Numërimi vazhdon në QKN, procesohen rezultatet nga 1,039 vendvotime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani janë procesuar 1,039 vendvotime nga Qendrat Komunale të Numërimit, nga gjithsej 2,557, që përbën 40.63 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.
Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje prin me 47.37 për qind të votave të numëruara. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.90 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 12.25 për qind.
Në vendin e katërt është Lista Serbe me 8.29 për qind, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.15 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka marrë 1.33 për qind të votave të procesura deri tani.
Procesi i numërimit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme. /Telegrafi/
