TIRANË- Qeveria e Shqipërisë ka miratuar këtë javë një vendim të rëndësishëm për arsimin, duke hyrë në fuqi nga 1 janari.
Pagat bruto të punonjësve të arsimit parauniversitar do të indeksohen me 2.5%, ndërsa për ata me paga nga 58,000 deri në 74,000 lekë në muaj, shtohet edhe një shtesë prej 3,000 lekësh, që sjell një rritje totale nga 4% deri në 5.17%.
Nga ky indeksim përfitojnë 36,390 punonjës të sistemit arsimor: 30,000 në arsimin parauniversitar, 1,500 në arsimin profesional dhe 4,890 në arsimin parashkollor dhe konvikte.
Kryeministri Edi Rama theksoi në podkastin “Flasim” se kjo masë tregon përkushtimin e shtetit për rritjen e mirëqenies së mësuesve, edukatorëve, psikologëve dhe punonjësve të tjerë të arsimit.
“Kemi miratuar këtë jave dhe një nga vendimet më të rëndësishme, që lidhet drejtpërdrejt me një nga shtyllat kryesore të jetës së vendit dhe që ka të bëjë në mënyrë të pazgjidhshme me mirërritjen e fëmijëve tanë, që është arsimi.
Nga 1 janari, hyri në fuqi indeksimi me 2.5% i pagës bruto dhe për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jo mësimorë të arsimit parauniversitar që nuk është vetëm kaq, por për kategoritë me pagë nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, aplikohet dhe një shtesë tjetër prej 3 mijë lekësh, që do të thotë që rritja e përgjithshme për këto kategori, arrin nga 4% deri në 5.17%.
Kjo është një risi në buxhetin e shtetit shqiptar, pra indeksimi i pagave, gjë që është aktuale në këtë pikë të bisedës për mësuesit, por nuk janë vetëm mësuesit, që përfitojnë nga ky indeksim gjë që ndodhte deri dje, vetëm për pensionistët, sepse ato ishin dje mundësitë. Sot, kjo Shqipëri ka mundësi të reja dhe siç e kam thënë në kohë të padyshueshme kur i thonë fjalës, pra, atëherë kur këto gjëra nuk ndodhnin, kam thënë se do të ndodhnin, që sa herë ne të rrisim mundësitë, duke rritur ekonominë, aq herë rritja e mundësive do të kthehet në diçka e prekshme për njerëzit.
Dhe është e prekshme aktualisht për 36,390 punonjës të sistemit arsimor: 30,000 në arsimin parauniversitar, 1,500 në arsimin profesional, 4,890 në arsimin parashkollor dhe në konvikte Me një efekt financiar të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit, por tërësisht të merituar për njerëzit që përfitojnë dhe nuk është një shifër në tabelë, është një mesazh.
Një mesazh i qartë se tanimë nuk jemi më në kohën kur duhet pritur me vite për të parë një rritje sado simbolike page, po jemi në kohën që rrisim ekonominë, rrisim mundësitë dhe rrisim aftësinë rishpërndarëse të shtetit. Dhe është një mesazh për punën e mësuesit, për punën e edukatorit, psikologut, punonjësit social dhe çdo punonjës të sistemit arsimor, se ne jemi pranë tyre dhe do të vazhdojmë të mbështesim dhe përsëris, sa herë të kemi një mundësi, ajo mundësi e re do të jetë një mundësi për ta, për rritjen e mirëqenies së tyre.”, u shpreh kryeministri./abcnews.al