Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Japoni, 35 të vdekur nga reshjet e dendura të borës dhe moti i keq

4 February 2026 at 12:48

Reshjet e dendura të borës në Japoninë veriore kanë lënë të paktën 35 persona të vdekur dhe mbi 350 të tjerë të lënduar.

Prefektura Niigata ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave me 12 të vdekur, e ndjekur nga Akita me shtatë dhe Yamagata me pesë.

Hokkaido dhe Aomori kanë raportuar nga katër viktima secila, ndërsa edhe Iwate ka konfirmuar katër të vdekur.

Nagano dhe Shimane kanë raportuar nga një viktimë secila.

Autoritetet thonë se shumica e vdekjeve janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut dhe aksidentet e lidhura me borën.

EMRI/ Në kërkim për drogë, ekstradohet drejt Italisë 35-vjeçari

4 February 2026 at 10:57

Akuzohet në Itali, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 35-vjeçari.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, kanë lokalizuar në rrugën “Dritan Hoxha” dhe kanë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin:

-Armando Suçi 35 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale e Peruxhias, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Energjia dhe armët, fokusi i vizitës së Merz në vendet e Gjirit Persik

4 February 2026 at 10:49

Kancelari gjerman Friedrich Merz niset sot për vizitën e tij të parë në rajonin e pasur dhe strategjikisht të rëndësishëm të Gjirit. Ndalesa e parë do të jetë Arabia Saudite, e ndjekur nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kancelari Merz synon të intensifikojë partneritetet me vendet prodhuese të naftës dhe gazit, me pritshmëri që bashkëpunimi të forcohet veçanërisht në sektorin e energjisë.

Në bisedime do të përfshihen edhe marrëveshjet për armë.

Eksportet e armëve drejt këtyre tre vendeve, të qeverisura në mënyrë autokratike, janë trajtuar me shumë kujdes nga qeveritë e mëparshme gjermane për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut dhe përfshirjes së tyre në konflikte rajonale.

Qeveria e Merz tani synon të zbusë këtë qasje kufizuese.

Një temë e rëndësishme do të jetë përshkallëzimi i situatës në dhe rreth Iranit.

Së fundmi janë rritur sërish shqetësimet për një luftë të re, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran me sulme ushtarake, pjesërisht për shkak të veprimeve brutale të forcave shtetërore kundër demonstruesve gjatë protestave masive të fundit.

Mendohet se mijëra, në mos dhjetëra mijëra njerëz, janë vrarë.

Ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm praninë e saj në rajon që nga fillimi i janarit, por raportimet më të fundit thonë se negociata mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë pritet të zhvillohen të premten.

Macron: Franca po punon për rifillimin e dialogut me Putin

4 February 2026 at 10:07

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se po bëhen përgatitje për të rifilluar dialogun me presidentin rus, Vladimir Putin, duke vënë në dukje se megjithatë Moska nuk po tregon një “qëllim të vërtetë” për të negociuar paqen me Ukrainën.

“Po përgatitet, dhe për këtë arsye diskutimet po zhvillohen në një nivel teknik”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në Francën verilindore, raportoi e përditshmja franceze Le Monde.

“Mendoj se do të ishte e dobishme, por nuk mendoj se Rusia është aktualisht e gatshme të përfundojë një marrëveshje paqeje (me Ukrainën) në ditët ose javët e ardhshme”, shtoi ai.

Kontakti me Kremlinin ishte i nevojshëm për të negociuar garancitë e sigurisë pas luftës, sipas Macron.

“Në këtë kontekst, është e rëndësishme që evropianët të rivendosin kanalet e tyre të diskutimit”, u citua ai nga e përditshmja franceze.

Macron nënvizoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, duke thënë se sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës janë “të patolerueshme” dhe nuk tregojnë një “gatishmëri të vërtetë” për të negociuar për paqe.

Media spanjolle: Riviera Shqiptare, destinacioni kryesor për vitin 2026

4 February 2026 at 09:40

Harrojini destinacionet e njohura turistike! Këtë vit, ne ju rekomandojmë vende ku do të zbuloni luksin e autenticitetit, qetësinë aziatike, dizajnin portugez dhe kryeqytetin e paparashikueshëm kulturor shqiptar, shkruan Gabriel Echeverría në një artikull të botuar në median spanjolle “The Officer”.

Nëse janari ishte muaji i premtimeve, shkurti duhet të jetë muaji i planifikimit të pushimeve tuaja!

Kjo, pasi udhëtimet në vitin 2026 nuk duhet t’i kushtohen destinacioneve klasike ku të gjithë turistët shkojnë për të bërë të njëjtën foto – por, zbulimit të “luksit të qetë” që nuk mund të blihet me para, por me kuriozitet!

Duke kombinuar të dhënat e trendit global me axhendën tonë editoriale, ne kemi zgjedhur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026 – vende ku është ende e mundur të ndihesh si udhëtar, dhe jo si turist!

Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare

Nëse hapni Instagram-in ose TikTok-un, imazhet e bregdetit shqiptar shfaqen kudo!

Shqipëria është shndërruar nga një destinacion sekret në një obsesion evropian. Dhe kjo është kuptimplote!

Vija bregdetare shqiptare është e ngjashme me ujërat bruz të Greqisë dhe Italisë, por shërbimet ofrohen me gjysmën e çmimit dhe ka më pak turma vizitorësh, të paktën për momentin!

Pikat e nxehta si Ksamili ose Dhërmiu ofrojnë pushime verore mesdhetare të viteve ’90: natyrë e egër dhe e thjeshtë.

Udhëtoni drejt Tiranës, kryeqytetit të gjallë dhe kulturor që të surprizon, dhe më pas vizitoni jugun e Shqipërisë!

Qëndroni në hotele me pamje nga deti Jon dhe shijoni prodhimet e freskëta të detit.

Nxitoni, pasi deri në vitin 2027 – e gjithë kjo mund të ndryshojë!

Mos prisni deri në gusht. Trendet e vitit 2026 favorizojnë turistët që udhëtojnë gjatë sezoneve maj-qershor ose shtator-tetor.

Mot i ngrohtë, shërbim më i mirë dhe ndjesi e paçmuar e të pasurit qytetin tërësisht për veten tuaj!

Revista spanjolle “The Officer” ka renditur destinacionet më të mira për t’u vizituar për pushime në vitin 2026:

1. Eksperiencë e zgjuar: Riviera Shqiptare, Shqipëri

2. Shteti Zen: Shtegu Okinawa, Japoni

3. Parajsa e Dizajnit: Alentejo, Portugali/abcnews.al

“E papranueshme”, Rama për gjyqtarët: Në Kushtetuese po kërkoni rritje pagash për ata që u larguan nga vettingu

4 February 2026 at 08:51

TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama ka kritikuar sërish kërkesën e gjyqtarëve lidhur me çështjen e rritjes së pagave.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar rritje pagash edhe për gjyqtarët, të cilët janë larguar nga sistemi i drejtësisë përmes procesit të vettingut, për shkak të pasurive të pajustifikuara.

Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e gjyqtarëve, duke theksuar se roli i tyre është të garantojnë drejtësinë dhe barazinë, e jo të përfshihen në përplasje politike.

“Ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese për t’ju rritur pagën atyre që i hoqi vettingu, sepse nuk ishin të denjë për sistemin e drejtësisë. Vettingu i hoqi, sepse kishin pasuri të pajustifikuara.

Ju jeni atje lart për të dhënë drejtësisë dhe për të garantuar barazia, jo për të zbritur këtu poshtë ku jemi në të tjerët, që përditë jemi në beteja të tilla dhe për t’ju futur edhe ju në këtë përleshje dhe më gjuhë të papranueshme, me një gjuhë që shkel çdo etikë të  gjykatësve”, tha ai./abcnews.al

Pagat e gjyqtarëve/ Rama për reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve: U shfaqën si parti politike, me gjuhë të papranueshme

4 February 2026 at 08:42

Kryeministri Edi Rama:

“Jam këtu sepse jam në komunikim të drejtpërdrejtë, jam absolutisht i surprizuar, nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me shqetësimin e ngritur nga unë, një përpjekje e pajustifikueshme, e papranueshme, e pagëlltitshme për t’iu imponuar parlamentit dhe qeverisë, përmes pushtetit gjyqësor, për t’i rritur pagat vetes dhe gjyqtarëve, me gjyq. Këtë shqetësim e kam ngritur si palë, për të mbrojtur interesin e vet, në këtë rast, në gjykatë, pra në emër të pushtetit ekzekutiv. Është hera e dytë që ndodh, që ka një habi, shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur po flas për çka përfaqësoj në emër të shqiptarëve, për një interes që jemi në gjyq. Jemi palë dhe shoqata e gjyqtarëve shfaqet si parti politike me një gjuhë të papranueshme dhe pajustifikueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor”, theksoi Rama.

Pagat e gjyqtarëve/ Rama: Po kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit, doni të jeni vetë ligji

4 February 2026 at 08:38

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ashpër ndaj gjyqtarëve lidhur me çështjen e rritjes së pagave. Në një komunikim për mediat, kreu i qeverisë u shpreh i habitur nga reagimi i Shoqatës së Gjyqtarëve, duke e cilësuar kërkesën e saj si të paprecedentë.

Sipas Ramës, një kërkesë e tillë është unike në historinë e Europës, ndërsa shtoi se qëndrimi i shoqatës bie ndesh me realitetin ekonomik dhe parimet e drejtësisë sociale.

“Jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pabesueshëm i Shoqatës së Gjyqtarëve në lidhje me shqetësimin për një përpjekje që në këndvështrimin tim është e pa pranueshme për t’ju imponuar Kuvendit e qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët.
S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Tymnajë populiste. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni.Me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligin. Kjo është e vërteta, Ju kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ju keni ti rrisin pagat vetes me gjyq.

Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5 mijë. Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro. Ndërkohë, sot aktualisht, pagat e gjyqtarëve, janë rreth 6500 euro. Ju doni t’i rrisni pagat në muaj 3 mijë euro vetes, në gjykata. Ku jeni ju? Ça kërkoni?

Ju i keni pagat sa në Greqi, ju doni ti rrisni me nga 2-3 mijë euro në muaj. Në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe kushtetutës. Ju thoni se nuk mund të heshtni për përbaltjen kryeministrore? Çfarë përmbajtje? Ju jeni ajo palë që duhet të heshtë në publik dhe të japë vendim në sallën e gjyqit. Ju me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta. Nuk synon qëndrimi im të ndezë një debat në publik.”, tha mes të tjerash ai.

Rama ndan pamjet: Punimet për argjinaturën në Karavasta drejt përfundimit

4 February 2026 at 08:24

Punimet për ndërtimin e argjinaturës në zonën e Karavastasë po shkojnë  drejt fundit, duke siguruar mbrojtjen e tokave bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai thekson se kjo ndërhyrje garanton gjithashtu funksionimin normal të sistemit të kullimit drejt hidrovorit.

Sipas Ramës, puna do të vijojë me rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve të zonës.

“Mirëmëngjes dhe me përfundimin e punimeve për argjinaturën në Karavasta, që mbron tokat bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut dhe garanton funksionimin e sistemit të kullimit drejt Hidrovorit, ndërsa vijon puna për rikonstruksionin e plotë me zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në “Facebook”/abcnews.al

Francë, një 14-vjeçar godet me thikë mësuesen

4 February 2026 at 08:14

Një nxënës në Francën jugore sulmoi një mësuese me thikë në një klasë, duke e plagosur rëndë, thanë prokurorët sot. 14-vjeçari e goditi mësuesen tre deri në katër herë me thikë, duke i shkaktuar lëndime në pjesën e sipërme të trupit, tha prokurori i shtetit Raphaël Balland. Incidenti ndodhi në qytetin Sanary-sur-Mer.

Stafi i shkollës e uli djalin në oborrin e shkollës, pas së cilës ai u mor në paraburgim nga policia. Ai po hetohet nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Nuk ka prova për një motiv fetar ose politik në këtë kohë, tha Balland. Dihet vetëm se kohët e fundit ka pasur tension me mësuesen dhe se nxënësi me sa duket është mërzitur që ajo e ka denoncuar atë.

Adoleshenti nuk kishte pasur më parë sjellje të dhunshme apo aktivitet kriminal, shtoi Balland. Megjithatë, thuhet se kishte tensione brenda familjes së tij. Në kohën e sulmit kishte 22 nxënës në klasë, por askush tjetër nuk u lëndua.

Ministri francez i Arsimit, Éduard Geffray, njoftoi se do të shkonte menjëherë në vendngjarje dhe, ashtu si Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez, shprehu ngushëllimet e tij për të prekurit.

Stacioni televiziv RTL raportoi se gruaja e sulmuar ishte një mësuese arti 60-vjeçare. Ajo u shtrua në spital me lëndime kërcënuese për jetën.

Sipas Le Parisien, 14-vjeçarja fillimisht e kërcënoi mësuesen përpara se ta godiste dy herë në stomak dhe një herë në krah. Franca futi kontrollet e çantave në hyrjet e shkollave rreth një vit më parë pas një serie sulmesh me thikë brenda dhe përreth shkollave.

Përplasje fatale në ujërat greke, të paktën 15 emigrantë të vdekur

4 February 2026 at 08:00

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur nga një përplasje mes një anijeje të shpejtë që transportonte emigrantë dhe një anijeje patrullimi të rojës bregdetare greke pranë ishullit lindor të Egjeut, Kios.

Një operacion kërkim-shpëtimi që përfshinte anije patrullimi, një helikopter dhe zhytës është duke u zhvilluar për persona që mund të jenë të zhdukur, raporton AP.

Trupat e 14 personave, 11 burra dhe tre gra, janë nxjerrë nga deti, ka bërë të ditur roja bregdetare, ndërsa 25 emigrantë të tjerë, përfshirë rreth 11 fëmijë, janë shpëtuar dhe janë transportuar në një spital në Kios.

Në incident kanë mbetur të lënduar edhe dy oficerë të rojës bregdetare.

Një nga gratë ka vdekur më vonë në spital nga plagët e marra, ka njoftuar roja bregdetare, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në të paktën 15.

Numri i përgjithshëm i personave që ishin në bordin e motoskafit nuk dihet ende.

Rekomandimi i mediave të huaja: Çfarë mund të vizitoni në Shqipëri në vetëm shtatë ditë?

4 February 2026 at 07:30

Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Evropë, falë bukurive natyrore, trashëgimisë historike dhe çmimeve konkurruese, shkruan faqja turistike ”Turisti per caso”.

Një udhëtim 7-ditor mjafton për të zbuluar esencën e vendit, duke përfshirë qytete historike, peizazhe malore dhe plazhe që rivalizojnë destinacionet më të famshme të Mesdheut.
Tirana, porta hyrëse e turizmit shqiptar

Udhëtimi nis në Tiranë, kryeqytetin dinamik të Shqipërisë.

Sheshi Skënderbej, Muzeu Historik Kombëtar, Xhamia Et’hem Bej dhe zonat kulturore si Blloku ofrojnë një panoramë të qartë të transformimit urban dhe historik të vendit.

Për turistët që kërkojnë natyrë, mali i Dajtit ofron pamje panoramike dhe ajër të pastër vetëm pak minuta nga qendra e qytetit.

Kruja dhe Shkodra, histori dhe identitet kombëtar

Vetëm një orë larg Tiranës ndodhet qyteti simbol i rezistencës shqiptare. Kalaja dhe pazari karakteristik osman mbeten ndër atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj.

Në veri, Shkodra përfaqëson një tjetër shtyllë të rëndësishme kulturore, me kalanë e Rozafës, liqenin e Shkodrës dhe traditën e pasur artistike që e ka bërë këtë qytet një qendër historike të rëndësishme.

Berati dhe Gjirokastra, pasuri botërore e UNESCO-s

Itinerari vijon drejt jugut me ndalesë në Berat, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Lagjet Mangalem dhe Gorica, si dhe kalaja mbi qytet, përbëjnë një nga komplekset urbane më autentike në Ballkan.

Gjirokastra, po ashtu pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, tërheq vizitorë me arkitekturën e saj unike prej guri, rrugicat karakteristike dhe kalanë madhështore që dominon qytetin.

Riviera Shqiptare, perla e Mesdheut

Pika kulmore e udhëtimit mbetet Riviera Shqiptare. Plazhe si Ksamil, Dhërmi dhe Himara ofrojnë ujëra kristal, natyrë të paprekur dhe një atmosferë gjithnjë e më të zhvilluar turistike.

Kjo zonë po promovohet gjithnjë e më shumë në tregjet ndërkombëtare si një alternativë cilësore ndaj destinacioneve të shtrenjta të Greqisë dhe Italisë.

Durrësi dhe Apollonia, fundi i udhëtimit

Në kthim drejt Tiranës, turistët mund të ndalen në Durrës, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i njohur për amfiteatrin romak dhe bregdetin e gjatë.

Një tjetër ndalesë me vlerë historike është Apollonia, një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme të vendit.

Turizmi në rritje dhe potenciali i pashfrytëzuar

Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria ofron një përvojë të plotë brenda një territori të vogël, ku distancat janë të shkurtra dhe larmia e përvojave është e madhe.

Mikpritja tradicionale, kuzhina autentike dhe zhvillimi i infrastrukturës po e bëjnë vendin gjithnjë e më tërheqës për turistët europianë dhe ndërkombëtarë.

Me një itinerar të balancuar mes kulturës, natyrës dhe relaksit, Shqipëria po afirmohet si një destinacion ideal për pushime intensive, duke u renditur gjithnjë e më lart në hartën turistike të Evropës.

Parashikimi i motit/ Si do vijojnë temperaturat përgjatë ditës

4 February 2026 at 07:20

Ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.

Duke filluar prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në të gjithë territorin.

Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e Alpeve, verilindje-lindje-juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era me drejtim juglindje-verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 25m/s
Valëzimi në det i forcës 5-6 ballë.

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

4 February 2026 at 07:10

Dashi

Bëni mirë që ti shtyni për një moment tjetër gjërat më të rëndësishme, pasi nervozizmi do të dominojë gjatë ditës. Venusi do të ndikojë në dashuri pozitivisht dhe do të mund të keni diçka të bukur. Në punë, mos kërkoni të pamundurën, por mundohuni që të kënaqeni me çka keni.

Demi

Lini pas shpine gjithë ata që nuk ju duan dhe që nuk ju marrin në konsideratë siç dëshironi. Marsi do të ketë ndikim negativ, por komunikimi në këtë moment do të jetë më i rëndësishëm se kurrë. Në punë duhet të sqaroni çdo gjë që nuk shkon.

Binjakët

Duhet të qëndroni pozitiv dhe të tregoheni të kujdesshëm me nervozizmin. Duhet ta shfrytëzoni këtë periudhë për të bërë njohje të reja. Në punë, këshillohet që të ruani qetësinë.

Gaforrja

E mërkura do të mbyllet me një lodhje ekstreme. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe do të ketë rikuperim. Ndërsa në punë duhet të rrini të qetë dhe të mundoheni që të mos acaroheni, gjë e cila do të jetë e vështirë në këto momente.

Luani

Ju pret një ditë pozitive, por mundohuni që të mos lodheni shumë. Në dashuri keni mundësi që të kapërceni një krizë, pasi emocionet e reja do të dominojnë. Në punë keni nevojë për ndryshim.

Virgjëresha

Dashuria do të jetë mjaft e komplikuar, thuajse trysnuese. Duhet durim për të kaluar vështirësitë. Ndikimi i kundërt i Venusit nuk do ua bëjë aspak të lehtë ditën. Përmirësime priten në sferën profesionale.

Peshorja

Gjatë kësaj dite duhet të sforcoheni në mënyrë që të bëni që të funksionojnë gjërat në dashuri. Nëse ka pasur probleme, duhet ti zgjidhni. Me financat duhet të bëni kujdes.

Akrepi

Hëna do të ketë ndikim pozitiv në dashuri. Keni nevojë për organizim, në mënyrë që të shijoni çdo moment. Në punë, nëse keni pasur probleme apo debate, ka ardhur momenti për ti kapërcyer.

Shigjetari

Në dashuri mund të ketë probleme dhe debate, ku zgjidhja e tyre do të varet vetëm nga partneri/ja. Në punë, Saturni do të plotësojë dëshirën për ndryshim.

Bricjapi

Gjatë kësaj dite do të ndiheni në ankth dhe nervoz. Shqetësimet nuk do të mungojnë. Ndikimi i kundërt i Hënës do të krijojë disa shqetësime, shkruan noa.al. Në punë, keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar, ku edhe zemrat e vetmuara do të kenë mundësi të njohin dikë. Duhet bërë kujdes veçse me luhatjet e humorit. Në punë mundohuni që të ruani qetësinë, por irritimi gjatë kësaj dite është thuajse i pashmangshëm.

Peshqit

Hëna do të ketë ndikim të favorshëm, por kjo gjë nuk mjafton, pasi në dashuri do të ketë sërish probleme. Nëse jeni vetëm do të merrni përgjigje pozitive, por do të ketë shumë gjëra mbi të cilat duhet të reflektoni. Marrja e një vendimi, nuk do të jetë aq e lehtë sa e kishit menduar.

Yesterday — 3 February 2026Main stream

Tregu i punës kërkon zanatçinj/ Eksperti: Kemi rritje të interesit për arsimin profesional, sipërmarrjet duhet të…

3 February 2026 at 14:33

TIRANË- Tregu i punës ka nevojë për zanatçinj. Agjencia Kombëtare e Punësimit në vend ka publikuar mbi 6 mijë vende të lira pune, ku në listë bie në sy kërkesa e lartë për zanate si kamarierë, kuzhinierë e punonjës ndërtimi.

Por nuk mbeten pas edhe vendet e lira të punës për profesione që  kërkojnë arsim të lartë.

Eksperti i punësimit, Arbër Xhihani, i ftuar në “Money Report” u shpreh se tregu në Shqipëri ka nevoja të shumta për gjetjen e zanatçinjve dhe kjo thotë ai vihet re tek njoftimet e vazhdueshme që jep Agjencia Kombëtare e Punësimit.

“Ka shumë kohë që zyrat e punës publikojnë vende vakante për vende pune, që i referohen zanateve. Ndër zanatet më të kërkuara janë elektricist, hidraulik, mekanik.

Në fakt është e vazhdueshme kërkesa e lartë dhe kjo tregun se ka një vështirësi për të përmbushur këto vende vakant, jo e ka vendosur në vështirësi dhe sipërmarrjen, për të përmirësuar shërbimet e tyre”, tha ai.

Ai theksoi se vitet e fundit pritja më e madhe e të rinjve ishte orientuar drejt teknologjisë pasi ky sektor ofronte pagesa të larta. Sipas ekspertit, punonjësit të cilët zotërojnë një zanat janë shumë të kërkuar në treg dhe të rinjtë sot e kanë më të lehtë të bëjnë zgjedhjet e tyre për tregun e punës.

“ Të rinjtë janë të orientuar drejt profesioneve që lidhen me teknologjinë. Sipërmarrjet vuajnë për gjetjen e krahut të punës. Marrja e punonjësve të huaj, ishte një lloj zgjidhje për sipërmarrjet. Sektori i turizmit ka nevojë për më shumë punonjës. Ky sektor ofron dhe paga të mira”, tha ai.

Gjatë diskutimit në studio, eksperti e cilësoi lajm të mirë faktin që shumë të rinj sot po i orientojnë studimet e tyre drejt zanateve. Ai theksoi se sipërmarrjet shqiptare, krahas rritjes së pagave duhet të përmirësojnë  sjelljet dinjitoze me punonjësit.

“Një element pozitiv ishte numri i aplikantëve për arsimin profesionale, që shkonte rreth 60 mijë aplikime. Po tregon se preferencat po shkojnë edhe drejt zanateve. Trajtimet dinjitoze duhet të jenë në fokus të sipërmarrjes shqiptare, në mënyrë që të mbajnë të rinjtë këtu.”, theksoi eksperti. /abcnews.al

Java Botërore të Harmonisë Ndërfetare/ Begaj: E kemi trashëguar këtë bashkëjetesë dhe harmoni, ta ruajmë ndër breza

3 February 2026 at 14:00

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, një organizatë e përbërë nga klerikë të 5 besimeve: mysliman, ortodoks, bektashi, katolik dhe të komunitetit të Vëllazërisë Ungjillore.

Takimi u zhvillua në kuadër të Javës Botërore të Harmonisë Ndërfetare. Gjatë bashkëbisedimit më klerikët, Kreu i Shtetit e vlerësoi këtë qendër të ngritur në Elbasan si model për përcjelljen e vlerave dhe virtytit, ndërsa theksoi aktivizimin e tyre përtej dallimeve të besimit në dobi të shoqërisë.

Presidenti i Republikës shprehu inkurajim ndaj aktiviteteve të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar me synim ruajtjen e  vlerës kombëtare të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar  nëpërmjet aktiviteteve, komunikimit, dialogut të gjallë, reagimit ndaj të gjitha formave të intolerancës dhe diskriminimit dhe përcjelljes së kapërcimit të sfidave përmes dialogut.

“Kush më shumë se sa ju e përfaqëson këtë harmoni që ne kemi,këtë mirëkuptim që kemi midis besimeve fetare të ndryshme dhe të bashkëpunimit. Për fatin e mirë, ne e kemi trashëguar këtëbashkëjetesë dhe harmoni, por detyra jonë është të punojmë që t’ua lëmë trashëgimi brezit të ri këtë komunikim dhe harmoni ndërfetare”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjatë takimit u theksua se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një model i tolerancës fetare dhe marrëdhënia midis besimeve tëndryshme është vëllazërore, por kjo nuk duhet të merret si dhuratë, duhet të punohet me të rinjtë që kjo vlerë të trashëgohet.
“Gjatë vizitave të mia kam parë një shtim të pranisë së të rinjve në frekuentimin e objekteve të kultit, gjë që më bën të besoj se mesazhet e klerikëve kanë arritur tek ata dhe se ata kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e shpirtërores në jetën e tyre” – nënvizoi Presidenti Begaj në këtë takim.

Kreu i Shtetit theksoi se do të jetë gjithnjë në krah të çdo veprimtarie apo organizate që përpiqet të ruajë, të edukojë e të promovojë vlera kombëtare, siç është ajo e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare dhe dijeve të dobishme për një ardhmëri edhe më të mirë të Shqipërisë.

Spanja do të ndalojë hyrjen e personave nën 16 vjeç në rrjetet sociale

3 February 2026 at 13:48

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi të martën planet për të ndaluar të miturit nën 16 vjeç të hyjnë në platformat e mediave sociale, si pjesë e një shtytjeje më të gjerë për të forcuar mbikëqyrjen.

“Ne do t’i mbrojmë ata nga perëndimi i egër i botës digjitale. Rrjetet sociale janë bërë një shtet i dështuar, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”, tha ai.

Sanchez theksoi se platformat do të duhet të prezantojnë masa verifikimi të moshës për akses.

Sanchez tha se qeveria do të miratojë një projektligj javën e ardhshme që do t’i mbajë drejtuesit e platformave digjitale penalisht përgjegjës për shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme. Ai gjithashtu u kërkoi prokurorëve të hetojnë përmbajtjen e paligjshme në platforma.

Ai shtoi se Spanja do ta bëjë manipulimin e algoritmeve një vepër penale. “Dezinformimi nuk del nga askund”, theksoi Sanchez.

Sanchez përmendi shembuj të aktivitetit të dyshuar kriminal, duke përfshirë pretendimet se pornografia e fëmijëve është krijuar duke përdorur mjetin e inteligjencës artificiale Grok ose është përhapur në platforma të tjera të mediave sociale.

Ai gjithashtu vuri në dukje dezinformimin që, sipas tij, Elon Musk, CEO i X, përhapi rreth planit të Spanjës për të legalizuar rreth 500.000 emigrantë.

“Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” paralajmëroi Sanchez.

Ai pranoi se lufta për t’i bërë platformat më të sigurta nuk do të jetë e lehtë.

“Kompanitë e mediave sociale janë më të pasura se shumë vende, përfshirë edhe timen, por fuqia dhe ndikimi i tyre nuk duhet të na trembin,” tha ai.

Balla-Berishës: Je i akuzuar për korrupsion. Nuk mund të vish këtu dhe të bësh të ndershmin dhe të flasësh në emër të drejtësisë

3 February 2026 at 12:48

Gjatë seancës së sotme në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu drejtua ish-kryeministrit Sali Berisha, duke ngritur çështjet e korrupsionit dhe vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shpalljen e tij non grata.

Balla theksoi se drejtësia në Shqipëri ka marrë të pandehur për korrupsion dhe se Berisha ka qenë subjekt i disa procedimeve ligjore, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga figurat publike.

“Është e rëndësishme që të gjithë ata që janë akuzuar të përballen me drejtësinë”, tha Balla, duke iu referuar edhe procedimeve ku ai vetë ka marrë pjesë si kallëzues.

“Ej Sali, o Sali, ngrije kokën, ej ngrije kokën, Sali, hej, 100 herë të kthehen mbrapa, të njëjtën gjë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kanë shpallur non grata për korrupsion thuaj po apo jo?
Drejtësia në Shqipëri ka marrë të pandehur për korrupsion. Zotrote je i akuzuar për korrupsion dhe tani të vish këtu dhe të bësh të ndershmin, të flasësh në emër të drejtësisë dhe madje të bëhesh ti emisar për të sjellë habere dhe drejtësisë, ti që 1-2 herë në muaj shkon para drejtësisë dhe i merr me libër shtëpie të gjithë ata që të kanë ngritur ty akuza.
Merr prokurorin merr gjyqtaren, do vish këtu, do vish, këtu do vish, këtu do merresh edhe me mua që kam nderin e madh të jetës sime të jem kallëzuesi, njeriu që kam kallëzuar ty.

❌
❌