Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Ekzaminimi i telefonave në procedurë penale, IKD: Kompetenca për autorizimin e ekzaminimit i takon Prokurorit të Shtetit

30 December 2025 at 10:39


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Ekzaminimi i telefonave në procedurë penale”, i cili analizon bazën ligjore, kushtetuese në Republikën e Kosovës dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) lidhur me sekuestrimin dhe ekzaminimin e pajisjeve telefonike në procedurën penale në Kosovë.

Në njoftim thuhet se raporti i përgjigjet debatit publik dhe profesional të hapur së fundmi lidhur me pyetjen nëse për ekzaminimin e të dhënave në telefonat e sekuestruar kërkohet vendim i posaçëm gjyqësor, apo nëse mjafton autorizimi i Prokurorit të Shtetit pas sekuestrimit të ligjshëm të pajisjes me vendim të gjykatës.

“Në këtë analizë, IKD shqyrton në mënyrë të detajuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), veçanërisht dallimin ndërmjet përgjimit si masë e veçantë hetimore dhe ekzaminimit të provave të marra nga pajisjet e sekuestruara, si dhe përputhshmërinë e këtyre dispozitave me nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me jurisprudencën relevante të GjEDNj-së.

Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se, sipas KPPRK-së, kompetenca për autorizimin e ekzaminimit të pajisjeve telefonike të sekuestruara i takon ekskluzivisht Prokurorit të Shtetit, ndërsa gjykata ka kompetencë vetëm për sekuestrimin e pajisjeve dhe jo për ekzaminimin e tyre, pasi për këtë të fundit nuk ekziston bazë ligjore për nxjerrjen e një vendimi gjyqësor”, thuhet në njoftimin e IKD-së.

Raporti po ashtu konstaton se të dhënat e nxjerra nga një pajisje telefonike e sekuestruar ligjërisht nuk përbëjnë “përgjime”, pasi përgjimi lidhet me mbikëqyrjen e komunikimeve në kohë reale dhe rregullohet si masë e veçantë hetimore, e cila kërkon çdoherë vendim gjyqësor.

Në të kundërtën, IKD thekson se ekzaminimi i provave të sekuestruara rregullohet me dispozita të tjera ligjore dhe me standarde të ndryshme kushtetuese dhe ndërkombëtare.

IKD vlerëson se ndryshimi i praktikës gjyqësore mbi bazën e të njëjtit ligj krijon pasoja serioze në praktikë, duke rrezikuar dështimin e rasteve penale ku provat kyçe janë siguruar përmes ekzaminimit të pajisjeve kompjuterike dhe duke krijuar pasiguri juridike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e ndjekjes penale.

“Në raport theksohet se, në rast dileme për kushtetutshmërinë e dispozitave të KPPRK-së, gjykatat duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, dhe jo të shmangin zbatimin e ligjit përmes interpretimeve të drejtpërdrejta kushtetuese.

Raporti përfundon me rekomandime të qarta për gjyqësorin, duke kërkuar zbatim konsekuent të ligjit, dallim të qartë ndërmjet përgjimeve dhe ekzaminimit të provave digjitale, si dhe interpretim të dispozitave ligjore në harmoni me Kushtetutën dhe jurisprudencën e GjEDNj-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Vendimi për kryetarin e KPM-së i paligjshëm, IKD: Ligjshmëria nuk u respektua

22 December 2025 at 14:14


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, lidhur me padinë e iniciuar ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin është shpallur i paligjshëm vendimi i datës 17 janar 2025 për zgjedhjen e Besnik Berishës në pozitën e Kryetarit të KPM-së.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore theksohet se nuk janë pranuar pretendimet e KPM-së për pavarësinë e saj kushtetuese dhe organizative. Sipas Gjykatës, pavarësia e institucioneve të pavarura nuk nënkupton përjashtim nga zbatimi i ligjit.

“Pavarësia e institucioneve të pavarura kushtetuese nënkupton mbrojtje nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrimin e funksioneve të tyre, por nuk nënkupton përjashtim nga detyrimi për të zbatuar ligjin,” thuhet në vendimin e Gjykatës.

IKD kishte kërkuar përmes padisë shfuqizimin e ndryshimeve në Rregulloren e Punës së KPM-së, si dhe deklarimin e paligjshëm të vendimit për zgjedhjen e Kryetarit. Kjo çështje ishte fituar më herët edhe në Gjykatën Supreme, e cila kishte shpallur të paligjshëm ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së.

Sipas IKD-së, vendimi i sotëm i Gjykatës së shkallës së parë përbën një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e ligjshmërisë dhe funksionimit të rregullt të KPM-së, duke forcuar besimin e publikut ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues.

IKD ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se do të vazhdojë të avokojë si për mbrojtjen e pavarësisë së KPM-së nga ndërhyrjet e jashtme, ashtu edhe për respektimin e ligjshmërisë së brendshme, e cila, sipas tyre, nuk është respektuar në këtë rast. /Telegrafi/

Gjykata Themelore e shpall të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së

22 December 2025 at 12:26


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar padinë e OJQ-së Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke e shpallur të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të datës 17 janar 2025.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, i cili ka theksuar se vendimi i gjykatës konfirmon shkeljet ligjore gjatë procesit të vendimmarrjes.

“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar padia e IKD-së dhe është deklaruar i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së,” ka deklaruar Bajraktari.

Sipas tij, aktgjykimi rikonfirmon rëndësinë e respektimit të ligjit në proceset institucionale.

“Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës dhe rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë gjatë marrjes së vendimeve të tilla,” ka shtuar ai.

Vendimi i gjykatës pritet të ketë ndikim në funksionimin dhe vendimmarrjen e ardhshme të Komisionit të Pavarur të Mediave. /Telegrafi/


Vonesat në dërgimin e ftesave me postë po zvarrisin proceset gjyqësore

20 December 2025 at 22:25


Dështimi i shumë seancave gjyqësore përgjatë këtij viti, ka si shkak problemin e dërgimit të ftesave me postë, që shpesh has në vështirësi, si vonesa e adresa të pasakta. Gjykata Themelore në kryeqytet, avokatët si dhe organizatat që monitorojnë punën e gjyqësorit, vlerësojnë se kjo gjendje zvarrit proceset. Për një zgjidhje të këtij problemi propozohet komunikimi elektronik si më efikas, si dhe nxitja e gjykatave drejtë një roli më proaktiv.

Praktika e dërgimit të ftesave me postë, për palët në procedurë, po del të jetë një nga shkaktarët e dështimit të seancave, qoftë në rastet penale apo edhe ato civile. Adresa të pasakta, vonesa në dërgesa e mospranimi i tyre në kohë dhe në procedurën e përcaktuar me ligj, shkakton dështimin tyre.

Vonesa e dërgesave të ftesave për palët në procedurë po ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e proceve gjyqësore. Në shume raste po ndikon në shtyerjen e seancave për çka edhe po zgjaten edhe afatet e gjykimeve.

Gjykata Themelore e ka konfirmuar se në vazhdimësi, e veçanërisht përgjatë këtij viti kanë evidentuar raste të konsiderueshme të vonesave nga ana e postës në dërgimin e shkresave zyrtare dhe në kthimin e fletëkthesave.

“Në lidhje me këtë çështje, administratori i Gjykatës ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Postës së Kosovës, gjatë të cilit janë paraqitur vështirësitë dhe vonesat që po shkaktohen në procesin e shpërndarjes së ftesave gjyqësore, vonesa këto që po ndikojnë drejtpërdrejt në efikasitetin dhe performancën e punës së gjyqtarëve”, kanë thënë nga kjo gjykatë.

Kjo dukuri rezulton edhe në raportet e organizatave që monitorojnë gjyqësorin. Megjithkëtë, pa faj nuk mbeten as gjykatat.

"Gjykata duhet ta luaj rolin e vet proaktiv, ta mbroj integritetin e vet si gjykatë dhe në rastet kur has në situatë kur ftesa ka mundur të dërgohet por nuk është dërguar për arsye të njëjta, të mbajë shënim zyrtar dhe t’i paraqes këto raste pranë institucioneve përkatëse në mënyrë që gjithkush, për çdo veprim të marr pasojat e veta" , tha Flamur Kabashi nga IKD.

Procedura e komunikimit me post, krijon vështirësi edhe tek avokatët, të cilët shpesh përballen me dështim të seancave gjyqësore, qoftë për shkak të mospranimit të ftesave apo për moskonstatimin e tyre në procesverbal.

“Ka raste edhe kur pranohen ftesat por mungon dëshmia e pranimit nga ana e cilësdo palë për çka gjykata nuk ka mundësi të mbajë seancën. Kjo përveç në raste penale, edhe në raste civile dhe administrative. Konsiderojmë që do të duhej të bëhej zyrtar dhe i obligueshëm komunikimi elektronik sidomos në rastet kur palët kanë përfaqësues në procedurë”, theksoi Florim Shefqeti, avokat.

Efikasiteti më i madh në këtë çështje, nga palët shihet vendosja e një komunikimi elektronik, që do të hidhte poshtë vakumin e një sërë arsyetimeve të ndryshme./RTK

“Integriteti i listave zgjedhore”, IKD tregon përqindjen e kandidatëve për deputetë të përfshirë në raste penale

20 December 2025 at 11:47


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin lidhur me analizimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, të cilët janë përfshirë në raste penale.

IKD thekson se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptimin që personat të cilët përfshihen në raste penale, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, të mos jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike.

“Përfshirja në raste penale konsiston qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë. Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për mos kandidim të personave të cilët përfshihen në raste penale nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në kuptim të vlerësimit të integritetit.

Në bazë të ligjit për zgjedhjet e drejta për të kandiduar për deputetë në zgjedhjet parlamentare iu kufizohet vetëm personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim e më shumë në tre vitet e fundit. Përkundër, kësaj IKD me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe integritetit personal të përfaqësuesve të popullit në vazhdimësi ka lobuar që partitë politike të pastrojnë listat e deputetëve edhe nga persona të cilët kanë potencialisht probleme me ligjin në kuptim të dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza, apo dënime të shqiptuara nga gjykatat por që nuk hyjnë në kuadër të kufizimit ligjor”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Instituti i Kosovës për Drejtësi rikujton se për këto zgjedhje janë certifikuar 24 subjekte politike, ndërsa pjesë e tyre janë 1,179 kandidatë për deputetë.

“Duke mos cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë, sikurse edhe në ciklet e tjera zgjedhore, edhe në këtë rast, IKD bazuar në të dhënat e saj nga monitorimi i proceseve gjyqësore, në këtë raport ka paraqitur kandidatët për deputetë që janë përfshirë në raste penale. Kandidatë të tillë cilësohen të gjithë kandidatët e identifikuar të cilët kanë aktakuza aktive apo dënime penale të formës së prerë.

Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37% janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive. Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion”, thuhet në njoftim.

IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale.

Shprehur në përqindje, rezulton se 11.81% e listës së kandidatëve të LVV për deputetë përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.

Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.

Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre kandidatë (2.72%), PDK me dy kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy kandidatë (6.06%), KDTP me një kandidat (6.25%) dhe LDK me një kandidat (0.9%).

“Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Nëse i referohemi gjetjeve të monitorimit dhe hulumtimit të IKD në lidhje me kandidatët të cilët janë përfshirë në raste penale, rezulton se krahasimisht me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është pësuar regres në të gjitha pikat e vlerësimit. Regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve për deputetë të cilët përfshihen në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale”, thuhet në njoftimin e IKD-së. /Telegrafi/

Vendimi i Supremes në favor të ushtarëve të FSK-së, ndryshohet rregullorja e udhëtimeve zyrtare

17 December 2025 at 15:43


Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar kërkesën e KDI-së për anulimin e një pjese të Rregullores për kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook të KDI-së.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë drejtuar KDI-së për të kërkuar ndihmë ligjore pasi nuk po kompensoheshin për udhëtimet jashtë vendit kur shërbenin më shumë se një muaj.

“Pas shqyrtimit të rastit, #KDI ka gjetur se rregullorja në fuqi i vendoste ata në një pozitë të padrejtë. Gjykata Supreme tani e ka vërtetuar këtë, duke konfirmuar se rregullorja kishte tejkaluar ligjin dhe duhej ndryshuar. Ky vendim është një hap i rëndësishëm për drejtësi dhe trajtim të drejtë të ushtarëve tanë, dhe një dëshmi e ndikimit që mund të ketë raportimi i qytetarëve dhe puna jonë për llogaridhënie”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


KQZ arbitrarisht refuzon akreditimin e IKD-së për monitorimin e zgjedhjeve

12 December 2025 at 18:06


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot ka pranuar një përgjigje nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, në të cilën njoftohet se i refuzohet aplikimi për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetor 2025.

IKD përmes një komunikate për medie njofton se sipas ligjit të procedurës administrative dhe standardeve që KQZ do të duhej zbatonte gjatë ushtrimit të fushëveprimtarisë së saj çdo vendim administrative që e miraton duhet të jetë i arsyetuar dhe transparent, si dhe duhet të garantojë të drejtën për të përdorur mjete juridike për kundërshtim.

“Në rastin konkret, vendimi për refuzimin e aplikimit të IKD-së nuk përmban arsyetim të qartë dhe të detajuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e bazës ligjore të vendimit si dhe mungon e drejta e informimit lidhur me këshillën juridike për ta kundërshtuar këtë vendim. Kjo shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, dhe krijon hapësirë për arbitraritet dhe politizim në marrjen e vendimeve”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, IKD njofton se vendimi i publikuar nga kjo zyrë cenon të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si një mekanizëm i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies. Sikurse, interpretimi i paraqitur se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar, arbitrar dhe selektiv, duke devijuar nga fryma dhe qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Është fakt notor se IKD ka mandat të qartë në punën e saj që lidhet me promovimin e sundimin të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies si elemente thelbësore të proceseve zgjedhore. Sundimi i ligjit, integriteti institucional, monitorimi i institucioneve publike, edukimi, ndihma juridike falas janë komponentë që lidhen drejtpërdrejt me fushëveprimtarinë e punë së IKD”, citohet në komuninkatë.

IKD vlerëson se vendimi i Zyrës së KQZ-së jo vetëm që keqintepreton Ligjin per Zgjedhjet por edhe shkel standardet ndërkombëtare. Praktikat ndërkombëtare të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës dhe standardet e demokracive perëndimore e njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile në vëzhgimin e zgjedhjeve bazuar në misionin e tyre për transparencë, llogaridhënie dhe interes publik, jo vetëm nëse kanë të shkruar fjalën “zgjedhje” apo “drejtat e njeriut” në statut.

“Kërkesa e tillë formale dhe kufizuese është e paprecedentë në Kosovë dhe bie ndesh me qasjen praktike të KQZ-së ndër vite. Ky veprim krijon dyshime serioze për politizim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Cenimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile në procesin zgjedhor është sulm ndaj demokracisë, transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve”, thuihet në komunikatë.

IKD konsideron se refuzimi i aplikimit Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nuk e ka të drejtën e refuzimit të një aplikimi të një OJQ-je, derisa bën të ditur se do t’i shfrytëzojë të gjitha “mekanizmat administrativë dhe ligjorë për të kundërshtuar një vendimmarrje të tillë, në mënyrë që të garantojë të drejtën e saj por edhe çdo organizate jo-qeveritare për të kontribuar në procesin zgjedhor dhe për të mbrojtur standardet demokratike në vend”.

Korab Basha shpallet fitues i konkursit fotografik “Faji i Korrupsionit” nga IKD

9 December 2025 at 16:03


Fotografi i Telegrafit, Korab Basha, është shpallur fitues i konkursit fotografik “Faji i Korrupsionit”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD).

Ky konkurs synon të sjellë në pah fuqinë e fotografisë si mjet për të adresuar dhe denoncuar dukuritë negative në shoqëri, veçanërisht korrupsionin dhe ndikimin e tij në jetën e qytetarëve.

Fotografia e Bashës ka tërhequr vëmendjen e jurisë falë qasjes kreative, profesionalizmit dhe aftësisë për të transmetuar mesazhin e fortë shoqëror përmes objektivit të kamerës.

Basha ka dhënë një kontribut të çmuar në përmirësimin e përgjithshëm të mirëqenies së qytetarëve, duke shfrytëzuar teknologjinë bashkëkohore dhe inovacionin në mënyrë të efektshme. /Telegrafi/

Raporti i IKD-së: Rriten rastet e korrupsionit, por Prokuroria nuk i përballon ngarkesat

9 December 2025 at 15:42


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ku paraqiten gjetjet mbi trajtimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të vitit 2025.

Gjatë prezantimit, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala tha se nga 11 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, vetëm 3 prej tyre janë akuzuar duke mbajtur detyrën zyrtare, ndërsa 72.7% e personave tjerë janë akuzuar vetëm pasi që janë larguar nga detyra zyrtare.

Ai shtoi se në nëntëmujorin e parë të vitit 2025 situata ndryshon.

“Nga 4 zyrtarët e akuzuar, vetëm njëri akuzohet si ish-zyrtar, ndërsa tre të tjerët janë akuzuar për pozitat që ende mbajnë”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, për vitin 2024, situata ka qenë edhe më problematike, duke theksuar se nga 7 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, asnjë prej tyre nuk është akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur pozitën zyrtare, teksa Prokurori i Shtetit ka pësuar regres në trajtimin e numrit të lëndëve, për shkak se gjatë periudhës përkatëse nuk ka mundur të kryejë lëndë aq sa ka pranuar.

Shala ka kritikuar edhe mungesën e kërkesave për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, duke thënë se “në vetëm shtatë raste është bërë kërkesë për sekuestrim ose konfiskim… ndërsa në 29 raste një kërkesë e tillë nuk është bërë”.

Ai theksoi se vetëm “19% të aktakuzave Prokurori i Shtetit ka bërë kërkesë për sekuestrim… ndërsa 81% e aktakuzave janë ngritur pa një propozim të tillë”.

Shala paralajmëroi për rritje të numrit të lëndëve në Prokurori.

“Ky institucion e ka filluar vitin 2024 me 583 lëndë… në fund të nëntë (9) mujorit të parë të vitit 2025, numri i rasteve është ngritur në 880”.

Në tryezë foli edhe gjykatësi i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, i cili tha se “sistemi gjyqësor ka arritur efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke treguar përmirësim të vazhdueshëm”. Ai kujtoi se në vitin 2022 kishte sfida, por “nga viti 2022 e tutje kemi parë progres të theksuar”.

Gjykatësja e Apelit, Afërdita Bytyqi, deklaroi se rastet e korrupsionit trajtohen shpejt.

“maksimumi brenda tre muajve… dhe vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të zgjasin deri një vit”. Ajo sqaroi se vonesat e rasteve të vjetra “lidhën me kompleksitetin e lëndëve.

Prokurori Zef Prendrecaj tha se raporti është i nevojshëm për transparencë.

“Ne i mirëpresim gjetjet dhe konstatimet… që ndihmon forcimin e sundimit të ligjit”.

Ndërsa anëtari i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, tha se vetëm “48% e aktakuzave për korrupsion kanë kaluar në gjykata gjatë vitit 2024”, duke shtuar se në 2025 ka një rritje në 60%.

Avokatja Albulena Ukimeri kritikoi mungesën e fokusit në rastet e profilit të lartë, duke thënë se: “Ndjekja penale e profilit të lartë mbetet në periferi… çdo vonesë është humbje e besimit të publikut”.

Përfaqësuesi i BE-së, Alfons Lentz, tha se “rasteve të nivelit të lartë korruptiv nuk u kushtohet vëmendja e duhur”, duke ngritur shqetësim edhe për mungesën e Strategjisë Antikorrupsion:

“Nuk e kemi Strategjinë Antikorrupsion… dhe kjo pengon adresimin e rasteve më të ndërlikuara”.

Në tryezë u diskutua edhe për provat që prokuroria përdor në aktakuza dhe për pranueshmërinë e tyre nga gjykatat, si dhe për sfidat procedurale.

Publikimi i raportit shërbeu si platformë për reflektim mbi progresin dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit, duke hapur rrugën për rekomandime konkrete për përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në sistemin e drejtësisë. /Telegrafi/

Shoqëria civile: Kosova pa marrëveshje ndërkombëtare, pa qeveri e pa buxhet

9 December 2025 at 09:43


Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2025 e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, IKD të martën publikoi promon “Kosova pa marrëveshje, pa qeveri, pa buxhet”, në të cilën theksohet se vendi ka mbetur i bllokuar si pasojë e mosformimit të Qeverisë dhe moskonstituimit të Kuvendit. Ndërkohë që tashmë jemi në prag të vitit të ri dhe vendi është pa buxhet e pa miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 votuan 966,283 qytetarë të Republikës së Kosovës.

Qytetarët ua dhanë besimin partive politike që të formojnë institucionet dhe të qeverisin vendin. Por ky besim nuk u shndërrua në qeverisje.

Partitë politike sipas peshës dhe fuqisë politike që morën nga qytetarët e Kosovës, dështuan që votën e tyre ta kthejnë në qeverisje të mirë dhe vendimmarrje për të promovuar interesat strategjike të Kosovës.

Vetëvendosje, si parti e parë, në mungesë të vullnetit politik dhe bashkëpunimit të sinqertë për të formuar instituconet, filloi me manovra politike duke prolonguar formimin e institucioneve.

Ajo propozoi disa herë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por mori vetëm 57 vota. Dështuan edhe propozimet për Gërvallën, Muratin dhe Nagavacin, derisa në fund u zgjodh Dimal Basha.

Kosova mbeti për 179 ditë pa Kuvend të konstituuar, për faktin se procesi u zvarrit për shkak të moszbatimit të tre aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Më 26 qershor 2025, Gjykata urdhëroi konstituimin brenda 30 ditësh, por afati u anashkalua.

Më 7 gusht, konstatoi se deputetët nuk zbatuan Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, që Kryesuesi Dehari nga LVV nuk veproi në pajtueshmëri me Aktgjykimin e datës 26 qershor dhe që Kryetari duhet të zgjedhet përmes votimit të hapur.

Më 8 tetor, Gjykata konstatosi se seanca nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Moszbatimi i këtyre vendimeve e mbajti Kosovën të bllokuar për muaj të tërë.

Ky bllokim vazhdoi edhe në përpjekjet për formimin e Qeverisë: as Albin Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk siguruan shumicën, dhe vendi shkoi në zgjedhje.

Tani, pasojat i paguajnë qytetarët. Pa Kuvend nuk ka mbikëqyrje të Qeverisë, nuk ka ligje të reja dhe reformat ndalen: drejtësia, ekonomia, skemat pensionale e sociale, si edhe administrata publike.

Ndërkohë, vendi hyn në vitin e ri pa buxhet; RTK mbetet pa financim, me 700 punëtorë pa paga; katër komuna pa buxhet; nuk u votuan marrëveshjet e Planit të Rritjes me rrezik mbi 800 milionë euro; dhe pa u miratuar mbeti edhe marrëveshja me Bankën Botërore.

Kjo është kostoja e mosbashkëpunimit. Kostoja që e paguan vendi dhe qytetarët./BetimipërDrejtësi/

“Java kundër Korrupsionit 2025” nis me aksion simbolik nga IKD, FOL dhe INPO

8 December 2025 at 09:53


“Java kundër Korrupsionit 2025” ka nisur të hënën me një veprim simbolik të organizuar nga koalicioni i organizatave joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me qëllim të ngritjes së zërit kundër korrupsionit dhe politikave që po e paralizojnë funksionimin e shtetit.

Në hapje të aksionit simbolik, koalicioni i OJQ-ve ka shpalosur një baner që paralajmëron mbajtjen e grevës njëditore gjatë ditës së hënë, me mesazhin: “Sot jemi në grevë. Protestojmë kundër korrupsionit dhe politikave që po e paralizojnë shtetin.”

Gjatë konferencës për media, Arrita Rezniqi nga IKD ka theksuar se ky aksion është një thirrje për veprim dhe reflektim institucional, në kohën kur vendi përballet me shkelje të shumta të ligjit, stagnim të reformave dhe domosdoshmëri për të luftuar korrupsionin. Ajo shtoi se qëndrimet dhe analizat e shoqërisë civile, paralajmërimet për kapje të institucioneve dhe fenomenet sistemike nuk janë shoqëruar me reagim apo veprim të duhur institucional.

Koalicioni i OJQ-ve ka identifikuar disa probleme kryesore, ndër të cilat: mungesa e reformës së plotë në drejtësi, mosfillimi i procesit të vettingut, korporatizimi në sistemin prokurorial, miratimi i ligjeve kundër-kushtetuese, mungesa e Strategjisë kundër Korrupsionit, pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të, mungesa e dialogut social, si edhe sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve të drejtësisë. Të gjitha këto po ndikojnë në dëmtimin e jetës së qytetarëve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe besimin në demokraci.

Në kuadër të aksionit të sotëm, u publikua edhe një video e shkurtër që paraqet disa nga arsyet kyçe pse organizatat IKD-FOL-INPO kanë vendosur të protestojnë në këtë formë. /BetimipërDrejtësi/

IKD, FOL dhe INPO: Veprimet e pesë anëtarëve në KPK paraqesin tendencë për bllokimin e reformës në sistem prokurorial

2 December 2025 at 11:57


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO) në një komunikatë për media theksojnë se kanë përcjellë me shqetësim siç i quajnë veprimet e kundërligjshme dhe abuzuese të një pjese të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shumicën prej të cilëve mandati u skadon në muajin e ardhshëm, të cilët përmes vendimeve të kundërligjshme, në ditët e fundit të mandatit të tyre, synojnë haptazi sabotimin e reformës në KPK.

Ky koalicion i OJQ-ve thekson se përmes këtyre veprimeve, ky grup i anëtarëve të KPK synon të mbajë shumicën në KPK edhe pas reduktimit të përbërjes së KPK.

“Më 20 nëntor 2025, në një mbledhje pa kuorum, në kundërshtim me ligjin, një pjesë e anëtarëve të KPK-së shkarkoi kundërligjshëm U.D. Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendi, duke caktuar në vend të tij në mënyrë të kundërligjshme, Agron Qalaj. Në bazë të këtij vendimi, Qalaj morri pjesë në takimin e djeshëm, duke ua bërë kuorumin e nevojshëm një pjese të anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve kanë mandat vetëm deri në janar 2026, ashtu që të mundësohet vazhdimi i vendimeve të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

IKD, Lëvizja Fol dhe INPO thekson se në takimin e djeshëm, KPK nuk miratoi raportin për zgjedhjen e anëtarit të ri në KPK. Kjo me arsyetimin se sipas tyre në këtë proces u premtuan favore dhe kishte presion ndaj prokurorëve për të votuar.

“Më këtë qasje të kundërligjshme, KPK synon që të përmbysë vullnetin e 74 prokurorëve, të cilët votuan për përfaqësuesin e tyre në KPK. Kjo përkundër se janë shtjerrë të gjitha procedurat administrative për konstatimin e shkeljeve në këtë proces.

Neni 12.1. i Rregullores Nr.05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorëve të KPK i jep mundësi kundërkandidatëve që në rast të pretendimit për shkelje procedurale, të parashtrojnë ankesë në KPK brenda 72 orëve.

Kandidatja në këtë proces, e cila nuk morri numrin e votave të mjaftueshme për tu përzgjedhur në pozitën e anëtares së KPK, ushtroj këtë të drejtë dhe paraqiti ankesë në KPK. KPK refuzoi këtë ankesë me datën 13 nëntor 2025. Sipas paragrafit 3 të këtij neni ‘Pas shqyrtimit të ankesave, Këshilli brenda shtatë (7) ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor’”, thuhet në reagim.

Sipas këtij koalicioni të OJQ-ve, kështu, procedura administrative për përzgjedhjen e anëtarit të ri të KPK tanimë ka përfunduar dhe KPK ka obligim të hapur që të shpallë dhe certifikojë rezultatet brenda afatit shtatë ditor, të cilin afat tanimë e ka tejkaluar.

“Sa i përket raportit, bazuar në nenin 12.1 të Rregullores në fjalë, ky raport paraqet vetëm një raport informues dhe në asnjë rrethanë nuk mund të synohet që përmes tij të përmbyset vullneti i 74 prokurorëve të cilët votuan për përfaqësuesen e tyre në KPK.

Tentativat për të komprometuar procesin transparent që u zhvillua, përmes pretendimeve për presion, të padokumentuara nga institucionet e ndjekjes, janë përpjekje të pabazuara dhe jo etike për të shkelur vullnetin e prokurorëve të cilët votuan pro përfaqësueses së tyre të KPK.

Të gjitha këto veprime të kundërligjshme janë duke u marrë nga një pjesë e anëtarëve të KPK, shumicës prej të cilëve u kalon mandati në janar 2026, kur pritet të jetësohet reforma në KPK.

Në këtë situatë, duke parë hapur abuzimin e ligjshmërisë nga KPK, përmes sigurimit të kuorumit përmes një vendimi të kundërligjshëm, Koalicioni i OJQ-ve i bënë thirrje Gjykatës që sa më parë të vendosë masë të përkohshme ndaj vendimit për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit.

Nëse kjo nuk ndodhë, ka një rrezik real për vazhdimin e nxjerrjes së vendimeve të kundërligjshme, shkeljen e vullnetit të Prokurorëve për përzgjedhjen e përfaqësueses së tyre në KPK dhe sabotimin e reformës në KPK nga një pjesë e anëtarëve të KPK, shumica prej të cilëve e përfundojnë mandatin në muajin e ardhshëm”, thuhet në reagim.

Ky koalicion i OJQ-ve thekson tutje se bazuar edhe në deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian, veprimet e KPK janë duke cenuar rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“KPK duhet t’i ketë parasysh dhe t’i marrë seriozisht këto vërejtje, në mënyrë që të ruajë ligjshmërinë dhe integritetin e saj si institucion kushtetues që administron me sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

IKD: Vendimi i KQZ për hapjen e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat zgjedhore

29 November 2025 at 09:57


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me vendimin për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike. Hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat zgjedhore.

Sipas njoftimit publik të datës 27 nëntor 2025, KQZ në mbledhjen e 84-të, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit.

Ndërkaq, përveç përfaqësive diplomatike, KQZ ka njoftuar se sipas të njëjtit vendim Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”.

IKD thotë "Mirëpo, Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, në asnjë mënyrë nuk lejon hapjen e hapësirave shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike".

Fillimisht, ky Ligj përkufizon se çka është përfaqësi diplomatike: “ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër dhe në ditën e votimit mund të shfrytëzohet si qendër e votimit, sipas vlerësimeve të KQZ-së”.

IKD thekson se përderisa, përmban një kapitull të veçantë për votimin jashtë Kosovës. Mes tjerash, thotë se KQZ kërkon nga MPJ listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Për më tepër, e përcakton që KQZ të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme listën e përfaqësive diplomatike. Kurse, kjo e fundit t’i ofrojë KQZ-së informacionet e kërkuara.

Konkretisht, paragrafi 8 i nenit 96, thotë: “KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”.

"Pra, Ligji në asnjë mënyrë nuk parasheh mundësinë që të lejohen hapësira shtesë jashtë përfaqësive diplomatike, e as mundësinë që MPJD të propozoj ndonjë hapësirë tjetër përveç listës së përfaqësive diplomatike, e cila kërkohet nga KQZ", vijon reagimi.

Më tej, thuhet se hapja e hapësirave shtesë nuk lejohet në asnjë mënyrë edhe nëse plotësohet numri maksimal i votuesve të përcaktuar nga KQZ, për secilën përfaqësi diplomatike.

"Në raste të tilla, rregullat zgjedhore parashohin që sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesit që janë përtej numrit të kufizuar, udhëzohen për mënyra tjera të votimit".

Neni 3 i Rregullores 04/2025 për Regjistrim dhe Votim Jashtë Kosovës, përmes paragrafëve 9 dhe 10 përcakton:

“9. Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi.

10. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat e tjera të votimit”.

Sipas IDK, kjo mënyrë rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime.

"Në rast të ankesave potenciale, krijohen mundësitë për anulimin e votave në këto Qendra të Votimit, pikërisht për shkak se ligji nuk e lejon hapjen e këtyre qendrave".

Andaj, IKD bën thirrje që KQZ të ndërpresë veprimet që bien ndesh me ligjin dhe rregullat zgjedhore.

"Respektimi i ligjit përbën themelet e integritetit zgjedhor dhe të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj, KQZ ka detyrim që brenda mandatit të saj të përcaktuar me ligj, të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë plotësisht të ligjshme dhe të besueshme", vijon reagimi./Telegrafi/

IKD: Seanca e sotme cenon rendin kushtetues, vetëm konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejë rregullsinë procedurale

19 November 2025 at 10:13


Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se legjislatura e 9-të e Kuvendit të Kosovës po shënon nivelin më të lartë të parregullsisë kushtetuese, devijimeve procedurale dhe parregullsive parlamentare në historinë e Republikës së Kosovës, ndërsa sipas IKD-së vetëm një marrëveshje politike dhe konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë procedurale, legjitimitetin e institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës.

Në komunikatën e IKD-së thuhet se sot para seancës për zgjedhjen e Qeverisë, është thirrur një seancë tjetër e jashtëzakonshme me disa pika të rendit të ditës, të cilat janë proceduar në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, praktikën parlamentare, Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Ligjin për Nismat Legjislative dhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Përpjekja për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës.

Kjo qasje e kryetarit aktual të Kuvendit bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit, ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe praktikën e deritanishme parlamentare. Sipas procedurës së detyrueshme, fillimisht Kryesia duhet të përcaktojë strukturën e komisioneve, të marrë propozimet nga grupet parlamentare, të hartojë dokumentin final dhe vetëm më pas ta dërgojë për miratim në seancë plenare. Procedimi aktual e ka anashkaluar këtë proces duke e kaluar këtë proces në mënyrë arbitrare”, thuhet në komunikatë.

Sipas IKD-së, Komisionet parlamentare formohen vetëm pasi të jetë votuar Qeveria nga vet Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të dihen balancat politike dhe ndarja qeveri-opozitë.

“Kjo vlen edhe për komisionet e veçanta. Dy komisionet më të rëndësishme mbikëqyrëse - Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, sipas ligjit, Rregullores dhe praktikës parlamentare, i takojnë opozitës. Në këtë fazë të paqartë politike, nuk dihet ende se cilit subjekt i takon statusi opozitar, duke e bërë të pamundur formimin ligjor të këtyre komisioneve.

Në këtë situatë të krizës institucionale dhe shkeljeve serioze të rendit kushtetues, IKD vlerëson se zgjidhja e vetme reale është arritja e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare”, thuhet në reagim.

Për këtë arsye, IKD u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe në mënyrë të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje, që para seancës së sotme të orës 14:00 mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, të thërrasë menjëherë një takim me kryetarët e të gjitha partive parlamentare.

“Qëllimi i këtij takimi duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje për formimin e një Qeverie teknike, e cila do të mundësojë adresimin e çështjeve urgjente të administrimit shtetëror: miratimin e ndarjeve buxhetore për vitin 2026, buxhetin për RTK, alokimin e buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të tjera të pazgjidhura që kërkojnë funksionim të plotë institucional.

Vetëm një marrëveshje politike dhe konstituimi i një qeverie teknike mund të rikthejnë rregullsinë procedurale, legjitimitetin e institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës... Nëse ky hap nuk ndërmerret, vazhdimi i devijimeve aktuale do të shkaktojë dëm të parikuperueshëm për rendin kushtetues të vendit, funksionimin e demokracisë parlamentare dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

IKD: Qeveria në detyrë mori një sërë vendimesh të kundërligjshme dhe elektorale

31 October 2025 at 14:52


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kontestuar dhe kundërshtuar miratimin e vendimeve nga Qeveria në detyrë.

IKD thekson se këto vendime janë miratuar nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin.

“Për më tepër, vendimet e nxjerra në pritje të para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me mundësi të mëdha edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, IKD i konsideron si vendime elektorale.

IKD në asnjë rrethanë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara. Për më tepër, në kohën kur vendi po përballet me një shkallë të lartë inflacioni, çështja e drejtësisë sociale do duhej të merrte një fokus të shtuar institucional. Megjithatë, këto çështje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin dhe jo këto vendime të merren në kontekst elektoral”, thuhet në reagim.

Sipas Institutit në një situatë të rënduar ekonomike dhe një klimë të përgjithshme zhgënjimi, është e lehtë të arsyetohet çdo veprim që duket se sjell përfitim të menjëhershëm, përkundër mos respektimit të ligjeve dhe procedurave.

“Por, ligjet dhe procedurat ekzistojnë pikërisht për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimi i pushtetit. Kur ato shkelen për qëllime politike, sot mund të duket se fitojmë diçka, por nesër humbim sigurinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Prandaj, mbrojtja e procedurës është mbrojtje ligjit, institucioneve dhe vetë interesave të qytetarëve.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, anëtarët e Qeverisë të cilët janë certifikuar si deputetë tanimë kanë humbur mandatin e tyre si anëtarë të Qeverisë, për shkak të papajtueshmërisë në mbajtjen e njëkohësisht të të dy pozitave, asaj të anëtarit të qeverisë dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Thënë më ndryshe, të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët janë certifikuar si deputet, nuk janë më anëtarë të qeverisë dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të marrë asnjë vendim. Për këtë arsye, të njëjtit kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë dhe rrjedhimisht të gjitha këto vendime, në mungesë të kompetencës, janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, në mbledhjen e së premtes, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës fillimisht miratoi Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Vitin 2025 (Buxhetin) dhe se ky vendim bie ndesh me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ligj ky i miratuar nga kjo Qeveri dhe aprovuar nga Kuvendi në kohën kur kjo Qeveri kishte shumicën në Kuvend.

“Kundërligjshmëria nuk përfundon këtu. Në votimin e buxhetit u përfshi edhe ajo që pagesa për përvojën e punës të rritet nga 0.25% në 0.5%. Fillimisht, duhet theksuar se në të kaluarën, pagesa për përvojën e punës ka qenë 0.5%. Ligji për Pagat në Sektorin Publik, miratuar nga kjo Qeveri, e kishte ulur në 0.25%. Për këtë, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje, duke urdhëruar Kuvendin që, deri më 1 gusht 2024, të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Kjo Qeveri dhe Kuvendi i kaluar shkelën afatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke mos respektuar aktgjykimin e saj dhe duke mos bërë ndryshimin e Ligjit. Për shkak të kësaj, tanimë Gjykatat janë vërshuar me lëndë nga qytetarët të cilët kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre.

Ndërsa, në takimin e së premtes, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që këtë ta përfshijë në buxhet, përkundër faktit se kjo duhet të bëhet me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, e tillë është edhe çështja e pagës së trembëdhjetë.

“Kjo çështje nuk mund të rregullohet me një vendim qeveritar, por kërkohen ndryshime sistematike në Ligjet bazike. Adresimi i kësaj çështje përmes një vendimi qeveritar është një vendim juridikisht i pavlerë. Për më tepër, një vendimi të tillë do të duhej t’i paraprinte një analizë e thellë ekonomike, në kuptim të implikimeve që mund të ketë. Kjo duhet të shikohet në prizmin e aspektit të drejtësisë sociale, ku nuk duhet barazuar zyrtarët shtetëror me të hyra me mijëra euro, me zyrtarët me paga të ulëta. Sipas këtij vendimi, të dy kategoritë do të marrin pagën e 13-të. Në anën tjetër, analiza do duhej të përfshinte edhe inkuadrimin e sektorit privat në këtë masë. Për këtë arsye, përpos se i kundërligjshëm, ky vendim është edhe konceptualisht i gabuar dhe rrezikon të prekë edhe shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë.

Sa i përket vendimit të për rritjen e pagës minimale, është i pasaktë deklarimi i z. Hekuran Murati në lidhje me atë se vendimi është marrë në mungesë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social. Aktualisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk e ka funksionalizuar këtë Këshill, andaj s’kishte se si të vinte një propozim i tillë”, thekson IKD.

Sipas Institutit vendimet e tjera të Qeverisë, që kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve dhe rritjen e shtesave për fëmijë, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në kohën kur paralajmërohen zgjedhje të reja qendrore, janë vendime haptazi elektorale.

“Vet Kryeministri në detyrë Kurti thoshte se nuk rrit pagat në prag të fushatave, sikurse qeveritë paraprake”, thuhet ndër të tjera. /Telegrafi/

IKD kundërshton pretendimin e Kurtit për të propozuar projektbuxhetin 2026: Nuk ka të drejtë ligjore

27 October 2025 at 20:12


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference për media, deklaroi se Qeveria e tij ka të drejtë të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026, megjithatë, theksoi se ka disa të panjohura në këtë proces.

Në reagimin e tij, Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) theksoi se, sipas Ligjit për Qeverinë, neni 31.2 përcakton se vetëm Qeveria në dorëheqje ka të drejtë të propozojë Kuvendit miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Ai theksoi se Qeveria Kurti është në detyrë dhe nuk është në dorëheqje, duke e bërë të pavlefshme pretendimin e Kurtit për të propozuar projektbuxhetin.

Shala shtoi se asnjëra nga situatat e parashikuara në nenin 30.2 të Ligjit për Qeverinë, që e përcaktojnë një Qeveri në dorëheqje, nuk aplikohet për Qeverinë Kurti.

Sipas tij Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin dhe as Kuvendi nuk ka të drejtë ta miratojë një propozim të tillë.

Ky reagim vjen pas deklaratës së Kurtit, i cili theksoi se, bazuar në Ligjin për Qeverinë, mund të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026, porse nuk do të thotë se puna mbaron aty.

"Për të miratuar buxhetin, nevojiten 61 vota në Kuvend, dhe kjo është një sfidë e madhe për Qeverinë në detyrë".

Në këtë kontekst, diskutimi mbi kompetencat e Qeverisë në detyrë dhe të drejtat e saj për të propozuar buxhetin mbetet një çështje e hapur dhe e diskutueshme në politikën kosovare.

Nga kanosje te mashtrimi - këta janë kandidatët me dënime e aktakuza aktive që po kërkojnë votën më 12 tetor

1 October 2025 at 10:08


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport të ri në të cilin janë evidentuar kandidatë për kryetarë komunash të cilët kanë probleme me ligjin.

Sipas këtij raporti nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, 8 prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.

Ndër ta, katër kanë aktakuza aktive, ndërsa pesë janë dënuar më parë me vendime të formës së prerë.

Nga tetë kandidatët për kryetar të komunave me probleme ligjore, katër janë nga dy parti politike: tre nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ndërsa tre kandidatë të tjerë vijnë nga iniciativa qytetare: Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia. Një kandidat tjetër është i pavarur.

Kandidatët që kanë aktakuza aktive janë katër të cilët janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, 1 prej tyre është në rigjykim kurse për dy të tjerë vendimi nuk është përpiluar ende, kurse një rast është duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit.

Sipas IKD-së këta janë kryetarët e komunave që kanë aktakuza aktive: Erden Atiq nga LVV i dënuar në shkallë të parë, rasti në Gjykatën e Apelit. Vepra penale ndaj Atiq është “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”. Aktakuza ndaj tij është ngritur më 2017.

telegrafi.com

Sami Lushtaku nga PDK, është i dënuar në shkallë të parë ndërkaq rasti është rikthyer në rigjykim. Vepra penale ndaj Lushtakut është “Krim i organizuar lidhur me veprën penale pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”. Aktakuza ndaj tij është ngritur në vitin 2016.

Shkumbin Demaliaj nga Iniciativa Demokracia është kandidati tjetër që ka aktakuzë aktive. Ai është dënuar në shkallë të parë, ndërkaq aktgjykimi nuk është përpiluar. Vepra penale për të cilën akuzohet është “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza është ngritur në vitin 2018.

Shkuri Buja nga PDK gjithashtu është dënuar në shkallë të parë, kurse aktgjykimi nuk është përpiluar. Edhe Buja akuzohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza edhe ndaj tij është ngritur në vitin 2018.

Raporti i IKD-së ka evidentuar edhe 5 kandidatë të cilët kanë pasur dënime penale të formës së prerë. Këta kandidatë janë:

Arbër Emini kandidat i pavarur në Kllokot. I dënuar me gjobë në shumën prej 200 euro dhe burgim me kusht 90 ditë për veprën penale e cila nga “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” është rikualifikuar në veprën penale “mashtrimi”. Kjo vepror është kryer në vitin 2023.


Sami Lushtaku nga PDK është dënuar me gjobë prej 2 mijë euro për veprën penale “kanosja” të kryer në vitin 2021. Lushtaku gjithashtu është i dënuar me gjobë prej 1,700 euro për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe 12,000 euro për “arratisje e personit të privuar nga liria”. Këto vepra penale janë kryer në vitet 2019 dhe 2020.

Sokol Bashota nga PDK gjithashtu është i dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe gjobë prej 1,200 euro për veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, të kryer në vitin 2021.

Srecko Spariq nga Srpska Narodna Sloga gjithashtu është i dënuar me 10 muaj burgim me kusht për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar” të kryer në vitin 2017.

Zafir Berisha nga Bashkimi Demokratik i Prizrenit është i dënuar për dy vepra penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Berisha është dënuar me 6 muaj burgim që i është zëvendësuar pastaj me 1,500 euro gjobë dhe dënimi tjetër me 140 euro gjobë. Veprat janë kryer në vitin 2024 dhe 2015.

IKD ka gjetur se nga 93 subjekte të certifikuara për këto zgjedhje lokale, në 6 prej tyre paraqiten kandidatë që kanë probleme me ligjin. Në mesin e tyre, 2 janë parti politike, 3 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. /Telegrafi/

IKD: Tetë kandidatë për kryetarë komunash kanë probleme me ligjin, PDK me tre dhe LVV me një

1 October 2025 at 09:11


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot një raport të ri në të cilin evidentohen kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, të cilët kanë aktakuza aktive apo janë dënuar më herët me vendime të formës së prerë për vepra penale.

Sipas raportit, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë (8) prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.

Ndër ta, katër kanë aktakuza aktive, ndërsa pesë janë dënuar më parë me vendime të formës së prerë.

“Bazuar në të dhënat e monitorimit të IKD, nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, tetë (8) prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin. Prej tyre, janë gjithsej katër (4) kandidatë të cilët kanë aktakuza aktive, mbi bazën e të cilave aktakuza edhe janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, por se këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë. Ndërkaq, janë identifikuar edhe pesë (5) kandidatë që në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë”, thuhet në njoftim.

IKD thekson se edhe pse ndalesat ligjore mund të mungojnë për kandidimin e këtyre personave, prezenca e tyre në garën zgjedhore dëmton besimin publik në politikë.

Instituti rikujton se kërkesa për mos kandidim të personave të cilët kanë probleme me ligjin nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në atë mënyrë që përderisa problemet me ligjin nuk përfundojnë, partitë politike nuk kandidojnë persona të tillë.

Nga tetë kandidatët për kryetar të komunave me probleme ligjore, katër janë nga dy parti politike: tre nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ndërsa tre kandidatë të tjerë vijnë nga iniciativa qytetare: Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia. Një kandidat tjetër është i pavarur.

Sipas raportit, “kandidatët për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 12 tetorit 2025 të cilët kanë probleme me ligjin janë akuzuar në 12 raste, për gjithsej 10 vepra të ndryshme penale.” Këta kandidatë garojnë në gjithsej shtatë komuna.

IKD vëren një përmirësim në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

“Ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatët e tillë,” thuhet në raport. Po ashtu, është ulur edhe numri i partive politike që kanë kandidatë me probleme me ligjin – nga katër në vitin 2021, në dy në vitin 2025.

Megjithatë, IKD evidenton një regres. “Në anën tjetër, IKD evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë,” thuhet në fund të raportit.

IKD vijon të avokojë për dekriminalizimin e politikës, duke kërkuar nga partitë politike dhe iniciativat qytetare që të tregojnë përgjegjësi dhe të përjashtojnë nga listat zgjedhore kandidatët me sfond penal. /Telegrafi/

SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, Analistët: Jemi në "Listën e Zezë"

12 September 2025 at 20:50


Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën po konsiderohen brengosës.

Gjatë ditës së sotme Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën. Në njoftimin e Ambasadës në Facebook thuhet se kjo për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, vendimi i ShBA-ve është komentuar edhe nga Qeveria në detyrë e Kosovës ku është thënë se mirëpresim edhe kritikat dhe kurdo që janë konkrete përpiqen maksimalisht të përmirësojnë dhe korrigjojnë hapat e veprimet e tyre.

Profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu konsideron se krerët shtetëror duhet ta trajtojnë me seriozitet këtë vendim të aleatit kryesor të Kosovës.

Baraliu vlerëson se kjo situatë duhet të riparohet sa më parë.

“Duke parë si diçka brengosëse dhe shqetësuese nëse është zyrtare, nëse është burimi nga State Departamenti Amerikan e dyta do të duhej ditur se për çfarë është fjala, për çfarë dialogu. Nuk ka se për çfarë të zhvillohet dialog përveçse marrëdhëniet diplomatike nuk nënkuptojnë dialog ato nënkuptojmë marrëdhënie të bazuara në Konventën e Vjenës ku detyra e një ambasade dhe ambasadori ose të ngarkuari me punë është e caktuar dhe ka limite. Ne me shtete tjera nuk kemi dialog, aq më tepër dialog të tillë që quhet strategjik. Por, sidoqoftë duhet të jetë brengosëse dhe shqetësuese kur në një mënyrë apo tjetër një shtet kaq i rëndësishëm që është eksponenti kryesor i aleancës strategjike të Kosovës, dhe do të duhej të ishte me SHBA dhe shtetet e QUINT-it dhe gjitha shtetet mundësisht të perëndimit pastaj që të ketë një pezullim të tillë. Kjo duhet të merrej si alert si diçka që do të duhej të merrej shumë seriozisht dhe të riparohej sa më parë dhe se nuk konsiderohen marrëdhëniet e tilla si normale nëse ka dialog strategjik”, theksoi ai për KosovaPress.

Pas vendimit të SHBA-ve për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, liderët e partive opozitare në vend, PDK, LDK e AAK kanë zhvilluar takim me përfaqësues të SHBA-në në Ambasadën Amerikane në Kosovë.

Ende nuk dihet se çfarë është diskutuar.

Karshi vendimit të SHBA-së reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve.

Në një deklaratë të Presidencës, thuhet se çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë.

Eugen Cakolli nga IKD, në gati dy dekada të ekzistencës së mekanizmit të “dialogut strategjik”, SHBA-të e kanë pezulluar apo ndërprerë atë vetëm me katër shtete.

“Kinën, Rusinë, Gjeorgjinë, Kosovën. Renditja e Kosovës në të njëjtën listë me Rusinë e Kinën, përveç se është mesazhi më i ashpër diplomatik nga SHBA-të, është edhe një alarm i madh për kredibilitetin ndërkombëtar të vendit”, tha ai.

Kurse, ish ambasadori Lulzim Peci ka shkruar se pezullimi i Dialogut Strategjik nga ana e SHBA-ve ka qene njëra nga masat e pritura që janë pasojë e politikes se papërgjegjshme të VV-së, gjegjësisht të Albin Kurtit, me të cilin po vallëzon edhe Vjosa Osmani.

E analisti Shkëlzen Gashi ka shkruar se Ambasada e Amerikës në Prishtinë e paska hapë sot e para fushatën zgjedhore.

Raporti i IKD-së për Qeverinë Kurti: Moszbatim i vendimeve gjyqësore dhe abuzim me ushtrues detyre

10 September 2025 at 09:24


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin mbi qeverisjen e kundërligjshme dhe praktikën e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre gjatë Qeverisë Kurti II.

Në këtë raport thuhet se Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë ndalojnë qartë që një person të mbajë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë.

“Megjithatë, shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë kanë vazhduar të mbajnë të dy funksionet, duke shkelur Kushtetutën dhe Ligjin. Kundërligjshmëria e kësaj praktike është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme, por pavarësisht kësaj, Qeveria jo vetëm që nuk ka zbatuar vendimin, por ka sulmuar publikisht gjyqtarët e saj”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, moslëshimi i zyrave të Qeverisë në detyrë nga personat që janë edhe deputetë të Kuvendit ka pasoja shumëdimensionale.

“Pos cenimit të sundimit të ligjit në Kosovë, kjo situatë ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë, të cilat kanë theksuar se nuk do të zhvillojnë takime me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë. Në anën tjetër, në kuptim të vendimit të Gjykatës Supreme, të gjitha vendimet të cilat merren nga anëtarët e qeverisë të cilët janë edhe deputet, janë të kundërligjshme. Në pamundësi për tu atakuar secili vendim, kjo situatë e mbush rendin juridik me vendime të kundërligjshme”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, kjo situatë tërheq pas vetes edhe përgjegjësi penale, e cila përgjegjësi aktualisht është duke u shqyrtuar nga PSRK.

“Për më tepër, kjo situatë rrezikon të ketë implikime edhe në përzgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Në anën tjetër, Qeveria Kurti II është karakterizuar si qeveri me ushtrues detyre. Një numër i madh i pozitave janë mbajtur për vite të tëra nga ushtrues detyre, pa u zhvilluar procedurat e rregullta të rekrutimit. Gjykata Supreme ka theksuar se çdo pozitë e mbajtur me ushtrues detyre përtej afatit ligjor është e kundërligjshme dhe vendimet e nxjerra në këto rrethana janë të pavlefshme”, thuhet në raport.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se kjo praktikë, e kundërt me standardet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë, ka dëmtuar meritokracinë, ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka rritur potencialin për korrupsion.

IKD thekson se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm përjashtim, ndërsa proceset meritore të rekrutimit duhet të jenë rregull. /Telegrafi/

❌
❌