Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Begaj uron Krishtlindjen: E ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri

25 December 2025 at 14:20

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, uroi sot besimtarët e krishterë për Krishtlindjen ndërsa mesazhin e parë e përcolli nga kisha katolike e Shna Ndoit në Laç.

“Kjo ditë e shenjtë ndez te ne shpresën dhe besimin se e ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri”, u shpreh, ndër të tjera, Begaj.

“Ju përcjell të gjithë besimtarëve të krishterë urimet më të ngrohta për Krishtlindje nga Kisha e Shna Ndout, në Laç, vend i bekuar, ku vijnë mijëra besimtarë të të gjitha feve.
Kjo ditë e shenjtë ndez te ne shpresën dhe besimin se e ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri”, ishte mesazhi i Begajt nga Kisha e Laçit.

Më pas, Kreu i Shtetit zhvilloi vizita të veçanta në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë në Tiranë.
Pas takimit me Fortlumturinë e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Presidenti i Republikës përcolli mesazhe për respekt ndaj njëri-tjetrit dhe kujdes ndaj njerëzve më të nevojë.

“Uroj të gjithë besimtarët e krishterë, gëzuar Krishtlindjen! Është një ditë e shenjtë, që shënon vlerat më të larta të besimit, të dashurisë, të solidaritetit, vlera në fakt që përfaqësojnë identitetin tonë dhe atë çfarë ne njihemi botërisht, të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Kjo ditë duhet të na bëjë të respektojmë dhe të duam më shumë njëri-tjetrin, por mbi të gjitha, të kuptojmë dhe ndihmojmë ata që janë më të dobët, prandaj uroj që kjo Krishtlindje të jetë një Krishtlindje e mbushur me gëzim dhe begati e bekime, për çdo besimtar e për çdo shqiptar, dhe uroj një Vit të Ri sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët”  u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit uroi edhe besimtarët ungjillorë, duke u shprehur që bekimet e kësaj dite të jenë me ta dhe gëzimi të hyjë në çdo derë.

“Krishtlindja na sjell më shumë se çdo periudhë tjetër e vitit magjinë dhe dashurinë e Krishtit. Qoftë kjo Krishtlindje e mbushur me paqe dhe çaste të bukura të ndara  në familje  e me të dashurit tuaj!”, tha Begaj.

/m.q/j.p/

The post Begaj uron Krishtlindjen: E ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha uron Krishtlindjen: Le të festojmë me besim dhe shpresë

25 December 2025 at 12:26

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

Nga selia e Sinodit të Shenjtë të kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, ku takoi edhe kryepeshkopin Joan, kreu i PD-së, uroi shqiptarët që ta festojnë këtë Krishtlindje me besim e shpresë.

“Erdha të shpreh urimet e mia, nderimin tim më të madh për kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, bashkëpunëtorët e tij, besimtarët orthodoksë në Shqipëri dhe kudo që janë. Kjo është një ditë e madhe, jo vetëm në historinë e krishtërimit, por edhe në historinë e qytetërimit botëror dhe qytetërimit perëndimor, në veçanti”, u shpreh Berisha pvr mediet pas takimit me kryepeshkopin Joan.

“Uroj çdo shqiptar që këtë ditë ta festojë me besim dhe shpresë për Krishtlindje më të mira vitin e ardhshëm. Gëzuar!”, tha Berisha.

/m.q/j.p/

The post Berisha uron Krishtlindjen: Le të festojmë me besim dhe shpresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zyrat e IdentiTek të hapura nesër në 12 qarqet e vendit

25 December 2025 at 12:12

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ IdentiTek njofton se ditën e premte, zyrat e aplikimit për dokumente identifikimi do të jenë të hapura dhe në shërbim të qytetarëve nga ora 09:00 deri në 12:00, në 12 qarqet.

Shërbimi do të ofrohet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, Dibër, Berat, Kukës dhe Gjirokastër.

Në qytetin e Tiranës, qytetarët do të mund të marrin shërbim pranë:

IdentiTek – Njësia 2
IdentiTek – Njësia 4

Në çdo zyrë, që do të jetë e hapur gjatë këtij orari, qytetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet, pavarësisht gjendjes civile.

Ky orar shërbimi është vendosur për të lehtësuar fluksin gjatë festave të fundvitit dhe për t’iu përgjigjur nevojave të shtetasve, që vijnë nga jashtë vendit për një periudhë të shkurtër qëndrimi në Shqipëri, duke u ofruar akses më të shpejtë në shërbimet e identifikimit.

/m.q/j.p/

The post Zyrat e IdentiTek të hapura nesër në 12 qarqet e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluturimi i flamingove në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”

25 December 2025 at 12:02

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/  Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë e mbrojtur që shtrihet si një brez i gjelbër përgjatë bregdetit Adriatik, u “pushtua” nga fluturimi i flamingove, zogjtë me qafë të gjatë e të harkuar dhe këmbë të holla.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të flamingove që fluturojnë mes lagunës, duke e kthyer këtë park edhe në një destinacion të veçantë të ekoturizmit në Shqipëri.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra, madje me një këmbë edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2-3,6 kg. Nisur nga madhësia trupore dhe ngjyra, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.

/m.q/j.p/

The post Fluturimi i flamingove në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Besimtarët ortodoksë në meshën e Krishtlindjes, Kryepeshkop Joani: Festa vjen si rreze shprese e paqeje

25 December 2025 at 11:39

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua mëngjesin e kësaj të enjteje të 25 dhjetorit, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit.

Mesha e Shenjtë e Krishtlindjeve u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.

Besimtarët e shumtë që mbushën Katedralen, morën mesazhe shprese në ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Në urimin e tij, Kryepeshkop Joani tha se “ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”.

“Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore, për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë”, u shpreh ai.

“Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje”, vijoi Kryepeshkopi.

Kryepeshkop Joani theksoi se tani më shumë se kurrë bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

“Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë”, tha ai.

Kryepeshkopi shtoi se “për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore”.

“Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi”, përfundoi ai.

Mesha e Krishtlindjes në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, foto: Florian Abazaj
1 nga 18

/m.q/j.p/

The post Besimtarët ortodoksë në meshën e Krishtlindjes, Kryepeshkop Joani: Festa vjen si rreze shprese e paqeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron Krishtlindjen me imazhin e “Çetës së Profetëve”

25 December 2025 at 09:00

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

Kreu i qeverisë në mesazhin e urimit publikoi një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Katolikët mbajtën meshën në mesnatë, ndërsa besimtarët ortodoksë mblidhen sot në meshë për t’ia lënë vendin më pas festimeve familjare.

/m.q/j.p/

The post Rama uron Krishtlindjen me imazhin e “Çetës së Profetëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mila: Pranë grave kryefamiljare, të ndërtojmë së bashku të ardhme më të sigurt për fëmijët

24 December 2025 at 23:17

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Rreth 100 fëmijë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në qarkun e Elbasanit, apo që rriten nga nëna kryefamiljare, patën mundësinë që këtë fund vit të gëzojnë dhe të presin dhuratat e babagjyshit si të gjithë fëmijët e tjerë.
Në aktivitetin e organizuar me rastin e festave të fundvitit, jo vetëm si një mundësi për të gëzuar fëmijët, por edhe për të biseduar me gratë kryefamiljare, deputetja Sara Mila tha se do të jetë pranë këtyre familjeve për çdo lloj mbështetje që ata kanë nevojë, sidomos për të dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

“Ne do të jemi gjithmonë pranë për t’iu ndihmuar. Edhe sot pavarësisht festës, ne do të kemi një mundësi që të ulemi dhe të shikojmë të gjitha mundësitë që zyra e punës ofron për të gjitha ju qoftë për punësim qoftë për trajnime të mundshme që pastaj të shkoni drejt punësimit. Nuk jam thjesht përfaqësuesja juaj në Parlamentin e Shqipërisë, jam njëra nga ju. Jam një mami që kalon shumë pak kohë me vajzën time në mënyrë të atillë që të mundem që nëpërmjet shembullit që jap ta bëj atë që të jetë e pavarur nesër sepse pa diskutim nuk mund të varemi më në krahët e njëri – tjetrit. Duhet të varemi te krahët dhe shpatullat tona”, u shpreh deputetja Mila.

Drejtuesja e zyrës së punës në Elbasan, Marsida Hyseni, e pranishme në këtë takim u njoh me raste konkrete, të cilat kërkonin vëmendje më imediate për situatat specifike. Gjithashtu ajo dhe stafi i zyrës së punës ofruan informacion mbi të gjitha programet e mbështetjes dhe mekanizmat se si këto familje të munden të përfitojnë.

“Ju përfitoni programe të nxitjes së punësimit të cilat zyra e punës i ofron. Nxitja punësimit është për ju që keni kujdesin për fëmijët apo kujdesin për moshat e teta apo që keni prindër në shtëpi, të afërm që mund të kujdeseni dhe e keni të pamundur që të punoni me kohë të zgjatura. Ne kemi disa programe të cilat ndihmojnë për një vit që ju të paktën të filloni të dilni nga shtëpia. Mbi të gjitha do vijë një moment që do na vijë dhe pensioni dhe në momentin që nuk keni kontribute do të thotë që ne nuk do të arrijmë dot të sigurojmë një pension”, u shpreh ajo.

“Atëherë pse të lodhemi kaq gjatë dhe të rrimë në pritje kur ne mund të punojmë sot, të integrojmë veten tonë. Zyra e punës ofron programe të nxitjes së punësimit, formim profesional për secilin prej jush që ka dëshirën e mirë të formohet nga ana profesionale sepse tipologjia e qytetit të Elbasanit patjetër që është nj qytete industrial dhe e ka fokusin te kjo fushë, por jo vetëm. kemi dhe punë të tjera, të cilat janë dhe në fushën e ekonomisë, dikush që ka mbaruar studimet apo fëmijët tuaj që kanë mbaruar një studim akademik apo fëmijët tuaj që anë mbaruar një formim profesional në shkollat e formimit profesional duhet të afrohen pranë zyrave të punës që të bëjmë regjistrimet, ti orientojmë drejt formimit profesional. Mund të trajnoheni nga zyra e punës në qendrën e formimit profesional dhe ky trajnim është falas në momentin që ti bëhesh pjesë e zyrës së punës dhe behësh pjesë e një pune të denjë”, theksoi ajo.

Deputetja Mila vuri theksin te ndihma e mëtejshme për fëmijët që kalojnë moshën 18 vjeç duke u ndalur te prioritetet që ata kanë si në aplikimin e kredive të buta ashtu edhe në banesat sociale që ofrohen nga bashkia apo qoftë dhe nga institucione vendore që kanë bashkëpunim me bashkinë.

/m.q/j.p/

The post Mila: Pranë grave kryefamiljare, të ndërtojmë së bashku të ardhme më të sigurt për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP arreston efektivin e policisë në Tiranë

24 December 2025 at 23:14

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) arrestoi sot në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor M. K., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë DVP Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas AMP-së, arrestimi i tij u krye pasi ditën e sotme rreth orës 17:30, gjatë drejtimit të motomjetit në bulevardin “Bajram Curri” ka aksidentuar shtetasin P. F., 65 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë dhe si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë rreth orës 21:00. I dëmtuar ka mbetur gjithashtu edhe punonjësi i policisë.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

/m.q/j.p/

The post AMP arreston efektivin e policisë në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Kuvendi, takim vjetor koordinues me Prezencën e OSBE-së

24 December 2025 at 20:07

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Administrata e Kuvendit, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi takimin vjetor koordinues të fundvitit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha shërbimeve të Kuvendit.

Takimi u fokusua në analizën e arritjeve dhe sfidave të vitit 2025, përcaktimin e prioriteteve strategjike për planifikimin e punës gjatë vitit 2026.

Në fjalën përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, vuri theksin te rëndësia e forcimit të koordinimit institucional në kushtet e fillimit të legjislaturës së re.

Takimi vijoi me një analizë të zhvillimeve dhe sfidave kryesore në fillimin e legjislaturës së re, riorganizimin e punës sipas strukturës së re të komisioneve parlamentare, orientimin e deputetëve të rinj dhe forcimin e koordinimit të brendshëm ndërmjet shërbimeve të Kuvendit.

Takimi u zhvillua në disa sesione tematike, ku fillimisht diskutimet u fokusuan në prezantimin e gjetjeve, arritjeve dhe sfidave të vitit 2025 nga Shërbimi Legjislativ, Shërbimi i Monitorimit, Instituti Parlamentar dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Sesioni i radhës u fokusua në prezantimet e shërbimeve të: Integrimit Evropian, Dokumentacionit dhe Informacionit dhe Shërbimi Administrativ, duke evidentuar progresin, problematikat e hasura dhe masat e ndërmarra për të mbështetur më mirë punën e ligjvënësve.

Pjesa përmbyllëse e takimit iu kushtua diskutimit mbi prioritetet dhe objektivat në kuadër të Planit të ri Strategjik të Administratës së Kuvendit 2026–2030, si dhe bashkërendimit të planit të masave për vitin 2026, me synimin rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Në diskutimet përfundimtare morën pjesë edhe përfaqësues të stafit politik dhe të zyrave koordinuese të deputetëve, ku u theksua se bashkëpunimi gjithëpërfshirës ndërmjet shërbimeve të Kuvendit dhe strukturave mbështetëse të deputetëve mbetet thelbësor për garantimin e një mbështetjeje më efektive të punës parlamentare gjatë vitit 2026.

1 nga 4

/j.p/

The post Kuvendi, takim vjetor koordinues me Prezencën e OSBE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet java e 18-të e “Abissnet Superiore”, Vllaznia rikthehet te fitorja

24 December 2025 at 19:41

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Është mbyllur java e 18-të dhe e fundit për këtë vit në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Vllaznia u rikthye te fitorja në kampionat, pasi mposhti Flamurtarin në stadiumin “Loro Boriçi” me rezultatin 3-2.

Ndeshja mes AF Elbasanit dhe Tiranës, e luajtur në “Elbasan Arena”, u mbyll në barazim 1-1.

Vora triumfoi ndaj Bylisit në “Selman Stërmasi” me rezultatin e thellë 4-1.

Dinamo City fitoi ndaj Partizanit në transfertë me shifrat 3-1. Po në transfertë triumfoi edhe Egnatia, që mposhti Teutën me rezultatin minimal 1-0.

Për kampionët e Shqipërisë kjo ishte fitorja e katërt radhazi dhe e mbyllin fazën e dytë të kampionatit në krye të renditjes me 37 pikë.

AF Elbasani renditet në vendin e dytë me 33 pikë, ndërsa Dinamo City mban vendin e tretë me 32 pikë. Vllaznia pozicionohet në vendin e katërt me 30 pikë.

/m.q/j.p/

The post Mbyllet java e 18-të e “Abissnet Superiore”, Vllaznia rikthehet te fitorja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj, shpronësohen pronarët

24 December 2025 at 17:37

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i segmentit të parë të linjës 110 kV Ballsh–Memaliaj”.

Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi kryhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., ndërsa pronarët do të kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”, “ullishte” dhe “kullotë”. Vlera totale e kompensimit arrin në 39 232.50 lekë, ndërsa shpenzimet procedurale, në masën 70 000 lekë, do të përballohen nga OST.

Shpronësimi nis menjëherë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve.

Pronarët e pasurive të paluajtshme kompesohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, do të nisë brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/m.q/j.p/

The post Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj, shpronësohen pronarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bllokohen 5 tonë ushqime, AKU Tiranë gjobit subjektin

24 December 2025 at 20:09

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në Tiranë bllokoi sot 5 tonë djathë gouda dhe 944 kg fileto pule.

Kjo masë ka ardhur për mospajisje me kundër etiketë në gjuhën shqipe.

Gjithashtu mësohet se është penalizuar subjekti me masë administrative gjobë për veprime në kundërshtim me kërkesat e etiketimit dhe të gjurmueshmërisë. /j.p/

The post Bllokohen 5 tonë ushqime, AKU Tiranë gjobit subjektin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Themelohet Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë

24 December 2025 at 17:05

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Pas një procesi të gjatë konsultimi mes prokurorëve nga të gjithë zyrat e prokurorive në vend, është themeluar së fundmi Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo shoqatë është ngritur në respektim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe do të funksionojë si një organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur.

Shoqata e Prokurorëve është e para organizatë e këtij lloji që themelohet pas miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke vepruar brenda kornizës së re kushtetuese dhe ligjore për sistemin prokurorial. Sipas njoftimit të shoqatës, ajo synon të ofrojë një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për zhvillimet e rëndësishme, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Teksa sistemi i drejtësisë përballet vazhdimisht me sfida të ndryshme, vlerësohet si e domosdoshme një qasje më aktive dhe e organizuar edhe nga vetë trupa e prokurorëve. Misioni kryesor i Shoqatës së Prokurorëve është garantimi dhe mbrojtja e statusit, pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, si dhe promovimi i vlerave dhe rolit të tyre në një shoqëri demokratike dhe shtet të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve do të angazhohet aktivisht në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që prekin sistemin e drejtësisë, përmes dhënies së kontributeve profesionale dhe mbajtjes, sipas rastit, të qëndrimeve institucionale dhe publike. Një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet nxitjes së dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv me institucionet shtetërore, shoqërinë civile, mediat dhe aktorë të tjerë.

Shoqata e Prokurorëve ka në përbërje prokurorë nga të gjithë zyrat e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë marrë përsipër angazhimin aktiv sipas fushave respektive. Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve në mandatin e parë është zgjedhur prokurori Gezim Spahiu.

/m.q/j.p/

The post Themelohet Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Instituti i Policisë Shkencore bëhet zyrtarisht pjesë e ENFSI

23 December 2025 at 14:20

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Instituti i Policisë Shkencore është bërë zyrtarisht pjesë e ENFSI (European Network of Forensic Science Institutes), rrjetit evropian që bashkon laboratorë dhe institucione forenzike nga vendet e Evropës.

Procesi i anëtarësimit nisi me aplikimin e Institutit të Policisë Shkencore, në vitin 2025, vijoi me një auditim të detajuar në nëntor 2025 nga bordi drejtues, dhe aprovimi zyrtar u bë më datë 18 dhjetor 2025.

Policia e Shtetit njoftoi se ky anëtarësim është një hap i rëndësishëm për forcimin e cilësisë, besueshmërisë dhe profesionalizmit të punës së Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, sipas policisë “siguron harmonizimin e metodave dhe standardeve me laboratorët homologë në Evropë, rrit pranueshmërinë ligjore të rezultateve në gjykata dhe mundëson bashkëpunim ndërkombëtar në raste hetimore komplekse”.

Policia bëri të ditur se instituti po punon vazhdimisht për akreditimin e laboratorëve të tij sipas standardit ndërkombëtar “ISO 17025”, duke garantuar standarde të larta teknike dhe cilësi në të gjitha analizat forenzike.

Anëtarësimi në ENFSI gjithashtu ofron mundësi për trajnime dhe zhvillim profesional të ekspertëve, duke rritur kapacitetet teknologjike dhe ekspertizën shkencore të Institutit.

/m.q/a.f/

The post Instituti i Policisë Shkencore bëhet zyrtarisht pjesë e ENFSI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të lirohen të arrestuarit nga protesta, dy prej tyre ishin turistë nga Kosova

23 December 2025 at 14:20

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme pas protestës së PD-së në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Sipas Berishës, nga policia janë ndaluar edhe dy qytetarë nga Kosova, të cilët kishin ardhur si turistë.

“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe provokacionet dhe terrorin policor ndaj disa të rinjve, të cilat nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës. Janë ndaluar 10, nga të cilët 4 janë arrestuar. Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi, Xhejson Prendi. Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta.

“E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë. Kanë qenë këtu pas protestës. Kanë bërë foto. Njëri më tha, që jam djali i një luftëtari të UÇK, dhe unë e përqafova, bëra një foto me të. Tani këtë e kanë arrestuar”, tha Berisha.

Berisha shtoi se protestuesit po luftojnë kundër hajdutëve të kombit.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, kriminelëve në detyrë. Të mendohen mirë, të qëndrojmë më mirë me ligjin se me kriminelin, të lirojnë menjëherë personat e arrestuar”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

The post Berisha: Të lirohen të arrestuarit nga protesta, dy prej tyre ishin turistë nga Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjyqtari Dhimitër Lara zgjidhet zëvendëskryetar i Apelit të Posaçëm

23 December 2025 at 14:16

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e mbajtur nën drejtimin e zëvendëskryetarit të Gjykatës, Saida Dollani, zgjodhi sot zëvendëskryetarin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Dhimitër Lara.

Gjyqtari Dhimitër Lara, merr detyrën në përfundim të mandatit të Zëvendëskryetarit Saida Dollani, e cila ushtroi detyrën e Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kompetencat e Kryetarit nga data 23.12.2022 deri më datë 23.12.2025.

Magjistrati Dhimitër Lara ushtron funksionin e gjyqtarit të gjykatës së apelit që nga data 05.04.2004, fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda (05.04.2004-19.12.2019) dhe nga data 19.12.2019 e në vazhdim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/m.q/a.f/

The post Gjyqtari Dhimitër Lara zgjidhet zëvendëskryetar i Apelit të Posaçëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha publikon librin për zgjedhjet: 11 maji, farsë elektorale

23 December 2025 at 14:06

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediet, prezantoi publikimin e PD-së,  “Farsa e madhe e majmur të zgjedhjeve në Shqipëri”, një libër që sipas tij “fakton farsën elektorale të 11 majit”.

Së bashku me nënkryetarin Oerd Bylykebashi, deputetët Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Gent Strazimiri, Berisha tha se “ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Evropë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha”.

Sipas Berishë publikimi i PD-së vjen pas “një punë e jashtëzakonshme në radhë e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar çdo shkelje ligjore, çdo dhunim të votës, çdo ndërhyrje të krimit dhe me radhë”.

“Një punë e jashtëzakonshme nga ekipi që keni këtu para, që ka ndjekur, ka shqyrtuar, ka analizuar të gjitha këto dokumente dhe që janë dërguar online në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri, sapo paraqiteshin këtu.

Berisha shtoi se vëzhguesit e përgjegjshëm dhe të guximshëm nuk u tërhoqën.

“Ne u përpoqëm të japim modestisht kontributin tonë duke u dërguar atyre mijëra dokumente autentike, video, fotografi, procesverbale, në mënyrë që raporti i tyre të ishte raporti që damkosi në zgjedhjet përfundimtare. Natyrisht ata kishin edhe të vetat, pa diskutim, të shumta, shumë të rëndësishme, por edhe ky raport, këto 1500 faqe që janë dërguar sapo shqyrtoheshin, kanë pasur vlerën e vet”, tha ai.

/m.q/a.f/

The post Berisha publikon librin për zgjedhjet: 11 maji, farsë elektorale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi kërkon mbledhjen Këshillit të Mandateve për Ballukun: Po pengohet drejtësia me urdhër politik

23 December 2025 at 12:05

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike kërkoi sot mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi bëri të ditur se anëtarët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në mbledhje, edhe pse Rregullorja e Kuvendit e ka të parashikuar thirrjen e mbledhjes nga opozita.

Sipas Bardhit, po pengohet drejtësia me urdhër politik, ndërsa shtoi se sipas Prokurorisë së Posaçme, ekziston mundësia që të prishen provat dhe të intimidohen dëshmitarët.

“Pengimi i drejtësisë me urdhër politik është akti më i rëndë që ka kryer ky Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë Kuvendin, që mos të mbledhë Këshillin e Mandatave, të mos mbledhë seancën plenare dhe të pengojë prokurorinë që të ushtrojë detyrën e vet kushtetuese”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se sipas prokurorisë “gjendja e lirë e të pandehurës, parashikon rrezik real për mbledhjen e provave për shkak të detyrës që ajo ushtron. Ekziston mundësia që ajo mund të ndërhyjë në prishjen ose asgjësimin e provave. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Rreziku që ajo të largohet është evident.

“Ekziston rreziku i largimit, nisur nga sanksionet dhe marzhi i lartë i dënimit që parashikon ligji, në lidhje me veprat penale që dyshohet se ka kryer e pandehura. E pandehura menaxhon në vazhdimësi fonde të konsiderueshme publike, për investime publike të tjera, të parashikuara në institucionet qendrore që ajo drejton”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, çështja e datës 22 janar në Gjykatën Kushtetuese, nuk ka lidhje me kërkesën e sjellë nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend.

“Pushteti ekzekutiv nuk mund t’i thotë pushtetit legjislativ se t‘i do të presësh se unë kam një gjyq dhe kur të mbarojë gjyqi t’i vepron. Ç’lidhje ka pushteti ekzekutiv, që Kuvendi të ushtrojë detyrat e veta. Kuvendi ka shtyrë pa afat shqyrtimin e kësaj kërkesë të ngutshme të Prokurorisë. Kuvendi dhe Edi Rama po pengon drejtësinë që të kenë mundësi të prishin provat dhe të intimidojnë dëshmitarët. Ky është një puç i rëndë kushtetuese, ndaj edhe fshihen sot”, tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se opozita do të rithërrasë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ditën e premte ora 11:00.

/m.q/

The post Bardhi kërkon mbledhjen Këshillit të Mandateve për Ballukun: Po pengohet drejtësia me urdhër politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Etika” shqyrton kërkesën e PS-së për përjashtimin e 29 deputetëve të PD-së

23 December 2025 at 10:37

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore për 29 deputetë të opozitës, pas incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare të 18 dhjetorit.

Në mbledhjen e sotme, deputetët e Partisë Demokratike janë shfaqur duke protestuar me pankarta në duar.

PS kërkon marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetëve Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët kanë futur dhe përdorur lëndë apo mjete piroteknike, tymuese brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit.

Gjithashtu, PD kërkon përjashtimin për 60 ditë ndaj deputetëve Klevis Balliu, dhe Flamur Noka, të cilët nuk kanë pranuar të dalin nga salla, kanë kryer veprime të qëllimshme duke dëmtuar pajisjet dhe hequr funksionalitetin e tyre në sallën e seancave.

Ps kërkon përjashtimin me 30 ditë për deputetët Sali Berisha, Elda Hoti dhe Gazment Bardhi dhe me 10 ditë për deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi, Saimir Korreshi, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.

(Vijon…)

/a.f/

The post “Etika” shqyrton kërkesën e PS-së për përjashtimin e 29 deputetëve të PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hodhën molotovë në protestë, 4 në pranga dhe 7 të proceduar

23 December 2025 at 09:28

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar katër persona dhe ka proceduar penalisht shtatë të tjerë për hedhjen e lëndëve djegëse dhe kundërshtimin e forcave të policisë mbrëmjen e djeshme, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë nga Partia Demokratike.

Sipas njoftimit të Policisë, është proceduar penalisht edhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia bëri të ditur se tre punonjës policie u dëmtuan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim, u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç; E. S., 36 vjeç; Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.

“Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10”, njoftoi policia.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/a.f/m.q/

The post Hodhën molotovë në protestë, 4 në pranga dhe 7 të proceduar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌