Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Opozita shqiptare përfundon protestën me molotov dhe fishekzjarre, Berisha kërkon qeveri teknike

24 January 2026 at 20:41


Ka përfunduar protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike, këtë të shtunë, 24 janar, por jo pa krijuar tensione dhe lëndime.

Sheshi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga simpatizantë të Partisë Demokratike, të cilët ishin në mbështetje të kampit blu për kërkesat e kësaj të fundit lidhur me një “qeveri teknike”.

Protesta nisi me himbin kombëtar. Fjalën e morën disa demokratë, që më pas pasoi në deklaratën e mbajtur nga kreu i PD-së, Sali Berisha.

Fillimisht Berisha ndaj një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Të nderuar drejtues të PD-së, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër e motra, do ta nis këtë fjalë me një mesazh, që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky. Sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë jo e lehtë.

Një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime orvelliane ndaj nesh por dhe një qëndresë stoike. Sakrifica të dhimbshme ndaj nesh.”, tha Berisha.

Berisha gjatë fjalimit të tij përpara protestuesve u shpreh se diktaturat nuk ikin me votë, por me revolta.

“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama nuk ikën me votë, diktaturat nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben, me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore dhe ja ku jemi ne sot”, u shpreh kryedemokrati.

Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke thënë se “Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë.”

Ky fjalim, pasoi me kërkesën e kryedemokratit për një qeveri teknike.

“Sonte është thirrja e madhe, është ora jonë të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri. Për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare…”, tha Berisha duke shtuar se kjo është e vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fill pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë, gjë që shkaktoi tensione, e largimi i tyre u bë vetëm përmes autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës nga blutë.

Këto molotovë sollën gjithashtu dhe lëndimin e disa protestuesve si dhe të disa oficerëve të cilët morën ndihmën e parë mjekësore, por nuk u raportua për dëmtime të rënda.

Protesta më pas u zhvendos nga Kryeministria përpara godinës së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.

Sakaq, lidhur me këto incidente, deri më tani dihet se janë shoqëruar tre protestues.

Por, shoqërimi i këtyre qytetarëve, ka sjellë dhe përplasje të disa prej figurave të Partisë Demokratike me punonjës të uniformave blu.

“O plehra. Mos i prekni çunat/ mos më prek mua! Ça të qetësohem? O plehra? Jeni çuna të rinj, por jeni plehra ta dini!”, u shpreh i tensionuar Xhaferri ndaj policëve, pas një përplasjeje mes tyre./Tv Klan

Policia shqiptare: 11 efektivë të plagosur nga sulmet me molotov dhe mjetet e forta

24 January 2026 at 20:31


Policia shqiptare ka njoftuar se 11 efektivë, si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore.

Policia shton se janë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie.

Ndërkohë, grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.

Hidhet gaz lotsjellës i skaduar në protestë

24 January 2026 at 20:24


Policia duket se ka përdorur gaz lotsjellës të skaduar kundër protestuesve në të shtunën.

Një prej bombolave të hedhura, e siguruar nga A2, ka të shkruar datën e prodhimit në korrik të vitit 2019 dhe datë skadence në korrik 2023.

Gazi u përdor në godinën e Kryeministrisë pasi protestuesit hodhën molotov dhe fishekzjarrë ndërsa u hodh edhe te Parlamenti, pas përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit

Disa efektivë policie janë lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë në protestën e opozitës.

Policia ka njoftuar se efektivët e lënduar po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Më herët, një person u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në protestën e opozitës.

Berisha: Lironi menjëherë 25 të Protestuesit paqësorë, beteja jonë deri në fundin e Ramës

24 January 2026 at 20:20


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të protestës, nga selia blu kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar nga policia pas përplasjeve me forcat e rendit.

Berisha deklaroi se 25 protestues paqësorë janë arrestuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Ai e cilësoi kryeministrin Rama si “armik të çdo shqiptari” dhe shtoi se opozita do të vijojë betejën kundër qeverisë.

"Mos ndërse policinë kundër protestuesve. Ju bëj thirrje policëve, mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj dhe moral. Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari. Duhet të betohemi se me këtë betejë, kilomentri ynë i fundit do të jetë fundi i merituar i Edi Ramës dhe narko-qeveritarëve të tjerë".

"Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësore, të cilët në mënyrë absolute nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty me urdhër të Edi Ramës. Ju kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëhrë. Nuk mundet kurrë në një popull me asgjë…ju e patë vetë, e patë gatishmërinë e atyre njerëzve, ishin të gatshëm t’i jepnin Edi Ramës në 30 minuta atë që meritonte. Kjo gatishmëri do vahzdojë. Kjo betejë do të vijojë. Ne kemi vetëm një mision, përmbysjen e këtij regjimi kriminal", ka deklaruar Berisha.

Një protestues i lënduar, merret me ambulancë

24 January 2026 at 20:10


Një person është dërguar me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi ka mbetur i lënduar në protestën e opozitës para Kryeministrisë.

I lënduar është mbajtur në krah nga një personel mjekësor dhe një i njohur dhe u shoqërua në ambulancë, shkruan A2 CNN.

Është e paqartë nëse ka mbetur i lënduar nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia, apo ka pësuar ndonjë dëmtim tjetër.

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij.

Menjëherë protestuesit u shpërndanë, ndërsa Berisha raportohet se u largua me makinë drejt selisë së PD.



Protesta opozitës, policia mobilizohet te Kuvendi - fiken dritat e rrugës

24 January 2026 at 20:00


Protesta e opozitës këtë të shtunë vijon ende te Kuvendi me tensione, njëlloj si te Kryeministra.

Policia është mobilizuar pranë Kuvendit, ndërsa në disa rrugë janë fikur dritat për të menaxhuar situatën.

Makina për shpërndarjen e ujit ka shpërndarë protestuesit, duke treguar gatishmërinë e forcave për të kontrolluar turmën.

Protestuesit po qëllojnë me gurë drejt policëve që janë para godinës së parlamentit.

Në sheshin para godinës së Parlamentit po vijojnë përplasjet tanimë në distancë mes protestuesve dhe efektivëve të policisë./Euronews Albania

Përplasje fizike mes deputetit të PD-së dhe policisë gjatë protestës: Plehra, lëri çunat

24 January 2026 at 19:46


Një përplasje fizike ka ndodhur mes deputetit të PD-së, Besart Xhaferri, dhe policisë këtë të shtunë gjatë protestës së opozitës.

Gjatë një momenti kur policia po arrestonte protestuesit, deputeti Xhaferri ndërhyri, duke u përplasur fizikisht me efektivët.

Nga pamjet duket tension i lartë ndërmjet tij dhe policisë, ndërsa në video dëgjohet përdorimi i një fjalori të papërshtatshëm dhe i ashpër./Euronews Albania


Protesta e opozitës, Policia: Disa efektivë policie të lënduar

24 January 2026 at 19:36


Disa efektivë policie janë lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë në protestën e opozitës.

Policia ka njoftuar se efektivët e lënduar po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Më herët, një person u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në protestën e opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi para protestuesve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, ka deklaruar se, sipas tij, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk mund të largohet përmes votës, por vetëm përmes revoltës popullore.“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë s...

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij.

Menjëherë protestuesit u shpërndanë, ndërsa Berisha raportohet se u largua me makinë drejt selisë së PD./A2 CNN

Eskalon protesta në Shqipëri, molotov dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë

24 January 2026 at 19:23


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi para protestuesve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, ka deklaruar se, sipas tij, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk mund të largohet përmes votës, por vetëm përmes revoltës popullore.

“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama nuk ikën me votë. Diktaturat nuk ikin me votë, por shemben vetëm me revoltë popullore, dhe ja ku jemi ne sot”, është shprehur Berisha.

Ai ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë, duke deklaruar se kryeministri Rama, sipas tij, “kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë”.

Pas fjalimit të Berishës, situata para Kryeministrisë është tensionuar, ku protestuesit kanë ndezur flakadanë dhe fishekzjarrë, si dhe kanë hedhur shishe molotovi në drejtim të godinës së Kryeministrisë.



Gjatë adresimit të tij, kreu i Partisë Demokratike ka përsëritur thirrjen për krijimin e një qeverie teknike, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Sonte është thirrja e madhe për t’u bashkuar dhe për ta përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike dhe për të shkuar në zgjedhje të reja, në interes të vendit dhe familjes shqiptare”, ka deklaruar Berisha.

Pas përfundimit të fjalimit, protestuesit kanë nisur të lëvizin nga Kryeministria drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Deri në këto momente, Berisha dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike nuk i janë drejtuar selisë qendrore të partisë.

- YouTube youtu.be

Gjykata në Prizren pranon kërkesa për paraburgim ndaj 23 personave të dyshuar për manipulim votash

24 January 2026 at 18:58


Gjykata Themelore në Prizren ka konfirmuar se deri më tani ka pranuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 personave, nga gjithsej 109 të arrestuarit për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka bërë të ditur se kërkesat janë parashtruar nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe lidhen me vepra të rënda penale që cenojnë procesin zgjedhor.

“Sipas kërkesave të pranuara deri tani, për 21 të dyshuar në cilësinë e komisionerëve kërkohet paraburgim për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka shtuar se për një të dyshuar tjetër, komisionere, Prokuroria ka kërkuar paraburgim për dy vepra penale: falsifikim i rezultateve të votimit dhe marrje e ryshfetit.


Ndërkohë, sipas Lekajt, për një të pandehur tjetër në cilësinë e vëzhguesit, kërkesa për paraburgim bazohet në dyshimet për kryerjen e veprave penale kanosje dhe dhënie ryshfeti.

“Gjykata aktualisht është në pritje të pranimit të kërkesave të tjera nga Prokuroria Themelore në Prizren”, ka theksuar zëdhënësi Lekaj.

Ai po ashtu ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë mbajtur dy seanca dëgjimore, ndërsa pritet që të mbahen edhe dy seanca të tjera, lidhur me kërkesat për paraburgim në këtë rast.

Kurti kujton masakrën e Rakovinës: U vranë vetëm pse ishin shqiptarë

24 January 2026 at 18:11


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar përvjetorin e 27-të të masakrës së Rakovinës. Tha se më 24 janar 1999, në Rakovinë të Gjakovës, policia e Serbisë vrau pesë civilë të paarmatosur, vetëm pse ishin shqiptarë.

“Besimi ishte 12 vjeç, e Haxhiu vetëm 11. Dy vëllezërit po udhëtonin me babanë e tyre, Shaban Kelmendin. Ata u qëlluan për vdekje. Bashkë me ta u ekzekutuan edhe çifti Hysen dhe Sanije Kurti nga fshati Cërmjan. Ata po lëviznin me një traktor dhe rimorkio, mbi të cilin forcat e armatosura serbe shtinë me rafale automatike”, shkroi Kurti në përkujtim të kësaj dite.

Ai thotë se sot, 27 vjet pas, këta fëmijë e këta qytetarë kujtohen me dhimbje të thellë dhe nderim të përhershëm.

“Kujtimi i Besimit dhe Haxhiut na rikujton dhunën serbe në Kosovë mbi trupat e fëmijëve, mbi familje të tëra, mbi jetë që nuk patën mundësi të mbroheshin. Kujtojmë për të mos lejuar që e vërteta të zbehet dhe që krimet të mbesin pa emër e pa përgjegjësi”, ka shkruar tutje Kurti.

Ai shtoi se dhimbja e familjeve të tyre është plagë e shoqërisë, ndërsa kujtesa kolektive është zotim për drejtësi.

“Republika e Kosovës i kujton sot viktimat e Masakrës së Rakovinës dhe nuk i harron kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri!”, ka shkruar Kurti, derisa kujtoi këtë masakër në përvjetorin e 27 të saj.


LDK në Pejë diskuton Kuvendin Qendror, refuzon dorëheqjen e Abdixhikut

24 January 2026 at 17:54


Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është diskutuar për Kuvendin Qendror të partisë që do të mbahet më 31 janar 2026, në të cilin pritet të vendoset për votëbesimin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kryesisë kanë diskutuar hapur për situatën aktuale në parti, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe sfidat politike.

Sipas njoftimit, shumica e diskutimeve kanë qenë në mbështetje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe vazhdimit të udhëheqjes së tij.

Në Kuvendin Qendror të 31 janarit pritet që delegatët të shprehen përmes votës lidhur me besimin ndaj kryetarit aktual, një proces që shihet si i rëndësishëm për orientimin e mëtejmë politik të LDK-së./Telegrafi/


Komuna e Mitrovicës vazhdon lirimin e hapësirave publike të uzurpuara

24 January 2026 at 17:42


Komuna e Mitrovicës ka intensifikuar aksionet për lirimin e hapësirave publike të shfrytëzuara në mënyrë të kundërligjshme, në kuadër të angazhimit për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit urban.

Sipas njoftimit të Komunës, Drejtoria e Inspekcionit aktualisht është duke realizuar rrënimin e një objekti të ndërtuar pa leje, i cili ndodhet në afërsi të shtëpisë së Islam Shipolit.

Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, ka theksuar se drejtoria që ai udhëheq mbetet e përkushtuar dhe e vendosur në zbatimin e ligjit, pa toleruar asnjë shkelje që cenon hapësirat publike.

Ai ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në lirimin e plotë të të gjitha hapësirave të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të krijimit të rendit, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës.


Nga pasivizimi i adresave te gjuha shqipe, çfarë përfshinë projektligji amerikan për shqiptarët e Luginës së Preshevës

24 January 2026 at 17:33


Partia për Veprim Demokratik ka publikuar tekstin e propozim Ligjit të kongresistit, Keith Self që u miratua në Komisionin për Politikë të Jashtme e përmes së cilit adresohet diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë nga Serbia.

Ata kanë paraqitur gjithë rrjedhën nga fillimi e deri të miratimi i këtij projektligji.

Pika A thotë se “Jo më vonë se 180 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit duhet të përgatisë dhe t’ia dorëzojë Komisionit për Punë të Jashtme një raport mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, i cili duhet të përfshijë vlerësim për çështjet e mëposhtme”.

Sipas këtij dokumenti të publikuar nga Partia për Veprim demokratik aty vijohet me çështjen e pasivizimit të adresave.

Këto janë të gjitha pikat e propozim ligjit që u votua ditë më parë në Kongres.

1. Çaktivizimi i vendbanimeve të regjistruara, i njohur si “pasivizim” i adresave nga autoritetet qeveritare të Serbisë, që u përkasin shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës (e njohur gjithashtu si “Lugina e Preshevës”, “Presheva Valley” ose “Presevo Valley”).

2. Nëse një praktikë e tillë, nëse konfirmohet, po i pengon shqiptarët etnikë të rinovojnë dokumentet e identitetit dhe të ushtrojnë të drejta themelore që kërkojnë identifikim, siç është votimi.

3. Nëse Serbia shpërfill integrimin proporcional të shqiptarëve etnikë në institucionet shtetërore dhe institucionet e tjera publike.

4. Nëse Serbia neglizhon ose refuzon të njohë diplomat dhe gradat e fituara në Kosovë nga shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

5. Nëse Serbia kufizon ose ndalon përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike në çdo nivel ose në dokumentet personale, përfshirë dokumentet e identitetit, patentat e shoferit, kartelat shëndetësore, certifikatat e lindjes, martesës ose vdekjes, veçanërisht në komunat e Serbisë ku shumica e banorëve janë shqiptarë.

6. Nëse Serbia po pengon ose vështirëson furnizimin e rregullt dhe në kohë me tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë etnikë në Luginën e Preshevës.

7. Nëse Serbia kundërshton në mënyrë aktive ose shpërfill integrimin proporcional të shqiptarëve etnikë në institucionet shtetërore ose institucionet e tjera publike.

8. Nëse Serbia u ndan komuna­ve me shumicë shqiptare fonde të ulëta nga buxheti qendror në krahasim me komunat me shumicë serbe, dhe nëse këto fonde janë të mjaftueshme për t’u mundësuar qeverive lokale mirëmbajtjen ose ndërtimin e infrastrukturës së re apo ofrimin e shërbimeve të tjera publike të nevojshme për banorët lokalë.

9. Nëse Serbia shtyp ose kufizon përdorimin e simboleve që përbëjnë pjesë të identitetit etnik.

10. Nëse Serbia përdor policinë ose forcat e tjera të zbatimit të ligjit për të marrë në pyetje, kërcënuar ose frikësuar shqiptarët etnikë lokalë pa arsye ose procedurë të rregullt ligjore.

11. Niveli i mbështetjes që Serbia ofron për mediat, shtypin ose aktivitetet kulturore në gjuhën shqipe.

12. Shqyrtimi nga ana e Serbisë për zbatimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për shqiptarët etnikë.

13. Nëse Serbia ndërmerr masa për të rritur qëllimisht varfërinë ose për ta bërë jetën të paqëndrueshme për shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës.

Tutje, sipas Partisë për Veprim Demokratik, raporti duhet të dorëzohet në formë jo të klasifikuar, por mund të përmbajë një shtojcë të klasifikuar, nëse është e nevojshme.


​“Superpuna” jashtë funksioni, bizneset dhe punëkërkuesit në vështirësi

24 January 2026 at 17:14


Platforma “Superpuna” tash disa javë është jashtë funksionit, duke pamundësuar regjistrimin e punëtorëve, ndërsa bizneset rrezikojnë penalizime nga institucionet shtetërore për shkak të një problemi që nuk është i tyre.

Edhe nga Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës jo zyratisht i kanë konfirmuar pwr KosovaPress këto telashe. Madje thonë se kanë pranuar një numër të madh të ankesave për këtë shqetësim.

Krahas mosfunksionimit të platformës, ankesa të mëdha janë ngritur edhe për vonesat e pagesave dhe mungesën e sqarimeve institucionale për vazhdimin e programit në vitin 2026.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovës, Kushtrim Ahmeti thotë se problemet me platformën “Super Puna” vetëm se po përsëriten dhe se ankesat nga bizneset për mosfunksionim të saj janë përsëritur edhe së fundmi, ashtu si në fund të vitit të kaluar.

“Në fakt, duket që kjo problematika e platformës Super Puna nuk është diçka e re, pasi që këtë çështje ne e kemi diskutuar para afërsisht, nëse nuk gaboj, diku vitin e kaluar nga fundi, mundet me qenë nëntor ose dhjetor, afërsisht me disa prej bizneseve të cilat ma kanë përmendur nëpër takime që janë duke hasur në telashe në funksionimin e kësaj platforme. Por, më pas duket që u kthye pa funksionim. Këto kohët e fundit, faktikisht edhe sot kemi pasur disa komunikime me biznese, të cilat na kanë lajmëruar që prapë kanë telashe me mosfunksionim të kësaj platforme”, shprehet Ahmeti.

Ahmeti theksoi se mosfunksionimi i platformës “Superpuna” po i vë bizneset në një situatë të vështirë, pasi ato rrezikojnë të penalizohen nga Administrata Tatimore për mos regjistrim të punëtorëve, ndonëse problemi buron nga vetë sistemi shtetëror.

Ai u bëri thirrje institucioneve që të mos ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj bizneseve pa u verifikuar më parë se përgjegjësia nuk është e tyre.

“Në njërën anë, biznesi do ta regjistrojë punëtorin. Në anën tjetër, nuk ka qysh e mban punëtorin në punë pa regjistruar. Me e mbajtur në punë, rrezikohet që të penalizohet nga agjencia, nga Administrata Tatimore e Kosovës. Pse? Sepse nuk e ka, nuk e ka bërë regjistrimin e punëtorit. Në fakt, në këtë rast nuk është faji i biznesit, por është faji i sistemit prapë shtetëror në këtë rast, i cili nuk është duke funksionuar dhe shpeshherë po ndodhin këto telashe. Unë edhe në takime të ndryshme që kam pasur edhe me zyrtarë të Administratës Tatimore, po edhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, u kam kërkuar që mos të ndërmarrin veprime të menjëhershme, sepse duket që zgjidhja më e lehtë për shumë institucione të vendit është që t'i dënojnë menjëherë bizneset, pa e vërtetuar saktë se problemi nuk është te biznesi, por është problemi tek një shërbim ose një sistem që e ka nën mbikëqyrje ë qeveria e Kosovës ose shteti i Kosovës në këtë rast dhe që për një arsye ose tjetër i njëjti nuk funksionon”, deklaroi ai.

Njohësi i ekonomisë, Adem Qorrolli thekson se platforma për regjistrim ka pasur vazhdimisht probleme teknike, si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht.

Por, sipas tij, shqetësimi kryesor është se përdoruesit nuk po mund të regjistrohen përsëri.

“Realisht sistemi i platformës ka pasur probleme dhe të mëhershme dhe kemi ankesa edhe të tashme. Po ajo që është shqetësuese është që nuk po munden të regjistrohen përsëri dhe a është tash problem i sistemit financiar, apo është problemi institucional që nuk po i financon ende. Dhe problemi i dytë është që nuk po kryhen pagesat me afat kohor 15 ditë pas përfundimit të muajit. Domethënë kemi ankesa që i marrin mbas dy muajve, tre apo ende nuk i kanë marrë të ardhurat e tyre, siç janë premtuar nga pako fiskale e Ministrisë së Financave, pako buxhetore e Ministrisë së Financave gjegjësisht për sektorin privat, gjegjësisht për bizneset”, thotë Qorrolli.

Sipas Qorollit, ka paqartësi institucionale edhe rreth vazhdimit të programit “Superpuna” në vitin 2026.

“Dhe ajo që është shqetësim i madh është që nuk e dinë ende, a ekziston mundësia e Super Punës dhe informatori kryesor institucional nuk po jep dritën e gjelbër që a ekziston edhe në vitin 2026 ky sektor. A ekziston edhe financimi? A është vetëm për sektorin privat, apo vlen edhe për institucione të tjera, apo financohet ende? Dhe ky është boshllëku që sot ne kemi shumë thirrje nga sektori privat dhe kemi shumë zëra nga fuqia punëtore që a ekziston kjo mundësi dhe pse nuk po paguhen mbetjet e punëtorëve të vitit 2025”, theksoi ai.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe tek Agjencia për Punësim të Republikës së Kosovës lidhur me mos funksionimin e platformës “Superpuna” , por deri në publikimin e këtij raporti nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Në fillim të vitit 2023 Qeveria e Kosovës kishte lansuar platformën “Superpuna” në mbështetje të sektorit privat në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e moshës 18-25 vjeç.

Përmes kësaj platforme, çdo punëdhënës mund të angazhojë deri në 30% të stafit të tyre ekzistues, po që fillimisht duhet t’i shpallë vendet e lira të punës./KosovaPress

Pas Zveçanit, Policia gjen sërish armë, municion dhe eksploziv në Zubin Potok

24 January 2026 at 16:39


Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe eksploziv në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë të komunës së Zubin Potokut, në kuadër të detyrave të rregullta policore në rajonin e veriut.

Sipas njoftimit zyrtar, më 24.01.2026 Policia ka pranuar informacione se në një objekt të braktisur dyshohej se ndodheshin armë dhe mjete shpërthyese. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar:

  • 1 pushkë të tipit M48
  • 244 fishekë të kalibrave të ndryshëm
  • 2 karikatorë të zbrazët
  • një sasi eksplozivi

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Njësia për Trajtimin e Eksplozivit (EOD), e cila ka larguar eksplozivin në mënyrë të sigurt. Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar llojin e saktë të eksplozivit të gjetur.

Të gjitha veprimet policore janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet mbeten në vazhdim.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë në numrin 192.

Një delegacion i KFOR-it viziton Portin e Durrësit, forcohet bashkëpunimi

24 January 2026 at 16:27


Një delegacion i Grupit të Bashkuar të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (Joint Logistic Support Group – JLSG) ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, ku është pritur në takim nga Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu.

Vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare dhe forcave aleate të NATO-s, me qëllim njohjen nga afër të kapaciteteve dhe infrastrukturës që Porti i Durrësit ofron për mbështetjen e operacioneve logjistike dhe ushtarake, njofton Autoriteti Portual Durrës.

Bëhet e ditur se delegacioni i KFOR-it, i përbërë nga përfaqësues të niveleve të ndryshme drejtuese dhe operative, u informua mbi potencialin operacional të portit, zonat e shërbimit, si dhe mbi mundësitë që Shqipëria mund të ofrojë si vend pritës në kuadër të operacioneve të zhvilluara apo të mbështetura nga KFOR-i.

Takimi shërbeu gjithashtu për të forcuar bashkëpunimin institucional, si dhe për shkëmbimin e informacioneve lidhur me nevojat logjistike, planifikimin operacional dhe rolin strategjik të Portit të Durrësit në rajon.


Një pjesë e qytetit e disa fshatra të Obiliqit pa ujë, shkak dëmtimi i gypit

24 January 2026 at 16:21


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një gypi nga disa kontraktorë privatë të cilët, thonë se, për dëmin e shkaktuar nuk kanë raportuar, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për një pjesë të qytetit të Obiliqit dhe disa fshatra.

“Ju njoftojmë se, si pasojë e dëmtimit të gypit Ø200 ACC nga kontraktorë privatë, të cilët kanë shkaktuar dëmin dhe nuk e kanë raportuar atë, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm. Pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur: një pjesë e qytetit të Obiliqit (lagjja kah Kosova B ), fshati Plemetin, fshatrat Prelluzhë dhe Hamidi”, thotë KRU “Prishtina”.

Ata kanë bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm do të rikthehet pas sanimit të plotë të dëmit derisa u kanë bërë thirrje konsumatorëve të këtyre zonave që ujin të mos e përdorin për pije deri të jetë i kthjellët plotësisht.


Ambasadori gjerman shkruan për 100 ditët në Kosovë: Ngrohtësia e njerëzve e bën vendin të veçantë

23 January 2026 at 23:32


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka ndarë përshtypjet e tij për 100 ditët e para të qëndrimit në Kosovë, duke veçuar ngrohtësinë e jashtëzakonshme të mikpritjes që ka ndjerë gjatë vizitave në vende të ndryshme të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rudolph theksoi se që nga ardhja e tij në Prishtinë është pritur me mirësi, hapje dhe buzëqeshje të sinqerta, një përvojë që, sipas tij, e ka shoqëruar kudo që ka udhëtuar në Kosovë.

Ai tregoi se kurioziteti për ta njohur vendin përtej kryeqytetit e ka çuar në ecje në malet pranë Brodit, vizita në qytetin e vjetër të Prizrenit, në manastirin e Deçanit, si dhe udhëtime në veri të Kosovës.

“Kudo që kam qenë, përvoja ka qenë e njëjtë: njerëz mikpritës, biseda kuptimplote dhe një ndjenjë e thellë lidhjeje me Gjermaninë,” ka deklaruar ambasadori gjerman.

Rudolph vlerësoi gjithashtu bukurinë natyrore të Kosovës, duke theksuar se ajo është e pranishme edhe në jetën e përditshme. Sipas tij, bukuria e vendit nuk kërkon udhëtime të gjata, por fillon që në pragun e shtëpisë, gjatë vrapimeve të fundjavës në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Në përfundim, ambasadori shprehu entuziazmin për vazhdimin e misionit të tij diplomatik në Kosovë, duke theksuar se pret me padurim shumë ditë të tjera të bukura në vend./Telegrafi/


Mediat botërore raportojnë gjerësisht për arrestimet në Kosovë lidhur me manipulimet e votave

23 January 2026 at 23:10


Aksioni i Prokurorisë Themelore në Prizren ndaj dyshimeve për manipulim të votave ka marrë jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare.

Ditën e sotme, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar 109 persona, kryesisht komisionerë të përfshirë në procesin e numërimit të votave, nën dyshimet për ndërhyrje dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore.

Lidhur me këtë ngjarje kanë raportuar disa nga mediat më të njohura botërore, raporton Telegrafi.

Agjencia Reuters e ka cilësuar rastin si një “turp i madh” për Kosovën, duke theksuar se vendi, si shtet i ri, synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Reuters raporton gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se hetimet fillestare për këtë çështje kanë nisur rreth dy javë më parë.

Edhe media amerikane ABC News i ka kushtuar vëmendje arrestimeve, duke raportuar se autoritetet në Kosovë kanë arrestuar mbi 100 persona për manipulim të fletëvotimeve gjatë zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.

Sipas ABC News, ky zhvillim ka rritur shqetësimet se kriza politike njëvjeçare në Kosovë mund të zvarritet edhe më tej.

Jehonë arrestimeve u kanë dhënë edhe mediat gjermane, duke i cilësuar hetimet si një test serioz për integritetin e procesit zgjedhor dhe për sundimin e ligjit në Kosovë.

Ndërkohë, media franceze Le Monde ka raportuar se në Kosovë janë kryer rreth njëqind arrestime për “falsifikim të rezultateve zgjedhore”.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, më shumë se 68 mijë fletëvotime dyshohet se janë përvetësuar gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit në largim, Albin Kurti. Në mes të muajit janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte urdhëruar rinumërimin e plotë të votave.

Edhe agjencia italiane ANSA ka raportuar se Kosova ka arrestuar mbi 100 komisionerë zgjedhorë për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve, duke theksuar se hetimet janë ende në vazhdim.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar se veprimet po ndërmerren për të garantuar transparencë, zbardhje të plotë të rastit dhe ruajtje të integritetit të procesit zgjedhor, ndërsa pritet që drejtësia të zgjerojë hetimet edhe në komuna të tjera ku rinumërimi ka nxjerrë parregullsi.

❌
❌