KQZ: Zgjedhje të qeta në Kosovë, mbi 44% e qytetarëve dolën në votim
PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar procesin zgjedhor si të qetë dhe pa incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor në Kosovë.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në përditësimin e fundit nga 98 për qind e vendvotimeve, në zgjedhje kanë votuar 890 mijë e 859 qytetarë, apo 44.56 për qind e votuesve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milionë e 999 mijë e 204. Radoniqi bëri edhe një krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ku deri në të njëjtën kohë, nga rreth 91 për qind e vendvotimeve, kishin votuar 40.04 për qind, apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milion e 970 mijë e 944 gjithsej.
Ai theksoi se gjatë gjithë ditës së votimit nuk janë evidentuar incidente që do të cenonin integritetin apo besueshmërinë e procesit zgjedhor në Kosovë.
“Në të dhënat preliminare nga 98 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote 890 mijë e 859 votues apo 44.56 për qind nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, rreth 91 për qind e vendvotimeve kishin votuar 40.04 për qind apo 789 mijë e 172 votues nga 1 milion e 970 mijë e 944 votues”,tha ai.
Sipas tij, pas konferencës së pasdites janë raportuar tri ndërprerje të energjisë elektrike në qendra votimi në komunat Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit, por situata është menaxhuar shpejt.
“Duke u mbështetur në komunikimet dhe raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga terreni, vlerësojmë se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Deri në këtë kohë që flasim, nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. Pas konferencës së pasdites, kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë elektrike në tri qendra votimi të komunave Rahovec, Dragash dhe Han i Elezit. Menjëherë është njoftuar KEDS-i dhe sipas informatave, energjia elektrike është rikthyer në kohë shumë të shpejtë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë institucionet e ndryshme për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si, Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, si dhe KEDS-in për trajtimin në kohë të shpejtë të rasteve të paraqitura”, tha Radoniqi.
Ai ka folur edhe për votimin me postë, duke thënë se në këto zgjedhje procesi ka qenë ndryshe. Sipas tij, të gjitha dërgesat e pranuara në adresat e KQZ-së, do të tërhiqen dhe do të kthehen në Kosovë më së largu deri më 5 janar, për shkak të festave të fundvitit dhe mosfunksionimit të shërbimeve postare gjatë vikendeve.
“Në këto zgjedhje procesi i votimit me postë ka shkuar më ndryshe. Të gjitha që i kemi pranuar në adresat tona, ato do të tërhiqen dhe do të kthehen në Kosovë. Tërheqja do të bëhet më së largu deri më datën 5 janar, për shkak të festave te fund vitit dhe vikendeve ku shërbimi postar nuk punojnë as në shtete të botës as tek ne. Sa i përket materialeve të votimit në përfaqësi diplomatike edhe këto do të pranohen por nuk ka ndonjë datë të caktuar, megjithatë, besoj se brenda javës së ardhshme do të arrijnë të gjitha në Kosovë…Mund të konfirmoj se rryma nuk do të ndalet, ashtu jemi dakorduar me KEDS, ashtu të gjithë zyrtarët e KEDS janë në terren dhe në vazhdimësi janë duke na dërguar fotografi nga secila qendër votimi që tregojnë se ka energji elektrike dhe nuk do të ketë shkëputje të energjisë elektrike”, u shpreh ai. Sa i përket rezultateve preliminare, Radoniqi ka paralajmëruar se ato pritet të publikohen sonte.
“Po, besoj sonte, diku rreth orës 22:30 apo 23:00, do t’ju njoftojmë me kohë kur do të mbajmë edhe konferencën”, nënvizoi ai.
Kosova votoi sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare – për herë të katërt brenda vitit – pas dështimit për muaj të tërë për formimin e institucioneve të vendit. /KosovaPress/
The post KQZ: Zgjedhje të qeta në Kosovë, mbi 44% e qytetarëve dolën në votim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.