Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

“Keqpërdorimi i projektit ‘SKENA’ nga Ministria e Kulturës", regjisori Tertini: Shkelje e rëndë e së drejtës së autorit

4 February 2026 at 16:22


Regjisori dhe producenti Valmir Tertini ka reaguar publikisht duke akuzuar për keqpërdorim të emrit dhe konceptit të projektit “SKENA”, duke ngritur shqetësime serioze për cenim të autorësisë dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale.

Tertini deklaroi se së fundmi ka vërejtur postime publike nga Kino ARMATA, të ndërlidhura me trajnime në fushën e kinematografisë, ku përdoret emri “SKENA” dhe një përmbajtje konceptuale që, sipas tij, përkon ndjeshëm me projektin origjinal.

Ai sqaroi se “SKENA” është një projekt i krijuar që nga viti 2017, i zhvilluar fizikisht dhe online, i zbatuar në Kosovë, Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dokumentuar, i regjistruar dhe i mbrojtur ligjërisht. Sipas tij, projekti është financuar tri herë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), përveç mbështetjes nga institucione publike në Shqipëri.

Në këtë kontekst, Tertini ka ngritur pyetje publike se si është e mundur që një projekt i financuar disa herë nga i njëjti institucion publik, me emër dhe identitet të qartë, të miratohet më pas me të njëjtin emër dhe koncept edhe për një subjekt tjetër.

Projekti "Skena" i regjistorit Valmir Tertini

Ai theksoi se përdorimi i të njëjtit emër dhe i një koncepti thelbësisht të ngjashëm krijon konfuzion publik, cenon pronësinë intelektuale dhe përbën shkelje të parimeve bazë të financimit publik, përfshirë transparencën dhe ndalimin e dyfishimit.

Tertini bëri të ditur se ka dërguar email zyrtar si në MKRS ashtu edhe në Kino ARMATA, me qëllim zgjidhjen institucionale të çështjes, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ai kërkoi publikisht nga Ministria e Kulturës që të distancohet nga përdorimi i emrit dhe konceptit “SKENA” nga subjekte të tjera dhe paralajmëroi ndjekje ligjore në mungesë të reagimit.

Bajqinovci: Vepra e autorit nuk guxon të përvetësohet

Ekspertja e të Drejtave të Autorit, Luljeta Bajqinovci, ka deklaruar për Telegrafin se e drejta e autorit është një nga të drejtat universale të njeriut dhe se mbrojtja e saj është çështje ligjore, por edhe tregues i nivelit të civilizimit dhe zhvillimit shoqëror.

Ajo theksoi se, pa hyrë në detaje të rastit konkret, një ndër ndalesat kryesore juridike është fakti se vepra e autorit nuk guxon të përdoret, shfrytëzohet, tjetërsohet apo përvetësohet pa lejen e autorit, përveç rasteve të përcaktuara qartë me ligj.

“Sipas informatave paraprake, rezulton se projekti ‘SKENA’ është shfrytëzuar pothuajse në tërësi, si në emër ashtu edhe në përmbajtjen konceptuale, edhe pse i njëjti, me regjisor Valmir Tertini, ka qenë i krijuar, i konkuruar dhe i mbështetur nga MKRS për tre vite radhazi”, ka deklaruar Bajqinovci.

Ajo ka rikujtuar se e drejta e autorit mbrohet gjatë gjithë jetës së autorit dhe 70 vjet pas vdekjes së tij, duke e cilësuar atë si një nga të drejtat më të sigurta dhe më të mbrojtura me ligj.

Projekti "Skena" i regjistorit Valmir Tertini

“Nëse kjo vepër është shfrytëzuar duke u përvetësuar vepra e tjetrit, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë ligjore, e cila tërheq sanksione juridike”, theksoi ajo.

Bajqinovci kritikoi edhe rolin e Ministrisë së Kulturës, duke vlerësuar se veprimi i MKRS-së është veçanërisht i rëndë, pasi si institucion me rëndësi të veçantë shoqërore, ka lejuar mbështetjen e një projekti tjetër me njëjtesi apo ngjashmëri të skajshme me projektin “SKENA”, pavarësisht ekzistencës së mekanizmave institucionalë për përzgjedhjen e projekteve dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit.

Sipas saj, i gjithë procesi duhet të tërhiqet, përndryshe rasti, pa dyshim, do të përfundojë në procedurë gjyqësore të iniciuar nga autori./Telegrafi.

Ish-shefi i SHIK-ut të Shqipërisë: Kosova di me mençuri të përballojë çdo agresion serb

3 February 2026 at 23:58


Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë në fillim të viteve ’90, Irakli Koçollari, ka deklaruar se Serbia vazhdon të mbajë qëndrime aktive dhe të rrezikshme ndaj Kosovës, duke theksuar se mentaliteti i “shtetit të madh” mbetet i rrënjosur në politikën dhe qasjen e saj.

Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Koçollari tha se veprimet e Beogradit zyrtar dëshmojnë se Serbia ende ushqen ambicie hegjemoniste ndaj Kosovës, duke përmendur si shembull sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës.

“Në këtë kuptim ata janë aktiv dhe këtë duhet ta kuptojmë mirë. Janë mësuar me idetë e shtetit të madh dhe me oreksin për dominim. Vranë policin tonë dhe ende nuk e dorëzojnë kriminelin, edhe pse dihet se gjithçka është e filmuar”, ka deklaruar Koçollari.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme dhe të vendosura në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së vendit, duke theksuar rëndësinë e gatishmërisë shtetërore përballë çdo tentative agresioni.

“Duhet të jemi të bindur dhe të përgatitur për të mbrojtur vendin tonë, Kosovën. Ka bij të devotshëm dhe të denjë, patriotë si rrallë kush, që dinë të përballen me mençuri, profesionalizëm dhe devocion me çdo lloj tentative të agresivitetit serb”, u shpreh ai.

Abdixhiku: Le të flasim më pak e të punojmë më shumë, ky është fillimi ynë i ri

3 February 2026 at 23:29


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për bashkim dhe angazhim më të madh politik, duke theksuar nevojën për më pak fjalë dhe më shumë punë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe strukturave partiake, Abdixhiku u shpreh se ka ardhur koha për një fillim të ri dhe për rreshtim pas zërit qytetar, i cili, sipas tij, pret shumë nga LDK-ja.

“Le të ecim bashkë tani. Ky është fillimi ynë i ri. Ka kohë kur më e rëndësishme se fjalët që thuhen, janë fjalët që ruhen. Sot është pikërisht ajo kohë. Le të flasim më pak, le të punojmë më shumë. Le të rreshtohemi pas zërit qytetar që nga ne pret shumë,” ka deklaruar Abdixhiku.

Ai shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e hapur për qytetarët dhe për angazhimin e përbashkët drejt forcimit të alternativës politike që përfaqëson.

“Lidhja ju pret dhe ju thërret,” përfundoi kreu i LDK-së.

Mesazhi i Abdixhikut vjen në një kohë kur LDK-ja po synon konsolidimin e brendshëm dhe rifitimin e besimit qytetar në prag të zhvillimeve të ardhshme politike në vend./Telegrafi.

Raportimi për prishje koalicioni LVV-LDK në Mitrovicë, deklarohet Peci

3 February 2026 at 22:57


Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund ta rishqyrtojë bashkëpunimin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke hapur mundësinë e prishjes së koalicionit lokal.

E gjithë kjo pasi raportohet se raportet mes LVV-së e LDK-së janë përkeqësuar kohëve të fundit për shkak të emërimit të drejtorëve komunalë.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka pushtetin në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ka emëruar drejtorë pa u dakorduar me partnerin e koalicionit.

I kontaktuar nga Telegrafi lidhur me këto zhvillime, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka mohuar se ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar apo jozyrtar nga LDK për ndërprerjen e bashkëpunimit.

“Takime kam çdo ditë me qytetarë, partnerë e aktorë të ndryshëm. Sa i përket qëndrimeve dhe planeve të LDK-së, besoj se ata i ndajnë vetë për hir të transparencës. Nga LDK unë nuk kam asnjë njoftim, as formal e as joformal, për shkëputje të bashkëpunimit të dakorduar,” ka deklaruar Peci.

Ai ka theksuar se mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët politikë dhe se tashmë janë diskutuar proceset kryesore që lidhen me qeverisjen lokale.

“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë partnerët, siç kam qenë gjithmonë, për çdo çështje që është në të mirë të qytetarëve,” ka shtuar kryetari i Mitrovicës së Jugut./Telegrafi.

Yesterday — 3 February 2026Main stream

Dibrani: Të burgosurit nga Danimarka pritet të vendosen në Gjilan në prill të 2027-ës

3 February 2026 at 21:39


Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka deklaruar se institucionet korrektuese në vend ndodhen në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e Burgut të Gjilanit nga shteti danez.

Në Debat Plus, Dibrani bëri të ditur se tashmë ka përfunduar faza e parë e trajnimit të stafit korrektues, ndërsa një grup tjetër pritet të dërgohet për trajnim në Danimarkë, në përputhje me sistemin dhe rregullat e funksionimit të burgjeve daneze.

Ai ka theksuar se menaxhimi i burgut në Gjilan do të realizohet përmes një bashkëqeverisjeje ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.

Sipas tij, rreth 220 oficerë korrektues do të jenë nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të përbëhet nga personel danez.

“Jemi në fazën e fundit. Grupi i parë i trajnimit të stafit veç ka përfunduar. Pritet që grupi tjetër të filloj trajnim në Danimarkës, sipas sistemit dhe rendit shtëpiak danez atje. Dhe kështu prilli i viti 2027, do jetë muaji kur pritet të vendosen të burgosurit e parë. Atje do të jetë një bashkëqeverisje 220 oficerë korrektues do të jenë kosovar, pjesa tjerë e stafit do të jenë danez. Guvernatori do të jetë danez, drejtori do të jetë shqiptar”, ka thënë Dibrani.

PZAP hedh poshtë gjashtë ankesa

3 February 2026 at 21:23


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 03.02.2026, ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Serbe, kurse i ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.

PZAP ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpallje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatëve të saj.

Paneli përmes vendimit ka nxjerr përfundimin se ankesa e ListësSerbe është e bazuar, duke vlerësuar se vendimi i KQZ-së ishte і pajustifikuar dhe në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore, për faktin se “rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim”.

PZAP, ndërkaq ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Emilija Rexhepit dhe të subjektit politik Nova Demokratska Stranka, të Koalicionit PAI–PDAK–LPB dhe të Partisë Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), përderisa ankesat e kandidatit për deputet të PDK-së Bekim Haxhiu i ka shpallur të pasafatshme.

Haxhiu kishte kërkuar që KQZ të anulonte të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas datës 29 dhjetor 2025, ora 16:00, përfshirë ato të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026, duke pretenduar se pranimi dhe numërimi i tyre përbën shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas tij, ligji përcakton qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të kenë vulë postare para ditës së zgjedhjeve, ndërsa vendimi administrativ i KQZ-së ka lejuar, në praktikë, përfshirjen e votave pas këtij afati ligjor.

Në ankesë thuhej se gjithsej 23,232 pako me fletëvotime janë administruar dhe numëruar pas afatit ligjor, çka sipas Haxhiut ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor dhe në shpërndarjen e mandateve, duke theksuar se PDK nga 23 mandate ka rënë në 22, dhe se ai është kandidati që humb ulësen.

Nga ana tjetër, KQZ ka arsyetuar se për shkak të dështimit të kontraktimit të operatorit postar dhe festave të fundvitit, ishte e nevojshme të ndryshoheshin afatet operacionale për tërheqjen e pakove me fletëvotime, me qëllim garantimin e së drejtës së votës për qytetarët jashtë Kosovës.

Instanca e dytë pas PZAP-së është Gjykata Supreme e Kosovës. Palët kanë të drejtë ankese brenda afatit 48-orësh në Supreme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpallur më 01.02.2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, pas përfundimit të rinumërimit.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Komandanti i KFOR-it diskuton situatën e sigurisë me gjeneralin britanik Glendenning

3 February 2026 at 21:15


Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në takim komandantin e Brigadës së 3-të Sulmuese të Zbulimit të Thellë, gjeneralin David Glendenning, në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City”.

Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, gjatë takimit dy gjeneralët kanë shkëmbyer pikëpamje lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe zhvillimet në rajonin më të gjerë.

Gjeneralmajor Ulutaş ka shprehur vlerësimin e tij të sinqertë për kontributin e vazhdueshëm dhe të vlefshëm të Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të misionit të KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.

Në njoftim rikujtohet se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, thuhet se KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Ambasada Britanike reagon pas vendimit të PZAP për Listën Serbe

3 February 2026 at 20:54


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk kishte shpallur rezultatet përfundimtare për këtë subjekt politik në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Në vendimin e tij, PZAP thekson se nuk pajtohet me vendimin e KQZ-së dhe ka urdhëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj.

Në reagim lidhur me këtë vendim, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.

“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur,” thuhet në deklaratën e ambasadës.

Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.

“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve,” përfundon reagimi.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse./Telegrafi.

Në errësirë, Kosova humb rrugën drejt energjisë së ripërtëritshme

3 February 2026 at 20:10


Gjashtëqind mijë tonë. Kaq qymyr nxjerr përafërsisht Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) në muaj.

Por, kjo sasi e nxjerrë e e përpunuar dhe transformuar në energji elektrike, nuk ka mjaftuar në dimrat e fundit për t’i mbuluar nevojat e konsumatorëve në Kosovë.

Kjo, pasi që pothuajse gjithë barrën për furnizim me energji elektrike e mbajnë mbi supe dy termocentralet e vjetruara, Kosova A dhe Kosova B.

Burimi i energjisë elektrike në Kosovë

Sipas statistikave të fundit, nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm rreth 11 për qind e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë vjen nga burime të ripërtëritshme, si uji, era e dielli.

Një inxhinier i KEK-ut tregoi për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht se a nxirret më shumë qymyr nga miliarda tonët në dispozicion, dy termocentralet nuk kanë kapacitet të prodhojnë më shumë rrymë.

Rreth dy dekada më parë, Kosova planifikonte të ndërtonte një termocentral të ri, Kosovën e Re, për ta shtuar prodhimin. Por, pas tërheqjes së Bankës Botërore nga projekti në vitin 2018 dhe dështimit të marrëveshjes me Countour Global në vitin 2020, ky projekt nuk u realizua.

Për Faruk Foniqin, ekspert i Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe i Teledetektimit (Remote Sensing), Kosova duhet ta synojë tashmë rehabilitimin nga varësia prej thëngjillit.

Këtë kërkesë të tij ai e arsyeton me pasojat për shëndetin publik, ndotjen e ajrit përmes lirimit të grimcave të imëta dhe gazrave serrë, ndotjen e tokave bujqësore, ujërave nëntokësore etj.

Ky është një model i vjetruar i energjisë, që është shumë ndotës dhe i dëmshëm”, thotë Foniqi për REL-in.

Në linjë me këtë, në 2020-tën, Kosova u bë një nga vendet që nënshkruan Deklaratën për Agjendën e Gjelbër, duke u zotuar që deri në vitin 2050 të jetë plotësisht e dekarbonizuar - pra të prodhojë energji vetëm nga burimet e ripërtëritshme, si: era, dielli dhe uji.

Por, e tërhequr nga projekti për një termocentral të ri të thëngjillit e pa projekte për rritje domethënëse të kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme, Kosova, aktualisht, mbështetet në import për të mbuluar kërkesat.

Importi dhe eksporti i energjisë elektrike

Çdo vit, Kosova importon më shumë energji elektrike sesa që eksporton. Por, ky dallim ishte më i dukshëm gjatë vitit 2025, kur sasia e eksportit nuk e kaloi atë të importit në asnjë muaj.

Kjo gjë, sipas Dardan Abazit, nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), nuk është detyrimisht problematike.

“Ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm as për domate, as për patate, as për naftë. Nuk do të jemi as për energji”, thotë ai për REL-in.

Sipas Abazit, problemi qëndron te varësia nga një prodhues i vetëm i energjisë: KEK-u.

Ai thotë se Kosova duhet të ecë përtej idesë që shteti ta prodhojë, shpërndajë e faturojë energjinë vetë.

“Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) i ofron një avantazh të jashtëzakonshëm KEK-ut dhe asnjë furnizues tjetër nuk mund të hyjë realisht në treg”, thotë Abazi.

Kështu, ai propozon një lloj liberalizimi të tregut të energjisë dhe integrim në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, ku mund të arrihet një traktat për bashkëpunim me Shqipërinë.

Shqipëria, që prodhon energji vetëm nga burimet e ripërtëritshme, është kryesisht e varur nga hidrocentralet.

Nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, Kosova është më së shumti e varur nga qymyri.

Foniqi, gjeograf, tregon se Kosova ka potencialin kryesor për prodhim të energjisë diellore nëpër zonat ku tokat bujqësore janë të një cilësie më të ulët.

Ai sheh potencial edhe në prodhimin e energjisë përmes turbinave të erës, por thekson se zonat kryesore me kapacitet më të madh për prodhim janë ato ku shtrihen parqet kombëtare. Ai thotë se, megjithatë, kjo s'duhet ta pengojë zhvillimin e parqeve të erës.

Kosova ka realizuar vetëm një ankand përmes të cilit ka synuar realizimin e një parku solar me kapacitet prodhimi prej 100 megavatesh në orë, në Kramovik të Rahovecit, në jug të Kosovës. Projekti ende nuk është finalizuar.

Ndërkohë, janë finalizuar dy parqe të erës, në Kamenicë dhe në Bajgorë, ndërsa potencial është parë edhe në Çyçavicë, Zatriq, Budakovë dhe Kozhicë.

Por, kjo nuk është e mjaftueshme për të ecur drejt dekarbonizimit më 2050, sipas Abazit nga INDEP-i.

Ai kërkon që sa më shpejt të hartohet dhe miratohet në Kuvend Strategjia Dalëse nga Qymyri dhe të miratohet Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë.

Fillimisht, thekson ai, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë një plan të qartë për afatet kohore drejt këtij synimi.

“Nuk mund të mendojmë të shkojmë deri më 2050 me thëngjill dhe pastaj të zgjohemi një të hënë, në mëngjes, dhe të themi që nga sot s’do të përdorim thëngjill”, thotë Abazi.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje për këtë çështje te Ministria e Ekonomisë, në kuadër të së cilës funksionon Departamenti i Energjisë, por nuk ka marrë përgjigje.

Tash e një vit, Kosova funksionon me qeveri në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar i fitoi sërish LVV-ja, me përkrahje mbi 50 për qind.

Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike për familjet që janë konsideruar të cenueshme dhe për ata që kanë kursyer, mirëpo statistikat tregojnë se është një pjesë e vogël e konsumatorëve që shpenzojnë një pjesë të madhe të energjisë, pa e kursyer atë.

Kjo ministri publikoi vetë disa të dhëna që tregonin se, në janar të vitit 2025, rreth 30 për qind e gjithë energjisë së konsumuar në Kosovë shpenzohej nga 9 për qind e konsumatorëve.

Problem kyç vazhdon të mbetet ngrohja gjatë muajve të dimrit, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës varen nga ngrohja përmes energjisë elektrike.

Sipas Abazit, kjo do të thotë se investimet shtetërore duhet fillimisht të foksuohen në efiçiencë të energjisë dhe, pastaj, konsumatorët privatë të jenë edhe vetë të përfshirë në prodhim të energjisë.

Si mund të bëhet kjo? Për shembull, duke vendosur panele solare, që transformojnë rrezet e diellit në energji elektrike, në kulmet e shtëpive.

Hasim Gashi, nga kompania Muqa Solar Company, tregon se shumë konsumatorë që prodhojnë energjinë që shfrytëzojnë përmes paneleve solare në shtëpi, veçanërisht gjatë verës, paguajnë vetëm tarifën prej 3 eurosh për kyçje në rrjetin e energjisë.

Ndërsa, gjatë dimrit, ai thotë se për bizneset dhe individët me të cilët bashkëpunojnë, mbulueshmëria e konsumit përmes energjisë nga panelet solare sillet rreth 50 për qind.

Në vitet e fundit, kur çmimi i energjisë elektrike është rritur vazhdimisht, Ministria e Ekonomisë në Kosovë ka ofruar mbulimin e një pjese të kostos së instalimit të paneleve solare nëpër shtëpi.

“Ka pasur diçka, por janë vlera tepër të vogla dhe jostimuluese. Edhe ka pasur disa pengesa gjatë marrjes së lejeve dhe licencave. Është punuar domethënë, por jo mjaftueshëm”, thotë Gashi për REL-in, duke theksuar pengesat burokratike në proces.

Sipas të dhënave të Zyrës së Bashkimit Evropian për Statistika (Eurostat) nga tetori i vitit të kaluar, vetëm rreth 18 për qind e qytetarëve të Kosovës thonë se janë të mirinformuar me problemet që lidhen me ndryshimet klimatike.

Edhe pse kjo është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian (23 për qind), kosovarët shprehen më të gatshëm për fokusimin e energjisë në burime të ripërtëritshme.

Në mesin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë hyn edhe ajo e prodhuar nga hidrocentralet. Megjithatë, ky burim ka hasur në më shumë rezistencë nga banorët lokalë dhe ambientalistët.

Ankesat kryesore nxiten nga dëmet që u janë shkaktuar lumenjve dhe zonave përreth hidrocentraleve të ndërtuara. Rasti i hidrocentralit të ndërtuar në Deçan kishte shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese, për shkak të parregullsive në lejet e dhëna për operim.

Xhevat Ahmetaj, menaxher i përgjithshëm i hidrocentralit në Radac të Pejës, thotë se kapaciteti i Kosovës për të prodhuar energji nga hidrocentralet është i ulët.

Megjithatë, ai shton se qytetarët duhet ta kenë një gjë në mendje: që hidrocentralet duhet të lejohen të funksionojnë duke respektuar rregullat e operimit ashtu që të mbrohet mjedisi.

Sipas tij, prodhimi i rrymës përmes hidrocentraleve duhet të shihet thjesht si “disa lopata më pak thëngjill në termocentrale”.

“Në Kosovë shfrytëzohet kryesisht uji i të reshurave të shiut dhe kur shkrihet bora. Ne këta ujëra i shohim vetëm duke na vërshuar në qytete. Ai është uji që duhet të shfrytëzohet për prodhim të energjisë”, thotë Ahmetaj për REL-in.

Por, Foniqi, i cili ka analizuar të dhënat e reshjeve në Kosovë, thotë se shumica e lumenjve në vend nuk kanë rrjedhë konstante të mjaftueshme për prodhim të energjisë, për shkak se reshjet tani janë sporadike.

Për këtë arsye, ai thekson se fokusi duhet të jetë tek energjia solare dhe ajo e erës.

"Hidroenergjinë mund ta shohim si burim ndihmës, jo si zgjidhje kryesore për sistemin energjetik. Ajo ka përparësi sepse prodhon energji me emetime të ulëta dhe ndihmon në stabilizimin e rrjetit, por njëkohësisht Kosova është vend me burime ujore të ndjeshme dhe të paqëndrueshme", thotë Foniqi.

Ai shton se si hidrocentrale mund të funksionojnë, në kapacitet të ulët, vetëm disa prej atyre që kanë nivel më të madh të ujit, si ai i Radacit.

Për Abazin nga INDEP-i, e rëndësishme është që të ketë një strategji konkrete dhe investime adekuate, pasi që, siç thotë, “sektori i energjisë nuk mund të zhvillohet përmes arnimeve”.

“Jemi zhytur në varfëri energjetike dhe kjo vjen nga ngecja - qysh nga investimet në efiçiencë, që do ta ulnin kërkesën, deri tek investimet në prodhim, që do ta decentralizonin prodhimin”, përfundon Abazi./REL.

Dy ish-emisarë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi të përfshirë në 'skandale ndërkombëtare'

3 February 2026 at 19:56


Dy ish-emisarë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, janë përfshirë në dy skandale të ndara, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Federica Mogherini, ish- Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë (2014–2019), u arrestua në dhjetor të vitit 2025 gjatë një bastisjeje policore si pjesë e një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi, e cila lidhet me trajnimin e diplomatëve evropianë.

Mogherini, aktualisht drejtuese e kolegjit pasuniversitar “College of Europe”, u arrestua në Bruksel bashkë me zëvendësshefin e shkollës së trajnimit dhe Stefano Sanninon, ish-sekretar të përgjithshëm të Shërbimit Diplomatik të Bashkimit Evropian (EEAS) nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Bastisja përfshiu jo vetëm ambientet e kolegjit, por edhe zyrat e shërbimit diplomatik të EEAS-it, duke nxitur spekulime për përfshirjen e zyrtarëve të lartë evropianë në një skemë financiare të dyshuar që lidhej me fondet për trajnime diplomatike.

Gjatë mandatit të saj si Përfaqësuese e Lartë, Mogherini kishte ndërmjetësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, një proces ky i vlerësuar si kyç për stabilitetin rajonal dhe avancimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Emërimi i saj në këtë post e vendosi atë në qendër të politikës ndërkombëtare, ndërsa arrestimi i mëvonshëm hedh një hijë mbi reputacionin e figurave të larta të diplomacisë evropiane.

Ndërkaq, ish-emisari tjetër i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përfundoi mandatin e tij katërvjeçar si dërguar i posaçëm për dialogun në fund të gushtit të vitit 2025.

Pas përfundimit të detyrës, ai u emërua këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit të Sllovakisë, por u detyrua të japë dorëheqje pas publikimit të dokumenteve nga SHBA-të që zbardhnin shkëmbime mesazhesh të tij rreth vajzave dhe diplomacisë me Jeffrey Epstein, person i njohur për aktivitetet e tij kriminale dhe skandalet ndërkombëtare.

Lajçak ka pranuar publikisht se mesazhet tregojnë gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm, duke i përshkruar ato si “ego mashkullore budallaqe”.

Ai ka shtuar se nuk i konsideron ato si akt kriminal, por si mungesë të vlerësimit etik dhe profesional. Lajçak ka shpjeguar se në vitin 2017 mbërriti në Nju Jork për një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe u prezantua me Epstein nga një diplomat i huaj, duke theksuar se takimi ishte pjesë e krijimit të kontakteve diplomatike, një element i zakonshëm në karrierën e tij.

Lidhur me përfshirjen e Lajçakut në skandalin Epstein, Bashkimi Evropian ka reaguar duke theksuar se kjo nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ndërmjetësoi për pesë vjet.

Zyrtarët evropianë insistonin se lidhjet e Lajçakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.

“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare", tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.

Ndërsa hetimet për Mogherinin dhe bashkëpunëtorët e saj vazhdojnë në Belgjikë, dhe ndikimi i Lajçak në skandalin me Epstein është bërë objekt i kritikave ndërkombëtare, këto raste pasqyrojnë sfidat që lidhen me transparencën dhe përgjegjësinë e diplomacisë evropiane.

Pos Mogetinit e Lajçakut, edhe Ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës, është përfshirë së fundmi edhe në dokumentet e publikuara që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se mafia kishte marrë nën kontroll një pjesë të madhe të qeverisjes së Kosovës, duke thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”.

“Kur dihet se Afganistani prodhon 75 për qind të opiumit në botë dhe se pjesa më e madhe e tij kalon përmes Kosovës, ka arsye serioze për të dhënë alarmin”, kishte shtuar ai.

Në vitin 2010, Jagland kishte kërkuar një hetim më të thellë lidhur me akuzat se kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i përfshirë, ndër të tjera, edhe në trafikim të paligjshëm të organeve.

Duke u mbështetur në raportin e përgatitur nga Dick Marty, ai kishte deklaruar se këto akuza nuk mund të mbesnin pa përgjigje.

“I kam lexuar akuzat për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Raporti përmban shumë akuza serioze dhe kam frikë nga pasojat që mund të sjellë”, kishte thënë Jagland.

Ndërkohë, emri i Jaglandit është përmendur në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epsteinin, ku në një shkëmbim emailesh të publikuara del se ai dhe familja e tij kishin plane për një udhëtim në ishullin privat të Epsteinit, pranë “Virgin Islands” në Detin Karaibe, gjashtë vjet pasi Epstein ishte dënuar për tentim të blerjes së shërbimeve seksuale nga të mitur./Telegrafi.

Rreth 900 lindje më shumë në 2025-ën

3 February 2026 at 19:51


Që nga viti 2022 e deri në fund të vitit 2025, në Kosovë kanë lindur gjithsej 105,671 fëmijë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).

Sipas statistikave më të fundit, gjatë vitit 2025 kanë lindur 27,418 fëmijë, prej të cilëve 14,135 janë meshkuj dhe 13,284 femra.

Ky numër tregon një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2024, kur numri i lindjeve ishte 26,549, prej të cilëve 13,772 meshkuj dhe 12,779 femra.

Viti 2023 shënoi numrin më të vogël të lindjeve në periudhën e fundit, me 25,586 fëmijë, prej të cilëve 13,229 meshkuj dhe 12,357 femra. Ndërkohë, viti 2022 kishte shënuar një nivel më të lartë lindjesh, me 26,118 fëmijë, prej të cilëve 13,317 meshkuj dhe 12,801 femra.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se megjithëse numri i lindjeve ka pësuar ndryshime të lehta nga viti në vit, trendi i përgjithshëm mbetet stabil, duke reflektuar tendencat demografike dhe ndryshimet e lehta natyrore në vend.

Këto statistika ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi zhvillimet demografike në Kosovë dhe mund të jenë të rëndësishme për politikat sociale, shëndetësore dhe planifikimin afatgjatë të popullsisë.

Nika mohon vrasjen e argjentinases, prokuroria paraqet prova nga hoteli

3 February 2026 at 18:54


Në Gjykatën Themelore ne Prishtinë, është mbajtur sot seanca e radhës gjyqësore ndaj Endrit Nikës, i akuzuari për vrasjen e argjentinases Maria Clara në Fushë Kosove, dy vite më parë.

Gjatë seancës prokuroria ka paraqitur fotografi nga dhoma e hotelit ku kishin qëndruar, duke theksuar se nga pamjet shihej një ambient i çrregulluar dhe elemente të thyera.

Prokurori Armend Hamiti, duke u bazuar në fotografi, tha se dhoma shfaqej me njolla dhe dëmtime, teksa e pyeti Nikën se si kishin ndodhur thyerjet dhe zhvendosjet e objekteve.

“Shihet qartë se dhoma është e çrregulluar me gjëra të zhvendosura edhe elemente të thyera. Duke parë këto pamje, qysh kanë ndodhur ato thyerje, ato zhvendosje në dhomë. Qysh kanë ndodhur këto, në momentin kur ia ke kapur duart apo?”, pyeti prokurori.

Nika u përgjigj se ka mundur te ndodhë teksa ishte në gjumë, teksa duke thënë se nuk kanë ndodhur nga ana e tij.

“Kanë ndodhur kur ka fjetur ose më parë, sepse ne kemi qenë në hotel dhe nuk e kemi rregulluar. Ato thyerje që shihen aty të gjësendeve nga ana ime nuk kanë ndodhur”, tha Nika.

I pyetur nëse një xham statik mund të bie pa forcë, i akuzuari u përgjigj se as me veprim nuk guxon të bie “As me veprim as pa veprim nuk guxon me ra”.

Gjatë marrjes në pyetje, prokurori kishte kërkuar sqarime për raportet mes të akuzuarit dhe viktimës para ngjarjes. Ai e pyeti nëse kishte pasur xhelozi apo mosmarrëveshje gjatë ahengut para dasmës apo në veturë.

Nika u përgjigj se e ka vërejtur ne veturë kur është kthyer tek hoteli.

“Unë e kam diktuar vetëm në kerr kur është kthyer në hotel, se tërë kohën nuk kam pasur kohë të merrem me të”.

Prokurori e pyeti edhe nëse kjo xhelozi ishte shfaqur më herët në Zvicër, ndërsa i akuzuari tha se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Tutje, Hamiti e pyeti nëse kishte tentuar ta qetësonte viktimën gjatë përplasjes.

“Aty jam munduar që fillimisht ta qetësoj me fjalë dhe, kur ka filluar që të më qëllojë me duar, e kam afruar afër vetes dhe e kam ulur në tokë, jemi ulur të dy në tokë. Jemi ulur para krevatit të dhomës”, tha ai.

I pyetur nëse kishte pasur dhunë fizike mes tyre, Nika deklaroi se pasi që ishin ngritur në këmbë ka filluar ta godas me duar.

“Në ato momente jo, pastaj kur jemi ngritur që të dy që ishim ulur aty, ja nisi me goditur me duar. Ia kam kthyer shpinën edhe kam prit deri sa të ndalet”.

Ai shtoi se ishte nisur drejt derës për t’u larguar nga hoteli.

“Pasi e diktova që u ndal, fillova me ecë ka dera dhe i thash po shkoj në Gllanasell. Nuk e kam parë dhe nuk e di a ka folur diçka. Në atë moment me atë mendim u nisa. Taman kam mbërritur te dera, kam dëgjuar krismën. Sa kam arritur te dera e banjos”, deklaroi Nika.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Endrit Nika, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me viktimën, me dashje për ta privuar nga jeta, kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati i gjashtë.

Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Prokuroria vazhdon të mbrojë qëndrimin se Endrit Nika e ka hedhur viktimën nga kati i gjashtë i hotelit, duke e cilësuar rastin si vrasje të kryer me dashje.

Gjatë seancës se Nika ka lexuar edhe një letër drejtuar prindërve të Maria Clares, të dashurës së tij, per të ciln akuzohet Nika ta ketë shtyer nga dritarja e një hoteli në Fushë Kosovë.

Nika drejtuar prindërve të saj u shpreh se edhe pse e fajsojnë, shpreson që ta besojnë, pask që edhe ai humbi një person të shtrenjtë për të.

“Së pari dua të ju drejtohem prindërve të Klarës me do fjalë, me thyhet zemra që jam para jush jo si personi që e dashuroj ciken e juaj por mes kësaj tragjedi të rënd me krejt shpirti ju shpreh ngushëllimet e mia me të thella. E di që më shihni ndryshe dhe më fajësoni, por ju lutem të më besoni se edhe unë e humba një gjë më të shtrenjtë që kam pasur në jetë. Dhimbja është e njëjta. Ju uroj shumë forcë dhe unë si ju dëshiroj vetëm drejtësi për Klarën”, tha ai.

Seanca e radhës do të jetë me 16 shkurt ku pritet fjala përfundimtare.

33 masa sigurie për 102 kontejnierë mbetje të rrezikshme në Porto Romano

3 February 2026 at 18:32


Prokuroria e Durrësit ka lëshuar të martën 33 masa sigurie në lidhje me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë “Kurum”, të cilat janë vendosur prej më shumë një viti në një zonë urbane mes Porto Romanos industriale dhe Shën Avlashit.

Masat e sigurisë janë firmosur për personat si të dyshuar për përfshirje në këtë çështje ku përfshihen administratori dhe drejtues drejtorish të të “Kurum International”, pronarja dhe drejtues të kompanisë “Sokolaj”, punonjës të doganës së Durrësit, zyrtarë të sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe drejtorisë së inspektimit në AKM si dhe ish-drejtoresha e kësaj agjencie (Arta Dollani) por edhe ajo aktuale (Marjeta Përlala)

Masë arresti edhe për dy inspektorë të Autoritetit Portual Durrës

Gjithsej janë 26 masa “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.

Mbetje të rrezikshme

Nga analizat laboratorike në Itali dhe aktet e ekspertimit njoftohet se, bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

“Duke iu referuar akteve të administruara dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, në bashkëpunim edhe me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Vendimi

Faktoje raportoi më herët se, në mungesë të laboratorëve të çertifikuar për kryerjen e analizave të 2100 ton mbetje, të dyshuara të rrezikshme, pas plot një viti sorollatje Prokuroria e Durrësit mori vendimin që ekspertiza të kryhej në Itali.

Ecuria

Fillimisht, Prokuroria e Durrësit si hap të parë i kërkoi tre institucioneve shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës që të merrnin kampionë në këto kontejnerë dhe kryenin analizat nëse mbetjet ishin toksike, apo “oksid hekuri” siç paraqitej në dokumentacion nga kompania transportuese “Sokolaj shpk”.

Të trija këto institucione i kthyen përgjigje zyrtare Prokurorisë së Durrësit se nuk kishin as laboratorë dhe as ekspertë për kryerjen e kësaj ekspertize.

BAN

Organizata mjedisore ndërkombëtare “Basel Action Network” (BAN) me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara, ngriti shqetësimin se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Mbetjet dyshoheJ se ishin marrë nga pluhuri i furnaltave të kompanisë Kurum në Elbasan e cila vepron në fushën e përpunimit të skrapit për prodhim hekuri.

BAN mori të dhëna që kjo anije bashkë me (Oksidin e Hekurit) po transportonte EAFD.

Përbërësi EAFD është material i cili vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si (Cadmiumi dhe Kromi), të cilat konsiderohen të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin, çka detyroi vendin pritës Tajlandën që të kthente pas mbetjet, duke e rikthyer anijen sërish në Durrës me 28 shtator të vitit të kaluar.

Dokumentacioni

Kompania transportuese “Sokolaj shpk”, në dokumentacionin shoqërues përcaktonte se ngarkesa ishte me “Oksid Hekuri”, por dyshimet e “Basel Action Netëork”, mbeteshin se në kontejnerët që mbajnë 2100 ton material kishte mbetje të rrezikshme EAFD.

Drejtori Ekzekutiv i BAN, Jim Puckett erdhi në Shqipëri dhe u vetëofrua që të merrte pjesë në çdo proces të transportimit dhe analizimit të mbetjeve të dyshuara toksike, por hasi në një vështirësi të “pakalueshme” ndonëse zyrtarisht Prokuroria e Durrësit njoftonte se e kishin ftuar BAN për të paraqitur çdo dëshmi dhe dokumentacion.

Mbetjet në mes të fushës

Faktoje raportoi në tetor të vitit të kaluar se në pjesën lindore të zonës industriale të Porto Romanos ndodheshin ende 102 kontejnerët të dyshuara se mund të përmbajnë mbetje toksike.

Fillimisht ambienti ishte përdorur për automjetet e sekuestruara nga Policia e Durrësit, por pas vendimit për tu vendosur aty, u krye rrethimi i plotë dhe ruhet 24 orë nga një patrullë e Policisë së Shtetit.

Zona është lagunore dhe çdo rrjedhje e mundshme dhe dekompozim nga qëndrimi i gjatë në kontejnerë mund të përbëjë rrezik si për kontaminimin e tokës dhe ujërave nëntokësorë, por edhe drejtpërdrejtë për banorët, shtëpitë e të cilëve nuk janë më shumë se 200 metra larg./Faktoje.

Gjykata Speciale: Fjalët përmbyllëse dhe vlerësimi i secilës provë më 9 shkurt

3 February 2026 at 18:05


Gjykata Speciale ka publikuar një video përmbledhëse të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke shpjeguar në detaje zhvillimet kryesore që nga konfirmimi i aktakuzës deri te paraqitja e dëshmitarëve dhe administrimi i provave.

Gjykata ka njoftuar se deklarimet përmbyllëse nga mbrojtja do të fillojnë më 9 shkurt, duke shënuar një fazë vendimtare të procesit.

Pas përfundimit të fjalëve përmbyllëse, gjyqtarët do të hyjnë në fazën e vlerësimeve të tyre konfidenciale, ku do të analizojnë secilën provë dhe deklaratë dëshmitari për të arritur në një vendim përfundimtar.

“Fjalët përfundimtare në gjyqin Thaçi etj. do të fillojnë më 9 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Gjykatës, gjatë kësaj faze do të vlerësohet pesha dhe besueshmëria e secilit prej dëshmitarëve, si dhe çdo pjesë e provave që janë ofruar gjatë procesit, duke përfshirë dokumente, raportime dhe prova materiale të administruara në sallën e gjyqit.

Closing statements in the Thaçi et al. trial will begin on the 9th February. A brief overview of proceedings can be found here. pic.twitter.com/fP3iJSdNSf
— Kosovo Specialist Chambers (@SpecialChambers) February 3, 2026

Pejë: Gjykata dënon me 3 vite e 4 muaj burg dhe 800 euro gjobë të pandehurin për vjedhje

3 February 2026 at 17:55


Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykimin ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”, përmes video-lidhjes/video-incizimit.

Sipas njoftimit të gjykatës, E.K. u shpall fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës. Pas unifikimit të dënimeve, ai u dënuar me një dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 4 muaj, duke u llogaritur edhe koha që ka kaluar në paraburgim që nga 2 korriku 2025.

Përveç kësaj, gjykata ka shqiptuar gjobë prej 800 eurosh.

Gjykata ka refuzuar akuzat për pikat I, II dhe V të aktakuzës, pasi Prokuroria kishte hequr dorë nga këto pjesë të çështjes, sipas dispozitave ligjore përkatëse.

Të dyja palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të vendimit me shkrim.

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e Glauk Konjufcës për gazin lotsjellës në Kuvend

3 February 2026 at 17:47


Gjykata e Apelit ka vendosur të kthejë në rigjykim rastin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje të Kuvendit në vitin 2016.

Rasti fillimisht ishte gjykuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila më 26 shkurt 2024 e kishte liruar Konjufcën nga akuzat për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Megjithatë, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi lirues për Konjufcën përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Në vendimin e datës 30 janar 2026, Apeli thekson se gjykata e parë nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë provat dhe dëshmitë e administruara, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve A.G., I.B., V.B., S.H. dhe S.P., si dhe provat materiale si raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, lokacioni i incidentit në Sallën C.nr. 301 të Kuvendit, lista e dëshmive dhe bombola e gazit lotsjellës e zbrazët e gjetur në dysheme.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar gjithashtu se Gjykata Themelore nuk ka arsyetuar bindshëm pse e ka liruar Konjufcën, duke theksuar se në këtë çështje janë administruar prova materiale dhe deklarata e të akuzuarit, ku ai pranon se e ka përdorur gazin lotsjellës, megjithëse nuk e konsideron atë armë sipas Ligjit për armët.

Në aktakuzën e ngritur më 2017, Prokuroria pretendonte se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 10 gusht 2016, Konjufca kishte hedhur gaz lotsjellës, duke penguar qëndrimin në sallë të pjesëmarrësve.

Gjatë seancës për fjalët përfundimtare në shkurt 2024, avokatja mbrojtëse e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, kishte kërkuar lirimin e klientit të saj, duke argumentuar se nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale dhe se kishte munguar ekspertiza për bombolën e gjetur në vendngjarje.

Sipas vendimit të Apelit, në rigjykim Gjykata Themelore duhet të eliminojë të gjitha shkeljet procedurale dhe, bazuar në provat e administruara, të nxjerrë konkluzione të drejta, ligjore dhe të argumentuara mirë.


Lajçaku në dosjen Epstein, BE-ja: Dialogu Kosovë - Serbi nuk është kompromituar

3 February 2026 at 16:38


Përfshirja e Miroslav Lajçakut në dosjen Epstein nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ka ndërmjetësuar për pesë vjet.

Kështu vlerësojnë zyrtarët evropianë, duke insistuar se lidhjet e Lajcakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.

“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare", tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Lajçakut përmendet qindra herë.

Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet me Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale – Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri te ato personale, përfshirë edhe gratë dhe vajzat e reja që, sipas dokumenteve, Epstein i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare.

Në një nga komunikimet, Lajçak shprehet se e pëlqen ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Lajçak fillimisht kishte mohuar se kishte pasur kontakte me Jeffrey Epstein, por më pas u detyrua të dorëhiqej nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi dolën prova konkrete që dëshmonin të kundërtën.

Për më shumë se dy dekada, Miroslav Lajçak ka qenë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor në emër të Bashkimit Evropian.

Procesin e dialogut Kosovë–Serbi e ka menaxhuar për pesë vjet, deri në fillim të vitit 2025. Jo rrallë është përballur me akuzua për njëanshmëri në proces.

Fetoshi: “Nata e tmerrit” në Mitrovicë mbetet krim pa aktakuzë edhe pas 26 vjetësh

3 February 2026 at 16:21


Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës përbëjnë një krim të organizuar të spastrimit etnik, i cili edhe pas 26 vjetësh mbetet pa aktakuzë dhe pa përgjegjësi penale.

Në një reagim përvjetor, Fetoshi tha se ajo që dëshmitarët e përshkruajnë si “nata e tmerrit” ishte një operacion i planifikuar, i maskuar si “huliganizëm”, ku shqiptarët u sulmuan brenda shtëpive të tyre me bomba, snajperë dhe armë automatike, nën vëzhgimin e Policisë së UNMIK-ut dhe trupave franceze të KFOR-it.

Sipas tij, gjatë kësaj nate u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, u plagosën 25 të tjerë dhe 93 persona u keqtrajtuan fizikisht, ndërsa qëllimi ishte i qartë: dëbimi i shqiptarëve nga veriu i qytetit, nën thirrjet “asnjë shqiptar në veri”.

Fetoshi theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë erdhi pas dështimit të operacionit “Patkoi” dhe kapitullimit të Serbisë në qershor të vitit 1999, duke e cilësuar atë si hakmarrje dhe strategji të re politike të regjimit të Millosheviqit. Ai vlerësoi se dëbimi i rreth 12 mijë shqiptarëve drejt jugut të qytetit, në prani të forcave ndërkombëtare, ishte pjesë e një skenari për “sekjuritizimin” e veriut dhe shndërrimin e tij në zonë të veçantë sigurie.

Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, kjo qasje u shfrytëzua nga Serbia për konsolidimin, armatosjen dhe institucionalizimin e strukturave ilegale, të cilat më vonë u shndërruan në struktura hibride për sabotimin e Kosovës. Ai e lidhi drejtpërdrejt “natën e tmerrit” me zhvillimet e mëvonshme të sigurisë, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 2023 dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024.

Duke folur për aspektin e drejtësisë, Fetoshi tha se masakra e Mitrovicës është një krim i dokumentuar me qindra dëshmi dhe pamje, por pa asnjë të dënuar. Ai përmendi procesin gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe disa të tjerëve, si i vetmi rast që ka përfshirë ngjarjet e shkurtit 2000, por që, sipas tij, nuk çoi në identifikimin e përgjegjësve. Procesi përfundoi pa epilog, veçanërisht pas vrasjes së Ivanoviqit në janar 2018.

Fetoshi rikujtoi gjithashtu se Kryeministri Albin Kurti, me rastin e 25-vjetorit të ngjarjeve, i kishte dërguar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës, por pa asnjë përgjigje konkrete.

“Përkujtimet dhe thirrjet për drejtësi vazhdojnë të mbyten në pellgun e të panjohurës”, tha Fetoshi, duke shtuar se mesazhi i “natës së tmerrit” në Mitrovicë mbetet ende kërcënues për aq kohë sa autorët janë të pandëshkuar dhe krimi pa përgjigje.

Kurti: 26 vjet pa drejtësi për spastrimin etnik në veri të Mitrovicës

3 February 2026 at 16:12


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik në pjesën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar me dhunë mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

Sipas Kurtit, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, shqiptarët u detyruan të largohen drejt jugut të lumit Ibër, ndërsa gjatë këtij aksioni kriminal u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.

Ai përmendi edhe emrat e viktimave të asaj nate tragjike, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.

Kryeministri në detyrë theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një periudhë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare.

Megjithatë, gjatë shkurtit të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.

“Edhe sot, 26 vjet më pas, drejtësia për këtë krim mbetet e paplotë”, theksoi Kurti, duke shtuar se viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të humbjeve dhe dëmeve të pësuara.

Ai vuri në pah se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.

Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, ndërsa si shembull përmendi rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kurti theksoi se sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, nën angazhimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit.

Rektori Hajrizi i ftuar në eventin global “Technogym Innovation Outlook 2026″, prezanton potencialin e UBT Smart City për t’u bërë UBT Wellness City

2 February 2026 at 23:47


Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar të marrë pjesë në eventin vjetor ndërkombëtar të kompanisë lidere globale Technogym, “Technogym Innovation Outlook 2026”, i cili po mbahet në Itali dhe ku marrin pjesë qindra profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues nga mbarë bota.

Ky event prestigjioz shërben si platformë globale për prezantimin e teknologjive më të avancuara në fushën e sportit, fitnesit, shëndetit dhe mirëqenies, si dhe për diskutimin e trendeve të reja dhe mundësive të bashkëpunimit ndërkombëtar, të zhvilluara nga dhe në bashkëpunim me Technogym.

Gjatë kësaj vizite, e cila vjen si rezultat i vizitës së përfaqësuesve të Technogym në UBT, Rektori Hajrizi u takua dhe zhvilloi biseda me udhëheqës të departamenteve të edukimit, shkencës, zhvillimit dhe projekteve të Technogym, me fokus të veçantë bashkëpunimin në implementimin e teknologjive dhe programeve të Technogym-it në ekosistemin e UBT-së, me ç’rast mundësohet realizimi i plotë i UBT Wellness City si një komponentë e domosdoshme e UBT Smart City.

Kështu, modeli i zhvilluar UBT 5S (Small Smart Self-Sustain City), i zbatuar në UBT Smart City, kompletohet edhe me komponentën e mirëqenies dhe stilit të jetesës. Me këtë rast krijohet një model unik që përfaqëson modelin e ri të jetesës në qytete, një shembull se si teknologjia e avancuar, inteligjenca artificiale, sporti, nutricioni, shëndeti dhe rehabilitimi mund të ndërlidhen në një ekosistem të vetëm, të integruar, të personalizuar dhe të qëndrueshëm.

Përmes këtij ekosistemi, nxënësve, studentëve, stafit akademik dhe administrativ, institucioneve dhe komunitetit të gjerë të Kosovës u ofrohet një sistem i kompletuar për fitness, wellness, sport, rehabilitim dhe lifestyle, i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe i mbështetur nga teknologjitë dhe sistemet më të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, e cila mundëson mbështetje të personalizuar për individin.

Ky vizion bëhet i mundur falë faktit se ekosistemi i UBT-së tashmë është ndërtuar mbi këto baza, duke përfshirë dimensionin edukativ, shkencor, inovativ, zhvillimor dhe klinik, duke e pozicionuar UBT-në si një qendër rajonale dhe më gjerë në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të integruar.

Një bashkëpunim me Technogym pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve në kampuset e UBT-së, në qendrat e trajnimit, shërbimet shëndetësore dhe spitalore, si dhe në zhvillimin e aktiviteteve sportive, duke e forcuar më tej rolin e UBT-së si lider në inovacion, transformim shoqëror dhe zhvillim ekonomik, sepse, siç tha edhe Presidenti i Technogym, po kalojmë dhe duhet të kalojmë nga Green Economy në Wellness Economy.




❌
❌