Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Main stream

KINEMA – Tom Cruise lë Londrën për arsye sigurie

3 February 2026 at 20:37

LONDËR, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Ylli i Hollivudit, Tom Cruise, thuhet se është larguar nga rezidenca e tij luksoze në Londër, mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në zonë.

“Daily Express” raportoi të hënën se aktori 63-vjeçar vendosi të largohet nga periferia e Knightsbridge pas një grabitjeje të dhunshme gjatë ditës në Butikun Bucherer Rolex aty pranë.

Gjatë incidentit, thuhet se një bandë motoçiklistësh mbërriti dhe përdori hanxharë për të zmbrapsur stafin e sigurisë, ndërsa thyenin me çekiçë dhe mjete të specializuara xhamat e përforcuar. Rreth 20 orë luksoze u vodhën në një bastisje që zgjati vetëm tre minuta para se të dyshuarit të iknin.

Burimet e cituara nga “Daily Express” thanë se incidenti përforcoi bindjen e Cruise se lagjja ka “pësuar rënie” vitet e fundit.

Raportimet theksojnë se stafi u pa më vonë duke larguar kuti nga prona pas largimit të tij të papritur.

Knightsbridge dhe Belgravia aty pranë janë përballur me probleme të vazhdueshme me krimet të lidhura me motoçikleta. Të dhënat e Policisë Metropolitane tregojnë se 295 krime u regjistruan në Knightsbridge dhe Belgravia në nëntor të vitit 2025.   /os/

The post KINEMA – Tom Cruise lë Londrën për arsye sigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Shohim shenja përparimi për fundin e luftës Rusi-Ukrainë

3 February 2026 at 19:44

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se administrata e tij po sheh shenja të hershme përparimi në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që njëkohësisht angazhohet në diplomaci me Iranin dhe në të gjithë Lindjen e Mesme.

Duke folur nga Zyra Ovale, Trump u pyet në lidhje me bisedimet e ardhshme që përfshijnë të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, i cili është planifikuar të takohet me Ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, të premten.

“Kemi Iranin, kemi Rusinë, Ukrainën dhe kemi Lindjen e Mesme. Kemi shumë gjëra që po ndodhin”, tha Trump, duke shtuar se shumë nga konfliktet i paraprinë kthimit të tij në detyrë.

– “Urrejtje e jashtëzakonshme midis Zelensky dhe Putin”

Duke u ndalur te Ukraina, Trump tha se ishte optimizën të kujdesshëm. “Mendoj se po shkojmë shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Për herë të parë, po e them këtë”, tha ai, duke sugjeruar se “ndoshta” mund të ketë “disa lajme të mira”.

Presidenti theksoi atë që e përshkroi si shkallën e viktimave, duke e quajtur konfliktin të pakuptimtë. “Po humbasim – 25.000 njerëz në muaj po vriten në atë luftë”, tha Trump, duke theksuar numrin e viktimave pavarësisht ndikimit indirekt të luftës në SHBA.

Trump kritikoi përsëri trajtimin e ndihmës për Ukrainën nga ish-Presidenti Joe Biden, duke pretenduar se administrata e mëparshme shpenzoi “350 miliardë dollarë”.

Ai tha se qasja e tij kërkon që aleatët të mbajnë mbi supe një pjesë më të madhe të barrës financiare, duke argumentuar se vendet evropiane po i paguajnë SHBA-së për armë përmes marrëveshjeve të NATO-s. “Ne dërgojmë raketa atje. Ata na paguajnë plotësisht. Nuk na kushton as 10 cent”, tha ai.

Pavarësisht se theksoi kostot, Trump tha se qëllimi i tij kryesor ishte humanitar. “Ajo që dua vërtet të bëj është t’i shpëtoj ata njerëz nga vdekja”, deklaroi ai.

Trump pranoi se progresi ka qenë më i ngadaltë se sa pritej, duke përmendur armiqësinë e thellë midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Ekziston një urrejtje e jashtëzakonshme midis Zelenskyy dhe Putin”, tha ai, duke e quajtur atë një pengesë kryesore për një zgjidhje më të shpejtë.   /os/

The post SHBA – Trump: Shohim shenja përparimi për fundin e luftës Rusi-Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEDIATRI – Fëmijët që hanë vetëm zhvillojnë të folurit më herët se të tjerët

3 February 2026 at 18:59

ROMË, 3 shkurt /ATSH-ANSA/ – Sipas studiuesve italianë të Universiteteve Tor Vergata dhe Sapienza fëmijët që hanë vetëm zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit të parët, me një numër më të madh vokalizimesh dhe gjestesh që në moshën një vjeçare.

Studimi  përfshinte gati 200 fëmijë.

Të ngrënit në mënyrë të pavarur përfaqëson një nga fazat më të rëndësishme të zhvillimit në rritjen e çdo fëmije dhe është një aftësi që përgjithësisht fitohet deri në vitin e dytë e gjysmë të jetës.

“Koha e vakteve nuk është vetëm një mundësi për të kënaqur nevojën për ushqim por është një kontekst në të cilin aktivizohen procese të shumta zhvillimore, që përfshijnë zhvillimin motorik, konjitiv dhe socio-emocional të një fëmije”,  thekson Giulia Pecora, autore e studimit.

Rezultatet e studimit tregojnë se inkurajimi i të ushqyerit të pavarur ka gjithashtu efekte pozitive në zhvillimin e gjuhës.

“Fëmijët që mësojnë të hanë në mënyrë të pavarur herët kanë më shumë mundësi për të manipuluar ushqimin dhe për të përsosur aftësitë e tyre motorike përmes lëvizjeve të duarve, dhe kjo ndikon gjithashtu në aftësinë e tyre për të komunikuar përmes gjesteve, gjë që është thelbësore në këtë moshë”, thesojnë autorët e studimit.   /os/

The post PEDIATRI – Fëmijët që hanë vetëm zhvillojnë të folurit më herët se të tjerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Rutte kryen një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë

3 February 2026 at 18:04

KIEV, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, theksoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbërriti të martën për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.

Zelensky publikoi në rrjetet sociale një video të tij dhe Rutte duke vendosur lule në Memorialin Popullor të Përkujtimit Kombëtar në kryeqytetin ukrainas.

“Sheshi Maydan. Memoriali Popullor i kujtesës kombëtare. Memorial në kujtim të heronjve tanë, ushtarëve, popullit tonë që mbrojti Ukrainën nga armiku, luftoi dhe dha gjënë më të vlefshme në këtë luftë. Së bashku me Mark Rutte, kujtimi i mbrojtësve dhe mbrojtësve të rënë ukrainas u nderua sot këtu”, tha ai.

Media ukrainase tha se Rutte më pas vizitoi parlamentin, Verkhovna Rada, për t’iu drejtuar ligjvënësve.   /os/

The post KIEV – Rutte kryen një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DUBAI – Nis punimet Samiti Botëror i Qeverive 2026

3 February 2026 at 16:41

DUBAI, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Samiti Botëror i Qeverive 2026 filloi në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të martën nën temën “Formësimi i Qeverive të së Ardhmes”, duke shënuar pjesëmarrjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e këtij eventi.

Samiti tre-ditor, që do të zhvillohet midis 3 dhe 5 shkurtit, bashkon më shumë se 6.250 vendimmarrës dhe ekspertë, duke përfshirë mbi 60 krerë shtetesh dhe qeverish dhe zëvendësit e tyre, më shumë se 500 ministra dhe përfaqësues nga mbi 150 qeveri, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

Kjo shënon pjesëmarrjen më të madhe të lidershipit në këtë event deri më sot që nga themelimi i tij në vitin 2013.

Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë trendet globale, të adresojnë sfidat globale dhe të eksplorojnë rolin e qeverive në formësimin e zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit.

Edicioni i këtij viti do të përfshijë çmime në katër kategori: Çmimin e Ministrit më të Mirë, Çmimin Global të Qeverisë më të Reformuar, Çmimin Ndërkombëtar të Praktikave më të Mira të Dubait për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Çmimin Global të Mësuesit.   /os/

The post DUBAI – Nis punimet Samiti Botëror i Qeverive 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 2 February 2026Main stream

BH – Dodik: Dua një RS të pavarur, 15 vende janë gati ta njohin atë

2 February 2026 at 22:55

SARAJEVË, 2 shkurt /ATSH-ANSA/ – Nëse Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së deklaron se Groenlanda ka të drejtën e vetëvendosjes, atëherë e njëjta gjë vlen edhe për Republikën Serbe, theksoi Milorad Dodik, ish-president i entitetit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës (RS).

Në një intervistë me stacionin televiziv serb të Bosnjës RTRS, Dodik, tani nominalisht udhëheqës i partisë së tij nacionaliste, SNSD, përsëriti se qëllimi i tij kryesor është një Republika Serbe e pavarur.

‘’Ky qëllim nuk është zhdukur dhe unë dua ta arrij atë përmes një procesi politik paqësor, duke përfituar nga momentumi ndërkombëtar që po zhvillohet’’, shton ai.

Sipas tij, “Republika Serbe, sapo të shpallet pavarësia, do të njihet nga 15 vende brenda pak ditësh”.

Dodik u takua sot në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi problemet më të rëndësishme rajonale dhe bashkëpunimin midis Beogradit dhe Banja Lukës.

“Armiqtë e Republikës Srpska janë në Sarajevë dhe midis elitave perëndimore. Do të duhet të vlerësojmë mundësinë për t’u bashkuar, qeveria dhe opozita, dhe të tërhiqemi nga Marrëveshjet e Dejtonit. Kjo duhet të ndodhë në rrugën e vetëvendosjes. Unë ia kushtoj jetën time Serbisë, popullit serb, paqes dhe lirisë”, shton ai.

Dodik u detyrua të jepte dorëheqjen si president i RS gushtin e kaluar, pas një vendimi nga Komisioni Zgjedhor i Bosnjës, i cili e shpalli atë të papërshtatshëm për detyrë pasi u dënua në apel me një vit burg (i cili u fal) dhe një ndalim gjashtëvjeçar nga mbajtja e një posti publik.  /os/

 

The post BH – Dodik: Dua një RS të pavarur, 15 vende janë gati ta njohin atë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Shtyhet deri në shtator sistemi i hyrje/daljeve në BE

2 February 2026 at 22:52

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH/ – Udhëtarët mund të presin fushata informuese dhe aktivitete ndërgjegjësimi në pikat kufitare.

Sistemi i Hyrjes/Daljes në BE (EES), i vonuar prej kohësh, për qytetarët jo-BE, filloi prezantimin e tij në faza tetorin e kaluar.

Zbatimi gradual i teknologjisë biometrike kufitare ka hasur tashmë probleme fillestare, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme për pasagjerët e linjave ajrore, trageteve dhe Eurotunnel.

Një anketë e kryer nga Holiday Extras vitin e kaluar zbuloi se 82% e të anketuarve nuk ishin të qartë se si EES-ja e re do të ndikonte në udhëtime, ndërsa 35% nuk ​​ishin në dijeni se rregullat e reja do të hynin në fuqi këtë fundjavë.

Sistemi duhej të bëhej plotësisht funksional në të gjithë kufijtë e BE-së në prill 2026, por kjo tani është shtyrë për në shtator 2026 për shkak të frikës së kaosit të udhëtimit gjatë verës.

Vendimi do të thotë që shtetet anëtare kanë fleksibilitet më të madh për të menaxhuar kalimin në mbledhjen e të dhënave biometrike bazuar në mënyrën se si po përballen qendrat e tyre të transportit.

Për udhëtarët, kjo do të thotë që pasaporta juaj mund të vuloset manualisht në kufij gjatë disa muajve të ardhshëm.

Pothuajse një në pesë turistë tashmë ka ndryshuar ose anuluar planet e udhëtimit, dhe shumë prej tyre kanë shprehur shqetësime për vonesat në kufi.

Bashkimi Europian ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e Sistemit të Hyrje-Daljes (Entry/Exit System – EES), një reformë e rëndësishme që do të ndryshojë mënyrën se si kontrollohen udhëtarët nga vendet jashtë BE-së në kufijtë e zonës Schengen, shkruan euronews.com.

Sipas njoftimit, sistemi i ri ka nisur zbatimin më 12 tetor 2025, ndërsa do të aplikohet gradualisht deri më 10 prill 2026, kur pritet të jetë plotësisht funksional në të gjitha pikat kufitare të 29 vendeve të Schengenit.

Çfarë është EES dhe pse po futet në përdorim?

EES është një sistem digjital që zëvendëson vulat tradicionale në pasaportë. Ai regjistron automatikisht hyrjet dhe daljet, si dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të shtetasve jo-BE që udhëtojnë në zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra.

Sistemi do të mbledhë edhe të dhëna biometrike, përfshirë fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, me qëllim rritjen e sigurisë, luftimin e emigracionit të parregullt dhe parandalimin e qëndrimeve përtej afatit të lejuar.

Çfarë do të thotë kjo për udhëtarët?

Për udhëtarët nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë – përfshirë Shqipërinë – kjo do të thotë se në hyrjen e parë pas aktivizimit të EES:
do të kërkohet regjistrimi biometrik,
kontrolli kufitar mund të zgjasë më shumë se zakonisht,
të dhënat do të ruhen në një bazë të përbashkët europiane.

Autoritetet europiane paralajmërojnë se gjatë fazës fillestare mund të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika tokësore kufitare, derisa sistemi të funksionojë plotësisht.

ETIAS, hapi i radhës në kontrollin e udhëtimeve

Pas vendosjes së EES, BE planifikon të aktivizojë edhe ETIAS – një sistem autorizimi udhëtimi që do t’u kërkojë shtetasve të vendeve pa viza të aplikojnë online përpara udhëtimit në zonën Schengen. ETIAS pritet të hyjë në fuqi më vonë gjatë vitit 2026.

Një ndryshim i madh për udhëtimet drejt Europës

Autoritetet e BE-së theksojnë se këto masa synojnë të modernizojnë menaxhimin e kufijve dhe të rrisin sigurinë, ndërsa u bëjnë thirrje udhëtarëve të informohen paraprakisht dhe të planifikojnë udhëtimet me më shumë kohë në dispozicion.  /os/

The post FOKUS – Shtyhet deri në shtator sistemi i hyrje/daljeve në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Cilët sportistë janë më të prirur për të zhvilluar Alzheimer-in dhe Parkinsion-in?

2 February 2026 at 22:13

ROMË, 2 shkurt /ATSH-ANSA/ – Lojtarët profesionistë të futbollit, lojtarët e regbit dhe boksierët janë në rrezik jashtëzakonisht të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit dhe Parkinsonit, ose forma të ndryshme të demencës, shkruan salute.eu.

Teknikisht, gjendja e tyre quhet CTE (Encefalopati Traumatike Kronike) dhe disa studime e kanë hetuar atë.

Megjithatë, duhet thënë se rreziqet e sporteve të kontaktit kanë ekzistuar për gati një shekull.

Në vitin 1928, patologu amerikan Harrison Martland botoi një artikull shkencor në të cilin argumentoi se ‘boksierët e kanë njohur prej kohësh një gjendje të veçantë që ndodh midis boksierëve profesionistë, të cilën, në zhargonin e ringut, e quajnë të dehur nga grushtet’’.

Simptomat? Një ecje e lëkundur dhe konfuzion mendor. Dhe në disa raste, dehja nga grushtet është zhvilluar në demencë, e klasifikuar më vonë si demenca pugilistica sepse ndodh tek atletët që kanë pësuar trauma të përsëritura në kokë.    /os/

 

The post FOKUS – Cilët sportistë janë më të prirur për të zhvilluar Alzheimer-in dhe Parkinsion-in? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: India do të blejë naftë nga SHBA dhe jo Rusia, i ulim tarifat

2 February 2026 at 21:47

UASHINGTON, 2 shkurt /ATSH-ANSA/ – Ishte një nder të flisja me kryeministrin indian Modi, dhe ai është një nga miqtë e mi më të mirë, shkroi nç X presidenti amerikan Donald Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth.

”Ai ka rënë dakord të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të blejë shumë më tepër nga Shtetet e Bashkuara dhe, potencialisht, nga Venezuela. Kjo do të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë”, shkroi ai.

Donald Trump do të ulë tarifat ndaj Indisë nga 25% në 18% pasi kryeministri Narendra Modi u zotua të ndalojë blerjen e naftës ruse. Vetë presidenti e tha këtë në platformën e tij të mediave sociale, Truth.   /os/

The post SHBA – Trump: India do të blejë naftë nga SHBA dhe jo Rusia, i ulim tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Ukraina nuk po humb, Rusia nuk po fiton, si paraqitet situata në frontin e luftës?

2 February 2026 at 20:33

KIEV/MOSKË, 2 shkurt /ATSH/ – Në juglindje të qytetit të sulmuar ukrainas, Kupjansk, gjendet qyteza e vogël, Kupjansk-Vuzlovi.

Në nëntor të vitit 2025, komandanti më i lartë i ushtrisë ruse pretendoi se Kupjansku ka rënë në duart e tyre…Nuk ishte e vërtetë.

Në fakt, trupat ushtarake ukrainase kishin punuar në kundërofensivë dhe tani duket se po i largojnë edhe ushtarët e fundit rusë nga qyteti.

Javën që lamë pas, komandanti i njëjtë, gjenerali Valery Gerasimov, ka thënë se forcat ruse e kanë marrë kontrollin e Kupjansk-Vuzlovit.

Sipas vëzhguesve rusë dhe ukrainas të fushëbetejës, situata reale ishte kështu: forcat ruse ishin larg fshatit – rreth 10 kilometra – dhe as afër kontrollimit të tij.

Disa javë pas hyrjes së luftës në vitin e pestë, Rusia është duke goditur me sukses rrjetin energjetik të Ukrainës dhe shumë qendra të ngrohjes, duke i lënë qytetarët ukrainas nën temperatura të ulëta atmosferike. Por, Moska nuk është duke shënuar ndonjë fitore bindëse në fushëbetejë.

Forcat ushtarake të Moskës po e luftojnë mbrojtjen ukrainase në disa zona në frontin e luftës në gjatësi prej 1.100 kilometrash. Mirëpo, lëvizja e tyre është shumë e ngadalshme, ndoshta më e ngadalshmja në ndonjë lufte moderne, sipas një studimi. Dhe një realitet i tillë e ka koston e vet.

“Fronti i luftës përshkruhet më së miri si ‘stagnim dinamik’ që nënkupton luftime intensive me ndryshime gjeografike margjinale”, ka thënë Ivan Torres, major i pensionuar i ushtrisë amerikane, i cili tani punon si analist i lartë i ushtrisë ruse në grupin politik kërkimor Rochan Consulting.

Lodhja e Ukrainës u atribuohet edhe bisedimeve për paqe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shënuar përparim, mirëpo mospajtimet për një mori çështjesh vazhdojnë të jenë pengesë.

“Ukraina nuk po humb dhe Rusia nuk po fiton”, ka vlerësuar Instiuti Royal United Services, me seli në Londër.

Më poshtë i kemi renditur rajonet kryesore që meritojnë vëmendje:

KUPJANSKU

Qyteti njihet për një kryqëzim të rëndësishëm hekurudhor dhe deri më tani është përballur disa herë me luftë: Rusia e ka pushtuar atë pas nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Më pas, forcat ukrainase i kanë marrë nën kontroll pozicionet ruse në shtator, dhe kanë arritur deri në Oskil.

Mirëpo, për më shumë se një vit, forcat ruse – më shumë në numër, me më shumë armë – i janë afruar sërish Kupjanskut.

Në shtator, njësitet ruse kanë depërtuar përmes gazsjellësve të papërdorur nëntokësorë të Oskilit dhe kanë arritur në paralagjet e Kupjanskut në veri. Kështu, ata kanë infiltruar grupe të vogla ushtarësh në brendësi të qytetit.

Autoritetet lokale më pas kanë ngritur alarmin dhe komandantët ukrainas i kanë angazhuar kompanitë e specializuara për dronë, dhe para Vitit të Ri, njësitet ukrainase i kanë shtyrë tutje pozicionet ruse.

Megjithatë, moti i keq në tetë javët e fundit ka ndikuar në performancën e ushtarëve ukrainas për t’i larguar të gjithë ushtarët rusë nga ato zona.

Forcat ruse, në anën tjetër, nuk dorëzohen, ato tentojnë vazhdimisht t’i thyejnë bllokadat ukrainase dhe të rimarrin qytetin.

“Pastrimi i plotë i Kupjanskut duket i vështirë, por rusët e kanë humbur momentumin”, ka thënë Emil Kastehelmi, analist ushtarak në organizatën për kërkime, Black Bird Group.

“Nuk pres ndryshime të mëdha në të ardhmen në atë zonë”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë.

“Është e mundshme që Ukraina të humbë pozicionet në lindje të lumit Oskil në një pikë, mirëpo kjo nuk do të thotë që rusët do të avancojnë shumë në brendësi”.

KOSTIANTINIVKA

Një tjetër qytet me rëndësi për kryqëzime hekurudhore dhe furnizim të ushtrisë, Kostiantinivka, ka qenë shumë e rrezikuar prej kur ushtarët rusë arritën t’i largonin forcat ukrainase prej Çasiv Jar-it vitin e kaluar.

Ky rezultat u dha përparim rusëve. Çasiv Jar-i gjendet në lartësi më të madhe, duke u dhënë mundësi rusëve që të bombardojnë mbrojtjen ukrainase prej lartësisë.

Duke bërë presion prej jugut dhe jugperëndimit, ushtarët rusë tani synojnë disa lidhje të rëndësishme rrugore që shtihen drejt Kramtorskut. Ky qytet, bashkë me Sllovianskun, janë dy pika të rëndësishme përmes së cilave ukrainasit i mbrojnë pjesët e rajonit të Donjeckut që i kanë ende në duar.

“Kostiantinivka mund të jetë në listën e operacioneve kryesore të rusëve”, ka thënë Torres.

“Këto zona janë shumë problematike për Ukrainën. Forcat ruse kanë kaluar muaj duke tentuar të krijojnë qendra logjistike. Luftimet aty karakterizohen nga sulme të shpejta të këmbësorisë që synojnë t’i lodhin mbrojtësit ukrainas, në vend të një depërtimi të thellë”.

POKROVSKU DHE MIRNOHRADI

Dikur një qendër e rëndësishme logjistike për mbrojtjen ukrainase në rajonin e Donjeckut, Pokrovsku ka muaj është dërmuar, pasi njësite të vogla ukrainase janë infiltruar gradualisht në qytet. Strategjia ka funksionuar dhe tani ushtarët rusë kontrollojnë rreth 80-90 për qind të qytetit. Komandantët ukrainas po i mbajnë me vështirësi vijat e kontrollit në veriperëndim.

Rënia e Pokrovskut në duart e rusëve do t’i rrezikojë edhe pozicionet tjera ukrainase, përfshirë ato rreth qytezës së Mirnohradit, e cila është kryesisht nën kontrollin rus.

Ushtarët ukrainas kanë thënë se njësitet ruse kanë zhvendosur pajisje të rënda në qytezë dhe e kanë tashmë një zonë komanduese.

“Forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të të dyja qyteteve, ndonëse rezistenca ukrainase mund të jetë ende e vërejtshme në disa vende, qytetet mund të konsiderohen të humbura”, ka thënë Kastehelmi, i cili sapo është kthyer nga një udhëtim në Ukrainë.

HULJAPOLE DHE ORIHIVI

Në Hulyaypole, jugperëndim të Pokrovskut, kapacitetet e mbrojtjes ukrainase varen nga lumi Hajçur, i cili ndan qytetin në zona. Ekspertët kanë paralajmëruar që forcat ruse i kanë tejkaluar disa zona përtej lumit dhe i kanë konsoliduar pozicionet e tyre, dhe që ukrainasit po përpiqen t’i pengojnë përparimet e mëtejme.

Disa ekspertë kanë thënë se mbrojtja ukrainase mund të jetë dobësuar për shkak të forcave të dërmuara dhe vendimeve të komandantëve për t’i zhvendosur të gjitha resurset për ta zotëruar Kupjanskun në veri.

“Rënia e Hujlapoles ishte një ngjarje fatkeqe, mirëpo rusët nuk kanë avancuar shumë përtej saj”, ka thënë Kastehelmi.

Humbja e Huljaypoles është problematike sepse në zonën perëndimore është një stepë relativisht e hapur që nuk ka vija mbrojtëse dhe mund të kalohet lehtësisht nga automjete të blinduara. Kjo do t’ua hapte derën njësiteve ruse për të rritur presionin në perëndim drejt Orikhivit, qytet më i madh, rreth 70 kilometra larg.

“Kapja e këtij qyteti dhe thyerja e mbrojtjes ukrainase përgjatë lumit Hajçur kërcënojnë qëndrueshmërinë e mbrojtjes së Orikhivit nga Ukraina”, vlerëson Torres.

KAMJANSKE DHE ZAPORIZHJA

Vëmendje shumë më e vogël – ukrainase apo ruse – i është dhënë avancimit gradual të ushtarëve rusë në brigjet e atij që dikur ishte rezervuar i Kahovkas në lumin Dnjepër. Diga e Kahovkas është shkatërruar sa ka qenë në kontrollin rus në qershor të vitit 2023.

Në fund të dhjetorit të vitit 2025, trupat ruse kanë arritur të depërtojnë në qytezën Kamjanske, në drejtim të kryeqytetit rajonal, Zaporizhjas.

“Ata mund të shkaktojnë më shumë probleme në muajt në vijim, nëse arrijnë ta marrin qytetin në copëza të vogla”, vlerëson Kastehelmi.

“Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, situata në Zaporizhja mund të shkojë në drejtim shqetësues, por disa pengesa lokale dhe taktike tani, nuk nënkuptojnë se situata e përgjithshme po shkon drejt një krize të madhe”, shton ai pçr REL.   /OS/   /os/

The post KOMENT – Ukraina nuk po humb, Rusia nuk po fiton, si paraqitet situata në frontin e luftës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kubilius: SHBA do të garantojnë mbrojtjen bërthamore të antarëve NATO

2 February 2026 at 19:57

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-ANSA/ – Ne të gjithë synojmë të qëndrojmë në NATO. Kur flasim për pavarësi dhe autonomi, e gjithë kjo duhet të ndodhë brenda NATO-s,  deklaroi sot Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius.

‘’Duke folur për mbrojtjen konvencionale, në doktrinën e mbrojtjes të publikuar së fundmi, vetë amerikanët shprehin shumë qartë pritjen se ne do të mbajmë mbi supe pjesën më të madhe të barrës së mbrojtjes evropiane. Por kjo gjithashtu do të thotë se amerikanët synojnë të vazhdojnë të menaxhojnë dhe të na garantojnë mbrojtjen e tyre bërthamore”, deklaroi Kubilius.

“Kjo strategji e re kërkon plane shumë të qarta dhe një kuptim të qartë të asaj që duhet të bëjmë për të zëvendësuar aftësitë që amerikanët mund të fillojnë të zvogëlojnë”, shtoi Kubilius.

“Por çështja duhet të merret vesh hapur me amerikanët për të shmangur keqkuptimet dhe lëvizjet e papritura”, theksoi ai.    /os/

The post FOKUS – Kubilius: SHBA do të garantojnë mbrojtjen bërthamore të antarëve NATO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM dëbon një diplomat rus

2 February 2026 at 19:48

LONDËR, 2 shkurt /ATSH-AA/ – Ambasadori rus në Londër, Andrey Kelin, u thirr në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar për t’u informuar për dëbimin e një diplomati britanik nga vendi i tij.

Një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar tha: “Ne dënojmë me fjalët më të ashpra dëbimin e pajustifikuar nga Rusia të njërit prej diplomatëve tanë muajin e kaluar dhe akuzat e saj të pabaza kundër stafit tonë”.

Në deklaratë thuhet se Kelin u thirr në Ministrinë e Jashtme në lidhje me këtë çështje, duke shtuar: “Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme thirri ambasadorin rus dhe e bëri të qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë provokime kundër stafit të ambasadës. Prandaj, sot, si një hap reciprok, ne po ia revokojmë akreditimin një diplomati rus”.

Thuhet se Rusia “përpiqet vazhdimisht të prishë punën e misionit diplomatik britanik me qëllim pengimin e mbështetjes për Ukrainën”, dhe theksoi se çdo veprim i mëtejshëm nga Rusia do të konsiderohej një përshkallëzim i tensioneve dhe do të përballej me një përgjigje të ngjashme.

Danae Dholakia, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Britanike në Moskë, u thirr në Ministrinë e Jashtme muajin e kaluar dhe u informua se diplomati Gareth Samuel Davies, i cili punonte për ambasadën, ishte dëbuar me arsyetimin se ishte i lidhur me inteligjencën britanike.

Rusia i lëshoi ​​një notë proteste Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar që Davies të largohej nga Rusia brenda dy javësh.   /os/

The post LONDËR – BM dëbon një diplomat rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Temperaturat e ulëta ulin rezervat e gazit, opozita ndez alarmin

2 February 2026 at 18:01

BERLIN, 2 shkurt /ATSH-AA/ – Sasia e magazinimit të gazit natyror të Gjermanisë kanë rënë mes temperaturave të ulëta, duke nxitur thirrje nga opozita për masa të menjëhershme për të shmangur mungesa të mundshme.

Objektet e magazinimit ishin në 32,9 për qind kapacitet më 1 shkurt 2026 – një rënie e thellë nga 56,4 për qind në të njëjtën periudhë vitin e kaluar dhe rreth 57 për qind në fund të dhjetorit 2025. Rënia ndodh ndërsa gjermanët rrisin ngrohjen gjatë një nga dimrat më të ftohtë në vitet e fundit.

Michael Kellner, zëdhënësi për politikën energjetike i Partisë së Gjelbër opozitare, kritikoi qeverinë për “përgatitje të dobët” dhe paralajmëroi për kufizime të mundshme.

“Ne po dridhemi gjatë këtij dimri,” tha ai për transmetuesin publik ARD të dielën vonë, duke shtuar se ministria tani duhet të kërkojë kursim të gazit për të shmangur një krizë më të madhe.

Por Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, minimizoi shqetësimet mbi rezervat e shteruara. “Ne e monitorojmë situatën çdo ditë – nuk ka arsye për shqetësim,” tha ajo para një udhëtimi në Arabinë Saudite.

Reiche theksoi kapacitetin e Gjermanisë për të importuar gaz natyror të lëngshëm, ose LNG, nga jashtë, duke shprehur besim se vendi do ta kalojë dimrin pa probleme.

Gjermania ka luftuar me furnizime të qëndrueshme energjie që nga ndërprerja e importeve ruse pas shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë në 2022. Rusia kishte siguruar pothuajse 55 për qind të gazit natyror dhe 35 për qind të naftës bruto të Gjermanisë para konfliktit.

Që atëherë, vendi është kthyer te alternativa nga Norvegjia, Holanda dhe Belgjika – me çmime të rritura. Portet kryesore në Belgjikë dhe Holandë përpunojnë mbërritjet e LNG-së, të cilat pastaj transportohen me tubacione në Gjermani. Shumica e importeve të LNG-së së Gjermanisë vjen nga SHBA-ja.

The post GJERMANI – Temperaturat e ulëta ulin rezervat e gazit, opozita ndez alarmin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: OKB nuk po jep rezultatet e duhura

2 February 2026 at 16:32

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AA/ – Shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se OKB-ja “nuk po i zbaton veprimet ashtu siç duhet” dhe përsëriti nevojën për të zhvilluar një ligj ndërkombëtar me vendet që kërkojnë rend të bazuar në rregulla.

“Siç dëgjuam, Kombet e Bashkuara definitivisht nuk po i zbatojnë veprimet ashtu siç duhet”, tha Kallas ndërsa po fliste në Konferencën e Sigurisë në Oslo.

Ajo pranoi se ka shumë vende që duan një rend të bazuar në rregulla, duke nënvizuar se rendi ndërkombëtar i mbron ato.

“Ne jemi në këtë situatë ku duhet ta zhvillojmë më tej këtë ligj ndërkombëtar me ato vende që duan rend të bazuar në rregulla”, tha Kallas.

Duke theksuar se parimet e Kartës së OKB-së janë “shumë të mira”, ajo tha se pjesa e llogaridhënies “mungon”.

– “Të kesh varësi po të bën të prekshëm”

Kallas gjithashtu theksoi nevojën që Evropa të ndërtojë mbrojtjen e vet, duke shtuar se të kesh varësi e bën bllokun “të prekshëm”.

“Ne e kemi mësuar me vështirësi se (…) të kesh varësi po të bën të prekshëm”, tha ajo.

Ndërkohë, Kallas gjithashtu tha se njerëzit që thonë se kanë nevojë për një ushtri evropiane “nuk e kanë menduar vërtet këtë praktikisht”.

“Kjo është arsyeja pse them se duhet të forcojmë mbrojtjen evropiane, e cila është gjithashtu pjesë e NATO-s. Është vërtet plotësuese për NATO-n. Le të mos e hedhim NATO-n nga dritarja”, tha ajo.    /os/

The post BRUKSEL – Kallas: OKB nuk po jep rezultatet e duhura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KIEV – Një defekt teknik shkakton ndërprerje të rënda të energjisë në Ukrainë

31 January 2026 at 13:30

KIEV, 31 janar /ATSH-ANSA/ – Një defekt në sistemin elektrik të Ukrainës ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të konsiderueshme të vendit.

“Sot në orën 10:42 të mëngjesit, ndodhi një defekt teknologjik që shkaktoi ndërprerjen e njëkohshme të linjës 400 kW midis sistemeve elektrike rumune dhe moldave dhe linjës 750 kW midis Ukrainës Perëndimore dhe Qendrore”, tha Ministri ukrainas i Energjisë Shmyhal, në Telegram.

”Ajo shkaktoi një ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike në rrjetin elektrik ukrainas dhe aktivizimin e pajisjeve automatike të mbrojtjes në nënstacione.
Metroja e Kievit është gjithashtu jashtë shërbimit sot”, shtoi ai.   /os/.

The post KIEV – Një defekt teknik shkakton ndërprerje të rënda të energjisë në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 12 palestinezë të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite

31 January 2026 at 12:01

GAZA, 31 janar /ATSH-AA/ – Të paktën 12 palestinezë u vranë mëngjesin e sotëm në një seri sulmesh ajrore izraelite që goditën zona të ndryshme në të gjithë Rripin e Gazës.

Burime mjekësore thanë se pesë palestinezë, tre fëmijë dhe dy gra, u vranë, si dhe shumë të tjerë u plagosën nga një sulm ajror izraelit që goditi një apartament banimi në lagjen Rimal në perëndim të Qytetit Gaza.

Sipas ndihmësve mjekësorë në Spitalin Nasser në Khan Younis, shtatë palestinezë të tjerë, një burrë, tre djemtë e tij dhe tre nga nipërit e vegjël, u vranë në një tjetër sulm ajror izraelit që goditi një tendë ku strehoheshin persona të zhvendosur në zonën Asdaa, në veriperëndim të qytetit Khan Younis në jug të enklavës.

Disa palestinezë u plagosën gjithashtu në një sulm izraelit që goditi një apartament banimi në lagjen al-Tuffah, në lindje të Qytetit Gaza.

Avionët luftarakë izraelitë gjithashtu kryen një sulm ajror në rrugën al-Jalaa në veriperëndim të Qytetit Gaza, si dhe dy sulme në lindje të kampit të refugjatëve Bureij në Gazën qendrore, pa raportime për viktima.

Sipas zyrës së mediave të Gazës, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në fillim të tetorit, veprimet izraelite kanë vrarë të paktën 524 palestinezë dhe kanë plagosur më shumë se 1.360 të tjerë, duke kryer 1.450 shkelje.

Në një zhvillim të ndërlidhur, zyra e mediave tha se ushtria ka arrestuar 50 palestinezë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, duke i ndaluar ata nga zona larg “vijës së verdhë” dhe nga brenda lagjeve të banuara.   /os/

The post GAZA – Të paktën 12 palestinezë të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje Ukrainë-Rusi

31 January 2026 at 10:05

UASHINGTON, 31 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se beson se një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë mund të jetë afër, edhe pse pranoi armiqësinë e thellë midis udhëheqësve të të dy vendeve.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se armiqësia personale dhe politike midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit rus Vladimir Putin ka komplikuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

“Zelenskyy dhe Putin e urrejnë njëri-tjetrin dhe kjo e bën shumë të vështirë. Por mendoj se jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje”, tha Trump.

Ai nuk dha detaje për përmbajtjen e diskutimeve në vazhdim.

“Mendoj se kemi një shans të mirë për ta zgjidhur”, shtoi presidenti amerikan.   /os/

The post SHBA – Trump: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje Ukrainë-Rusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Çmimi i arit bie mbi 10 për qind pas deklaratës së Trumpit mbi Rezervën Federale

31 January 2026 at 09:29

UASHINGTON, 31 janar /ATSH-AA/ – Çmimet e arit, pasi u rritën vazhdimisht për rreth dhjetë javë, shënuan një rënie të fortë të premten.

Rreth orës 18:30 GMT, çmimi i arit për ons ra në nivelin 4.775 dollarë, me rreth 11 për qind rënie në bazë ditore.

Megjithatë, ari është rritur me rreth 88 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 19 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e shtuara tregtare dhe gjeopolitike, si dhe nga uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Edhe çmimet e argjendit pësuan një rënie të fortë, duke u ulur me mbi 33 për qind në 76,1 dollarë për ons. Rritja e tij gjatë 12 muajve ishte 255,6 për qind.

Vendimi i Rezervës Federale (Fed) të mërkurën për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara ndihmoi dollarin të rikuperohej nga nivelet më të ulëta të shumë viteve, megjithëse ai mbeti pranë një rënieje të dytë radhazi javore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ka zgjedhur ish-guvernatorin e Rezervës Federale, Kevin Warsh, si kandidat për postin e kryetarit të ardhshëm të Fed-it, duke thënë se ai do të jetë “një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed-it, ndoshta më i miri”.

Megjithatë, procesi i konfirmimit mund të rezultojë i vështirë, pasi disa senatorë republikanë janë zotuar të bllokojnë çdo nominim për Fed-in derisa Departamenti amerikan i Drejtësisë të përfundojë hetimin mbi rinovimin e selisë së bankës qendrore në Washington.   /os/

The post UASHINGTON – Çmimi i arit bie mbi 10 për qind pas deklaratës së Trumpit mbi Rezervën Federale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – TTW: Turistët francezë, gjermanë dhe amerikanë rrisin interesin për të eksploruar Shqipërinë

31 January 2026 at 08:10

TIRANË, 31 janar /ATSH/ – Turizmi në Shqipëri po ndryshon profil: Rritet ndjeshëm interesi nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan faqja e njohur ‘’Travel and Tour Word’’.

Turizmi në Shqipëri po hyn në një fazë të re zhvillimi, me një ndryshim të dukshëm të strukturës së vizitorëve të huaj dhe një rritje të fortë të interesit nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo prirje evidentohet në një analizë të publikuar nga portali ndërkombëtar Travel and Tour World, i cili thekson se ‘’vendi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregjet turistike perëndimore’’.

Sipas raportimit, ndonëse Kosova dhe Italia vijojnë të jenë burimet kryesore të turistëve për Shqipërinë, ritmet më të shpejta të rritjes po regjistrohen nga tregje më të largëta dhe me fuqi më të madhe blerëse.

Turistët nga Gjermania dhe Franca po shfaqin interes në rritje për destinacione kulturore, natyrore dhe bregdetare, ndërsa vizitorët amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri, ende të paeksploruar plotësisht në Mesdhe.

Tirana, Durrësi dhe bregdeti mbeten në qendër të vëmendjes.

Tirana vazhdon të jetë porta kryesore e hyrjes për turistët e huaj, falë lidhjeve ajrore në rritje dhe zhvillimit të shërbimeve urbane.

Ndërkohë, Durrësi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për turizmin familjar dhe atë detar, për shkak të afërsisë me kryeqytetin dhe infrastrukturës hoteliere ekzistuese.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe bregdetit shqiptar, veçanërisht Rivierës së Jugut, ku zonat si Vlora, Himara, Dhërmiu dhe Saranda po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj gjatë sezonit veror. Artikulli vëren se rritja e fluksit po shoqërohet edhe me shtim të kërkesës për struktura akomoduese cilësore dhe shërbime turistike më të standardizuara.

Fluturimet dhe çmimet, një faktor ndikues

Një nga faktorët kryesorë që po nxit rritjen e turizmit është zgjerimi i rrjetit të fluturimeve ndërkombëtare, veçanërisht nga kompanitë ajrore low-cost, të cilat kanë shtuar ndjeshëm destinacionet drejt Tiranës. Kjo ka lehtësuar aksesin për turistët europianë dhe ka ulur kostot e udhëtimit.

Gjithashtu, çmimet relativisht më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera të Mesdheut, së bashku me natyrën e paprekur dhe trashëgiminë kulturore, e bëjnë Shqipërinë një alternativë gjithnjë e më tërheqëse për pushime.

Sfida për zhvillimin e qëndrueshëm

Pavarësisht rritjes së fortë sektori përballet me sfida serioze. Ndër to përmenden presioni mbi infrastrukturën, menaxhimi i mbetjeve, mbipopullimi sezonal dhe rritja e çmimeve në disa zona turistike, çka mund të ndikojë negativisht në përvojën e vizitorëve.

Ekspertët vlerësojnë se për të ruajtur ritmet e rritjes dhe për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike, Shqipëria duhet të investojë më shumë në turizëm të qëndrueshëm, planifikim urban dhe mbrojtje të mjedisit.

Turizmi, një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë

Sipas të dhënave zyrtare, numri i turistëve të huaj në Shqipëri ka arritur nivele rekord, duke e shndërruar turizmin në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë kombëtare.

Rritja e interesit nga tregje të reja shihet si një mundësi për të rritur të ardhurat, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën përtej turizmit masiv veror.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion emergjent europian, me potencial të madh, por edhe me nevojën për politika afatgjata që të garantojnë zhvillim të balancuar dhe cilësor./  /os/

The post KOMENT – TTW: Turistët francezë, gjermanë dhe amerikanë rrisin interesin për të eksploruar Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌