Aksi rrugor Qafë Thore-Theth është bllokuar plotësisht, pas rënies së ortekëve të dëborës në zonën pranë tuneleve panoramike.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se ortekët e dëborës kanë rënë rreth kilometrit 5.5 të këtij aksi, shkruan A2 CNN.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se për arsye sigurie, qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese, pasi zona paraqet rrezik të lartë për kalim.
Ndërkohë bëhet e ditur gjithashtu se në afërsi të zonës së rrezikuar, po punohet për largimin e ortekëve të vegjël dhe për zgjerimin e e pjesës kaluese, si punë përgatitore për ndërhyrjen në zonën e bllokuar.
Njoftim i rëndësishëm për qarkullimin:
Si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike, rreth km 5.5 të aksit Qafë Thore-Theth, rruga është bllokuar plotësisht.
Për arsye sigurie, qarkullimi do të qëndrojë i mbyllur për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese, pasi zona paraqet rrezik të lartë për kalim.
Ndërkohë, në afërsi të zonës së rrezikuar, po punohet për largimin e ortekëve të vegjël dhe për zgjerimin e e pjesës kaluese, si punë përgatitore për ndërhyrjen në zonën e bllokuar.
U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën, të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për përditësime të mëtejshme.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka qëndruar të mërkurën në Kosovë, në vizitën e tij të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Sorensen ka zhvilluar takime me përfaqësues institucionalë, ndërsa ka takuar edhe komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneral major Ozkan Ulutaş.
Sipas njoftimit të misionit të NATO-s në Kosovë, në takim është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Gjeneral Major Ulutaş theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftim.
Vizita e Sorensenit vjen në një periudhë të ndjeshme politike pas zgjedhjeve, ndërsa dialogu Kosovë–Serbi mbetet një nga proceset kyçe për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Alban Zogaj, i cili nuk arriti të jetë pjesë e kësaj legjislature të Kuvendit, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke theksuar se LDK nuk është parti e rrjeteve sociale, por e institucioneve të saj.
Zogaj ka deklaruar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka ofruar dorëheqjen në mënyrën më korrekte dhe demokratike, përmes Kuvendit të LDK-së, duke respektuar procedurat dhe organet vendimmarrëse të partisë.
“Kjo është sjellje institucionale dhe e përgjegjshme”, ka theksuar Zogaj.
Ai ka paralajmëruar se çdo përpjekje për ta imponuar largimin e kryetarit përmes presionit publik, fyerjeve apo fushatave të orkestruara është e rrezikshme si për LDK-në, ashtu edhe për demokracinë e saj të brendshme.
Sipas tij, LDK-ja ka nevojë për reflektim, analizë dhe unitet, e jo për linçim dhe përçarje, duke ritheksuar se vendimet merren në Kuvendin e LDK-së, ashtu siç i takon një partie serioze dhe institucionale.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se nga ora 15:00, Njësia B1 është rikthyer me sukses në operim, duke funksionuar në mënyrë të qëndrueshme teknike dhe në përputhje të plotë me parametrat operacionalë dhe të sigurisë.
Sipas KEK-ut, rikthimi i Njësisë B1 nënkupton se korporata aktualisht po operon me kapacitete të plota prodhuese, pasi në operimin e rregullt angazhohen katër njësi prodhuese. Kjo situatë garanton stabilitet të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik në vend.
Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1, sipas njoftimit, ka qenë pasojë e rrjedhjeve të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. KEK bën të ditur se këto çështje janë adresuar me sukses përmes ndërhyrjeve profesionale, sanimeve të planifikuara dhe menaxhimit efikas teknik, të realizuara brenda një afati optimal operacional, pa kompromentuar sigurinë dhe integritetin e njësisë.
Në të njëjtën kohë, KEK ka sqaruar opinionin publik lidhur me ndarjen e përgjegjësive në sektorin energjetik, duke rikujtuar se roli i saj është i përcaktuar qartë me legjislacion dhe licenca përkatëse.
Që nga viti 2013, KEK sh.a. ka përgjegjësi ekskluzive për eksploatimin e thëngjillit, prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve të rregulluar me energji elektrike është kompetencë e kompanisë së furnizimit dhe nuk përfshihet në mandatin e KEK-ut.
KEK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe transparent, duke garantuar siguri energjetike, stabilitet të prodhimit vendor dhe informim të rregullt, të saktë dhe objektiv të publikut për gjendjen reale operative.
Në kishën katolike shqiptare në Brus të Lipjanit, mëngjesin e së martës janë vjedhur gjësende fetare.
Deri më tani nuk kanë arritur të identifikohen personat që kanë kryer këtë vjedhje, meqë në këtë kishë e as përreth nuk ka kamera, raporton KosovaPress.
Prifti i kësaj kishe katolike, Don Kolë Zefi i ka treguar KosovaPress-it se kur ka ndodhur ky rast dhe çfarë është vjedhur.
“Rasti ka ndodhur të martën para sabahut, diku rreth orës 3 përafërsisht e kanë demoluar kishën dhe kanë vjedhur ketë këtu, sigurisht kanë menduar që është ari dhe atje brenda në tjetrën dhomë, gjë tjetër nuk kanë prekur…përafërsisht nuk e di sa ka qenë, por këto kushtojnë, sa euro, sa mijë, nuk e di”, tha ai.
Ai shtoi se kjo është hera e parë që brenda kësaj kishe janë vjedhur gjësende fetare.
Kjo kishë katolike shqiptare daton qysh prej 90 vitesh.
“Më ka shqetësuar normalisht se kjo për herë të parë ndodhë në këtë kishë, kurrë nuk ka ndodhur por po ndodhë në shumë kisha… në askënd nuk dyshoj, policia e ka në dorë, tragun e kemi gjet këtu para derës edhe në drejtim të Janjevës është”, shton ai.
Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Brahim Shatrolli tha se njësia e hetimeve dhe forenzikës është duke e hetuar këtë rast. Megjithatë, ende nuk ka persona të identifikuar si të dyshuar për vjedhje.
“Rreth orës 09:10 (dje) është raportuar rasti në kishën katolike në fshatin Brus se nga disa persona të paidentifikuar, deri janë vjedhur disa pajisje të cilat shërbejnë për rite fetare aty. Policia e Kosovës, saktësisht stacioni policor në Lipjan i është përgjigjur menjëherë rastit me njësinë e hetimeve dhe njësinë e forenzikës, të cilët e kanë trajtuar rastin në fjalë dhe në bashkëpunim me personat përgjegjës të kishës katolike, priftin e kishës dhe një person përgjegjës i cili e ka vërejtur mungesën e pajisjeve në fjalë janë takuar atje dhe e kanë trajtuar rastin ne fjalë. Këto janë pajisje të cilat nuk janë të përmasave te mëdha edhe që ka mundur të jetë personi edhe një këmbësor i rastit aty. Sipas informacioneve kisha nuk ka qenë e mbyllur me çelës, gjë që personat e dyshuar apo personi i dyshuar pa bërë ndonjë dëm ka depërtuar, ka hyrë brenda dhe ka dalë për shkak se nuk ka qenë e mbyllur me ndonjë çelës”, ka njoftuar Shatrolli.
Kjo vjedhje është cilësuar si e rëndë marrë parasysh që është kryer në një objekt fetar, siç parashohin ligjet e Kosovës.
Dyshime për manipulime me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, dhe ankesa nga kandidatët për deputetë ka pasur në vazhdimësi ndër vite në Kosovë.
Tani, një vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i rinumëruar votat në një të tretën e vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka ngritur shqetësime edhe për integritetin e procesit më të fundit zgjedhor.
Për më tepër, rinumërimi rrezikon ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, dhe mund të sjellë ndryshime në përbërjen e Kuvendit prej 120 vendesh, paralajmërojnë vëzhguesit.
Çka ndodhi dhe si erdhi deri këtu?
KQZ-ja - e cila mbikëqyr procesin zgjedhor në vend - e filloi rinumërimin më 13 janar në 914 vendvotime nga 2.557 sa ishin në zgjedhjet e dhjetorit, pasi vërejti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.
“Rezulton se votat e kandidatëve, të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, tha KQZ-ja.
Rinumërim të plotë, sipas saj, do të ketë në 10 komuna të Kosovës, ndërkaq në 28 komunat tjera do të ketë rinumërim vetëm në 10 për qind të vendvotimeve, gjatë dy javëve në vijim.
KQZ-ja i hetoi 33 vendvotime të ndryshme në gjithë vendin, duke i shikuar xhirimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në qendrat komunale të numërimit.
“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për REL-in se hetimi i KQZ-së ka shpërfaqur “mangësi serioze te votat e kandidatëve, përkatësisht manipulimet që duket se kanë ndodhur nga komisionarë të caktuar në qendrat komunale të numërimit”.
Derisa KQZ-ja në këtë fazë i cilëson këto shpërputhje vetëm si lëshime, Cakolli thotë se kjo nuk mund të sqarohet “si gabim njerëzor, por është shenjë e një manipulimi të qartë që duket se ka ndodhur”.
Sipas tij, ka kandidatë që u janë gjetur dhjetëra apo madje mijëra vota dallim nga rezultati i njoftuar dhe ai në fletëvotime në një vendvotim të vetëm, pas verifikimit që ka bërë komisioni zgjedhor.
“Ta zëmë, në një vendvotim në Prizren, meqë Prizreni ka rreth 700 vota dallim pas verifikimit nga KQZ-ja, ka kandidat të cilit del se në qendrën komunale të numërimit i janë shtuar 107 vota më shumë se sa i ka pasur në të vërtetë”, thekson Cakolli.
Organizata joqeveritare Çohu ngriti shqetësime për gjetjen e mangësive të tilla, duke thënë se kjo nuk është e pazakontë në Kosovë.
Si bëhet numërimi i votave dhe si rrodhën lëshimet?
KQZ-ja i emëron grupet e numërimit në bazë të nominimeve të partive politike, sipas Ligjit për zgjedhjet.
Në rastet kur subjekti politik nuk nominon anëtarë për numërim apo nominon pamjaftueshëm, apo kur numëruesit e subjekteve politike nuk paraqiten në vendin e numërimit, KQZ-ja emëron numërues nga stafi i saj.
Në qendrat komunale të numërimit vendosen tavolina, në të cilat, tani me ligjin e ri nga viti 2023, përveç grupeve të numërimit, vendoset edhe një kamerë sipër për ta xhiruar çdo fletëvotim që kalon nëpër dorën e numëruesit, e cila shfaq fletëvotimin në një ekran aty pranë. Ai ekran shërben për t’ua mundësuar vëzhguesve ta shohin dhe ta verifikojnë çdo fletëvotim.
Po ashtu, numëruesi flet me zë të lartë, në mënyrë që zyrtari tjetër përgjegjës t’i fusë votat në një sistem elektronik. Përveç personit që e lexon fletëvotimin, një i dytë e merr atë dhe e verifikon.
Cakolli nënvizon se, pavarësisht ndryshimeve të reja, “nuk ka kontrolle të hollësishme” të fletëvotimeve.
“Vëzhguesit, qoftë nga partitë politike, shoqëria civile apo mediat, kanë pamje vetëm në ekranin në fjalë, por jo edhe në fletëvotimin origjinal, ndonëse ka kamerë sipër saj”, thekson ai.
Sipas tij, në këto zgjedhje ka pasur “vëzhgim minimal”, pasi procesi u zhvillua në një kohë festash të fundvitit.
Pothuajse çdo proces zgjedhor ndër vite është përcjellë me parregullsi të tilla në Kosovë, dhe Çohu tha se kjo ndodh për shkak të pandëshkueshmërisë ndaj njerëzve që kanë “manipuluar me vullnetin e qytetarëve”.
Së voni, Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.
Sipas Cakollit, keqpërdorimet me votat e kandidatëve janë një prej fenomeneve që e kanë karakterizuar pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë, dhe ndryshimet me ligjin e ri nuk kanë sjellë përmirësime.
“Tani, thjesht mundësohet që manipulimet e mundshme të ndodhin edhe më lehtë, sepse në vend se të kemi 2.500 njësi ku numërohen votat, që do të thotë se mundësia për korruptimin e ndonjë komisionari është shumë më e vogël sepse ka shumë më shumë në lojë, tani në 38 qendra mjafton që me një grup të vogël të njerëzve që punojnë nëpër këto qendra, të manipulohet rezultati zgjedhor për votat e kandidatëve”, thotë ai.
Ai shton se zgjidhja është përmes teknologjisë, pra skanimit të fletëvotimeve, të cilat pastaj, përmes një sistemi automatik, do ta paraqisnin rezultatin, duke shmangur numërimin dhe verifikimin manual.
Cilat mund të jenë pasojat?
Rinumërimi mund të sjellë ndryshime në përbërjen e re të Kuvendit, pasi shumë kandidatë që siguruan si të fundit vende në organin ligjvënës, kanë dallim shumë të vogël votash me ata që mbetën jashtë Kuvendit, sipas Cakollit.
Gjithashtu, rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë kur vendi nuk ka kohë për të humbur.
Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.
Cakolli e vlerëson si hap të mirë vendimin e KQZ-së për rinumërimin e 36 për qind të vendvotimeve, por e konsideron të pamjaftueshëm.
“Në radhë të parë, parcializimi i vendimmarrjes për rinumërim, nuk arsyetohet në asnjë variant. Pse janë zgjedhur vetëm 10 për qind, nëse ka indikacione që ka pasur gabime të tilla edhe në komunat e tjera?”, pyet ai.
Cakolli shton se KQZ-ja duhet të bëjë rinumërim të plotë, për të garantuar se zgjedhjet kishin integritet, dhe për t’i shmangur vonesat e mëtejshme.
Elezi e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.
Cakolli thekson se autoritetet është dashur t’i fillojnë hetimet ndaj të gjithë komisionarëve të përfshirë në dyshimet për manipulim.
“Prokuroria duhet që sa më parë e pa vonesa t’i fillojë hetimet, në mënyrë që shkelësit dhe keqpërdoruesit e mundshëm ta marrin dënimin e merituar, në mënyrë që kjo të shërbejë si masë parandaluese”, shton ai.
Çohu, ndërkohë, kërkoi nga institucionet e drejtësisë të hapin menjëherë hetim të pavarur dhe të plotë për çdo element të mundshëm të manipulimit apo mosrespektimit të vullnetit të qytetarëve.
“Çdo dyshim për manipulim të vullnetit qytetar duhet të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa vonesa”, tha organizata.
Ngjan me një tapet nga mënyra se si është hequr por në të vërtetë, kjo është shtresa e asfaltit nga segmenti i rrugës ngjitur me urën, i larguar pas vërshimeve që goditën Komunën e Drenasit ditë më parë.
Gjersa uji ka larguar shtresën e asfaltit pak metra më poshtë, tek ura e fshatit Dobroshec ka mbetur vetëm pjesa e trasesë duke e bërë kështu të pakalueshme rrugën.
Ky segment të shpien tek lagjja “Ademaj” banorëve të cilës, tashmë ua ka komplikuar përditshmërinë.
“Neve na ka bo bukur shumë keq po, kemi zgjidhje veç na duhet nja 7 km me i hangër, 3 e gjysë anej e tre e gjysë këndej për me dale një urë ma nalt se kjo është e pakalueshme. Më së keqi e kemi punën e nxënësve se janë 15 nxënës të shkollës fillore që kombi i merrke çdo herë i qojke në shkollë e i ka prue e tash as sun hin kësajde kurrqysh, duhet me i qit nxënësit diku me bo një zgjidhje por i kisha lut organet me bo diçka dhe besoj që bëhet”, ka deklaruar Veli Ademi – Banor i fshatit Dobroshec.
“Është tepër e vështirë për neve se duhet me i bë plus tre kilometra e gjysëm me shku në urën tjetër ç’ka na shkakton shpenzime ma shumë. E ftoj kryetarin bashkë le t’vjen te shikojmë a është e kalueshme kjo, masa besoj do marrin e shohim ditëve të ardhshme”, ka theksuar tutje ai.
Sipas kontratës së dhënë nga Komuna e Drenasit në korrik të vitit 2022, punimet janë kryer nga kompania ‘Fer-Petroll” ndërsa ky segment, hynte në mesin e 8 rrugëve që duheshin kryer nga kompania në periudhë dy vjeçare.
Vlera e projektit ishte 249 mijë e 955 euro e 70 cent.
Në nenin 34 ku edhe përmendet përgjegjësia mbi defektet theksohet se kontraktuesi do jetë përgjegjës për mënjanimin e defekteve dhe dëme që do lindin nga përdorimi i materialeve të gabuara ose veprimet e mosveprimet gjatë periudhës së defekteve.
Sipas kontratës, periudha garantuese e defekteve është dy vite. (foto defektet)
Në segmentin e rrugës në Dobroshec tregohen detaje të punëve të operatorit nga shtresa e asfaltit 8.0 centimetërshe e deri tek furnizimi, shtruarja dhe ngjeshja e zhavorit që sipas kontratës, trashësia përcaktohet prej 20 centimetrash. (foto detajet e puneve).
Për segmentin “Dobroshec – Çikatovë e vjetër”, vlera e punëve arriti shumën prej 9.984 euro.
Por, në Komunën e Drenasit mohojnë se dëmi ka të bëjë me cilësinë e dobët të punimeve.
“Gjatë realizimit të punimeve ka pasur mbikëqyrje teknike, si gjatë fazës së ndërtimit ashtu edhe pas përfundimit të punimeve, në përputhje me standardet e aplikueshme. Arsyeja e dëmtimit të asfaltit lidhet me vërshimet e fundit dhe sasinë e jashtëzakonshme të ujit. Duke qenë se kjo pjesë paraqet një nga pikat më të ngushta të grykës së Drenasit, presioni i madh i ujit, i paparë më herët, ka ndikuar drejtpërdrejt në dëmtimin e rrugës. Teknikisht, në kushte të tilla është e pamundur që asfalti të qëndrojë i paprekur në bazamentin e tij. Siç edhe vërehet në terren, dëmtimi nuk ka ardhur si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve, pasi asfalti dhe bazamenti janë shkëputur në tërësi dhe jo të copëtuar, çka dëshmon për ndikim të forcave të jashtme natyrore. Në të ardhmen, kjo pjesë do të trajtohet me kujdes të shtuar, duke shqyrtuar mundësinë e betonimit të dy anëve të rrugës si dhe vendosjen e lëshesave shtesë për tejkalimin e ujërave, me qëllim të zvogëlimit të presionit mbi bazamentin e asfaltit”, ka deklaruar Endrit Gllareva – Drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës.
TV Dukagjini ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga kompania përgjegjëse për projektin por e njëjta, nuk i është përgjigjur interesimit.
Një ndejë tradicionale e organizuar nga serbët për Vitin e Ri në Zagreb të Kroacisë, ku performoi këngëtarja serbe Snezhana Gjurishiq ka nxitur shumë reagime në Kroaci për shkak të një kënge për Kosovën.
Pjesë nga kjo këngë u shpërndanë menjëherë në ballinat e tabloideve serbe. “Kudo që shkoj, kthehem te ti sërish. Kush mund të ma vjedhë Kosovën nga shpirti”, janë pjesë nga kënga e Vidovdanit, që tash i ka kushtuar këngëtares Gjurishiq.
Pos marrjes së vëmendjes mediatike, Këshilli Kombëtar Serb tani po përballet me padi nga këshilltari i qarkut Vukovar-Srijem, Nikola Kajkiq. “Gjatë asaj mbrëmjeje, performues nga Serbia dhe muzikantë nga Serbia interpretuan këngë të ndryshme që kishin elemente dhe karakteristika të kundërvajtjes dhe veprës penale të nxitjes së urrejtjes e përçarjes në baza kombëtare e fetare”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
E këngëtarja Gjurishiq e pyetur për këtë ka thënë se është pritur mirë nga publiku teksa ka shtuar se është ajo që duhet të ngrejë padi ndaj Kajkiqit “për fjalët e rënda”.
“Sepse e kam kënduar këngën time që nuk e ofendojnë askënd. Dhe kushdo që e quan atë mbrojtës, lëreni ta mbrojë veten dhe ta pastrojë shpirtin nga urrejtja që ka ndaj njerëzve”, ka thënë ajo për RTL Danas.
“Mbrëmja Serbe”, që organizohet tradicionalisht nga Këshilli Kombëtar Serb në Kroaci, është një prej mbledhjeve më të mëdha të komunitetit serb në Kroaci dhe financohet pjesërisht me para të shtetit.
Edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është pyetur për këtë çështje. Ai ka thënë se Kosova e Kroacia kanë raporte të shkëlqyeshme që s’mund të dëmtohen nga ngjarje të tilla. “Është e parëndësishme të komentoj mbi një këngë që u këndua në një hapësirë të mbyllur para një shoqërie që dihet se çka mendojnë për Kosovën”, ka thënë ai.
Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka paralajmëruar për një ofensivë të koordinuar propagandistike të Serbisë, e cila, sipas tij, paraqet rrezik serioz për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë.
Fetoshi ka theksuar se Serbia po e kornizon çdo incident në Kosovë si sulm etnik ndaj serbëve, duke ndërtuar një narrativë të rrezikshme të “viktimizimit”, e cila synon të paraqesë shqiptarët si agresorë dhe institucionet e Kosovës si burim dhune.
“Një ofensivë propagande e Serbisë që duhet të merret si alarm nga institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar, për shkak të prapavijës së rrezikshme të ‘viktimizimit’”, ka shkruar Fetoshi.
Sipas tij, përmes narrativave si “valë e histerisë anti-serbe”, “sulm etnik” dhe “dhunë e falangave të Kurtit”, Serbia po përpiqet të legjitimojë ndërhyrjen e saj në Kosovë, duke pretenduar se ndërkombëtarët po heshtin përballë këtyre zhvillimeve.
Ai ka shtuar se kjo strategji synon jo vetëm kriminalizimin e Kosovës, por edhe nxitjen e tensioneve etnike dhe krijimin e një preteksti për ndërhyrje, ndërkohë që mediave u furnizohen “burime dhe deklarata” të harmonizuara me këtë narrativë propagandistike.
“Ky agresivitet i koordinuar propagandistik i Serbisë duhet të trajtohet si kërcënim serioz, veçanërisht në kontekstin e ‘rrethimit ndërkombëtar’ që ajo po përjeton kohët e fundit”, ka theksuar Fetoshi.
Në përfundim, ai vlerëson se Serbia po e përdor ‘viktimizimin’ si instrument nxitës dhe si paravan për ndërhyrje, duke e bërë të domosdoshëm reagimin e institucioneve të Kosovës dhe vëmendjen e shtuar të bashkësisë ndërkombëtare.
Sipas Institutit GAP, të dhënat mbi tregtinë e jashtme të Kosovës tregojnë një varësi shumë të lartë nga importi, duke e renditur vendin ndër ekonomitë me raportin më të pafavorshëm import–eksport në Evropë.
Analiza e periudhës 2015–2025 tregon se importet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur në rreth 7 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa eksportet kanë mbetur në nivele dukshëm më të ulëta, nën 1 miliard euro.
Si rezultat, deficiti tregtar është thelluar ndjeshëm, duke arritur një nivel rekord prej rreth 6.1 miliardë euro në vitin e fundit.
Thellimi i deficitit pas vitit 2020 vërehet si një prirje shqetësuese, e cila reflekton kapacitete të kufizuara prodhuese dhe konkurruese, si dhe varësi të madhe nga mallrat e importuara.
Në periudhën janar–tetor 2025, raporti import–eksport i Kosovës ishte rreth 7.8 euro import për çdo 1 euro eksport, dukshëm më i pafavorshëm krahasuar me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian.
Kjo e bën ekonominë e vendit më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, përfshirë rritjen e çmimeve dhe paqëndrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare./Telegrafi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga pozita e nënkryetares së partisë, duke ripërseritur deklarimin e së mërkurës se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit.
Abdixhiku tha se vendimi nuk pasqyron opinionin e tij personal, por është rezultat i një debati pesë orësh me pjesëtarët e partisë, ku janë diskutuar çdo kritikë, shqetësim dhe mendim.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së,” tha ai.
Kryetari i LDK-së theksoi se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas “shtëpisë” së partisë, dhe bëri thirrje që debati dhe vendimmarrja të zhvillohen hapur në Kuvend, duke respektuar institucionet dhe demokracinë e brendshme të partisë.
“Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve,” përfundoi Abdixhiku.
Ndërkaq sot, Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ky veprim bazohet në standardin politik të LDK-së, sipas të cilit ata që marrin rezultate të rënda zgjedhore duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të hapin rrugë për zgjedhje të brendshme të partisë.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s./Telegrafi.
Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Në një deklaratë publike, Bajrami tha se ky veprim bazohet në standardin politik të LDK-së, sipas të cilit ata që marrin rezultate të rënda zgjedhore duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të hapin rrugë për zgjedhje të brendshme të partisë.
Ajo theksoi se vendimi nuk është personal apo emocional, por një respektim i standardeve që partia ka ndërtuar ndër vite.
Bajrami gjithashtu vuri në dukje se sfida kryesore për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit te një parti ose individ, duke shtuar se LDK-ja ka për qëllim mbrojtjen e shtetit, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke vendosur interesin e partisë dhe vendit mbi interesin personal.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme dhe nuk na shpëton asnjë proces tjetër,” tha Bajrami, duke falënderuar gjithashtu mbi 126 mijë qytetarë që votuan LDK-në dhe mbi 57 mijë që i besuan angazhimin e saj politik.
Ajo konfirmoi se do të vazhdojë të punojë për LDK-në dhe për interesin e vendit si deputete e zgjedhur në mandatin e saj të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti. Vendimi për pranimin ose jo të dorëheqjes do të merret përmes votës së delegatëve.
Abdixhiku deklaroi pas një mbledhjeje disaorëshe me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së se ofrimi i dorëheqjes është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë për vendimin për këtë çështje./Telegrafi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin historik të ambasadorit Walker në ekspozimin e krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, si dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për përgatitjet për ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut, që do të mbahet nesër në komunën e Shtimes, ku të dy do të marrin pjesë.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, mbasadori Walker falënderoi kryeministrin për pritjen dhe bisedën, duke e uruar gjithashtu për rezultatin zgjedhor dhe fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka thënë se kriza energjetike që e ka kapluar vendin dhe reduktimet e shpeshta ditëve të fundit, janë rezultat i keqmenaxhimit të sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti.
Mustafa, në një konferencë për media, theksoi se barra e këtij dështimi po bie në kurriz të mijëra familjeve dhe bizneseve, të cilat ndonëse po i paguajnë faturat me çmime të larta, kanë mbetur pa furnizim të qëndrueshëm dhe pa siguri energjetike.
“Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, të shoqëruar me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike në të gjithë territorin e saj. Është tërësisht e papranueshme që qytetarët e Kosovës të përballen me errësirë, mungesë të ngrohjes dhe pasiguri të madhe në dimër, në kohën kur nevoja për energji elektrike është më e madhe se kurrë, e kur siguria dhe stabiliteti janë jetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht. Kjo krizë është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar, të papërgjegjshëm dhe pa vizion, të sektorit të energjisë nga kjo Qeveri”, tha ai.
PDK shpreh solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët e Kosovës, që këto ditë janë duke u përballur me reduktime në temperatura të ulëta të dimrit, me pasiguri në furnizim dhe me kosto të papërballueshme.
“Përveç dështimit për të siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë elektrike, Kosova është detyruar të rrisë ndjeshëm importin e energjisë, i cili po realizohet me çmime jashtëzakonisht të larta dhe në dëm të interesit publik”, tha Mustafa.
Mustafa kërkoi nga Qeveria e Kosovës të mos arsyetohet për këtë gjendje alarmante, por të marrë veprime të menjëhershme, për tejkalimin e saj.
“Kërkojmë masa emergjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, transparencë të plotë për kontratat e importit dhe prezantimin e një plani të qartë, serioz dhe të besueshëm për garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Është po ashtu e shqetësuese dhe e papranueshme që një sektor që për pesë vite me radhë është shoqëruar me afera dhe skandale të njëpasnjëshme, me dyshime serioze për korrupsion të madh, të mos përballet asnjëherë me llogaridhënie, por ta gëzojë vazhdimisht mbrojtjen politike të Qeverisë”, shtoi ai.
Mustafa paralajmëroi se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, PDK do të kërkojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar, me mandat të qartë dhe gjithëpërfshirës, për hetimin e të gjitha aferave, dyshimeve për keqpërdorime dhe keqmenaxhimit të thellë të sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit.
“Qëllimi ynë është i qartë: zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale, dhe garantimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, kompetencë dhe vizion. Qytetarët meritojnë ngrohje në këto ditë të ftohta dhe siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, theksoi ai.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për gjendjen e ujit të pijshëm në Kosovë, duke theksuar se në disa zona cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara për konsum, ndërsa në disa të tjera uji nuk rekomandohet për pije për shkak të turbullirës së rritur.
Rajoni i Prishtinës
Sipas IKSHPK-së, fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Batllavë prodhojnë ujë brenda standardeve të lejuara për pije. Ndërkaq, në fabrikën e Badocit, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për konsum.
Fabrika Drenas/Bivolak aktualisht funksionon me kapacitet të zvogëluar, por cilësia e ujit mbetet e pranueshme për pije.
Në Lipjan dhe Kuzmin uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Vragoli dhe Miradi e Poshtme uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Mitrovicës
Në Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, si dhe në komunat veriore, cilësia e ujit është brenda standardeve për ujë të pijshëm.
Rajoni i Ferizajt
Në Ferizaj dhe Shtërpcë uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Han të Elezit rekomandohet që uji të përdoret vetëm për nevoja teknike.
Rajoni i Gjilanit
Në Gjilan uji është brenda standardeve të lejuara për pije.
Në Viti, për shkak të turbullirës së rritur, uji duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike.
Rajoni i Pejës
Në Pejë dhe Junik cilësia e ujit është e përshtatshme për pije. Ndërkaq, në Deçan, përfshirë ujësjellësin e Deçanit, Strellc dhe Drenoc, uji rekomandohet vetëm për përdorim teknik.
Në lagjen “Agim Ramadani”, si dhe në Istog (ujësjellësi i Istogut, Vrellë dhe Mbivada) dhe Klinë (rrjeti i puseve dhe burimi i Jarinës), uji duhet të përdoret vetëm për nevoja teknike.
Rajoni i Gjakovës
IKSHPK bën të ditur se furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për konsum. Megjithatë, në lokalitetet Hoçë e Madhe, Opterushë, Zaqishtë, Demjan dhe Gërçinë, janë evidentuar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Prizrenit
Burimi i ujit nga “40 Bunarët” në qytetin e Prizrenit është brenda standardeve të lejuara për ujë të pijshëm. Po ashtu, në Suharekë dhe Dragash uji është i sigurt për konsum, ndërsa në Malishevë rekomandohet përdorimi i ujit vetëm për nevoja teknike.
IKSHPK ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit dhe se qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri, duke bërë thirrje që të respektohen rekomandimet deri në stabilizimin e plotë të parametrave të ujit.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike në vend.
Ndërprerjet e shpeshta dhe pa paralajmërim po godasin drejtpërdrejt sektorin prodhues, duke shkaktuar humbje të mëdha për bizneset në mbarë Kosovën.
Në ditët e fundit, përfaqësuesit e Lidhjes kanë marrë ankesa të shumta nga komuniteti i biznesit. Vizitat në terren, përfshirë regjionin e Pejës, kanë konfirmuar një gjendje alarmante: ndërprerjet e vazhdueshme po dëmtojnë pajisjet, pengojnë planifikimin normal të prodhimit dhe ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit.
“Është e papranueshme që në vitin 2026 qytete të tëra të mbeten pa furnizim me energji elektrike për orë të tëra, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Akoma më shqetësuese është fakti se qytetarët dhe bizneset po paguajnë energji gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërkohë që furnizimi mbetet i pasigurt dhe i paqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Lidhjes.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës i kërkon institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, të sigurojnë transparencë dhe paralajmërim paraprak për çdo ndërprerje, si dhe të mbrojnë sektorin prodhues, i cili është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit në vend.
“Bizneset e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e keqmenaxhimit energjetik”, deklaroi kryetari i Lidhjes, Besart Dreshaj.
Altin Ndocin nuk e kishte lënë në harresë organizata Çopja. Ky fragment shkruhet në dosjen e Çopjave teksa i dyshuari po përballej me drejtësinë për episode të ndryshme dhe të tjerë që gjendeshin jashtë flasin në SKY ECC se si ta lirojnë gjuajtësin sepse kishin mbetur pa qitës.
Në dosjen që TCH disponon kuptohet se si përpara se Altin Ndoci ta bënte fakt arratisjen gati 5 vjet nga këto biseda në SKY ECC, anëtarët e organizatës Çopja ku dyshohet se ai bën pjesë shfaqeshin shumë të shqetësuar për arrestimin tij.
Ndoci lakohet me nofkën “kokë çami” dhe siç përmend SPAK anëtarët flasin jo vetëm si ta lirojnë me çdo kusht, por edhe të mbulonin shpenzimet familjare deri dhe pagesat për avokatët.
SPAK e cilëson këtë metodë tipike mafioze që synonte heshtjen dhe që për ti thënë se organizata nuk e kishte lënë në harresë, në këtë dosje Altin Ndoci tashmë i arratisur akuzohet për vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Endri Alibej, Arben Dylgjerin dhe të një shtetasi turk, e po ashtu për vrasjen e Kelvi Brahos.
Sa duke u cituar nga i penduari Nuredin dumani e sa duke u përmendur në Sky ECC, Altin Ndoci shfaqet sipas SPAK kur refuzon planin 1 milionë eurosh për të vrarë Erjon Alibej, në kohën që ai ishte në paraburgim sepse kjo sipas tij që ishte e pamundur. Por edhe si i përfshirë në grabitjen e gati 5 milionë eurove në pistën e Rinasit.
Çështja ndaj organizatës Çopja është në seancë paraprake dhe aty dyshohet se ka rolin e krahut të armatosur të të dyshuarve kryesore.
Për herë të parë përballja me SPAK e Altin Ndocit ishte për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë dhe Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës. Ky hetim që solli dhe arrestimin e Ndocit nisi nga rrëfimi i Klevis Allës.
Për katër SPAK vrasjet u tërhoq sepse kishte hapur një kuti tjetër nga rrëfimet e Nuredin Dumanit. Në këto seanca Altin Ndoci paraqitej gjakftohtë dhe shpesh akuzat i ka hedhur poshtë përmes avokates.
I përshkruar si i burgosur i rrezikshëm, dhe me një dosje të hapur, Ndoci hyn tani te të kërkuarit e SPAK, që ndryshe nga ata që nuk i ka kapur, Ndocin e kishte në qeli dhe u arratis.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shpërndarë një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me pezullimin e lëshimit të të gjitha vizave imigruese të programit të Diversitetit (DV).
Sipas njoftimit, Departamenti i Shtetit ka ndërmarrë këtë vendim për të marrë kohën dhe masat e nevojshme me qëllim mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike të Shteteve të Bashkuara.
Po ashtu, në njoftim theksohet se aktualisht nuk ka asnjë informacion të ri lidhur me lotarinë e vizave për vitin 2027.
“Në rast se e keni humbur: Departamenti i Shtetit ka pezulluar lëshimin e të gjitha vizave imigruese të diversitetit. Do të marrim kohën dhe masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe sigurinë publike të SHBA-së. Aktualisht nuk ka njoftime të reja lidhur me DV-2027”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë afate se kur mund të rishqyrtohet ky vendim.
Imagjinoni sikur në telefonin tuaj vjen një mesazh nga një prej njerëzve më të fuqishëm të politikës. Fotografia e profilit? E tij. Emri? I tij. Të përshëndet miqësisht dhe të bën një kërkesë urgjente.
"Më ndihmo me disa mijëra euro. Po dërgoj një njeriun tim t'i marrë paratë".
Duket si skenar filmi. Nuk është i tillë. Është realitet i ftohtë i dosjeve hetimore.
Një skemë mirëfilli mashtrimi, që vitet e fundit ka goditur disa nga biznesmenët më të njohur në vend.
Sipas hetimeve, truri i kësaj makinerie kriminal shpesh fshihet jashtë Shqipërisë. Emra si Florian Gjergji kanë “vjedhur” identitetet e ministrave, deputetëve a kryebashkiakëve për të zhvatur shuma që kapin shifra që shkojnë deri në 100 mijë euro.
“Newsroom” ekspozon disa episode të këtij krimi nga distanca.
E gjitha e bazuar në dokumente hetimore dhe gjyqësore të harkut kohor 2023-2025, në dëshmitë e vetë viktimave, apo personave të përfshirë. Do të zbërthejmë këtë “Modus Operandi” të një rrjeti që nuk njeh kufij. Ku besimi tradhtohet nga teknologjia dhe etja e njerëzve të biznesit për të qenë mik me pushtetin.
Shkurt 2023. Mesditë. Behar Çukajt, një biznesmeni të hidrokarbureve në Tiranë i mbërrin një mesazh në aplikacionin “Signal”. Numri i personit që i shkruan i shfaqet me emrin Erion Veliaj. Kërkesa, një sasi vlerash monetare. Biznesmeni nuhat pavërtetësi. Nën dyshimet për një mashtrim lajmëron policinë.
I udhëzuar prej tyre, vijon bisedën. I thotë tjetrit se nuk ishte në Tiranë dhe se mund të takoheshin të nesërmen. I kishin shkruar ngjashëm edhe më herët, madje dy persona kishin shkuar tek një nga karburantet në pronësi të tij, ku i kishin shfaqur të njëjtin pretendim administratorit të kompanisë.
Nga dosjet gjyqësore
“Na erdhi një sms te aplikacioni ‘Signal’ me emrin ErionVeliaj. Pavarësisht se na
kishin ardhur dhe herë të tjera, nuk i kam vënë re herën e parë dhe i thashë pronarit.
Me 27 shkurt kemi njoftuar policinë dhe kemi pritur të vinte personi dhe nuk ka ardhur”.
Edhe pse nuk janë kthyer të marrin paratë e kërkuara, hetimi i rastit ka identifikuar dy personat që kishin takuar administratorin. Ata ishin babë e bir, Bedri e Albert Vodha. Në takimin për të kërkuar para, në një ambient të mbuluar nga kamerat e sigurisë, kishin shkuar me automjetet e regjistruara në emër të tyre, një “Range Rove” e një “Volsvagen”. Të njëjtin “Range Rover” Bedri Vodha e mbante edhe në foton e profilit të kontaktit me të cilin kërkonte paratë.
Por skema nuk ishte krijuar prej tyre.
Ata ishin marioneta të Florian Gjergjit, një 39 vjeçari, që koordinonte gjithcka nga jashtë vendit. Ishte Gjergji që kronometronte lëvizjet e tyre, instruktonte veprimet dhe premtuar edhe shpërblimin që do merrnin për punën.
Teksa ishin vënë nën lupën e policisë, babë e bir, bëjnë “golin” e radhës. Këtë herë, në shënjestër të tyre u vu një biznesmen shumë i njohur në fushën e ndërtimit dhe të hotelerisë në Tiranë, Ram Geci.
Biznesmeni kallëzoi tentativën e zhvatjes së tij në maj 2023. Ai i tha oficerëve të policisë gjyqësore se një numër i prezantuar si Erion Veliaj i kishte kërkuar 100 mijë euro. Në këtë rast skema ishte zhvendosur në aplikacionin “Viber”.
Nga dosjet gjyqësore
“Sms e parë është dërguar në 09:30 me përmbajtje ‘Mirëmëngjes! Si je?’. Kallëzuesi i përgjigjet me sms me përmbajtje ‘Mgjes. Ngelëm pa pirë kafe? Kur të kesh pak hapësirë ndalo për kafe’. Përdoruesi i numrit të huaj telefonik i thotë ‘Jam shumë i ngarkuar këtë periudhë’. Komunikimi vazhdon dhe në orën 10:19 minuta. Përdoruesi i numrit telefonik i huaj i shkruan dhe i thotë ‘Faleminderit shumë, po ashtu do të dërgoj dikë tjetër që ta takosh". Në orën 11:16 përdoruesii numrit të huaj i ka dërguar një numër telefoni ‘068xxxx336 me emrin Nazmi".
Të nesërmen, personi i prezantuar me emrin Nazmi i thotë biznesmenit se ishte nisur drejt tij për të marrë paratë. Geci e pret në zyrë në hotelin pranë qendrës së Tiranës. Shkëmben disa sms me të dhe madje e orienton se nga ishte parkimi i hotelit. Teksa shkonte drejt tij, i prezantuari me emrin Nazmi, që në të vërtetë ishte Bedri Vodha, nuk e dinte se e priste një veprim i simuluar, i autorizuar nga prokuroria.
Ndodhet edhe ekonomisti i biznesmenit dhe mes të treve ndodh kjo bisedë:
Përgjimi ambiental
Biznesmeni: Hajde!
Nazmiu: A jeni mirë?
Ekonomisti: Çfarë bëre?
Biznesmeni: A more ti në telefon, se po na vjen ndonjë tjetër...
Nazmiu: Po po po, unë.
Biznesmeni: A foli veriori, këto gjëra...
Nazmiu: Krejt ai.
Biznesmeni: Shtatëdhjetë (70 mijë euro), skena bërë më.
Nazmiu: Mirë.
Biznesmeni: Si fytyrë e parë.
Nazmiu: Rri këtu në Tiranë.
Biznesmeni: Edhe unë rri në Tiranë. Punon tek Erioni apo...
Nazmiu: Po.
Biznesmeni: Mirë, ky është ekonomist. E çova i mori në bankë shtatëdhjetë. Do me i numuru?
Nazmiu: Jo.
Ekonomisti: O shef, lene se merem unë.
Biznesmeni: Shtatëdhjetë dhe ndihmoje pak deri aty tek makina.
Nazmiu: Po po.
Biznesmeni: Më tutje nuk të ndihmoj, të fala kryetarit.
Nazmiu: Ok, gjith të mirat.
I prezantuari me emrin Nazmi nuk mundi të çojë të fala askund. Jashtë zyrës qëndronin agjentët e policisë, që e shoqëruan. Në gjykatë biznesmeni ka dëshmuar se e kishte zbuluar mashtrimin, pasi kishte kontaktuar direkt me kryebashkiakun Veliaj, para së te sinjalizonte policinë.
Nga dëshmia e Gecit
“Mora në telefon Erjonin dhe i thashë eja për kafe, se s’kam kohë, por po çoj H.... I shkruaj Erjonit, pse po fshihesh. Ai me tha, nuk jam unë duhet të jenë mashtruese.
Shtatorin e viti 2023 shënjestër e një mashtrimi u në një tjetër biznesmen i ndërtimit. Në telefonin e tij, në aplikacionin telegram mbërriti një tekst nga një numër i panjohur, por që i prezantohej si kryebashkiaku Erion Veliaj. Teksi ishte “një mikut tim i nevojiten 70 mijë euro. Rregullohemi bashkë diku tjetër”.
Duke mos i shfaqur dyshime, biznesmeni me iniciale A. G. ka treguar gatishmëri t’ia dërgonte paratë te zyra në bashki. Por bashkëbiseduesi ka refuzuar duke sugjeruar fillimisht që paratë të dorëzoheshin në një restorant pranë Lushnjes e më pas në një vend në Tiranë.
Referuar dosjes gjyqësore, ky ishte një film i parë për biznesmenin, pasi të tjerë më herët kishin provuar me të njëjtën metodë. Kësisoj, ai ka vënë në dijeni policinë, para se të priste në parkimin e një qendre tregtare pranë Kthesës së Kamzës personin, që do t’i merrte paratë.
Nga dosjet gjyqësore
“Shtetasi A. G. ka qenë aty duke pritur për personin që e mori në celular, në shoqërinë e mikut të tij K. Ç. Në një moment afrohet një person. Ky i fundit i ka folur, duke i thënë se kishte ardhur për të marrë porosinë, ndërsa ai i ka thënë se porosia ndodhej në makinë. Në pjesën e pasme të makinës kishte një çantë, të cilën e kishte mbushur me letra. Në këtë moment ka zgjatur dorën për ta marrë dhe miku i tij e ka kapur për dore duke e ndalur dhe thënë të futej brenda të numëronte lekët. Në këtë moment, personi në fjalë ka zgjatur edhe njëherë dorën për të marrë çantën dhe të largohej, por A. G. dhe K. Ç. e kanë mbajtur që të mos largohej”.
Rezultoi se i riu ishte Leonard Xhixha. Edhe pas ndalimit nga policia, që po vëzhgonte nga distanca dorëzimin e parave, ai u instruktuar të vijojë komunikimin me porositësin, duke pretenduar se paratë u morën. Kjo çoi më pas në identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë.
Sipas vendimit gjyqësor të çështjes, “truri” i përpjekjes së mashtrimit ishte i pandehuri Xhensil Qefa-Hida, një 28 vjeçar që jetonte jashtë vendit.
Rasti tjetër, që do të sjellin në këtë Newsroom, i katërti në radhë, ka në thelb sërish përdorimin e emrit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Viktimë ka qenë një ndërtues dhe përpjekja mashtruese edhe këtë radhë, e guximshme. Shuma e kërkuar ka qenë 50 mijë euro.
Nga dosjet gjyqësore
“Nga këqyrja e telefonit të shtetasit Sh. B. rezulton se në aplikacionin ‘Signal’, më datën 24.09.2024, ora 12:14 PM i ka shkuar një mesazh nga numër i regjistruar me emrin ‘Erion Veliaj’, me përmbajtje ‘Nga ndodhesh’. Shtetasi Sh. B. i ka kthyer përgjigje ‘Flet dot? Jam në Vlorë një vaki’. Ndërsa personi i ka shkruar ‘Ma mbaro një porsi kur të kthehesh!’. Shtetasi Sh. B. i është përgjigjur ‘Po patjetër’. Personi tjetër i i ka shkruar ‘Jepi 50! 068...404 Tani. Po të marr nga darka, hajde tek Padam".
Pasi ka vënë në dijeni policinë, për vazhdimin e veprimit simulues, dorëzimit të parave, biznesmeni ka lejuar shoqëruesin e tij të vijonte kontaktin telefonik me personat që do të merrnin paratë. Dorëzimi i kontrolluar i parave është bërë në një lokal në bulevardin “Zogu I”. Në momentin e takimit, personi i prezantuar me emrin Tani ishte i shoqëruar nga një tjetër person. Pritësi, shoqëruesi i biznesmenit, ju ka dorëzuar brenda në një qese shumën e parave, që u mor nga “Tani”. Ai rezultoi më pas të ishte Shkëlqim Saraçi. Në largim e sipër, pak metra më tutje, të dy janë mbërthyer nga agjentët e policisë.
Biznesmeni i futur në kurth në rastin e radhës ndodhej jashtë Tiranës, por skema është e njëjta. Dëmi i madh, pasi me bindjen se po ndihmonte deputetin Taulant Balla, me të cilin pretendonte se kishte miqësi familjare, dorëzoi 100 mijë euro tek persona të panjohur.
Edhe këtë herë, në prapaskenë qëndronte Florian Gjergji.
Referuar dosjes hetimore, biznesmeni nga Përrenjasi në maj 2024 është kontaktuar në aplikacionin “Viber” nga një numër që mbante emrin e deputetit socialist. “Jam në një drekë", "ma mbaron një porosi", "do kaloj një miku andej jepja 100 mije euro dhe rregullohemi". Kaq ka mjaftuar që biznesmeni të aktivizohej.
Sipas dosjes hetimore, kontakti që mbante emrin Taulant Balla i ka thënë biznesmenit se dikush do të telefononte pas pak. Një tjetër numër është vënë në kontakt më vonë me biznesmenin. Pasi dështojnë të lënë një takim, biznesmeni vetofrohet të shkonte në Tiranë për të dorëzuar shumën. Në të njëjtën kohë, ai ka qëndruar në lidhje me kontaktin, që mendonte se i përkiste deputetit, ku ky i fundit i jepte instruksione se ku duhet të dorëzonte shumën e parave. Për këtë “nder” nga numri i prezantuar si deputeti socialist mori përgëzimin “Faleminderit, nga e diela të bëjë telefon, hamë ndonjë drekë".
Të nesërmen, pasi mbërrin në Tiranë biznesmeni e pyet se ku mund ta takojë njeriun e tij.
Bashkëbiseduesi e orienton drejt një spitali privat.
Sipas direktivave, biznesmeni shquan një automjet “Mercedez Benz”, që kishte mbishkrimin “Taxi”. Ai afrohet tek mjeti ku ndodhej vetëm drejtuesi i cili nuk zbriti, dorëzon shumën e 100 mijë eurove të cilat i kishte futur në një kuti kartoni dhe kutin e kartonit në një qese të bardhë.
Disa ditë më vonë, kupton se kishte rënë pre e një mashtrimi.
Emri i Florian Gjergjit qëndron edhe pas një tentative mashtrimi, që ka pasur në shënjestër kryebashkiakun e kohës në Vlorë, Ermal Dredha. Ideatori i mashtrimi ishte kujdesur që kërkesa për para e kryebashkiakut të qytetit bregdetar të shkonte tek një mik i tij i fëmijërisë, një biznesmen i njohur i hidro-sanitarëve në kryeqytetet.
Personi që hiqej si kryebashkiak e ka kontaktuar “mikun” e tij të vjetër mes aplikacionit “Signal”. Ashtu si ndodh mes miqve që kishin kohë pa u dëgjuar, fillimisht ka bërë një bisedë të përzemërt me të. I ka thënë se të nesërmen do të ishte në Tiranë dhe i ka bërë ftesë të takohen për një kafe.
Nga dosja gjyqësore
“Në datën 02.08.2023, në telefonin e tij celular i ka shkruar sërish ky person dhe i ka kërkuar që t'i jap një njeriut të tij shumën prej 35.000 Euro dhe më pas do të rregulloheshin bashkë kur ai të vinte në Tiranë duke i thënë se do të vinte në Tiranë ditën e hënë. Kallëzuesit i është dukur e dyshimtë kjo bisedë, pasi me Ermalin nuk kanë pasur ndonjëherë kaq konfidencë dhe marrëdhënie lekësh me njëri-tjetrin, Në këto kushte sërish ka kontrolluar numrin telefonik që e mori dhe ka konstatuar se numri që e mori nuk ishte i shtetasit Ermal Dredha. Më datë 03.08.2023, kallëzuesi ka kontaktuar dhe me fëmijët e tij, të cilët e kanë këshilluar që të tregohet i kujdesshëm, pasi mund të bëhej fjalë për ndonjë skemë mashtrimi”.
Arrestimi i dy personave që do të takonin biznesmenin për të marrë paratë është bërë në kushtet e flagrancës, pranë një qendre tregtare në periferi të Tiranës. Që në momentin e parë të ndalimit, Gëzim Çelani ka pohuara para agjentëve se porosia ishte për Florian Gjergjin. Më tej, me ndalimin e të dytit Afrim Radiqit, policia i ka orientuar të vijonin komunikimin telefonik, duke pretenduar se i morën paratë. Përmes mesazheve, Gjergji i ka drejtuar për tek një person i tretë, që i priste tek “Zogu i Zi” në kryeqytet, që po ashtu është prangosur.
Tepër interesante në këtë rast ka qenë edhe një komunikim i “trurit” të mashtrimit, Florian Gjergjit, me efektivët e policisë së Tiranës. Pasi ka kuptuar se “ushtarët” e tij ishin arrestuar, Gjergji nuk i ka kursyer sms-te edhe në drejtim të policisë. Ai ka deklaruar se ishte ai “bossi” dhe ka sfiduar hapuar autoritetet.
Nga dosjet gjyqësore
“Nga ana e policisë gjyqësore janë bërë këqyrjet e telefonatave, nga ku karezultuar se në telefonin e të pandehurit Gëzim Çelanji ka patur një bisedë me emrin “Ermali Vlorë". Nga deklarimi i të pandehurit Gëzim Celanji ky numër është i shtetasit Florian Gjergji. Në këtë bisedë Floriani i tregon Gëzimit se si duhet të veprojë dhe në fund i thotë se do të rregullohen bashkë në lidhje me pagesat. Në momentin që shtetasi Florian Gjergji mëson se nuk është bërë dorëzimi i lekëve dhe se plani i tij ka dështuar, nëpërmjet sms ai ofendon Policinë dhe shprehet se policia nuk është e aftë ta kapë, pasi ai është koka e grupit. Nga kqyrja e telefonit të të pandehurit Afrim Radiçi rezulton një bisedë mes tij dhe Florianit ku ky i fundit i thotë të rrijë larg dhe mos afrohet ndërsa bisedat e tjera rezultojnë të fshira”.
Rastet që ndoqët deri tani nuk janë të izoluara. Ato janë disa ndër dhjetra raste të ngjashme, ku biznesmenët bëhen pre e personave që shiten si politikanë apo njerëz me pushtet për të zhvatur miliona.
Por këto hetime dhe gjykime, kanë zbërthyer mekanizmin e ndërmarrjeve të tilla kriminale, që edhe kur kanë aktorë të ndryshëm, zbatojnë me përpikëri të njëjtin skenar.
Referuar dosjeve gjyqësore, gjithçka niste nga platforma komunikimi digjitale të konsideruara të sigurta, si “Signal”, “Telegram” ose “Viber”. Filozofia e mashtrimit ka qenë thuajse identike: një mesazh përshëndetës, një bisedë miqësore dhe më pas kërkesa për një "favor" monetar, me premtimin se shuma do të kthehej shpejt ose do të "rregullohej" në një takim tjetër.
Të përfshirët në mashtrim përdornin numra të huaj ose numra shqiptarë, por me karta sim të blera në tregun e zi. Shumë prej tyre të blera në tregun famoz të Dollarit, toponimi popullor i pas viteve 90 i një rrugice në Tiranë, hallkë në zinxhirin e qindra ngjarjeve kriminale, që ndodhet paradoksalisht 30 hapa larg Bankës së Shqipërisë dhe 300 metra larg Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.
“Mesa mbaj mend personit që i mora porosinë më ka marrë në telegram dhe pasi e kam marrë porosinë e kam dërguar tek një person tjetër i cili dhe ky më mori në telegram në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Rreth dy ditë më parë babi im i cili quhet Bedri më tha për të blerë një numër telefoni në treg të zi, kam shkuar bashkë me të dhe e kemi blerë në vëndin e quajtur ‘kryqëzimii dollarit’, tek një person i cili qëndronte në rrugë në vlerë 2000 lekë. Telefonin e kam pasur në shpi. Babai më ka thënë që këtë numër do ta përdorim për një porosi”.
Albert Vodha, i pandehur
“Me qëllim realizimin e kësaj porosie dhe sipas udhëzimeve të shtetasit Lulzim Delishi, i pandehuri Shkëlqim Saraçi ka blerë një telefon të markës ‘Nokia’, si dhe numrin e telefonit 068 xxxx404, i cili është i paregjistruar. Pasi ka siguruar numrin e telefonit të paragjistruar, ai ka komunikuar me numrin 069 xxxx861 dhe kanë rënë dakord që të takoheshin me qëllim marrjen e parave”.
Shkëlqim Saraçi, i pandehur
Është e qartë se këto ndërmarrje kriminale nuk ishin punë e një njeriu të vetëm. Në krye të piramidës, në pjesën më të madhe të rasteve që prezantuam prokuroria identifikon Florian Gjergjin. Ai ia ka dalë në vijimësi t’i drejtojë fijet nga distanca, me shumë gjasë nga një vend i Bashkimit Europian. Në rastet që ka dirigjuar, prokuroria thotë se Gjergji ka krijuar profilet e rreme dhe se bisedat fillestare me biznesmenët mbajnë firmën e tij.
Nga ana tjetër, Florian Gjergji, ka mbajtur vetëm kontakte telefonike me “ushtarët” e tij, që në disa raste, as nuk njiheshin dhe as nuk ishin takuar ndonjëherë.
“Unë e dija se porosia ishte për të pandehurin Florian Gjergji. Unë dua të ju sqaroj se Florian Gjergjin nuk e kam takuar asnjëherë, por ju them se i kam dërguar disa herë para nëpërmjet Wester Union, në shtetin e Gjermanisë unë dhe vëllai im, i cili quhet Ervin”.
Albert Vodha, i pandehur
“Disa ditë përpara kam kontaktuar me shtetasin Florian Gjergji, me të cilin jam njohur në Burgun e Drenovës gjatë kohës së pandemisë. Me këtë shtetas kam mbajtur komunikime të vazhdueshme dhe pas daljes nga burgu. Tre ditë përpara ngjarjes Floriani më ka kontaktuar dhe më ka kërkuar nëse kisha ndonjë shok, që të shkonte deri në Tiranë, për të marrë disa lekë për të.
Afrim Radiçi, i pandehur
“Ditën e ngjarjes ka shkuar pranë subjektit ‘L... H...’ pasi kishte për të marrë një porosi në emër të shtetasit Florian Gjergji, te një shtetas të cilin nuk e njihte. Ai ka deklaruar se shtetasin Florian Gjergji e ka dëgjuar fillimisht nga shoku i tij Afrim Radiçi, i cili ka thënë se Florianin e ka njohur në burgun e Drenovës dhe se ditën e ngjarjes do merrnin një porosi për llogaritë këtij shtetasi”
Gëzim Çelani, i pandehur
Referuar hetimit, jashtë Shqipërisë rezulton të ketë qenë edhe i akuzuar si “truri” i tentativës së mashtrimit të një prej biznesmenëve të ndërtimit mes emrit të Veliajt, Xhensil Qefa, si edhe “koka” e përpjekjes së futjes në kurth të biznesmenit të hidrosanitarëve mes emrit të Dredhës, ishte Lulëzim D.
Nga dosjet gjyqësore
“Para rreth 2 muajsh, Xhensili në dijeninë e tij ikën në Gjermani, por ata vazhdonin kontaktet në rrjetin social Instagram dhe konkretisht me adresën “donvito”. Para rreth 3-4 ditësh Xhensili i thotë nëse kishte mundësi ti bënte një nder dhe ti marrte një porosi në Tiranë, pasi ai e kishte të pamundur të vinte në Shqipëri, dhe ai i ka thënë në rregull. Një ditë më vonë i ka sjellë një djalë të vogël i cili kishte një celular për ti dhënë nga i cili ka kontaktuar me personin që do merrte porosinë”
Nga dosjet gjyqësore
“Shkëlqim Saraçi ka deklaruar se është telefonuar rreth tre ditë më parë nga shoku i tij Lulzim D., i cili banon në Itali. Ai është telefonuar përmes aplikacionit ËhatsApp nga numri +39 348 178 0424. Gjatë bisedës shtetasi Lulzim D., i ka kërkuar që të shkonte dhe t'i merrte një porosi, konkretisht një shumë prej 50.000 (pesëdhjetëmijë) Euro, tek një person i cili posedonte numrin e telefonit 069xxxx861, me premtimin se do i jepte një pjesë të parave”.
Florian Gjergji
Këta individë kanë vepruar si "koka" të skemës duke qëndruar shpesh në hije ose jashtë shtetit. Ata kanë përdorur persona të tjerë si korrierë apo ekzekutorë për të marrë fizikisht paratë. Secili merrte pagesa që varionin nga 2-3 mijë euro.
Për ta thjeshtuar, këta organizatorë mund të krahasohen me regjisorët e një shfaqjeje, të cilët qëndrojnë pas skenës dhe u tregojnë "aktorëve" (ekzekutorëve) se çfarë të thonë e ku të shkojnë, me qëllimin e vetëm për të vjelë përfitimet në fund.
Një nga garancitë e paprekshmërisë së tyre është segmentimi i ndërmarrjes kriminale. Referuar akteve gjyqësore, shpesh “aktorët” ose korrierët nuk e dinë identitetin e vërtetë të regjisorit. Kjo është garanci për ta. Nëse kapet korrieri, ai nuk ka informacion për të zbërthyer kokën e grupit.
Nga ana tjetër, ata janë kujdesur që paratë të kalonin në disa duar, derisa të niseshin drejt tyre.
Drejtësia ka dhënë dënime të rënda për këto vepra. Florian Gjergji është dënuar në mungesë me 9 vite burgim për mashtrim me pasoja të rënda, ndërsa është i pandehur në procese të tjera gjyqësore të hapura. Të tjerë bashkëpunëtorë, si korrierët, kanë marrë dënime që variojnë nga 2 deri në 3 vite burg, shpesh duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ose pezullimi i dënimit në provë për shkak të rrezikshmërisë së paktë ose bashkëpunimit me hetimin.
Këto janë vetëm disa nga rastet e biznesmenëve të bërë pre e kësaj lloj skeme mashtrimi. Le të themi ndër më faltumët, për shkak se kanë mundur të nuhasin të vërtetën dhe të sinjalizojnë autoritetet.
Në një botë ku një fotografi profili mund të vidhet me një klikim, mesazhi i këtyre dosjeve gjyqësore është i qartë: Nëse një mik, apo njeri i pushtetshëm ju kërkon një nder financiar përmes aplikacioneve celulare, jini pak dyshues! (A2 Televizion)
Rruga Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Sipas njoftimit nga Komuna e Drenasit, ura në afërsi të varrezave të Drenasit ka pësuar dëmtime serioze dhe paraqet rrezik për qarkullim.
“Për arsye sigurie, qarkullimi mbi urë ndalohet përkohësisht deri në një njoftim të radhës,” thuhet në njoftim.
Tutje në këtë njoftim, thuhet se në ditët në vazhdim do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.
“Njësitet e Policisë dhe të Zjarrfikësve janë të pranishme në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën”.