji parashikon qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, në orën 16:00, ndërsa sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota që kanë mbërritur pas këtij afati.
Haxhiu ka vlerësuar se kjo nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit, duke theksuar se asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë afatet ligjore.
Ai ka shtuar se pranimi i votave jashtë afatit ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, duke deformuar rezultatin zgjedhor.
“Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Patrullat e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Prishtinë kanë ndëshkuar një shofer për shkelje të rënda në komunikacion.
Shoferi ka kryer veprime të rrezikshme me veturën e tij në një nga rrethrrotullimet e kryeqytetit, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik (drift).
“Shoferi në fjalë është hasur duke kryer manovra të rrezikshme me veturë, veprime këto që kanë rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Pas identifikimit të tij, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe ndaj shoferit është shqiptuar gjoba për kundërvajtje në komunikacion, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe të intensifikuara me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, ndërsa ka ftuar qytetarët për bashkëpunim dhe respektim të rregullave të trafikut./Telegrafi/
Drejtoria Komunale për Arsim në Fushë Kosovë ka njoftuar se fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në këtë komunë është shtyrë për një javë.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë duke u bazuar në gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme, të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë lagje dhe fshatra. Po ashtu, janë marrë parasysh vështirësitë serioze në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore, si dhe temperaturat e ulëta.
Autoritetet komunale kanë vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor, andaj është vendosur që gjysmë-vjetori i dytë të nisë më 19 janar, në të gjitha shkollat e Komunës së Fushë Kosovës.
Ky vendim është marrë me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor.
Drejtoria Komunale për Arsim ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit lidhur me këtë vendim, ndërsa për çdo informatë shtesë publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare.
Kolona të gjata automjetesh janë krijuar sot në rrugën Pejë–Prishtinë, duke shkaktuar ngarkesë të madhe në qarkullim dhe vonesa për drejtuesit e mjeteve.
Sipas disa fotove të dërguara nga lexues të Telegrafit, fluksi i automjeteve është rritur dukshëm në segmentin nga Parku i Biznesit deri në Sllatinë, ku vërehet ngadalësim i theksuar i lëvizjes.
Ngarkesa më e madhe raportohet në afërsi të kyçjes në autostradë për Veternik, ku automjetet lëvizin me ritëm të ngadaltë dhe herë pas here ndalen plotësisht.
Shoferët shprehen se pritjet kanë zgjatur deri tre orë, ndërsa në terren vërehet qarkullim i dendur sidomos në drejtim të Prishtinës.
Ende nuk dihet saktësisht shkaku i krijimit të kolonave, ndërsa qytetarët këshillohen të përdorin rrugë alternative nëse kanë mundësi dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, sidomos pranë kyçjeve dhe daljeve të autostradës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai i cilëson si sulme të paguara dhe ndikime të jashtme ndaj partisë që ai drejton, duke theksuar se LDK-ja nuk do të lejojë shtrirjen e një “botëkuptimi të bazuar në krim, frikë dhe shitblerje”.
Në një postim publik, Abdixhiku ka deklaruar se sulmuesit, pa u përmendur drejtpërdrejt, janë “vetëlajmëruar”, duke treguar sipas tij mënyrën se si mendojnë dhe veprojnë. Ai ka theksuar se ky mentalitet nuk përfaqëson vlerat e LDK-së dhe nuk do të lejohet as si fjalë, as si mendim, e as si ndikim brenda partisë.
“Unë besoj në politikë që s’blihet, në fjalë që s’paguhen dhe në njerëz që nuk shiten. Anëtarësia e LDK-së nuk shitet dhe nuk blihet, dhe kjo është ajo që na dallon”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se do ta mbrojë partinë dhe secilin anëtar të saj nga sulmet e paguara nga jashtë, edhe nëse mbetet i vetëm në këtë qëndrim.
Ai ka theksuar se LDK-ja do të vazhdojë rrugën e saj përpara, pavarësisht, siç u shpreh, “ulërimave” dhe presioneve të jashtme, duke nënvizuar se zhurma mund të paguhet, por e vërteta jo.
“E vërteta fiton gjithmonë”, ka përfunduar kryetari i LDK-së./Telegrafi/