Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

16 vjeçare kundër regjimit serb, Osmani nderon kujtimin e Elfete Humollit dhe vëllait të saj

1 February 2026 at 10:44


Në përvjetorin e vrasjes së Elfete Humollit, 16-vjeçares që u ngrit kundër shtypjes dhe dhunës së regjimit serb, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi familjen Humolli në Lupç të Poshtëm.

Ajo vendosi kurorë lulesh dhe nderoi kujtimin e vëllait të saj, Mentorit, i cili ra dëshmor në betejën e Koshareve në mars 1999.

Osmani theksoi se guximi dhe përkushtimi i Elfete Humollit dhe Mentorit për lirinë e Kosovës janë shembuj frymëzues për brezat e ardhshëm.

“Motra dhe vëllai u bashkuan në të njëjtën kauzë të shenjtë për lirinë e vendit. Sot, Kosova është e lirë, por guximi i tyre do të na frymëzojë përjetësisht,” tha ajo. /Telegrafi/

Fillojnë hetimet për manipulim votash edhe në Mitrovicë, pritet intervistimi i 43 kryesuesve të QKN-ve

1 February 2026 at 10:21


Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit nga komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Këto intervista po zhvillohen për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Autoritetet theksojnë se qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Rinumërimi i votave u krye pas dyshimeve për manipulime të kandidatëve për deputetë.

Gjatë këtij procesi, votat për disa kandidatë ndryshuan, në disa raste deri në 6 mijë për një individ, ndërsa votat për partitë mbetën të pandryshuara.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra dhe po vazhdojnë hetimet.

Përveç Prizrenit, Malishevës hetime po kryhen edhe në Ferizaj, Pejë dhe Drenas. /Telegrafi/

Reshjet e shiut rrisin rrezikun e aksidenteve, policia del me këshilla për shoferët

1 February 2026 at 10:07


Policia e Kosovës ka bërë një apel për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke theksuar nevojën për kujdes të shtuar gjatë ngasjes për shkak të reshjeve të shiut dhe ndryshimeve të kushteve atmosferike.

“Shoferët luten të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e nevojshme mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në rrugë të lagështa nga reshjet e shiut, ku mund të ketë rrëshqitje”, thuhet në njoftim.

Policia gjithashtu thekson se kushtet aktuale atmosferike krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun e aksidenteve.

“Siguria juaj është prioritet! Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, ka shtuar policia.

Apeli vjen pas situatës së tanishme atmosferike, ku reshjet e shiut dhe rrugët e lagështa mund të krijojnë rreziqe për qarkullimin rrugor. /Telegrafi/

Operacioni “Lockdown” finalizohet me sukses, goditet grup kriminal që trafikonte armë nga Kosova në Tiranë

1 February 2026 at 09:58


Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas Policisë, operacioni ka goditur një grup kriminal që dyshohet se trafikonte dhe shiste armë zjarri në Tiranë, të trafikuara kryesisht nga Kosova.

Në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga katër shtetas: G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë,” thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të ambienteve të përshtatura si baza për aktivitet kriminal, Policia ka sekuestruar: 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 celularë.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor ‘Lockdown’,” thuhet në njoftim.

Policia njofton se punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/


Arrestohen dy të dyshuar për grabitje në Pejë

1 February 2026 at 09:51


Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve për dy raste grabitjeje, të ndodhura më 21.12.2025 dhe 28.01.2026 në rrugët Bekim Berisha dhe Eliot Engel në Pejë, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë.

Pas intervistimit, dhe me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve kanë vazhduar deri në arrestimin e tyre. /Telegrafi/

Një grua vdes gjatë trajtimit në QKUK, polica po heton rastin si shtytje në vetëvrasje

1 February 2026 at 09:07


Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) është njoftuar se një viktimë femër kosovare, e cila po trajtohej në institucion, ka pësuar përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe ka ndërruar jetë.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë, me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të përfunduar hetimet lidhur me rastin.

Rasti është regjistruar si shtytje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje, ndërsa hetimet janë në zhvillim./Telegrafi/

Gjendet pa shenja jete një burrë brenda një objekti në Podujevë

1 February 2026 at 09:03


Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda një objekti në Gerdoc, Podujevë, është gjet trup i pa jetë i një mashkulli kosovar.

Sipas raportit të Policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor i emergjencës së Podujevës që mbërriti në vendin e ngjarjes.

Njësitë policore përkatëse kanë dal në vendngjarje duke hetuar rrethanat e ngjarjes.

Me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkakut të vdekjes janë duke u zhvilluar. /Telegrafi/

Një i arrestuar - policia jep detaje për incidentin me armë dhe veturë në Kodrën e Trimave

1 February 2026 at 08:56


Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare përmes raportit 24-orësh lidhur me incidentin e ndodhur pasditen e së shtunës në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku paraprakisht është raportuar për të shtëna me armë zjarri dhe më pas një veturë ka goditur disa persona.

Sipas policisë, rasti u regjistrua rreth orës 15:30 në rrugën “Fahri Fazliu”, kur u raportua se dy grupe të dyshuara u përfshinë në një përleshje me armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes, njësitë policore gjetën dhe sekuestruan dy gëzhoja, një fishek dhe një predhë, ndërsa një person është arrestuar.

Pas shkëmbimit të zjarrit, një nga të dyshuarit goditi me veturë një të dyshuar tjetër, si dhe dy dëshmitarë meshkuj kosovarë që ndodheshin në zonë.

Si pasojë, tre persona u dërguan për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas Policisë, i dyshuari është hospitalizuar, ndërsa dëshmitarët, pasi morën trajtimin, janë liruar nga spitali.

Pas intervistimit, i arrestuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij incidenti dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë.

Ngjarja lidhet me raportimet paraprake për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave”, ku tre persona rezultuan të lënduar, por sipas policisë lëndimet nuk ishin nga plumbat, por si pasojë e goditjes me veturë gjatë përleshjes. /Telegrafi/

Gazetari gjerman ofendon rëndë Osmanin, i reagon këshilltari i Presidentes dhe analisti Mujanoviq: Gjuha juaj është e turpshme

1 February 2026 at 08:42


Rinor Nuhiu, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani dhe analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të gazetarit gjerman të Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, lidhur me presidenten Osmani.

Martens fillimisht shkroi se ekziston një vijë ndarëse mes përfaqësimit të interesave shtetërore dhe asaj që ai e quajti “vetë-poshtërim intelektual”, duke e akuzuar Presidenten Osmani për sjellje “skandaloze” dhe duke pretenduar se ajo po vepron për interesa personale politike.

Në një tjetër koment, ai pretendoi se po citonte një gazetar kosovar, i cili sipas tij kishte shkruar se Osmani po vepron në mënyrë të papranueshme dhe po tenton të ushtrojë presion ndaj Kuvendit.

Këto deklarata u kundërshtuan ashpër nga Rinor Nuhiu, i cili mohoi pretendimet e Martens dhe e cilësoi gjuhën e përdorur prej tij si fyese dhe denigruese.


Calling a head of state who is looking after the national interests of her country a “self-degrading prostitute” is vile and disgusting.

This says everything about you and the rot in your vulgar thinking.

This is sick. You must be ashamed of yourself. https://t.co/ZEYBgHoAzC
— Rinor Nuhiu (@RinorNuhiu) January 31, 2026


Nuhiu theksoi se pajtimi me gjuhë që e etiketon një kryetare shteti me terma ofendues tregon, sipas tij, mungesë serioze të busullës morale dhe profesionale.

“Të quash një kryetare shteti që kujdeset për interesat kombëtare të vendit të saj një “prostitutë vetë-degraduese” është e turpshme dhe e neveritshme. Kjo tregon gjithçka për ty dhe për mendësinë tuaj të kalbur dhe vulgare. Kjo është e sëmurë. Duhet të kesh turp nga vetja” shkroi Nuhiu.

Përplasja mes tyre vazhdoi edhe më tej, pasi Martens iu përgjigj Nuhiut me tone ironike, duke e ftuar atë që, sipas tij, të diskutojnë “sjelljen e turpshme dhe antievropiane” të presidentes Osmani në një takim publik në Berlin.

Këtij komenti i reagoi sërish Nuhiu, i cili theksoi se presidentja Osmani është një nga lideret më qartësisht pro-evropiane në rajon, duke nënvizuar se nën udhëheqjen e saj Kosova është rreshtuar plotësisht me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq ka kërkuar një reagim publik nga gazeta gjermane dhe që të distancohet nga deklaratat e gazetarit të saj,duke vlerësuar se përdorimi i një gjuhe të tillë ndaj Presidentes së Kosovës është i papranueshëm dhe cenon standardet bazë të debatit publik dhe gazetarisë profesionale.

“Mund të kesh çfarëdo mendimi për politikën e Osmanit. Por që gazetari gjerman shpesh i quajtur si kryegazetari gjerman për Ballkanin Perëndimor të thotë se ajo po angazhohet në 'prostitucion intelektual vetëdegradues' është tepër i papërshtatshëm. Kjo kërkon një reagim publik dhe distancim nga FAZ”, ka shkruar Mujanoviq.


You can take whatever view you want of Osmani's politics. But for the man often styled as the leading German journalist of the Western Balkans to claim she is engaging in "self-degrading intellectual prostitution" is wildly inappropriate. This demands a retraction @faznet. pic.twitter.com/Y9G8LWJLEY
— Jasmin Mujanović (@JasminMuj) January 31, 2026


Debati ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka hapur diskutime më të gjera mbi kufijtë e kritikës mediatike dhe etikën e komunikimit publik ndaj përfaqësuesve institucionalë. /Telegrafi/

Kushte atmosferike të paqëndrueshme, parashikimi i motit për këtë të diel

1 February 2026 at 08:10


Për ditën e diel vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura si dhe alternime të herëpashershme kthjellimesh.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët që në orët e para 24-orëshit deri në mëngjes, fillimisht në jug të vendit e gradualisht do të shtrihen edhe në pjesën tjetër të territorit.

Lokalisht reshje shiu hera-herës në formën e shtrëngatave afatshkurtra, në orët e mesditës dhe pasdite reshjet me intensitet të ulët lokalizohen në veri e pjesërisht në relievet malore në juglindje. Në orët e mbrëmjes reshjet e shiut ndërpriten në të gjithë vendin.

Në lartësinë mbi 900-1000 metra në verilindje-juglindje reshje bore me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar kryesisht në juglindje.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga verilindje – lindje me shpejtësi mesatare 8 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 17m/s.

Valëzimi ne dete do të jetë i forcës 2-3 ballë./TCH/

Vranësira dhe reshje të dobëta shiu gjatë së dielës

1 February 2026 at 08:05


E diela do të karakterizohet nga mot kryesisht i vranët, i shoqëruar herë pas here me riga shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 1 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 1 deri në 3 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes, me shpejtësi prej 1 deri në 7 metra në sekondë. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Osmani: Marrëveshja e Bordit të Paqes shkon në Kuvend për ratifikim, kontributet financiare janë vullnetare

29 January 2026 at 21:09


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar në Davos për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes” do të procedohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas konstituimit të tij, duke theksuar se asnjë obligim nuk do të merret pa miratimin e Kuvendit dhe se nuk është kërkuar asnjë kontribut financiar i detyrueshëm nga Kosova.

Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullau, Osmani tha se rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i padiskutueshëm.

Presidentja theksoi se Kosova nuk ka asnjë hezitim politik ndaj kësaj nisme, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-ve në lirinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

Presidentja deklaroi se procedura për ratifikimin e marrëveshjes do të nisë sapo Kuvendi të konstituohet dhe se synohet një unifikim i plotë politik rreth kësaj iniciative.

“Natyrisht, unë kam vendosur që në momentin që konstituohet Kuvendi, sepse fatkeqësisht akoma s'e kemi, por me shpresën që sa më parë do ta kemi si institucion funksional menjëherë do ta procedojë këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend, se besoj që duhet të ketë legjitimitet sa më të plotë dhe një lloj unifikim që as nuk dyshoj se do ta kemi total të skenës politike në Republikën e Kosovës rreth kësaj iniciative”, deklaroi Osmani shkruan Telegrafi.

Ajo paralajmëroi krijimin e një platforme nacionale gjithëpërfshirëse për të përcaktuar kontributin e Kosovës në këtë organizatë.

“Planifikoj që menjëherë pas ratifikimit ta krijojmë një platformë nacionale ku secili do të bashkohet rreth saj për të determinuar çdo lloj kontributi që Kosova mund ta japë… planifikojmë që t'i ftojmë shoqërinë civile, pastaj edhe mediat edhe shumë organizata të tjera të cilat kanë ndërtuar një përvojë më shumë se njëzet e gjashtë vjeçare në ndërtim të paqes”, u shpreh presidentja në “Përballje Podcast”.

Osmani theksoi se Kosova ka përvojë unike për të kontribuuar në proceset e paqes dhe ndërtimit të institucioneve pas konfliktit.

“Kosova vërtet ka si të kontribuojë me përvojën e saj, me kontributin e saj, me rreshtimin e saj politik me energjinë e saj do të thoja që rrallëherë mund ta gjeni te shumë shtete të tjera”, u shpreh ajo.


Sa i përket obligimeve financiare, Presidentja Osmani tha se nuk ka kërkesë për kontribute të detyrueshme.

“Po e përsëris, nuk është kërkuar kontribut financiar nga Republika e Kosovës. Karta e Bordit të Paqes potencon që kontributet financiare janë vullnetare, pra varet vullnetarisht nga shtetet se a dëshirojnë të kontribuojnë dhe sa dëshirojnë të kontribuojnë”, tha Osmani.

Osmani shtoi se Kosova tashmë ka dhënë kontribut humanitar për Gazën dhe se mundësitë për ndihmë nuk kufizohen vetëm në aspektin financiar.

“Republika e Kosovës nëpërmjet donacionit të Qeverisë së Republikës ka ndarë mbështetje humanitare për popullatën në Gaza, por ka edhe shumë mundësi të tjera, nëpërmjet ekspertizës që e kemi ndërtuar, që ne të ndihmojmë”, deklaroi presidentja.

- YouTube www.youtube.com

Në fund, Osmani tha se anëtarësimi në këtë organizatë i jep Kosovës zë të barabartë në diskutimet për çështje globale dhe gjeopolitike.

“Në një organizatë ndërkombëtare, ku do të flitet për shumë konflikte globale, ku do të flitet për shumë tema të rëndësishme gjeopolitike, Kosova do ta ketë zërin e saj të barabartë dhe kjo ka shumë rëndësi”, tha ajo.

Ajo e quajti këtë përzgjedhje si një mundësi historike për Kosovën që duhet shfrytëzuar me mençuri.

“Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë bërë Kosovës këtë nder të jashtëzakonshëm… atëherë kjo është një mundësi që ne duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mençur të mundshme për interesat tona, për interes të paqes, por edhe duke dhënë kontribut për aq sa kemi kapacitet dhe kemi mundësi”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/

Mustafa reagon për zhvillimet në LDK: Çështjet zgjidhen në organet vendimmarrëse, jo përmes tifozllëkut

29 January 2026 at 14:45


Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke thënë se nuk ka dashur të involvohet në debatet publike rreth rezultatit zgjedhor, dorëheqjeve apo emrave konkretë për udhëheqjen e LDK-së.

Në një reagim publik, Mustafa tha se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda strukturave vendimmarrëse të partisë.

“Jam munduar të mos involvohem me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike, nuk është çështje e testimit dhe liçencimit. Se kjo zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së; jo në deklarimet e ndonjë dege, të ndonjë simpatizanti, josimpatizanti apo të ndonjë debutueseje boshe se kush duhet të shkojë e kush jo nga LDK”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka kritikuar qasjet që sipas tij e deformojnë demokracinë e brendshme të partisë dhe rrezikojnë përçarjen.

“Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka theksuar se LDK ka potencial për t’u ringritur dhe se partia nuk duhet të reduktohet në emra të veçantë.

“LDK nuk meriton epitafe. Ata që e duan duhet ta duan me besim të plotë se LDK ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Ai ka shtuar se përjashtim nga identifikimi me individë bën vetëm themeluesi historik i LDK-së.

“Duhet ta kuptojnë se LDK qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë”, ka shkruar Mustafa.

Duke folur për rolin e Kuvendit të LDK-së, Mustafa ka theksuar se ai duhet të riafirmojë orientimin ideologjik dhe politik të partisë.

“Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do duhej të sigurojë se LDK nuk është parti as e vjetër as e re por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konzervatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik”.

Ai ka nënvizuar se LDK nuk duhet të shndërrohet në një mjet për interesa të tjera politike. Në fund, Mustafa ka bërë thirrje për unitet dhe reforma gjithëpërfshirëse brenda partisë.

“LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues”, tha Mustafa, duke shtuar se Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt. /Telegrafi/

PDK kërkon hetim për pamjet e publikuara nga Kurti për fabrikën për prodhimin e dronëve

29 January 2026 at 14:35


Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar hetim institucional nga Prokuroria e Shtetit lidhur me siç tha ajo, pamjet e rreme të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për një fabrikë të prodhimit të dronëve në Gjilan, gjatë fushatës zgjedhore.

Në një konferencë, Kabashi-Ramaj theksoi se bëhet fjalë për një çështje serioze institucionale dhe të sigurisë kombëtare, duke kërkuar transparencë të plotë për pretendimet e ngritura rreth prodhimit të dronëve dhe fabrikës së municionit.

Sipas saj, Kurti kishte promovuar publikisht, përfshirë edhe përmes një vizite, atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarakë, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po zhvillohen kapacitete të avancuara teknologjike për siguri.

“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar, protokolle të sigurisë, licenca ligjore dhe mbikëqyrje shtetërore. Asnjë nga këto nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo montazh vizual,” tha Kabashi-Ramaj.

Ajo shtoi se paraqitja e kapaciteteve të pakonfirmuara si arritje shtetërore përbën problem serioz institucional dhe rrezik për sigurinë kombëtare, duke kërkuar që Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë të hetojnë deklarimet e rreme dhe keqpërdorimin institucional.

“Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, kërkoi më tej Kabashi-Ramaj.

Deputetja e PDK-së kritikoi gjithashtu edhe deklaratat e mëhershme të Kurtit lidhur me fabrikën e municionit, duke thënë se qytetarët nuk kanë parë ende plane konkrete, partneritete industriale të certifikuara, standarde sigurie apo afate të besueshme.

Kabashi-Ramaj theksoi se siguria kombëtare e Kosovës nuk duhet të përdoret për qëllime promovuese apo politike, duke shtuar se ajo nuk është pronë e asnjë qeverie apo kryeministri.

Në fund, ajo nënvizoi se shtyllat e sigurisë së Kosovës duhet të mbeten ndërtimi gradual i kapaciteteve reale të mbrojtjes, forcimi profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në NATO dhe koordinimi me vendet aleate për mbrojtjen ajrore, kundër-dronëve, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

“Kapacitetet reale të mbrojtjes përfshijnë forcimin profesional të FSK-së, planin 10 vjeçar për transformim duhet ta përfundojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër – dronëve në koordinim me aleatët tanë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si dhe qëndrueshmërinë shtetërore ndaj krizave”, shtoi ajo. /Telegrafi/

Kosova mes 20 shteteve themeluese, Osmani: Mesazh i fuqishëm për botën, shtetësia jonë është storie e përfunduar

29 January 2026 at 13:05


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përzgjedhja e Kosovës si shtet bashkëthemelues në “Bordin e Paqes”, një organizatë kjo e rëndësishme ndërkombëtare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar jashtëzakonisht pozitivisht nga liderë të shumtë botërorë dhe ka dhënë një mesazh të fuqishëm për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullau, Osmani tha se jo vetëm liderët që ishin të pranishëm në ceremoni, por edhe shumë të tjerë nga vende të ndryshme të botës, e kanë kontaktuar më vonë për ta vlerësuar këtë zhvillim.

“Në radhë të parë kjo është vlerësuar nga të gjithë liderët që atë ditë ishin aty, por edhe shumë liderë të tjerë që nuk ishin aty që kanë kontaktuar me mua më vonë, liderë të shteteve nga Evropa e deri në Azia e Amerika Latine është krijuar përshtypja që Republika e Kosovës është vërtet partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Republika e Kosovës është zgjedhur nga Presidenti Trump si një nga shtetet që i beson për të qenë anëtare themeluese e një organizate që ka aq shumë rëndësi për të dhe do të thoja këtu dhe për gjithë botën dhe për paqen në botë”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se gjatë diskutimeve me presidentë të ndryshëm, përfshirë edhe nga shtete që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ky veprim i SHBA-ve është parë si sinjal i rëndësishëm për vendimet e ardhshme.

“Unë kam pasur diskutime me shumë nga presidentët që ishin prezentë atë ditë, sepse neve na ra të qëndrojmë bashkë para se të fillojë ceremonia, dhe në shumë prej këtyre diskutimeve edhe ata disa nga shtetet jonjohëse e kanë potencuar që për ta ky veprim i Amerikës ka domethënie të jashtëzakonshme edhe për vendimet e tyre që do të merren në të ardhmen në raport me Kosovën, pra ma kanë thënë këtë dhe kjo ka shumë-shumë rëndësi për ne”, tha tutje Osmani.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Osmanit, fakti që Kosova është anëtare bashkëthemeluese e kësaj organizate ka peshë më të madhe se anëtarësimi në shumë organizata të tjera ndërkombëtare.

“Fakti që jemi anëtare bashkëthemelues me këto shtete, fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovë, prandaj, edhe ne e kemi vlerësuar që anëtarësimi në këtë organizatë është edhe më e fuqishme jo vetëm për nga simbolika dhe rreshtimi politik, por edhe nga aspekti i fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar që na ka mundësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e them pa asnjë ekuivokë që kjo është më e rëndësishme se shumë nga organizatat e tjera”, u shpreh presidentja Osmani.

Presidentja mohoi se ky rreshtim ka shkaktuar ndonjë problem në raport me Bashkimin Evropian, duke theksuar se ka pasur mirëkuptim të plotë nga partnerët evropianë.

“Nuk ka pasur asnjë vërejtje të vetme që është shprehur në raport me Kosovën, përkundrazi, mirëkuptim të plotë është shprehur mirëkuptimi i plotë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Është parë dhe është vlerësuar nga shumë nga partnerët tanë evropianë si një mundësi që Kosovës t'i fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar dhe relacionet edhe me shtete jonjohëse, po ashtu ka pasur vlerësime për faktin që Kosova është përzgjedhur që të jetë shtet themelues i kësaj organizate dhe jo vetëm një shtet që do anëtarësohet më vonë që ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Përballje Podcast Foto: Ridvan Slivova

Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë simbolike dhe politike të përzgjedhjes së Kosovës si një nga 20 shtetet themeluese, krahas vendeve me popullsi dhe ekonomi shumë të mëdha.

“Ju i keni parë shumë nga shtetet që ishin aty janë shtete jashtëzakonisht të mëdha, shtete me treqind milionë banorë, shtete me dyqind milionë banorë, shtete me ekonomi të jashtëzakonshme disa prej tyre dhe Kosova të përzgjedhjet ndër njëzet shtete themeluese, kjo tregon vlerësim të jashtëzakonshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi presidentja në “Përballje Podcast”.

Në fund, Presidentja Osmani tha se ky zhvillim ka dërguar një mesazh të fuqishëm në mbarë botën për shtetësinë e Kosovës dhe se rreshtimi me SHBA-të mbetet rruga e duhur dhe se kjo nuk ka rezultuar asnjëherë keq për Kosovën.

“Republika e Kosovës, si shtet sovran i pavarur në mesin e kombeve të lira është storie e përfunduar, nuk ka kthim mbrapa. Dhe i siguroi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës edhe një herë që rreshtimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm të mira do i sjell Republikës sonë”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/

Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë: Orari i syfyrit dhe iftarit

29 January 2026 at 12:58


Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë është publikuar zyrtarisht nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe vlen për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas vaktisë, muaji i shenjtë i Ramazanit nis të enjten, më 19 shkurt 2026, kur besimtarët myslimanë fillojnë agjërimin.

Në ditën e parë të Ramazanit, syfyri përfundon në orën 04:49, ndërsa iftari është në orën 17:21. Agjërimi i ditës së parë zgjat 12 orë e 32 minuta, ndërsa drejt fundit të muajit, kohëzgjatja e agjërimit rritet deri në 13 orë e 51 minuta.

Muaji i Ramazanit përfundon me Fitër Bajramin, i cili festohet të premten, më 20 mars 2026, ndërsa namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18.

Vaktia e Ramazanit përfshin oraret e sakta të syfyrit, iftarit dhe namazeve dhe shërben si udhërrëfyes ditor për besimtarët në Kosovë gjatë gjithë muajit të agjërimit. /Telegrafi/

Vaktia e Ramazanit 2026 Vaktia e Ramazanit 2026 në Kosovë: Orari i syfyrit dhe iftarit Vaktia e Ramazanit 2026

Manipulimi i votave, Prokuroria e Prizrenit vazhdon hetimet lidhur me grupin e dytë të dyshuarve

29 January 2026 at 11:25


Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se po vazhdon me hetimet rreth manipulimit të votave në këtë komunë.

Sipas njoftimit për media thuhet se pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.

“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Prokuroria thekson se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore. /Telegrafi/

AUV nis asgjësimin e produktit APTAMIL AR 2,  largohen nga tregu 212 pako

29 January 2026 at 09:52


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se do të asgjësojë produktin ushqimor APTAMIL AR 2 – 400 gram, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pas njoftimit të pranuar nga Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).

Sipas AUV-së, situata është nën kontroll të plotë dhe institucionet përkatëse janë duke vepruar me përgjegjësi maksimale, ndërsa veprimet janë ndërmarrë menjëherë pas pranimit të informacionit nga RASFF.

“Nga momenti i njoftimit e deri më sot, nga tregu janë tërhequr 212 pako të produktit APTAMIL AR 2 – 400 g, me datë skadimi 02.01.2027, të cilat, sipas AUV-së, “do të asgjësohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me gjurmueshmërinë e shpërndarjes së produktit APTAMIL AR 2 dhe me tërheqjen e tij nga tregu, deri në eliminimin e plotë të produktit nga qarkullimi.

Në komunikatë theksohet se, pavarësisht mungesës së theksuar të inspektorëve, AUV garanton se “mekanizmat e sigurisë ushqimore janë funksionalë dhe se shëndeti i konsumatorëve mbetet prioritet absolut i Agjencisë”.

Në fund, AUV riafirmon përkushtimin e saj në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim ruajtjen e besimit të qytetarëve, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë. /Telegrafi/

Ekstradohet nga Italia në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar për falsifikim të dokumenteve

29 January 2026 at 09:03


Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin nga Italia në Kosovë të një shtetasi kosovar të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra penale.

Sipas njoftimit zyrtar, me datën 28.01.2026 është bërë ekstradimi i shtetasit kosovar F. V., nga Italia për në Kosovë, në koordinim të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

"I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprat penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme'", thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se ai i ishte shmangur drejtësisë.

Policia e Kosovës thekson se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre italiane.

Pas mbërritjes në Kosovë, “i dyshuari pas ekstradimit iu është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë, për procedurat tjera ligjore”.

Në fund, Policia e Kosovës nënvizon se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale përfshirë gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/

Një person gjendet i pajetë brenda një veture në Veternik, policia nis hetimet

28 January 2026 at 16:40


Një person është gjetur i pajetë sot pasdite në një automjet në lagjen Veternik të kryeqytetit.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana.

“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në një automjet në Veternik. Vdekjen e viktimës, mashkull, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Pllana.

Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur hetimet mbi vdekjen dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ekzaminimet që do të ndihmojnë sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Në disa media po raportohet se dyshohet për vetëvrasje, por Policia nuk ka dhënë ende një konfirmim zyrtar për shkakun e vdekjes.

“Hetimet janë në zhvillim e sipër, dhe çdo detaj do të sqarohet pas përfundimit të veprimeve hetimore”, shtoi Pllana. /Telegrafi/

❌
❌