Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Main stream

“Mëkati zikaltër” i Gjimshitit/ Kapiteni i kombëtares shkakton gabim të madh në Atalanta-Inter

By: Rovena
29 December 2025 at 12:51

Nuk ishte në formën e tij më të mirë.

Këtë e kishte të qartë Berat Gjimshiti, por edhe trajneri i Atalantës, Paladino, ndonëse e hodhi titullar në një betejë shumë të ashpër në Serinë A.

Në Bergamo mbërriti Interi, ekipi që bashkë me Napolin dhe Milanin, janë pretendentët kryesorë për titull, dhe kapiteni i kombëtares shqiptare pati një mbrëmje për t’u harruar.

Gabimet e tij erdhën radhazi, dhe një herë u shpëtua nga pozicioni jashtë loje dhe nga ndërhyrja e VAR-it, një herë tjetër nga gabimi I sulmuesit zikaltër Markus Turam, ndërsa herën e tretë ishte gjithçka fatale.

Pasimi i tij i pakujdesshëm krijoi golin e vetëm të ndeshjes. Interi fitoi falë rrjetës së kapitenit Lautaro Martinez, dhe e mbajti vendin e parë në Serinë A me 36 pikë në 16 ndeshje, një më shumë se Milani e dy mbi Napolin.

Sa për Gjimshitin, vlerësimet nga mediat sportive italiane dhe kontinentale ishin negative. “La Gazeta delo Sport” i dha notën 4.5, duke e cilësuar më të keqin tek Atalanta.

“Eurosport” e veçon që në titull në faqen e portalit të tij, ndërsa i vendos notën 4 për gabimin e pafalshëm. Natyrisht, në paraqitjen e tij të dobët ndikoi fakti se erdhi direkt nga dëmtimi dhe nuk mund të kishte formën e duhur fizike dhe për të përballuar një ritëm kaq të lartë.

Mëkat, sepse kapiteni i Shqipërisë ka qenë vazhdimisht ndër më të mirët e Atalantës, madje dikur i shënoi Interit një gol të bukur, në fitoren e madhe bergamaske 4-1./abcnews.al

Kupa e Afrikës, fitojnë favoritët/ Algjeria konfirmohet pretendente, mund 1-0 Burkina Faso

By: Rovena
29 December 2025 at 12:44

Kupa e Kombeve të Afrikës vazhdon pa surpriza, ndërsa pas sfidave të dyta në grupe ka projektuar edhe favoritët e parë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit në këtë kontinent.

Mbi të gjithë Algjeria, që me pikë të plota dhe pa pësuar asnjë gol kryeson Grupin E. Rijad Mahrez ishte edhe një herë udhëheqësi i skuadrës së tij në fitoren 1-0 kundër Burkina Faso.

Ish futbollisti i Manchester City goditi saktë nga pika e penalltisë në minutën e 23-të, duke vulosur suksesin e dytë radhazi të Algjerisë, që deri tani ka shpërblyer parashikimet që e shohin mes pretendentëve në këtë edicion të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Por sfida më e madhe e mbrëmjes, ishte ajo mes Bregut të Fildishtë dhe Kamerunit, dy skuadrat që kanë shkruajtur historinë e futbollit afrikan, duke e prezantuar atë edhe në nivelet më të larta.

Nuk kishte fitues në përballjen mes tyre të luajtur në Marakesh, pavarësisht lojës së bukur. Amad Diallo i Manchester United kaloi në epërsi skuadrën e tij, por Bregu i Fildishtë ishte i pafat, pasi autogoli i Konan vendosi fatin e ndeshjes në barazim.

Me këtë rezultat, Bregu i Fildishtë dhe Kameruni kryesojnë me pikë të barabarta Grupin F./abcnews.al

Muçi, goli i muajit në Turqi/ Ylli shqiptar e fiton për herë të dytë këtë çmim individual

By: Rovena
29 December 2025 at 12:40

Një tjetër provë se është krejtësisht i veçantë. Klasi dhe eleganca e një ylli si Ernest Muçi u veçua sërish në Turqi, dhe futbollistit shqiptar i dhanë çmimin e golit më të bukur të muajit.

Superliga turke nuk pati menu më të shijshme në dhjetor sesa rrjeta e dytë që talenti kuqezi realizoi në ndeshjen Trabzonspor-Gëztepe.

Koordinimi dhe shkalla e vështirësisë ishin në nivele maksimale. Në atë sfidë të elitës turke, Muçi shënoi të dy golat, duke qenë më i miri në fushë.

Lojtari i përfaqësueses shqiptare e ka për herë të dytë këtë vlerësim individual. Më herët, ai fitoi çmimin e golit më të bukur të muajit nëntor për realizimin nga goditja e dënimit në sfidën Trabzonspor-Konjaspor që përfundoi 3-1.

Sipas të gjitha mundësive, kjo rrjetë e Muçit mund të jetë kandidate edhe për të fituar trofeun sezonal. Forma e tij ka qenë e shkëlqyer dy muajt e fundit.

Shqiptari 24-vjeçar ka realizuar 7 herë në vetëm 5 ndeshje, duke u kthyer në lojtarin më të mirë të ekipit, dhe në shpresën kryesore për të pretenduar titullin kampion në Turqi./abcnews.al

“Mbretërit” kthejnë Lakers te fitorja/ Luka Donçiç dhe LeBron James nxjerrin nga kriza skuadrën e tyre

By: Rovena
29 December 2025 at 12:37

Nuk është momenti më i mirë i sezonit, por për momentin te Los Angeles Lakers mund të festojnë.

Pas dy humbjeve radhazi dhe kritikave për rendimentin e dobët të yjeve të saj, skuadra kaliforniane u kthye te suksesi në NBA, duke mundur bindshëm Sacramento me 24 pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 125-101.

Luka Donçiç u kthye sërish ai I fillimit të sezonit. Basketbollisti slloven ishte më i miri në parket me 34 pikët e shënuara.

Ashtu si në ndeshjet e fundit, Donçiç kishte një mesatare të dobët në goditjet për tre, gjithsesi kontribuoi edhe me pesë topa të kapur në tabelë dhe shtatë asist për shokët e skuadrës.

Një paraqitje të mirë bëri edhe LeBron James. “Mbreti” shënoi 24 pikë dhe u ipenjua shumë në mbrojtje, duke bërë një autokritikë për sfidat e fundit nën nivel.

Po ashtu, meritë në suksesin e Lakers kishte edhe Nick Smith Jr, që shënoi 21 pikë të tjera nga stoli.

Nga ana tjetër, Sacramento Kings bënë një sfidë të dobët, nga e cila mund të shpëtojë vetëm DeMar DeRozan, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan.

Në hije qëndroi Rusell Wtbrook, që gjithsesi me 13 pikët e shënuara mund të shijojë një krenari personale, pasi u ngjit në vendin e 16 të realizuesve më të mirë në historinë e NBA.

 

Trump-Zelensky: Vlerësime pozitive pas takimit në Florida

By: Rovena
29 December 2025 at 12:15

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, folën pozitivisht për bisedimet e zhvilluara në Florida. Trump tha se kishte pasur “progres të madh” dhe se ata ishin shumë më afër një marrëveshjeje ruso-ukrainase, por shtoi, se mbeteshin një ose dy çështje të vështira. Javët në vijim do të tregojnë nëse mund të arrihet një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Zelensky, nga ana e tij, tha se pati një diskutim të shkëlqyer me Trump.

Asnjëra palë nuk dha detaje specifike, nëse ka progres në lidhje me lëshimet territoriale. Vlerësimet për gjendjen aktuale të bisedimeve gjithashtu ndryshonin në disa aspekte – për shembull, në lidhje me garancitë e sigurisë që synojnë të parandalojnë Rusinë nga një pushtim i ri i Ukrainës pas një armëpushimi të mundshëm. Zelensky deklaroi se kjo çështje ishte zgjidhur 100 për qind, ndërsa presidenti i SHBA-së tha se ishte zgjidhur 95 për qind.

Evropianët të lidhur me video

Delegacionet nga Ukraina dhe SHBA-ja ishin takuar më parë në pronën private të Trumpit në Mar-a-Lago. Sipas presidentit amerikan, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane iu bashkuan takimit në distancë. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në platformën X se ishte bërë përparim i mirë gjatë videokonferencës që zgjati afërsisht një orë. Evropa është e gatshme të vazhdojë të punojë me Ukrainën dhe partnerët e saj amerikanë për të konsoliduar këtë përparim. “Garancitë e palëkundura të sigurisë” që nga dita e parë janë thelbësore.

Trump: “Qëllime serioze për paqen” edhe tek Putini

Përfaqësuesit e Rusisë, e cila e filloi luftën pothuajse katër vjet më parë, nuk ishin të pranishëm në bisedimet dypalëshe; SHBA-të e shohin veten si ndërmjetës në konflikt. Megjithatë, Trump deklaroi pas takimit se Rusia do të ndihmonte në rindërtimin e Ukrainës. Ende nuk ka pasur asnjë deklaratë nga qeveria në Moskë pas takimeve. I dërguari i posaçëm rus, Kirill Dmitriev, shkroi në një reagim fillestar ndaj takimit në X: “E gjithë bota i njeh përpjekjet për paqe të Presidentit Trump dhe ekipit të tij.”

Presidenti amerikan ishte shprehur para takimit, se ishte i bindur se mund të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Presidenti rus Vladimir Putin, ashtu si Zelensky, ka qëllime “serioze” për paqen, tha Trump. Trump theksoi se Ukraina do të merrte garanci “të forta” sigurie në rast të një marrëveshjeje mbi një plan paqeje, në të cilin do të marrin pjesë edhe evropianët. Pas takimit në Florida, Zelensky tha, se ekipet negociuese nga të dy vendet do të takoheshin përsëri në javët e ardhshme për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuara. Presidenti ukrainas njoftoi se një takim me Trumpin, ukrainasit dhe evropianët mund të zhvillohet në Uashington në janar./DW

Vlorë, banorët në protestë/ Katër ditë pa ujë, kërkojnë zgjidhje nga bashkia

By: Rovena
29 December 2025 at 10:26

Mungesa e ujit të pijshëm për të katërtën ditë radhazi, ka nxjerrë qytetarët e Vlorës në protestë. Qytetarët protestojnë para dyerve të bashkisë së Vlorës dhe kërkojnë zgjidhje të këtij problemi.

Plani i paqes, asnjë përparim/ Takimi Trump-Zelensky, nuk ka zgjidhje për Donbasin dhe garancitë e sigurisë

By: Rovena
29 December 2025 at 10:13

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky janë shumë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por fati i rajonit të Donbasit mbetet ende çështja kryesore e pazgjidhur.

Të dy udhëheqësit u takuan në vendpushimin e presidentit amerikan në Mar a Lago, Florida pasditen e së dielës.

Bisedimet sollën përparim në lidhje me garancitë e sigurisë që Ukraina kërkon për t’i dhënë fund luftës, por ende nuk ka një dakordësi të plotë.

Si Trump ashtu edhe Zelensky ofruan pak detaje dhe nuk dhanë një afat kohor për firmosjen e një marrëveshjeje paqeje, megjithëse Trump tha se do të jetë e qartë brenda disa javësh nëse negociatat për t’i dhënë fund luftës do të kenë sukses.

Zelensky tha se është arritur një marrëveshje mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën. Trump ishte pak më i kujdesshëm, duke thënë se ata ishin 95% të rrugës drejt një marrëveshjeje të tillë dhe se ai priste që vendet evropiane të merrnin përsipër një pjesë të madhe të kësaj nisme me mbështetjen e Uashingtonit.

“Diskutuam të gjitha aspektet e kornizës së paqes që dhe kemi arritje të mëdha, një plan paqeje me 20 pika të dakordësuar 90%. Ramë dakord që garancitë e sigurisë janë momenti kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme dhe ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha aspektet. Ukraina është gati për paqe, dhe do të doja të falënderoja Presidentin Trump për një pritje të ngrohtë dhe diskutim thelbësor”, tha Zelensky.

Por nëse garancitë e sigurisë janë një pikë e negociueshme, çështja e territoreve duket se kalon një vijë të kuqe, si për Kievin, ashtu edhe për Moskën.

Trump e konfirmoi se mosmarrëveshjet për tokën mbeten një pikë ngërçi, por sipas tij Vladimir Putin dëshiron paqe, edhe pse Rusia nisi një tjetër raund sulmesh teksa Zelensky udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.

“Toka për të cilën po flasim, një pjesë e asaj toke është marrë. Një pjesë e asaj toke ndoshta është e disponueshme për t’u marrë, por mund të merret gjatë periudhës së ardhshme prej disa muajsh. Dhe është më mirë të bëhet një marrëveshje tani. Ukrainasit kanë qenë shumë të guximshëm. Ata luftuan shumë fort dhe vazhdojnë të luftojnë shumë fort dhe të shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme”, tha Trump.

Madje në një moment Trump tha se Rusia dëshiron që ta shohë Ukrainën të ketë sukses, gjë që u ndesh me reagimin e presidentit Zelensky.

Pas diskutimit të tyre, Zelensky dhe Trump thirrën një grup udhëheqësish evropianë, përfshirë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, dhe udhëheqësit e Finlandës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë.

Trump mori gjithashtu një ftese për t’iu drejtuar parlamentit të Ukrainës, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje./abcnews.al

Shpërthejnë protestat në Siri pas sulmit vdekjeprurës në një xhami

By: Rovena
29 December 2025 at 09:37

Kanë shpërthyer të dielën përleshjet në bregdetin e Sirisë midis protestuesve nga pakica fetare aleavite dhe kundër-demonstruesve, dy ditë pas një sulmi me bombë në një xhami alavite në qytetin e Homsit që ka lënë të vdekur tetë persona dhe të plagosur 18 të tjerë, gjatë lutjeve.

Mijëra protestues janë mbledhur në qytetet bregdetare të Latakias dhe Tartusit, si dhe gjetkë.

Zyrtarët kanë thënë se hetimet paraprake tregojnë se pajisje shpërthyese ishin vendosur brenda xhamisë në Homs, por autoritetet nuk kanë identifikuar ende publikisht një të dyshuar për bombardimin e së premtes.

Një grup pak i njohur që e quan veten Saraya Ansar al-Sunna mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë të postuar në kanalin e tij Telegram, në të cilën tregoi se sulmi kishte për qëllim të synonte anëtarët e sektit alevit, një degë e Islamit shiit të cilën islamistët e vijës së ashpër e konsiderojnë si femohuese.

Protestat e së dielës u thirrën nga Ghazal Ghazal, një sheik alavit që jeton jashtë Sirisë, i cili kryeson një grup të quajtur Këshilli i Lartë Islamik Alavit në Siri dhe Diasporë.

Televizioni shtetëror i Sirisë raportoi se dy anëtarë të forcave të sigurisë u plagosën në zonën e Tartusit pasi dikush hodhi një granatë dore në një stacion policie, dhe veturat që i përkisnin forcave të sigurisë u vunë në flakë në Latakia.

Vendi ka përjetuar disa valë përleshjesh sektare që nga rënia e ish-presidentit Bashar Assad në një ofensivë të rrufeshme rebele në dhjetor 2024 që i dha fund gati 14 vjetëve lufte civile. Assad, një alavit, ka ikur në Rusi.

Gjatë sundimit të dinastisë Assad, alavitët ishin të mbipërfaqësuar në punët qeveritare dhe në ushtri e në forcat e sigurisë.

Zyrtarët qeveritarë e dënuan sulmin e së premtes dhe premtuan se do t’i mbajnë autorët përgjegjës, por ende nuk kanë njoftuar për ndonjë arrestim.

Before yesterdayMain stream

Izraeli njohu Somalilandin si shtet, Somalia dhe Unioni Afrikan reagojnë ashpër

By: Rovena
27 December 2025 at 22:47

Një “tërmet” diplomatik ka përfshirë Afrikën këtë të premte, pasi Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur dhe sovran.

Ky vendim ka ngjallur zemërim të madh në Somali, e cila e konsideron këtë rajon si pjesë të saj.
Somalilandi deklaroi pavarësinë nga Somalia në vitin 1991, por për dekada me radhë nuk ka arritur të marrë njohje ndërkombëtare.
Vendimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u prit me festime në rrugët e kryeqytetit të Somalilandin, Hargeisa, ku qytetarët dolën me flamuj në duar.

Reagimet ndërkombëtare: Pse kundërshtohet njohja?

Lëvizja e Izraelit është dënuar nga shumë faktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Somalia e quajti vendimin një “sulm të qëllimshëm” mbi sovranitetin e saj dhe një kërcënim për paqen në rajon.

Unioni Afrikan (AU) paralajmëroi se kjo vendos një “precedent të rrezikshëm” për kufijtë në të gjithë kontinentin afrikan.

Turqia dhe Egjipti, aleatë të ngushtë të Somalisë, e cilësuan lëvizjen si ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Autoriteti Palestinez, akuzoi Izraelin se kjo njohje mund të lidhet me plane për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza drejt këtij rajoni.

Pozicioni i SHBA-ve dhe Donald Trump

I pyetur nga mediat nëse SHBA-të do të ndiqnin shembullin e Izraelit, Donald Trump u përgjigj shkurt: “Jo”. Ai shtoi me ironi: “A e di njeri me të vërtetë se çfarë është Somalilandi?”.

Ekspertët besojnë se pas këtij vendimi qëndrojnë interesat strategjike.

Izraeli ka nevojë për aleatë në këtë rajon për të luftuar kërcënimet nga rebelët Houthi në Jemen.

Somalilandi ka një pozicion kyç në Gjirin e Adenit dhe zotëron ushtrinë, monedhën dhe pasaportat e veta, pavarësisht mungesës së njohjes deri më sot.

Çfarë pritet të ndodhë?

Kjo njohje mund të nxjerrë Somalilandin nga izolimi diplomatik dhe t’i hapë rrugën investimeve të huaja, por nga ana tjetër rrezikon të nxisë një konflikt të ri në Afrikë.

Somalia ka deklaruar se do të mbrojë integritetin e saj territorial me çdo kusht.

Studimi: Një në tre të rritur përdorin inteligjencën artificiale për mbështetje emocionale

By: Rovena
27 December 2025 at 22:35

Një në tre të rritur në Mbretërinë e Bashkuar po përdorin inteligjencën artificiale (IA) për mbështetje emocionale ose për biseda sociale, sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Sigurisë së IA-së (AISI).

Raporti zbulon se një në 25 persona përdorin çdo ditë teknologjinë për mbështetje ose për biseda. Përdoruesit e shumtë preferojnë chatbote si ChatGPT dhe asistentë zanorë si Alexa për të ndihmuar në përballimin e ndjenjave të vetmisë ose për të pasur një kontakt social.

Hulumtuesit gjithashtu analizuan një komunitet online me mbi dy milion përdorues në Reddit, të përkushtuar për shokët virtualë të IA-së. Ata vunë re se kur chatbot-et ndaleshin, përdoruesit raportonin ndjenja ankthi, depresioni dhe shqetësime të gjumit.

Raporti tregon se aftësitë e IA-së po rriten me shpejtësi. Sistemet e avancuara mund të kryejnë tashmë detyra komplekse kibernetike që zakonisht kërkojnë mbi 10 vjet përvojë. Për më tepër, modelet e IA-së kanë tejkaluar ekspertët njerëzorë në biologji dhe po përparojnë shpejt në kimi.

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku i humbjes së kontrollit mbi sistemet e avancuara të IA-së po merret seriozisht nga shumë specialistë. Testimet tregojnë se teknologjia mund të zhvillojë disa aftësi për riprodhim virtual, por aktualisht nuk ka kapacitet të kryejë këto veprime në botën reale pa u zbuluar.

Kompanitë teknologjike përdorin masa të shumta mbrojtëse, por raporti zbuloi se disa modele mund të gjejnë “rrugëdalje universale” për të shmangur këto kufizime. Megjithatë, koha e nevojshme për ta bërë këtë është rritur dukshëm në gjashtë muajt e fundit.

Raporti nuk trajton ndikimin e IA-së në humbjen e vendeve të punës apo efektet mjedisore, duke u përqendruar kryesisht te pasojat sociale dhe përdorimi i teknologjisë.

“Gurët e shtëpisë time”/ “Razma, “Në Shkodër të vish…”!

By: Rovena
27 December 2025 at 22:03

Në një ditë fillim-dimri, herët në mëngjes, jemi nisur drejt Razmës, në komunën e Shkrelit, 43 km larg Shkodrës. Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Rreth viteve 1920, zotnitë apo tregtarët shkodranë ndërtuan këtu shtëpitë e tyre verore, por ata që e zbuluan Razmën e bukur, ishin austriakët.

Nikolin Pepaj na tregon se në Razëm, gjithçka është e ndërtuar me gurë dhe dru, dhe bujtinat janë në harmoni të plotë me natyrën. Buka e Razmës, kaçamaku, maza, turshitë, byreku, “çfarë të do zemra” e gjen këtu.

Nikolin Pepaj është djali që nuk e deshi emigrimin. Përfundoi një shkollë për turizëm dhe menaxhon bujtinën, ndërkohë që biznesi vazhdon të zgjerohet. Babai i tij, Gjergj Pepaj, na tregon historinë e Razmës, që nga tregtarët e Shkodrës deri te konfiskimi i pronave të tregtarëve shkodranë në kohën e komunizmit. Punonin në kooperativë, në punë që në 6 të mëngjesit, në dimër dhe në verë, në borë e në shi. “Nuk do t’i kisha çuar kurrë fëmijët në emigracion”, na thotë.

Në vatrat e Razmës, zjarri i druve, ushqimet tradicionale dhe shumë dashuri. Toni Ramaj ka bërë rrugët e emigracionit, nga Greqia në Angli, por siç na thotë, Greqia ishte ndryshe. Vendosi të kthehej dhe të ndërtonte një bujtinë në Razëm. “Më mirë bukë, djathë e shellirë në shtëpinë tënde”, na thotë. Ka punuar që fëmijë, kur mblidhnin bimë mjekësore për të ndihmuar familjen.

Në Shkodër, Ferdi Sterkaj na thotë se Razma është shembulli sesi kanë qëndruar në fshat dhe kanë zhvilluar turizmin. Ndikimi i turizmit është i tillë sa Vrithi, pjesë e të cilit është Razma, ka më shumë të rinj sesa në të gjithë zonën. Razma është shembulli i ringritjes së një fshati turistik në veri, ku e gjithë zona jeton nga turizmi./abcnews.al

Zelensky në Kanada për takime vendimtare për Ukrainën

By: Rovena
27 December 2025 at 21:46

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Halifax, Nova Scotia, për bisedime me kryeministrin kanadez Mark Carney.

Dyshja do të diskutojë luftën në Ukrainë dhe më vonë do të zhvillojë një telefonatë me disa nga aleatët kryesorë të Ukrainës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Pas telefonatës, Zelensky do të shkojë në Florida, ku do të takohet me Donald Trumpin nesër.

Carney falënderoi Zelenskyin për takimin me të në Kanada në “këtë moment vendimtar në procesin e paqes”.

“Ne kemi kushtet, mundësinë, për paqen e drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Por ai shton se kjo kërkon një “Rusi të gatshme”, të cilën e dënon për një sulm “barbar” gjatë natës në kryeqytetin e Ukrainës.

Banda frymore e Fierit/ Historia e kërkesës që nuk u shpërbë as gjatë luftës

By: Rovena
27 December 2025 at 20:37

Tinguj që krijojnë atmosfere dhe dhurojnë emocione, jo në skenë, por në rrugë. Është banda frymore e Fierit, ekziston prej 87 vitesh dhe nuk e ka ndërprerë aktivitetin asnjëherë.

Konceptuar si orkestra me karakter ushtarak që shoqërojnë ngjarjet dhe eventet kombëtare, bandat frymore, janë ndër institucionet me jetëgjatë në vend. E tillë është banda e Fierit, në të cilën kanë marrë pjesë qindra instrumentistë ndër dekada. Albert Gero, është një prej veteranëve të kësaj bande.

Themeluar në vitet 1930, banda e Fierit po përballet me sfidën e largimit të instrumentistëve.

Tingëllon klishe, por pasioni është forca që mban bashkë këtë grup muzikantësh më tepër se shpërblimi monetar. Një orkestër që skenë ka sheshet e qyteteve kurse repertor ngjarjet historike.

Orkestra frymore e Fierit ka në përbërje të saj 27 instrumentistë. Që prej vitit 2022, çdo 24 dhjetor realizon koncertin e “Krishtlindjes” për të cilin instrumentistët përgatiten përgjatë gjithë vitit.

Vazhdimësia e bandës frymore të Fierit lidhet edhe me ekzistencën e shkollës artistike “Jakov Xoxa” ku janë përgatitur breza të tërë instrumentistësh./abcnews.al

Qendër e re arti në Lezhë/ Qyteti pasurohet me galerinë e piktorit Pashk Pervathi

By: Rovena
27 December 2025 at 20:26

Lezha i shton hartës së saj kulturore një destinacion të ri të artit pamor, me hapjen e Galerisë së piktorit të njohur Pashk Përvathi. Në këtë galeri janë ekspozuar 82 nga punimet më përfaqësuese të artistit, të realizuara gjatë një veprimtarie krijuese mbi 40-vjeçare.

Hapja e galerisë u shoqërua me një ceremoni të veçantë, ku morën pjesë autoritete lokale, artistë, kritikë arti, si dhe miq e bashkëpunëtorë të piktorit. Ekspozita është e përhershme dhe e hapur për publikun dhe artdashësit e pikturës.

Për piktorin Pashk Përvathi, hapja e një galerie në qytetin e tij të lindjes ka qenë një ëndërr e kahershme. Ai shprehet se kjo galeri do të shërbejë si një aset i rëndësishëm kulturor për Lezhën.

Të pranishmit në këtë aktivitet, mes tyre kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, si dhe artistë e kritikë arti, vlerësuan kontributin e Pashk Përvathit në artin figurativ shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm publikimin dhe ekspozimin e këtyre veprave për publikun.

Veprat e ekspozuara në galeri i përkasin periudhës nga viti 1984 e në vijim dhe dominohen nga gjinia e peizazhit, me motive nga të gjitha trevat e Shqipërisë, duke e shndërruar këtë galeri në një pasuri të çmuar kulturore për qytetin e Lezhës.

Këpucari i fundit i Kukësit/ Isuf Kovaçi, mjeshtër në krijimin e këpucëve tradicionale

By: Rovena
27 December 2025 at 20:21

Në dorë ka një palë këpucë tipike tradicionale të Kukësit. Ky zanat është i vështirë thotë Isufi, por ka arritur ta marrë në kohë dhe e mban ende.

E ka nisur që herët me përfundimin e kursit të këpucarit, e më pas në punë pranë repartit ushtarak. E mban mend kohën kur ka nxjerrë këpucët e para nga dora e tij.

Kukësi gjithmonë kishte emër për prodhimin e këpucëve me porosi. Prodhon të gjitha llojet e këpucëve, deri edhe për ato që kanë probleme me këmbët.

Sjell në kujtesë një moment të veçantë për një ushatr të UÇK-së, i plagosur në këmbë nga minat.

Nuk harron vitet e para ’90-ës, porositë e shumta e se sa i duhej të rrinte edhe në orët e vona për të përmbushur porositë.

Prej kohësh ka nisur të prodhojë edhe këpucë artistike, ndërsa porositë i vijnë nga ansamble artistike e grupe nga të gjitha trevat.

Isufi thotë se këpucët artistike janë shumë të vështira për t’u punuar. Këpucët e punuara nga mjeshtri Kovaçi kanë shkuar edhe në shumë shtete përtej oqeanit. Fatkeqësisht, sipas artizanit, për këtë zanat nuk ka fuqi punëtore, e po shkon drejt shuarjes./abcnews.al

Pasioni i veçantë për kërpudhat/ Flet grumbulluesi Ermal Duka: “Gjuetinë” e nis pas kafes së mëngjesit

By: Rovena
27 December 2025 at 20:13

Ky është pasioni i Ermal Dukës, diçka që fillimisht e nisi për t’u bërë shoqëri miqve italianë kur jetonte atje, por që me kalimin e kohës u kthye në një pjesë të pandashme të jetës së tij.

Ky sezon nuk ishte i mirë për mbledhjen e kërpudhave në malet e Mirditës, por Ermali shpjegon se çfarë mund të gjendet në këtë periudhë.

Kërpudhat kanë vlera ushqyese, por gjithmonë kërkojnë kujdes. Njohja e tyre është thelbësore, sepse natyra ofron njëkohësisht shije dhe rrezik.

Në pyll, disa kërpudha që shfaqen në trungun e lisit për Ermalin janë një mundësi për një drekë të shijshme, por vetëm nëse njihen me siguri absolute.

Përtej shijes, kërpudhat janë një burim i rëndësishëm ushqyes dhe, sipas Ermalit, në disa raste edhe më të shëndetshme se mishi.

Përmes eksperiencave të huaja, kërpudhat janë bërë pjesë e recetave moderne, të cilat Ermali i ka futur edhe në restorantin e tij.

Një nga recetat më interesante është ajo që Ermali e quan “sallata e të varfërve”, një pjatë me histori dhe domethënie.

Pasioni për kërpudhat e ka shtyrë Ermal Dukën të organizojë edhe guida për të apasionuarit, ku kërkimi, njohja dhe gatimi bëhen një eksperiencë e plotë.

Edhe pse shumë kërpudha nuk janë në sezon, kushtet klimatike ndonjëherë i nxjerrin jashtë kohe, dhe Ermali e shpjegon këtë me detaje.

Në zonën e Mirditës mund të gjesh kërpudha të shumta dhe shumë të shijshme, por duhet të dish ku, kur dhe si t’i kërkosh.

Pasi kërkimi përfundon, vjen procesi i gatimit. Një rizoto dhe sallata e të varfërve përgatiten me kërpudhat e mbledhura.

Për ata që duan ta përjetojnë gjithë procesin, nga kërkimi i kërpudhave në pyll, te guida, gatimi dhe shijimi, Ermal Duka mbetet një zgjedhje e sigurt. Njohuritë, përvoja dhe pasioni e bëjnë atë një udhërrëfyes të vërtetë të botës së kësaj bime./abcnews.al

❌
❌