Ndërhyrja e autoriteteve pas publikimit të një videoje të papërshtatshme në Instagram
TIRANË, 7 shkurt /ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot përmes një deklarate për mediet, mbi masat e marra nga strukturat sociale dhe shëndetësore për rastin e postimeve në rrjete sociale nga shtetasi G.H.
Pas publikimit në faqen e Instagram-it të shtetasit G.H., ku shfaqej në mënyrë të papërshtatshme motra e tij, shtetasja S.H., menjëherë nga strukturat sociale vendore së bashku me stafin mjekësor të Qendrës Shëndetësore dhe oficerët e policisë të Komisariatit të policisë, u bë vlerësimi i gjendjes së shtetases S.H.
Gjatë intervistimit, ajo u shpreh se videoja kishte si qëllim ndjekjen virale të vetë personazhit dhe jo elementë dhune apo qëllime dashakeqësie. Videoja është fshirë nga vetë G.H., pas urdhrit të menjëhershëm të policisë.
Strukturat shëndetësore bënë gjithashtu të mundur edhe injektimin e medikamenteve shëndetësore, pasi nga qëndrimi para dy javësh në Spitalin e Shëndetit Mendor në Tiranë, ishte lënë përgjegjësi për trajtim ambulator, i cili ofrohej nga një kujdestare e vendosur nga të afërmit e dy personave.
Aktualisht, ata ndodhen të shtruar për një shërbim më të specializuar mjekësor në spitalin psikiatrik të Tiranës, ndërsa nga ana e organeve kompetente materialet janë referuar në prokurori, sipas edhe rekomandimit tonë.
MSHMS bën të ditur se, “struktura e NJNVR-së së Njësisë nr. 2, së bashku me Drejtorinë e Mbrojtjes Sociale në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut Tiranë, do të mblidhen për hartimin e planit të masave për monitorimin e vazhdueshëm të dy personave me lidhje gjaku (motër dhe vëlla), ku do të kërkohet edhe mbështetje nga organet kompetente për hetime të mëtejshme, për shkak të dyshimit për konsumimin e veprës penale të shfrytëzimit të një personi me aftësi ndryshe”.
/e.xh/a.f/
The post Ndërhyrja e autoriteteve pas publikimit të një videoje të papërshtatshme në Instagram appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.