Berisha: T’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës
TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e “Foltores” në Manzë (Durrës). Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi se opozita do t’i rikthehet sheshit çdo natë deri në largimin e qeverisë.
Ai deklaroi se opozita nuk do të përdorë dhunë, por do të ndjekë rrugën e protestave paqësore dhe qëndresës qytetare për largimin e qeverisë.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen në janar për një betejë politike deri në fitore, duke e cilësuar vitin 2026 si moment vendimtar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “diktaturë e dytë” dhe për shpëtimin e Shqipërisë.
“Jemi forcë demokratike, jemi opozitë demokratike. Ne do përdorim çdo mënyrë demokratike, jo të dhunshme për përzënien e tyre. Nuk rezistojnë dot ata.
“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Berisha deklaroi se zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2025 kanë qenë farsa, të manipuluara përmes blerjes së votës, përdorimit të administratës shtetërore, bandave kriminale dhe shpërndarjes së fondeve publike në prag të zgjedhjeve.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca kryesore opozitare në vend pas 35 vitesh, falë qëndresës, pranimit të gabimeve dhe respektimit të parimeve morale dhe ligjore.
/m.q/a.f/r.e/
The post Berisha: T’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.