Arsenali është gati t’i ‘rrëmbejë’ Liverpoolit nga dora transferimin e yllit anglez
Arsenali vazhdon të mbajë interes prej kohësh për një lojtar që ndodhet gjithashtu në radarët e Liverpoolit, teksa një transferim befasues për yllin në fjalë është diskutuar seriozisht.
“Topçinjtë” investuan fuqishëm gjatë verës, duke afruar emra të mëdhenj si Viktor Gyokeres, Eberechi Eze dhe Martin Zubimendi, ndër të tjerë. Në total, Arsenali shpenzoi rreth 250 milionë euro, përfshirë 55 milionët e paguara për Gyokeres.
Edhe pse afati kalimtar dimëror është i hapur, klubi nga Londra Veriore tashmë ka nisur planifikimet për afatin kalimtar të verës.
Këtë e ka bërë të ditur gazetari i njohur David Ornstein, i cili publikoi informacione të reja rreth transferimeve.
Sipas Ornstein, Arsenali ruan interes të kahmotshëm për Marc Guehi dhe e sheh atë si një opsion serioz për repartin defensiv në afatin kalimtar të verës.
Edhe pse skuadra e Mikel Artetës ka tashmë në përbërje qendërmbrojtës të nivelit të lartë si William Saliba dhe Gabriel, si dhe afrimin e verës Piero Hincapie, drejtuesit janë të vendosur ta forcojnë edhe më tej mbrojtjen.
Në garë për Guehin është edhe Liverpooli, i cili, ashtu si Arsenali, po synon një transferim gjatë verës, duke marrë parasysh faktin se kontrata e mbrojtësit me Crystal Palace përfundon më 30 qershor.
25-vjeçari ishte shumë pranë kalimit te Liverpooli në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, por marrëveshja u anulua në momentet e fundit nga Palace.
Sipas raportimeve, kushtet personale ishin dakorduar dhe Guehi kishte kryer një pjesë të testeve mjekësore përpara një transferimi prej 35 milionë eurosh.
Liverpooli mund të humbasë Ibrahima Konaten në fund të sezonit, andaj transferimi i Guehit shihet si një zëvendësim i gatshëm, veçanërisht për faktin se ai e njeh shumë mirë Ligën Premier.
Guehi ka zhvilluar 152 ndeshje kampionale me Crystal Palace që nga transferimi i tij prej 18 milionë eurosh nga Chelsea në verën e vitit 2021./Telegrafi/
