SHBA – Trump: Tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë planet për Groenlandën
UASHINGTON, 16 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë përpjekjet e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke përsëritur pretendimin se ishulli është thelbësor për sigurinë kombëtare amerikane.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “tarifat mund të përdoren si mjet presioni ndaj vendeve që rezistojnë planeve të tij, pa dhënë detaje konkrete se cilat shtete mund të preken apo se kur mund të merren masa të tilla”.
Presidenti amerikan ka përdorur edhe më parë kërcënimin e tarifave kundër vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, në përpjekje për të avancuar interesat e SHBA-së në mosmarrëveshje të ndryshme tregtare dhe politike.
Deklaratat e përsëritura të Trump për marrjen e kontrollit mbi ishullin e madh arktik kanë shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm brenda NATO-s. Aleatët evropianë i kanë hedhur poshtë kategorikisht këto ide, duke theksuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se çdo ndryshim statusi duhet të vendoset nga populli i saj.
Në këtë kontekst, vendet evropiane po kërkojnë të forcojnë sigurinë rreth Groenlandës, e cila gëzon autonomi të gjerë, por është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Bisedimet e fundit të krizës mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe autoriteteve groenlandeze nuk kanë arritur të afrojnë qëndrimet e palëve.
Trump argumenton se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është i domosdoshëm për të frenuar zgjerimin e ndikimit rus dhe kinez në rajonin Arktik, i cili po fiton rëndësi gjithnjë e më të madhe strategjike për shkak të burimeve natyrore dhe rrugëve të reja detare.
Ndërkohë, disa vende evropiane anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë dërguar ekipe të vogla ushtarake në Grenlandë për të vlerësuar aftësinë e Aleancës për të mbrojtur Arktikun, në kuadër të një misioni zbulues të udhëhequr nga Danimarka.
Administrata amerikane fillimisht e minimizoi këtë lëvizje. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi dje se dislokimi i trupave evropiane nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e presidentit apo në objektivin e tij për të siguruar kontrollin mbi Groenlandën. /Ad.Ab./ a.jor.
The post SHBA – Trump: Tarifa ndaj vendeve që kundërshtojnë planet për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.