Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rezultati zgjedhor nuk është ai që ka pritur, duke shtuar se ky është moment i një “reflektimi të thellë” dhe i përgjegjësisë politike. Në bazë të numërimit të 95 për qind të votave, LDK-ja është e treta me 13.80 për qind të votave. Kjo parti kishte 18 për […]
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në zgjedhjet e sotme parlamentare, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Bazuar në këto rezultate, LVV ka marrë 49.80 për qind të votave dhe, sipas projeksioneve fillestare të shpërndarjes së ulëseve në Kuvend, pritet t’i ketë 56 deputetë.
Këto projeksione janë bërë pa përfshirë votat e diasporës dhe janë të kushtëzuara deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 21.21 për qind të votave dhe pritet të sigurojë 23 ulëse në Kuvend.
Si forca e tretë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.76 për qind të votave, çka sipas projeksioneve i siguron 15 deputetë.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.73 për qind të votave pritet t’i ketë 6 deputetë.
Shpërndarja e ulëseve bëhet sipas metodës D’Hondt, e cila është metodologjia standarde e përdorur në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse, prej të cilave 100 janë ulëse të përgjithshme që ndahen mes subjekteve politike, ndërsa 20 janë ulëse të rezervuara për komunitetet jo-shumicë.
Rezultatet përfundimtare dhe përbërja e saktë e Kuvendit priten të konfirmohen pas numërimit të plotë të votave, përfshirë ato nga diaspora.
Ermal Sadiku, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, ka reaguar me ironi ndaj rezultateve të zgjedhjeve të së dielës.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas numërimit të mbi 94.09 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet e para me 49.92 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.15 për qind, ndërsa LDK-ja zë vendin e tretë me 13.81 për qind.
Në këtë kontekst, Sadiku ka publikuar në profilin e tij në Facebook një video të shoqëruar me një këngë të këngëtarit Meda.
Në sfond dëgjohet fraza “Ma mirë mos t’isha gjallë të dielën mbrëma”, e cila është interpretuar si një reagim ironik ndaj rezultatit zgjedhor të subjektit të tij politik.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se merr përgjegjësinë për rezultatin e dobët të arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Abdixhiku ka deklaruar se rezultati zgjedhor nuk ka qenë i pritshëm, duke theksuar se situata kërkon reflektim të thellë brenda partisë.
“Ne duhet të respektojmë verdiktin e popullit. Nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë dhe kemi bërë program, por ky është verdikti i qytetarëve dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë".
Ai ka shtuar se mban përgjegjësi të plotë për rezultatin e zgjedhjeve dhe se do t’i thërrasë organet e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejmë.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar".
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se çështja e dorëheqjes së tij do të diskutohet edhe në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Në Kuvendin e Përgjithshëm edhe dorëheqja do të vihet në diskutim”, ka theksuar Abdixhiku./Telegrafi/
Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar sonte rezultatet preliminare nga vëzhgimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2024 dhe 9 shkurt 2025, duke paraqitur përqindjet e subjekteve politike sipas numërimit paralel.
Sipas të dhënave të DnV-së, renditja e subjekteve politike është si vijon:
LVV: 47.91%
PDK: 21.08%
LDK: 13.36%
AAK: 5.62%
SL: 5.5%
NISMA: 1.88%
Demokracia në Veprim ka sqaruar se këto janë rezultate preliminare, të cilat nuk përfshijnë votat nga diaspora dhe votat me kusht. Po ashtu, është theksuar se pragu zgjedhor prej 5% aplikohet për subjektet politike që garojnë për vendet jo të rezervuara në Kuvend.
Sipas DnV-së, në këtë proces zgjedhor kanë pasur të drejtë vote 1,999,204 qytetarë, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.
DnV ka vlerësuar procesin zgjedhor si përgjithësisht të qetë dhe ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të përmbyllin me transparencë fazat e mbetura të numërimit dhe certifikimit të rezultateve./Telegrafi/
E plotësuar: Sipas rezultateve të publikuara deri më 28.12.2025, ora 20:39, Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson zgjedhjet me 49.67% të votave, duke grumbulluar 226,354 vota në nivel vendi.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.02% ose 91,217 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 14.12% të votave, përkatësisht 64,359 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.85% (31,206 vota).
Lista Serbe ka marrë 3.33% ose 15,186 vota.
Nisma Socialdemokrate renditet e fundit me 1.49% të votave, që përkthehen në 6,795 vota.
Sipas të dhënave, janë numëruar 469,898 vota, që përbëjnë rreth 23.50% të totalit të pritshëm apo mbi 55 për qind, ndërsa procesi i numërimit vazhdon.
E përditësuar: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin e radhës të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku deri më tani janë numëruar 327,567 vota, apo mbi 41 për qind.
Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara më 28.12.2025 në ora 20:29, Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të kryesojë bindshëm me 48.79 për qind të votave, që përkthehen në 154,826 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.91 për qind apo 63,180 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 13.85 për qind ose 43,952 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar deri më tani 7.37 për qind të votave (23,390 vota), ndërsa Lista Serbe figuron me 3.70 për qind apo 11,740 vota. NISMA Socialdemokrate mbetet nën prag me 1.65 për qind të votave (5,233 vota).
Sipas KQZ-së, janë përpunuar 1,049 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbëjnë 41.02 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Harta zgjedhore tregon dominim të Vetëvendosjes në shumicën e komunave të Kosovës.
Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa nga KQZ theksojnë se rezultatet janë paraprake dhe mund të pësojnë ndryshime deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar të tyre.
Me 21 për qind të votave të numëruara, LVV thellon epërsinë: Këto janë rezultatet e KQZ-së
E plotësuar: Rezultatet e përditësuara preliminare nga numërimi i votave tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm në zgjedhje.
Sipas të dhënave të fundit, VV ka marrë 47,12 për qind të votave, përkatësisht 72.737 vota, duke konfirmuar epërsinë ndaj subjekteve të tjera politike.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19,33 për qind apo 29.842 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13,68 për qind të votave, që përkthehen në 21.122 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 7,70 për qind të votave ose 11.884 vota, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 4,59 për qind me 7.079 vota. Nisma Socialdemokrate renditet e fundit ndër subjektet kryesore me 1,82 për qind të votave, përkatësisht 2.806 vota.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë numëruar mbi 159 mijë vota, ndërsa procesi i numërimit vazhdon edhe në qendrat e tjera. Rezultatet mbeten preliminare dhe mund të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të procesit dhe certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ ka bërë thirrje për qetësi dhe ka theksuar se transparenca dhe integriteti i procesit zgjedhor do të garantohet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.
KQZ nis numërimin e votave, këto janë rezultatet e para
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare, të cilat u mbajtën të dielën në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje po prin bindshëm në rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të dhënave të përditësuara më 28 dhjetor 2025, në orën 19:54. Me 45,81 për qind të votave të numëruara, Vetëvendosje ka siguruar deri tani 13.325 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 18,59 për qind apo 5.407 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12,94 për qind, që përkthehet në 3.765 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 8,31 për qind të votave ose 2.417 vota.
Lista Serbe renditet pas saj me 3,93 për qind, përkatësisht 1.143 vota, ndërsa Koalicioni Vakat ka siguruar 2,61 për qind apo 760 vota.
Sipas të njëjtave të dhëna, deri në këtë fazë janë numëruar 30.367 vota nga gjithsej 1.999.204 votues të regjistruar, që përfaqëson një pjesëmarrje prej rreth 1,52 për qind.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vazhdojë përditësimin e rezultateve gjatë orëve në vijim, ndërsa këto shifra konsiderohen ende paraprake./Telegrafi.
Exit pollet e publikuara nga UBO Consulting, T7 dhe Klan Kosova tregojnë një tablo të ngjashme të rezultateve zgjedhore, me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) që prin qartë në të gjitha matjet, ndërsa PDK dhe LDK ruajnë pozicione të qëndrueshme me dallime minimale.
Sipas UBO Consulting, LVV ka marrë 45.7%, e ndjekur nga PDK me 22.0% dhe LDK me 15.6%. Ndërkohë, AAK vlerësohet me 5.3%, ndërsa Nisma Socialdemokrate me 1.7%.
Exit poll-i i T7 e vendos LVV-në në 43.5%, PDK-në në 23.6% dhe LDK-në në 15.9%. Në këtë matje, AAK arrin 7.2%, ndërsa kategoritë “Të tjerë” shënojnë 9.8%.
Ndërsa sipas Klan Kosova, LVV rezulton me 44.1%, PDK me 23.9% dhe LDK me 16.1%. AAK në këtë exit poll vlerësohet me 5.8%, ndërsa Nisma me 1.1%.
Përfundim:
Të tri exit pollet konfirmojnë dominimin e LVV-së, me një epërsi të konsiderueshme ndaj partive të tjera.
Diferencat mes PDK-së dhe LDK-së janë relativisht të vogla, ndërsa AAK luhatet nga 5 deri në 7 për qind, varësisht nga matja. Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Telegrafi.
Një sondazh i fundit i UBO Consulting tregon arsyet kryesore pse qytetarët e Kosovës zgjedhin partitë politike në zgjedhjet e fundit.
Sipas rezultateve, motivi kryesor për votuesit ndryshon në varësi të partisë që kanë votuar.
Pyetja: Arsyeja pse keni votuar, sipas sondazhit.
Vetëvendosje, Albin Kurti: Për liderin e partisë: 53.7 për qind.
PDK, Bedri Hamza: Për linderin e partisë: 52.4 për qind.
LDK, Lumir Abdixhiku: Për liderin e partisë: 11 për qind.
(Arsyeja kryesore pse qytetarët e kanë votuar LDK-në është historiku i partisë)
AAK, Ramush Haradinaj: Për liderin e partisë: 4O.2 për qind.
Nisma, Fatmir Limaj: Për liderin e partisë: 23.6 për qind.
(Arsyeja kryesore pse qytetarët e kanë votuar Nismën është historiku i partisë)
Rezultatet e sondazhit tregojnë se faktorët kryesorë të vendimmarrjes së votuesve ndryshojnë dukshëm nga një parti te tjetra, duke reflektuar diversitetin e preferencave politike në Kosovë./Telegrafi/
Valon Feka nga UBO-Consulting ka bërë të ditur se pjesëmarrja e diasporës ka dhënë një ndikim të madh në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
UBO Consulting ka publikuar detajet e EXIT POLL-it, të prezantuara në RTV Dukagjini, ku paraqiten të dhëna të votimit nga qytetarët rezidentë që jetojnë në Kosovë dhe ata që kanë ardhur nga diaspora.
Sipas exit-poll-it, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar tri mandate shtesë falë votës së diasporës, ku 61,7% e qytetarëve nga jashtë Kosovës të anketuar kanë votuar për këtë parti.
Feka theksoi se për herë të parë është regjistruar një numër kaq i madh i votuesve nga diaspora, të cilët përbëjnë rreth 15,5% të të anketuarve.
Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson bindshëm si brenda Kosovës ashtu edhe në diasporë. Në Kosovë (pa diasporën), VV ka marrë 43.5% të votave, ndërsa në diasporë përqindja e saj arrin në 61.7%, duke shënuar një mbështetje dukshëm më të lartë nga mërgata.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.9% në Kosovë dhe 18.6% në diasporë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 16.7% të votave në Kosovë dhe 10.3% në diasporë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shënon rezultate të ngjashme në të dyja rastet, me 5.4% në Kosovë dhe 5.1% në diasporë, ndërsa Nisma Socialdemokrate mbetet nën 2%, përkatësisht 1.8% në Kosovë dhe 1.7% në diasporë.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka falënderuar qytetarët që deri tani kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar dhe ka bërë apel që ata që nuk e kanë ushtruar ende këtë të drejtë ta bëjnë sa më shpejt.
“Falënderoj qytetarët që deri tani kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar. Nga këtu në këto pak orë që kanë mbetur, t’i ftoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë të drejtë", tha Mustafa.
Ai gjithashtu theksoi se procesi i votimit po zhvillohet mirë në të gjitha komunat e vendit.
“Nga gjitha informatat nga terreni, procesi po ecën shumë mirë në të gjitha komunat", tha ai.
Besian Mustafa u bëri thirrje edhe atyre që janë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve që të vazhdojnë punën e tyre pa dallim partie.
“I bëjmë thirrje atyre që janë në proces të monitorimit të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre pa dallim partie”, u shpreh Mustafa. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është drejtuar qytetarëve që të dalin të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Ai ka thënë se qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhmen euroatlantike.
“Është një ditë e mirë, ditë e mbarë dhe shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, tha Abdixhiku.
“Uroj që qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet, për të ardhme euroatlantike dhe të largohen nga zymtësia dhe bllokada që na ka shoqëruar në këto vite”.
“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/
Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku në Debat Plus të Dukagjinit ka thënë se nuk ofendon Kurtin e elektoratin e tij, sado që s’pajtohet me atë çfarë përfaqëson.
Madje sipas tij një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, është rrezik.
“Unë nuk e ofendoj as Kurtin as elektoratin e tij.Mund të mos pajtohem me atë çfarë përfaqëson".
"Një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, ai kërcënon më shumë se sa vetëm fjalë, është e rrezikshme. Turmat janë të rrezikshme. Ata kanë rrënuar çdo urë të komunikimit me ne. Ne kemi qenë korrekt me ta, ata kanë ofenduar dhe propaganduar. Në anën tjetër besoj që mirë që e kanë kuptuar se gjuha duhet të ndërrohet”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e liderëve të Vetëvendosjes për gjuhën ndaj partisë që drejton.
Ai ka thënë se nuk ia fal Albin Kurtit kur doli në foltore e tha që LDK-në po e do Serbia.
“Këta kanë kërku 500 mijë vota, nuk kanë lyp partner. Nuk kërkon partner në studio, ndërton partneritet, respekt ndaj votuesit. Momentin që Kurti del në foltore e i drejtohet LDK-së juve po iu do Serbia, ka rrënu secilën urë bashkëpunimi. Pa qartësim të kësaj, nuk mundet me iu afru LDK-së".
"Kemi qenë shumë korrekt. LDK-ja në EPP ka mbajt prezencë solide, kemi ofruar resolute për liberalizim të vizave. Sa herë që ka pasur nevojë kemi ofru komunikim. Nuk i bëjmë publike, janë tema me interes publik. Në momente shumë të vështira, LDK i ka thënë atij jemi në tërësi të përbashkët, për interesa e qëllime. Kemi folur për aleatë e aleanca. Nuk e kemi prit që ai ndërton gjuhë kundër LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar gjuhën e Vetëvendosjes, për jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se qytetarët kanë halle me rrymë e fatura, përderisa VV-ja thotë që jeta është e mirë.
“Qytetarët nuk kanë rrymë, iu kanë ardhë faturat me rritje, tregoju që jeta është më mirë. Një pushtet po mendon që qytetarët e kanë jetën mirë, nuk e kanë as mendjen me ua ndreq jetën, çmimet nuk janë rrit, rrogat janë rrit, ekonomia po lulëzon. Nuk kanë bo gjë. Këta e marojnë një sistem paralel e nuk e kanë mendjen me i ndihmu qytetarëve”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Hatmane Sada, ka bërë thirrje për qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme, duke theksuar rëndësinë e votës si një instrument fuqiplotë për dinjitet, stabilitet dhe progres të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Sada shkroi se çdo votë ka peshë dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit.
“Një votë që flet për dinjitet. Një votë që flet për stabilitet. Një votë që flet për një Kosovë që ecën përpara,” theksoi ajo, duke bërë thirrje që qytetarët të mos qëndrojnë anash.
Kandidatja e LDK-së për deputete gjithashtu falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe energjinë gjatë fushatës, duke e cilësuar këtë periudhë si të mrekullueshme.
Sada u kujtoi votuesve numrat që duhet votuar nesër: LDK – 123 dhe Hatmane Sada – 87, duke u shprehur optimiste se pjesëmarrja qytetare do të bëjë diferencën.
“Zgjidh Shpresën,” përfundoi ajo, duke inkurajuar qytetarët të votojnë dhe të jenë pjesë e drejtimit të ardhshëm të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për Ermal Sadikun, kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, dijes dhe teknologjisë për të ardhmen e vendit.
Rama vlerësoi eksperiencën e Sadikut në industrinë e teknologjisë, duke theksuar se kjo përvojë i jep atij njohuritë e nevojshme për të udhëhequr transformimin digjital të Kosovës.
“E ardhmja e Kosovës ndërtohet me inovacion, dije dhe teknologji. Ermal Sadiku, përveç se zotëron këto tre dimensione, ka edhe vullnetin për ta realizuar këtë përmes besimit të qytetarëve,” tha Rama.
Ai shtoi se vizioni i Sadikut për një Kosovë të mençur përfshin institucione transparente, shëndetësi moderne dhe arsim efikas.
Rama nënvizoi gjithashtu se vullneti i Sadikut për të shërbyer transformimit digjital duhet të bashkëpunohet me përkushtimin e qytetarëve për t’i besuar këtë sfidë.
“Mbështetja për Ermal Sadikun është mbështetje për inovacionin, dijen dhe të ardhmen e Kosovës,” përfundoi Rama, duke bërë thirrje për besimin dhe përkrahjen qytetare në këtë garë zgjedhore.
Inxhinieri, ndërmarrësi dhe opinionisti Ermal Sadiku garon për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mban numrin 19 në këtë listë zgjedhore.
Ai e ka cilësuar këtë hap si një rrugëtim të ri politik, të nisur me bindje personale dhe pa “pozita të dhuruara”.
Në një deklaratë, Sadiku tha se vendimi për t’u përfshirë në politikë ka ardhur pas shumë dilemash, veçanërisht për shkak të kohës së shkurtër për prezantim në garë.
Megjithatë, ai theksoi se ka zgjedhur të hyjë në proces zgjedhor si kandidat, e jo përmes një pozite ekzekutive të negociuar paraprakisht.
“Kam pasur mundësi të negocioj një pozitë në ekzekutiv pas zgjedhjeve, por kam vendosur të hyj në garë vetë. Pozitat e dhuruara nuk të japin peshë politike dhe as autoritet për të sjellë ndryshim,” u shpreh Sadiku, duke shtuar se beson se pozitat duhet të merren me meritë dhe përmes garës demokratike.
Sipas tij, angazhimi politik ka një fokus të qartë: zhvillimin e industrisë së teknologjisë dhe shtyrjen përpara të proceseve të digjitalizimit në Kosovë.
Sadiku bëri të ditur se LDK i ka besuar atij rolin për të avancuar këto procese, të cilat, siç tha, prekin drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari, biznesi dhe brezi të ri.
Sadiku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe përkushtimit ndaj sektorit të teknologjisë si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Ai tha se Kosova ndodhet në një periudhë polarizimi të thellë, por ai beson se shumica e qytetarëve kërkojnë një politikë më të qetë, pa ofendime dhe pa linçime, të bazuar në punë konkrete dhe jo në zhurmë.
“Qytetarët duan përgjigje për të ardhmen: ku do të punojnë, çfarë do të zhvillohet dhe çfarë mundësish do të kenë fëmijët e tyre. Për shumë prej këtyre pyetjeve, përgjigjja gjendet në inovacion dhe teknologji,” tha ai.
Kandidati i Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është digjitale, duke theksuar rolin kyç të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në zhvillimin e vendit.
Gjatë një diskutimi të mbajtur sot në DeepSpace Prishtinë, Abdixhiku tha se teknologjia përfaqëson një mundësi reale për Kosovën që të bëjë një kapërcim të madh zhvillimor dhe të zërë hapin me vendet evropiane.
Ai theksoi se në botën digjitale koha përshpejtohet dhe se një brez i ri, i vendosur dhe i pajisur me dije moderne, mund të sjellë ndryshim të madh për vendin. Sipas tij, rinia dhe njohuritë e reja përbëjnë përparësinë më të madhe të Kosovës.
Abdixhiku prezantoi gjithashtu planin e LDK-së për krijimin e Ministrisë së Digjitalizimit, si dhe trajnimin e 40 mijë të rinjve në fushën e teknologjisë informative dhe komunikimit (ICT), me synim krijimin e vendeve të reja të punës, ndërtimin e një ekonomie moderne dhe funksionalizimin e shtetit në epokën digjitale.