Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 31 December 2025Main stream

VILNIUS – Lituania blen raketa suedeze për mbrojtje ajrore

31 December 2025 at 22:47

VILNIUS, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ –  Lituania planifikon të blejë sisteme portative të mbrojtjes ajrore “RBS 70 NG” me vlerë mbi 320 milionë euro (375 milionë dollarë), për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Sipas deklaratave të ministrisë dhe kompanisë suedeze “Saab”, me të cilën është nënshkruar kontrata, marrëveshja, së bashku me kontrata të mëparshme, garanton furnizim të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura të Lituanisë me këtë armatim për periudhën 2026–2032.

“Forcimi i mbrojtjes ajrore është një nga prioritetet tona kryesore”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas.

Lituania tashmë disponon sisteme “RBS 70”, një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi, i cili lejon goditje efektive të objektivave ajrore si ditën ashtu edhe natën.

Sipas ministrisë, ky sistem u zgjodh për shkak të mirëmbajtjes së lehtë, lëvizshmërisë së lartë dhe avantazheve të tjera teknike.

Qeveria kishte njoftuar para Krishtlindjeve se planifikonte të blinte gjithashtu municione antitank dhe granatahedhës njëpërdorimësh, po ashtu nga kompania “Saab”.

Lituania, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë, aleate të Rusisë, e sheh luftën e Kremlinit në Ukrainë si një kërcënim të drejtpërdrejtë.

Që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Vilniusi dhe kryeqytetet e tjera baltike kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Lituania pritet të shpenzojë vitin e ardhshëm 5,38% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VILNIUS – Lituania blen raketa suedeze për mbrojtje ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina sulmon me dronë terminalin e naftës në veri të Moskës

31 December 2025 at 22:02

KIEV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dronë ukrainas kanë goditur dhe i kanë vënë flakën një depoje të madhe karburanti në rajonin Yaroslavl në verilindje të Moskës, thanë sot zyrtarët e shërbimit sekret në Kiev.

”Terminali ‘Temp’ në qytetin e Rybinskut është pjesë e rezervave strategjike të Rusisë dhe sulmi kishte në shënjestër asetet thelbësore për pushtimin e Ukrainës nga Moska”, tha shërbimi sekret SBU.

“SBU vazhdon të prishë zinxhirët e furnizimit të produkteve ruse të naftës si jashtë vendit ashtu edhe për trupat që sulmojnë Ukrainën me saktësi kirurgjikale”, citoi agjencia e lajmeve Ukrinform një zyrtar të paidentifikuar.

Agjencia publikoi një video që tregonte një zjarr të madh pas shtëpive të mbuluara me borë, megjithëse vendndodhja e saktë nuk mund të identifikohej.

Nuk pati asnjë koment nga pala ruse mbi raportin ukrainas. Yaroslavl ndodhet rreth 280 kilometra në verilindje të Moskës dhe më shumë se 800 kilometra nga Ukraina.

Dronët ukrainas sulmuan gjithashtu sot objektiva të tjerë brenda Rusisë.

”Në rajonin jugor të Krasnodarit, një zjarr shpërtheu në rafinerinë e naftës në portin Tuapse të Detit të Zi, sipas stafit operativ lokal. Zjarri u shua”, thanë zyrtarët./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Ukraina sulmon me dronë terminalin e naftës në veri të Moskës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Fermerët protestues në takim mbarëkombëtar

31 December 2025 at 20:55

ATHINË, 31 dhjetor /ATSH-ANA/ – Një takim mbarëkombëtar i fermerëve të sektorit parësor do të mbahet të dielën, më 4 janar, në orën 12:00, në Malgara, për të vendosur hapat e radhës të mobilizimeve të tyre.

Lajmin e bëri të ditur Kostas Rouzios, përfaqësues i një shoqate fermerësh në Selanik.

Takimi do të zhvillohet në ambientet e Qendrës Kulturore të Malgaras.

Ndërkohë, fermerët vazhdojnë të qëndrojnë në bllokadat në Thesalinë perëndimore, ndërsa në rrjetin rrugor kombëtar janë vendosur devijime të qarkullimit për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve gjatë festave.

Policia greke publikoi një njoftim lidhur me bllokadat e fermerëve, duke informuar për devijimet e trafikut dhe duke sugjeruar rrugë alternative për qytetarët që udhëtojnë në aksin Athinë–Selanik. Gjithashtu, Policia ka publikuar edhe një video nga autostrada Athinë–Lamia, ku shfaqet bllokada e fermerëve në zonën e Kastro-Beotisë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Fermerët protestues në takim mbarëkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rizbulim i rrallë në Tajlandë i një maceje kokësheshtë, e konsideruar e zhdukur

31 December 2025 at 20:24

BANGKOK, 31 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një mace me kokë të sheshtë, një specie shumë e rrallë felini e konsideruar si “ndoshta e zhdukur” në Tajlandë, është filmuar nga kamera-kurth në një sanktuar të jetës së egër në jug të vendit, gati tri dekada pas shikimit të fundit.

Lajmi u bë i ditur të  nga autoritetet e zonave të mbrojtura dhe nga organizata joqeveritare për ruajtjen e felinëve, “Panthera”.

Macet me kokë të sheshtë, që kanë madhësinë e një maceje shtëpiake, renditen ndër felinët e egër më të rrallë dhe më të rrezikuar në botë.

Kjo specie, e përhapur në Azinë Juglindore, kërcënohet seriozisht nga humbja e habitatit natyror.

Sipas Departamentit tajlandez të Parqeve Kombëtare, Jetës së Egër dhe Bimësisë, si dhe organizatës “Panthera”, një studim ekologjik i nisur në vitin 2024 ka regjistruar 29 vëzhgime përmes kamerave-kurth.

“Ky rizbulim është njëkohësisht emocionues dhe shqetësues”, tha Kaset Sutasha, veteriner dhe studiues në Universitetin Kasetsart, duke theksuar se fragmentimi i habitatit e ka bërë këtë specie gjithnjë e më të “izoluar”.

Ende nuk është e mundur të përcaktohet numri i saktë i individëve, pasi kjo specie nuk ka shenja dalluese të qarta, gjë që e vështirëson numërimin.

”Megjithatë, vëzhgimet sugjerojnë një përqendrim relativisht të lartë të maceve me kokë të sheshtë”, deklaroi Rattapan Pattanarangsan, përgjegjës i programit të ruajtjes në Panthera.

Pamjet tregojnë një femër me kotelen e saj – një shenjë e rrallë dhe inkurajuese për këtë specie, e cila zakonisht lind vetëm një kotele në çdo herë.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në mbarë botën kanë mbetur rreth 2 500 mace me kokë të sheshtë.

Në Tajlandë, kjo specie ishte klasifikuar si e zhdukur./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post Rizbulim i rrallë në Tajlandë i një maceje kokësheshtë, e konsideruar e zhdukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BAGDAD – Iraku merr bazën “Ain al-Asad” pas tërheqjes së koalicionit nën drejtimin amerikan

31 December 2025 at 19:19

BAGDAD, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Iraku njoftoi sot se do të marrë në dorëzim javën e ardhshme një strukturë të rëndësishme ushtarake nga aleanca globale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e angazhuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik (IS), një çështje që prej kohësh ka qenë burim polemikash në vend.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Përbashkët të Operacioneve të Irakut, gjenerallejtënant Qais al-Muhammadawi, deklaroi se koalicioni anti-IS do t’ia dorëzojë forcave irakiane të sigurisë bazën ushtarake “Ain al-Asad” në Irakun perëndimor.

“Do të ketë marrëveshje dypalëshe mes Bagdadit dhe disa vendeve anëtare të aleancës, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe”, shtoi ai.

”Baza ‘Ain al-Asad’ do të shohë javën e ardhshme një tërheqje të plotë dhe do t’u dorëzohet forcave tona irakiane”, tha al-Muhammadawi në një konferencë për shtyp në Bagdad.

“Kjo është një arritje që lidhet me kapacitetet irakiane, sovranitetin e Irakut, si dhe me mirëkuptimin me SHBA-në dhe vendet e tjera të aleancës për ta shndërruar misionin në memorandume dypalëshe për shkëmbim ekspertize dhe informacioni, si edhe për trajnim”, theksoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Iraku po shqyrton nënshkrimin e marrëveshjeve të sigurisë me SHBA-në pas tërheqjes së forcave të saj drejt rajonit autonom të Kurdistanit irakian, raportoi sot televizioni saudit al-Hadath, duke cituar burime të paidentifikuara.

Muajt e fundit, milicitë irakiane të afërta me Iranin kanë bërë thirrje të përsëritura për largimin e trupave amerikane nga vendi.

E vendosur në provincën perëndimore al-Anbar, baza “Ain al-Asad” ka qenë disa herë objekt sulmesh nga grupe irakiane të lidhura me Iranin.

Forcat amerikane vazhdojnë të jenë të dislokuara pranë aeroportit të Bagdadit dhe në bazën ajrore të Erbilit, në Kurdistanin irakian. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BAGDAD – Iraku merr bazën “Ain al-Asad” pas tërheqjes së koalicionit nën drejtimin amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli presin 2026-n me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale

31 December 2025 at 19:48

SIDNEJ, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qytete të mëdha aziatike e pritën Vitin e Ri 2026 me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale, ndërsa festimet nisën nga Paqësori Jugor dhe u shtrinë gradualisht në mbarë botën.

Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli ishin ndër qytetet që hynë në vitin e ri, secili me mënyrën e vet të festimit.

Në Pekin u organizua një shfaqje spektakolare dritash, ndërsa daullet shoqëruan pritjen e Vitit të Kalit të Zjarrit.

Në Hong Kong, ndërrimi i viteve u shënua më qetë, pasi fishekzjarrët tradicionalë mbi portin ”Victoria” u anuluan pas një zjarri vdekjeprurës në muajin nëntor.

Ndërkohë, në Singapor qielli mbi ”Marina Bay” u ndriçua nga fishekzjarrët, me horizontin e qytetit që krijoi një pamje mbresëlënëse.

Japoni dhe Koreja e Jugut u përqendruan te ritualet tradicionale të rënies së kambanave, ndërsa në Seul valltarë dhe ceremoni kulturore shënuan ardhjen e vitit 2026.

Në Tajlandë, lumi Chao Phraya në Bangkok ishte në qendër të festimeve në mesnatë.

Në Australi, Sidnej e priti Vitin e Ri me një shfaqje madhështore fishekzjarrësh mbi Urën e Portit dhe Shtëpinë e Operës, por edhe me një moment reflektimi.

Qyteti përkujtoi viktimat e sulmit të fundit në plazhin Bondi, me një minutë heshtjeje dhe mesazhe paqeje e uniteti të ndriçuara mbi urë.

Festimet në vetë plazhin Bondi u anuluan në shenjë respekti.

Ishujt e Paqësorit Jugor ishin të parët që hynë në vitin 2026. Banorët e Kiritimatit e pritën Vitin e Ri në mesnatë sipas orës lokale, të ndjekur pak minuta më vonë nga Ishujt Chatham të Zelandës së Re.

Më pas, Zelanda e Re, Samoa dhe Tonga shënuan ndërrimin e viteve me fishekzjarrë dhe shfaqje dritash.

Në Zelandën e Re, vëmendja u përqendrua te Auckland, ku Kulla Sky Tower u ndriçua nga shfaqje të veçanta, si dhe në kryeqytetin Wellington.

Ndërkohë, Samoa Amerikane, në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datës, pritet të jetë vendi i fundit i banuar në botë që do të hyjë në vitin 2026./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli presin 2026-n me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Edhe Franca do të ndalojë mediet sociale për nën 15-vjeçarët

31 December 2025 at 17:49

PARIS, 31 dhjetor /ATSH-AA/ -Franca do të shqyrtojë në janar një projektligj që synon të ndalojë mediet sociale për fëmijët nën 15-vjeç dhe telefonat celularë, raportoi sot “FranceInfo”. 

Këshilli i Shtetit do të shqyrtojë projektligjin më 8 janar me qëllim ndalimin e aksesit në mediat sociale për të rinjtë nën moshën 15-vjeç dhe ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat ​​e mesme duke filluar nga viti i ri shkollor, që do të thotë shtatori 2026.

Sipas burimeve qeveritare, projektligji është hartuar në një mënyrë që siguron se është në përputhje me ligjin evropian, ndryshe nga një përpjekje e mëparshme që dështoi.

Në nëntor, presidenti francez Emmanuel Macron tha se dëshiron ta zgjerojë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat ​​e mesme që nga fillimi i vitit shkollor 2026-2027 dhe të vendos një ndalim të medieve sociale për të rinjtë nën 15 ose 16-vjeç.

Ndalimi i telefonave celularë ka qenë tashmë në fuqi nga kopshti deri në shkollën e mesme sipas një ligji të vitit 2018, megjithëse ndonjëherë ka rezultuar i vështirë për t’u zbatuar.

Shumë studime akademike kanë dokumentuar rreziqet për shëndetin mendor të përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë si dhe rreziqet e shpërqendrimit nga telefonat celularë tek adoleshentët./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

 

 

The post PARIS – Edhe Franca do të ndalojë mediet sociale për nën 15-vjeçarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HELSINKI – Finlanda ndalon një anije të dyshuar, pas dëmtimit të një kablli nëndetar

31 December 2025 at 16:18

HELSINKI, 31 dhjetor /ATSH/ – Autoritetet finlandeze kanë ndaluar një anije të dyshuar për dëmtimin e një kablli nëndetar të telekomunikacionit që lidh Helsinkin me Talinin, njoftoi policia, sipas “The Guardian”.

Kompania e telekomunikacionit “Elisa” raportoi sot në mëngjes një defekt në kabllin që ndodhet në Gjirin e Finlandës.

Pas sinjalizimit, rojat bregdetare lokalizuan një anije në zonën ekonomike ekskluzive të Finlandës, e cila dyshohet se e ka shkaktuar dëmtimin më herët në ujërat e Estonisë.

Sipas autoriteteve, zinxhiri i spirancës së anijes ishte i lëshuar në ujë.

Anija u shoqërua drejt një vendankorimi të sigurt në ujërat territoriale finlandeze dhe u vu nën kontroll.

Policia po heton çështjen për dëmtim të rënduar të pronës, tentativë për dëmtim të rënduar dhe ndërhyrje në telekomunikacion.

Autoritetet finlandeze janë në kontakt të ngushtë me palën estoneze.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi se vendi është i përgatitur për sfida të ndryshme sigurie dhe se situata po monitorohet nga afër.

Incidenti ndodh në një kontekst tensioni të shtuar në detin Baltik, ku që prej fillimit të luftës në Ukrainë janë regjistruar disa raste dëmtimi të kabllove dhe infrastrukturës kritike, të cilat ekspertët i lidhin me veprime të ashtuquajtura të luftës hibride./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post HELSINKI – Finlanda ndalon një anije të dyshuar, pas dëmtimit të një kablli nëndetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BERLIN – Pistorius: Shkeljet në repartin elitar ushtarak gjerman janë tronditëse

30 December 2025 at 22:57

BERLIN, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dënoi ashpër sot një sërë shkeljesh të rënda disiplinore të zbuluara në një nga regjimentet elitare të parashutistëve të vendit.

”Rastet e raportuara të ekstremizmit të djathtë, sjelljeve seksuale të papërshtatshme dhe përdorimit të drogës në Zweibrucken janë tronditëse”, tha Pistorius.

Sipas tij, këto veprime bien në kundërshtim të hapur me vlerat themelore të Bundeswehr-it, Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Ushtria njoftoi se ka shkarkuar disa ushtarë pas hetimeve për Regjimentin e Parashutistëve 26, i vendosur në qytetin Zweibrucken, në landin perëndimor Rheinland-Pfalz, dhe ka paralajmëruar masa të tjera.

Ndërkohë, prokuroria po heton 19 ushtarë.

Megjithatë, Pistorius shprehu pakënaqësi me mënyrën se si udhëheqja lokale ushtarake reagoi fillimisht ndaj rasteve të raportuara.

Edhe pse hetimi u nis menjëherë dhe çështja u sqarua plotësisht me pasoja të rënda, sipas tij pati mangësi.

”Ajo që është e papranueshme është fakti se sjelljet e gabuara duket se nuk u njohën menjëherë si të tilla në terren dhe për këtë arsye nuk u ndoqën me konsistencën e nevojshme. Kjo duhet të përjashtohet”, tha Pistorius.

Ministri falënderoi Inspektorin e Ushtrisë, gjenerallejtnant Christian Freuding, për ndërmarrjen e menjëhershme të masave për të parandaluar vazhdimin e shkeljeve.

“Freuding do t’i përmbledhë këto masa në një plan veprimi për forcat ajrore-desantuese dhe do të sigurojë zbatimin e tyre”, shtoi Pistorius.

‘Prioriteti im tani është, së pari, të sigurohem që incidentet individuale të vazhdojnë të hetohen plotësisht; së dyti, nëse akuzat e tjera konfirmohen, që rastet të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit dhe së treti, të rikthehet besimi te udhëheqja ushtarake në terren”, përfundoi ministri./ /Ad.Ab./

The post BERLIN – Pistorius: Shkeljet në repartin elitar ushtarak gjerman janë tronditëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tuneli ”Fehmarnbelt”, megaprojekti 18 kilometra nën Baltik

30 December 2025 at 22:12

KOPENHAGË, 30 dhjetor /ATSH/ – Një tunel masiv po ndërtohet nën detin Baltik duke premtuar të transformojë rrjetin e transportit në Evropë, sipas the “Independent”.

Projekti, që ka zgjatur për disa vjet dhe është më i madh se sa pritej, po kalon një moment kritik.

Tuneli ”Fehmarnbelt”, që pritet të hapet në 2029 do të shtrihet për 18 kilometrra midis Rodbyhavn në Danimarkë dhe Puttgarden në Gjermani.

”Kur të përfundojë, ai do të jetë tuneli më i gjatë nënujor në botë dhe kombinimi më i madh për rrugë dhe hekurudhë”, sipas kompanisë shtetërore daneze “Femern A/S”, që menaxhon projektin.

Ndryshe nga, tuneli i La Manshit, ”Fehmarnbelt” nuk po gërryhet përmes shkëmbit, por po ndërtohet me teknikën e zhytjes. Kjo përfshin prodhimin e elementeve të mëdha betoni, secili 217 metra i gjatë dhe rreth 73 000 tonë.

Pasi të jenë përfunduar, ato lundrojnë, zhyten në një gropë të përgatitur në fundin e detit dhe lidhen me saktësi të lartë.

Tuneli do të ketë dy linja hekurudhore të elektrizuara dhe një rrugë me dy korsi si dhe një korridor shërbimi për mirëmbajtje dhe emergjenca.

Ai pritet të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis Kopenhagës dhe Hamburgut, duke ulur udhëtimet hekurudhore nga 4,5 në 2,5 orë dhe udhëtimet me makinë për rreth një orë.

Ky projekt është pjesë e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) dhe mbështet qëllimet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, duke zëvendësuar tragetin aktual prej 45 minutash me një lidhje hekurudhore 7-minutëshe dhe një rrugë 10-minutëshe.

Ky projekt madhor punëson aktualisht deri në 2 500 persona dhe financohet përmes kredive të garantuara nga qeveria daneze, të cilat do të shlyhen me tarifat e përdoruesve./ /Ad.Ab./

The post FOKUS – Tuneli ”Fehmarnbelt”, megaprojekti 18 kilometra nën Baltik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Parlamenti miraton buxhetin e diskutueshëm të vitit 2026

30 December 2025 at 20:50

ROMË, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Parlamenti Italian miratoi sot buxhetin e vitit 2026, pas javësh negociatash dhe ndryshimesh.

Paketa financiare e koalicionit të djathtë me tre parti, e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni, që arrin rreth 22 miliardë euro (25.9 miliardë dollarë), tani është miratuar edhe nga Dhoma e Deputetëve, e cila është dhoma e ulët e Parlamentit italian me dy dhoma.

Senati kishte dhënë miratimin e tij pak para Krishtlindjes.

Qeveria kryesuar nga Giorgia  Meloni kaloi mbrëmë një votim besimi për të përfunduar buxhetin pa ndryshime, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Meloni planifikon të përdorë buxhetin për të ulur huamarrjen e re për vitin 2026 nën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), siç kërkojnë kriteret e stabilitetit evropian.

Italia është një nga vendet më me borxhe në Evropë.

BE-ja ka kërkuar disa herë nga Roma që të fillojë uljen e deficitit, gjë që ka bërë që qeveria Meloni të angazhohet për zbatimin e këtij objektivi në 2026.

Ndryshimet përfshijnë stimuj investimi për bizneset dhe lehtësira tatimore për punonjësit.

Norma tatimore për të ardhurat midis rreth 24 000 dhe 40 000 euro do të ulet nga 35% në 33%.

Mosha e pensionit do të rritet gradualisht në disa raste.

Masat që lidhen me taksimin e bankave dhe kompanive të sigurimeve do të kontribuojnë në financimin e buxhetit.

Buxheti parashikon gjithashtu më shumë shpenzime për mbrojtjen.

Përveç kësaj, rezervat e arit të “Banca d’Italia” do të konsiderohen pronë e popullit italian.

Sipas Bankës Qendrore Evropiane, e cila po monitoron masën nga afër, ky është një akt simbolik.

Pas votimit, Meloni e përshkroi buxhetin si një “paketë serioze dhe të përgjegjshme masash” që fokusohet në “burimet e pakta të disponueshme tek disa prioritetet themelore.”

Megjithatë, liderja e opozitës, Elly Schlein nga Partia Demokrate (PD), tha se buxheti nuk arrin të adresojë shqetësimet më të rëndësishme të italianëve dhe është i gabuar.

“Është një buxhet kursimesh që parashikon rritje zero”, tha Schlein./  /Ad.Ab./

The post ITALI – Parlamenti miraton buxhetin e diskutueshëm të vitit 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Irani reagon ndaj kërcënimit amerikan për sulme të tjera izraelite

30 December 2025 at 20:01

TEHERAN, 30 dhjetor / ATSH-DPA/ – Irani lëshoi sot një paralajmërim të ashpër si reagim ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse vendi refuzonte një marrëveshje të re bërthamore.

“Republika Islamike e Iranit do të përgjigjet në mënyrë të qëndrueshme ndaj çdo agresioni dhe do t’i bëjë agresorët të pendohen për veprimet e tyre”, shkroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian në platformën sociale X.

Më parë, një këshilltar i udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin se çdo sulm do të provokonte një përgjigje të fortë iraniane.

Ali Shamkhani tha në një postim në X se Irani nuk ka nevojë për leje nga shtetet e tjera për kapacitetet e tij të raketave apo për mbrojtjen e vetvetes.

Gjatë një takimi dje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, presidenti Trump tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse Teherani refuzon një marrëveshje të re bërthamore dhe vazhdon avancimin e programeve të tij raketore dhe bërthamore.

Izraeli zhvilloi luftë ndaj Iranit për 12 ditë në qershor, duke bombarduar objektiva kyç bërthamore në vend së bashku me SHBA-në.

Megjithëse u vendos një armëpushim, një zgjidhje diplomatike për konfliktin midis armiqve të përbetuar nuk duket në horizont, dhe raporte në të dy vendet kanë përhapur mundësinë e rifillimit të luftës.

Sipas informacioneve izraelite, Irani po punon intensivisht për rindërtimin e arsenaleve të tij raketore, të cilat, së bashku me programin bërthamor, konsiderohen nga Izraeli si një kërcënim i madh./  /Ad.Ab./

The post FOKUS – Irani reagon ndaj kërcënimit amerikan për sulme të tjera izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Takim i aleatëve të Ukrainës më 6 janar në Francë

30 December 2025 at 18:21

KIEV, 30 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi sot se javën e ardhshme në Francë do të zhvillohet një takim me liderët e vendeve aleate të Kievit, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

”Takimi, i planifikuar për më 6 janar, pritet të paraprihet nga një tjetër takim në Ukrainë, në nivelin e këshilltarëve të sigurisë të vendeve aleate të Kievit”, shtoi Zelensky në platformën X.

“E parashikojmë për më 3 janar”, tha ai.

Ndërkohë në takimin e zhvilluar të dielën në Florida mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit Zelensky për paqen në Ukrainë u hodh ideja e një takimi trepalësh mes Zelensky, Putin dhe Trump në “kohën e duhur”.

Kjo ide u hodh nga presidenti Trump.

Ndërsa Trump është përpjekur t’i japë fund konfliktit përmes samiteve të nivelit të lartë, përfshirë pritjen e Putinit në Alaska në gusht, fokusi i përpjekjeve intensive diplomatike në javët e fundit ka qenë në zgjidhjen e një numri të pikave kyçe të ngërçit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Takim i aleatëve të Ukrainës më 6 janar në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TAJVAN – Tajpei: Kina ka lëshuar 27 raketa kundër ishullit

30 December 2025 at 17:41

PEKIN/TAJPEI, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Manovrat ushtarake në shkallë të gjerë të Kinës rreth Tajvanit vazhduan sot në ditën e dytë rresht.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi se brenda 24 orëve u regjistruan 130 fluturime të avionëve ushtarakë kinezë rreth ishullit, shifra e dytë më e lartë e shënuar ndonjëherë për këtë periudhë.

Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës kishte paralajmëruar se do të zhvillonte manovra me municion të vërtetë në shtatë zona të caktuara pranë Tajvanit.

Sipas autoriteteve tajvaneze, ushtria kineze lëshoi sot 27 raketa nga provinca Fujian në  mëngjes dhe pasdite.

”Disa nga raketat ranë brenda zonës së vazhdueshme detare prej 24 miljesh të Tajvanit, por mbetën jashtë ujërave territoriale prej 12 miljesh”, thanë zyrtarët në Tajpei.

Ndërkohë, dhjetëra avionë kinezë kaluan vijën e mesit të Ngushticës së Tajvanit dhe hynë në hapësirën ajrore të ishullit.

Ministria e Mbrojtjes shtoi se edhe anije të shumta kineze iu afruan ose hynë në ujërat e kufizuara.

Forcat e armatosura të Tajvanit monitoruan situatën dhe reaguan përmes forcave të përbashkëta dhe sistemeve mbrojtëse.

Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij dhe ka deklaruar vazhdimisht se synon ta vendosë nën kontroll, nëse është e nevojshme edhe me forcë ushtarake. Ishulli qeveriset në mënyrë demokratike prej dekadash./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post TAJVAN – Tajpei: Kina ka lëshuar 27 raketa kundër ishullit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Rifillim gradual i trenave në Tunelin e La Manshit

30 December 2025 at 17:06

LONDËR, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shërbimet hekurudhore përmes Tunelit të La Manshit nga Londra drejt Evropës kontinentale pritet të rifillojnë gradualisht, pas një incidenti të mëparshëm me furnizimin me energji elektrike, njoftoi sot operatori i tunelit.

“Getlink”, kompania që menaxhon dhe operon Tunelin e La Manshit tha në një deklaratë se “një incident i lidhur me furnizimin me energji për trenat ndodhi mbrëmë në një pjesë të tunelit”.

Sipas kompanisë, nevojitet një ndërhyrje teknike, e cila është aktualisht duke u kryer, ndërsa shërbimi është pezulluar përkohësisht në të dy drejtimet.

“Trafiku pritet të rifillojë gradualisht rreth sot për klientët”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë, trenat nga Londra drejt Evropës kontinentale u pezulluan përkohësisht për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe udhëtarët u këshilluan të mos paraqiteshin në stacione.

Kompania “Eurostar” kërkoi ndjesë për pasojat e shkaktuara, duke deklaruar se “iu vinte shumë keq për ndikimin që kjo situatë mund të kishte në planet  e udhëtimit”./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – Rifillim gradual i trenave në Tunelin e La Manshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz & Von der Leyen: BE dhe Kanadaja shtojnë përpjekjet për paqen në Ukrainë

30 December 2025 at 16:26

BERLIN, 30 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zyrtarë evropianë dhe kanadezë kanë koordinuar përpjekje të mëtejshme për të çuar përpara procesin e paqes në Ukrainë, deklaruan sot kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Po e çojmë përpara procesin e paqes. Tani kërkohen transparencë dhe ndershmëri nga të gjithë, përfshirë Rusinë”, shkroi Merz në platformën X.

Von der Leyen tha se ishte zhvilluar një diskutim i mirë lidhur me mbështetjen për Ukrainën, sigurinë e saj dhe rindërtimin e vendit, i cili po mbrohet nga një pushtim i plotë rus që prej vitit 2022.

“Në fund të fundit, prosperiteti i një shteti të lirë ukrainas qëndron në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo është gjithashtu një garanci kyçe sigurie në vetvete”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian.

“Zgjerimi nuk përfiton vetëm vendet që anëtarësohen, por, siç tregojnë valët e njëpasnjëshme të zgjerimit, përfiton e gjithë Evropa”, shtoi Von der Leyen.

Megjithëse kohët e fundit janë zhvilluar bisedime mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit të Kremlinit Vladimir Putin, përpjekjet për paqe aktualisht janë zbehur nga akuzat ruse se Kievi ka shënjestruar vetë Putinin.

Moska pretendon se Ukraina ka tentuar një sulm me dron te dielen në mbrëmje ndaj rezidencës së Putin, akuzë që Ukraina e ka mohuar, duke deklaruar se një sulm i tillë nuk ka ndodhur. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BERLIN – Merz & Von der Leyen: BE dhe Kanadaja shtojnë përpjekjet për paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump mbështet sulme të tjera izraelite, nëse Irani zgjeron programin e raketave

29 December 2025 at 22:39

UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se do të mbështeste sulme të tjera izraelite ndaj Iranit, nëse Teherani refuzonte një marrëveshje të re bërthamore dhe vijon avancimin e programeve të raketave dhe armëve bërthamore.

“Tani dëgjoj se Irani po përpiqet të avancojë programet raketore, dhe nëse po, do të na duhet t’i godasim sërish”, tha Trump gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Trump sugjeroi se ndërhyrja do të ishte edhe më urgjente nëse përpjekjet diplomatike për të ndalur programin bërthamor të Iranit dështojnë.

“Do ta bëjmë menjëherë”, u shpreh ai, duke iu referuar sulmeve të mundshme.

Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi në një postim në platformën X, duke thënë se aftësitë raketore dhe mbrojtëse të Iranit “nuk janë të kufizueshme dhe nuk varen nga lejet”.

“Çdo agresion do të përballet me një përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër, përtej imagjinatës së planifikuesve të tij”,  shtoi ai.

Izraeli zhvilloi një lufte 12 ditore kundër Iranit në qershor, duke bombarduar objekte kyçe bërthamore në vend, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht  armëpushimit, një zgjidhje diplomatike e konfliktit mes dy armiqve të betuar nuk duket në horizont, ndërsa në të dy vendet kanë qarkulluar raportime për një rifillim të mundshëm të luftës.

Sipas burimeve izraelite, Irani po punon intensivisht për të rindërtuar arsenalin e tij të raketave, i cili, së bashku me programin bërthamor, shihet nga Izraeli si një kërcënim madhor./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump mbështet sulme të tjera izraelite, nëse Irani zgjeron programin e raketave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Roma konfirmon ndihmën ushtarake për Kievin edhe në 2026

29 December 2025 at 22:21

ROMË, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Italia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën edhe vitin e ardhshëm, pasi qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni miratoi sot një dekret që autorizon dorëzimin e vazhdueshëm të armëve dhe pajisjeve ushtarake për Kievin.

Italia konsiderohet një nga partneret më të besueshme të Ukrainës brenda NATO-s.

Megjithatë, vendimi për vazhdimin e ndihmës ushtarake në 2026, që ishte parashikuar të miratohej në fillim të dhjetorit, u shty pas kundërshtimeve nga një nga partnerët e koalicionit.

Partia populiste e djathtë “Lega”, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kërkoi ndryshime në tekst për të theksuar më shumë ndihmën civile dhe që dorëzimi i armëve të shënohej qartë si për qëllime mbrojtjeje.

Më pas qeveria ra dakord për ndryshime të vogla gjuhësore pa ndryshuar në mënyrë të ndjeshme përmbajtjen e dekretit, i cili gjithashtu parashikon zgjatjen e lejeve të qëndrimit për disa ukrainas në Itali.

Salvini është bërë gjithnjë e më kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Në nëntor, ai deklaroi se dërgimi i armëve nuk do ta zgjidhte konfliktin./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ITALI – Roma konfirmon ndihmën ushtarake për Kievin edhe në 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli planifikon vendosjen e sistemeve me lazer në avionë

29 December 2025 at 21:50

TEL AVIV, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Izraeli po planifikon të zhvillojë më tej sistemin e tij të ri të interceptimit me laser me fuqi të lartë, në mënyrë që të mund të instalohet edhe në avionë, përveç përdorimit në tokë, tha sot një nga punonjësit e kërkimeve.

“Jemi tashmë në gjeneratën tjetër”, tha  për transmetuesin “Kan”,  Daniel Gold, kreu i kërkimeve dhe zhvillimit për mbrojtjen.

Forcat izraelite morën dje sistemin e interceptimit me lazer me fuqi të lartë, të njohur si “Iron Beam”, i cili do të integrohet në sistemet ekzistuese të mbrojtjes kundër raketave me shumë shtresa.

Sistemi i lazerit u zhvillua nga kompanitë izraelite të mbrojtjes “Elbit Systems “dhe “Rafael”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

“Iron Beam” është dizajnuar për të punuar paralel me sistemet ”Iron Dome”, ”David’s Sling” dhe ”Arrow”.

”Testet kanë treguar se sistemi mund të ndalojë në mënyrë të besueshme raketat, mortajat, avionët dhe dronët”, tha ministria, duke shtuar se funksionimi i tij është dukshëm më i lirë se sistemet konvencionale me raketa./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post TEL AVIV – Izraeli planifikon vendosjen e sistemeve me lazer në avionë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Shpërthejnë protestat për krizën ekonomike në vend

29 December 2025 at 21:12

TEHERAN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Protestat në disa zona të kryeqytetit iranian vazhduan sot në ditën e dytë rresht, ndërkohë që zemërimi për përkeqësimin e krizës ekonomike të vendit nxiti njerëzit të dilnin në rrugë.

Dëshmitarët thanë se qindra pronarë dyqanesh mbyllën bizneset e tyre dhe i ftuan të tjerët t’iu bashkohen protestave, të cilat nisën pasi valuta kombëtare, monedha vendase, riali, ra në një nivel rekord brenda pak orësh, duke paralizuar tregtinë dhe duke lënë tregjet dhe tregtarët në një gjendje konfuzioni.

Ajo që filloi si një protestë ekonomike shpejt u kthye në një manifestim politik, me thirrje si “Vdekje diktatorit” kundër sistemit islamik.

Sipas dëshmitarëve, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Demonstratat sot  thuhet se u bënë më të mëdha dhe më sfiduese.

Dëshmitarët raportuan se protestuesit brohorisnin sloganet kundër sistemit islamik dhe qeverisë, madje duke kërkuar rikthimin e monarkisë me thirrje “Rroftë mbreti”.

Mediet lokale e pranuan me kujdes ekzistencën e protestave në disa pazare dhe qendra tregtare në Teheran, por shmangën raportimin për sloganet e ashpra politike.

Video të shpërndara në rrjetet sociale treguan turma të mëdha, megjithëse nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Vëzhguesit thonë se përshkallëzimi i papritur mund të jetë nxitur nga deklaratat e ministrit të Jashtëm, Abbas Araghchi, i cili përshkroi sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit si një “problem, por edhe një bekim për popullin”.

Inflacioni në Iran ka arritur prej muajsh nivele astronomike që e bëjnë të pamundur blerjen e artikujve bazë.

Qiratë e larta gjithashtu kanë detyruar shumë të rinj iranianë të kthehen në shtëpitë e prindërve të tyre./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Shpërthejnë protestat për krizën ekonomike në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌