Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

ZKA-ja auditon Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universitetit të Prishtinës

4 February 2026 at 14:11


Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 është duke e realizuar auditimin “Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) në Universitetin e Prishtinës”.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të ZKA-së.

“Auditimi do të vlerësojë menaxhimin dhe administrimin e platformës SEMS, si dhe nëse kjo platformë siguron mbështetje efektive dhe të sigurt për funksionet kryesore të Universitetit të Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës ka krijuar platformën SEMS për t’ju ofruar shërbime elektronike studentëve që nga procesi i aplikimit për studime deri te pajisja me diplomë. SEMS është në përdorim që nga viti 2012 dhe funksionon në të gjitha njësitë akademike të UP-së duke mbuluar gjithsej 14 fakultete. SEMS ka rol kyç në efikasitetin dhe transparencën e menaxhimit akademik dhe administrativ të UP- së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Deklarata e Shoqatës së Prokurorëve për pagat, reagon Edi Rama

4 February 2026 at 14:00


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së një shoqate të re të prokurorëve, e cila mëngjesin e sotëm shprehu solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve dhe kërkoi që të mos ketë ulje pagash.

Në reagimin e tij, Rama thekson se shoqata në fjalë nuk është ende e regjistruar sipas ligjit, ndonëse brenda afatit për regjistrim, ndërsa e cilëson të pabazë pretendimin për “ulje pagash”.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar ‘që të mos ulen pagat’”, shkruan Rama, raporton euronews.

Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për një interpretim absurd të situatës, pasi kategoria më e privilegjuar e piramidës së pagave në shtet po paraqitet si e diskriminuar. Ai sqaron se, në këtë rast, “ulje page” po konsiderohet fakti që pagat nuk rriten aq sa kërkojnë shoqatat e gjyqtarëve.

“Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur”, thekson Rama, duke e quajtur këtë arsyetim të pabesueshëm, por fatkeqësisht real.

Kryeministri nënvizon se nuk ka pasur asnjë tentativë për uljen e pagave të gjyqtarëve apo prokurorëve dhe se qeveria, përkundrazi, ka treguar vëmendje të shtuar ndaj sistemit të drejtësisë. Ai përmend si shembull punën e nisur prej gati një viti për ndërtimin e një Poli Drejtësie, që sipas tij do të ofrojë kushtet më të mira të punës në rajon.

Në fund të reagimit, Rama ngre edhe një pyetje publike për shoqatën e re të prokurorëve, lidhur me problematika të tjera serioze në sistemin e drejtësisë.

“Po për shkelmimin e vazhdueshëm si askund në Evropë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, përfundon ai. /euronews.al/

Edhe në Obiliq nisin hetimet për manipulim me vota, Prokuroria autorizon Policinë për intervistimin e disa personave të dyshuar

4 February 2026 at 13:06


Prokuroria Themelore në Prishtinë bën të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës në Prishtinë për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se më datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.

“Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Hoxha: Nga viti 2000 kemi humbur mbi 3,000 njerëz në trafik

4 February 2026 at 12:49


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë sot se ndër problemet kryesore është rritja e numrit të aksidenteve me fatalitet.

Hoxha i cili ishte i pranishëm në prezantimin e raportit vjetor për vitin 2025 të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë tha se nga viti 2000 deri më sot Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 persona në trafik.

Hoxha theksoi se një nga prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës do të jetë siguria në trafik, ku nevojitet mbështetja e komunave dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

“Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por, që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha Hoxha, raporton kp.

Në fund pjesëtarë të policisë së Kosovës u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Pas një luftë gjenocidale rindërtuam gjithçka”, Osmani në Emiratet e Bashkuara Arabe: Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme

4 February 2026 at 11:24


Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani po merr pjesë në “World Governments Summit”, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjersa ka folur për vizionin e Kosovës drejt së ardhmes.

E para e shtetit theksoi se ekonomia globale po kalon një nga transformimet më të thella ndër breza, ndërsa para rikujtoi se shteti i Kosovës doli nga një luftë gjenociale me vuajtje të mëdha dhe se çdo diskutim mbi rritjen e gjeneratës së ardhshme duhet të nisë me një kuptim të së kaluarës sonë.

“Për Kosovën, çdo diskutim mbi rritjen e gjeneratës së ardhshme duhet të nisë me një kuptim të së kaluarës sonë dhe të qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme të popullit tonë. Sepse vetëm 26 vite më parë, kur ne ishim fëmijë, Kosova doli nga një luftë gjenocidale me vuajtje të mëdha, infrastrukturë të shkatërruar dhe një ekonomi që duhej rindërtuar nga hiçi.

80% e popullsisë sonë u zhvendos dhe u bë refugjate, shtëpitë tona u rrafshuan me tokën, dhe njerëzit tanë vajtuan humbjen e të dashurve në një luftë që la pas aq shumë dhimbje. Megjithatë, Kosova u ringrit nga hiri. Ne të gjithë u kthyem në atdhe, edhe pse shtëpitë tona ishin shkatërruar plotësisht.

Ne rindërtuam gjithçka. Rindërtuam shtëpitë tona, por rindërtuam edhe shpirtin tonë me një qëndrueshmëri të palëkundur. Dhe brenda një brezi të vetëm, Kosova është shndërruar në ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajonin tonë, një rezultat i njohur vazhdimisht nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare”, tha ajo.

Osmani potencoi para të pranishmeve se Kosova nuk është më një histori rreziku, por një vend me potencial të jashtëzakonshëm.

“Kosova sot nuk është më një histori rreziku... Nuk është më një vend i brishtë apo i prekur nga konflikti, por një vend me potencial të jashtëzakonshëm. Kosova, pa shumë zhurmë ka kaluar një prag historik. Themelet janë të forta, trajektorja është e qartë dhe mundësia është reale.

Ky transformim nuk ndodhi rastësisht. Ai ndodhi si rezultat i zgjedhjeve që bëmë. Ne zgjodhëm hapjen, zgjodhëm partneritetet dhe zgjodhëm ta ankorojmë të ardhmen tonë në një botë bashkëpunimi dhe aleancash të qëndrueshme. Por, mbi të gjitha, ky transformim ndodhi falë qëndrueshmërisë së popullit tonë. Sepse, në fund të fundit, suksesi ekonomik i çdo vendi varet në masë të madhe nga kapitali i tij njerëzor, nga njerëzit e tij”, tha ajo.

Osmani tregoi më tej se Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë dhe kjo është një avantazh strategjik.

“Nga themelues që kanë ndërtuar platforma teknologjike rajonale dhe ndërkombëtare, te inxhinierë të rinj softuerësh dhe dizajnerë produktesh që punojnë për tregje globale nga qytetet e Kosovës, talenti ynë në fushën e TIK-ut tashmë po konkurron në nivel ndërkombëtar. Ata na frymëzojnë vazhdimisht. Janë të guximshëm, kureshtarë dhe të lidhur globalisht.

Po aq të rëndësishme janë gratë që po udhëheqin ndryshimin në teknologji dhe inovacion. Nismat e themeluara për të fuqizuar vajzat dhe gratë e reja në programim dhe aftësi digjitale kanë ndihmuar në hapjen e dyerve për një brez të ri zhvilluese, inxhiniere dhe lidere teknologjie, të cilat sot janë pjesë e forcës në rritje të sektorit të TIK-ut.

Ne po investojmë në një brez që është i sigurt në vetvete, i aftë dhe i pajisur me shkathtësi; një brez që mendon në mënyrë kritike, përshtatet shpejt dhe i shndërron idetë në ndikim real. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të rinjtë në Kosovë të mos përgatiten vetëm për vendet e punës së sotme, por të fuqizohen për të formësuar mundësitë e së nesërmes”, tha ajo.

“Përgjegjësia jonë, veçanërisht si ekonomi të gjeneratës së ardhshme, nuk është vetëm të përshtatemi apo të adoptojmë inteligjencën artificiale, por ta bëjmë atë të funksionojë për njerëzit, jo në vend të tyre. Të sigurohemi që ajo ta forcojë gjykimin njerëzor, jo ta zëvendësojë atë. Të sigurohemi që ajo t’i shërbejë shoqërisë, jo ta kontrollojë atë.

Kështu do të formësohet e ardhmja: jo nga ata që shpikin makinat më të shpejta, por nga ata që mendojnë edhe për përafrimin e inteligjencës, qoftë artificiale apo njerëzore, me qëllimin, me etikën dhe me të mirën e përbashkët”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës më tej tha se Kosova po pozicionohet si një vend i besueshëm për të investuar.,

“Prandaj po mbështesim krijimin e një mjedisi ku bizneset tona janë të sigurta në vetvete, të orientuara drejt tregjeve të jashtme dhe të gatshme të konkurrojnë dhe të bashkëpunojnë me botën”, tha ajo.

E para e shtetit tha se asnjë ekonomi në zhvillim nuk e ndërton e vetme këtë të ardhme dhe se partneritetet strategjike janë thelbësore për rritjen e gjeneratës së ardhshme.

“Për Kosovën, partneritetet nënkuptojnë përafrim me partnerët globalë, integrim në tregjet globale dhe bashkëpunim të thellë me aleatët në të gjitha sektorët. Ato nënkuptojnë ndërtimin e urave mes sipërmarrësve tanë dhe botës. Ato nënkuptojnë rritje të përbashkët.

Sepse, në fund të fundit, ekonomitë e gjeneratës së ardhshme nuk përcaktohen nga vendi ku nisin, por nga drejtimi që zgjedhin të ndjekin. Dhe Kosova ka vendosur. Ne zgjedhim reformën. Ne zgjedhim inovacionin. Ne zgjedhim partneritetin. Dhe ne zgjedhim të ardhmen. Dhe presim me padurim ta ndërtojmë këtë të ardhme së bashku me ju. Dhe jemi gati ta ndërtojmë atë tani”, u shpreh e para e shtetit. /Telegrafi/

Hamza takon Përfaqësuesin Special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor: Kosova ka nevojë për mbështetje të koordinuar ndërkombëtare

4 February 2026 at 10:30


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Anzhej Frangesh.

Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin konstruktiv të partnerëve ndërkombëtarë në proceset e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

“Ne diskutuam edhe për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-së për forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hamza.

Kryetari i PDK-së më tej theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe për procese të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt rezultateve konkrete, në funksion të stabilitetit afatgjatë dhe integrimit euroatlantik të vendit. /Telegrafi/

KEK thotë se janë në regjim operimi të jashtëzakonshëm, mbi një muaj me tri njësi të Kosovës A në operim njëkohësisht

4 February 2026 at 08:27


Korporata Energjetike e Kosovës thekson se që nga 19 dhjetori, ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për plot 31 ditë.

KEK njofton se ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.

Tutje bëhet e ditur se standardi operativ i KEK që nga paslufta ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese 2 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B.

“Një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent”, thuhet në njoftim.

KEK më tej bën të ditur se nga 19 dhjetori ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm, me 5 njësi gjeneruese.

“Për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë 3 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B”, thuhet në njoftim.

Sipas KEK-ut, ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend. /Telegrafi/



Vendimi i PZAP-it për Listën serbe dhe reagimi i Ambasadës britanike – kur pritet të certifikohen zgjedhjet?

4 February 2026 at 08:19


Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e së shtunës të 31 janarit nuk i shpallën rezultatet përfundimtare për Listën serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Pas kësaj, kjo parti ka dorëzuar ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Çka ndodhi pastaj?

PZAP kishte konfirmuar për Telegrafin se kishte pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas të dhënave të publikuara ankesat ishin paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.

Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.

Lidhur me këto ankesa, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 03.02.2026, ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Serbe, kurse i ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.

PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.

Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.

Reagimet ndërkombëtare?

E pas këtij vendimi të PZAP-it, ka reaguar Ambasada Britanike.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.

“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.

“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve”, përfundon reagimi.

Si shkon procedura tani?

Tash, pas përfundimit të çështjes së ankesave pritet edhe certifikimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.



Neni 106 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-ja lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Tutje, në ligj thuhet rezultatet e zgjedhjeve janë përfundimtare dhe detyruese atëherë kur janë certifikuar nga KQZ-ja.

Ndryshe, sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse. /Telegrafi/.

Moti në Shqipëri, në mesditë reshje shiu

4 February 2026 at 07:18


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të mërkurën ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet fillimisht me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.

Duke filluar prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në të gjithë territorin.

Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e Alpeve, verilindje– lindje – juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era me drejtim juglindje – verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 25m/s

Deti - Valëzimi forcës 5-6 ballë. /Telegrafi/




Mot i vranët, në mëngjes përgjatë relievit malor edhe mjegull

4 February 2026 at 07:00


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot kryesisht i vranët.

IHK njofton se në mëngjes parashihet mjegull, kryesisht në zonat mesatare dhe përgjatë relievit malor.

Temperaturat minimale lëvizin ndërmjet -1 deri 2 gradë Celsius, ndërkaq temperaturat maksimale nga 7 deri në 11 gradë.

IHK njofton se era do të fryjë kryesisht nga verilindja, 1–5 m/s. /Telegrafi/

Yesterday — 3 February 2026Main stream

Ndalohet personi i dyshuar për kanosje ndaj gazetarëve në Viti

3 February 2026 at 14:02


Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i përgjithshëm, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet A.I, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Në njoftim bëhet e ditur se më datën 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore që ishte duke u zhvilluar në ambientet e Gjykatës në Viti, i dyshuari A.I dyshohet se iu drejtua ekipit të Gazetës Nacionale dhe monitoruesit të Betimi për drejtësi, në formë kërcënuese, me veprime konkludente, siç dokumentohen edhe nëpërmjet video-incizimit të kamerës.

Tutje thuhet se pas Autorizimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, për veprime hetimore, meqë i dyshuari ishte i paarritshëm, i njëjti ishte vendosur në kërkim policor dhe më datë 03.02.2026 është arrestuar, ku pas intervistimit të tij, me vendim të Prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë, për veprën penale 'Kanosje'.

Prokuroria Themelore në Gjilan brenda afateve ligjore, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale do të vendos për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit. /Telegrafi/

Marrëveshja Kosovë, Shqipëri, Kroaci – mbahet takimi trepalësh për forcimin e aftësive mbrojtëse

3 February 2026 at 13:40


Në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë u mbajt takimi trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës bën të ditur se ky aktivitet përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës u udhëhoq nga Drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Fauk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës”, thuhet në njoftim.

Deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Po ashtu, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar. /Telegrafi/

“Mos bëj sikur të dhimbset Saliu, në 2021 bashkëpunove me mua”, “S’të kam takuar kurrë” replika në Kuvend ndërmjet Ballës dhe Topallit

3 February 2026 at 12:43


Një replikë është shënuar këtë të martë mes kreut të Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe deputetes së PD-së Jozefina Topalli.

Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që është çuar në foltore dhe ka replikuar me kreun e PD-së, Sali Berisha, duke i thënë se ai është akuzuar për korrupsion nga SHBA.

Më tej, Balla ka thënë se Jozefina Topallit nuk duhet t’i dhimbset Berisha, sipas tij, sepse ajo ka bashkëpunuar në zgjedhjet e 2021 me PS-në.

Nga ana tjetër, Topalli është çuar dhe ka replikuar duke thënë se nuk e ka takuar kurrë Taulant Ballën, dhe se sipas saj zgjedhja e saj në 2021 ishte sepse në krye të PD-së ishte një njeri i kontrolluar nga socialistët, raporton euronews.al.

“Kur ti drejtohesh këtij krahu këtej, duhet ta lash mirë gojën, dëgjove, dhe ngrije kokën e laje mirë gojën, sepse për këto që thuaj zotrote je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ne s’kemi thënë asgjë më shumë se çfarë ka thënë SHBA, të cilat të kanë shpallur non grata për korrupsion.

Drejtësia në Shqipëri të ka marrë të pandehur për korrupsion. Je i akuzuar për korrupsion dhe vjen këtu dhe të bësh të pandershmin, të flasësh në emër të drejtësisë dhe madje të bëhesh ti emisari për të sjellë haberet e drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon përpara drejtësisë dhe i merr me libër shpie të gjithë ata që të kanë ngritur ty akuzën: merr prokurorin, merr gjyqtaren.

Do vish këtu, do merresh edhe me mua, që e kam nderin e madh të jetës sime që jam njeriu që të kam kallëzuar ty. Do merresh edhe me mua që kam nderin e jetës të jem njeriu që të kam kallëzuar. Ngrije kokën, Sali, 100 herë të kthehem mbrapa do e bëja. Jozefinë, mos u bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, ma kurse, se në 2011 bashkëpunuam bashkë kundër Saliut. Por na dole huq, nuk more vota në Shkodër. Jozefinë, historia në 20 vite, rikthimet si puna jote… Ulsia ka një shprehje të bukur, ajo pas asaj.

Sali, laj gojën sa herë përmend PS-në, se ta ka dhënë përgjigjen dhe do të ta japë edhe në 2029. Tani çohu, na sqaro vendimin e djeshëm. Do vini në komision apo jo?”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me këtë ka reaguar edhe Topalli.

“Për të pasur një seancë normale duhet zbatuar rregullorja, ndërsa tani po i kthej përgjigje parafolësit. Është e ditur publikisht që në vitin 2021 kam krijuar një lëvizje. Vura re se në krye të PD-së ishte dikush që ju e kontrollonit në çdo lëvizje; e ke takuar Lulzim Bashën në mënyrë të fshehtë. Prandaj, merre vetë, mos ma drejto mua, se unë s’të kam takuar ty.

Për zgjedhjet ka një raport të OSBE-së që thotë shumë gjëra: si është përdorur administrata, paraja, si janë dhënë bonuset, tenderët, parapensionet etj. Por ka një frazë që është më e rëndë, që ju nuk e thoni kurrë: thotë se në Shqipëri ndodh diçka që nuk ndodh askund tjetër. Vijë ndarëse mes pushtetit dhe partisë nuk ekziston. Shih se çfarë keni bërë: ja keni dhënë vetë zarfet diasporës, shkove në Greqi duke i kërcënuar se, nëse nuk jepnin votën për ju, do t’iu hiqnit familjarët nga puna. Ta kam thënë edhe një herë: në Bjellorusi zgjedhjet fitohen me 70%, Putini i fiton me 75%, në Shqipëri Rama i ka marrë me 90%”, tha ajo.

Berisha mazhorancës në Kuvend: Jeni e keqja radikale, ju mbroni Ramën, Rama do ju marrë me vete

3 February 2026 at 12:32


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën për atë që e cilësoi si “të keqe radikale”, ndërsa mbrojtësit e saj i quajti “të keqe banale”.

Në fjalën e tij nga foltorja, Berisha deklaroi se “këta të keqes radikale janë njerëzit më të pashpirt që majmen çdo ditë duke vjedhur të varfrit, qytetarët dhe shqiptarët”, duke shtuar se ata që i mbrojnë “janë e keqja banale”, raporton euronews.al.

Deklaratat e Berishës u bënë gjatë debateve të forta mes opozitës dhe mazhorancës për bojkotin e mbledhjeve të Komisionit të Reformës Territoriale.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, unë fola për të keqen banale për këta që janë këtu, kurse ai që është mbrapa me suitën e tij, ata janë e keqja radikale. Këta të gjithë këtu janë e keqja radikale. Këta janë hajdutë të pashoq. Por ju që i mbroni këta dhe nuk ua tregoni vendin, ju jeni e keqja banale. Po si mor bëheni ushtarë, shërbëtorë. Po çfarë dinjiteti keni ju që bëni këtë akt? Ju mbroni Ramën, por Rama do t’ju marrë me vete”, tha Berisha.

“Lajeni gojën kur flisni për ne”, Balla i drejtohet Topallit: E mban mend kur bashkëpunuam kundër Berishës në 2021?

3 February 2026 at 12:28


Seanca e sotme plenare në Shqipëri është përshirë nga debate dhe tone të larta zëri.

Pasi Berisha iu drejtua mazhornacës duke i quajtur “E keqja banale”, kreu i grupit parlamentar i PS, Tualant Balla reagoi ashpër duke i thënë ‘Laj gojën mirë kur të flasësh për PS’, raporton tch.

Sakaq iu drejtua deputetes së PD-së, Jozefina Topalli duke i thënë “Mos bëj sikur të shemb shpirti për të. E mban mend kur bashkëpunuam kundër Berishës në 2021?”

“Kur t’i drejtohesh krahut këtej duhet ta lash mirë gojën, dhe ngrije kokën (Berishës). Laje mirë gojën sepse edhe për këto që thua, zotrote… je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ej, për pastrim parash dhe korrupsion. Ne s’kemi thënë asgjë me shumë seç kanë thënë SHBA. Të kanë shpallur non grata, thuaj, po apo jo? Je i akuzuar për korrupsion dhe të vish të bësh të ndershmin, të flasësh në emrin e drejtësisë dhe të behësh emisari i drejtësisë që dy herë në muaj shkon në SPAK dhe merr në gojë prokurorin. Ben këtu dhe merresh me mua, që kam nderin jetës që të kam kallëzuar, ej Sali, ngrije kokën Sali, 100 herë të kthehem pas, të njëjtën gjë do bëj.

Ti Jozefinë mos bëj sikur të dhemb shpirti për Berishën se në 2021 kemi bashkëpunuar kundër Berishës., këtë pjesë ma kurse pak. Ti na dole huq, mendonim se do merrje ndonjë votë në Shkodër. Por e di si dole? Si në diasporë. Këto rikthimet e tua në politikë janë ‘si ia ajo pas asaj’.

Sali laj gojën kur flet për PS, ta dha përgjigjen dhe do ta japë edhe ne 2029. Çohu dhe na shpjego mbledhjen djeshme, do merrni pjesë apo jo në komision?”, tha ai/TCH/

Një moment historik - zgjedhjet e para shumëpartiake të vitit 1992 për Kuvendin dhe Presidentin përmes objektivit të Ridvan Slivovës

3 February 2026 at 12:07


Më 25 maj 1992 në Kosovë janë mbajtur me sukses zgjedhjet e para shumë-partiake parlamentare dhe presidenciale.

Zgjedhjet e para shumëpartiake për Parlamentin dhe presidentin e Republikës së Kosovës i kishte përshkruar masiviteti, vullneti i madh i zgjedhësve që përmes këtij akti historik të arriheshin kërkesat e kamotshme të qytetarëve të Kosovës.

Një ditë pas zgjedhjeve, presidenti historik, Ibrahim Rugova kishte deklaruar në atë kohë se zgjedhjet e mbajtur dëshmuan se populli i Kosovës di të organizohet, të mbajë pushtet e të bëjë shtet.

“Zgjedhjet ishin një cilësi e re që dëshmojnë se ky popull di të organizohet, di të mbajë pushtet dhe që di të bëjë shtet”, ishte shprehur një ditë pas këtyre zgjedhjeve, presidenti historik, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/











Aksidentet në rrugë, Policia e Shqipërisë monitorim intensiv me dron, radar e makina inteligjente

3 February 2026 at 11:57


Policia e Shtetit ka bërë të ditur për një monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente për të parandaluar aksidentet në rrugë.

Në njoftim thuhet se ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Shkodrës është konstatimit i rasteve të drejtimit të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur, shkelje të cilat rezultojnë burime parësore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda.

Si rezultat i monitorimit, gjatë muajit janar, janë proceduar penalisht 18 shtetas, prej tyre: 9 janë arrestuar për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit; 9 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar administrativisht:

1153drejtues automjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;

390 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;

157 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;

88 drejtues motomjetesh, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

217 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

52 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;

737 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut.

Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në këtë mënyrë në parandalimin e aksidenteve në veçanti dhe në sigurinë rrugore në tërësi.

Videon mund ta shikoni këtu: /Telegrafi/



Presidentja Osmani në Emiratet e Bashkuara Arabe, promovon vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion

3 February 2026 at 11:37


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të promovuar vizionin e Kosovës për zhvillim dhe inovacion.

Presidentja Osmani në këtë Samit është ftuar nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

Në Samit do të marrin pjesë edhe shumë liderë nga mbarë bota, me të cilët presidentja do të ketë takime bilaterale për të diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta strategjike.

Gjatë vizitës, presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesione kyçe të Samitit, ku do të mbajë ndër fjalimet kryesore.

Ajo gjithashtu do të marrë pjesë në sesione të ndryshme të forumit dhe tryeza tematike.

Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që bashkon liderë, organizata ndërkombëtare e kompani për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Telegrafi/


Sekuestrohet armë zjarri dhe municion në pikëkalimin kufitar Qafë Prush

3 February 2026 at 10:54


Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka zhvilluar një operacion kontrolli ndaj një automjeti në pikëkalimin kufitar Qafë Prush, në dalje drejt Republikës së Shqipërisë.

Dogana njofton se gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar prania e një arme zjarri pa numër serik, e fshehur në pjesën e brendshme të automjetit.

“Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar municion i kalibrave të ndryshëm rreth 120 copë, si dhe një shumë parash në valutën euro. Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar për vazhdimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë masa të shtuara kontrolli dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë kufitare. /Telegrafi/




Porositi vrasjen e kushëririt, por plagosi hallën e tij - dënohet me 25 vite burg 34-vjeçari

3 February 2026 at 09:51


Një 34-vjeçar nga fshati Garunjas, Lushnjë, është dënuar me 25 vite burg pas akuzave se kishte porositur një vrasje të mbetur në tentativë.

Laert Hasalla ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe tani do të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit.

Sipas policisë, Hasalla kishte paguar një 31-vjeçar për të qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti, me qëllim vrasjen e shtetasit Marius Hasalla, raporton euronews.al.

Nga të shtënat mbeti e plagosur shtetasja B. S, halla e Mariusit, e cila ndodhej në të njëjtin automjet me Mariusin.

“Policia arriti të zbardhë tentativën e vrasjes që ndodhi më 30 mars 2023 në Lushnjë. Për shkak të një konflikti të hershëm gjakmarrjeje, 22-vjeçarit Marius Hasalla iu organizua atentati, por e plagosur mbeti halla e tij, Bajame Sejena”.

Në pranga ranë Mariglen Matjani, 28 vjeç, dhe Laert Hasalla, 30 vjeç.

Ky i fundit ishte porositësi i atentatit dhe kishte paguar Mariglen Matjanin për të vrarë Marius Hasallën, megjithatë plani nuk shkoi sipas parashikimeve. Motivi i atentatit lidhej me një ngjarje të mëparshme: dy vite më parë, i ati i Marius Hasallës kishte vrarë Romeo Hasallën, vëllain e Laert Hasallës.

Konflikti ka nisur për një tokë prej 2 hektarësh dhe ka eskaluar në një mosmarrëveshje të gjatë mes dy familjeve. Përplasjet kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tij, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin Romeo Hasallën dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për këtë ngjarje, Kastriot Hasalla u dënua me 35 vite burg.

❌
❌