Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Dy yjet e Barcelonës së shpejti pritet t’i bashkohen Gironës

10 January 2026 at 12:13


Girona po vepron me vendosmëri në afatin kalimtar dimëror, duke drejtuar synimet drejt Barcelonës.

Në këtë kontekst, drejtuesit sportiv kanë bërë përparim të rëndësishëm në një operacion ambicioz - një huazim i dyfishtë nga Barcelona që mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën e ekipit në muajt në vijim.

Një nga emrat që po shkakton më shumë bujë është Marc-Andre Ter Stegen.

Portieri gjerman përballet me një situatë të papritur te Barcelona pas shfaqjes së Joan Garcias, i cili ka zënë vendin e titullarit me paraqitje shumë bindëse.

Ter Stegen, pa kohë loje dhe duke u fokusuar te Kampionati Botëror që po afron, nuk dëshiron të kalojë gjysmën e dytë të sezonit në stol.

Në moshën 33-vjeçare, portieri ka nevojë për kontinuitet për të mbajtur nivelin e tij dhe statusin ndërkombëtar. Në këtë situatë, opsioni i Gironës duket shumë tërheqës për të.

Për klubin katalanas, do të ishte një hap cilësor i qartë. Shtimi i një portieri si Ter Stegen, me përvojë, lidership dhe hierarki, do të siguronte menjëherë stabilitet në një pozicion kyç.

Emri i dytë në këtë huazim të mundshëm është Marc Bernal.

Mesfushori, i konsideruar një nga talentet më të mëdha të La Masias, ka nevojë për minuta cilësore për të vazhduar procesin e zhvillimit dhe për të bërë hapin e ardhshëm në karrierë.

Barcelona e vlerëson lart potencialin e tij, por pranon që konkurrenca në mesfushë kufizon mundësitë e tij.

Një huazim te Girona do t’i mundësonte Marc Bernal të konkurrojë në La Liga, të marrë përgjegjësi dhe të rritet në një kontekst real dhe shumë kërkues.

Arritja e tij te Girona do të sillte energji, talent dhe vizion loje në mesfushë. Një profil i ri me personalitet, i aftë të ofrojë balancë dhe dinamikë për një ekip që ka nevojë për zgjidhje nga mesfusha./Telegrafi/

Milani përballet me një pengesë të fundit për rinovimin e kontratës së Maignan

10 January 2026 at 11:45


Sipas Gazzetta dello Sport, Mike Maignan ka rënë dakord për të zgjatur kontratën me Milanin, dhe tani ‘Rossonerët’ po negociojnë vetëm për tarifat e agjentit përpara se të vendosin firmën mbi një marrëveshje të re deri në vitin 2030.

Maignan është “më afër se kurrë” për të zgjatur qëndrimin e tij te Milani, sipas Gazzetta dello Sport.

Gazeta italiane raporton se portieri me përvojë ka rënë dakord të nënshkruajë një kontratë të re me vlerë 5 milionë euro në sezon plus bonus deri në 2030.

Portieri francez aktualisht fiton 2.8 milionë euro në sezon dhe kontrata e tij në ‘San Siro’ skadon këtë qershor.

Me kontratën e re, Maignan do të bëhet lojtari më i paguar në skuadër së bashku me Rafael Leaon.

Maignan ka luajtur një rol kyç te Milani këtë sezon, duke pranuar vetëm 17 gola në 21 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke mbajtur 10 portat e paprekura dhe duke shpëtuar dy penallti.

Komisionet e agjentit raportohet se mbeten çështja e vetme e pazgjidhur për ‘Rossonerët’.

Drejtuesit e Milanit e dinë se kampi i Maignan do të merrte një shumë të konsiderueshme nëse ai largohet si agjent i lirë në qershor, çka e bën thelbësore negociatën me përfaqësuesit e tij.

Sipas Gazzetta dello Sport, dy palët janë në marrëdhënie të mira dhe sapo të arrihet marrëveshja, portieri do të nënshkruajë kontratën e re./Telegrafi/

Xabi Alonso para finales ndaj Barcelonës: Jemi të fokusuar dhe të bindur se mund të fitojmë

10 January 2026 at 11:10


Xabi Alonso ka refuzuar idenë që Barcelona është favorite për finalen e Superkupës Spanjolle të dielën, duke theksuar se çdo gjë mund të ndodhë në një ‘El Clasico’ dhe se Real Madridi është i përqendruar tek përgatitjet e veta.

“Ne po fokusohemi tek ajo që duhet të bëjmë dhe si të qasemi ndaj ndeshjes së nesërme”.

“Barça ka një ditë pushim më shumë? Ky ishte shorti, dhe ne nuk mund ta ndryshojmë këtë”.

“Duhet të shfrytëzojmë sa më mirë kohën për t’u përgatitur për finalen ndaj një ekipi të fortë. Ka një aspekt mendor dhe emocional, përveç asaj futbollistike”.

“Duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi të bindur se mund të fitojmë nesër. Me të vërtetë jemi”.

“Kylian po shfaqet shumë më mirë. Plani fillestar ishte ta kishim gati kundër Atleticos, por vendosëm të mos e nxitojmë”.

“Ne thamë që nëse arrijmë në finale, ai do të jetë gati, në varësi të ndjesive të tij. Vendimi përfundimtar do të merret pas stërvitjes së sotme”.

“Nuk jemi favoritë për të fituar? Nuk na intereson kjo. Po fokusohemi vetëm tek gjërat që mund t’i kontrollojmë”.

“A do të jetë loja e nesërme e ngjashme me Clasicon që fituam? Jo, siç ju thashë më parë për ndeshjen me Atleti, këto ndeshje janë të gjitha të ndryshme”.

“Kjo është një finale, do të ketë një dinamikë tjetër, por duhet të mbajmë mend lojërat e kaluara dhe të mësojmë prej tyre”.

“Mendoj se kjo ndeshje do të ketë një ndikim real në pjesën tjetër të sezonit tonë. Do të jetë e rëndësishme”.

“Njerëzit thonë se ekipi po luan shumë keq dhe Barcelona po luan shumë mirë? Ky është futbolli. Çdo gjë mund të ndodhë nesër”, ka deklaruar Alonso./Telegrafi/

Hansi Flick: Mbappe më i miri në botë aktualisht, jemi të motivuar për ta fituar trofeun

10 January 2026 at 10:48


Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dërguar një mesazh të qartë dhe direkt për lojtarët e tij para finales së Superkupës së Spanjës të dielën kundër Real Madridit, duke i nxitur ata të ripërsërisin paraqitjen dominuese që patën në gjysmëfinale ku mundën Athletic Bilbaon me rezultat 5-0.

Në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes në Jeddah, trajneri gjerman theksoi motivimin e veçantë të një finalje Clasico, duke mbajtur përqendrimin kryesisht tek ekipi i tij.

“Nesër dua të shoh versionin e ekipit që pamë kundër Athletic Bilbaos. Një finale kundër Real Madrid gjithmonë ngre motivim”.

“Një Clasico është një ndeshje krejt tjetër. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën për të fituar nesër. Bëhet fjalë për të luajtur lojën, dhe tek ajo po përqendrohemi”.

“Real Madrid ka lojtarë të shkëlqyer, kështu që cilësia e skuadrës së tyre është jashtëzakonisht e lartë”.

“Por unë jam i fokusuar tek ekipi im, sepse ajo që ka rëndësi është se si luajmë futboll nesër dhe si e fillojmë ndeshjen. Është një finale”.

“Ne duam të fitojmë një titull, dhe kundërshtari është Real Madrid. Nuk mendoj se ka motivim më të madh se kaq”.

“Tani për tani, Mbappe është sulmuesi më i mirë në botë. Saktësisht kjo. Ai ka shënuar shumë, shumë gola, dhe është një lojtar i klasit botëror”.

“Si do ta menaxhojmë Mbappen? Sa Clasico kemi luajtur? Sa kemi fituar? Humbëm vetëm një. E di që ai është një lojtar fantastik, do të përshtatemi pak”.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për menaxhimin e Mbappes, bëhet fjalë për të gjithë Real Madridin. Ne jemi të fokusuar tek qasja jonë, tek stili ynë i lojës, i cili është i ndryshëm nga i tyre”, ka deklaruar Flick./Telegrafi/

Ikona e Barcelonës për sulmuesin e Real Madridit: Gonzalo një lojtar fantastik, po shfrytëzon çdo mundësi

10 January 2026 at 10:22


Legjenda e futbollit spanjoll, David Villa, ka lavdëruar sulmuesin e ri të Real Madridit, Gonzalo Garcia, duke e cilësuar si “një sulmues të madh” që shkëlqen në shfrytëzimin e mundësive, në një intervistë të gjatë për gazetën AS.

Ish-ylli i Barcelonës dhe përfaqësues i Spanjës, një nga talentet sulmuese më të respektuara në vend, ofroi fjalë të larta për paraqitjet dhe mentalitetin e 21-vjeçarit këtë sezon.

“Mendoj se është një djalë shumë i ri me aftësi fantastike, dhe mbi të gjitha, gjëja që më pëlqen më shumë është se ai është një lojtar që është gati të shfrytëzojë çdo mundësi”.

“Mendoj se është një sulmues i madh. Po e tregon këtë, dhe do ta them përsëri, gjëja që më pëlqen më shumë tek ai është se është një lojtar gjithmonë i gatshëm”.

Villa gjithashtu theksoi durimin që Garcia tregoi gjatë periudhës kur minuta e tij në fushë ishte e kufizuar.

“Ne fund, ai kaloi një kohë të gjatë pa mundur të luante, natyrisht për shkak të vendimeve që nuk varen nga trajneri, por nga rreshtimi i sulmuesve të Madridit. Dhe sapo një sulmues u dëmtua dhe i u dha mundësia, ai e shfrytëzoi atë”, ka deklaruar Villa.

Në mungesë të Kylian Mbappe shkaku i lëndimit, Garcia kishte realizuar het-trik në kampionat në fitoren 5-1 ndaj Real Betisit, teksa ishte titullar edhe në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës ndaj Atletico Madridit./Telegrafi/

Kërkesat e çmendura që Dembele po bën për të rinovuar me PSG-në

10 January 2026 at 10:00


Panorama e futbollit në kryeqytetin francez është tronditur nga lajme që rivlerësojnë kufijtë financiarë të “lojës më të bukur në botë”.

PSG ndodhet në një pikë kyçe pas zbulimit të kërkesave ekonomike të Ousmane Dembeles për të zgjatur qëndrimin e tij te ‘Parc des Princes’.

Megjithëse kontrata aktuale e francezit zgjat deri në vitin 2028, klubi parisian synon të sigurojë të ardhmen e yllit të tyre sa më shpejt pas një viti historik.

Megjithatë, diferencat mes bordit drejtues dhe kampit të sulmuesit duket se janë “hije yjesh” në aspektin financiar.

Sipas burimeve të afërta, drejtuesit e klubit kanë ofruar një rinovim kontrate me vlerë 30 milionë euro në vit, ndërsa përfaqësuesi i Dembeles ka kërkuar gati dyfishin, duke e rritur shumën në 60 milionë euro në vit.

PSG e kupton se ruajtja e fituesit aktual të Topit të Artë dhe çmimit 'FIFA The Best' nuk do të jetë një detyrë e lehtë apo e lirë.

Kontributi i Dembeles në sistemin e Luis Enrique ka qenë vendimtar për arritjet e sezonit të kaluar.

Kjo mungesë pajtimi mes palëve ka vënë në alarm investitorët e mëdhenj të Arabisë Saudite dhe Ligës Premier, të cilët po ndjekin me vëmendje çdo lëvizje, të vetëdijshëm se mund të ofrojnë shuma astronomike që sulmuesi aktualisht kërkon.

Qëndron i lënduar gjatë tërë kohës, por Barcelona i ka ofruar kontratë të re yllit të skuadrës

10 January 2026 at 09:40


Mbrojtësi i Barcelonës, Andreas Christensen, për një kohë të gjatë është konsideruar si një largim i mundshëm nga klubi, por duket se ai do të vazhdojë të qëndrojë në Kataloni.

Mbrojtësi danez ka kontratë deri në verë dhe Barcelona nuk i kishte ofruar ende një marrëveshje të re. Megjithatë, Christensen ka shprehur dëshirën për të qëndruar në klub dhe ka deklaruar se është i lumtur atje.

Si pasojë, ai nuk ka zhvilluar bisedime me klube të tjera për një transferim të mundshëm gjatë verës së ardhshme.

Barcelona nuk kishte marrë një vendim përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij, ndonëse kishte ofruar kontrata të reja për disa lojtarë që u skadonin marrëveshjet këtë verë, me përjashtim të Robert Lewandowskit, e ardhmja e të cilit mbetet e paqartë.

Pas dëmtimit të rëndë në ligamentin e kryqëzuar, i cili e ka lënë jashtë fushave të paktën deri në muajin prill, ishte krijuar përshtypja se Christensen po hynte në fazat e fundit të karrierës së tij te Barcelona.

Megjithatë, tani duket se ai do të ketë mundësinë të qëndrojë në klub edhe për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimeve të Marca, tashmë është marrë një vendim për Christensen dhe atij pritet t’i ofrohet një zgjatje kontrate njëvjeçare.

I njëjti medium thekson se një nga arsyet kryesore për këtë vendim është profesionalizmi i treguar nga danezi, i cili gjithmonë e ka pranuar rolin e tij pa ankesa dhe është sjellë në mënyrë shembullore brenda skuadrës.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe mungesa e mbrojtësve qendrorë cilësorë në tregun e ardhshëm të transferimeve.

Pasi klubi hasi vështirësi për të gjetur përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit, drejtuesit e Barcelonës kanë preferuar të sigurojnë një alternativë të besueshme në formën e Christensen, në rast se nuk arrijnë të transferojnë një tjetër mbrojtës në verë./Telegrafi/

Fat për një ndeshje të parëndësishme: Ja sa do të fitojnë Alcaraz dhe Sinner në Korenë e Jugut

10 January 2026 at 09:03


Spektakli i vërtetë që shënon fillimin e vitit të ri do të zhvillohet sot (e shtunë), pasi dy nga yjet më të mëdhenj të sotëm, Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner, do të përballen në një ndeshje miqësore.

Ndeshja vlen katër milionë euro dhe vjen vetëm 55 ditë pas takimit të tyre të fundit në finalen e ATP Finals.

Sipas gazetës italiane La Gazzetta dello Sport, Sinner dhe Alcaraz thuhet se kanë të garantuara nga 2 milionë euro secili për performancën.

Sa e madhe është kjo shifër, e tregon edhe fakti që fituesi i turneut të meshkujve në Australian Open këtë vit do të marrë rreth 3.6 milionë euro.

Both Carlos Alcaraz and Jannik Sinner will receive £1.7m ($2.3m) to play in an exhibition match in Seoul 💰

That's more than the runner up in the Australian Open will receive and almost as much as the winner (£2m) 😱 pic.twitter.com/HyRlQysBXQ
— TNT Sports (@tntsports) January 8, 2026

Pas performancave të tyre në Korenë e Jugut, të dy do të udhëtojnë për në Melbourne, ku i pret turneu i parë i madh i sezonit, Australian Open.

Sinner është fitues dy herë radhazi, ndërsa është i vetmi Grand Slam që Alcaraz nuk e ka fituar.

Nga rruga, ndeshja shumë e paguar midis Alcaraz dhe Sinner është planifikuar për nesër në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës së Bosnjës dhe Hercegovinës./Telegrafi/

Brahim Diaz futet në histori të futbollit maroken duke vendosur një rekord të paparë më herët

10 January 2026 at 08:26


Brahim Diaz ka hyrë në historinë e futbollit maroken gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës , duke u bërë lojtari i parë në arkivat e kombëtares që arrin disa rekorde të jashtëzakonshme golash, teksa ata marshojnë drejt një titulli të mundshëm të parë që nga vitet 1970.

Sulmuesi 26-vjeçar i Real Madridit ka qenë protagonisti kryesor i skuadrës së drejtuar nga Walid Regragui, duke shënuar në çdo ndeshje deri në fazën gjysmëfinale.

Finalizimi i tij i vazhdueshëm ka thyer rekorde të vjetra kombëtare dhe e ka shtyrë Marokun përpara në një turne ku ata hynë si favoritë, pas paraqitjes historike në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022.

Diaz fillimisht hyri në histori duke u bërë lojtari i parë maroken që shënon në pesë ndeshje radhazi në një edicion të vetëm të AFCON-it.

Golat e tij në fazën e grupeve, në të tetat dhe në çerekfinale kanë vendosur një standard të ri për serinë e golave në këtë kompeticion për Marokun.

Ai është bërë gjithashtu lojtari i parë që nga Osei Kofi i Ganës në vitin 1968, që shënon në pesë ndeshjet e para të ekipit të tij në një turne të Kupës së Afrikës, duke konfirmuar formën e tij vdekjeprurëse përpara portës me pesë gola të realizuar deri tani në Bregun e Fildishtë.

Për më tepër, Diaz është tashmë lojtari i dytë maroken që shënon në tri ndeshje radhazi në AFCON, një rekord që kishte qëndruar i pathyer për 49 vjet, i vendosur fillimisht nga legjenda kombëtare Ahmed Faras në edicionet e viteve 1972 dhe 1976./Telegrafi/

Barcelona blindon me kontratë të re një supertalent – La Masia nxjerr edhe një tjetër yll

10 January 2026 at 08:09


Barcelona ka arritur një marrëveshje parimore me talentin 15-vjeçar të akademisë, Ebrima Tunkara, për ta vazhduar qëndrimin e tij në klub, duke siguruar kështu që një nga perspektivat më premtuese të La Masias të mbetet në Kataloni për të ardhmen e afërt.

Sipas SPORT, mesfushori/sulmuesi i majtë dhe klubi katalanas kanë shprehur kënaqësi të ndërsjellë me këtë marrëveshje, e cila pritet të zyrtarizohet në javët në vijim.

Tunkara, i lindur në Lamoi, Gambi, në vitin 2010 dhe përfaqësues i Kombëtares U17 të Spanjës, është pjesë e Barcelonës që nga kategoria pre-Benjamin.

Adoleshenti është i entuziazmuar nga besimi që i ka dhënë klubi, ndërsa drejtuesit e Barcelonës shprehen shumë optimistë për zhvillimin e tij afatgjatë.

Talenti i ri ëndërron të ketë sukses në ‘Camp Nou’ dhe është i përkushtuar të avancojë nëpër rangjet e klubit për të fituar një mundësi në ekipin e parë.

Aktualisht pjesë e skuadrës Juvenil A të drejtuar nga Pol Planas, Tunkara ka shkëlqyer në rolin e tij të ri si sulmues i djathtë, duke shënuar katër gola në 10 ndeshje kampionati këtë sezon.

Ai ka regjistruar gjithashtu tri paraqitje në UEFA Youth League, duke konfirmuar potencialin e tij edhe në arenën evropiane.

I gjithanshëm dhe shpërthyes, talenti spanjollo-gambian shquhet për shpejtësi të jashtëzakonshme, fuqi fizike, ndryshim ritmi dhe një këmbë të majtë cilësore, cilësi që i mundësojnë të çajë linjat kundërshtare dhe të krijojë raste të rrezikshme./Telegrafi/

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

9 January 2026 at 23:45


Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi të tij gjatë afatit kalimtar dimëror.

Në një prononcim për mediat italiane, 68-vjeçari ka vlerësuar paraqitjet e Asllanit, duke theksuar cilësitë e tij teknike, por njëkohësisht ka pranuar se e ardhmja e mesfushorit mbetet e paqartë për shkak të dinamikës së afatit kalimtar të janarit.

“Asllani ka pasur disa ndeshje të mira dhe disa jo aq të mira, si pjesa tjetër e skuadrës. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme. E përdor shumë mirë si këmbën e djathtë ashtu edhe të majtën, aq sa nuk dihet se cila është më e fortë.”

“Pastaj do të shohim se çfarë do të sjellë afati kalimtar i janarit, gjithmonë përmban surpriza”, ka thënë Cairo.

Interesimi për mesfushorin shqiptar nuk mungon, pasi disa klube kanë shfaqur gatishmëri për ta transferuar.

Në mesin e skuadrave të përmendura janë Girona, Parma dhe Sassuolo, të cilat po e ndjekin nga afër situatën e tij.

Kristjan Asllani iu bashkua Torinos gjatë verës, në formë huazimi nga Interi, me synimin për të fituar më shumë minuta dhe vazhdimësi në lojë.

Deri më tani, 23-vjeçari ka regjistruar 16 paraqitje me fanellën e Torinos në këtë edicion.

E ardhmja e mesfushorit shqiptar pritet të sqarohet në javët në vijim, teksa afati i janarit mund të sjellë zhvillime të reja për karrierën e tij./Telegrafi/

Dikur një lojtar i rëndësishëm, por tani ylli i Barcelonës rrezikon largimin nga klubi

9 January 2026 at 22:33


Barcelona është e gatshme të shqyrtojë mundësinë e huazimit të mesfushorit Marc Casado nëse ai kërkon të largohet në kërkim të minutave të rregullta të lojës, përpara mbylljes së afatit kalimtar të janarit, raporton Mundo Deportivo.

Talenti i dalë nga akademia, i cili pati një sezon shpërthyes vitin e kaluar, ka parë një rënie të ndjeshme të hapësirave këtë edicion dhe pritet të përballet me konkurrencë edhe më të madhe me rikthimin e afërt të Gavit nga lëndimi.

Casado ishte konsoliduar si titullar sezonin e kaluar, në një periudhë kur Marc Bernal po rikuperohej nga një dëmtim i rëndë në ligament dhe Frenkie De Jong ishte jashtë fushave. Megjithatë, dhjetë muajt e fundit kanë qenë të vështirë për mesfushorin.

Me rikthimin e De Jong në formë të plotë, Casado ka grumbulluar vetëm 786 minuta në 18 paraqitje në të gjitha garat, duke mbetur pas Pedrit, De Jongut, Eric Garcias dhe Bernalit në hierarkinë e mesfushës.

Transferimi i Joao Cancelo gjithashtu e përjashton çdo mundësi që Casado të përdoret si alternativë në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Edhe pse stafi teknik i drejtuar nga Hansi Flick nuk ka ndërmend ta shtyjë lojtarin drejt largimit, klubi nuk do t’i vendoste pengesa nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme dhe lojtari do të shprehte dëshirën për t’u larguar.

Sipas raportit, Casado ka refuzuar oferta gjatë verës dhe deri më tani nuk ka treguar asnjë prirje për të kërkuar largimin, çka e bën të pamundur një dalje nga klubi para fundit të këtij muaji./Telegrafi/

Yesterday — 9 January 2026Main stream

Kameruni triumfon ndaj Malit dhe avancon në gjysmëfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës

9 January 2026 at 21:58


Kombëtarja e Marokut ka regjistruar një fitore të rëndësishme me rezultat 2-0 ndaj Kamerunit, për të avancuar në gjysmëfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 26-të, pas një goditjeje nga këndi, ku Brahim Diaz u tregua më i shkathët në zonë dhe me një përpjekje nga afër, e shtyu topin në rrjetë për t’i dhënë epërsinë Marokut prej 1-0.

Ky gol i dha qetësi skuadrës së drejtuar nga Walid Regragui, e cila menaxhoi mirë pjesën e mbetur të pjesës së parë.

Kameruni u përpoq të reagojë, por ndërhyrjet e shumta dhe mungesa e qartësisë në fazën sulmuese bënë që skuadra afrikane të ndëshkohej edhe me kartonë të verdhë, përfshirë Arthur Avom dhe Nouhou.

Në pjesën e dytë, Maroku vazhdoi të kontrollojë ritmin e lojës, ndërsa trajnerët e të dyja skuadrave bënë disa zëvendësime për të freskuar ekipet.

Vendimi i Regraguit për të futur në lojë lojtarë si Youssef En-Nesyri dhe Sofyan Amrabat i dha edhe më shumë stabilitet ekipit.

Goli i dytë dhe vendimtar erdhi në minutën e 74-t, kur një pasim i gjatë dhe i saktë e nxori Ismael Saibari përballë portës.

Mesfushori maroken finalizoi me një goditje të ulët dhe precize, duke e dërguar topin në cepin e djathtë të portës për rezultatin përfundimtar 2-0.

Pas këtij triumfi, Maroku do të presë në gjysmëfinale fituesin e çiftit Algjeri – Nigeri, ndeshje kjo që do të luhet nesër (e shtunë) me fillim nga ora 17:00./Telegrafi/

Zyrtare: Udoyen Akpan përforcon Gjilanin

9 January 2026 at 21:31


SC Gjilani ka zyrtarizuar transferimin më të ri në skuadër, duke nënshkruar me futbollistin Udoyen Akpan, i cili i bashkohet ekipit nga Drenica.

Sulmuesi 26-vjeçar vjen me një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, të fituar gjatë karrierës së tij në disa kampionate evropiane.

Me origjinë nga Liverpooli, Akpan ka qenë pjesë e disa klubeve në Angli, ndërsa ka luajtur gjithashtu në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, duke ndërtuar një profil të gjerë dhe të pasur futbollistik.

Afrimi i Akpanit shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës, teksa Gjilani synon të rrisë konkurrencën dhe cilësinë në vazhdim të sezonit.

Njoftimi i plotë i Gjilanit:

SC Gjilani ka kënaqësinë të bëjë të ditur afrimin më të ri në skuadër, futbollistin Udoyen Akpan.

Akpan i bashkohet ekipit tonë nga FC Drenica, duke sjellë me vete një përvojë të pasur të fituar në disa kampionate evropiane.

Sulmuesi 26 vjeçar është me origjinë nga Liverpool, teksa gjatë rrugëtimit të tij profesional, ai ka qenë pjesë e klubeve në Angli, si dhe ka luajtur në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, çka e bën një futbollist me bagazh të rëndësishëm ndërkombëtar.

SC Gjilani i uron mirëseardhje Udoyen Akpanit dhe shpreh besimin se kontributi i tij do të jetë i rëndësishëm për skuadrën në vazhdim të sezonit./Telegrafi/

Presidenti i La Ligas komenton përplasjen mes Simeones dhe Vinicius

9 January 2026 at 21:16


Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka minimizuar polemikën rreth përplasjes midis Diego Simeone dhe Vinicius Junior gjatë gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës të enjten, duke e përshkruar si “gjëra që ndodhin në fushë dhe nuk duhet trajtuar si diçka më shumë sesa një anekdotë”.

Duke folur në Xhedah, ku ishte i pranishëm në këtë kompeticion, Tebas bëri thirrje për mirëkuptim në mes të reagimeve pas shkëmbimit të nxehtë mes trajnerit të Atletico Madrid dhe sulmuesit të Real Madridit.

“Pyetni Simeonen. Lojtarët dhe trajnerët janë nën shumë presion gjatë ndeshjeve, dhe edhe më shumë se dje”.

“Duhet ta kuptojmë që këto gjëra ndodhin, nuk janë më shumë se kaq. Siç thotë Simeone, janë gjëra që ndodhin në fushë dhe nuk duhet trajtuar si diçka më shumë sesa një anekdotë”.

Simeone kishte refuzuar të përgjigjej pas ndeshjes për këtë çështje, duke insistuar se ngjarjet në fushë duhet të mbeten aty, ndërsa trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso kishte kritikuar sjelljen e kolegut të tij.

Atletico Madridi gjithashtu ka reaguar, duke mbrojtur trajnerin e saj me një mesazh në rrjetet sociale në të cilin kanë lënë të kuptohet se ishte ylli i Real Madridit ishte ai që filloi gjithçka./Telegrafi/

“Nuk je më te Crystal Palace”, legjenda e Arsenalit paralajmëron Eberechi Ezen

9 January 2026 at 20:43


Legjenda e Arsenalit, Sol Campbell, ka dhënë një paralajmërim për Eberechi Eze pas paraqitjes së tij të parë në ligë për një muaj, gjatë mesjavës.

Eze hyri nga stoli në pjesën e fundit të barazimit 0-0 të ‘Topçinjve’ ndaj Liverpoolit të enjten mbrëma, duke zëvendësuar kapitenin Martin Odegaard për minutat e fundit të përballjes me kampionët në fuqi të Ligës Premier.

Ky barazim 0-0 me ‘Të Kuqtë’ i dha Arsenalit një avantazh prej gjashtë pikësh në krye të tabelës së Ligës Premier, ndërsa ‘Topçinjtë’ synojnë të sigurojnë titullin e parë të ligës së parë pas më shumë se 20 vjetësh.

Ndërkohë që skuadra e veriut të Londrës nuk arriti të përfitonte nga barazimi 1-1 i Manchester City ndaj Brightonit të mërkurën mbrëma, tre barazimet radhazi të Cityt për të hapur 2026-n i japin ekipit të Mikel Arteta një avantazh të shëndetshëm në krye të tabelës.

Kjo ndeshje shënoi paraqitjen e parë të Eze në Ligën Premier që nga momenti kur u zëvendësua në orën e 60-të gjatë fitores 2-1 të Arsenal ndaj Wolves muajin e kaluar, megjithatë ish-lojtari i Crystal Palace kishte filluar në triumfin me penallti në Carabao Cup ndaj ‘Shqiponjave’.

“Eberechi Eze është në klubin e duhur. Duhet të presësh mundësinë tënde dhe kjo është diçka e mirë, sepse kur futesh në skuadër, e vlerëson dhe nuk e merr vendin tënd si të mirëqenë”.

“Eze do të marrë mundësinë e tij. Ka qenë i jashtëzakonshëm në disa raste, ka shënuar gola të mrekullueshëm dhe ka realizuar një het-trik fantastik ndaj Tottenhamit. Por ka shumë djem që po shënojnë gola, po bëjnë paraqitje të mahnitshme, duke bërë pritje të shkëlqyera dhe gjëra të tjera”.

“Nuk je më në Crystal Palace, je në Arsenal dhe duhet pak më shumë për të konsoliduar pozicionin tënd. Nuk mjafton të realizosh një het-trik dhe të startosh çdo javë”.

“Duhet të gjejë pozicionin e tij në ekipin e Arsenalit, një skuadër që ka qenë së bashku për dy, tre vjet e më shumë dhe duhet të gjejë rrugën e tij”, ka deklaruar Campbell./Telegrafi/

Barcelona merr vendimin final për të ardhmen e Rashford

9 January 2026 at 19:38


Në një zhvillim të rëndësishëm, gazetari Fabrizio Romano ka raportuar se Barcelona ka ndërmend të blejë përfundimisht sulmuesin e Manchester United, Marcus Rashford, i cili po luan si huazim te katalanasit.

Sipas informacionit të dhënë, blaugranasit dëshirojnë të aktivizojnë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh për sulmuesin anglez.

Rashford u transferua te Barcelona në një huazim sezonal nga Manchester United gjatë verës, me një klauzolë për blerje të përhershme.

Sulmuesi 28-vjeçar është përshtatur mirë në skuadër dhe ka dhënë paraqitje të mira shpesh, edhe pse disa aspekte të lojës së tij ende kanë vend për përmirësim.

Në aspektin statistikor, Rashford ka luajtur 23 ndeshje zyrtare, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 9 asistime, të dhëna që konfirmojnë ndikimin e menjëhershëm të tij në ekip.

Përtej statistikave, ai ka kontribuar në thellësinë sulmuese të skuadrës, duke u bërë një opsion i besueshëm si titullar dhe si lojtar që mund të ndryshojë lojën nga stoli.

Sulmuesi anglez ka bindur stafin teknik dhe menaxhmentin sportiv për shkak të nivelit të qëndrueshëm të paraqitjeve që ka treguar që nga ardhja e tij.

Me largimin e Ruben Amorim nga Manchester United së fundmi, u ngrit mundësia që Rashford të rikthehej në ‘Old Trafford’ në fund të sezonit.

Megjithatë, sipas gjendjes aktuale, duket se sulmuesi është më pranë qëndrimit te Barcelona sesa kthimit në Angli, pasi katalanasit janë të gatshëm të aktivizojnë klauzolën e blerjes prej 30 milionë eurosh./Telegrafi/

Arsenali po përgatitet një ofertë të majme prej 74 milionë eurosh për yllin e Newcastle

9 January 2026 at 19:13


Arsenal synon një transferim prej rreth 74 milionë eurosh për Tino Livramento, por përballet me konkurrencë nga Manchester City.

Sipas një raporti të ri, Arsenal po planifikon një marrëveshje të mundshme prej rreth 74 milionë eurosh për të nënshkruar me Tino Livramento nga Newcastle, por përballet me konkurrencë të fortë nga Manchester City.

Mbrojtësi 23-vjeçar do të ketë vetëm dy vite të mbetura në kontratën e tij gjatë verës, dhe të dy gjigantët e Ligës Premier janë të interesuar për të siguruar shërbimet e tij.

Sipas The Sun, Arsenal po planifikon një transferim të mundshëm veror për Livramento. Mbrojtësi i djathtë i Newcastle ka marrë një rol kyç në skuadrën e Eddie Howe në St James' Park, duke luajtur 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Kontrata e tij skadon në vitin 2028 dhe 'Laraskat' do të kenë shumë pak fuqi negociuese këtë verë, duke pasur parasysh se më herët kishin kërkuar rreth 70 milionë euro për Livramenton në verë.

Performancat e 23-vjeçarit në veriun e Anglisë e kanë bërë atë një pjesë të përfaqësueses së Anglisë, ku ka fituar tre paraqitje, dhe ai shpreson të përfshihet në skuadrën e Thomas Tuchel për Botërorin 2026.

Arsenal përballet me konkurrencë serioze nga Manchester City, të cilët kanë pasur një interes afatgjatë për ish-lojtarin e Southampton.

Livramento iu bashkua Newcastle në vitin 2023 nga Southampton në një marrëveshje prej 34.8 milionë eurosh dhe ‘Laraskat’ pritet të përfitojnë një fitim të madh nga ky transferim.

Ai ka treguar në nëntor, pas rikthimit nga një mungesë e gjatë, se ende nuk ka pasur negociata për një kontratë të re.

“Kjo nuk është diçka që unë e kontrolloj. E lë te babai im dhe agjenti im. Për mua, kam qenë jashtë për shtatë javë. Kam punuar shumë për t’u rikthyer dhe natyrisht për të ndihmuar skuadrën”.

Jam shumë i lumtur me mënyrën se si kam luajtur (kundër Man City). Kjo është fokusi im tani. Të qëndroj ku jam dhe të ndihmoj sa më shumë skuadrën”, kishte deklaruar ai./Telegrafi/

“Është e pamundur”, Inigo Martinez zbulon pse nuk do të ndodhë rikthimi i tij te Barcelona

9 January 2026 at 18:15


Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Inigo Martinez, ka bërë shaka duke thënë se nuk do të kthehet te klubi për shkak të kostove financiare që një rikthim i tillë do të përfshinte.

Mbrojtësi bask ka munguar shumë këtë sezon në qendër të mbrojtjes, ndërsa skuadra katalanase ka vendosur që pozicioni i mbrojtësit qendror të jetë prioritet kryesor për verën e ardhshme.

Blaugranat ishin të interesuar të afronin një tjetër mbrojtës qendror edhe gjatë janarit, dhe disa sugjeruan se rikthimi i Martínezit mund të ishte zgjidhja ideale.

Duke folur për Gerard Romero, siç citohet nga Mundo Deportivo, Martinez dha një përgjigje me humor për arsyen pse kjo nuk do të ndodhte.

“Është e pamundur që Laporta të ndahet nga aq shumë para. Sinqerisht, jam shumë i lumtur këtu”.

“Sigurisht që më mungon Barcelona; ishte viti im më i mirë profesional dhe kuptova se çfarë do të thotë të përjetosh shpirtin e Barçës”.

“Natyrisht, do t’ju ndjek nga larg. Nuk do të mund të jem aty sepse ne luajmë të nesërmen”.

Pa Martinez, Hansi Flick më në fund është kthyer tek Gerard Martin për të pasur një opsion me këmbën e majtë në qendër të mbrojtjes, pasi kishte testuar partneritete të ndryshme mes Pau Cubarsi, Ronald Araujo dhe Eric Garcia.

Mbrojtësi bask u shpreh i kënaqur për ish-shokun e tij të skuadrës.

“Jam vërtet shumë i lumtur për Gerard Martin. Ai ka shfrytëzuar maksimalisht mundësinë e tij dhe po zhvillon një sezon fantastik. I pëlqen të mësojë dhe nuk ankohet kurrë, nuk ka kurrë fytyrë të mërzitur”.

“Më gëzon të shoh mbrojtës të rinj qendrorë nga akademia dhe shpresoj që të vazhdojë të ecë kaq mirë”, deklaroi Martinez./Telegrafi/

KB Bashkimi merr një dënim të rëndë nga FBK-ja pas incidentit në ndeshjen ndaj Pejës

9 January 2026 at 17:39


Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë masa të rrepta ndaj Bashkimit të Prizrenit pas incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes së së enjtes mbrëma kundër Pejës, një përballje për Kupën e Kosovës që u ndërpre për më shumë se 40 minuta.

Si pasojë e vendimit të FBK-së, Bashkimi është i detyruar të paguajë një gjobë prej 3,200 eurosh dhe do të luajë tri ndeshjet e ardhshme pa praninë e tifozëve në tribunën ballore, pjesë që zakonisht zë shumicën e mbështetësve të skuadrës.

Ky vendim ka për qëllim të parandalojë përsëritjen e sjelljeve të rrezikshme dhe të sigurojë një ambient të sigurt për lojtarët dhe stafit.

Incidenti që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes ndodhi kur kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, u godit me një shkrepëse në kokë nga një nga tifozët, duke bërë që gjyqtari të ndërpresë përballjen për më shumë se 40 minuta derisa situata u qetësua.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga klube, lojtarë dhe opinion publik, të cilët kanë kërkuar masa të ashpra për të parandaluar dhunën në basketbollin kosovar.

Ky vendim i FBK-së për Bashkimin nuk është i izoluar, Federata ka qenë e qartë se nuk do të tolerojë sjellje që rrezikojnë sigurinë e lojtarëve apo eprorëve të ndeshjes.

Ndërkohë, Peja do të vazhdojë garën e Kupës pa pasur ndikim të drejtpërdrejtë nga incidenti dhe kapiteni Dardan Berisha është rikuperuar nga goditja, sipas raportimeve zyrtare të klubit./Telegrafi/

❌
❌