Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Kurti në Mitrovicë: Buxheti rekord prej 4 miliardë eurosh, një nga pesë vendimet e para të mandatit të ardhshëm

24 December 2025 at 19:35


Kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me profesionistë të fushave të ndryshme në Mitrovicë, ku foli për zotimet e tij dhe vendimet e para që do të miratohen qysh në mbledhjen e parë të qeverisë.

Sipas Kurtit, këto vendime do të ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve dhe përfshijnë:

Buxhet rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026.

Ligji i ri për çmime tavan për produktet bazë.

Heqja e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së që përfitojnë beneficione.

Paga e 13-të për zyrtarët publikë në fillim të vitit 2026.

Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë 200 milionë euro, që mbështet pensionistët, studentët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe qytetarët që kursejnë energjinë elektrike.

Kurti e përshkroi këtë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe një fillim të fuqishëm për punën e qeverisë së re.

Ismaili: Këto janë masat konkrete për rritjen e mirëqenies në programin e Bedri Hamzës

24 December 2025 at 19:27


Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka vazhduar serinë e videove përmes të cilave u drejtohet qytetarëve, duke shpjeguar pikat kyçe të programit zgjedhor të PDK-së.

Në videon e publikuar sot, Ismaili flet për masat konkrete që, sipas tij, synojnë rritjen e mirëqenies ekonomike për qytetarët dhe familjet në Kosovë, në kuadër të programit të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.

“Programi i Bedri Hamzës parasheh rritjen e pagave për 50 për qind për të gjithë punëtorët e shërbimit publik. Po ashtu, do të ulen tatimet në paga, në mënyrë që të gjithë të kenë më shumë të ardhura në fund të muajit, përfshirë edhe punëtorët e sektorit privat”, thotë Ismaili.

Ai shtoi se programi parasheh edhe rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale. “Do t’i rrisim të gjitha pensionet dhe ndihmat sociale për 50 për qind, me pension minimal prej 250 eurosh, si dhe do të shtyjmë përpara politika që e ulin koston e jetës dhe çmimet”, thekson ai.

Në fund të videos, Ismaili u bën thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të mbështesin programin e PDK-së.

“Më 28 dhjetor, filloni kapitullin e mirëqenies për ju dhe familjen tuaj. Votoni PDK 130, Bedri Hamza 1 dhe Uran Ismaili 2”, përfundon ai.

Vodhi para nga arka e bamirësisë në një xhami në Ferizaj, arrestohet nga policia

24 December 2025 at 18:46


Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Ferizaj ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar për vjedhje të rëndë.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, i dyshuari F.A., 29 vjeç, dyshohet se më 9 dhjetor 2025, rreth orës 18:30, ka depërtuar me forcë në objektin fetar “Xhamia e Vogël”, ku ka vjedhur një shumë parash nga arka e bamirësisë.

Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar dy palë atlete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Policia Rajonale e Ferizajt thekson përkushtimin e saj për parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe institucionet fetare.

AKU Tiranë bllokon 5 ton djathë  dhe 944 kg fileto pule

24 December 2025 at 18:24


Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në Tiranë ka bllokuar 5 ton djathë të llojit Gouda dhe 944 kilogramë fileto pule.

A2 CNN raporton se masat janë marrë për shkak të mungesës së kundra-etiketave në gjuhën shqipe, duke mos respektuar kërkesat ligjore për etiketimin dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore.

Subjekti përgjegjës është penalizuar gjithashtu me një masë administrative gjobe për veprimet në kundërshtim me ligjin.

Kurti: Nga magjistralja e Dukagjinit do të përfitojë edhe Deçani

24 December 2025 at 18:04


Kandidati për kryeministër nga LVV, Albi Kurti, mbajti një takim me qytetarë, mërgimtarë, studentë dhe punëtorë të komunës së Deçanit.

Gjatë takimit u diskutua për çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e kësaj komune.

Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Deçanit në rrugën drejt fitores së 28 dhjetorit.

Ndër zotimet kyçe që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në infrastrukturë dhe arsimi edhe për qytetarët e kësaj komune, janë ndërtimi i magjistrales së Dukagjinit që do të kalojë edhe nëpër Deçan, si dhe zbatimi i programit të bursave “Mobiliteti për studentë”, program ky i cili do të mbështesë financiarisht studentët në bazë të distancës mes vendbanimit dhe universiteti ku do të studiojnë.

Vritet në Cyrih një 71-vjeçare nga Kosova, arrestohen tre persona

24 December 2025 at 17:48


Një grua 71-vjeçare nga Kosova është vrarë në qytetin Buchs, në kantonin e Cyrihut.

Lajmi është konfirmuar nga Policia Kantonale e Cyrihut.

Sipas njoftimit zyrtar, qendra e operacioneve të policisë ka pranuar një raport për gjetjen e një personi të pajetë në një ndërtesë banimi. Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen e gruas.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në lagje.

Banorë të zonës kanë deklaruar për mediat se në orët e mëngjesit të së mërkurëskanë vërejtur prani të shtuar të policisë.

“Jam i tronditur nga ajo që ndodhi në lagjen tonë të qetë,” ka thënë një banor, duke shtuar se familja e viktimës nuk ishte shumë e njohur në komunitet dhe se gruaja e ndjerë vuante nga probleme shëndetësore.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona të dyshuar që ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes.

Të arrestuarit janë një grua dhe dy burra, të gjithë shtetas zviceranë, të moshës 27, 48 dhe 51 vjeç.

Motivi i krimit, rrjedha e saktë e ngjarjes dhe rrethanat e tjera mbeten ende të paqarta.

Hetimet po zhvillohen nga Policia Kantonale e Cyrihut në bashkëpunim me Prokurorinë Publike.

Autoritetet kanë bërë të ditur se më shumë informacione do të publikohen pas përfundimit të hetimeve fillestare./Telegrafi.

Rusia sponsorizon turne futsalli në Serbi, pjesëmarrës edhe një ekip nga veriu i Mitrovicës

24 December 2025 at 17:19


Në Qendrën Sportive Kovilovo në Serbi është hapur të hënën e ashtuquajtura “Kupa Ndërkombëtare e Miqësisë në Futsall”, një turne i mbështetur nga institucionet ruse, në të cilin marrin pjesë tetë ekipe të reja nga Rusia, Serbia dhe Republika Srpska e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Turneu, i cili po organizohet për herë të katërt që nga viti 2023, sipas organizatorëve synon promovimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe miqësisë mes të rinjve përmes sportit.

Në këtë edicion po marrin pjesë ekipet Vojvodina, Guça, Mladost Apatin, Zajeçar, një ekip nga veriu i Kosovës (Mitrovica e Veriut), si dhe një ekip nga Republika Srpska. Ndërkohë, skuadra Shahtjor nga Donjecku po merr pjesë për herë të parë në një aktivitet sportiv të organizuar në Serbi.

Në ceremoninë e hapjes, anëtari i Këshillit të Federatës së Federatës Ruse, Aleksandar Vološin, deklaroi se e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet shteteve ndodhet në duart e brezave të rinj, duke i ftuar pjesëmarrësit që turneun ta shfrytëzojnë si platformë për ndërtimin e miqësive dhe forcimin e bashkëpunimit.

Ndërkaq, këshilltari-ministër i Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Konanihin, vuri në pah lidhjet historike mes Serbisë dhe rajonit të Donbasit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave të përbashkëta.

Turneu organizohet nga fondi bamirës “Shenjtorët Apostuj të Lartë Pjetri dhe Pali”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Festivalit Botëror të Rinisë, me mbështetjen e Agjencisë Federale për Çështjet e Rinisë “Rosmolodezh” dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.

Drejtori i fondit organizator, Miloš Tanaskoviq, tha se turneu ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga edicioni i parë, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet krijimi i miqësive mes të rinjve nga vende të ndryshme.

“Këtu po luftojmë për shoqëri – le të fitojë miqësia”, u shpreh Tanaskoviq.

Rajoni i Donbasit është përfshirë në konflikt të armatosur që nga viti 2014, pas protestave në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, kur u shpallën të ashtuquajturat “Republika Popullore e Donjeckut” dhe “e Luhanskut”, të cilat nuk njihen ndërkombëtarisht.

Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Donbasi u shndërrua në një nga epicentrat kryesorë të luftës, me pasoja të rënda humanitare, shkatërrime masive dhe zhvendosje të popullsisë civile.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se kërkesat e Rusisë për tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e Donbasit që janë nën kontrollin e Kievit mbeten pengesë serioze për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Musliu: Konkursi i Serbisë ndërhyrje e qëllimshme në sovranitetin e Republikës së Kosovës

24 December 2025 at 17:06


Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj shpalljes së konkursit nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë për vende pune në institucione ilegale shëndetësore në Kosovë, duke e cilësuar këtë veprim si ndërhyrje të drejtpërdrejtë, të qëllimshme dhe shumë të ashpër në sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Sipas Musliut, kjo nuk është hera e parë që Serbia ushtron presion të tillë ndaj Kosovës.

Ai theksoi se thirrje të hapura dhe eksplicite janë bërë edhe më herët nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Marko Gjuriqi, e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë”, si dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë serbë.

Ai vlerësoi se situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se këto deklarata dhe veprime janë bërë edhe në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, sikur të ishin të pranueshme, duke shtuar se Serbia po tenton ta normalizojë ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Kosovës.

Musliu tha se qytetarët po kushtëzohen përmes mbështetjes financiare, ndalimeve në kufi, ushtrimit të presionit dhe shantazhit, si dhe përmes fushatave propaganduese dhe intimiduese, me qëllim të pengimit të pluralizmit politik dhe detyrimit të qytetarëve për të votuar Listën Serbe.

Sipas tij, presioni ndaj Listës Serbe dhe ndaj vetë qytetarëve serbë në Kosovë është rritur ndjeshëm.

Ai përmendi edhe Millan Radoiqiqin, për të cilin tha se ka urdhëruar kryesinë e Listës Serbe që të bëjë gjithçka për të siguruar dhjetë mandate, duke paralajmëruar pasoja në të kundërtën.

Eksperti i sigurisë theksoi se Kosova, me Kushtetutën dhe ligjet e saj, u garanton të drejta të plota serbëve lokalë dhe të gjitha pakicave, duke shtuar se askush nuk po ua mohon këto të drejta.

“Ajo që nuk mund të pranohet është që një shtet tjetër t’i përdorë qytetarët si mjet presioni politik dhe t’i mbajë peng për interesa shtetërore dhe elektorale,” tha Musliu.

Në fund, ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë, duke shtuar se, pavarësisht presionit të lartë, serbët lokalë po përpiqen t’i rezistojnë, por ende nuk kanë guxim t’i raportojnë rastet./Telegrafi.

Abdixhiku prezanton programin për arsim: Pagë 1,000 euro për mësimdhënësit dhe mësim tërëditor

24 December 2025 at 16:53


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar prioritetet e partisë së tij për sektorin e arsimit, duke theksuar se mësimdhënësit janë shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.

Gjatë një takimi me mësimdhënës, Abdixhiku tha se ata mbajnë “barrën më të rëndë të këtij vendi – edukimin e brezave të rinj”, duke shtuar se pavarësisht nënvlerësimit dhe mungesës së mbështetjes nga politika, ata nuk kanë hequr dorë nga misioni i tyre.

“Shkolla nuk është thjesht një ndërtesë, por vendi ku formohet karakteri, dija dhe e ardhmja e Kosovës,” tha Abdixhiku.

Ai prezantoi zotimet kryesore të LDK-së për arsimin, të cilat, sipas tij, janë të qarta dhe të panegociueshme.

Në mesin e tyre është rritja e pagës për mësimdhënësit në 1,000 euro, ndërtimi i 80 çerdheve të reja në gjithë vendin, si dhe vendosja e mësimit tërëditor në shkolla.

Sipas Abdixhikut, modeli i mësimit tërëditor do të përfshijë shujta të ngrohta, aktivitete sportive dhe qëndrimin e nxënësve deri në tetë orë në shkollë, me synim rritjen e cilësisë, barazisë dhe zhvillimit të plotë të nxënësve.

Po ashtu, ai paralajmëroi futjen e kodimit dhe inteligjencës artificiale si lëndë mësimore, duke theksuar se Kosova duhet të përgatitet për sfidat e së ardhmes dhe jo për të kaluarën.

“Arsimi është themeli dhe aty fillon çdo ndryshim i vërtetë,” tha Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja, sipas tij, është e vetmja forcë politike që e ka arsimin prioritet, duke u bazuar në përvoja konkrete nga Prishtina si model për gjithë Kosovën.

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Abdixhiku për Kurtin: Ai nuk kupton çka flet, ndoshta telin din me lidh më mirë ama për ekonomi s’merr vesh

23 December 2025 at 22:56


Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e kupton çka flet.

Kreu i LDK-së në emisionin Pressing në T7 ka thënë se Kurti nuk merr vesh fare për ekonomi, por as për politikë.

“Ai nuk e kupton as çka flet. Ai më së paku kupton, jo vetëm në ekonomi, s’dua ta bëj këtë garë të padrejtë të flas për ekonomi kur kam një edukim shumë më superior në këtë fushë”, ka thënë Abdixhiku.

“Me siguri ai për tela dhe bakër din ma mirë. Ndoshta ai din me lidh telin më mirë se unë, për ekonomi s’merr vesh ai”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Prindon Sadriu fton Jared Kushnerin të realizojë projektin e Hotelit Trump në Prishtinë

23 December 2025 at 22:51


Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka ftuar Jared Kushnerin, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, që të vijë në Prishtinë dhe të realizojë projektin për ndërtimin e Hotelit Trump, të cilin ai kishte planifikuar fillimisht të ndërtonte në Beograd.

Në postimin e tij në platformën X, Sadriu ka theksuar se “tërheqja nga projekti i Hotelit Trump në Beograd përforcon një të vërtetë të rëndësishme: projektet kuptimplotë janë për të bashkuar, jo për të përçarë.

Zhvendosja e këtij vizioni në Prishtinë – dhe transformimi i Hotelit Grand në Hotelin Trump do të rivitalizonte një vendndodhje ideale dhe do bashkonte njerëzit.”

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, ka njoftuar kohët e fundit tërheqjen nga ndërtimi i komplekseve luksoze në qendër të Beogradit, në ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë.

Reagimet e Serbisë kanë qenë të ndara: Presidenti Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kundërshtarët e projektit se kanë shkatërruar një investim të vlefshëm, ndërsa demonstruesit dhe aktivistët antiqeveritarë kanë premtuar të vazhdojnë protestat kundër ndërtimit.

Ekspertët lokalë kanë sugjeruar se në vend të shembjes duhet të bëhet rindërtimi i kompleksit historik, ndërkohë që Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka njoftuar se do të vazhdojë hetimet, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikola Selakoviq, për falsifikim dokumentesh që çoi në humbjen e statusit të trashëgimisë kulturore për Shtabin e Përgjithshëm./Telegrafi.

Withdrawing from the Belgrade Trump Hotel project reinforces an important truth: meaningful projects are meant to unite, not divide. Relocating this vision to Prishtina—and transforming the Grand Hotel into a Trump Hotel—would revitalize a prime location and unite people. pic.twitter.com/T3Qq5AD3xt
— Prindon Sadriu 🇽🇰 (@PrindonSadriu) December 22, 2025

Policia regjistron dy raste të kontrabandës në veri, konfiskohen mbi 20 mijë euro dhe pije alkoolike

23 December 2025 at 22:46


Në orët e pasditës të së martës, Policia e Kosovës ka regjistruar dy raste të kontrabandës në komunën e Leposaviqit, konkretisht në fshatrat Zernovshek dhe Gnjezhdane.

Lajmin e konfirmoi Veton Elshani, zëvëndësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.

Ai bëri të ditur se gjatë aksioneve janë identifikuar pije alkoolike dhe joalkoolike, si dhe mbi 20 mijë euro ‘cash’.

Sipas Elshanit, rasti i parë është trajtuar nga Policia Kufitare, ndërsa i dyti nga Policia e Rendit.

“Pijet alkoolike dhe tri automjete janë konfiskuar, ndërsa tek rasti i Policisë së Rendit Publik një person pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt,” tha ai.

Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të të dy rasteve dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve për parandalimin e kontrabandës në zonat e veriut./Telegrafi.

Aksion i policisë me AKI-në, arrestohen dy të huaj për kontrabandim me migrantë

23 December 2025 at 22:33


Policia e Kosovës, përmes Sektorit të Hetimeve të Departamentit për Kufi dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka arrestuar një shtetas jordanez dhe një shtetase turke, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandim me migrantë”.

Hetimet tregojnë se i dyshuari kryesor dyshohet se ka organizuar hyrjen e shtetasve të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia, në Republikën e Kosovës, me qëllim më pas kontrabandimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai dyshohet gjithashtu të ketë udhëhequr një grup të mirëorganizuar kriminal, i cili përfitonte përmes kësaj veprimtarie të paligjshme.

Gjatë kontrollit të kryer ndaj të dyshuarit, Policia konfiskoi gjithsej 53 pasaporta të shtetasve jordanezë.

Pas konsultimeve me prokurorinë kompetente, të dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë./Telegrafi.



Kurti nga Kodra e Trimave: Pesë diga të reja për ujë të pijshëm dhe 10 profile të reja në mësimin dual

23 December 2025 at 22:26


Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, ishte në Kodrën e Trimave në Prishtinë, me pëkrahësit e banorët e lagjes.

Përkrahja e tyre e vazhdueshme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sipas Kurtit është konfirmim i qartë i besimit të tyre në këtë force politike.

Ai theksoi se për herë të parë janë ndarë shtesa për fëmijë dhe për nënat lehona, të cilat do të vazhdojnë të rriten edhe gjatë mandatit të ardhshëm.

Nga 26% në më pak se 11% është ulur papunësia, e janë shtuar 85 mijë vende të reja pune.

Kurti bëri të ditur se pas 28 dhjetorit planifikohet ndërtimi i pesë digave të reja në Firajë, Pollatë, Kuçicë, Dragaçinë dhe Desivojcë, me qëllim sigurimin e ujit të pijes dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ndërsa me 10 profile të reja do të zgjerohet mësimi dual, e 20 stadiume të reja do të ndërtohen në 18 komuna, të cilat arrijnë vlerën prej 250 milionë eurosh.

Prandaj, sipas tij, numri 116 është zgjedhja e duhur për qytetarët më 28 dhjetor.

Festat boshatisin Shqipërinë, nëntori shënon rekord daljesh jashtë vendit

23 December 2025 at 21:57


Ritmi i daljes së shqiptarëve jashtë ka qenë më i lartë se ai i hyrjes ë të huajve në vend gjatë nëntorit.

Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave për Lëvizjen e Shtetasve konfirmojnë së gjatë nëntorit kur janë edhe një seri festash kombëtare dhe ditësh pushimi, vendasit kanë preferuar të udhëtojnë jashtë.

Konkretisht sipas INSTAT gjatë muajit nëntor 2025, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës s Shqipërisë, 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 1,4%, krahasuar me nëntorin 2024, 1 322 499 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turoperatorët thanë se vjeshta ka shënuar një ecuri më të mirë të turistëve në raport me atë të kaluar dhe se shtatori e tetori ishin në nivele të kënaqshme teksa nëntori kishte një ngadalësim edhe si efekt i motit jo shumë të qëndrueshëm.

“Në nëntor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 652.150, duke pësuar një rënie me 1,3%, krahasuar me nëntor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 629.968. Ky numër është rritur me 4,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Ndërkohë sa takon daljeve në muajin nëntor 2025, 677 065 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,5%, krahasuar me nëntor 2024.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2025 janë 645.434. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0,01%”, vlerëson INSTAT.

Sipas njoftimit në nëntor 2025, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 86% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5%, Evropa Qëndrore / Lindore dhe Evropa Veriore secili me 4%.

Turoperatorët nënvizojnë se vizitorët nga Europa Perëndimore por edhe më gjerë po vizitojnë Shqipërinë sidomos gjatë vjeshtës dhe pranverës në një interes për turizmin kulturor. Përveç italianëve që mbeten grupi më i rëndësishëm pas Kosovës edhe Gjermania apo Franca po rrisin dukshëm peshën e tyre.

Sipas INSTAT, qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97% të rasteve është për qëllime personale. Në nëntor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me nëntor 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 3,6%.

Abdixhiku në Llap: Herët e keni kuptuar se shteti nuk ndërtohet me sharje por me mençuri

23 December 2025 at 21:08


Nga tubimi i Podujevës kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, tha se Llapi është vet historia e popullit të Kosovës.

Sipas tij, Llapi e ka kuptuar herët se shteti nuk ndërtohet me sharje por me mençuri. “Llapi ka nxjerrë breza mësuesish, intelektualësh dhe profesionistësh që i kanë shërbyer gjithë vendit.

Llapi e ka kuptuar herët se liria dhe shteti nuk ndërtohen me ankesa e sharje, por me mençuri, me organizim dhe me përgjegjësi. Diku me mend, diku me pushkë, Llapi është vet historia e popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Tutje ai shtoi se Llapi është trevë e punës, e sakrificës dhe e qëndrueshmërisë, vlera që janë në thelb të LDK-së”.

PDK dhe LDK bëjnë thirrje për debat politik, ftojnë Kurtin të përballet publikisht

23 December 2025 at 20:46


Pak para nisjes së debatit politik, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti po krijon hapësirë që kryeministri Albin Kurti të shprehë qëndrimet e tij në një debat të hapur politik.

Haziri tha se fillimisht nuk e kishte planifikuar të ishte pjesë e debatit, por kishte vendosur të bashkohej për të diskutuar dallimet politike mes partive.

“Unë nuk kam pasur qëllim të jem pjesë e debatit, por vendosa të bashkëngjitem për të diskutuar dallimet dhe për të debatuar mbi to,” deklaroi Haziri.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ishte mysafirja e parë që mbërriti në emisionin politik Politiko, pak para nisjes së debatit mes përfaqësuesve të partive politike.

Duke folur për rëndësinë e përballjes politike, Çitaku theksoi se PDK-ja nuk i është shmangur asnjëherë debateve dhe se ato janë thelbësore për funksionimin e demokracisë.

“Debati në demokraci është i domosdoshëm dhe PDK nuk i ikën debateve,” tha Çitaku, duke shtuar se shpreson që edhe kryeministri Albin Kurti të tregojë gatishmëri dhe t’i përgjigjet ftesës për një debat të hapur politik.

Thirrjet nga LDK dhe PDK vijnë në kohën kur debati publik mes partive opozitare dhe kryeministrit Kurti ka munguar, ndërsa kërkesat për transparencë dhe përballje politike po shtohen./Telegrafi.

Rukiqi: 90 milionë euro import energjie në tre muaj, rritje e re e çmimit pritet në prill 2026

23 December 2025 at 20:23


Kandidati i LDK-së për deputet, Berat Rukiqi, ka paralajmëruar pasoja të reja për qytetarët dhe bizneset nga sektori i energjisë, duke thënë se situata është më e rëndë sesa rritja aktuale prej 15 për qind e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas Rukiqit, vetëm në periudhën janar–mars të këtij viti janë importuar rreth 90 milionë euro energji elektrike, import që, siç thotë ai, ka qenë jashtë planifikimeve dhe pritet të reflektohet me një rritje të re të çmimit të energjisë në prill të vitit 2026.

Ai ka theksuar se ky import i paplanifikuar vjen si pasojë e keqmenaxhimit në KEK, për të cilin mban përgjegjësi Qeveria.

Rukiqi ka përmendur si arsye kryesore mosprodhimin e mjaftueshëm të energjisë elektrike, rënien e blloqeve të Termocentralit Kosova B dhe qëndrimin e tyre të zgjatur jashtë funksionit për shkak të remonteve që, sipas tij, kanë tejkaluar të gjitha afatet.

Sipas kandidatit të LDK-së, rritjet e vazhdueshme të çmimit të energjisë po e shndërrojnë këtë sektor në emergjencë kombëtare, duke paralajmëruar se rritje të tilla vjetore janë të papërballueshme për qytetarët dhe ekonominë.

Ai ka vlerësuar se kjo situatë përbën një rrezik serioz për varfërimin e qytetarëve dhe falimentimin e bizneseve, duke kërkuar ndaljen e asaj që e quan paaftësi institucionale dhe “mafi energjetike”.

Një qytetare gjen para dhe i dorëzon në polici

23 December 2025 at 20:12


Një qytetare, M. Thaqi (45 vjeçe) nga Ferizaj, dje në parkingun e Qendrës Village Shopping & Fun në Ferizaj, ka gjetur në tokë një shumë prej 470 (katërqind e shtatëdhjetë) euro.

Sipas njoftimit, ajo menjëherë i ka dorëzuar paratë në polici.

“Fillimisht, nuk dihej se kujt i përkisnin paratë. Po atë ditë, rreth orës 20:30, në stacionin policor është paraqitur ankuesja D. F. nga Kaçaniku, e cila ka raportuar humbjen e një shume parash. Pas verifikimeve të nevojshme është konstatuar se bëhej fjalë për të njëjtën shumë parash. Paratë i janë kthyer pronarit legjitim sot, më datë 23.12.2025”, njofton policia.

Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon qytetaren M. Thaqi për gjestin e saj human dhe shembullor, e cila dëshmon nivel të lartë përgjegjësie qytetare dhe bashkëpunim të ngushtë me policinë.

Nëse e shihni këtë person lajmëroni menjëherë policinë

23 December 2025 at 19:51


Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Personi i kërkuar është Brendon (Hamdi) Ajazaj, i lindur më 19 tetor 2005 në Gjermani. Ai dyshohet për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.

Policia u bën thirrje qytetarëve nëse kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e personit të dyshuar që paraqitet në fotografinë e publikuar, ta njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Për informacione, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes numrave dhe adresave në vijim:

192 dhe 0800 19 999 (pa pagesë)

039 432 327 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë

info@kosovopolice.com

Policia garanton konfidencialitet për të gjithë ata që ofrojnë informacione të dobishme./Telegrafi.

❌
❌