“Kam besim te kreu i ri i SPAK”/ ‘21 Janari’, Gjikondi: Brenda janarit pritet të ketë…
Juristja Brizida Gjikondi tha se pritet zhvillim konkret brenda muajit janar për dosjen e “21 Janarit”, ndërsa çështja e “Gërdecit” hyn në vitin e 18-të nga ngjarja, duke theksuar se hetimet për 21 Janarin po ecin me ritme të shpejta.
E ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, Gjikondi shprehu besim te drejtimi i ri i SPAK nën Klodian Brahon, ndërsa kritikoi ashpër klimën politike, protestat e opozitës dhe sjelljen e figurave drejtuese, duke nënvizuar se politika në Shqipëri, sipas saj, shpesh bashkohet jo nga morali, por nga interesat dhe përfitimet financiare.
“Për ’21 Janarin’ besoj se do të ketë diçka konkrete brenda janarit, kurse ‘Gërdeci’ në mars bën 18 vjet që ka ndodhur. Dosja për ’21 Janarin’ po ecën shpejt. Kam besim te kreu i ri i SPAK Klodian Braho njësoj siç kam pasur për Altin Dumanin. Është koha për një reflektim shumë të madh nga ana qytetare.
Ajo pseudo protestë madhështore e Berishës para Kryeministrisë përfundoi vetëm me largimin online të Ervin Salianjit. Ishte e turpshme. Më agresiv se Berisha janë vartësit e tij, të cilët presim që nga momenti në moment Berishës t’i rrëshqasë këmba, kurse Salianji u ka prishur lëpirjen e servilizmit. Nuk i bashkon morali, por intrigat dhe përfitimet financiare. Shikojmë që klasat politike në përgjithësi i lidhin çështjet e interesave”, tha Gjikondi./abcnews.al