Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Main stream

Investimet e huaja direkte, 1,21 miliardë euro në 9 muaj

29 December 2025 at 15:22

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Investimet e huaja direkte (IHD) në vend regjistruan shifrën 1,21 miliardë euro në 9-mujorin e vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja direkte është rritur me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar vijimësinë e interesit të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.

Referuar statistikave, sektori i pasurive të paluajtshme vijon të kryesojë investimet e huaja për të katërtin vit radhazi. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, investimet e huaja në prona arritën në 150 milionë euro, 70% më shumë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Për të gjithë 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme u vlerësuan në 403 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pas pasurive të paluajtshme, sektori financiar renditet i dyti për nga vlera e investimeve të huaja. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në aktivitetet financiare dhe të sigurimit arritën në 219 milionë euro, në rritje me 6,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë thekson se rritja e investimeve në sektorin financiar në vitet e fundit ka qenë kryesisht e lidhur me rritjen e kapitalit dhe investimet e reja nga sipërmarrjet  ekzistuese që operojnë në treg, tregues ky që ka dhënë ndikim në rritjen e ekonomisë së vendit.

/e.xh/j.p/r.e/

The post Investimet e huaja direkte, 1,21 miliardë euro në 9 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

134 milionë euro investime në industrinë nxjerrëse

29 December 2025 at 14:33

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/  Industria nxjerrëse renditet sektori i dytë për nga vlera e investimeve të huaja pas atij në pasuri të paluajtshme, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

Fluksi i investimeve në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 134 milionë euro gjatë 9-mujorit të vitit 2025, referuar statistikave të BSH-së.

Megjithatë, këto investime shënuan një rënie prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar një ngadalësim të flukseve hyrëse në këtë sektor për të dytin vit radhazi.

Banka e Shqipërisë bën me dije se flukset e investimeve në industrinë nxjerrëse kanë konsistuar kryesisht në fitime të riinvestuara nga kompanitë ekzistuese, të përqendruara kryesisht në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto.

e.xh/j.p/

The post 134 milionë euro investime në industrinë nxjerrëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Euroja nuk ndryshon, dollari forcohet me 0,18 lekë

29 December 2025 at 13:31

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të hënën euroja nuk ka ndryshuar vlerë në raport me lekun, duke u këmbyer në të njëjtën kuotë sa një ditë më parë, me 96,46 lekë.

Ndërkohë, monedha e gjelbër amerikane u forcua me 0,18 lekë dhe këmbehet me 81,93 lekë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, paundi britanik fitoi terren me 0,15 lekë dhe këmbehet me 110,64 lekë.
Franga zvicerane këmbehet me 103,85 lekë ose 0,12 lekë më pak se një ditë më parë.
Banka e Shqipërisë e vlerëson këmbimin valutor të qëndrueshëm brenda pritshmërive të saj. Sipas BSH-së, luhatjet reflektojnë ecurinë e kërkesë ofertës, por edhe trendin në bursat ndërkombëtare. /j.p/
Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 81.93 +0.18
Euro EUR 96.46 0.00
Poundi Britanik GBP 110.64 +0.15
Franga Zvicerane CHF 103.85 -0.12
Jeni Japonez (100) JPY 52.45 +0.01
Dollari Australian AUD 54.92 +0.07
Dollari Kanadez CAD 59.89 +0.11
Korona Suedeze SEK 8.94 +0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.16 -0.02
Korona Daneze DKK 12.92 +0.01
SDR SDR 112.23 +0.13
Ari(OZ 1) XAU 365295.56 -1,309.86
Argjend(OZ 1) XAG 6157.90 +272.72
Juani Kinez (onshore) CNY 11.70 +0.04
Juani Kinez (offshore) CNH 11.70 +0.03
Lira Turke TRY 1.91 0.00

The post Euroja nuk ndryshon, dollari forcohet me 0,18 lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ujësjellësi i Vlorës: Uji nga autobotet nuk është i pijshëm

29 December 2025 at 13:00

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se uji që po shpërndahet përmes autoboteve nuk është i përshtatshëm për përdorim emergjent dhe nuk duhet përdorur si ujë i pijshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, uji duhet të përdoret vetëm për nevoja emergjente, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet, për të shmangur rreziqet për shëndetin.

Shpërndarja e ujit me autobote po realizohet për të përballuar situatën e krijuar nga furnizimi me ujë të pijshëm në Vlorë, ndërsa institucionet po punojnë për normalizimin e plotë të shërbimit. /j.p/

 

The post Ujësjellësi i Vlorës: Uji nga autobotet nuk është i pijshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE: Shpërthimi në Shkodër nuk lidhet me boksin e matësve të energjisë

29 December 2025 at 12:43

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka reaguar lidhur me ngjarjen në Shkodër, ku një person humbi jetën pas një shpërthimi në një pallat.

Në reagimin zyrtar, OSHEE bën me dije se, “sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur si pasojë e boksit të matësve të energjisë elektrike”.

Strukturat teknike kanë kryer verifikimet e para në terren dhe se nga të dhënat fillestare nuk rezulton që shkaku i shpërthimit të jetë i lidhur me pajisjet e matjes së energjisë.

Reagimi vjen pasi në raportimin e policisë për ngjarjen thuhet se në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësve të energjisë elektrike. /j.p/

The post OSHEE: Shpërthimi në Shkodër nuk lidhet me boksin e matësve të energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

28 mijë raste të përpunuara legalizimesh përgjatë 2025-ës

29 December 2025 at 12:19

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Rreth 300 mijë objekte informale janë trajtuar në total ndër vite në të gjithë vendin, ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë përpunuar 28 mijë raste, në kuadër të procesit të legalizimeve që vijon pa ndërprerje për përmbylljen e çdo procedure.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, bën me dije se puna po vijon pa ndërprerje, me qëllim finalizimin e çdo dosjeje të mbetur dhe përmbylljen e plotë të procesit të legalizimeve, një ndër proceset më të rëndësishme për garantimin e sigurisë juridike të pronësisë për qytetarët.

Legalizimi i objekteve informale jo vetëm që u jep fund pasigurive pronësore për mijëra familje, por krijon edhe mundësi të reja për zhvillim urban, investime dhe rritje të vlerës së pronës.

Gjatë këtij viti, fokusi ka qenë në përshpejtimin e procedurave administrative, verifikimin në terren dhe trajtimin e rasteve të mbartura, duke synuar që çdo qytetar që plotëson kriteret ligjore të pajiset me dokumentacionin përkatës.

ASHK, thekson se procesi i legalizimeve do të vijojë edhe në muajt në vijim, me angazhimin për të përmbyllur çdo procedurë të mbetur dhe për të garantuar një proces transparent, të shpejtë dhe në shërbim të qytetarëve. e.xh/j.p/

 

 

 

The post 28 mijë raste të përpunuara legalizimesh përgjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Duka nderohet me mirënjohjen “Përkrenarja e Skënderbeut” nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”

27 December 2025 at 13:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka është nderuar nga Agjencia e lajmeve “Presheva Jonë” me mirënjohjen e veçantë “Përkrenarja e Skënderbeut”, si vlerësim për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë që luajnë futboll në Luginën e Preshevës.

Ky vlerësim i është akorduar Presidentit Duka në shenjë respekti për angazhimin e tij dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit në krijimin e mundësive të barabarta për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përmes futbollit, si një mjet përfshirjeje, zhvillimi dhe forcimi të identitetit komunitar.

Mbështetja e Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë komunitet është konkretizuar prej kohësh përmes projekteve “Uniforma ime” dhe “Topi yt”, falë të cilave rreth 300 fëmijë shqiptarë të të gjitha grupmoshave, pjesë e klubeve dhe shoqatave sportive në Luginën e Preshevës, janë pajisur me bazë materiale falas këtë sezon. Po ashtu, gjatë periudhës së verës, FSHF ka kontribuar edhe në organizimin e një turneu futbolli në Preshevë, duke ofruar mbështetje materiale dhe financiare.

Ky nderim përfaqëson një dëshmi të qartë të rolit aktiv të Presidentit Duka dhe të FSHF-së në përdorimin e futbollit si një instrument bashkimi dhe zhvillimi shoqëror, duke qëndruar pranë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe duke promovuar vlera që shkojnë përtej sportit. /j.p/

 

The post Duka nderohet me mirënjohjen “Përkrenarja e Skënderbeut” nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superkupa e Shqipërisë, Egnatia-Dinamo City sfida e fundvitit luhet të dielën

27 December 2025 at 13:17

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ E diela e fundit e vitit, 28 dhjetori, vjen me një takim special për futbollin shqiptar, ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë. Përballja Egnatia – Dinamo City nuk është thjesht një sfidë futbolli, por një spektakël 90-minutësh që meriton të përjetohet nga afër, në shkallët e stadiumit më modern dhe më të bukur në vend, “Air Albania”.

Federata Shqiptare e Futbollit, njofton se kjo është një sfidë që shkon përtej një trofeu. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të sezonit aktual dhe të atij që lamë pas, të vendosura për të mbyllur vitin me një sukses madhor dhe për të fituar trofeun e fundit të vitit futbollistik.

Për tifozët e futbollit është thjesht një ndeshje, për tifozët e Egnatias dhe Dinamo City është emocioni i radhës, ndërsa për vetë skuadrat është një dhuratë e vërtetë fundviti. Dhe kush nuk do të donte ta përmbyllte vitin me një trofe në duar?

Ndeshja Egnatia – Dinamo City do të luhet të dielën në ora 19:00 në “Air Albania”. Biletat për finalen e Superkupës së Shqipërisë mund të blihen fizikisht në pikën pranë stadiumit “Air Albania”, si dhe online në ebileta.al, në linkun: Biletat e ndeshjes Egnatia – Dinamo City. e.xh/j.p/

The post Superkupa e Shqipërisë, Egnatia-Dinamo City sfida e fundvitit luhet të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 800 vepra në fondin e Galerisë së Arteve në Shkodër

27 December 2025 at 11:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Galeria e Arteve e Shkodrës vijon të jetë një nga institucionet kryesore për ruajtjen dhe dokumentimin e artit pamor shqiptar, me një koleksion që numëron mbi 800 vepra arti nga periudha dhe rryma të ndryshme krijuese.

Koleksioni i galerisë përmban punime të artistëve nga Shkodra dhe rajone të tjera të vendit, si dhe vepra të autorëve të huaj, duke krijuar një panoramë të gjerë të zhvillimit të artit pamor ndër vite.

Sipas drejtorit të institucionit, Fatmir Juka, fondi i galerisë është ndërtuar dhe pasuruar në mënyrë të vazhdueshme, duke u ndarë në tri faza kryesore që pasqyrojnë periudhat e tranzicionit dhe zhvillimit të artit shqiptar pas viteve ’90. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2025 fondit i janë shtuar rreth nëntë vepra të reja, një pjesë e të cilave vijnë nga ekspozime të artistëve bashkëkohorë vendas dhe të huaj.

Galeria e Arteve e Shkodrës mban në arkivin e saj edhe vepra të autorëve të njohur të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke shërbyer si një pikë referimi për studiuesit, artistët dhe publikun.

Gjatë vitit që po mbyllet, institucioni ka zhvilluar një program të pasur aktivitetesh kulturore. Përveç ekspozitave tradicionale, si “Çmimi Idromeno” dhe “Salloni i Vjeshtës”, janë organizuar edhe ekspozita individuale, të cilat kanë sjellë në vëmendje krijimtarinë bashkëkohore dhe kanë nxitur dialogun artistik në qytet. e.xh/j.p/

The post Mbi 800 vepra në fondin e Galerisë së Arteve në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kori i të rinjve “Zë +”, koncert festiv në Galerinë e Arteve Digjitale, Korçë

27 December 2025 at 11:08

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Kori i të rinjve “Zë +” solli atmosferën festive të fundvitit në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë, gjatë një koncerti të zhvilluar në mbrëmje duke krijuar një hapësirë artistike të veçantë për qytetarët dhe artdashësit.

Aktiviteti u organizua nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Qendrën e Artit dhe Kulturës, si pjesë e kalendarit kulturor të aktiviteteve të fundvitit, që realizohen në qytet gjatë muajit dhjetor.

Gjatë koncertit, kori interpretoi një repertor të përzgjedhur këngësh festive dhe korale, të cilat u pritën me interes nga publiku. Interpretimet sollën një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese të frymës së festave, duke theksuar rolin e muzikës në bashkimin e komunitetit dhe në pasurimin e jetës kulturore lokale.

Pjesëmarrja e të rinjve në këtë aktivitet u vlerësua si një dëshmi e angazhimit të institucioneve vendore për nxitjen e talenteve të reja dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për shprehjen artistike. Galeria e Arteve Digjitale shërbeu si një ambient bashkëkohor, që i dha një dimension të veçantë koncertit festiv.

Bashkia Korçë do të vijojë me aktivitete të tilla kulturore edhe në ditët në vijim, me synimin për t’u ofruar qytetarëve dhe vizitorëve një program të pasur artistik gjatë festave të fundvitit, si dhe për të promovuar artin dhe kulturën në Korçë. e.xh/j.p/

The post Kori i të rinjve “Zë +”, koncert festiv në Galerinë e Arteve Digjitale, Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”

27 December 2025 at 09:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Gjatë vitit 2025, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” kanë ardhur në jetë 3 767 foshnje, ndërsa institucioni ka shënuar edhe zhvillime të rëndësishme strukturore dhe organizative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndau një videokartolinë të veçantë urimi për festat e fundvitit nga stafi i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, ku pjesë e saj është edhe Soreja, tashmë njëvjeçare, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në strukturat spitalore publike në Shqipëri.

Mjeku Petrit Cami teksa shprehu urimin për festën e Vitit të Ri, vuri theksin në punën e stafit shëndetësor dhe kontributin e spitalit në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Ndërsa kryeinfermierja Nineta Nasyfaga vlerësoi rolin e spitalit si simbol i shpresës, jetës së re dhe përkushtimit të stafit mjekësor ndaj nënave dhe fëmijëve.

Gjatë vitit 2025, në këtë spital është krijuar Qendra Mjekësore për Riprodhim të Asistuar, duke zgjeruar shërbimet publike në fushën e fertilitetit, si dhe spitali ka marrë statusin e Autonomisë Menaxheriale Spitalore. /j.p/

The post Në 2025, bebja e parë e lindur përmes fekondimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbillen pemë të reja në parkun kombëtar të Shebenikut

26 December 2025 at 18:10

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Shebenikut janë mbjellë fidanë të rinj gështenje të egër dhe qershie të egër, në kuadër të fushatës kombëtare të pyllëzimit që po vijon në të gjithë vendin edhe gjatë ditëve të fundvitit.

Aksioni u realizua nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan në bashkëpunim me organizatën mjedisore PPNEA, me synimin për të kontribuar në rigjenerimin e ekosistemeve natyrore dhe forcimin e biodiversitetit në këtë zonë të mbrojtur.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ndau pamje nga ky aktivitet, duke theksuar se fushata e pyllëzimit do të vijojë në të gjitha rajonet e vendit si pjesë e angazhimit institucional për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sipërfaqeve pyjore.

Sipas ministrit, çdo fidan i mbjellë përfaqëson një hap konkret drejt mbrojtjes së natyrës dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të gjelbër, ndërsa aksione të tilla kontribuojnë edhe në ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore.

Fushatat e pyllëzimit po zhvillohen paralelisht në disa zona të vendit, duke synuar rikuperimin e sipërfaqeve të dëmtuara dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së ekosistemeve natyrore. e.xh/j.p/

The post Mbillen pemë të reja në parkun kombëtar të Shebenikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

35 tregtarë, ambiente funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan

26 December 2025 at 17:40

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në qytetin e Elbasanit u përurua tregu i ri i fruta-perimeve në rajonin nr. 1, një investim që synon rritjen e cilësisë së shërbimit, garantimin e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e pamjes urbane, në shërbim të qytetarëve dhe fermerëve.

Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, i cili theksoi se ky investim u krijon rreth 35 tregtarëve kushte bashkëkohore pune, me ambiente moderne dhe funksionale, në përputhje me standardet e tregtimit të produkteve ushqimore.

Sipas ministrit, tregu i ri është një hapësirë e mbyllur plotësisht me struktura xhami, e pajisur me ndriçim efikas dhe me kushte optimale për ruajtjen, ekspozimin dhe shitjen e fruta-perimeve, duke garantuar cilësi dhe siguri më të lartë për konsumatorët.

Ministri nënvizoi se zgjerimi dhe modernizimi i tregjeve të shitjes për fermerët përbën një nga shtyllat kryesore të programit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për investime në infrastrukturën bujqësore. Sipas tij, këto tregje krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes prodhuesit dhe konsumatorit, rrisin shitjet dhe të ardhurat për familjet fermere, si dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale.

Hapja e tregut të ri të fruta perimeve në Elbasan vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të tregtimit të produkteve bujqësore dhe përmirësimit të kushteve të punës për tregtarët, duke sjellë njëkohësisht përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe komunitetin.

e.xh/j.p/

The post 35 tregtarë, ambiente funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GET: Shqipëria përfiton mbi 71 mln euro nga integrimi në SEPA

26 December 2025 at 20:22

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Anëtarësimi i Shqipërisë në Sistemin Europian të Pagesave (SEPA) pritet të sjellë një përfitim financiar prej 71.3 milionë eurosh për ekonominë e vendit, duke lehtësuar ndjeshëm kostot e transfertave për qytetarët dhe bizneset që kryejnë pagesa ndërkufitare brenda Europës.

Vlerësimi bazohet në një studim të përgatitur nga German Economic Team (GET), organizatë konsulence e mbështetur nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë. Sipas raportit, ulja e tarifave të transfertave ndërkombëtare për pagesat e tregtisë së jashtme do të arrijë në rreth 62 milionë euro, ndërsa kursimet nga remitancat do të tejkalojnë 9 milionë euro.

Të dhënat paraprake tregojnë se vetëm gjatë një muaji janë realizuar transferta përmes SEPA me një vlerë totale prej afërsisht 600 milionë eurosh, duke reflektuar përdorimin e gjerë të këtij sistemi që në fazat e para të funksionimit.

Integrimi në SEPA konsiderohet gjithashtu një faktor kyç për formalizimin e ekonomisë, pasi nxit përdorimin e kanaleve bankare dhe rrit transparencën e transaksioneve financiare.

Sipas skemës së re, transfertat deri në 20 mijë euro nga Shqipëria drejt vendeve të tjera europiane do të shoqërohen me komisione që nuk i kalojnë 2 euro. Për transaksionet deri në 100 mijë euro, tarifat do të jenë 0.01% e vlerës, ndërsa për shuma mbi këtë nivel, komisioni maksimal do të kufizohet në 25 euro.

Për emigrantët shqiptarë që dërgojnë para për familjet e tyre përmes rrugëve zyrtare, komisioni maksimal i transfertës do të jetë 3 euro.

Anëtarësimi në SEPA përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke forcuar lidhjet ekonomike me tregun europian dhe duke krijuar përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

linku i German Economic Team (GET): https://www.german-economic-team.com/wp-content/uploads/2025/12/GET_MDA_NL_92_2025_en.pdf

The post GET: Shqipëria përfiton mbi 71 mln euro nga integrimi në SEPA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Euroja dhe dollari humbin terren në këmbim me lekun

26 December 2025 at 15:44

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, në javën e fundit të muajit dhjetor, euroja dhe dollari amerikan humbën terren në raport me lekun, ndërsa paundi britanik dhe franga zvicerane forcuan pozitat.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane zbriti me 0,47  lekë dhe këmbehet në vlerën 81,75 lekë nga 82,22 lekë që ishte në fillim të kësa jave. Ndërkohë, euroja zbriti me 0,04 lekë dhe këmbehet me 96,46 lekë.

Paundi britanik fitoi terren gradualisht në fundjavë. Monedha britanike këmbehet me 110,49 lekë nga 110,41 lekë që ishte ditën e hënë.

Ndërkohë, franga zvicerane u forcua gjatë javës 22-26 dhjetor me 0,33 lekë. Franga zvicerane këmbehet me 103, 97 lekë kundrejt 103,64 lekëve që ishte në fillim të kësaj jave.

Në prag të festave të fundvitit, kthimi i emigrantëve sjell flukse të larta të monedhës europiane në treg që shoqërohet me forcim të pozitave të lekut.

Ndërkohë sipas Bankës së Shqipërisë rënia vjetore e kursit të këmbimit valutor mbetet në nivel më të ulëta krahasuar me vitet e kaluara. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kursi i euros me lekun rezulton në rënie me 2,1%. e.xh/j.p/

The post Euroja dhe dollari humbin terren në këmbim me lekun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dogana Shqiptare në gatishmëri të plotë gjatë festave, shërbim 24 orë në pikat kufitare

22 December 2025 at 14:36

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, autoritetet doganore kanë ndërmarrë masa të posaçme për të përballuar fluksin e shtuar të lëvizjes në pikat kufitare, që vjen si pasojë e kthimit të emigrantëve në vend, por edhe të rritjes së volumit të mallrave për shkak të intensifikimit të aktivitetit tregtar.

Dogana Shqiptare informon qytetarët dhe bizneset se strukturat doganore do të jenë në shërbim pa ndërprerje, 24 orë në ditë, gjatë festave të fundvitit duke synuar shmangien e pritjeve të gjata dhe garantimin e një shërbimi efikas për qytetarët dhe bizneset.

Sipas njoftimit të Doganës, funksionimi me kapacitete të plota është pjesë e një plani të veçantë masash, i cili përfshin rritjen e burimeve njerëzore dhe teknike, si dhe koordinim më të fortë mes strukturave doganore në të gjithë vendin.

Në fokus të këtij plani është përshpejtimi i procedurave doganore, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe përmirësimi i menaxhimit të flukseve të udhëtarëve, duke ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë dhe kontrollit.

Dogana Shqiptare vlerëson se këto masa do të ndikojnë pozitivisht në mbarëvajtjen e lëvizjes kufitare gjatë festave, si dhe në mbështetjen e aktivitetit ekonomik, veçanërisht për sektorët që varen nga import-eksporti, në një periudhë me rëndësi të veçantë për konsumatorët dhe tregun vendas.

/e.xh/a.f/

The post Dogana Shqiptare në gatishmëri të plotë gjatë festave, shërbim 24 orë në pikat kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EuroAgro Albania 2025-2030, platformë e re për asistencën e fermerëve

22 December 2025 at 10:57

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/  Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që kërkon përgatitje, angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit bujqësor.

Në takimin e organizuar sot me fermerë, Salla u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, bizneset, konsumatorët dhe ekonominë e vendit, por përfitimi nuk vjen automatikisht. Ai vjen vetëm kur të gjithë aktorët janë të përgatitur, me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit”, u shpreh ai.

Në lidhje me Kapitullin 11 dhe Politikën e Përbashkët Bujqësore, ministri theksoi se fermeri vendoset në qendër të politikave mbështetëse, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore. Ai bëri me dije se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë të përfitojnë nga fondet europiane, duke nënvizuar se në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermës dhe i blegtorisë, si dhe do të ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës.

Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së standardeve të cilësisë dhe tregtimit, duke paralajmëruar një paketë ligjore, proces komunikimi dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut. Sipas tij, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish mbetet elementi kyç për të kapërcyer ekonominë e shkallës dhe për të përthithur në mënyrë efektive fondet europiane.

Në Kapitullin 12, fokusi është siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin, ndërsa Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, me forcim të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit elektronik me strukturat europiane.

Në këtë kuadër, ministri prezantoi platformën EuroAgro Albania 2025–2030, si një mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve drejt standardeve të Bashkimit Europian. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.

“Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare” u shpreh Salla. /e.xh/ /a.g/

The post EuroAgro Albania 2025-2030, platformë e re për asistencën e fermerëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria akordon 2,2 miliardë lekë për 148 mijë familje në nevojë

22 December 2025 at 10:50

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Sipas Malajt, fokusi kryesor i këtij akti normativ është mbështetja financiare për shtresat në nevojë, veçanërisht për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, si edhe për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha Malaj.

Ky vendim synon të lehtësojë barrën ekonomike për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, në prag të mbylljes së vitit dhe përballë rritjes së kostove të jetesës.

Ministri deklaroi se një nga vendimet më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

Sipas tij, është vendosur që të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, deklaroi Malaj.

/e.xh/a.f/

The post Qeveria akordon 2,2 miliardë lekë për 148 mijë familje në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktit Normativ i fundvitit, 18 milionë euro shtesë për barna në spitalet publike

22 December 2025 at 10:24

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se shëndetësia është një nga sektorët kryesorë që do të mbështetet përmes Aktit Normativ të fundvitit, të miratuar së fundmi nga qeveria, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Sipas tij, sektori i shëndetësisë do të përfitojë një mbështetje shtesë prej 18 milionë eurosh, fonde që do të përdoren kryesisht për sigurimin e barnave në spitalet publike, me qëllim përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se pushteti vendor do të përfitojë nga ky Akt Normativ, duke u mbështetur me rreth 1,2 miliardë lekë shtesë. Këto fonde do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve më të vjetra të prapambetura të bashkive.

“Në total, vlera që po i alookojmë pushtetit vendor është e barasvlefshme me rreth 40 për qind të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se këto janë vetëm disa nga politikat e parashikuara në Aktin Normativ, të cilat synojnë garantimin e përdorimit të fondeve publike aty ku nevoja është më e madhe.

Sipas ministrit, Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe për të zbatuar politika që synojnë rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të vendit.

/e.xh/a.f/

The post Aktit Normativ i fundvitit, 18 milionë euro shtesë për barna në spitalet publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama organizon pritjen tradicionale me trupin diplomatik: Krenarë për Shqipërinë

20 December 2025 at 22:30

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, organizuan me rastin e festave të fundvitit, pritjen tradicionale me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo pritje. “Krenarë për Shqipërinë”, shprehet Ramas krahas videokartolinës së darkës tradicionale të fundvitit me ambasadorët e vendeve të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama përcolli urimet për festat e fundvitit.

“Me lejoni të ngre këtë dolli për shëndetin e mirë të familjeve tuaja, për harmoninë në familjet tuaja dhe falenderime për secilin prej jush për gjithçka keni bërë”, u shpreh Rama.

Darka e fundvitit me trupin diplomatik është kthyer tashmë në një traditë, duke shërbyer si një moment reflektimi për vitin që po mbyllet dhe forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

/r.e/

The post Rama organizon pritjen tradicionale me trupin diplomatik: Krenarë për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌