Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Main stream

Çka tha vërtet Gërvalla për Gjykatën Speciale? – Panduri publikon deklaratat e saj të vitit 2016

12 January 2026 at 21:48


Donika Gërvalla, tani ministre në detyrë e Punëve të Jashtme, më 20 prill të vitit 2016, në emisionin Info Box në RTV Dukagjini, kishte deklaruar se posedon dëshmi që lidhin drejtpërdrejt Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin dhe SHIK-un me krimin.

“Unë kam dëshmi madje me shkrim në zarfe të mbyllura, të cilat i janë paraqitur organeve të ndryshme, i kam personalisht në shtëpinë time në Bon”.

”I kam dërgu dikun, jam juriste me profesion, aty ku unë e kam pa të arsyeshme që duhet dërguar” kishte thënë ajo derisa ishte pyetur nga Rama se a janë dërguar në Kosovë apo diku tjetër Gërvalla ishte përgjigjur:diku tjetër.

Rama kishte inistuar se ku i ka dërguar këto dokumente derisa kishte pyetur direkt Gërvallën se mos i kishte dërguar në Gjykatën Speciale ku kjo e fundit kishte pohuar se kishte dërguar aty.

”Po”, kishte thënë Gërvalla duke shtuar se ”disa prej tyre po”.

”Jo nuk kam dërguar, nuk kam mundësi ti dërgoj dokumentet, jo jo, ka disa tema të ndara, Gjykata Speciale është tem shumë e freskët, unë flas për dëshmi të cilat në vazhdimësi gjatë këtyre viteve, Gjykata Speciale është një temë që ka rrjedh gjatë muajëve të fundit, ka institucione ndërkombëtare të cilat në vazhdimsi, institucione të cilat ndër të tjera e financojnë EULEX-in, të cilat janë lajmëruar, janë njoftuar dhe është kërkuar ndihma e tyre në hetimin e vrasjeve që SHIK-u ka bërë ndaj aktivistëve të LDK-së”.

Ajo, gjatë asaj interviste, përballë Ermal Pandurit dhe Fidan Ramës, kishte thënë se ato dëshmi i kishte deponuar diku.

“Janë një sërë argumentesh të cilat Hashim Thaçin, i cili edhe kur ishte në opozitë, por sidomos pasi u bë kryetar i shtetit, dhe atëherë filloi degradimi total i Kosovës, Hashim Thaçi e ktheu këtë vend në një qerdhe të krimit të organizuar dhe të korrupsionit dhe nuk është e habitshme pastaj që gjërat rrodhën dhe erdhën ashtu siç erdhën… kemi Kadri Veselin, shefin e SHIK-ut, gjithkush në botë e di se kush është Kadri. Kadri Veseli është ish-koka e një organizate që ka kryer krime të rënda ndaj kundërshtarëve politikë”, kishte thënë Gërvalla.

Mirëpo, së voni ajo ka thënë në një paraqitje televizive se intervista e saj ishte prerë dhe shkëputur nga konteksti.

Për këtë, Ermal Panduri, autor i emisionit Debat Plus, ia ka shfaqur intervistën e plotë, duke komentuar hap pas hapi deklarimin e saj të asokohe.

Asokohe, deklarimet e saj ishin pak kohë pas themelimit të Gjykatës Speciale dhe kishin bërë bujë, por bujë po bëjnë edhe tani, pasi që ajo pretendon se videoja është e manipuluar dhe e nxjerrë nga konteksti.

“Dua ta bëj të qartë që në fillim se ajo video që po qarkullon nëpër rrjete sociale asnjëherë, madje as edhe një herë, nuk është prerë nga Televizioni Dukagjini”, ka thënë Panduri.

“Të mos ta lënë këtë çështje në errësirë, por videon e prerë ta lëshojnë deri në fund, është shkëputur”, ka thënë Gërvalla në emisionin Politiko në Kanal 10.

Në vlerë prej 7 miliardë euro, këto janë dhjetë shtetet kryesore nga të cilat Kosova importoi mallra

12 January 2026 at 20:04


Kosova po vazhdon të rritë varësinë nga mallrat e importuara, duke çuar deficitin tregtar në nivele të larta.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2025, vendi ka importuar mallra në vlerë rreth 7 miliardë euro, ndërsa vlera e eksportit ishte vetëm 929 milionë euro.

Kjo tregon një diferencë të madhe mes importeve dhe eksporteve.

Për krahasim, gjatë vitit 2024 vlera e importit ishte 6.38 miliardë euro, ndërsa në vitin 2023 ishte 5.878 miliardë euro.

Sipas të dhënave, top 10 partnerët tregtarë të Kosovës për import janë:

Gjermania – 1 miliard euro

Turqia – 926 milionë euro

Kina – 920 milionë euro

Italia – 368 milionë euro

Maqedonia Veriore – 350 milionë euro

Shqipëria – 286 milionë euro

Greqia – 279 milionë euro

Polonia – 273 milionë euro

Serbia – 234 milionë euro

India – 185 milionë euro

Në vitin 2024, Turqia kishte qenë partneri kryesor për import, ndërsa Gjermania në vendin e dytë.


Qytetari nga Ferizaj gjen para në rrugë dhe i dorëzon në polici

12 January 2026 at 19:52


Një qytetar nga Ferizaj, A. Cakolli, 61 vjeç, ka treguar shembull të veçantë përgjegjshmërie dhe ndershmërie qytetare, duke dorëzuar një shumë të parave që i kishte gjetur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në stacionin policor të qytetit.

Ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2026, rreth orës 16:00. Paratë janë numëruar në prezencë të qytetarit, dhe për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa është iniciuar “Shënim zyrtar”.

Mjetet e gjetura ruhen aktualisht në stacionin policor të Ferizajt.

Policia bën apel tek pronari i ligjshëm i shumës që të paraqitet në stacion për verifikim dhe tërheqje të parave.

Policia Rajonale e Ferizajt falënderon qytetarin për gjestin shembullor dhe human, i cili tregon përgjegjshmëri dhe ndershmëri qytetare.

Me këtë veprim, qytetari A. Cakolli jep një shembull të mirë për komunitetin dhe për respektimin e ligjit.

Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave?

12 January 2026 at 19:04


Bashkimi Evropian ka njoftuar se në muajin janar do të nisë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës.

Sanksionet janë vendosur në verën e vitit 2023, pasi Prishtina zyrtare ka zbatuar rezultatet e zgjedhjeve të kontestuara në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Ky hap mund t’i ringjallë shpresat evropiane të Kosovës, pasi 2026-ta mund të jetë viti kur aplikimi për anëtarësim në BE, i dorëzuar në fund të vitit 2022, do të shqyrtohet për herë të parë nga Komisioni Evropian.

Po ashtu, ekziston mundësia që dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Brukseli, të rifillojë pas një ndërprerjeje dyvjeçare.

Sanksionet kanë qenë të diskutueshme dhe pa precedent në raportet e BE-së me një vend aspirant për anëtarësim.

Ato nuk kanë qenë sanksione në kuptimin e plotë politik dhe procedural, ndaj në qarqet e Brukselit janë konsideruar më tepër si “masa”.

Sanksionet e BE-së duhet t’u paraqiten 27 shteteve anëtare përmes një akti formal ligjor dhe të miratohen njëzëri. Kjo ka ndodhur, për shembull, në vitin 2019, kur Brukseli ka ngrirë asetet dhe ka ndaluar vizat për individë nga Turqia - vend kandidat për anëtarësim në BE - për shkak të shpimeve të paautorizuara për gaz në Mesdheun Lindor.

Në rastin e Kosovës, një procedurë e tillë nuk është ndjekur. Në vend të saj, shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka dërguar një letër shteteve anëtare, ku i ka përshkruar masat dhe u ka rekomanduar kryeqyteteve që t’i zbatojnë ato, ndonëse nuk ka pasur ndonjë detyrim formal.

Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim - departament i BE-së që merret me vendet që synojnë anëtarësimin në bllok - e ka njoftuar më pas Kosovën për masat që do të ndërmerren kundër saj.

Këto masa kanë qenë kryesisht të natyrës së brendshme të BE-së; ato kanë përfshirë ngrirjen e fondeve për Kosovën nga buxheti i përbashkët i BE-së, pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe mosmbajtjen e mbledhjeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit - mekanizmit kryesor politik të marrëdhënieve Bruksel-Prishtinë - deri në një njoftim të dytë.

Ndonëse për vendosjen e masave nuk ka pasur unanimitet formal të shteteve anëtare të BE-së, për heqjen e tyre është kërkuar.

Kur Borrell - në njërin nga veprimet e tij të fundit para largimit nga detyra në vitin 2024 - ka kërkuar heqjen e masave, nuk ka pasur konsensus dhe vendimi fillestar ka mbetur në fuqi.

Një dinamikë e re në favor të Kosovës është krijuar me nisjen e punës së përbërjes së re të Komisionit Evropian në fund të vitit 2024, kur disa diplomatë evropianë kanë vlerësuar se komisionari në largim për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili vinte nga Hungaria, ka pasur “një simpati të veçantë” për Serbinë dhe ka penguar çdo lëvizje reale në favor të Kosovës.

Më pas është paralajmëruar “heqja graduale” e masave, por nuk është shpjeguar qartë se cilat masa do të hiqeshin dhe në çfarë afati.

Gjatë vitit 2025, Kosovën e kanë vizituar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke hedhur poshtë idenë se ekzistonte ndalesa për vizita të nivelit të lartë.

Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, asnjë politikan i lartë kosovar nuk ka realizuar ndonjë vizitë dypalëshe në Bruksel.

Një përparim i madh politik ka ndodhur pastaj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Bruksel, më 17 dhjetor. Atë ditë, von der Leyen ka njoftuar se masat ndaj Kosovës do të hiqen.

Ky vendim ka pasuar zgjedhjet lokale të tetorit në veri të Kosovës, të cilat Brukseli i ka vlerësuar si “të qeta dhe paqësore”, duke përmbysur kështu qasjen që ka ndërmarrë në vitin 2023.

Megjithatë, kjo nuk ka shënuar fundin e rrëfimit.

Para samitit, Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Spanja kanë propozuar që heqja e masave të bëhej në dy faza.

Sipas këtij plani, gjysma e parave të ngrira, rreth 216 milionë euro, do të lëshohej menjëherë për Prishtinën, ndërsa gjysma tjetër, 205 milionë euro, do të shpërndahej pas zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor.

Arsyeja ishte se lëshimi i menjëhershëm i të gjitha parave, do t’i jepte avantazh të madh politik kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore.

Kushti i ri është vendosur nga pothuajse të njëjtat shtete që në vitin 2023 kanë luajtur rol kyç në shmangien e masave të ngjashme të BE-së ndaj Serbisë, pasi militantë serbë - me mbështetje të dyshuar nga Beogradi zyrtar - kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë një oficer të vrarë.

Disa shtete të tjera anëtare të BE-së janë ankuar se vendet proserbe po nxisnin sërish veprime kundër Kosovës, por më pas kanë rënë dakord, duke dëshiruar të shmangnin një tjetër ngërç politik.

Në fund, Kurti ka rritur numrin e votave dhe BE-ja ka njoftuar menjëherë se gjysma e dytë e parave të ngrira do të lirohet në fillim të vitit 2026.

Problemi tani është se, edhe pse janë marrë vendimet politike për heqjen e të gjitha masave, puna teknike nuk ka filluar ende.

Granti i parë është “programuar”, që do të thotë se është caktuar për përfitues të ndryshëm në Kosovë, por paratë ende nuk janë transferuar.

Sipas zyrtarëve të BE-së, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, as hapi formal për të “programuar” grantin e dytë nuk është bërë akoma, edhe pse pritet të kryhet si formalitet gjatë janarit.

Pasi këto masa janë vendosur në mënyrë të paprecedentë në vitin 2023, në Bruksel është duke u diskutuar edhe për atë se çfarë duhet bërë teknikisht për t’i hequr ato.

Për shembull, a duhet që shtetet anëtare të BE-së të konsultohen sërish me shkrim apo përmes ndonjë grupi pune apo komiteti të Këshillit, apo Komisioni mund të vazhdojë pa marrë miratimin e tyre?

Ajo që dihet me siguri është se Komisioni Evropian dëshiron të rifillojë të angazhohet me Kosovën.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por të dërguarit të Brukselit për këto bisedime, diplomatit danez, Peter Sorensen, së fundmi i është rinovuar mandati edhe për dy vjet.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Ekziston gjithashtu mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Evropian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.

Çekia, e cila ka pranuar aplikimin e Kosovës gjatë kryesimit të saj me BE-në më 2022, ka qenë vendi i fundit që ka bërë përpjekje reale për ta trajtuar këtë çështje.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën - Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja - kanë bllokuar çdo përparim dhe ua kanë bërë të qartë vendeve të tjera anëtare që kanë pasur presidencën e radhës, se nuk do ta trajtojnë këtë çështje.

Pritjet janë që gjërat të mos lëvizin gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa ndryshime mund të ketë kur Irlanda ta marrë presidencën në muajin korrik.

Dublini e ka bërë të qartë se po punon për t’i përfunduar negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE deri në fund të vitit dhe se synon të afrojë edhe Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën me bllokun.

Me zgjerimin e BE-së si një nga prioritetet kryesore, Irlanda mund të nisë gjithashtu edhe një vlerësim për Kosovën.

Sipas thashethemeve në Bruksel, Spanja - shpesh më e vështira mes pesëshes që s’e njeh Kosovën - mund të lejojë që Komisioni ta bëjë një vlerësim, për aq kohë sa një gjë e tillë nuk i detyron shtetet anëtare ta diskutojnë menjëherë çështjen e njohjes së Kosovës./REL.

Osmani dhe Wikoff diskutojnë bashkëpunimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal

12 January 2026 at 18:26


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më strategjike të Aleancës Veriatlantike.

Osmani e uroi Admiralin Wikoff për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në udhëheqjen e komandës, duke shprehur besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara për kontributin e vazhdueshëm në garantimin e paqes dhe stabilitetit në vend që nga viti 1999.

Ajo shprehu vlerësim të veçantë për misionin e KFOR-it, duke e cilësuar atë si forcë të besueshme parandaluese dhe garantuese të sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallime.

Presidentja gjithashtu konfirmoi përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe theksoi se vendi mbetet partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, i përkushtuar ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Vuçiqi pretendon pa fakte se FSK-ja po armatoset për ta kërcënuar Serbinë

12 January 2026 at 18:11


Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri Kombëtare në Serbi, mbajtur më 4 janar 2026, presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq ka intensifikuar retorikën alarmuese për zhvillimet e sigurisë në Kosovë, duke pretenduar se vendi po armatoset në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se në rajon po konsolidohet një bashkëpunim i ri ushtarak që, sipas tij, cenon drejtpërdrejt interesat dhe sigurinë e Serbisë.

Vuçiqi e ka cilësuar këtë situatë si një kërcënim ekzistencial ndaj vendit të tij, duke theksuar se Serbia po kalon në një fazë të re të gatishmërisë mbrojtëse. Ai e mbylli adresimin e tij me një paralajmërim të qartë, duke u shprehur: “Tashmë po përgatitemi për mbrojtje nga ata që jo më në mënyrë të fshehtë, por hapur po dërgojnë kërcënime ndaj vendit tonë”.

Pretendimi për armatosjen e Kosovës si rrezikim i stabilitetit rajonal dhe sigurinë e Serbisë

Vuçiqi pohon se procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri po zhvillohet me mbështetje të fuqive perëndimore dhe Turqisë, në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, rendi ndërkombëtar që parashihte mungesën e një ushtrie vendore në Kosovë është zhbërë në praktikë, ndërsa pajisja dhe trajnimi i forcave të Kosovës po krijon një realitet të ri ushtarak që rrezikon stabilitetin rajonal dhe sigurinë e Serbisë.

A qëndron kjo?

Rezoluta 1244 nuk e pengon furnizimin me armë të Kosovës. Megjithëse ajo ruan kornizën e përkohshme ndërkombëtare të sigurisë, Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë dhe ka siguruar njohje ndërkombëtare, si dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ushtarake dhe për armatim me shtete anëtare të NATO-s. (shih këtu dhe këtu).

Armatosja nuk e cenon mandatin e KFOR-it dhe nuk përbën militarizim të ndaluar. Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-ja ka disa kompetenca dhe disa parime. Në to përfshihen vetëm aspektet e mbrojtjes së sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të interesave të Kosovës.

Kosova ka arritur marrëveshje për blerje armësh edhe me shtete të tjera të NATO-s dhe këtë e ka bërë tash e sa vjet, qëkur u miratuan tri ligje në dhjetor të vitit 2018 për transformimin e FSK-së në ushtri.

KFOR-i është misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë. Trupat e tij kanë për mandat të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (Shih këtu).

Pas tranzicionit të FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjeve, kryeministri i atëkohshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in” e se FSK-ja është e gatshme të shërbejë bashkë me forcat e KFOR-it.

ShBA-ja e pati konsideruar të drejtë sovrane të Kosovës transformimin e FSK-së në forcë “me mandat për mbrojtje territoriale” (shih këtu).

Pretendimi se marrëveshja ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci është në dëm të Serbisë

Një tjetër element i narrativës së Vuçiqit është ekzistenca e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, të cilin ai e përshkruan si një aleancë ushtarake de facto.

Ai pretendon se këto tri palë po koordinohen në blerjen dhe zhvillimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë sisteme më të avancuara luftarake, duke e interpretuar këtë bashkëpunim si përpjekje për të ndryshuar ekuilibrat e sigurisë në rajon në dëm të Serbisë.

A qëndron kjo?

Në Tiranë, më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia formalizuan një deklaratë të përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, si dhe nga homologët e tij, Pirro Vengu i Shqipërisë dhe Ivan Anushiq i Kroacisë.

Në deklaratën e nënshkruar nga treshja, u përcaktuan katër pika bashkëpunimi:

  • Nxitja e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse;
  • Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe ushtrimeve;
  • Luftimi i kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë;
  • Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, bënte të ditur se angazhimi i parë i paraparë në deklaratën e përbashkët është realizimi i blerjeve të përbashkëta të armatimit, duke bërë një porosi të vetme nga ShBA-ja në emër të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, me qëllim uljen e kostos dhe përshpejtimin e afateve të dorëzimit.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, sipas deklaratave të ministrave të Mbrojtjes të vendeve nënshkruese të marrëveshjes, nuk ka karakter agresiv, por synon forcimin e bashkëpunimit në siguri, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes trajnimeve dhe kontributin në paqen rajonale, pa përbërë kërcënim për asnjë shtet. Ajo reflekton orientimin e përbashkët drejt integrimit euroatlantik dhe mbështetjen e Kosovës nga dy vende anëtare të NATO-s në kuadër të stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, roli i NATO-s dhe misionit KFOR mbetet faktor kyç stabilizues, ndërsa marrëveshja është në përputhje me përpjekjet afatgjata për ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve në rajon.

Pra, pretendimet e Alleksandar Vuçiqit se armatosja e Kosovës dhe marrëveshja trilaterale mes saj, Shqipërisë dhe Kroacisë përbëjnë kërcënim për Serbinë dhe stabilitetin rajonal, nuk qëndrojnë në bazë të fakteve të verifikueshme. Procesi i ndërtimit të kapaciteteve të sigurisë së Kosovës zhvillohet në përputhje me legjislacionin vendor, praktikat ndërkombëtare dhe me mbikëqyrjen e vazhdueshme të NATO-s përmes KFOR-it, ndërsa bashkëpunimi trilateral ka karakter mbrojtës dhe integrues, jo agresiv. Këto zhvillime reflektojnë orientimin euroatlantik të rajonit dhe synojnë forcimin e paqes dhe stabilitetit, e jo krijimin e rreziqeve të reja të sigurisë për Serbinë apo për komunitetet në Ballkanin Perëndimor./Hibrid.info.

PDK nis përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake

12 January 2026 at 17:43


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.

Gjatë mbledhjes janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur mbështetjen e saj tradicionale.

Po ashtu, Kryesia ka nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.

Si hap i parë drejt forcimit të mëtejmë të strukturave partiake, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme, të cilat do të mbahen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët deri te organet qendrore të partisë.

Sipas njoftimit, procesi pritet të nisë në javët e ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent.

Ky proces ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e partisë për sfidat e ardhshme politike.

Partia Demokratike e Kosovës ka theksuar se, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, do të vazhdojë të forcojë rolin e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit të Republikës së Kosovës.


Disa shkolla përballen me mungesë të ngrohjes, reagon Nagavci

12 January 2026 at 17:15


Sot në ka filluar gjysmëvjetori i dytë, por jo në të gjitha komunat e Kosovës.

Drenasi, Malisheva e Fushë Kosova kanë vendosur që ta shtyjnë fillimin e mësimit si pasojë e motit të pafavorshëm dhe vërshimeve.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se në disa komuna mësimi nuk ka nisur edhe për shkak të problemeve me ngrohje.

Nagavci në një bisedë për Kosovpress, ka thënë se kjo është kompetencë dhe keqorganim i komunave. Ndër tjera, theksoi se çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet, për çka shtoi se do të bëhet plani dhe të ndahet me komunat.

“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me komunat edhe mbrëmë deri në orët e vona edhe sot po ashtu. Dhe në bazë të informacioneve që kemi, në tre komuna është shtyrë fillimi i vitit shkollor, në Malishevë për shkak të reshjeve edhe situatës së krijuar me vështirësi në komunikacion në qarkullim, ndërkohë që në Fushë Kosovë dhe në Drenas ka pasur probleme edhe për shkak të ngrohjes. Pra në tri komuna, në Drenas, në Malishevë dhe në Fushë Kosovë, është shtyrë fillimi i procesit mësimor”, deklaroi ajo.

Ministrja në detyrë e Arsimit bëri të ditur se edhe në disa komuna të tjera ka pasur shkolla që janë përballur me probleme të ngrohjes.

“Në Prishtinë kanë njoftuar se e kanë filluar mësimin në të gjitha shkollat. Në Ferizaj është vetëm në një shkollë. Në fshatin Tërn nuk ka filluar mësimi, në shkollat e tjera po. Kjo për shkak të problemeve me ngrohje. Në Kaçanik, në Lipjan dhe në Shtime e kanë filluar shkollat mësimin, por janë riorganizuar nga ana e komunës. Prizren, Suharekë edhe Dragash, edhe në Mamushë ka filluar mësimi sot me vonesë në dy shkollat e Prizrenit për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore. Ndërkohë edhe në Vushtrri, mësimi nuk ka filluar në shkollën ‘Dëshmorët’ në Zhilivodë për shkak të problemeve me ngrohjen qendrore”, shtoi Nagavci.

Për këtë ajo ka fajësuar komunat, për çka deklaroi se është keqorganizim.

“Po, kjo është shumë problem, por është përgjegjësi e komunës, kompetencë ligjore e komunës. Gjithsesi, ata duhet të raportojnë në detaje edhe çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet. Edhe natyrisht duhet të adresohet që probleme të tilla të mos ndodhin në të ardhmen, sepse është absurde që të mbeten pa lëndë të para ngrohëset në mes të periudhës së dimrit... Kjo është papërgjegjësi edhe keq organizim, nuk ka të bëjë me, si të them, sikurse te çështja e vërshimeve kur është diçka e paplanifikuar edhe në aspekt të faktorëve të jashtëm natyrorë në këtë rast”, u shpreh ajo.

E pyetur se si do të kompensohen orët e humbura, Nagavci tha shkurt se do të hartohet një plan.

Gazetaret serbe: Mediat në Serbi deformojnë realitetin e jetës në Kosovë

11 January 2026 at 23:38


Gazetarja e BIRN Serbia, Tijana Uzelac, ka deklaruar se qytetarët në Serbi nuk kanë një pasqyrë reale për jetën në Kosovë, për shkak të dezinformatave dhe raportimit të njëanshëm mediatik.

Sipas saj, burimet kryesore të informacionit në Serbi janë kryesisht aktorët politikë, përfshirë partinë në pushtet dhe partitë e tjera, ndërsa mediat luajnë një rol kyç në përhapjen e dezinformatave.

Në një intervistë për Kallxo, Uzelac thekson se narrativi dominues në Serbi shpesh e paraqet popullin serb si të pafajshëm në çdo rrethanë, duke anashkaluar kompleksitetin e realitetit në Kosovë.

Ajo shton se qytetarët serbë zakonisht nuk janë të informuar për mënyrën se si jetojnë serbët dhe shqiptarët në Kosovë, përveç rasteve kur kanë kontakte të drejtpërdrejta me njerëz nga këto komunitete.

Sipas saj, raportimi mediatik i shtrembëruar krijon një perceptim të gabuar për marrëdhëniet ndëretnike dhe për funksionimin e jetës së përditshme në Kosovë.

Në përfundim, Uzelac vlerëson se informacionet që qarkullojnë në Serbi janë kryesisht njëanshme, gjë që pamundëson krijimin e një pasqyre reale për jetën në Kosovë dhe realitetin e komuniteteve që jetojnë atje.

Ndërkaq, gazetarja tjetër nga Serbia, Maria Popiviq, vlerëson se një nga narrativët kryesorë që u ofrohet votuesve është ai se serbët nuk janë kurrë fajtorë për asgjë, ndërsa përgjegjësia gjithmonë u atribuohet të tjerëve.

“Për nevojat e mobilizimit të sa më shumë votuesve, përdoret pikërisht ky narrativ – se serbët nuk janë kurrë fajtorë dhe se gjithmonë fajin e kanë të tjerët. Kjo është diçka që personalisht nuk më pëlqen”, ka deklaruar Popiviq.

Ajo thekson se roli i gazetarisë duhet të jetë verifikimi i fakteve dhe ofrimi i një pasqyre të plotë të realitetit, pavarësisht presioneve politike apo interesave të caktuara.

“Si gazetare, mendoj se është e domosdoshme të shikohen dhe të verifikohen të gjitha faktet”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, Popiviq pranon se problemi i mungesës së edukimit mediatik nuk është i kufizuar vetëm në Serbi, por shtrihet edhe në Kosovë dhe Shqipëri.

“Në përgjithësi, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi dhe në Shqipëri, ne nuk jemi mjaftueshëm të arsimuar mediatikisht në kuptimin e verifikimit të informacionit që konsumojmë”, ka përfunduar ajo.

Before yesterdayMain stream

IHMK paralajmëron rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore, rrezik nga ngricat në rrugë

7 January 2026 at 23:54


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar për një ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike, duke njoftuar se gjatë natës pritet rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në pjesë të ndryshme të vendit.

Sipas IHMK-së, era do të ndryshojë drejtimin, duke kaluar nga juglindja në veri dhe veriperëndim, çka do të favorizojë depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore. Ky zhvillim pritet të shoqërohet me ulje të ndjeshme të temperaturave në të gjitha rajonet e Kosovës.

Si pasojë, reshjet aktuale të shiut pritet që pas mesnatës të shndërrohen gradualisht në reshje bore. Fillimisht, bora do të paraqitet në viset kodrinore dhe malore, ndërsa më pas pritet të përfshijë edhe viset e ulëta, duke krijuar shtresa bore edhe në zonat fushore. Në disa zona malore, reshjet e borës tashmë janë të pranishme dhe në disa lokalitete po shënohen reshje të dendura.

IHMK ka paralajmëruar se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor.

Vështirësi më të theksuara në komunikacion pritet të ketë në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ndodhin rrëshqitje dhe ngrirje e shpejtë e sipërfaqeve rrugore.

Për këtë arsye, IHMK rekomandon që autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Instituti thekson se këto kushte meteorologjike mund të kenë ndikim edhe në sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë, furnizimin me energji elektrike dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve, duke këshilluar ndjekjen e vazhdueshme të paralajmërimeve zyrtare dhe marrjen e masave parandaluese për sigurinë personale dhe mbrojtjen e pronës.

Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik për shkak të shiut, borës dhe ngricave

7 January 2026 at 23:26


Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ngasjes, si pasojë e ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës në disa pjesë të vendit.

Në njoftimin e saj, Policia thekson se kushtet aktuale krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun për aksidente, veçanërisht për shkak të rrugëve të lagura, të mbuluara me borë dhe mundësisë së paraqitjes së ngricave.

Autoritetet u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me shi, borë apo akull.

Po ashtu, Policia e Kosovës këshillon shoferët që të pajisen me goma dhe pajisje dimërore, duke theksuar se respektimi i këtyre masave është i domosdoshëm për sigurinë në trafik.

“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

Pas vërshimeve, reshjet e borës  mbulojnë disa qytete të Kosovës

7 January 2026 at 23:15


Pas reshjeve të shiut që shkaktuan vërshime në disa zona të Kosovës, situata meteorologjike ka ndryshuar, ndërsa në shumë pjesë të vendit ka nisur të bie borë.

Faqja “Meteo Ballkan” ka publikuar një video nga bora që po bie në Podujevë, ku shihet se qyteti është zbardhur brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Podujeva zbardhet shumë shpejt”, thuhet në mbishkrimin e videos së publikuar.

Ndërkohë, pamje të reshjeve të borës janë publikuar edhe nga Mitrovica, ku bora ka mbuluar rrugët dhe objektet, duke krijuar kushte tipike dimërore pas vërshimeve të ditëve të fundit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, pasi temperaturat e ulëta dhe rrugët e lagura mund të shkaktojnë ngrica dhe vështirësi në trafik./Telegrafi.


Përmbytjet në Kosovë në sy të mediave botërore

7 January 2026 at 23:05


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës gjatë kësaj jave, duke detyruar shërbimet emergjente të ndërhyjnë në incidente të shumta në mbarë vendin, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

Sipas Reuters, pamje nga qyteti i Kuzminit tregojnë vetura të zhytura nën ujë, shtëpi të përmbytura dhe zjarrfikës që evakuojnë banorë të mbetur të bllokuar si pasojë e rritjes së nivelit të ujit.

Autoritetet lokale kanë angazhuar ekipet e emergjencës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur, ndërsa situata mbetet e vështirë në disa zona për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe dëmeve në infrastrukturë.

Reuters raporton se përmbytjet kanë shkaktuar gjithashtu probleme në furnizimin me energji elektrike, duke lënë pa rrymë disa vendbanime, ndërkohë që autoritetet po punojnë për normalizimin e gjendjes.

Po ashtu edhe Sky News edhe Al Jazeera kanë raportuar për gjendjen e rëndë si pasojë e vërshimeve./Telegrafi.

Kurti: Sonte natë kritike në rrugët e Kosovës, shmangni lëvizjet e panevojshme

7 January 2026 at 22:45


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.

Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës.

Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.

Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.

Sipas Kurtit, institucionet po bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë në rrugë, por kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të ulur rrezikun dhe për të rritur sigurinë e përgjithshme./Telegrafi.


Rifillon trajtimi i ujit me kapacitet të reduktuar në Mitrovicë

7 January 2026 at 22:42


KRU “Mitrovica” Sh.A. ka njoftuar se ka filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit nga impiantet e saj, por me kapacitet të reduktuar. Sipas kompanisë, rritja e kapacitetit do të bëhet gradualisht, varësisht nga krijimi i kushteve teknike.

Nga KRU “Mitrovica” është bërë e ditur se uji i shpërndarë në këtë fazë nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare.

Gjatë ditës në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Varagë, si pasojë e reshjeve ka rrëshqitur dheu, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke lënë qytetarët pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka njoftuar se rrëshqitjet përgjatë kanalit kanë ndikuar në cilësinë e ujit të papërpunuar, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.

Ndërkohë, KRU “Mitrovica” ka sqaruar se ndërprerja e furnizimit ka ndodhur për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.

Gjatë ditës, kjo kompani ka njoftuar se po realizon shpërndarje të ujit përmes autobotëve në disa lokacione të qytetit, përfshirë rrugën “Ali Zeneli”, sheshin “Adem Jashari” dhe rrugën “Mehë Uka”. Po ashtu, është bërë e ditur se nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë, autoboti do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika”.

Nga KRU “Mitrovica” është theksuar se qytetarët do të informohen me kohë për çdo përmirësim të situatës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Bajrami: Ekziston rrezik për përmbytje të reja, Qeveria duhet të sigurojë fonde emergjente

7 January 2026 at 21:34


Shirat e rrëmbyeshëm gjatë ditëve të fundit nxitën vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, të cilat shkaktuan dëme materiale dhe detyruan autoritetet ta shtyjnë për disa ditë rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror.

Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, si dhe bllokim rrugësh të martën.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për banorët, bizneset dhe bujqit e prekur nga përmbytjet, duke paralajmëruar rrezikun e reshjeve të reja.

Sipas saj, secili banor duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet dhe çdo bujk të marrë mbështetje, ndërsa çdo familje të ketë ndihmë emergjente.

Ajo theksoi se shteti duhet të jetë në terren pranë qytetarëve në Drenas, Malishevë, Junik, Gjakovë dhe komunat e tjera të prekura.

Bajrami kërkoi që qeveria të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji dhe të ndajë buxhet në vitin 2026 për veprime konkrete në parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla në të ardhmen.

Gjendja me vërshime në vend vazhdon të jetë “dinamike” në disa komuna, përfshirë Prizrenin, pasi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Facebook.

“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”.

Por, agjencia paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet në rast se do të bjerë më shumë shi, “megjithatë rreziku i tanishëm vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./Telegrafi.

Aksidentohet rëndë familja pesë anëtarësh nga Rahoveci, po ktheheshin në Gjermani

7 January 2026 at 20:51


Një aksident i rëndë ka ndodhur të mërkurën në zonën e Waldshut-Tingen, pranë kufirit me Zvicrën, duke përfshirë një familje pesëanëtarëshe shqiptare.

Familja po kthehej nga Kosova dhe aksidenti ndodhi pak minuta para se të mbërrinin në vendin ku jetojnë.

Sipas informacionit të publikuar nga gazetari Bahri Çani në Facebook, në makinë kanë qenë prindërit me tre fëmijë të vegjël, nga një deri në tre vjeç.

Të gjithë anëtarët e familjes kanë pësuar lëndime, ndërsa një prej fëmijëve ka marrë dëmtime më të rënda.

Të lënduarit janë dërguar në spitale, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Familja është me origjinë nga Rahoveci.

Gazetari u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë udhëtimeve, duke pasur parasysh kushtet jo të mira në rrugë dhe distancat e gjata nga vendlindja.

Mërgimtarët ankohen për çmimet e larta në Kosovë

7 January 2026 at 20:42


Kur kosovarët e diasporës kthehen në vendlindje për pushime, ata gjejnë kënaqësi në kohën e kaluar me familjarët, por gjithashtu shprehin shqetësime për kushtet e jetesës në Kosovë, veçanërisht për çmimet e larta dhe të ardhurat jo të kënaqshme.

Megjithatë, mërgimtarët ua qajnë hallin atyre që jetojnë në Kosovë, për shkak të kushteve të jetës, të cilat lidhen me të ardhura jo të kënaqshme, e çmime të zorshme.

Qytetari Ajet Jonuzaj shprehu shqetësime për çmimet, të cilat sipas tij janë më të shtrenjta se vitet e kaluara.

“Dy javë… çmimet shumë ma të shtrenjta se vitet e kaluara… jo nuk janë të përballueshme çmimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.”, tha:Jonuzaj.

Edhe Shpejtim Klinaku thotë se kaloi mirë, pasi bëri shumë vizita e shëtitje, por edhe këtij i vjen keq për situatën ekonomike në vendlindje.

“3 javë jemi kon te familja jem, gruja te familja e vet, kemi dalë, kemi shëtit, ma mirë se në Kosovë nuk ka kërkun… vallahin te çmimet veç gruja se une s’e di, ka ndryshime diçka pak, ama mendimi jem janë shumë këtu në Kosovë, çfarë rrogash i kanë, çmimet janë shumë të shtrenjta, domethënë sipas jush nuk janë çmimet e përballueshme për qytetarët? Ashtu është… pozitive mendimi jem është se përpara kur kemi ardhë këtu jemi marrë shumë me dokumente, me letërnjoftime të shkijeve, mendimi jem tash është mirë se veç ia jep letërnjoftimin, del, hyn edhe pa kurrfarë problemi, qajo është më e mira për neve… s’ka kurrfarë shqetësimi kur të vish në Kosovë s’ka as Amerikë as Dubai.”,theksoi:Klinaku.

Mira Hajdari dhe bashkëshorti i saj kaluan 10 ditë të pushimeve për festat e fundvitit në Kosovë. Ata përjetuan momente të mira, por thonë se vërejtën edhe ndryshime.

“10 ditë kemi qëndru… ka ndryshime, mua më duket personalisht kur vi për pushime, ndryshimet janë shumë të mëdha… për mu jo, për këta këtu në Kosovë është shumë zor… me 350 euro është shumë vështirë me ja dal… më e mira e këtuhit është se ka gjallni, shumë mirë është; shqetësuese është trafiku… veç, mundohem disi sikur me kon të huj, veç nuk vi mo kurr, qato e bojm me vje shumë keq”, shprehen ata për KP.

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, në Kosovë kanë hyrë mbi 928 milionë euro si remitenca nga diaspora.

Prizren: Një 36-vjeçar gjendet i vdekur në lagjen Arbana

7 January 2026 at 20:33


Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën në rrugën “Ukshin Hoti”, në lagjen Arbana të Prizrenit.

Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit ka konfirmuar se viktima është F.Th., mashkull, rreth 36 vjeç, nga Mamusha.

Rasti është raportuar më 7 janar rreth orës 12:40, kur autoritetet morën njoftim për një person që dyshohej se nuk kishte shenja jete.

Menjëherë pas njoftimit, njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.

Voziti 209 km/h në zonën 50, mërgimtari gjobitet me 500 euro dhe i merret patentë shoferi për 12 muaj

7 January 2026 at 20:19


Policia e Ferizajt ka marrë masa ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit, pas publikimit të kundërvajtjeve të tyre në rrjetet sociale.

Shoferi L.B., 21 vjeç, duke drejtuar një BMW X6 me targa të huaja, në fshatin Greme ka arritur shpejtësi 209 km/h në një zonë me kufizim 50 km/h.

Ai është ndëshkuar me gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe heqje të patentës për 12 muaj. Shoferi e ka pranuar shkeljen e shkaktuar.

Ndërsa shoferi tjetër, E.K., 27 vjeç, duke drejtuar një Seat Ibiza me targa vendore në fshatin Zllatar, ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.

Ai është ndëshkuar me gjobë prej 150 euro dhe 1 pikë negative dhe gjithashtu ka pranuar kundërvajtjen.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit për të mos rrezikuar jetën e tyre dhe të të tjerëve.

Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo kundërvajtje në numrin 192 ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, duke garantuar konfidencialitet të plotë për identitetin e raportuesve.

❌
❌