Vengu: Gjurmueshmëri e avancuar për çdo armë zjarri
TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu prezantoi në Kuvend projektligjin për import-eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, një nismë që synon të forcojë kuadrin rregullator të industrisë së mbrojtjes.
Vengu u shpreh se kjo nuk është një nismë e izoluar por është pjesë e një pakete të gjerë ligjore, e cila synon po ashtu kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak.
Ministri Vengu theksoi se projektligji synon të garantojë integritetin e të gjithë zinxhirit nga prodhimi, tregtimi, eksporti, tranziti i armëve të zjarrit, duke rritur sigurinë, transparencën, bashkëveprimin e institucioneve ligjzbatuese.
Sipas tij, ky është një ligj plotësisht i ri, i cili transpozon në mënyrë të plotë rregulloren e Bashkimit Evropian, pa transpozim selektiv dhe pa asnjë kompromis.
“Ai e vendos Shqipërinë në të njëjtin standard ligjor me vendet anëtare të BE-së në një fushë kyçe për sigurinë publike dhe madje sigurinë kombëtare. Projektligji forcon mekanizmin e kontrollit shtetëror, pa krijuar institucione të reja dhe vlen ta theksojë këtë pikë”, tha Vengu.
Një risi thelbësore e këtij projektligji, sipas ministrit Vengu, është krijimi i një mekanizmi licencimi elektronik, të sigurt, të enkriptuar, i cili rrit sigurinë e të dhënave dhe efikasitetin e procesit të autorizimeve.
Paralelisht, Vengu tha se projektligji rrit bashkëveprimin mes agjencive ligjzbatuese, dhe mundëson krijimin e një baze të dhënash unike ndërinstitucionale.
Për sa i përket risive kryesore, Vengu theksoi se “elementi i parë është gjurmueshmëria e avancuar për çdo armë zjarrit”. Po ashtu sipas tij, forcohet kontrolli gjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, administrimi elektronik i autorizimeve si dhe masat parandaluese edhe sanksionet për të mbyllur çdo hapësirë abuzimi.
Para deputetëve, Vengu sqaroi se projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe detyrimet nga zbatimi i tij do të përmbushen brenda kapaciteteve ekzistuese institucionale.
“Projektligji është pjesë e piketave ndërmjetme në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian ndaj edhe përfaqëson një hap të matshëm drejt përmbushjes së tyre”, shtoi ministri.
/m.m/j.p/
The post Vengu: Gjurmueshmëri e avancuar për çdo armë zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.