Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Nga Shkodra te Durrësi, Berati e Gjirokastra/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile: Situatë e rënduar nga moti i keq në disa qarqe të vendit

By: V K
11 January 2026 at 13:58

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dalë me një njoftim zyrtar mbi situatën e krijuar në vend si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit, të cilat kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe kanë shkaktuar problematika hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.

Sipas njoftimit, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër. Në qarqet e tjera të vendit, problematikat kanë qenë më të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë shtim të prezencës së ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit, si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat, kanalet kulluese dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat vendore.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri. Megjithatë, vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë tokë bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe funksionalizimin e shkarkuesve për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Ndërkohë, vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore, prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike, si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë nevojën për masa shtesë.

Ndërsa në qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik. Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët.

Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

The post Nga Shkodra te Durrësi, Berati e Gjirokastra/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile: Situatë e rënduar nga moti i keq në disa qarqe të vendit appeared first on Albeu.com.

Prej katër ditësh në izolim/ Autoritetet lënë në mëshirë të fatit fshatin Bashaj, banorët ‘çajnë’ vetë rrugën

By: V K
11 January 2026 at 13:07

Rëshqitja masive e dherave në bashkinë e Selenicës, ka bërë që banorët e fshatit Bashaj të izolohen prej katër ditësh.

Sipas raportimeve, rreth 250 banorë të fshatit vijojnë të jenë të izoluar prej katër ditësh, ndërsa ende nuk është marrë asnjë masë për lirimin e rrugës kryesore.

Mësohet se për shkak të mosangazhimit nga ana e pushtetit lokal, banorët kanë nisur të hapin vetë rrugën e fshatit dhe të mundohen që me forca dhe materiale të blera nga të ardhurat personale, të mund të bëjnë sado pak një vendkalimi për ta, për të shpëtuar nga izolimi.

Si pasojë e motit të keq gjithashtu, raportohet edhe për mungesë të energjisë elektrike në këtë zonë.

The post Prej katër ditësh në izolim/ Autoritetet lënë në mëshirë të fatit fshatin Bashaj, banorët ‘çajnë’ vetë rrugën appeared first on Albeu.com.

Meta nga burgu: Arben Ahmetaj një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë

By: V K
11 January 2026 at 13:00

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vlerësuar publikisht ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe në betejën kundër korrupsionit dhe asaj që ai e quan “organizata kriminale që ka marrë peng Shqipërinë”.

Në një reagim në Facebook, Meta u shpreh se intervista e fundit e Ahmetajt ka dëshmuar seriozitetin, integritetin politik dhe profesional, si dhe angazhimin e tij atdhetar për zbardhjen e çështjeve që lidhen me abuzimin e pushtetit.

Ilir Meta, vuri theksin edhe te denoncimet e Ahmetajt mbi trafikun e drogës dhe ndikimin e tij në shoqëri, duke i cilësuar ato si thelbësore për të ardhmen ekonomike, sociale dhe politike të vendit.

“Ai ka vendosur të bëhet një lider i të gjithë socialistëve të mashtruar, të tradhëtuar dhe të shantazhuar nga organizata kriminale. Ndaj dhe gjithmonë flet në emër të socialistëve, ndaj i ndan ata nga Organizata Kriminale dhe bashkia, depozita e parë dhe 26 vjeçare e Kreut të Organizatës. Ahmetaj po flet si një socialist patriot, që e ndjen se regjimi që bazohet mbi trafikun e drogës po shkatërron shoqërinë në çdo aspekt ekonomik, social e politik”, shkruan Meta.

Meta e krahasoi rolin e Ahmetajt, me atë të politikanëve grekë që gjatë diktaturës ushtarake vepronin nga Perëndimi për të ndikuar në të ardhmen demokratike të vendit.

“Këtë rradhë me koherencën, kthjelltësinë, vërtetësinë e tij, ai mua më kujtoi shumë politikanë të shquar grekë, të cilët në pamundësi për aktivitet politik në Greqi gjatë juntës ushtarake, u zhvendosën në Perëndim për të luftuar që andej për të ardhmen demokratike të Greqisë”, mbyll postimin e tij Ilir Meta.

Reagimi i Ilir Metës:

Arben Ahmetaj, një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë.

Intervista e fundit e Z. Arben Ahmetaj, dëshmoi seriozitetin dhe integritetin e tij politik, profesional dhe atdhetar për çmontimin e Organizatës Kriminale që ka marrë peng Shqipërinë.

Të gjithë ata që ngrinin dyshime mbi të vërtetat e tij një vit më parë, ka kohë që kanë mbyllur gojën, sepse gjithçka është provuar besnikërisht.

Të gjithë ata që vunë në diskutim çmimin 33.600 euro të shishes së verës që pinte Kreu i Organizatës, besoj se e kanë të qartë se zhdukja e kantinës provë të gjetur padashje, ishte një operacion shtetëror brenda natës dhe jo vepër e një kushëriri.

Përpjekja për sekuestrimin e tij (rrëmbimin) ilegal, është pjesë e manualit të rrëmbimeve që bën organizata, siç është provuar prej saj edhe nga rasti i Gerond Meçes dhe Daniel Shimës (dhe shumë raste të tjera).

Por ata gabojnë rëndë.

Duket qartë se Arben Ahmetaj nuk ka vendosur të jetë thjesht një dëshmitar e denoncues për çmontimin e organizatës kriminale.

Duket se ai ka bërë një hap të madh e cilësor përpara.

Ai ka vendosur të bëhet një lider i të gjithë socialistëve të mashtruar, të tradhëtuar dhe të shantazhuar nga organizata kriminale.

Ndaj dhe gjithmonë flet në emër të socialistëve, ndaj i ndan ata nga Organizata Kriminale dhe bashkia, depozita e parë dhe 26 vjeçare e Kreut të Organizatës.

Ahmetaj po flet si një socialist patriot, që e ndjen se regjimi që bazohet mbi trafikun e drogës po shkatërron shoqërinë në çdo aspekt ekonomik, social e politik.

Ai është i bindur se droga është nëna e të gjithë të këqijave (pasojave) për shoqërinë e çdo familje shqiptare.

Me 7 denoncimet e faktuara, Ahmetaj ka rimarrë lidershipin e luftës kundër korrupsionit dhe organizatës kriminale, por edhe ka fituar besimin e shumë njerëzve të ndershëm brenda PS e administratës se ai e ka seriozisht përmirësimin e qëndrueshëm të kujtesës.

Në veçanti, tronditëse janë dëshmitë e tij për kapacitetet e gjymtuara portuale të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve, që duhet të kthehet në një çështje madhore për të gjithë.

Këtë rradhë me koherencën, kthjelltësinë, vërtetësinë e tij, ai mua më kujtoi shumë politikanë të shquar grekë, të cilët në pamundësi për aktivitet politik në Greqi gjatë juntës ushtarake, u zhvendosën në Perëndim për të luftuar që andej për të ardhmen demokratike të Greqisë .

Dhe ata u bënë protagonistë të fuqishëm në Greqinë e re.

The post Meta nga burgu: Arben Ahmetaj një luftëtar për të ardhmen e Shqipërisë appeared first on Albeu.com.

Dalja e lumit Seman nga shtrati shkakton dëme të mëdha/ Fermerët kërkojnë ndihmë urgjente

By: V K
11 January 2026 at 12:25

Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Mbrostar Ura, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme.

Si pasojë, janë përmbytur stalla bagëtish dhe pulari, duke vënë në rrezik serioz jetesën e fermerëve.

Banorët ankohen për situatën e rëndë dhe kerkojne ndihmë urgjente nga shteti, për të nxjerrë bagëtitë nga uji dhe për të përballuar pasojat e përmbytjes.

 

The post Dalja e lumit Seman nga shtrati shkakton dëme të mëdha/ Fermerët kërkojnë ndihmë urgjente appeared first on Albeu.com.

Përmbytjet në vendin tonë/ Debat nga verifikimi i dëmeve në Ferras, Kryeplaku: Procesi nuk po zhvillohet i drejtë!

By: V K
11 January 2026 at 12:10

Paraditen e sotme, katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë në terren në fshatin Ferras, për të konstatuar dhe verifikuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Procesi i verifikimit ka nisur me debati pasi Kryeplaku i fshatit Zani Hyka, pretendon se verifikimi nuk po bëhet i drejtë.

Procesi i verifikimit po zhvillohet si brenda ashtu edhe jashtë argjinaturës, në kuadër të fazës së parë të evidentimit të prezencës së ujit dhe pasojave të tij në banesa.

Sipas të dhënave paraprake nga komisionet në terren, deri më tani janë evidentuar rreth 120 banesa të prekura, ku dëmet nuk kufizohen vetëm brenda ambienteve të brendshme të shtëpive, por shtrihen edhe në oborre, magazina, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë ndihmëse.

Në shumë raste, uji ka depërtuar në banesa duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Fillimisht, puna e komisioneve ka nisur në zonën brenda.

The post Përmbytjet në vendin tonë/ Debat nga verifikimi i dëmeve në Ferras, Kryeplaku: Procesi nuk po zhvillohet i drejtë! appeared first on Albeu.com.

Në stol apo në fushë? Xabi Alondo në pikëpyetje për Mbappen

By: V K
11 January 2026 at 11:41

Lojtar titullar? Zëvendësues? Pasiguria vazhdon të jetë e pranishme në situatën e Kylian Mbappé, përpara finales së Superkupës së Spanjës midis FC Barcelonës dhe Real Madridit.

Ndërsa pritshmëria fillestare ishte që ai të luante si titullar, L’Equipe tani raporton se situata ka ndryshuar dhe se ka më shumë të ngjarë që lojtari i lindur në Bondy të nisë në stol.

Megjithatë, mendimi mbizotërues është se atij do t’i jepet një shans. Sipas të përditshmes sportive, është vetë lojtari ai që ka fjalën e fundit, nëse do të jetë apo jo në formacionin titullar.

Për momentin, ai preferon të mos marrë rreziqe për të shmangur përkeqësimin e dëmtimit të tij. Nga ana e saj, AS është shumë më enigmatike.

Sipas botimit spanjol, mbërritja e tij e shpejtë në Xheda i ofron Xabi Alonsos një mundësi të rëndësishme sulmuese për finalen e Superkupës së Spanjës.

Francezi, i cili ka rifilluar stërvitjen pa incidente, mund të jetë në formacionin titullar për një ndeshje të kthimit kundër Barçës, pas finales së vitit të kaluar.

Duhet thënë se Mbappé do shumë të luajë kundër Barçës, pasi ka shënuar dymbëdhjetë herë në nëntë ndeshje kundër Blaugranëve. Dje, në një konferencë për shtyp, Xabi Alonso la disa dyshime:

“Ai është shumë më mirë. Fillimisht, menduam se ishte mjaftueshëm i aftë për të luajtur kundër Atléticos, kështu që vendosëm të mos nxitoheshim me rikthimin e tij. Por nëse arrijmë në finale, varësisht nga mënyra se si ndihet, ai do të luajë”.

Ai vazhdoi:Pas seancës stërvitore të sotme (dje), do të kemi të gjithë informacionin e nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e tij dhe për të parë nëse është gati të fillojë apo nëse duhet të luajë pak më pak.

Duhet ta masim rrezikun, t’i dimë rreziqet dhe të marrim përgjegjësi për vendimet tona. Nuk jemi kamikazë kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve. Është një rrezik i llogaritur”.

The post Në stol apo në fushë? Xabi Alondo në pikëpyetje për Mbappen appeared first on Albeu.com.

Vrasja e Gilmando Danit dhe “Sheqerit” në Rinas/ Prokuroria do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin

By: V K
11 January 2026 at 11:23

Prokuroria e Tiranës, do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin, në lidhje me atentatin e Rinasit ku u vra Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri).

Sipas BW, Shullazi do të pyetet nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin.

Gilmando Dani, ishte anëtar aktiv i grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi, i njohur ndryshe dhe si krahu i djathtë i këtij të fundit.

Ai ishte dënuar për gjobëvënie dhe liruar nga burgu në tetor 2024

Shullazi do të pyetet në ambientet e paraburgimit 313, por mbetet e paqartë nëse do të flasë për ngjarjen.

Si ndodhi atentati

Gilmando Dani, 47-vjeç, u vra më 11 nëntor të këtij viti te Rrethrrotullimi i Rinasit, pak pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona.

Ai ishte bashkë me Muçi Shaljani (Sheqeri) 40 vjeç punonjës i AMP-së (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore) dhe pasi zbresin në Rinas, marrin nga parkimi i aeroportit një mjet tip “Mecedez Benz” ngjyrë të bardhë.

Pak metra pas largimit nga aeroporti, autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë hapur zjarr me breshëri plumbash ndaj automjetit, duke shkaktuar vdekjen e Danit dhe plagosjen e Shaljanit, i cili ndodhet aktualisht në spital në gjendje kritike për jetën.

The post Vrasja e Gilmando Danit dhe “Sheqerit” në Rinas/ Prokuroria do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin appeared first on Albeu.com.

Lojtarët e Algjerisë nuk pranojnë eliminimin nga Kupa e Afrikës dhe përplasen me arbitrin

By: V K
11 January 2026 at 11:06

Në fund të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Afrikës mes Algjerisë dhe Nigerisë që u mbyll me fitoren 2-0 në nigerianëve, plasi grushti në fushë.

Lojtarët filluan të zihen me njëri tjetrin dhe situata doli plotësisht jashtë kontrollit.

Shumë prej tifozëve arritën të futeshin deri në pistën e atletikës që rrethonte fushën, me situatën që u desh kohë të qetësohej.

Por kjo nuk u mbyll me kaq pasi lojtarëve të Algjerisë nuk iu doli inati, duke iu kundërvënë edhe arbitrit Omar Artan pa shkuar ende në dhomat e zhveshjes.

The post Lojtarët e Algjerisë nuk pranojnë eliminimin nga Kupa e Afrikës dhe përplasen me arbitrin appeared first on Albeu.com.

Reshjet e dëborës/ Bllokohet aksi Krujë–Qafë Shtamë, izolohen disa fshatra

By: V K
11 January 2026 at 10:33

Reshjet e dëborës gjatë orëve të natës në Malësinë e Krujës, kanë sjellë probleme në qarkullim, duke bërë që niveli i dëborës të arrijë në mbi 25 centimetra.

Si pasojë, aksi rrugor Krujë–Qafë Shtamë është bllokuar, ndërsa disa fshatra të zonës kanë mbetur të izoluara.

Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe pritet ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për normalizimin e qarkullimit, sapo kushtet e motit ta lejojnë.

Deri më tani nuk raportohet për problematika të tjera, ndërsa banorët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

The post Reshjet e dëborës/ Bllokohet aksi Krujë–Qafë Shtamë, izolohen disa fshatra appeared first on Albeu.com.

Qarku Elbasan në errësirë, ndërprerje masive të energjisë elektrike në të shtatë Bashkitë

By: V K
11 January 2026 at 10:21

Paraditen e kësaj të diele, situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet mjaft problematike, në të shtatë bashkitë e Qarkut të Elbasanit.

Ndërprerjet e shpeshta dhe mungesa e energjisë kanë prekur zona të shumta urbane dhe rurale, duke shkaktuar vështirësi serioze për banorët dhe aktivitetet e përditshme.

Problemet më të theksuara raportohen në Zavalinë, në një pjesë të Mollagjeshit, si edhe në shumicën e fshatrave të Bashkisë Librazhd e Prrenjas .

Pa energji elektrike kanë mbetur zona si Qarrishta ,Xhyra,Hotolishti,Dardha dhe Prrenjasi, ndërsa situatë e ngjashme paraqitet edhe në fshatin Bardhaj dhe rrethinat përreth Prrenjasit.

Banorët shprehen të shqetësuar, pasi mungesa e energjisë po ndikon drejtpërdrejt në ngrohje, furnizimin me ujë, komunikimin dhe ruajtjen e produkteve ushqimore, sidomos në kushtet e motit të përkeqësuar.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, për rikthimin e energjisë dhe garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm.

Nga operatori i shpërndarjes së energjisë, konfirmohet se po punohet parreshtur për normalizimin e situatës në të gjithë Qarkun e Elbasanit, por kushtet e vështira atmosferike po bëhen pengesë për ritmet e punës në terren.

The post Qarku Elbasan në errësirë, ndërprerje masive të energjisë elektrike në të shtatë Bashkitë appeared first on Albeu.com.

Rama: Prurjet marramendëse të plastikës në lumenj janë kriminale, do dalim me masa të reja

By: V K
11 January 2026 at 10:07

Ditën e sotme, në hapje të sezonit të 6-të të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama, ka folur për përmbytjet si pasojë e reshjeve të shiut.

Rama ngriti shqetësimin e hedhjes së plastikës, duke shkaktuar grumbullime në sasi të këtyre materialeve.

Gjithashtu, kryeministri u shpreh se si qeveri do të marrin masa të reja, nga sensibilizimi deri tek gjobat për ata qe hedhin mbetje vend e pa vend.

“Përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull!

Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.

The post Rama: Prurjet marramendëse të plastikës në lumenj janë kriminale, do dalim me masa të reja appeared first on Albeu.com.

Rriten prurjet e lumenjve Shkumbin dhe Seman, situatë kritike në disa zona të Lushnjes

By: V K
11 January 2026 at 09:53

Situata paraqitet kritike në disa zona të Bashkisë Lushnje, si pasojë e rritjes së prurjeve në lumenjtë Shkumbin dhe Seman, të shkaktuara nga reshjet e shumta.

Në fshatin Thanasaj, ujërat e lumit Shkumbin kanë përfshirë dhjetëra banesa dhe oborre, duke shkaktuar vështirësi për banorët e zonës.

Sipas të dhënave deri në këto momente, niveli i ujit brenda argjinaturës nuk paraqet rrezik për dalje jashtë saj.

Ndërkohë, situata mbetet shqetësuese edhe në lumin Seman. Fshati Murriz–Kozare ndodhet nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ujërave të këtij lumi, ndërsa rritja e nivelit të tij përbën rrezik për disa fshatra përgjatë argjinaturës.

Më problematike paraqitet gjendja në fshatin Imshtë, ku niveli i ujit është pothuajse në të njëjtën lartësi me argjinaturën.

Deri në këto momente nuk raportohet rrezik për çarje të argjinaturës, por nëse prurjet vijojnë me të njëjtin intensitet, ekziston mundësia që ujërat të kalojnë mbi të.

The post Rriten prurjet e lumenjve Shkumbin dhe Seman, situatë kritike në disa zona të Lushnjes appeared first on Albeu.com.

Reshjet e dendura të shiut/ Ja zonat që rrezikohen të përmbyten sot

By: V K
11 January 2026 at 09:23

Moti i keq me reshje masive shiu vijon të mbajë të mbërthyer vendin, duke shkaktuar përmbytje në shumë qytete.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), si pasojë e reshjeve këtë të diel mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Rrezik të shtuar për përmbytje lokale do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Gjithashtu priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit, të cilat do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat dhe mund të krijojnë vështirësi në transportin rrugor.

Sot priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë, në bregdet: 9/10 °C; në vendet e ulëta: 8/9 °C dhe në vendet malore: -2/0 °C.

Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.

 

The post Reshjet e dendura të shiut/ Ja zonat që rrezikohen të përmbyten sot appeared first on Albeu.com.

Reshjet e dendura të dëborës/ Fshatra të izoluara dhe mungesë të energjisë elektrike, probleme në disa zona në Dibër

By: V K
11 January 2026 at 09:05

Reshjet e dendura të dëborës, kanë shkaktuar probleme të shumta në disa njësi administrative të Qarkut Dibër. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike.

Trashësia e dëborës në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr, ka kaluar mbi 40 centimetra.

Bashkia Dibër, po punon intensivisht për hapjen e rrugëve drejt fshatrave, megjithatë në këto momente raportohet se ende ka fshatra të izoluara.

Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra.

Rruga Peshkopi–Kukës, kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha.

Ndërsa segmenti te Ura e Çerenecit-Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.

Rruga Peshkopi–Tiranë, është e kalueshmr pa zinxhirë.

Në të gjithë qarkun, strukturat përkatëse po vijojnë punën për pastrimin dhe hapjen e rrugëve rurale.

The post Reshjet e dendura të dëborës/ Fshatra të izoluara dhe mungesë të energjisë elektrike, probleme në disa zona në Dibër appeared first on Albeu.com.

Dyshohet se e mori rrjedha e përroit, vijojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, Jurgen Karaj

By: V K
11 January 2026 at 08:35

Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Jurgen Karaj nga Bashkia Klos, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit në fshatin Dars.

Në ndihmë të forcave vendore kanë mbërritur edhe forcat speciale “Shqiponja”, si dhe forcat e ushtrisë, të cilat janë angazhuar intensivisht në operacionin e kërkimit.

Gjatë ditës së djeshme, kërkimet janë shtrirë përgjatë lumit Mat dhe kanë vijuar gjatë gjithë ditës, por janë ndërprerë vetëm pas rënies së errësirës.

Operacioni ka rifilluar sërish që në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në kërkime janë përfshirë gjithashtu familjarë të të riut dhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë autoritetet në terren.

The post Dyshohet se e mori rrjedha e përroit, vijojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, Jurgen Karaj appeared first on Albeu.com.

Përmbytjet do të shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike

By: V K
11 January 2026 at 08:17

Përmbytjet janë një nga rreziqet më të mëdha natyrore që mund të prekë një vend, dhe pasojat e tyre për ekonominë mund të jenë shkatërruese, nëse nuk merren masa të menjëhershme për parandalimin e tyre.

Edhe pse fenomenet e tilla janë shpesh të natyrës natyrore, ndikimi i ndryshimeve klimatike ka shtuar intensitetin dhe frekuencën e këtyre ngjarjeve, duke i bërë ato më të vështira për t’u menaxhuar dhe parashikuar.

Nëse nuk ndërhyhet me një plan të mirëfilltë të menaxhimit të ujërave dhe mbrojtjes nga përmbytjet, dëmet për ekonominë do të jenë të mëdha.

Kjo përfshin humbjen e pasurive materiale, shkatërrimin e infrastrukturës dhe dëme në sektorë kyçë si bujqësia dhe turizmi, si dhe rënien e besueshmërisë për investitorët e huaj.

Për të shmangur këto pasoja, është thelbësore që shtetet të investojnë në masat parandaluese, si ndërtimi i digave, sistemeve të menaxhimit të ujërave dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Për më tepër, duhet të merren masa për forcimin e kapaciteteve të adapotimit ndaj klimës dhe për të siguruar që qytetet dhe zonat rurale të jenë të përgatitura për situata të tilla.

Përveç ndërhyrjeve lokale, ndihma ndërkombëtare dhe bashkëpunimi global janë gjithashtu të nevojshme për të përballuar kërcënimet që vijnë nga përmbytjet.

Investimet në infrastrukturën e qëndrueshme dhe politikat e integruara ndërkombëtare mund të jenë çelësi për një mbrojtje më efikase ndaj këtyre katastrofave natyrore.

Mënyrat e menaxhimit të përmbytjeve dhe rëndësia e ndërhyrjeve në kohë janë më të rëndësishme se kurrë për të garantuar një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për ekonominë e vendeve të prekura.

The post Përmbytjet do të shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
11 January 2026 at 08:10

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 82.4 lekë, në shitje me 83.4 lekë.

Euro, do të blihet me 96.1 lekë, do të shitet me 97 lekë.

Franga zvicerane, blihet me 102.8 lekë dhe shitet me 103.8 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 110.4 lekë dhe shitet me 111.4 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.3 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Venezuela: Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme

By: V K
11 January 2026 at 07:37

Departamenti Amerikan i Shtetit, u ka bërë thirrje qytetarëve të Shteteve të Bashkuara që ndodhen në Venezuelë të largohen nga vendi menjëherë, duke paralajmëruar për përkeqësim të situatës së sigurisë.

“Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme”, deklaroi Departamenti i Shtetit, një javë pas kapjes së liderit venezuelian Nicolas Maduro.

Sipas njoftimit zyrtar, me rifillimin e fluturimeve ndërkombëtare, qytetarët amerikanë duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’u larguar sa më shpejt nga vendi.

Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që paraqesin milicitë e armatosura të njohura si “colectivos”, të cilat sipas njoftimit kryejnë kontrolle të automjeteve në rrugë, duke kërkuar shtetas amerikanë ose prova të mbështetjes ndaj Shteteve të Bashkuara.

Departamenti i Shtetit, u ka rekomanduar qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të sigurisë.

The post SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Venezuela: Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme appeared first on Albeu.com.

Njihuni me parashikimin e motit, 11 Janar 2026

By: V K
11 January 2026 at 07:29

Ditën e sitme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike relativit të paqëndrueshm. Moti parashikohet fillimisht me vranësira mesatare deri të dendura dhe prej orëve të mesditës mot kryesisht me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes.

Gradualisht pas orëve të mëngjesit reshjet e shiut humbasin intensitet dhe territor, duke mbetur prezente në juglindje me intensitet të ulët.

Në zonën e Alpeve, në verilindje në lartësinë mbi 100 metër dhe juglindje mbi 200-300 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar, në pjesën tjetër të vendit reshje lokale bore me intensitet të ulët.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës ndërpriten në të gjithë territorin. Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet të fitoi shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 4-6 ballë.

The post Njihuni me parashikimin e motit, 11 Janar 2026 appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 10 January 2026Main stream

Përleshje masive mes tifozëve përpara ndeshjes së Serie A Como-Bologna (VIDEO)

By: V K
10 January 2026 at 15:54

Nnë orët e para të pasdites, momente tensioni shpërthyen në Como, vetëm disa orë para ndeshjes midis ekipit të Fabregas dhe Bologn-as.

Përleshjet ndodhën midis dy grupeve të tifozëve pranë stadiumit Sinigaglia, disa orë para fillimit të ndeshjes.

Dy autobusë që transportonin tifozë të Kuqeblu, që mbërritën pranë stadiumit Sinigaglia, rastësisht kaluan një bar të frekuentuar nga tifozët e Comos.

Situsta u tensionua në fillim aty dhe më pas u përshkallëzua në hedhjen e shisheve dhe shkëmbimin e fyerjeve.

Ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit parandaloi pasoja më serioze, duke rivendosur qetësinë brenda pak minutash.

Si masë paraprake, disa rrugë u mbyllën përkohësisht dhe autobusët që transportonin tifozë të Bologna-s u larguan nën shoqërimin e policisë.

 

10.01.2026🇮🇹Streetfight Como – Bologna, click for more here: https://t.co/8QBlqIUKiS

All in one place. Tap to download.
🔗 https://t.co/FXnrFRpzhv pic.twitter.com/2N7og8dBwL

— Hooligans.cz Official (@hooliganscz1999) January 10, 2026

The post Përleshje masive mes tifozëve përpara ndeshjes së Serie A Como-Bologna (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

❌
❌