Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

Ndalet papritur Maroku/ Kupa e Afrikës, favoritët për trofeun nuk mundin Malin

27 December 2025 at 15:45

Dihet se titujt nuk fitohen paradhënie. Maroku mund të jetë favorit për këtë Kupë të Kombeve të Afrikës, aq më tepër që luan në shtëpi, por rivalët duhet t’i mundë me radhë në fushë.

Kjo nuk ndodhi në ndeshjen e dytë në grup, dhe barazimi 1-1 ndaj Malit rrezikon që Brahim Diaz apo Ashraf Hakimi me shokë të mos dalin në vend të parë.

Përballja në stadiumin kryesor të Rabatit, të mbushur plot me mbi 53 000 spektatorë, ishte vetëm me një kah, pasi gjithë lojën e bënë marokenët, por që nuk korrën dot frytet.

Shënuan vetëm një gol me autor yllin e Realit, Brahim Diazin, në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë.

Edhe atë me penallti.

Mali arriti të godiste vetëm dy herë, dhe futi vetëm një top në kuadratin e portës së mbrojtur nga gardiani I shquar, Bono, por kjo mjaftoi që Lasine Sinajoko të barazonte rezultatin në 64’.

Edhe ky me 11-metërsh.

Maroku bëri 15 gjuajtje, nga të cilat 9 në kuadrat, mbajti topin 59 për qind dhe pati kornet 6-0, por kjo nuk vlejti.

Egjipti, rekordmen I titujve, nuk e bëri këtë gabim.

Shtatë herë kampionët e Afrikës mundën 1-0 Afrikën e Jugut, në një përballje shumë të vështirë, të cilën e luajti me 10 lojtarë gjithë pjesën e dytë.

Mohamed Salah shënoi me penallti në 45’, dhe egjiptianët u mbrojtën herokisht deri në fund.

Boston mbijeton pa kapitenin/ “Keltët” arrijnë fitoren e katërt radhazi këtë sezon në NBA

27 December 2025 at 15:41

Më të mirin nuk e kanë pasur në dispozicion që nga fillimi. Boston Sëlltiks po luan këtë sezon pa kapitenin Xhejzën Tatëm, e ndonëse kjo ka prishur shumë punë, sërish ish-kampionët e NBA-së kanë refuzuar të dorëzohen.

Kjo u tregua jo pak në suksesin e fundit, arritur në Arenën e Indianapolisit, ndaj ekipit vendas Indiana Pejsërs. Triumfi ishte I thellë, 140-122, dhe është e qartë se rekordmenët e titujve kanë atë që në sport quhet “thellësi”, pra potencial në formacionin titullar dhe në stol.

Rolin udhëheqës e mori Xhejlën Braun, pra ai të cilit I takon, duke shënuar 30 pikë, e duke shtuar 3 topa në tabela, 4 asistë e sidomos 4 vjedhje topi.

Krah tij edhe Priçërd me 29 pikë e 9 topa në tabela, Hauzer me 23 pikë dhe Uajt me 21 pikë e 6 asistë. Indiana vendase bëri shumë gabime sidomos në mbrojtje, por edhe në gjuajtjet për tri pikë, ndonëse nuk shënoi pak.

Sëlltiksat ishin më lart nga distanca, duke realizuar 20 nga 39 tripikëshat, me një mesatare shumë të mirë gati 50 për qind.

Edhe pse ishin në humbje me 15 pikë, sërish yjet e Bostonit reaguan dhe mbeten pretendentë për titull, duke qenë në vend të tretë në Konferencën Lindore me 19 fitore e 11 humbje.

Kur mund të kthehet Tatëm? Kjo ende nuk dihet, flitet për në shkurt apo mars, deri në fillim të plej ofit. Pra, rekordmenët e titujve mund ta kenë kapitenin kur të luftohet për trofeun.

Sylvinho, braziliani i vetëm në Botëror: Shorti me Poloninë i vështirë, bëjmë gjithçka për Shqipërinë

27 December 2025 at 15:33

Është kthyer në një yll të stolit, dhe reklamën po ia bën edhe Shqipërisë. Emri i Silvinjos tërheq jo pak në Brazil, dhe pas kualifikimit për në plej ofin e Kupës së Botës, tekniku kuqezi ishte I ftuar në një emision sportiv të televizionit ESPN për vendin e tij.

Katër gazetarët në studio, në lidhje në distancë me trajnerin e kombëtares, e pyetën për shortin me Poloninë.

“Natyrisht, e dinim që më parë se do të ishte e vështirë, dhe ashtu ndodhi. Një short I pamëshirshëm, I ashpër. Kështu ka qenë që nga Europiani. I imagjinonim këta rivalë të fortë. Polonia do të luajë në shtëpi dhe ne do të kemi vështirësi të madhe, por do të bëjmë gjithçka për Shqipërinë, për ekipin tonë, për vendin, për federatën. Do të provojmë të arrijmë suksesin”.

Çfarë mund të thotë Silvinjo për shanset e Shqipërisë që të kalojë polakët?

“Kemi një përvojë të mirë në të kaluarën, pasi luajtëm në eliminatoret e Europianit ndaj Polonisë. Kanë ndryshuar trajner, por janë pak a shumë lojtarët që ishin, lojtarë me nivel të lartë. Dy ekipet janë në faza të ndryshme. Ata janë në rindërtim me një trajner të ri, ndërsa ne jemi në një periudhë përmirësimi, duke vazhduar punën tonë. Përballja do të jetë e vështirë. Gjithsesi, janë 90 minuta, dhe mund të ndodhë gjithçka. Ne kemi ndryshuar. Ekipi ynë është më I strukturuar, mbron më mirë, ka ecur përpara teknikisht. Kemi cilësi shumë të mirë dhe lojtarë që janë përshtatur me njëri-tjetrin. Fati I ndeshjes mund të vendoset në pak sekonda. Kështu funksionon”.

Silvinjo do të ishte I vetmi trajner brazilian në Botëror, pasi Brazilin e drejton Ançeloti, madje mund të kishte një përballje mes tyre.

“Për mua është një nder nëse do të jem braziliani I vetëm si trajner në Botëror. Do të ishte diçka shumë e bukur. Do të përpiqem edhe për këtë. Nëse kualifikohemi nga ky plej of, do të jemi në Kupën e Botës, diçka që nuk është e vogël për ne, nuk kemi qenë më parë. Ju më pyesni çdo të ndodhë nëse do të ndeshemi me Brazilin në Botëror. Është rrugë e gjatë deri atëherë. Ju lutem, qetësohuni. Të shkojmë një herë në Botëror, pastaj të shohim me kë do të ndeshemi”.

Mitaj mund ta braktisë Arabinë/ Al Ittihad po mendon për të transferuar futbollistin e Shqipërisë

27 December 2025 at 15:31

Nuk dihet nëse ka ndonjë prapavijë apo është e vërteta. Lajmet janë që Mario Mitaj mund të largohet nga Arabia Saudite madje që në janar.

Ky njoftim, që mund të cilësohet një “bombë e vërtetë”, jepet nga një gazetar saudit që komenton vendimin e drejtuesve të klubit të tij, Al Itihad.

Gazetari Mohamed Al Bakr njofton se kampionët saudite janë në bisedime për transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë, ndonëse nuk jepet emri I klubit që e kërkon.

Gazetari thekson se ky lajm nuk do t’u pëlqejë tifozëve, dhe duket I habitshëm sepse Mitaj është kthyer në një lojtar kyç të ekipit nga kryeqyteti Riad.

Al Itihad ia bleu kartonin para një vit për rreth 4 milionë euro, ndërsa besohet se do të fitojë shumë më tepër në rast se mbrojtësi shqiptar largohet.

Mitaj fitoi vjet titullin kampion dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite, duke qenë ndër më të mirët, ndonëse pati dëmtim në fillim të vitit.

Këtë edicion vazhdoi me të njëjtin ritëm, pavarësisht ndonjë problemi që u tha se kishte me kapitenin Karim Benzema.

Në 2025-2026, mbrojtësi I majtë ka një gol e dy asistë në 16 ndeshje, aspak gjë e vogël për pozicionin e tij në fushë.

Sezonin e kaluar pati gjithashtu një rrjetë e dy pasime për gol në 22 ndeshje.

Mehmeti shënon përsëri/ Ylli shqiptar vazhdon të shkëlqejë në ligën e dytë të Anglisë

27 December 2025 at 15:29

Nuk ka ndërmend të ndalet dhe në një mënyrë apo një tjetër do ta sigurojë elitën vitin që vjen. Anis Mehmeti ka shënuar një tjetër gol në Angli, duke vazhduar me paraqitjet e tij shumë të mira, ndërsa realizoi në fitoren 2-1 që skuadra e tij, Bristol Siti, arriti në fushën e rivalit Uest Brom.

Lojtari ofensiv shqiptar kaloi ekipin në avantazh që në minutën e katërt, dhe qëndroi në fushë për më shumë se një orë. Mehmeti është një nga lojtarët më të mirë të kategorisë së dytë së Anglisë, dhe padyshim më I miri për Bristol Sitin.

Ka shënuar 7 gola e shërbyer 6 asiste dhe ka qenë thuajse gjithmonë titullar.

Kjo ka ndodhur në 96 për qind të ndeshjeve, dhe ai ka qenë në fushë për 92 për qind të minutave.

Po ashtu, ka kontribut në 38 për qind të golave të Bristol Sitit, pra ka shënuar ose ka krijuar më shumë se një nga 3 rrjeta.

Jo më kot vlera e kartonit të tij ka arritur në 10 milionë euro dhe ka mundësi të shtrenjtohet edhe më shumë.

Falë kontributit të shqiptarit, mund të arrihet ngjitja në Premier Ligën angleze sezonin e ardhshëm, duke qenë në vend të gjashtë, në zonën e plej ofit, dhe 7 pikë larg vendit të dytë që të kualifikon direkt për në elitë.

Manastiri i Zvërnecit/ Turistë të huaj dhe vendas vizitojnë monumentin e kultit mes natyrës

27 December 2025 at 14:55

ZVËRNEC- Jo vetëm në verë, por edhe në dimër, Vlora mbetet një destinacion për turistët e huaj e vendas.

Fundjava dhe festat e fundvitit kanë sjellë një fluks të shtuar vizitorësh në qytetin e Vlorës, ndërsa Manastiri i Zvërnecit mbetet një ndër pikat që tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë.

I pozicionuar në mes të lagunës së Nartës, ky monument kulti shihet si një nga destinacionet më tërheqëse për një vizitë ndryshe gjatë qëndrimit në Vlorë.

Vizitorët vijnë kryesisht nga qytete të ndryshme të vendit, por nuk mungojnë as turistët e huaj, veçanërisht nga Italia.

“Jam italiane. Vij këtu për herë të parë dhe më pëlqen shumë natyra”

“Jam Xhuzepe nga Milano. Vij këtu për herë të dytë, pasi kam gruan shqiptare dhe është shumë bukur. Natyra është e mrekullueshme. Ia këshilloj të gjithëve që të vijnë ta vizitojnë”

Shqiptarët janë të moshave të ndryshme, ndërsa shumë prej tyre e vizitojnë manastirin për herë të parë, duke e cilësuar Zvërnecin si një nga zonat më të bukura të Vlorës, falë ndërthurjes së natyrës me historinë.

Manastiri i Zvërnecit ka qenë një nga destinacionet më të vizituara edhe gjatë dy viteve të fundit, çka konfirmon rritjen e interesit turistik për këtë zonë. Vetë vizitorët shprehen se kanë gjetur një ambient për të cilin kishin dëgjuar shpesh, por që vetëm tani kanë pasur mundësinë ta vizitojnë nga afër.

Gripi i stinës, agresiv me fëmijët/ Mjekët: Ka dyshime për nënvariantin e ri që është shfaqur në disa vende

27 December 2025 at 14:32

SHQIPËRI- Gripi po shfaqet agresiv tek fëmijët në këtë periudhë. Temperatura e lartë, rezistente dhe që zgjat në kohë, po karakterizon viruset në qarkullim. Rëndimi i gjendjes shëndetësore ka bërë që, sipas mjekëve, shumë fëmijë të kenë nevojë për trajtim në spital.

“Bën përshtypje tek rastet me influenza A një temperaturë e lartë prej ditësh, 39-40 gradë Celsius, që bëhet shumë shqetësuese për prindërit, natyrisht që vijnë në urgjencë dhe të shqetësuar për të ulur temperaturën, e cila mund të vazhdojë për ditë me radhë. Shpesh herë, në analizat e gjakut dhe ato biokimike që janë bërë dhe këtu në QSUT, ka rezultuar me prova të mëlçisë pak të rritura. Shpesh dhe me diarre dhe të vjella, mosushqyerje prej ditësh që mund të shqetësojë prindërit, deri në aplikimin e perfuzioneve; shpesh herë edhe konvulsione febrile, pra atë sëmundjen e tokës që e quajnë njerëzit shkaktuar nga temperatura, që në vetvete nuk është sëmundje, por pasojë e temperaturës”

Pediatrit i bëjnë thirrje prindërve të shtojnë kujdesin, pasi nuk kanë munguar as komplikacionet shëndetësore.

“Këtu flasim për infeksione sekondare në terren të një viroze, siç mund të jetë një bronkopneumoni, tonsilitë, pneumoni, që kanë kërkuar mjekim intrahospitalier, ndoshta mjekim venoz për një periudhë kohe derisa të stabilizohet”

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar praninë e gripit të tipit A, por jo nënvariantin K të Ah3n2, që ka shqetësuar shumë shtete në botë. Ndërkohë, sipas mjekëve, bashkë me gripin në qarkullim janë edhe viruse të tjera me shenja të ngjashme klinike, si COVID dhe virusi respirator syncyntial, që ka prekur më tepër bebet deri në nëntë muaj. Prandaj në këtë periudhë festash mjekët këshillojnë për të mos ekspozuar fëmijët në ambiente me shumë njerëz.

“Kur ka grup fëmijësh ku ka grumbullime dhe ku ka njerëz të sëmurë, është probabiliteti të marrin infeksione; menaxhimi i kësaj situate është në dorë të prindërve…”

Kam një fëmijë 4 muaj që është pozitiv me influenzë A, por menaxhimi nuk është njësoj; është më i pambrojtur, delikat, s’ka kryer ciklin e vaksinimit. I vogli s’ka ku e merr veç familjarëve dhe mjediseve ku kanë qenë.

Në këtë periudhë të vitit, fluksi i pacientëve në spitale dhe qendra shëndetësore, sipas mjekëve, është shtuar. Megjithëse vala e të prekurve nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes po rritet, sipas Institutit të Shëndetit Publik ende nuk ka arritur kulmin./abcnews.al

Rekord pagesash në euro/ Vetëm në 11 muaj, më shumë se vitin e kaluar

27 December 2025 at 14:18

SHQIPËRI- 5.6 miliardë euro është vlera e transaksioneve në  monedhën europiane në Shqipëri deri në fund të nëntorit. Kjo tregon se qarkullimi i monedhës europiane ka vijuar të shënoj rekord në ekonominë shqiptare.

Janë 5.6 miliardë euro të cilat janë transferuar nëpërmjet sistemit AIPS në periudhën janar-nëntor të këtij viti ndërsa numri i transaksioneve rezultoi 357 mijë. Nëse bëjmë një krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja rezulton 21% më shumë veprime dhe 19% më shumë në vlerë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë kjo është vlera më e lartë e regjistruar dhe nëse e krahasojmë me vitin 2024 rezulton se në vlerë e numër është tejkaluar niveli i trasaksioneve të kryera përgjatë gjithë vitit . Në 2024 vlera e transaksioneve të realizuara në sistemin Aips ishte 5.2 miliardë euro.

Rritja e numrit të transaksioneve tregon se bizneset dhe qytetarët po përdorin më shumë  sistemet bankare për lëvizje parash duke  shmangur Cash-in çka ndikon në uljen e  informalitetin në ekonomi.

Por gjithashtu kjo justifikon dobësimin e euros në tregun shqiptar dhe revanshin e lekut. Zyrtarisht shtimi i fluksit të euros lidhet me fluksin turistik, remitancat por edhe investimet sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Aktualisht euro po këmbehet me rreth 96 lekë ose niveli më i ulët i regjistruar përgjatë gjithë vitit.

Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka rritur rezervën valutore duket se kjo nuk ka dhënë efekte në kursin e këmbimit.

Banka qendrore parashikon të tërheqë nga tregu rreth 350 milionë euro për efekt të rezervës valutore por edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit gjatë 2025 duke e rritur nivelin me 100 milionë euro përgjatë vitit të ardhshëm.

Me anë të një vendimi Banka e Shqipërisë uli komisionet për transaksionet që kryhen me AIPS EURO.

Sistemi AIPS-EURO përdoret nga qeveria për të shlyer borxhin e jashtëm, nga bizneset e mëdha për të shlyer fatura  por  edhe transaksionet për qytetarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash si në rastet e blerjes së pasurive të paluajtshme./abcnews.al

VIDEO/ Zjarri përfshin disa autobusë të vjetër në Durrës, tymi i zi mbulon zonën

27 December 2025 at 13:55

DURRËS- Disa autobusë të vjetër, jashtë përdorimit, të parkuar në zonën e Fllakës në Durrës janë përfshirë nga flakët.

Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për përhapjen e flakëve në zonë.

Aktualisht nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për dokumentimin e rastit.

“Rreth orës 13:45, në lagjen nr. 15, Durrës, në parkun e autobusëve në sektorin “Rinia”, pranë “Eco Park”, ka rënë zjarr në ambientet e parkimit të autobusëve, ku, si pasojë, janë përfshirë nga flakët disa autobusë të vjetër.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, njoftoi policia.

/abcnews.al

SHBA, ligj për Ballkanin/ Prezantohet në Kongres, synon forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit

27 December 2025 at 13:46

Kongresi amerikan ka prezantuar një projektligj me titullin “Ligji për Demokracinë dhe Mirëqenien në Ballkanin Perëndimor”, i cili ka synim të rrisë tregtinë, investimet dhe mbështetjen politike amerikane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Projektligji, i depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë, dhe e cilëson rajonin si një zonë kyçe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Europës.

Pikat kryesore të projektligjit përfshijnë forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit, rritjen e tregtisë dhe investimeve amerikane sidomos në energji të pastër, infrastrukturë, bujqësi, teknologji dhe bizneset e vogla.

Po ashtu një pikë kyçe është reduktimi i varësisë nga energjia ruse duke nxitur diversifikimin energjetik dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme.

Projektligji kërkon gjithashtu raporte të detyrueshme mbi ndikimin rus dhe kinez, duke përfshirë fushata dezinformimi, ndërhyrje politike dhe kërcënime kibernetike, duke ofruar mbështetje për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale.

Një pikë tjetër e rëndësishme është zgjerimi i programeve arsimore dhe shkëmbimeve, përfshirë universitetet, Peace Corps dhe nisma për të rinjtë dhe krijimi i “Young Balkan Leaders Initiative”, për zhvillimin e liderëve të rinj në biznes, teknologji, qeverisje dhe gazetari.

Projektligji parashikon gjithashtu mbështetje për integrimin euroatlantik dhe riafirmon përkrahjen amerikane për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe NATO të vendeve që përmbushin kriteret.

Kongresi amerikan gjithashtu identifikon korrupsionin, si pengesën kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit.

Shkel urdhrin e mbrojtjes dhe kërcënon me jetë të atin, arrestohet 34-vjeçari në Gramsh

27 December 2025 at 13:18

GRAMSH- Policia e Gramshit ka arrestuar një 34-vjeçar, pasi ka shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur ndaj tij.

Sipas Policisë, 34-vjeçari është futur në banesën e babait të tij, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ku ka ushtruar dhunë psikologjike dhe e ka kërcënuar atë me jetë.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë./abcnews.al

EMRI/ Aksident me vdekje në Durrës

27 December 2025 at 12:59

DURRËS- Një aksident rrugor me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin Katund Sukth–Fllakë, në Durrës.

Një 29-vjeçare, banuese në Durrës, teksa drejtonte automjetin e saj, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjeti dhe për pasojë ka përplasur një biçikletë, me të cilën lëvizte një 69-vjeçar.

Pas përplasjes, i moshuari Rakip Bytyçi u transportua me urgjencë në spital, por për shkak të dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë.

Drejtuesja e automjetit Xhentila Çela, është shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.

Greqi, katër alpinistë humbasin jetën pas një orteku të befasishëm

27 December 2025 at 12:29

GREQI– Katër alpinistë kanë vdekur pasi u rrëmbyen nga një ortek në Greqinë qendrore, thanë shërbimet e shpëtimit. “Aksidenti ndodhi në malet Vardousia në rajonin e Fokidës”, raportoi gazeta e përditshme “Kathimerini”, duke cituar zyrtarët e shpëtimit.

Tre persona (burra) u raportuan fillimisht të zhdukur të enjten në mbrëmje, pasi u nisën nga fshati Athanasios Diakos për t’u ngjitur në malin Korakas, me një lartësi prej rreth 2,500 metrash.

Pas humbjes së kontaktit me telefon, miqtë dhe të afërmit njoftuan autoritetet.

“Ekipet e shpëtimit zbuluan dje trupat e tre burrave, si dhe atë të një gruaje në të 30-at, e cila fillimisht nuk ishte raportuar e zhdukur dhe besohet të ketë qenë partnerja e një prej viktimave”, raportoi “Kathimerini”.

Të katër personat u gjetën afër njëri-tjetrit, duke sugjeruar se ata ishin kapur në befasi nga orteku dhe nuk kishin mundësi të shpëtonin.

Ekipet e shpëtimit thanë se dy nga burrat ishin alpinistë me përvojë, duke rritur fillimisht shpresat se grupi mund të kishte gjetur strehim.

Megjithatë, operacionet e kërkimit u penguan nga terreni i pjerrët dhe i rrezikshëm, të përkeqësuara nga kushtet e këqija të motit.

Operacioni i rikuperimit për transportimin e katër trupave nga mali pritet të zhvillohet sot./abcnews.al

Polonia mbyll aeroportet për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë

27 December 2025 at 12:17

Polonia mbylli dy aeroporte gjatë natës për arsye sigurie për shkak të sulmeve të rënda ajrore ruse në Ukrainë, thanë sot autoritetet e aviacionit.

“Për shkak të nevojës për të siguruar lirinë e operimit të aviacionit ushtarak, aeroportet në Rzeszów dhe Lublin pezulluan përkohësisht operacionet ajrore”, tha agjencia kombëtare e kontrollit të trafikut ajror, PANSA në platformën X.

Të dy qytetet ndodhen pranë kufirit ukrainas.

Ushtria polake njoftoi më herët se avionët e saj luftarakë ishin ngritur së bashku me avionët e aleatëve të NATO-s për të mbrojtur hapësirën ajrore të Polonisë.

Megjithatë, nuk pati shkelje të hapësirës ajrore.

Ushtria raportoi fundin e misionit rreth orës 8:00 të mëngjesit.

Polonia, ka nisur të ngrejë rregullisht ajër avionët luftarakë pas sulmeve ruse ajrore në rajonet ukrainase pranë kufirit.

Megjithatë, kjo zakonisht nuk rezulton në mbylljen e aeroporteve polake./abcnews.al

Shpëtoi qytetarin pas shpërthimit të molotovit, Ilir Proda i akordon certifikatë inspektorit të Policisë

27 December 2025 at 11:41

Ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” Inspektor Marsel Bicja, me motivacionin:

“Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda: “Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”.

Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për inkurajimin dhe mbështetjen që i jep strukturave të Policisë, si dhe vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.

Inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për armëpushim të menjëhershëm

27 December 2025 at 11:19

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm pas disa javësh përleshjesh kufitare.

Ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve që nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët armëpushimi.

“Armëpushimi mbulon të gjitha armatimet, sulmet ndaj civilëve, infrastrukturës civile dhe objektivave ushtarake në të gjitha zonat”, thuhet në deklaratë.

Ministrat u takuan në një pikë kontrolli kufitar midis provincës Pailin të Kamboxhias dhe provincës Chanthaburi të Tajlandës, pas diskutimeve përgatitore në një komitet të përbashkët kufitar ditët e fundit.

Pse po rritet numri i turqve që kërkojnë shtetësi në Maqedoninë e Veriut?

27 December 2025 at 11:00

“Jeta në Turqi është bërë politikisht shumë e vështirë, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, prandaj për mua ishte më e lehtë të shpërngulesha këtu dhe të kërkoja shtetësi maqedonase”, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë (REL).

Ai prej disa muajsh punon si menaxher në një kafene në Shkup, e cila është në pronësi të biznesmenëve turq.

Kanë kaluar tashmë dy vjet qëkurse ai u shpërngul nga Antalia në Shkup me bashkëshorten e tij maqedonase. Për këtë arsye ka marrë leje qëndrimi, ndërsa para një muaji bëri kërkesë për shtetësi maqedonase. Ai thotë se i mungon qyteti i lindjes për shkak të jetës pranë detit dhe plazhit, por këtu jeta është më e lirë.

“Për shembull, në shitore, një blerje e zakonshme për shtëpi: perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blen minimalisht, duhet të paguash rreth 280–300 euro. Ndërsa me këto para në Shkup mund ta mbushësh makinën e vjetër plotësisht: bagazhin, sediljen e përparme dhe të pasmen. Në Turqi kjo është e pamundur”, thotë Bingjul.

Ai nuk e flet mirë gjuhën maqedonase, por thotë se ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që, sipas ligjit maqedonas, duhet të plotësojë është dhënia e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

“E kuptoj disi maqedonishten, di të lexoj me alfabet latin, por jo me cirilik. Këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.

Megjithatë, ky kusht nuk vlen për ata që dëshmojnë se kanë prejardhje maqedonase.

Vala e kërkesave të turqve për shtetësi maqedonase

Përveç njerëzve si Bingjul, të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me shtetase maqedonase, gjithsej 10.500 qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi maqedonase gjatë katër vjetëve të fundit mbi bazën e prejardhjes maqedonase, tregojnë të dhënat që REL-i i ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Sipas MPB-së, këta janë shtetas të Turqisë që duhet të dëshmojnë në institucionet maqedonase se janë mërgimtarë nga ky vend dhe se kanë prejardhje etnike maqedonase.

Në përgjigjen për REL-in, MPB-ja thekson se arsyeja e rritjes së numrit të kërkesave për shtetësi maqedonase lidhet me ndryshimet e fundit ligjore.

“Ndryshimet ligjore të vitit 2021 kontribuuan në një rritje enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga mërgimtarët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, tha MPB-ja.

Përkufizimi i ri i “mërgimtarit” në Ligjin për Shtetësinë

Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë të propozuara nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM dhe BDI.

Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, propozoi në Kuvend ndryshime në ligj me të cilat përcaktohet se kush konsiderohet mërgimtar.

Sipas ligjit, mërgimtari dhe pasardhësi i tij i gjeneratës së parë mund të fitojnë shtetësi maqedonase pa jetuar në vend, pa e njohur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme – rregull që vlen për shtetasit e huaj.

“Mërgimtar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën e lëkurës, prejardhjen kombëtare dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, si dhe statusin pasuror dhe shoqëror”, thuhet në Ligjin për Shtetësinë.

Sipas regjistrimit të vitit 2021, i realizuar në periudhën kur këto ndryshime ligjore hynë në fuqi, 3.9 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i përkatësin etnisë turke.

Të dhënat tregojnë se nga 83.000 turq etnikë, rreth 71.000 jetojnë në vend, ndërsa 12.000 jashtë vendit.

Biznesi, punësimi dhe arsimi si motive për migrim

Interesi i qytetarëve turq për qëndrim në vend vërehet edhe në jetën e përditshme – nga dyqanet që ofrojnë ushqime tradicionale turke deri tek të rinjtë që shëtisin në qendër të Shkupit.

Analisti Donço Gerasimovski thotë se motiv për rritjen e kërkesës për shtetësi maqedonase nga qytetarët turq mund të jenë biznesi, punësimi ose arsimi, ndërsa sipas tij interesi më i madh shihet në fushën e biznesit.

“Merrni si shembull ndërtimtarinë operative. Sa objekte po ndërtohen në vendin tonë, ndërtesa banimi të mëdha dhe të gjera, të realizuara nga kompani turke. Që ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin, ata duhet të rregullojnë edhe shtetësinë e tyre. Gjithçka është në funksion të interesit të biznesmenëve, sportistëve dhe atyre që kanë më shumë fitime këtu sesa në vendet e tyre”, shpjegon Gerasimovski.

Ai shton se kjo ndikon edhe në strukturën etnike të popullsisë.

“Të gjithë këta persona, varësisht nga vendet nga vijnë, e rrisin numrin e asaj përkatësie etnike”, thotë ai.

Me rritjen e interesit për shtetësi, në vend vërehet edhe rritje e kapitalit turk, përkatësisht e kompanive të hapura nga pronarë turq.

Mbi 4.000 kompani të themeluara me kapital turk

Sipas të dhënave që REL-i ka marrë nga Dhoma Ekonomike Maqedonaso-Turke (MATTO), për vitin 2024 numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga persona juridikë dhe fizikë arrin në 4.132.

Sipas tyre, interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e afërta maqedonaso-turke.

“Ato bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të mërgimtarëve nga këto troje në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet familjare dhe kulturore ekzistuese mes qytetarëve të të dyja vendeve. Për më tepër, Republika e Maqedonisë së Veriut paraqet një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimesh”, thuhet në përgjigjen e MATTO-s për REL-in.

Në rritje është edhe numri i studentëve që vijnë në vend.

Sipas profesorit Kiril Barabareev nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, gjatë 12 vjetëve të fundit rreth 900 studentë nga Turqia janë regjistruar në këtë universitet.

“Sipas bisedave që kam pasur, Turqia ka shumë të rinj që nuk arrijnë të regjistrohen në sistemin e tyre universitar dhe, duke qenë se arsimi privat atje është shumë i shtrenjtë, ata kërkojnë universitete në rajon ku mund të studiojnë”, thotë ai.

Pasaporta maqedonase dhe udhëtimi pa viza në zonën Shengen si motiv

Mediat turke, pas ngjarjeve në Mal të Zi, ku në tetor të këtij viti u hoq përkohësisht regjimi pa viza për shtetasit turq për shkak të një sërë incidentesh, shkruajnë se Maqedonia e Veriut është bërë destinacion i ri tërheqës për qytetarët turq për shkak të përparësive që ofron.

Një nga arsyet që theksohet është mundësia për udhëtim pa viza në zonën Shengen me pasaportë maqedonase. Po ashtu, përmenden procedura e shpejtë dhe e lirë për themelimin e kompanive, si dhe kostot e përballueshme të jetesës – qiraja, ushqimi dhe transporti – që janë më të ulëta krahasuar me Turqinë.

“Afërsia me Evropën, edhe pse nuk është anëtare e BE-së, pozita strategjike në Ballkan mundëson qasje të lehtë drejt Evropës”, thuhet në analizë.

Ndërkohë, Mali i Zi më 24 dhjetor hoqi vizat për shtetasit turq, por e uli qëndrimin e lejuar nga 90 ditë në 30 ditë, me qëllim, sipas qeverisë malazeze, parandalimin e migrimit ilegal dhe harmonizimin me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

Sipas ndryshimeve të fundit të rregullave evropiane për udhëtimin pa viza, të miratuara muajin e kaluar, është hapur mundësia për pezullim më të shpejtë të regjimit pa viza për vendet jashtë BE-së që paraqesin shqetësim për migrimin ose sigurinë.

Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë, bën pjesë në grupin e vendeve që mund të përballen me monitorim të shtuar për zbatimin e këtyre rregullave.

Disa nga arsyet për vendosjen e kufizimeve mund të jenë harmonizimi i dobët me politikën e vizave të BE-së dhe programet për dhënien e shtetësisë për investitorë, të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, që mundësojnë marrjen e shtetësisë pa lidhje reale dhe të dëshmueshme me vendin.

Gjithashtu, po shqyrtohen edhe rreziqe sigurie të lidhura me kërcënime hibride, përfshirë përdorimin politik të migrimit dhe dobësitë në sigurinë e dokumenteve personale, gjë që e ndërlikon edhe më tej pozitën e vendeve të treta që kanë regjim pa viza me BE-në./ REL

Foshnja e parë në botë lind me ADN e tre personave

27 December 2025 at 10:32

Shkencëtarët britanikë kanë kombinuar me sukses ADN-në e tre personave të ndryshëm – një baba, një nënë dhe një donator – për të krijuar foshnje krejtësisht të shëndetshme, të paprekura nga sëmundjet gjenetikisht të trashëguara, sipas BBC.

Kjo teknikë inovative, e njohur si “Transferimi Pronuklear”, nuk është vetëm një progres në mjekësinë riprodhuese, por një hap revolucionar në gjenetikë, duke ofruar shpresë të re për prindërit që mbartin sëmundje vdekjeprurëse mitokondriale.

Në këtë metodë, bërthama e një veze të fekonduar nga prindërit transferohet në vezën e një donatori – një vezë që i është hequr bërthama e vet, por ruan mitokondritë e shëndetshme.

Rezultati është një embrion që mbart identitetin gjenetik të prindërve, por funksionon me “bateritë qelizore” (mitokondritë) e shëndetshme të një personi të tretë.

Është si të zëvendësosh të gjithë rrjetin elektrik të një qyteti pa ndryshuar arkitekturën e tij, duke siguruar që nuk do të ketë kurrë ndërprerje të energjisë – në këtë rast, fillimin e një sëmundjeje gjenetike.

Rezultati? Tetë foshnje të lindura pa asnjë gjurmë të çrregullimeve mitokondriale në testet dhe ekzaminimet mjekësore.

Kjo është një arritje revolucionare jo vetëm shkencërisht, por edhe etikisht dhe shoqërisht, pasi shënon herën e parë që njerëzimi mund ta ndalojë në mënyrë efektive dhe të përhershme transmetimin e disa sëmundjeve vdekjeprurëse.

Kjo teknologji nuk shpëton vetëm një brez – ajo mbron shëndetin e brezave që do të vijnë, duke e bërë atë një nga momentet e rralla kur shkenca vërtet ia kalon vetë kohës./abcnews.al

❌
❌