Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Main stream

Alarmi i KQZ-së: Në shumicën e qendrave të votimit mund të ketë ndërprerje të energjisë

26 December 2025 at 19:50


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot për përgatitjet e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këtë mbledhje, u tha se në Qendrat Komunale të Numërimit janë dërguar kamerat regjistruese, të cilat do të vendosen në vendvotime. Sërish është diskutuar për çështjen e energjisë elektrike, ku u theksua se në çdo qendër votimi do të jenë të pranishëm zyrtarë të KEDS-it.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese më 28 dhjetor.

“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik. Me këtë rast kërkoj nga qytetarët që para se të dalin të votojnë, ta kontrollojnë qendrën e tyre të votimit, përmes platformës tonë në KQZ. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë të procesit zgjedhor, KQZ ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, tha Radoniqi.

Edhe për procesin e nesërm të votimit në përfaqësi diplomatike, ai u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese.

Drejtori i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Besnik Buzhala tha janë transportuar të gjitha materialet jo të ndjeshme zgjedhore.

“Me datën 23.12. 2025 janë transportuar të gjitha kamerat regjistruese të vendvotimeve dhe qendrave komunale të numërimit, të gjitha kamerat regjistruese tashmë janë pranuar nga Komisionet Komunale Zgjedhore dhe gjenden në Qendrat Komunale të Numërimit. Po ashtu, me datën 24 dhjetor 2025, KQZ ka realizuar transportimin e të gjitha materialeve jo të ndjeshme zgjedhore, të cilat po ashtu janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit. Materialet jo të ndjeshme të transportuara janë: 7842 kabina të votimit, 2614 kuti të votimit, përfshirë edhe kapakët e votimit, 59 mijë e 381 lidhës të sigurisë për kutitë e votimit dhe 2652 pako me materiale administrative që përfshihen në kuadër të Këshillave të Vendvotimeve të Rregullta dhe të dyfishta. Po ashtu, janë transportuar edhe pajisjet e teknologjisë informative për Qendrat Komunale të Numërimit, siç janë kompjuterët, fotokopjet”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bë e ditur se nga kutitë postare në Berlin (Gjermani) dhe Bernë (Zvicër) janë tërhequr një pjesë e pakove me fletëvotime.

“Me datën 23 dhjetor 2025 është kryer tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare në Berlin, Gjermani dhe në Bernë në Zvicër. Numri i zarfeve të tërhequra në Berlin është 10 mijë e 511, ndërsa numri i zarfeve të tërhequra në kutitë postare të KQZ-së në Bernë është 8000 sosh. Më datën 24 dhjetor, zarfet e tërhequra kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, ku nën përcjelljen e Policisë ato janë sjellë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Po ashtu janë përgatitur dhe dërguar materialet për qendrat e votimit dhe përfaqësitë diplomatike. Me datën 24 dhjetor, Divizioni i Shërbimit të Votuesve ka mbajtur trajnim me menaxherët e qendrave të votimit, që në këtë rast janë shefat e misioneve diplomatike”, shtoi ai.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi ka ngritur shqetësimin për sfidat që mund të paraqiten të dielën në mungesë të energjisë elektrike.

“Dje kemi pranuar një raport, për të cilin nuk e di pse drejtori është dashur të raportojë mbi kërkesën tonë dhe kemi vendosur në kontakt KEDS-in, organet përgjegjëse për të siguruar energji të mjaftueshme ditën e zgjedhjeve. Një raport të cilin ju na keni dërguar, për mua është shumë shqetësues, për faktin se ka paralajmërime se diku në 888 qendra votimi mund të mos ketë energji elektrike. Kjo s’do të thotë që ndoshta tërë ditën por në këto qendra në bazë të informatave dhe raportit që posedojmë dhe për më keq, 666 prej tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë që potencialisht nuk do të ketë energji elektrike. Kjo paraqet shqetësim të madh, për faktin se nuk e di tashmë errësohet herët dhe nuk e di se si do të zhvillohet procesi nëpër qendra të votimit ku nuk ka energji, ku nga këto 888, 491 prej tyre nuk posedojnë gjeneratorë. Këto shifra për mua janë shumë alarmante”, tha ai.

Buzhala tha se sot janë takuar me përfaqësues të KOSTT-it, ku u është thënë se kanë një plan të veprimit për ditën e zgjedhjeve.

“Sot e kemi pasur një takim edhe KOSTT-in, i cili është përgjegjës për transmisionin e energjisë elektrike. Pika më problematike në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë Rahoveci, e cila e shpërndan energjinë edhe për komunën e Malishevës, janë dy komuna që janë shumë problematike, është qendra e Prizrenit, ku transmisioni i cili e furnizon Prizrenin e furnizon edhe komplet komunën e Dragashit, këto janë shqetësimet më të mëdha të KOSTT-it sa i përket transmisionit, në anën tjetër edhe KEDS-i ditën e zgjedhjeve do të operojë diku me rreth 1050 zyrtarë në terren, që i bie që secila qendër e votimit do të jetë e mbuluar me një zyrtar të KEDS-it që do të jenë në funksion të procesit zgjedhor”, u përgjigj ai.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhje është 2,076,290. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1,999,205, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025.

Kurti takon qytetarin i cili e ftoi para 4 ditësh

26 December 2025 at 19:32


Përgjatë një takimi paraprak, administratori i fshatrave Poklek i Ri, Poklek i Vjetër dhe Vasilevë, Zekë Kluna, e kishte ftuar Kryeministrin Albin Kurti që ta vizitojë në shtëpinë e tij.

4 ditë pas, ashtu ndodhi.

Kryeministri u prit nga ai dhe mërgimtarë të cilit kishin ardhur nga Australia dhe Gjermania veçanërisht për të votuar më 28 dhjetor.

Kurti i kishte sjellur Zekë Klunës gjithashtu edhe kartën e anëtarësisë së tij në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa pranoi për dhuratë orën me simbolin e UÇK-së.

Në një bashkëbisedim domethënës, u fol edhe për shqetësimet kryesore të banorëve të Drenasit dhe fshatrave përreth, me theks të veçantë në çështjen e furnizimit me ujë të pijes.

Kryeministri tha se ndërtimi i Digës së Kuqicës në Skënderaj, do të jetë zgjidhje për këtë problem edhe për banorët e Drenasit.


Abdixhiku: Vota juaj vendos nëse Kosova do mbetet peng i popullizmit

26 December 2025 at 19:28


Lidhja Demokratike e Kosovës po mban tubimin e saj përmbyllës të kësaj fushate. Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij deklaroi se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.

Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.

“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe pushteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, tha Abdixhiku.

Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.

Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit.

“Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur. Dhe lodhja nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga mungesa e drejtimit. Nga ndjenja se përpjekja individuale nuk po shoqërohet me politika të drejta dhe me institucione që funksionojnë”, shtoi Abdixhiku.

Abdixhiku po ashtu deklaroi se LDK-ja nuk është partie momentit, por e momenteve historike.


Hamza nesër mbyll fushatën në Prishtinë: Ta hapim një kapitull të ri për Kosovën

26 December 2025 at 19:16


Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se nesër, më 27 dhjetor, PDK do të mbajë tubimin përmbyllës të fushatës elektorale.

Sipas njoftimit të Hamzës, tubimi do të zhvillohet nga ora 17:30 në AMC Hall, ku Hamza thotë se fushata do të mbyllet me synimin për të hapur një kapitull të ri për Kosovën.

"Fushata jonë është për punëtorët që kërkojnë dinjitet, për të rinjtë që duan shpresë, për familjet që meritojnë siguri dhe për një Kosovë që ka nevojë për normalitet, stabilitet dhe zhvillim ekonomik", ka shkruar Hamza.

Hamza ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se fushata do të mbyllet me pozitivitet, ashtu siç synohet të hapet edhe fitorja.


Kurti takon mërgimtarët e Gjilanit

26 December 2025 at 19:08


Kryeminstri Albin Kurti ishte dje në Gjilan, ku takoi shumë mërgimtarë nga kjo komunë.

Shumica e tyre kishin ardhur nga Zvicra, përfshirë familjen Limani nga fshati Zhegër.


Kryeministri bashkëbisedoi dhe ndau me ta zotimet gjithëpërfshirëse edhe për diasporën.

Ndërsa i falënderoi përzemërsisht të gjithë mërgimtarët për ardhjen masive për ditën e zgjedhjeve "për të mbështetur numrin 116".


Abdixhiku nga tubimi përmbyllës: LDK është lëvizje njerëzish të lirë, jo turmë e komanduar

26 December 2025 at 19:04


Kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij deklaroi se pa LDK-në nuk ka stabilitet, orientim e shtet që respekton qytetarin e vet.

Prandaj, sipas tij LDK vjen të ndërtojë që të ndërtoj të ardhmen dhe të punojë për të mirën e secilit.

“Kjo është LDK-ja që e kemi dashur gjithherë. Kjo është LDK-ja që e kemi ëndërruar përherë. Një lëvizje njerëzish të lirë, jo një turmë e komanduar. Një forcë politike e mendimit, jo e zhurmës. Një shtëpi ku fjala ka peshë, ku dinjiteti ka vlerë dhe pushteti ka qenë gjithmonë mbi secilin prej nesh”, tha Abdixhiku.

Ai gjatë fjalimit foli edhe për eksperiencën e fushatës.

Abdixhiku deklaroi se kjo fushatë tregoi që shoqëria është e lodhur nga mungesa e drejtimit. “Kjo fushatë na e tregoi qartë se shoqëria jonë nuk është e thyer. Ajo është e lodhur".


Imami Labinot Maliqi nderohet me mirënjohje nga Policia Rajonale e Prishtinës

26 December 2025 at 18:14


Imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi ka pranuar një mirënjohje të lartë nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtori Rajonal i Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin e qëndrueshëm, korrektësinë profesionale dhe kontributin e dhënë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Maliqi ka theksuar se kjo mirënjohje ka një peshë të veçantë morale dhe institucionale, pasi përfaqëson jo vetëm një vlerësim formal, por edhe dëshmi të besimit, respektit dhe partneritetit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit.

Sipas tij, ky vlerësim shërben njëkohësisht si motivim dhe përgjegjësi shtesë për vazhdimin e angazhimit me seriozitet, përkushtim dhe integritet.

Në këtë ceremoni, Drejtori Rajonal i Policisë, Nënkolonel Basri Shabani, ishte i shoqëruar edhe nga Fatos Haziri, çka i dha aktit karakter të lartë zyrtar dhe konfirmoi vullnetin institucional për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm.

Maliqi vlerësoi rolin e Policisë së Kosovës si një nga shtyllat kryesore të stabilitetit, rendit dhe sigurisë në vend, duke theksuar se ajo mbetet një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara në Republikën e Kosovës.


Mbi 100 mijë viza të lëshuara në Gjermani, mbi 7 mijë për qytetarët e Kosovës

26 December 2025 at 17:55


Pavarësisht shtrëngimit të ndjeshëm të politikave të imigracionit nga qeveria e koalicionit të CDU/CDU dhe Socialdemokratëve në Berlin, këtë vit janë lëshuar më shumë se 100.000 viza për bashkim familjar. Kjo sipas shifrave nga Ministria e Jashtme, të raportuara së fundmi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme, 101.756 viza u dhanë deri në fund të nëntorit për pesë kombësitë me më shumë aplikime.

Më së shumti vizat u dhanë për turqit (14.907) dhe sirianët (13.148), të ndjekur nga qytetarë nga India (9.286), Kosova (7.143) dhe Shqipëria (4.426).

E drejta për bashkimin familjar në Gjermani kryesisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur.

E drejta për bashkimin familjar në Gjermani përgjithësisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur.

Ekzistojnë përjashtime për raste të vështira dhe, që nga një reformë në mars 2024, edhe për prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me kualifikim të lartë që mund të sigurojnë në mënyrë të pavarur jetesën e të gjithë familjes.

Në korrik, qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD e pezulloi ribashkimin familjar për dy vjet për personat me status mbrojtjeje të kufizuar - ndryshe nga refugjatët e njohur.

Vetëm në "raste të vështira" atyre u lejohet ende të sjellin bashkëshortët/et e tyre, fëmijët e mitur si edhe, në rastin e të miturve të pashoqëruar, prindërit e tyre në Gjermani./Deutsche Welle/

Me nderime ushtarake varroset Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës – Calit

26 December 2025 at 17:30


Sot, në varrezat e Rimanishtës, u varros me nderime ushtarake dhe me pjesëmarrje të lartë qytetare Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës – Calit.

Në emër të familjes dhe shokëve, veprimtari Valon Murati mbajti fjalimin përshëndetës.

“Jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu të dashur, një familjari të mirë, një babai të përkushtuar, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij, duke qenë se e gjithë familja – në krye me Calin tonë të dashur – ka qenë e angazhuar në veprimtarinë patriotike, natyrisht që ka qenë edhe vetë i përfshirë. Shtëpia e tij ka qenë një prej bazave më të rëndësishme në Prishtinë.

Kur humbim një njeri të dashur, humbim diçka edhe nga vetja jonë. Ne varrosim edhe një pjesë të vetes sonë.

Dhimbja është e madhe, por sot ajo është e trefishtë. Është e trefishtë sepse po humbim bacën Jah, një njeri të dashur, i cili ka dhënë kontribut dhe shtëpia e të cilit ka qenë shtëpi e madhe e lirisë së Kosovës. Por po ndjejmë dhimbje edhe sepse Cali nuk është këtu. Nuk e kemi djalin e tij, shokun tonë të dashur, një nga njerëzit më kontribuues për lirinë që e gëzojmë sot.

Dhimbja është edhe më e madhe sepse ai nuk është këtu për shkak të një padrejtësie të madhe që po na shkaktohet. Një padrejtësi që e bën dhimbjen edhe më të rëndë. Cali nuk është këtu sepse është dënuar në mënyrë të padrejtë, fatkeqësisht nga një gjykatë e padrejtë, e cila flet në emrin tonë, por nuk vepron në emrin tonë.

Ai nuk është këtu edhe pse është dënuar padrejtësisht. Me asnjë rregull dhe me asnjë parim ndërkombëtar nuk do të duhej t’i ndalohej të vinte dhe ta shihte babanë e tij në shtratin e vdekjes. Po ashtu, nuk do të duhej të ndalohej që të ishte sot këtu, në këtë ditë të fundit, dhe të ndahej me babanë e tij me dinjitet”.


Kongresisti Lawler, Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

26 December 2025 at 17:06


Kongresisti republikan, Mike Lawler, ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mbetet e “fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, në një letër dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në letër, të cilën Qeveria në detyrë e publikoi të premten në Facebook, thuhet: “Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës”.

Përpjekjet e tilla, thuhet tutje në letër, janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ai po i referohej një Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u nënshkrua në ligj nga presidenti Donald Trump, javën e kaluar, në të cilin Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023.

Kjo letër vjen pasi Lawler e kishte takuar Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington në shtator, për çka e falënderoi në letër.

Komentet e kongresistit republikan vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan goditje gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Madje këto veprime çuan në pezullimin paafat të një dialogu të planifikuar strategjik mes dy vendeve.

Kurti i ka arsyetuar këto veprime si në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe së voni ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në “janë shumë të mira” dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.



Trainkos shlyen mbi 206 mijë euro obligime ndaj ATK-së, borxhi total arrin mbi 1 milion euro

26 December 2025 at 16:31


Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa konkretë për shlyerjen e një pjese të konsiderueshme të obligimeve ndaj Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në vlerë prej 206,343.72 euro.

Në një njoftim zyrtar të dërguar stafit dhe përfaqësuesve sindikalë, kryeshefi ekzekutiv i Trainkos, Agron Statovci, bën të ditur se këto mjete janë siguruar përmes kursimeve të realizuara nga masat për menaxhim racional të shpenzimeve. Me këtë pagesë synohet të mbulohen kontributet e papaguara për rreth 15 muaj, të trashëguara nga ish-menaxhmenti për periudhën 2020–2022 dhe janar–prill 2023.

Sipas të dhënave zyrtare, në momentin e marrjes së menaxhimit, obligimet e Trainkos ndaj ATK-së përbëheshin nga: Obligime bazë: 633,235.34 euro, ndëshkime: 218,194.88 euro, interes: 227,575.13 euro

Kjo e çon totalin e borxhit ndaj ATK-së në 1,079,005.35 euro.

Në njoftim theksohet se, përveç borxheve tatimore, ekzistojnë edhe obligime ndaj operatorëve ekonomikë, si pasojë e keqmenaxhimit të periudhave të kaluara. Po ashtu, rikujtohet se në vitin 2020 linja hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit ka qenë e mbyllur për shkak të rehabilitimit, ndërsa operimi ka vazhduar me numër të njëjtë trenash, duke ruajtur fluks të pandryshuar të shërbimeve.

Trainkos bën të ditur se gjatë vitit 2024 punonjësit kanë përfituar rritje pagash, bazuar në vendimin e Bordit të Drejtorëve, të miratuar më 30 shtator 2025. Rritja përfshin 30 euro shtesë në pagën bazë për të gjithë punonjësit dhe 2.5 euro shtesë për çdo ditë pune, deri në një maksimum prej 85 euro.

Kurti takon të rinjtë e komunitetit rom

26 December 2025 at 16:14


Kryeministri Albin Kurti, shoqëruar nga partnerët qeverisës, Albert Kinolli dhe Sejnur Veshall, takoi të rinj nga komuniteti rom.

Në një bashkëbisedim të ngrohtë, Kurti tha se këta të rinj vlerësuan që sllogani i PRBK-së “Është koha jonë”, merr kuptim të plotë vetëm shoqëruar nga ai i Lëvizjes Vetëvendosje, “Mos lësho pe”.

"Në këtë frymë, u theksua edhe një herë se fitorja edhe më të madhe më 28 dhjetor, si dhe vazhdimësia e projekteve zhvillimore e ndërtimi j shoqërisë gjithëpërfshirëse, arrihet vetëm me mbështetjen e secilit qytetar", thuhet në njoftimin e LVV-së.

LVV gjobitet me 6 mijë euro nga PZAP për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

26 December 2025 at 16:09


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesat e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe ka gjobitur subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 6,000 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas vendimit të datës 25.12.2025, PZAP ka shqiptuar gjobën ndaj LVV-së për shkak të përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale nga kandidatët e saj për deputetë.

Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankesave të LDK-së me numra ZP.Anr.41/2025, ZP.Anr.43/2025 dhe ZP.Anr.45/2025.

Në arsyetim thuhet se kandidatja Arbëre Nagavci ka shfrytëzuar zyrën e saj si ministre në detyrë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për fushatë zgjedhore, ndërsa kandidati Hysen Durmishi ka përdorur pronën publike në rastin e një aktiviteti në Mitrovicë për përfitim elektoral.

PZAP ka konstatuar se këto veprime përbëjnë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenit 36, paragrafi 1, si dhe dispozitave të Rregullores Zgjedhore Nr.07/2024 që rregullojnë fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar.

LVV obligohet që gjobën prej 6,000 eurosh ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Before yesterdayMain stream

Festat e fundvitit, të huajt zgjedhin Durrësin

22 December 2025 at 23:50


Hotelet në Durrës kanë përfunduar përgatitjet për festat e fundvitit. Interesi për të kaluar natën e Krishtlindjes dhe ndërrimin e viteve është i lartë, ndërsa këtë vit vihet re një prani më e madhe e turistëve të huaj që kanë zgjedhur Durrësin për këto festa.

Sipas operatorëve turistikë, kapacitetet e hoteleve në zonën e plazhit janë ezauruar në rreth 90 për qind të kapacitetit të tyre.

“Këtë vit kemi një risi, që viti i ri ka pasur një kërkesë të lartë të huajsh për të festuar në Shqipëri. Pra kemi 90% të rezervimeve janë nga shtetas të huaj, të cilët janë shtetas bullgarë, gjerman, por edhe anglez. Gjëja e veçantë është që kemi një grup nga Amerika, prej rreth 40 personash, të cilët kanë vendosur të festojnë vitin e ri në Shqipëri”, tha Blerim Norja, operator turistik.

Hoteleritë janë përgatitur me programe të veçanta artistike dhe festive për t’i ofruar një atmosferë të veçantë klientëve.

“Ajo gjëja që është më interesante dhe që tërheq më shumë është tradita shqiptare, pasi mënyra se si ne festojmë dhe mënyra se si ne organizojmë është 100% traditë. Pra, kemi menunë tonë të pa negociueshme, pra menu tradicionale shqiptare që nuk mungon kurrë bakllavaja, gjeli i detit, byrek me qumësht… por dhe mënyra se si orgaziojmë festën që është muzikë shqiptare, valle shqiptare dhe kostume tradicionale shqiptare. Pra, çdo gjë 100% traditë”, shton Norja.

Durrësi vijon të forcohet si një destinacion turistik ndërkombëtar, duke tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Kulinaria, traditat dhe mikpritja mbeten ndër vlerat më të vlerësuara nga turistët e huaj./Tv Klan

Ismaili: Përçarja politike ka ndarë edhe familje, Hamza është kandidati i bashkimit dhe i përafrimit

22 December 2025 at 23:34


Nënkryetari i PDK-së dhe i dyti në listën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka folur për klimën politike në vend dhe pritjet nga zgjedhjet e ardhshme.

Ismaili tha se qeverisja aktuale ka instaluar një klimë të thellë polarizimi, e cila, sipas tij, ka depërtuar edhe brenda familjeve kosovare. Ai theksoi se përçarja nuk ka qenë vetëm politike, por ka prekur çdo zë ndryshe në shoqëri.

“Ky konflikt nuk ka qenë vetëm me partitë politike, por me këdo që ka pasur mendim ndryshe – shoqërinë civile, mediat, intelektualët, sociologët apo ekonomistët. Nëse nuk ke menduar njëjtë, je sulmuar,” tha Ismaili.

Sipas tij, Bedri Hamza përfaqëson të kundërtën e kësaj qasjeje.

Ai vlerësoi se Hamza ka pasur gjithmonë rol bashkues dhe ka punuar për krijimin e konsensusit në vend.

“Z. Hamza çdo herë ka pasur rol në drejtim të krijimit të konsensusit dhe bashkimit,” u shpreh Ismaili.

Ai shtoi se kjo është një nga arsyet kryesore pse qytetarët sot po kërkojnë stabilitet dhe normalitet politik, si dhe politika që përmirësojnë mirëqenien e familjeve.

Ismaili theksoi se besimi i qytetarëve ndaj Bedri Hamzës lidhet edhe me pritjet për ulje të çmimeve, politika që lehtësojnë barrën e faturave të energjisë elektrike, rritje pagash dhe investime që përmirësojnë strukturën ekonomike të vendit.

“Të gjitha këto janë iniciativa që e shtyjnë Kosovën përpara,” përfundoi Ismaili.

Osmani: Pas njohjes, Bahamas heq vizat për Kosovën

22 December 2025 at 23:07


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, bëri të ditur se shumë shpejt në Washington do ta nënshkruajnë edhe heqjen reciproke të vizave me Bahamas, shtetin që së fundmi e njohu shtetësinë e Kosovës.

“Vazhduam në Bahamas ku morëm njohjen nga ky shtet. Lidhjen e marrëdhënieve diplomatike dhe po ashtu kemi arritur dakordim me kryeministrin e Bahamas për heqjen reciproke të vizave që është një lajm shumë i mirë dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet së shpejti këtu në Washington D.C”, deklaroi Osmani pas takimit me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit.

Bahamas është bërë shteti i 121-të që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ka njoftuar presidentja Vjosa Osmani të premten e 19 dhjetorit.

Ajo ka bërë të ditur se në kryeqytetin e Bahamas ka nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me ishullin që gjendet në Karaibe.


Abdixhiku: Kur shteti bllokohet,  qytetet si Suhareka mbeten pa investime e përkrahje

22 December 2025 at 22:05


“Kur shteti bllokohet, qytetet si Suhareka mbeten pa investime, projekte dhe përkrahje”, ka deklaruar i pari i LDK-së, njëherësh kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Suharekë.

Ai kritikoi çasjen e qeverisë në detyrë karshi zhvillimit, dhe jo vetëm.

“Viti i fundit ka qenë vit i bllokadës institucionale, ndërsa pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën. Institucionet janë paralizuar. Vendimmarrja është bllokuar”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu potencoi se konfliktet politike dhe shkeljet kushtetuese kanë prodhuar pasiguri.



Supremja shfuqizon dispozita të Statutit dhe të Rregullores së UP-së

22 December 2025 at 21:50


Gjykata Supreme, ka shfuqizuar dispozita të Statutit dhe të Rregullores së UP-së për shkak të shkeljes së parimit të barazisë dhe meritokracisë.

"Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar padinë e B.P., nga P., e paraqitur kundër të paditurit: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të Universitetit të Prishtinës (UP). Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr.2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin Prishtinë", njofton Supremja.

Gjykata Supreme pas shqyrtimit të nenit 153 paragraf 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe nenit 7 paragraf 6 të Rregullores nr. 2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës, ka konstatuar se dispozitat e sipërcituara janë të paligjshme.

Gjykata vlerëson se këto dispozita vendosin ndalesa absolute dhe automatike për angazhimin e kandidatëve që kanë familjarë të punësuar ose të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, pa një vlerësim dhe identifikim konkret të konfliktit të interesit. Kjo qasje shkel parimet e barazisë, meritokracisë, dhe ndalimin e diskriminimit të garantuara me Kushtetutë.

Duke pasur parasysh se Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë dhe Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, parashikojnë mekanizma proporcionale dhe të rastit për shmangien e konfliktit të interesit, masat e parashikuara me Statut dhe Rregullore janë jo proporcionale, jo të nevojshme dhe cenojnë të drejtat e individëve për të konkurruar dhe për të ushtruar funksione akademike. Në këtë mënyrë, Gjykata arrin në përfundimin se neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të UP-së dhe neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr. 2/254 duhet të shfuqizohen.

Gjykata vlerëson se dispozitat e kontestuara tejkalojnë qëllimin legjitim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, duke vendosur ndalesa të përgjithshme dhe absolute, pa marrë parasysh rrethanat konkrete të rastit.

Gjithashtu, Gjykata vlerëson se këto dispozita bien ndesh me parimin mundësive të barabarta për të gjithë individët për të konkurruar për pozita akademike, si dhe me parimet e meritokracisë dhe transparencës në procesin e angazhimit, të garantuara me nenin 7 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik dhe me nenin 2 të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë. Përjashtimi i automatizuar i kandidatëve për shkak të lidhjeve familjare krijon një diskriminim të drejtpërdrejtë, duke cenuar të drejtën e individit për të ushtruar funksione akademike në mënyrë të barabartë dhe sipas meritës.

"Gjykata thekson se nepotizmi dhe konflikti i interesit nuk janë nocione identike, dhe se ekzistenca e një lidhjeje familjare, në vetvete, nuk përbën automatikisht nepotizëm. Nepotizmi presupozon favorizim të padrejtë në procesin vendimmarrës, ndërsa në rastin konkret, dispozitat e kontestuara parandalojnë në mënyrë paraprake dhe absolute edhe situata në të cilat nuk ekziston asnjë ndikim real apo i mundshëm në procesin e vlerësimit", thuhet në komunikatëne Supremes.

Berat Rukiqi: Rënie e qarkullimit të bizneseve prodhuese me 200 milionë euro

22 December 2025 at 20:35


Kandidati për deputet nga LDK, Berat Rukiqi, ka reaguar sërish lidhur me gjendjen ekonomike dhe sektorin e prodhimit në Kosovë, duke theksuar rënie të ndjeshme të qarkullimit të bizneseve prodhuese.

“Edhe njëherë për Hekuranin. Shiko pak qarkullimin e bizneseve që prodhojnë. Ka rënie në raport me vitin e kaluar”, ka shkruar Rukiqi.

Sipas tij, qarkullimi i këtyre bizneseve ka shënuar një ulje prej rreth 200 milionë euro, që përkthehet në −9% krahasuar me vitin 2024, duke rënë nga 1.9 miliardë euro në 1.7 miliardë euro.

Rukiqi e ka paraqitur këtë të dhënë si tregues shqetësues për ekonominë dhe prodhimin vendor.


Xhavit Haliti, i vetmi nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që garon për deputet

22 December 2025 at 20:21


Xhavit Haliti është një nga themeluesit e UÇK-së.

Pas goditjeve politike ndaj krerëve të luftës nga Gjyka ta Speciale, ai mbetet i vetmi ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që garon për deputet të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, me numrin 14.

Gjatë luftës çlirimtare, roli i tij ishte vendimtar në diplomaci.

Xhavit Haliti ishte ura lidhëse mes UÇK-së dhe diplomacisë ndërkombëtare, duke ndërtuar kontakte të drejtpërdrejta me diplomatë amerikanë dhe evropianë, në një kohë kur fati i Kosovës vendosej në tavolina të mëdha.

Rëndësia e tij strategjike u konfirmua edhe në proceset gjyqësore në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, kur John Duncan, ish-këshilltar i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, e cilësoi Xhavit Halitin si person me rëndësi të veçantë për NATO-n, duke kërkuar që çdo diskutim për të të zhvillohej në seancë të mbyllur.

❌
❌