Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Main stream

Numërimi vazhdon në QKN, procesohen rezultatet nga 1,039 vendvotime

30 December 2025 at 14:57


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani janë procesuar 1,039 vendvotime nga Qendrat Komunale të Numërimit, nga gjithsej 2,557, që përbën 40.63 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje prin me 47.37 për qind të votave të numëruara. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.90 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 12.25 për qind.

Në vendin e katërt është Lista Serbe me 8.29 për qind, e ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5.15 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka marrë 1.33 për qind të votave të procesura deri tani.

Procesi i numërimit po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit, po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme. /Telegrafi/

Spitali i Prizrenit konfirmon: Tre fëmijët e shpëtuar nga zjarri janë në gjendje stabile

30 December 2025 at 12:49


Një tragjedi ka ndodhur sot në Prizren, ku një shtëpi u përfshi nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një fëmije njëvjeçar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, kur fëmija dyshohet se humbi jetën si pasojë e thithjes së tymit. Mjeku i emergjencës konstatoi vdekjen e tij.

Nga i njëjti incident, tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, janë dërguar gjithashtu në repartin e pediatrisë si pasojë e intoksikimit nga tymi.

Sipas spitalit, gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në mënyrë të vazhdueshme nga stafi mjekësor.

“Sot, rreth orës 10:25, me autoambulancën e Urgjencës së qytetit, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ është sjellë një fëmijë pa shenja jete, nga një shtëpi që ishte kapluar nga flaka. Mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen e fëmijës, i lindur në vitin 2024.

Nga i njëjti rast, në repartin e pediatrisë janë sjellë edhe tre fëmijë të tjerë, me moshë 4, 6 dhe 10 vjeç, si pasojë e intoksikimit nga tymi. Gjendja e tyre është stabile dhe ata po trajtohen në repartin e pediatrisë”, thuhet në përgjigjen e spitalit për Telegrafin.

Spitali apelon për kujdes dhe ndihmë ndaj familjeve që mund të përballen me pasoja nga zjarret dhe ngjarjet e ngjashme.

Ndryshe policia ka njoftuar se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore. /Telegrafi/

ZRRE ul tarifat e ngrohjes për Prishtinën dhe Gjakovën

30 December 2025 at 11:33


Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku mori vendim për të ulur tarifat për ngrohje për Prishtinë dhe Gjakovë.

Kryetari i bordit të kësaj zyre, Ymer Fejzullahu ka bërë të ditur për Telegrafin se është ulur për rreth 4 për qind tarifa për ata që ngrohen nga Termokosi në Prishtinë dhe rreth 5% tarifa e ngrohjes në Gjakovë.

“Po e mbajtëm mbledhjen dhe morëm vendim për zbritje të tarifave. 5% ke për Gjakovën dhe 4% për Termokosin vetëm për konsumatorët me matje”, tha Fjezullahu.

Për sezonin e ngrohjes për vitin 2026, tarifat e miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji për konsumatorët shtëpiakë pa matje është 76 cent/m² për muaj ndërsa tarifa për konsumatorët komercial/institucional: 95 cent/m² për muaj.

Çmimi i deritanishëm për ngrohjen me matje ishte 76 centë për kilovat në muaj, i vendosur vitin e kaluar.

Me çmimin e ri, tani konsumatorët në Prishtinë do të paguajnë 73 centë për kilovat në muaj, ndërsa ata në Gjakovë 72 centë.

Termokos ka rreth 25.000 konsumatorë në kryeqytetin me 227.154 banorë. Sezoni i ngrohjes nga Termokos-i zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill./Telegrafi/

Tragjedi në Prizren, humb jetën një fëmijë njëvjeçar si pasojë e zjarrit

30 December 2025 at 11:20


Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në një shtëpi banimi pranë Shtëpisë së Kulturës në Prizren, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë njëvjeçar.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht po marrin trajtim mjekësor.

“Sot, më 30 dhjetor 2025, rreth orës 10:00, është raportuar një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit. Një fëmijë rreth 1 vjeç ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e thithjes së tymit. Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe po marrin trajtim në Emergjencë,” tha Bytyqi për Telegrafin.

Ai bëri të ditur se njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes.

Bytyqi theksoi se shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore. /Telegrafi/

Vazhdon numërimi i votave, këta janë pesë më të votuarit deri tani nga subjektet kryesore politike

30 December 2025 at 10:14


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve paraprake nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025.

Aktualisht në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

Deri më tani janë numëruar mbi 26 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas të dhënave të deritanishme, të përpunuara Lëvizja Vetëvendosje po prin në nivel vendi.

Në listën e kandidatëve më të votuar nga kjo parti, kryeson Albin Kurti me 89,529 vota i ndjekur nga Glauk Konjufca me 69,847 vota, Hekuran Murati me 36,214 vota, Albulena Haxhiu me 36,203 vota dhe Donika Gërvalla-Schëarz me 31,628 vota.

Partia Demokratike e Kosovës në nivel vendi është renditur si partia e dytë.

Në listën e kandidatëve pesë më të votuarit nga kjo parti janë: Bedri Hamza me 40,640 vota, Arian Tahiri me 19,561 vota, Përparim Gruda me 18,145 vota, Uran Isamili me 14,401 vota dhe Sala Jashari me 13,077 vota.

Si parti e tretë në nivel vendi është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës.

Top pesë kandidatët më të votuar deri më tani nga kjo parti janë: Lumir Abdixhiku me 19,357 vota, Hykmete Bajrami me 12,588 vota, Ukë Rugova me 10,841 vota, Avdullah Hoti me 9,693 vota dhe Doarsa Kica-Xhelili me 9,679 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është renditur si forca e katërt politike në nivel vendi.

Nga numërimi i deritanishëm i votave të kandidatëve për deputetë, pesë më të votuarit nga kjo parti janë: Ramush Haradinaj me 10,036 vota, Daut Haradinaj me 6,194 vota, Besnik Tahiri me 6,042 vota, Bekë Berisha me 4,402 vota dhe Time Kadrijaj me 4,171 vota.

Procesi i numërimit po vazhdon dhe KQZ ka theksuar se këto rezultate janë paraprake dhe mund të ndryshojnë me përditësimin e të dhënave nga vendvotimet e mbetura. /Telegrafi/

Dy persona raportohen të zhdukur në Fushë Kosovë

30 December 2025 at 09:39


Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të personave të zhdukur që janë raportuar ditët e fundit në Fushë Kosovë.

Sipas policisë, rasti i parë është raportuar më 26 dhjetor 2025, rreth orës 22:00, në rrugën Kadri Minushi, ku ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se vajza e kunatit të tij ka dalë nga shtëpia dhe që nga ajo kohë nuk dihet për vendndodhjen e saj.

Ndërkaq, rasti i dytë është raportuar më 29 dhjetor 2025, ndërsa zhdukja ka ndodhur më 27 dhjetor 2025, rreth orës 12:00, në rrugën Bedri Pejani. Ankuesi ka deklaruar se djali i tij i mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

Policia ka bërë të ditur se të dy rastet janë duke u hetuar dhe se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e personave të zhdukur. /Telegrafi/

KQZ përfundon procesimin e rezultateve preliminare, LVV-ja afër 50%

30 December 2025 at 09:28


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesimin e rezultateve preliminare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 49.34 për qind të votave, apo 433,394 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 20.98 për qind, përkatësisht 184,318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.57 për qind, apo 119,201 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.66 për qind të votave, me 49,698 vota, ndërsa Lista Serbe ka marrë 4.81 për qind, apo 42,235 vota. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka fituar 1.70 për qind, përkatësisht 14,957 vota.

Ndryshe, ndonëse procesimi i rezultateve preliminare ka përfunduar, procesi i numërimit po vazhdon edhe në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

Aty po zhvillohet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

Deri më tani janë numëruar mbi 26 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Rezultatet e publikuara mbeten preliminare dhe do të konsiderohen përfundimtare vetëm pas përmbylljes së të gjitha fazave të numërimit dhe certifikimit zyrtar nga KQZ. /Telegrafi/

Gjeti kuletën me 800 euro por viktimës i'a ktheu vetëm 500 - arrestohet i dyshuari

30 December 2025 at 09:18


Një person është arrestuar nën dyshimin për shpërdorim të pasurisë së huaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas raportit policor, i dyshuari mashkull kosovar ka gjetur një portofol në parkingun e një pompe derivatesh në magjistralen Podujevë-Prishtinë i cili i kishte rënë një viktime mashkull kosovar.

Në portofol, sipas deklarimit, ndodheshin rreth 800 euro para të gatshme dhe dokumente personale.

Policia bën të ditur se i dyshuari nuk e ka raportuar gjetjen e portofolit në institucionet përkatëse dhe dyshohet se ka mbajtur një pjesë të parave. Pas identifikimit, ai është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Viktimës i është kthyer portofoli me 500 euro para dhe dokumentet personale, ndërsa rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta

30 December 2025 at 09:09


Opozita iu rikthye dje “Foltoreve” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se opozita nuk do të largohet nga sheshi pa larguar “binomin e korrupsionit” Rama-Balluku, shkruan ATSH.

“Do qëndrojmë në këtë shesh, “Sheshin e lirisë”, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun”, u shpreh Berisha.

Ai përshëndeti pjesëmarrësit, të cilët i cilësoi “misionarë të pamposhtur”, duke theksuar se opozita synon të mbajë gjallë frymën e protestës dhe angazhimit qytetar. Sipas tij, sheshi shërben si një formë e drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, duke i dhënë mundësi secilit të shprehë shqetësimet dhe kërkesat për ndryshim politik.

Në fjalën e tij, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për reforma të thella që përfshijnë arsimin, familjet dhe komunitetet.

“Ne kemi nevojë për një qeverisje që respekton qytetarët dhe garanton kushte më të mira për të gjithë”, theksoi ai.

Yesterday — 29 December 2025Main stream

Rama reagon për mungesën e ujit në Vlorë: Plasi më në fund syri i keq

29 December 2025 at 15:17


Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën në Vlorë, ku prej katër ditës ky qytet përballet me mungesën e ujit, pasi një defekti në ujësjellës.

Rama shkruan se sot mbërrijnë nga Stambolli pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit në ujësjellësin e Vlorës, që sipas tij ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyr.

Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve të Vlorës, teksa me humor shkruan: Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…

Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën

Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan ai. /TCH/

Lumezi nuk e pranoi propozimin, KPK e heq nga rendi i ditës

29 December 2025 at 15:16


Këshilli Prokurorial i Kosovës ka tërhequr nga rendi i ditës propozimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit për emërimin e zëvendëskryeprokurorit të kësaj zyre, pas refuzimit të kandidatit të propozuar.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, kishte propozuar Aleksandër Lumezin për këtë pozitë, duke u bazuar, siç tha ai, në përvojën e tij të gjatë profesionale dhe pas konsultimeve paraprake. Megjithatë, gjatë ditës u raportua se Lumezi nuk e ka pranuar propozimin.

Pas tërheqjes së kandidaturës, Qalaj deklaroi se e respekton vendimin e Lumezit dhe se për rrjedhojë është tërhequr edhe propozimi nga rendi i ditës së KPK-së. Ai shtoi se çështja e emërimit të zëvendëskryeprokurorit të Shtetit do të rishqyrtohet në të ardhmen.

“"Pas propozimit qe kam bërë dhe kam propozuar Aeksandër Lumezin me konsultim dhe me të duke u bazuar edhe në përvojën e tij te gjatë, e kam parë të arsyeshme qe ta propozojë si zëvendës, mirëpo meqë e ka spjeguar situatën me letrën e tij dhe unë e tespektoj vullnetin e tij dhe tërhiqem nga propozimi për zëvendës të prokurorit të ahtetut në të ardhmen do te shohim", tha ai.

Vendimi i KPK-së lë të hapur procesin për përzgjedhjen e një kandidati tjetër për këtë pozitë të rëndësishme në sistemin prokurorial të vendit, në një periudhë kur institucionet e drejtësisë janë në fokus të reformave dhe vëmendjes publike./kp/

Fondi Pensional mbyll vitin me mbi 300 milionë euro kthim nga investimet

29 December 2025 at 14:29


Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se deri më 24 dhjetor 2025 ka realizuar një kthim bruto nga investimet prej 312 milionë euro, duke e bërë vitin 2025 një nga më të suksesshmit në historinë e institucionit.

Sipas njoftimit, meqë për vitin 2024 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro, rezulton se vetëm në dy vjetët e fundit FKPK-ja ka akumuluar kthim bruto nga investimet prej rreth 556 milionë euro.

FKPK thekson se ky ishte “viti i 21-të, nga gjithsej 24 vjet të operimit të FKPK-së, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet”, ndërsa “kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në këtë datë të raportimit ka arritur në rreth 1.3 miliardë euro”.

Në njoftim bëhet e ditur se edhe arkëtimi i kontributeve të reja ka shënuar rritje të ndjeshme.

“Arkëtimi i kontributeve të reja në 2025-shin, aktualisht në vlerë prej 354 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +36 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 12%, nga viti paraprak”, thuhet në njoftim.

Si rezultat i kontributeve të reja dhe kthimit nga investimet, FKPK njofton se vlera neto e mjeteve nën menaxhim për këtë vit aktualisht është ngritur për rreth 569 milionë euro, duke qenë larg ngritja më e shpejtë ndonjëherë e mjeteve nën menaxhim të FKPK-së.

Sa i përket Portofolit Standard, FKPK bën të ditur se “performanca e investimeve për vitin 2025 është +9.14%”, duke theksuar se ky portofol “ka arritur ta tejkalojë dukshëm inflacionin në vend”.

Në njoftim thuhet se kjo performancë i atribuohet si vlerësimit pozitiv të indekseve kryesore të tregjeve financiare, por po ashtu edhe alokimeve taktike të FKPK-së, veçanërisht përqendrimit në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Megjithatë, FKPK paralajmëron kujdes për vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2026 FKPK-ja do të mirëmbajë vigjilencën, ngase trajektorja rritëse e vitit 2025 mund të ballafaqohet me pengesa nga vlerësimet e larta dhe normat e vazhdueshme të inflacionit”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, Portofoli i Balancuar për vitin 2025 ka shënuar rritje prej “+8.97%”, ndërsa Portofoli Konservativ ka pasur një performancë prej “+3.43%”, me fokus në mbrojtjen e kursimeve për pjesëmarrësit e moshës 63 vjeç e sipër.

Në përfundim, FKPK vlerëson se të tre portofolat investues, përgjatë këtyre dy vjetëve të funksionimit, kanë dhënë shenja tejet inkurajuese, duke ritheksuar se do të vazhdojë strategjinë e saj afatgjatë të investimeve, të kombinuar me veprime taktike në varësi të zhvillimeve globale. /Telegrafi/

Votat e diasporës, KQZ do të nis tërheqjen e pakove me 2 ose 5 janar

29 December 2025 at 13:54


Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka sqaruar afatet kohore sa i përket përfundimit të procesit të verifikimit të rezultateve dhe numërimit të votave për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit.

Në një konferencë për media ai tha se varet nga dinamika e punës qe zhvillohet në çdo qendër komunale të numërimit.

Elezi tha se nëse nuk përfundon numërimi i votave deri më 31 janar në ora 12, atëherë puna do vazhdojë me 1 janar në ora 16:00.

Ai ka folur edhe për procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, duke theksuar se afatet janë të kushtëzuara edhe nga ditët e festave. Ato do të tërhiqen me 2 janar ose me 5.

“Sa i përket kohës se sa i duhet KQZ për të përfunduar verifikimin e rezultateve dhe numërimin e votave për deputet kjo varet nga dinamika e punës që zhvillohet në çdo QKN, jo të gjitha kanë numër të madh… meqenëse jemi në prag të festave në ato qendra komunale që nuk do kryhet deri me datë 31 në ora 12 të datës 31 do të përfundoj numërimi dhe pastaj do kemi pauzë 30 orë për të rifilluar sërish datën 1 janar 16:00 pasdite. Sa i përket procesit të tërheqjes së pakove me fletëvotime jashtë Kosovës pasi jemi kohë festash në bazë të një plani të KQZ tërheqja nga kutitë postare do bëhet deri me datë 2 janar, në rast se mund të ndodh të ketë festë dhe nuk punojnë postat të atij vendi atëherë tërheqja do bëhet deri më datën 5 janar”, tha Elezi.

Ai ka sqaruar se, sipas legjislacionit në fuqi, numërimi i fletëvotimeve dhe i votave të kandidatëve zhvillohet në faza të ndryshme.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve, do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve”, tha Elezi.

Më tej, ai ka prezantuar edhe të dhënat preliminare për votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta si dhe votimin jashtë Kosovës dhe përmes postës.

"Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 2,860. Nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Nga ky lloj votimi, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi këto të dhëna do t’i kemi pas përfundimit të procesit të tërheqjes së tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, vetëm nga tërheqjet e dy kutive postare, në Berlin dhe Bern, janë tërhequr 18 mijë pako të supozuara me fletëvotime”, tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve po zhvillohet në përputhje me ligjin dhe me transparencë të plotë, nën vëzhgimin e mekanizmave përkatës./KP/

KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë


Dhoma e Tregtisë uron LVV-në për fitoren dhe kërkon fokus në sfidat ekonomike

29 December 2025 at 13:43


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka përshëndetur përmbylljen e suksesshme të procesit zgjedhor dhe demokratik në Republikën e Kosovës.

“Në emër të komunitetit të biznesit, i urojmë fitore fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit, z. Albin Kurti dhe i dëshirojmë suksese në udhëheqjen e institucioneve të vendit,” thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë.

DhTIK ka shprehur pritjet për formimin e shpejtë të institucioneve dhe për orientimin e qeverisë së re drejt ekonomisë.

“DhTIK pret formimin e shpejt të institucioneve të reja dhe që qeveria e re të ketë fokus në tejkalimin e shumë sfidave me të cilat është duke u përballur ekonomia,” thuhet më tej.

Në reagim theksohet edhe gatishmëria për bashkëpunim me institucionet shtetërore.

“Dhoma mbetet e përkushtuar në vazhdimin e angazhimit të saj tradicional të qenit një partner aktiv dhe konstruktiv i institucioneve në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës,” vlerëson DhTIK.

Sipas Dhomës së Tregtisë, bashkëpunimi mes qeverisë dhe sektorit privat është thelbësor për zhvillimin ekonomik.

“Besojmë shumë se dialogu i hapur ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat është çelësi për një Kosovë më të fortë ekonomikisht dhe më të qëndrueshme për qytetarët e saj,” përfundon reagimi. /Telegrafi/

Rama vlerëson Abdixhikun edhe pas rezultatit të dobët të LDK-së: Shembull i lidershipit demokratik

29 December 2025 at 10:14


Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama ka reaguar pas rezultatit zgjedhor të LDK-së, ku ka vlerësuar punën e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si një shembull të lidershipit të përgjegjshëm dhe të orientuar nga standardet demokratike.

“Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Ai shtoi se Abdixhiku ka investuar në një ekip kompetent dhe program substancial.

“Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale”, tha Rama.

Rama vlerësoi gjithashtu qasjen e Abdixhikut ndaj kundërshtarëve politikë.

“Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike”, ka theksuar tutje kryetari i Prishtinës.

Sipas Ramës, vizioni dhe integriteti i Abdixhikut u dëshmuan edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për të shërbyer qytetarëve.

“Ky është një standard që e afron politikën me shtetin dhe jo me interesin e ngushtë partiak dhe është për t’u marrë shembull”, tha Rama.

Rama përfundoi postimin duke theksuar respektin e Abdixhikut për rezultatet dhe rregullat demokratike.

“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve. Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen”, u shpreh Rama. /Telegrafi/


Sulmohet një police në Graçanicë

29 December 2025 at 09:51


Një rast i pengimit të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës është raportuar nga policia se ka ndodhur në Graçanicë.

Sipas njoftimit zyrtar, një i dyshuar mashkull kosovar, pasi është ndaluar nga njësia policore, ka penguar dhe sulmuar zyrtarët e policisë.

Si pasojë, një zyrtare policore ka marrë tretman mjekësor.

Rasti është referuar prokurorit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Alarm i rremë për bombë në Aeroportin e Prishtinës

29 December 2025 at 09:43


Një lajmërim për një mjet të dyshuar bombë ka shkaktuar mobilizim të njësive të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 11:45.

Policia ka njoftuar se të gjitha njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer kontroll të plotë, por nuk është hasur asgjë e dyshimtë.

Me konsultim të prokurorit, rasti është regjistruar dhe vazhdon të hetohet si lajmërim i rremë. /Telegrafi/

Çështja e presidentit, Kurti: Fillimisht bisedoj me Osmanin e  pastaj me opozitën

29 December 2025 at 08:47


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mbrëmë ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se tashmë po përgatiten për formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, Kurti ka nënvizuar se çështja e zgjedhjes së Presidentit do të jetë prioritet vetëm pas disa hapave të tjerë.

“Së pari të presim certifikimin nga KQZ, dhe pastaj menjëherë e konstituojmë Kuvendin dhe themelojmë qeverinë,” tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi me opozitën do të jetë i domosdoshëm për disa procese, përfshirë edhe çështjen e presidentit.

Kurti u shpreh se për postin e presidentit njëherë do të flas me presidenten aktuale Vjosa Osmanin e më pastaj me partitë opozitare.

“Por, natyrisht që nuk do të vonohemi për këtë çështje. Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për presidentin e ardhshëm. Por, së pari do të bisedoj me presidenten aktuale, që të shohim hapat e ardhshëm. Por, dihet që edhe për zgjedhjen e presidentit, na duhen 80 veta në sallë, dhe për këtë na duhet të bisedojmë. Por, ky s’është as hapi i dytë, por i tretë. Por, njëherë certifikimi”, tha Kurti. /Telegrafi/

Dita me e ftohtë e javës, parashikimi i motit për këtë të hënë

29 December 2025 at 08:34


E hëna do të jetë dita më e ftohtë e javës, me kthjellime në paradite dhe vranësira në orët e pasdites e mbrëmjes.

Temperaturat do të bien ndjeshëm, nga -6°C deri në 12°C.

Era do të fryjë verilindore mbi 35 km/h, me dallgëzim të ulët në brigje./tch/

Mbi 60% për LVV-në në Mitrovicë e Gjilan, fitore bindëse në 7 komunat e mëdha

29 December 2025 at 07:55


Në Kosovë të dielën më 28 dhjetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë. Këto zgjedhje prodhuan ndryshime të dukshme në raportet e forcave politike në vend.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbi 99 për qind të vendvotimeve të rregullta të numëruara, LVV ka marrë 49.30 për qind të votave, apo 429,979 vota, duke u renditur bindshëm në vendin e parë.

Lëvizja Vetëvendosje është renditur si partia e parë, dhe ka fituar plot në 24 komuna, 7 prej të cilave janë më të mëdhatë.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këto shtatë komuna ka përfunduar numërimi dhe rezultatet janë si vijon:

Në Prishtinë, LVV ka marrë 52,94 %, LDK 21,98% PDK 19,17% dhe AAK 3,66%.

Në Prizren, LVV ka siguruar 51,07% e ndjekur nga PDK me 21,80%, LDK me 8,73% dhe AAK me 2,93%

Në Pejë, LVV ka marrë 48,27%, LDK 21,67%, AAK ka 13,55% dhe PDK ka 10,28% të votave.

Në Mitrovicë, LVV ka siguruar 65,08%, PDK 27,13%, LDK 4,62% dhe AAK 0,81%.

Në Gjilan, LVV ka marrë 62,09%, LDK 16,47% , PDK ka 15,33% dhe AAK 2.08%,

Në Ferizaj, LVV ka siguruar 60,18%, PDK 24,37%, LDK 9,32% dhe AAK 2,31% të votave.

Në Gjakovë, LVV ka marrë 53,88%, AAK 22,97%, LDK 9,75% dhe PDK 9,58% të votave.

Fitorja në këto komuna konsiderohet me rëndësi të veçantë politike, pasi ato përfaqësojnë pjesën më të madhe të elektoratit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në balancat e përgjithshme të pushtetit në nivel qendror.

Rezultatet aktuale janë preliminare dhe nuk përfshijnë ende votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, si dhe votimin nga diaspora. /Telegrafi/

❌
❌