Tomas Guidara ia hap derën Shqipërisë: Jam në kontakte me FSHF-në, dua të mësoj më shumë për rrënjët e mia
Mbrojtësi Tomas Guidara që ka përfaqësuar Argjentinën në grupmosha, publikisht ka shprehur gatishmëri për të luajtur në fanellën e Shqipërisë.
Guidara për herë të parë ra në sy kur Sylvinho e përmendi se kishte gjetur një shqiptar në Argjentinë. Tani, për herë të parë futbollisti që mbron fanellën e Hurucan ka pranuar se dëshiron të luajë me “Kuq e Zinjtë”.
Ai për “Panorama Sport” deklaroi se dëshiron të mësojë më shumë për rrënjët shqiptare dhe që ndodhet në kontakte me FSHF-në.
“Të them të drejtën, më tërhoqi shumë vëmendjen dhe u entuziazmova kur mora vesh që një kombëtare tregoi interes për mua. Është gjithmonë diçka shumë e bukur dhe motivuese kur shikon që puna jote dhe përkushtimi vlerësohen në një nivel të tillë, dhe kjo të bën të ndihesh i njohur dhe pjesë e diçkaje më të madhe se vetja”.
“Sinqerisht, di shumë pak për prejardhjen time shqiptare. Është diçka që gjithmonë më ka ngjallur shumë kureshtje dhe dëshirë për të mësuar më shumë, por për momentin nuk kam kontakte direkt me persona nga Shqipëria apo komunitetin arbëresh, gjë që do të më pëlqente ta ndryshoja në të ardhmen”.
Ai shtoi se ndodhet në kontakte me FSHF-në, kurse është i hapur për ta përfaqësuar përfundimisht Shqipërinë.
“Po, ka pasur kontakt. Federata Shqiptare e Futbollit ka komunikuar drejtpërdrejt si me mua, ashtu edhe me përfaqësuesin tim, duke shprehur interesin e tyre për të më pasur në skuadër. Ishte një ndjesi shumë pozitive dhe një shenjë që puna ime vlerësohet jashtë vendit”, deklaroi ai.
Përndryshe, nuk dihet nëse Guidara është i pajisur me pasaportë shqiptare dhe nëse mund të ftohet nga Sylvinho për ndeshjet e muajit mars, në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Kupës së Botës./Telegrafi/
