Vrasja e policit në Kaçanik, ngritet aktakuzë kundër gjashtë personave
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda në lidhje me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik M.L, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.
Sipas njoftimit thuhet se të dyshuarit dyshohen për veprën penale "Vrasje e rëndë".
"Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes", thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim tutje thuhet se: “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”. /Telegrafi/
