Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Zgjedhjet sot, Policia me plan operativ për mbarëvajtjen e tyre

28 December 2025 at 06:45


Policia e Kosovës me qëllim të mbarëvajtjes së ditës së zgjedhjeve ka hartuar dhe është në zbatim të urdhrit operativ ‘Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës’.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës janë mbajtur dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e urdhrit operativ lidhur me procesin zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Takimi i parë është mbajtur me drejtorë rajonal dhe drejtorë të departamenteve të Policisë së Kosovës, ndërsa në takimin e dytë morën pjesë edhe përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe të institucioneve të tjera relevante ndërkombëtare, të cilat u njoftuan lidhur me përgatitjet dhe planifikimet policore për mbarëvajtje në aspektin e sigurisë të procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional.

Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha foli rreth përgatitjeve të deritashme, rreth angazhimeve policore në procesin zgjedhor (fushatë), në aspektin e sigurisë.

Ndër të tjera, pos angazhimeve konkrete nga zyrtarë policorë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor në aspekt të sigurisë, nga drejtori Hoxha, u kërkua nga të gjithë menaxherët rajonal e ata qendrorë mbikëqyrje dhe porosi konkrete që policia të kryej edhe këtë aktivitet, angazhim me profesionalizëm e integritet sa më të lartë.

Policia e Kosovës tutje u tha se në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët.

Me këtë rast, Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike info@kosovopolice.com apo në stacionet policore më të afërta. /Telegrafi/

Moti sot, vranët dhe intervale me diell

28 December 2025 at 06:28


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

IHK njofton se temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri -6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare. /Telegrafi/

Yesterday — 27 December 2025Main stream

Serbia vazhdon pengesat në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

27 December 2025 at 16:15


Serbia po angazhohet për ta ndryshuar marrëveshjen për të pagjeturit dhe nuk është përgjigjur thirrjes së Bashkimit Evropian për takime të përbashkëta me Kosovës.

Kështu kanë thënë anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të cilët theksuar se nuk do të pranojnë ndryshimin e marrëveshjes së arritur, raporton kp.

Kryetari i këtij komisioni Andin Hoti tha se vazhdojnë të kenë sfida sepse Serbia vazhdon të mos bashkëpunojë për dhënien e informacioneve kredibile dhe dhënien e arkivave. Ai tha se Serbia ka refuzuar për tri herë radhazi të marrë pjesë në komisonin e përbashkët dhe Bashkimit Evropian, me arsyetimin se nuk pajtohen me disa pika të marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njëra prej pikave shkruan se udhëheqësi i këtej komisioni të përbashkët obligohet të njoftojë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mos punën apo mosbashkëpunimin apo mos dakordimin, apo mos dhënien e informacioneve të njërës apo tjetrës palë që në këtë rast Serbia po tenton ta largojë këtë pikë nga termat e referencës sepse ajo po tenton t’i ikë përgjegjësisë që e ka për këtë çështje. Ne natyrisht që nuk do të pajtohemi dhe nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ne do të vazhdojmë presionin tonë të vazhdueshëm bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimin Evropian, qoftë Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka qenë me ne gjatë këtyre viteve, që Serbia të pranojë patjetër hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht, në të cilat ne pretendojmë që përmban të dhëna për fatin e mbi 1571 personave që ne vazhdojmë me i pasur të zhdukur sot“, tha ai.

Sipas tij, brenda këtij viti kanë arritur t’i përfundojnë 32 lokacione në Kosovë.

“Kur flasim për dokumente që ne i kemi pranuar nga Tribuni i Hagës, janë konfidente nga Komiteti i Kryqit të Kuq, të cilat neve si komision nuk na lejohet t’i shpërndajmë as t’i përdorim për zbardhjen e krimeve, na lejohet në mënyrë të kufizuar vetëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo lloj informacioni që e marrim nga ato 150 gigabajt për ne do të shërbej vetëm për zbardhje e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.

Viktor Haliti nga Instituti për Mjekësi Ligjore foli për angazhimin që e kishin ata në kërkimin e lokacioneve të parapara në Kosovë.

Ndërkaq, Kushtrim Gara nga komisioni tha se mbetet prioritare dhe imediate për t'u rikthyer në lokacione të tjera në territorin e Serbisë, lokacione tanimë të shënuara, apo për të vazhduar gërmime në lokacione që janë trajtuar gjatë këtyre viteve.

Sipas tij, janë varre masive të konfirmuara qysh në vitet e para të pasluftës.

“Për ne me prioritet të veçantë mbetet kërkesa për t’u rikthyer në varrin masiv në Batajnicë, afër Beogradit, meqë sipas analizave, informative, kemi kolauduar se në këtë lokacion vazhdojnë të jenë kufomat e të paktën 58 viktimave gjatë luftës në Kosovë…Të dhënat që po i shqyrtojmë prapë na kthejnë në ato territore por fatkeqësisht edhe gjatë vitit 2025 nuk është që kemi pas ndonjë datë se kur mund të rikthehemi në këto lokacione apo të vazhdojnë gërmimet në lokacione tjera të Serbisë”, tha Gara.

Ai shtoi se shumë shpejt do të kthehen në Rahovec për të vazhduar gërmimet, pasi ata dyshojnë se në gërmimet që kanë bërë, mund të ketë deri në tetë persona.

Ata kanë paraqitur edhe një hartë ku thanë se të gjitha institucionet e angazhuara, kanë realizuar mbi 2500 gërmime në territorin e Kosovës.

Zjarr në një zonë parkimi autobusësh në Durrës, tymi i zi mbulon zonën

27 December 2025 at 15:18


Një zjarr i madh ka rënë mesditën e sotme në Fllakë, Durrës, në një zonë të vjetër parkimi autobusësh, ku disa mjete të amortizuara dhe të papërdorura kanë marrë flakë.

Sipas burimeve në terren, autobusët kanë qenë të parkuar prej kohësh dhe ndodhen pranë zonës së Fllakës, raporton euronews.al

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse për të monitoruar situatën. Nuk raportohet për persona të lënduar.

Jeta Dida Bujari hyn në garën për deputete, për përfaqësim real në një politikë të shkëputur nga njerëzit

27 December 2025 at 15:12



Në një politikë të mbushur me premtime dhe retorikë, Jeta Dida Bujari po veçohet për një arsye të thjeshtë: ajo flet për përfaqësim.

Tashmë e njohur si gruaja, asamblistja më e votuar në Prishtinë, Jeta Dida Bujari hyn në garën për Kuvendin e Kosovës me besimin e fituar përmes punës dhe rezultateve konkrete.

“Ky sukses nuk është rastësi. Ai vjen nga një profil i ndërtuar në arsim dhe kulturë, nga përvoja menaxheriale dhe nga një autoritet i fituar pa zhurmë politike. Jeta Dida Bujari përfaqëson gratë dhe vajzat profesioniste, të rinjtë, mësimdhënësit, artistët dhe muzikantët, si dhe klasën punëtore që kërkon drejtësi, meritë dhe institucione funksionale.

Si drejtoreshë në arsim, ajo ka dëshmuar se di të udhëheqë institucione komplekse, të menaxhojë në mënyrë efikase dhe të krijojë standarde të qëndrueshme. Përvoja e saj e bën këtë kandidaturë relevante për arsimin, kulturën, politikat sociale dhe zhvillimin institucional.

Në një kohë kur qytetarët ndihen gjithnjë e më pak të përfaqësuar, Jeta Dida Bujari ofron një alternativë të qartë: politikë që buron nga puna reale dhe i shërben njerëzve realë.

Kjo nuk është vetëm një kandidaturë e fortë në numra.

Është një kandidaturë ku qytetarët po e shohin veten”, thuhet në komunikatën e lëshuara nga ekipi i saj për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

​Plagoset me armë zjarri një person në Suharekë

27 December 2025 at 14:49


Sot rreth orës 11:40 është raportuar për një përleshje mes disa personave, e cila ka eskaluar me plagosjen e një personi me armë zjarri.

Lajmi për KosovaPress është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren Shaqir Bytyqi.

“I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Njësitet policore, menjëherë pas pranimit të informatës, i janë përgjigjur rastit dhe janë duke vepruar në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me procedurat standarde policore”, ka thënë ai.

Diaspora voton, deri në ora 13:00 votuan 36,89 për qind e votuesve të regjistruar

27 December 2025 at 14:36


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se deri në ora 13:00, sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike nga 19,187 votues të regjistruar kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues

Elezi ka njoftuar se tashmë ka filluar votimi edhe në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

“Pra, procesi i votimit është duke zhvilluar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosur në 18 shtete të ndryshme të botës... Nga komunikimi i vazhdueshëm me qendrat e votimit në këto përfaqësi procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë”, tha ai.

Elezi sqaroi tutje se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve që janë dërguar në këto përfaqësi diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. /Telegrafi/

Ismaili fton qytetarët në tubimin përmbyllës të PDK-së sonte në Prishtinë

27 December 2025 at 13:57


Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës së PDK-së, i cili do të mbahet sot në AMC Hall në Prishtinë.

Tubimi do të fillojë në ora 17:30, ku kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së do të shpalosë për herë të fundit në këtë fushatë programin dhe prioritetet qeverisëse.

“Mbrëmë në Mitrovicë, sot në Prishtinë. Ju ftoj me zemër sot në ora 17:00 në AMC Hall në Prishtinë për përmbylljen madhështore të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Ismaili në rrjetet e tij sociale.

SPAK përfundon kontrollet në banesat dhe zyrat e 34 zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në dosjen “Balluku”

27 December 2025 at 13:44



Mbyllen 34 kontrollet e urdhëruara nga SPAK për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, shumica e te cilëve janë staf i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Top Channel bën me dije se në vendimin e gjyqtarin Erjon Çela do të procedohen në ditët në vijim edhe 20 kontrolle të tjera, ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve.

Kontrolle janë ushtruar në dy kompani ndërtimi dhe shumë punonjës të Autoritetit të Rrugëve dhe Korporatën Elektro-energjetike. Dy kompanitë e ndërtimit janë të njohura për tenderët që fitojnë pranë këtyre dy kompanive shtetërore.

Ndërkohë mësohet se aksioni i kontrollit është kryer nga vetëm agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke mos lejuar asnjë punonjës të policisë së shtetit, të paktën në tre kontrolle që janë zhvilluar në zonën që është në juridiksionin e komisariatit numër tre ku ka ndodhur ky fenomen.

Mes personave që u janë kontrolluar banesat dhe ambientet e punës, por edhe të banimit të drejtuesve të kompanive ndërtuese. Në një rast agjentët e BKH e kanë lënë tek dera punonjësin e policisë pa i lejuar që të marrin pjesë në kontroll. Ndërkohë që mes emrave të personave që u janë kontrolluar banesat janë edhe familjarë të drejtuesve të kompanive.

Mësohet se është kontrolluar banesa e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesa e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, banesa e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie si dhe banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.

Kontrollet janë bërë për të vijuar procesin e hetimit për dosjen hetimore ku zyrtari më i lartë nën akuzë është zv.kryeministrja Belinda Balluku për të cilën SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë. /tch/

Derisa ishte duke udhëtuar me veturë, disa persona ia bllokuan rrugën dhe tentojnë ta sulmojnë – arrestohen dy persona

27 December 2025 at 13:36


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person ka raportuar se derisa ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, një automjet me targa të Austrisë në vazhdimësi i ka bllokuar rrugën ndërkohë nga i njëjti kanë dalë katër persona dhe kanë tentuar ta sulmojnë.

Rasti ka ndodhur në Balincë, Malishevë më 25.12.2025 në ora 22:40.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, një automjet me targa të Austrisë në vazhdimësi i ka bllokuar rrugën ndërkohë nga i njëjti kanë dalë katër persona dhe duke kanosur kanë tentuar ta sulmojnë”, thuhet në raport.

Ankuesi ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim te prokurorit janë liruar ne procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Kandidati për deputet Lahi Brahimaj merr mbështetje nga aktori Kreshnik Ibrahimi

27 December 2025 at 13:29


Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj ka marr mbështetje nga aktori Kreshnik Ibrahimi.

Në një video në Facebook, aktori Ibrahimi thekson se Lahi Brahimaj ka dhënë shumë për të dhe për Kosovën.

“...E kam udhërrëfyes të jetës sime...”, tha aktori.

Aktori Ibrahimi tha tutje se ata që votojnë AAK—në, të mbështesin edhe Lahi Brahimaj.

Diaspora voton, pamje nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës

27 December 2025 at 12:58


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e mbajtur lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sipas të dhënave gjatë orëve të para të votimit nga 24 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 8.64% % apo 1,659 votues.

Në këtë konferencë u bë e ditur se në orën 05:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.

Përfaqësitë diplomatike, në të cilat ka filluar dhe po zhvillohet procesi i votimit, janë: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt.

“Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun", thuhet në komunikatë.

Tutje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson se në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit.

Disa nga ambasadat e Kosovës kanë publikuar fotografi nga procesi i votimit.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka njoftuar se që nga ora 07:00 ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës të regjistruar për votim pranë kësaj Ambasade.

Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ftohen të gjithë votuesit e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Për ushtrimin e së drejtës së votës, votuesit duhet të jenë të regjistruar për votim në Ambasadë dhe të posedojnë një nga dokumentet zyrtare të identifikimit të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi, edhe në rast se dokumenti ka afat të skaduar.

Fotografi nga procesi i përgatitjes për ditën e zgjedhjeve në diasporë ka publikuar edhe Ambasada e Kosovës në Slloveni.

Edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka ftuar votuesit e regjistruar që të marrin pjesë në votim.

“Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Ftojmë të gjithë votuesit e regjistruar me sukses që të marrin pjesë në votim, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja, çdo votues duhet të jetë i regjistruar për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, dhe të posedojë një nga dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi”, thuhet tutje. /Telegrafi/



Votimi në përfaqësitë diplomatike, fotografi nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb

27 December 2025 at 12:24


Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka njoftuar se që nga ora 07:00 ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës të regjistruar për votim pranë kësaj Ambasade.

Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ftohen të gjithë votuesit e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Për ushtrimin e së drejtës së votës, votuesit duhet të jenë të regjistruar për votim në Ambasadë dhe të posedojnë një nga dokumentet zyrtare të identifikimit të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi, edhe në rast se dokumenti ka afat të skaduar. /Telegrafi/






Sadiku: Prishtinë, ti je nismëtarja e ndryshimit

27 December 2025 at 12:03


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Ermal Sadiku një ditë para zgjedhjeve ka thënë se Prishtina nuk është veç kryeqendër, por është edhe nismëtare e ndryshimit.

Ai në një postim në Facebook shkruan se të dielën të zgjidhet shpresa.

“Prishtinë, a jemi gati për 28 dhjetor?

Prishtinë, ti s'je veç kryeqendra. Ti je nismëtarja e ndryshimit. Je sinjali i parë i shpresës.

Ti je dëshmia që arroganca nuk kalon. Ti je ajo që ia jep përgjigjen më së miri papërgjegjësisë. Ti nuk e duron stagnimin.

Prandaj, të dielën zgjedhim shpresën”, shkruan ai.

Votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, deri në orën 09:00 kanë votuar 8.64% e votuesve të regjistruar

27 December 2025 at 11:42


Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka nisur në ora 07:00 procesi i votimit për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit.

MPJD bën të ditur se deri në orën 09:00 kanë votuar 8.64% e votuesve të regjistruar.

“Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Vendvotimet do të jenë të hapura deri në ora 19:00. /Telegrafi/

Presidentja e ALDE, Svenja Hahn për Bedri Hamzën dhe PDK-në: Kosovës i duhet lidership që bashkon dhe sjell stabilitet

27 December 2025 at 11:37


Presidentja e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), ALDE, Svenja Hahn, ka shprehur mbështetjen e saj për Bedri Hamzën dhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj demokratik.

Në videomesazhin e saj, Hahn vlerëson se çdo demokraci ka nevojë për stabilitet, unitet dhe miq të fortë e të besueshëm, duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës varet nga një udhëheqje që di t’i bashkojë njerëzit, të qeverisë me përgjegjësi dhe të forcojë partneritetet me Evropën dhe komunitetin ndërkombëtar.

Ajo thekson se Bedri Hamza është një lider me përvojë, me dorë të sigurt dhe me bilanc të dëshmuar në shërbimin publik, i cili e kupton rëndësinë e stabilitetit ekonomik, forcimit institucional dhe vlerave demokratike. Sipas Hahn, PDK dhe Bedri Hamza janë të përkushtuar ndaj dialogut, bashkëpunimit dhe një të ardhmeje evropiane për Kosovën.

“Kosova meriton një udhëheqje që bashkon dhe që sjell rezultate”, përfundon presidentja e ALDE, duke konfirmuar mbështetjen e familjes liberale evropiane për vizionin dhe lidershipin e Bedri Hamzës.


Përfshihet nga zjarri kulmi i një shtëpie në lagjen "Bregu i Diellit"

27 December 2025 at 11:21


Kulmi i një shtëpie në lagjen "Bregu i Diellit" në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mesditën e së shtunës.

Lexues të Telegrafit kanë sjell fotografi nga vendi i ngjarjes, gjersa shihet duke dal tym nga kulmi i shtëpisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zjarrfikësit.





Telegrafi i ka shkruar Policisë dhe Zjarrfikësve dhe është në pritje të informacioneve zyrtare. /Telegrafi/






Bajra shpjegon luhatjet që goditën ekonominë globale gjatë vitit 2025

27 December 2025 at 11:00


Viti 2025 është karakterizuar nga disa luhatje të forta në tregjet financiare globale, si pasojë e kombinimit të gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe zhvillimeve në sektorin teknologjik.

Kështu deklaroi eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast”.

Sipas Bajrës, një nga goditjet kryesore lidhet me sektorin e teknologjisë, i cili zë një peshë të madhe në indeksin amerikan.

“Kemi pasur katër luhatje serioze në tregjet globale. Ato erdhën si kombinim i gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe goditjes së sektorit të teknologjisë”, tha Bajra.



Ai shtoi se rënia e besimit te kompanitë e mëdha teknologjike, frika nga inteligjenca artificiale dhe reagimet emocionale të investitorëve krijuan pasiguri të theksuar, por pa kolaps sistemik.

“Investitorët reagojnë shumë shpejt. Kur kapitali tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik, por tregjet kanë treguar rikuperim gradual”, theksoi Bajra shkruan Telegrafi.

Eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast"

Ai ka shtuar se Viti 2025 ka shënuar një ndryshim të thellë në rendin gjeopolitik dhe ekonomik global, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare vlerësoi se nuk ka pasur vetëm ndryshim administrate, por edhe ndryshim doktrine politike dhe ekonomike. /Telegrafi/


Qytetari i la dy qese me bërllok jashtë kontejnerëve, shikoni si vepron Policia në Shkodër

27 December 2025 at 10:50


Në Shkodër, një burrë i la dy qese me plehra poshtë kontejnerëve të bërllokut, ndonëse kontejnerët ishin bosh, duke mos i vendosur kështu në vendin e duhur.

E atypari rastësisht kaloi një makinë policie e bashkisë e cila e ndaloi.

Pas këshillimit, i njëjti edhe u gjobit, raporton Euronews.al.

Më poshtë mund ta shikoni videon.


Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë

27 December 2025 at 10:22


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është gjetur pa shenja jete.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Miran Hajra”, në jug të Mitrovicës, më 26.12.2025

“Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion. /Telegrafi/

❌
❌