Pas shiut, në Shqipëri priten rënie temperaturash, kurse ngrica në PD sapo ka filluar. Në Tiranë, Berisha mblodhi kryesinë, me zë të ngjirur e golf të zi, njoftoi protestën e parë për këtë vit.
“Në datë 24, protestë, Rama duhet të bjerë 1 minutë e më parë”, tha Berisha.
Minutat, u bënë orë, u bënë ditë. Rënia e Ramës shtyhet me 2 javë. Protesta pa doktorin me grip s’ka kuptim. 24-a bie pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për padinë e Ramës dhe mbledhjes së Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, por doktorin e shqetëson vetëm një datë e afërt.
“21 janari ishte akt prej burracaku i Edi Ramës. Jo. Sali Berisha nuk vjen në pushtet me dhunë”, pohoi ai.
Berisha thotë se shtyrjen e protestës nuk e solli ai, e solli Rama, se po lë shqiptarët edhe pa veshur në të ftohtë.
“Digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës. Po qindra mijëra shqiptarë, që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë që visheshin nga ai treg, tani ai nk kanë mundësi të vishen, nuk kanë mundësi të blejnë rroba ashtu siç ishin”, pohoi Berisha.
Por 2 javë, i japin Berishës kohë të shpresojë se të rinjtë më nuk do e refuzojnë.
“Mungoi Lapaj, i cili, të cilin unë e kam përgëzuar dhe e përgëzoj për protestën e tij të vazhdueshme para Këshillit të Ministrave. Për të tjerët, në qoftë se janë të vendosur të ose duan të luftojnë të keqen Rama, vendin e kanë të hapur. Pastaj vendimet i marrin vetë.”, theksoi Berisha.
Në mbledhjen e Kryesisë i vetëpërjashtuari Salianji Mungoi. Ai shkoi në Korçën me dëborë, për të mbajtur foltoren e parë për këtë vit. Në sallën plot, Salianjit i munguan vetëm deputetët, por jo struktura dhe të rinjtë.
“Ja që nuk e pengon as bora, as ngrica, që Korça të jetë vullkan. Që kemi njerëz dhe jashtë, më falni që nuk e përllogarita ta bënim takimin në pallat sporti, apo në shesh. Kjo ngroh shpirtin e çdo demokrati. Gjithë PD e Korçës është këtu”, u shpreh Salianji.
Salianji tha se si Berisha dhe Rama janë shqetësuar për takimet e tij me demokratët. Ftesat dhe vetëpërjashtimet e doktorit, i sheh si paqartësi, por vetë është shumë i qartë.
”Mir votat na i vjedh, po sheshet kush na i vjedh që ska njerëz. Lidershipi është i paqartë, paradite ofrojnë bashkim, pasdite përjashtim. Paradite mbështesin spak, pasdite e shajnë me libër shpie. As nuk kam plan të ndaloj në takimet me demokratët. Rrugën pa kthim për ripërtëritjen e ringritjen e PD. Unë kam bërë burg për këtë parti”, tha Salianji.
Si Berisha, si Salianji u munduan të merrnin vëmendjen e shqiptarëve me serinë e parë të telenovelës së tyre blu në këtë vit të ri, por sërish si ditë e shtunë, primen nuk e kapin dot. Atë e kap një demokrat tjetër, Ilir Vrenozi në mbrëmjen e kësaj fundjave në Big Brother.
Vetëm se Vrenozi, në izolim, nuk po merret as me Berishën e as me Salianjin, mesa duket ka kuptuar se gara për të qenë i dyti, nuk të bën fitues të çmimit të parë./abcnews.al