Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” njofton se punëtorët e operativës nisin punën çdo ditë në orët e hershme të mëngjesit, duke u angazhuar në pastrimin e rrugëve dhe shesheve publike.
Sipas njoftimit, përmes këtij angazhimi të vazhdueshëm synohet krijimi i një ambienti më të pastër, më të rregullt dhe më tërheqës për qytetarët.
Nga NPL “Kastrioti” u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes në hedhjen e mbeturinave dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së mjedisit të përbashkët, duke respektuar rregullat dhe standardet e pastrimit urban. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime Ekonomike, ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Sipas komunikatës për media, aksioni është realizuar më 27 janar 2026, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke zbatuar masa të veçanta hetimore.
Gjatë zbatimit të këtyre masave janë shoqëruar tre persona, ndërsa një zyrtar i Komunës së Prishtinës, me inicialet A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale marrje e ryshfetit, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, arrestimi në flagrancë ka ndodhur me dyshimin se zyrtari i arrestuar kishte kërkuar apo pranuar ryshfet me qëllim që ta ndihmonte të dëmtuarin në realizimin e një pagese për punë që, sipas kontratës, tashmë ishin kryer për komunën.
Rasti është iniciuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 dhe marrja e ryshfetit nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë të gjitha veprat penale që lidhen me korrupsionin, duke theksuar përkushtimin institucional në luftimin e kësaj dukurie. /Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas arrestimit të disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, duke riafirmuar përkushtimin e Kryeqytetit ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka theksuar se Komuna e Prishtinës do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se, në lidhje me arrestimin e zyrtarëve komunalë, institucionet e Kryeqytetit do të veprojnë në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet demokratike.
“Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik”, ka theksuar Rama.
Sipas tij, Prishtina mbetet e hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural nga institucionet e drejtësisë.
“Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryetari.
Në fund të reagimit të tij, Rama ka theksuar se parimi i barazisë para ligjit mbetet i panegociueshëm.
“Askush mbi ligjin”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin se tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, ku njëri prej tyre është zënë në flagrancë.
“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës për marrje të ryshfetit, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë të ditur se aksioni është ndërmarrë pas hetimeve të fshehta që janë zhvilluar së fundmi, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore ndaj të gjithë të përfshirëve do të vazhdojnë. /Telegrafi/
Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit ka njoftuar se është zgjatur afati për paraqitjen e kërkesave për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimore.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në mbështetje të një vendimi të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me të cilin afati për dorëzimin e aplikacioneve për procesin e legalizimit është zgjatur për dymbëdhjetë muaj.
Me këtë vendim, qytetarëve të Komunës së Drenasit u mundësohet vazhdimi i paraqitjes së kërkesave për trajtimin administrativ të objekteve të ndërtuara pa leje, brenda periudhës së re të përcaktuar.
Aplikimet për legalizim bëhen pranë Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, në përputhje me procedurat dhe dokumentacionin e paraparë me legjislacionin në fuqi.
Nga komuna u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kushtet ligjore që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të caktuar. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se sot ka marrë vendim për ashpërsimin e masave ndaj ndotjes së hapësirave publike, me qëllim të rritjes së vetëdijesimit dhe përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave.
Sipas vendimit, çdo person fizik që ndot hapësirat publike ose zonën para pronës së tij do të gjobitet me 200 euro, ndërsa çdo biznes apo subjekt afarist që ndot hapësirat publike ose zonën para objektit të tij do të gjobitet me 1000 euro.
“Sot kam marrë vendim që, me qëllim të rritjes së vetëdijesimit dhe përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave: Çdo person fizik që ndot hapësirat publike apo zonën para pronës së tij do të gjobitet me 200 euro. Çdo biznes apo subjekt afarist që ndot hapësirat publike apo zonën para objektit të tij do të gjobitet me 1000 euro”, shkruan Thaçi në Facebook.
Zbatimi i vendimit do të realizohet nga Inspektorati Komunal.
Komuna e Prishtinës shënon këtë vit 34 vjetorin e fillimit të Shtëpive-Shkolla, një kapitull i rëndësishëm i historisë kombëtare që dëshmon unitetin dhe solidaritetin e popullit tonë, ku dijes i është dhënë përparësi si gur themelor i mbijetesës.
Në këtë përvjetor, Komuna kujton pronarët që hapën dyert e shtëpive të tyre, mësimdhënësit që mbajtën gjallë mësimin dhe nxënësit që u rritën me bindjen se dija sjell liri.
“Në Shtëpitë-Shkolla u mbrojt dija. Aty, në dhoma shtëpish, arsimi u shndërrua në akt qëndrese dhe në shprehje të dinjitetit kombëtar”, thuhet në njoftim.
Komuna thekson se historia e këtyre shtëpive-shkolla është dokumentuar në librin “Shtëpitë-Shkolla” nga Fadil Aliu, i biri i Mehmeti Aliut – Hertica, i cili së bashku me familjen e tij kontribuoi në ruajtjen dhe përhapjen e arsimit ndër breza.
Libri evidenton rëndësinë e qëndresës dhe rolin e edukimit në mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se Zyra e Gjendjes Civile do të vazhdojë të ofrojë shërbime edhe gjatë pauzës zyrtare, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve administrative dhe lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbimet komunale.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet do të ofrohen pa ndërprerje në intervalin kohor nga ora 12:00 deri në ora 13:00.
Ky vendim është marrë nga Drejtoria e Administratës e Komunës së Fushë Kosovës, duke theksuar angazhimin institucional për të qenë sa më afër qytetarëve dhe për të siguruar qasje të barabartë dhe efikase në shërbimet e gjendjes civile, edhe gjatë orarit të pauzës. /Telegrafi/
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Behram Latifi, kanë vizituar nga afër punimet që po zhvillohen për ndërtimin e kanalit të ujitjes së tokave bujqësore në fshatin Lupç i Poshtëm.
Ky projekt, me një vlerë prej rreth 110 mijë eurosh, do të mundësojë ujitjen e afërsisht 80 hektarëve tokë bujqësore në këtë zonë.
Nënkryetari Restelica shprehu se projekti do të kontribuojë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe efikasitetin e punës së fermerëve.
Ai gjithashtu theksoi se “investimet në bujqësi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim të zhvillimit të këtij sektori si shtyllë e zhvillimit ekonomik lokal”.
Drejtori Latifi shtoi se projekti synon përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe mbështetjen e fermerëve në rritjen e prodhimit, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit. /Telegrafi/
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka bërë të ditur se të gjitha njoftimet dhe paralajmërimet që publikon për qytetarët bazohen vetëm në informacione zyrtare dhe të verifikuara.
Në një njoftim, Drejtoria thekson: “Të gjitha njoftimet dhe paralajmërimet tona bazohen ekskluzivisht në informata zyrtare, të siguruara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe institucione të tjera kompetente. Qëllimi i këtyre komunikimeve nuk është krijimi i panikut, por informimi në kohë, i saktë dhe i besueshëm i qytetarëve”.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se komunikimi i hershëm dhe korrekt u mundëson qytetarëve të marrin masa parandaluese dhe të jenë më të përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore ose atyre të shkaktuara nga dora e njeriut.
Sipas Drejtorisë, kjo kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike.
Në njoftim thuhet gjithashtu: “Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca mbetet e përkushtuar që çdo njoftim të jetë i bazuar në burime zyrtare, i qartë dhe i përgjegjshëm, dhe në funksion të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve të Kryeqytetit”.
Drejtoria ka bërë thirrje që qytetarët të ndjekin vetëm kanalet zyrtare të komunikimit për informacion të saktë dhe në kohë reale. /Telegrafi/
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se si pasojë e erërave të forta që kanë qenë prezente gjatë mbrëmjes, në disa zona janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
Sipas njoftimit, ekipet e Zjarrfikësve të Kryeqytetit kanë dalë në terren dhe po vazhdojnë angazhimin e tyre, duke mbuluar edhe territorin e Komunës së Fushë Kosovës, me qëllim menaxhimin e situatës dhe parandalimin e rreziqeve të mëtejme.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë lëvizjes në hapësira të hapura dhe në afërsi të objekteve apo strukturave të paqëndrueshme, të cilat mund të paraqesin rrezik për sigurinë.
Në rast të situatave emergjente, qytetarët janë ftuar të kontaktojnë numrat emergjentë të Kryeqytetit për ndihmë dhe asistencë të menjëhershme. /Telegrafi/
Inspektorati i Komunës së Fushë Kosovës ka dalë në terren për të inspektuar një objekt banimi, ku ka ndodhur rënia e fasadës së ndërtesës, duke shkaktuar rrezik për qytetarët.
Për arsye sigurie, autoritetet komunale kanë rrethuar zonën përreth objektit dhe kanë vendosur shirita mbrojtës, me qëllim parandalimin e lëndimeve apo dëmeve të tjera të mundshme.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, një veturë ka pësuar dëme materiale, ndërsa një person ka mbetur i lënduar dhe aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Komuna e Fushë Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat ku ka objekte të vjetra apo të dëmtuara.
Institucionet komunale kanë njoftuar se do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nëna Tereza” drejt Izraelit, ku do të zhvilloj vizitë zyrtare triditore me agjendë intensive takimesh institucionale dhe ekonomike.
Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, Lladrovci pritet të takojë homologë nga komunat izraelite, kryetarin e Federatës së Autoriteteve Lokale që përfaqëson 265 autoritete, si dhe përfaqësues të Qendrës së Jerusalemit për Punë të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe anëtarë të Knesset-it.
Po ashtu, në agjendë janë edhe takime me biznesmenë dhe investitorë izraelitë.
“Gjatë këtyre tri ditëve do të kem vizita në qendra të teknologjisë dhe inovacionit, në zona të inovacionit teknologjik dhe startup-eve, ku do të diskutojmë për ekosistemin e inovacionit, qytetin inteligjent, bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe sektorit privat", ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës është krijimi i partneriteteve konkrete dhe nxitja e investimeve në nivel lokal.
“Do të zhvilloj takime me drejtues të sektorëve me interes të përbashkët, me sipërmarrës dhe biznesmenë, për të diskutuar projekte të përbashkëta, bashkëpunim institucional dhe mundësi investimi", u shpreh ai.
Në fund, kryetari i Drenasit ka falënderuar organizatorët dhe mikpritësit izraelitë për mbështetjen dhe vlerësimin ndaj Kosovës.
“Falënderoj hartuesit e kësaj agjende intensive dhe të gjithë mikpritësit që Kosovën e shohin si shtet me perspektivë dhe storje suksesi", ka përfunduar Lladrovci. /Telegrafi/
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka mohuar se paralajmërimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta në kryeqytet është bazuar në të dhënat e këtij institucioni.
Në një postim të publikuar në Facebook, IHMK kishte deklaruar se nuk ka lëshuar parashikim për rrezik nga erërat për datën 25 janar, duke theksuar se njoftimi i Komunës së Prishtinës nuk përputhej me parashikimet e institutit.
“IHMK sqaron se njoftimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta për sot, 25 janar, nuk është i mbështetur në parashikimin e motit nga IHMK… Parashikimi për datat 24 dhe 25 janar është i publikuar në faqen zyrtare të IHMK-së dhe nuk përmban paralajmërime për rreziqe nga erërat”, thuhej në postimin që u fshi pas disa minutave.
Pas kësaj, IHMK doli me një sqarim të dytë, duke thënë se publikimi dhe fshirja e postimit fillestar ishte rezultat i një keqkuptimi.
Instituti theksoi se nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje ndërmjet IHMK-së dhe Komunës së Prishtinës dhe se bashkëpunimi institucional është korrekt, me qëllim informimin e saktë dhe me kohë të qytetarëve për kushtet meteorologjike.
Ndërkohë, sipas parashikimit të fundit të IHMK-së, priten erëra me intensitet të lehtë deri mesatar, të cilat nga dita e hënë mund të shoqërohen me reshje shiu.
Nga ana tjetër, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar se, bazuar në të dhënat e IHMK-së, nga mëngjesi i së dielës, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra me intensitet mesatar deri të fortë, veçanërisht në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
Sipas njoftimit të Komunës:
Në zonat kodrinoro-malore, shpejtësia e erës pritet të jetë 11–14 m/s
Në zonat më të ulëta, 8–11 m/s
Erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026./Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të projektit të Unazës së Prishtinës, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në letrën e tij, Rama thekson se projekti, i cili ka mbetur i bllokuar për më shumë se katër vjet në nivel qendror, ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe cenon interesin publik.
Ai rikujton se gjatë fushatës zgjedhore, Kryeministri në detyrë kishte shprehur publikisht mbështetje për zhbllokimin e këtij projekti, duke njohur rëndësinë e tij strategjike.
"Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik", ka njoftuar Rama.
Rama thekson rëndësinë financiare të projektit, i cili është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) me vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro të pakthyeshme.
Kryetari i Prishtinës paralajmëron se çdo zvarritje institucionale rrezikon humbjen e këtyre fondeve dhe kredibilitetin institucional të vendit ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
“Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve,” shkruan Rama, duke bërë thirrje për vendosjen e interesave të qytetarëve mbi çdo kalkulim politik.
Kryetari i Prishtinës kërkon që Qeveria në detyrë të eliminojë menjëherë pengesat administrative dhe institucionale dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme, duke e cilësuar projektin si prioritet strategjik kombëtar dhe pjesë të rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/
Liqeni artificial i Badocit, burim uji për një pjesë të Prishtinës dhe Graçanicës, është mbushur me mbeturina, duke përfshirë shishe plastike dhe gjësende të tjera që pluskojnë mbi sipërfaqen e tij.
Për shkak të turbullirës së ujit, autoritetet shëndetësore kanë këshilluar që nga 13 janari që qytetarët të mos e konsumojnë ujin e këtij liqeni, shkruan REL.
Mbeturinat janë të dukshme jo vetëm në brigjet e liqenit, por edhe në ujë, pranë pendës së tij, e cila ka një lartësi prej 45 metrash.
Badoci është një nga pesë liqenet artificiale në Kosovë dhe shërben si burim uji për komunitetet përreth, duke e bërë situatën shqetësuese për qytetarët dhe autoritetet lokale.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e dëmtimit të një gypi nga disa kontraktorë privatë të cilët, thonë se, për dëmin e shkaktuar nuk kanë raportuar, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për një pjesë të qytetit të Obiliqit dhe disa fshatra.
“Ju njoftojmë se, si pasojë e dëmtimit të gypit Ø200 ACC nga kontraktorë privatë, të cilët kanë shkaktuar dëmin dhe nuk e kanë raportuar atë, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm. Pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur: një pjesë e qytetit të Obiliqit (lagjja kah Kosova B ), fshati Plemetin, fshatrat Prelluzhë dhe Hamidi”, thotë KRU “Prishtina”.
Ata kanë bërë të ditur se furnizimi me ujë të pijshëm do të rikthehet pas sanimit të plotë të dëmit derisa u kanë bërë thirrje konsumatorëve të këtyre zonave që ujin të mos e përdorin për pije deri të jetë i kthjellët plotësisht.
Ekipet e Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” kanë intervenuar ditëve të fundit në lagjen “Dardania”, ku u konstatua hedhja masive e mbeturinave jashtë kontejnerëve, pavarësisht se këto të fundit ishin të zbrazur.
Nga KRM “Pastrimi” bëjnë të ditur se kjo situatë nuk shkaktohet nga mungesa e shërbimit, por nga sjellja e pakontrolluar dhe e papërgjegjshme e qytetarëve.
“Kontejnerët janë për mbeturina shtëpiake dhe nuk duhet të përdoren për mbeturina voluminoze, materiale inerte apo pajisje të vjetra shtëpiake”, njoftojnë nga kompania.
Ata apeluan për bashkëpunim dhe kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët.
“Ne pastrojmë, por pa bashkëpunimin tuaj, kjo betejë bëhet shumë më e vështirë. Faleminderit të gjithë atyre që respektojnë rregullat dhe kontribuojnë çdo ditë për një qytet më të pastër”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ambasada e Zvicrës ka sqaruar mbështetjen e saj për programin e informimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK), pas raportimeve se në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë është mbajtur një ligjëratë informuese për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në sqarimin e saj, ambasada bën të ditur se që nga viti 2018, Zvicra ka mbështetur aktivitetet e informimit të DSK-ve, të cilat janë themeluar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, duke pasqyruar procesin legjislativ dhe mandatin demokratik të këtij institucioni.
Sipas ambasadës, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i pavarur dhe përmes Zyrës së Informimit angazhohen me një gamë të gjerë akterësh për të ndarë informacione publikisht të disponueshme mbi mandatin dhe punën e tyre, për të dëgjuar pikëpamjet e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve, pa promovuar narrativa të caktuara.
Më tej thuhet se Programi i Informimit zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, të cilat ndihmojnë në lehtësimin e dialogut dhe inkurajimin e një debati publik të informuar mbi çështje me interes publik.
Ambasada e Zvicrës ka theksuar se mbështetja e saj ka për qëllim transparencën, informimin e qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit, dhe nuk nënkupton ndikim në përmbajtjen e aktiviteteve apo promovim të qëndrimeve të caktuara. /KP/
Në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë po realizohen punime për shtrirjen e kabllove të ndriçimit.
Ky investim ka për qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt dhe funksional për qytetarët, duke pasur parasysh fluksin e madh të udhëtarëve që e frekuentojnë stacionin.
Punimet synojnë rritjen e komoditetit dhe sigurisë gjatë lëvizjes së qytetarëve brenda dhe rreth stacionit. /Telegrafi/